28 September 2012

Gjelosh Luli - e verteta në histori - nga Fritz Radovani


 GJELOSH LULI- E VERTETA NE HISTORI

Nga Fritz RADOVANI:

KUSH KISHTE MA SHUMË VLERË PER LIRINË E ATDHEUN, “BESË–LIDHJA E MALËSISË...” APO “LUFTA NAC.–ÇL.” ?

Në 100 vjetorin e Pavarsisë…

Kapiten Gjelosh Luli (1908 – 1946) Foto Marubi, Shkoder 1941.

Kur “historianët” do të shkruejnë të vërtetën, që Rinia Shqiptare me e mësue “até”?! Sa do të më pelqente sikur “prof. dr. e akademikët” me e dijtë këte emen, kush ishte kjo “Besë – Lidhja e Malësisë së Madhe, Rranxave dhe Postribës”, kush e krijoi dhe pse u krijue, apo cili ishte qellimi i Saj Atdhetar?! Nuk dij a e kanë lexue ndonjëherë Programin e Saj!! Prej vitit 1941 krahinat Veri – Perëndimore të Shkodres, tue fillue prej Ulqinit, Tivarit, Hotit dhe Grudës, ishin të lira nga jugosllavët dhe malazezët, mbas sa luftave per Lirinë e Tyne, dhe shpejt ishte e lirë edhe Kosova e Maqedonia, deri poshtë ku kishin hy forcat gjermane, që kërkonin shkëputjen e Trojeve Shqiptare nga zgjedha sllave. Menjëherë ndër ato krahina u hapen 120 shkollat shqipe me 250 mësues nga ministri Ernest Koliqi dhe qeverisjet lokale të tyne ishin nga Shqiptarët, të cilët filluen edhe organizimin e policisë dhe administrimin e vendit. Kur ushtria naziste filloi terheqjen nga Ballkani me humbjen e luftës, ndihej nevoja e organizimit ushtarak ndër ato krahina për me mujtë me sigurue “Lirinë” e Tyne, e cila jo vetem do të rrezikohej, por pritej edhe përdhosja e Tyne nga forcat komuniste jugosllave të Titos, i cili kërkonte edhe njëherë aneksimin e tyne në vathen e vjetër sllave, por këte herë i ndihmuem nga forcat ushtarake sovjetike dhe nga komunistët shqiptarë, që ndihmoheshin materialisht nga forcat ushtarake të Aleatëve. Nga fundi i vitit 1943 forcat nacionaliste shqiptare “Balli Kombëtar”, “Legaliteti” dhe Indipendentët, luftoheshin haptas nga forcat komuniste “partizane” të drejtueme prej agjentëve jugosllavë, që kryesoheshin gjoja nga Enver Hoxha, që tashti kishte shpalosë haptas flamurin e tradhëtisë, me luften civile në Shqipninë e Jugut...dhe pritej që Shqipnia Europjane t’ ishte tansisht nën pushtimin bolshevik komunist të Titos. Me këte vepër tradhëtije pajtohej edhe blloku i Aleatëve, nen parullen e “Konfederatës Jugosllave”; i cili ndihmonte me të gjitha mjetet financiare dhe materiale “nacional – çlirimtarët” e bllokut komunist të Stalinit. Me daten 23 Shtator 1943, kapiten Gjelosh Luli, major Mul Bajraktari, major Dodë Nikolla (Ivezaj), kapiten Llesh Marashi, të mbledhun per me shpëtue Atdheun nga një robni e ré që po kercnonte krahinat e Shqipnisë së Veriut të porsalirueme nga sllavët dhe italianët, që po administroheshin nga Shqiptarët, kur gjermanët ishin në terheqje, Këta Burra, në një mirëkuptim të plotë edhe me Krenët e vendit, të gjithë bashkë, formuene “Besë – Lidhjen e Malësisë së Madhe, Rranxave dhe Postribës”, e cila kishte si pikësynim kryesor: 1. Mbrojtja e Kufijëve të sotëm të Shtetit Shqiptar...2. Qetësia e mbrendëshme në krahinat Shqiptare…dhe një Program të plotë, që perputhej me interesat kombtare të Lirisë, Pavarsisë dhe të zhvillimit e përparimit të Tyne me kahun e pikpamjet Europjane – Perëndimore. Të nisun edhe nga sakrificat e Familjes së Atdhetarit Dedë Gjo’ Lulit në vitin 1911, trashigimtarit të Gjakut të Tij, po edhe pasues i divoçem per nga Atdhetaria, kapiten Gjelosh Lulit nga të gjithë drejtuesit iu besue drejtimi dhe organizimi i mandejshem i Saj. Të parët që miratuen dhe u bashkuen me këte “Besë – Lidhje të Veriut” ishin Krenët e Hotit, Grudës, Kelmendit, Kastratit, Shkrelit, Triepshit, Koçës, Fundës (Luare – Ledhe) , Reçit, Lohes, Rrjollit, Koplikut, Buzë-Ujit dhe Postribës. Shumë shpejtë me ta u lidh edhe koloneli Atdhetar i Dibres Muharrem Bajraktari. Me daten 19 Dhjetor 1944, drejtuesit e Besë – Lidhjes i drejtojnë një kerkesë edhe anglezit, kolonelit Nill (Neell), që ndodhej në Veri...i cili “premton po nuk mban asnjë nga ata që premtoi.” (Dosja 1883, Arkivi Min. Mbrendshme Tiranë, 1998). Të parët që iu përgjegjen Lidhjes ishin grupi i ushtarakëve ndër shpellat e Shllakut, që kryesohej nga kapiten Gjergj Vata (Cukali), Martin Sheldija, Zef Agostini, Kolë Ashiku, Zef Jakoviq, Loro Vata dhe ma vonë, organizatori i Rinisë Katolike Shkodrane, Ndoc Jakova. U gjet perkrahja e grupit ushtarak të shpellave të Dukagjinit, ku ishin oficerat Gjon Destanisha, Pal Thani, Mark Mala, Nik Sokoli, Ndue Pali, Zef Kol Prela etj. Në Postribë ishte Jup Kazazi, Abdullah e Nuh Kazazi, që mbeshteteshin tek Parija aty. Pa kalue as pak muej në perkrahje të “Besë – Lidhjes së Veriut” vihet edhe Puka me të ushtarakët e njohun e trima, Mirakajt, Mirdita me major Markun dhe Lleshin e Zi Markagjoni... Me kenë se Gjelosh Luli ishte edhe mik i At Mati Prennushit, provinçialit Françeskan të Shqipnisë, i cili kishte lëshue një urdhen të premë mbas vrasjes së At Lekë Lulit, kur bashkpunoi me Legalitetin dhe u vra tradhëtisht, Ai urdhnoi që “asnjë Klerik Katolik nuk duhet të perzihet në politikë”, në këte “Besë – Lidhje të Veriut” nuk u angazhue asnjë nga Klerikët e këtyne zonave. Por edhe pse Kleri Katolik nuk u perzi fare, Ai u godit ma keq se kushdo, tue fillue nga data 25 Mars 1945 që u pushkatue Don Ndre Zadeja dhe mbas tij, me rradhë dijetarë e Atdhetarë për 47 vjet rresht panderpremje deri tek Don Lazer Sheldija në vitin 1988, që u vra nga sigurimi komunist i yni në Amerikë, vetëm se ishte Bir besnik i Atyne trojeve të Besë – Lidhjes së Veriut. Kur forcat komuniste të Mehmet Shehut e Koçi Xoxës, e sa e sa “gjeneralëve” halabakë, sulmuen mbas shpine Atdhetarin Prekë Cali, bashkë me forcat jugosllave që kishin pushtue Gruden, me “Besë – Lidhjen e Veriut” u bashkuen edhe çetat e Shqipnisë së mesme me Alush Lushanakun, Mark Zef Palin dhe Gjon Mark Ndojin, të cilët ruenin lidhjet e veta me “Çeten e Hekurt” të Sul Selimes në rrethinat e Tiranës. Rezistenca antikomuniste në Shqipni fillon pa mbarue Lufta e Dytë Botnore. Atdhetarët e vërtetë nuk u pajtuen kurrë me komunizmin gjakatar. Në Shkoder asht i pari në Europë Mark Çuni, që formon organizaten antikomuniste “Bashkimi Shqiptar”, me anen e së ciles kerkoi pluralizmin politik dhe zgjedhje demokratike. Askush nuk mund të harrojë qëndresën heroike shqiptare të Pjetër Dedës me gruen e tij Maria (Zojzi), të Ludovik Saraçit, të Pashuk e Palë Bibë Mirakajt, të Frano Mirit, të Gjon Dodanit, të Hasan Isufit, të Marash Ndue Mirit, të Pashko Zef Hotit, të Hysen Lepenicës, të Zagoll Shenos, të Sami Lepenicës etj., po gjithmonë tue vue në fletën e parë të këtyne volumeve të qendresës heroike Shqiptarin Gjelosh Lulin e Hotit dhe të Maleve të Veriut, që nuk e bân kurrmâ Nana. Në vitin 1999, në muejn Tetor, më ka shpjegue zonja e Nderueme Helena Luli (Mirakaj), e shoqja besnike e Gjelosh Lulit, që atë natë kur Gjeloshi do të merrte malet, mbasi u vesh me rrobat ushtarake, vuni nën koletin e xhaketes një Kryq të vogel, dhe mbasi puthi dy vajzat e veta të vogla, Klaren dhe Belen, i kishte kerkue zonjës Helena revolverin që e ruente të mbyllun me çels. Kjo ia kishte sjellë dhe Ai e kishte marrë në dorë, e kishte shikue dhe i kishte thanë: “Mos e thashtë as mos e premtoftë Zoti, që unë me këte armë me rrëzue Landen e Tij!” - dhe e kishte vue në brez, ishte perqafue me Té dhe kishte dalë nga shtëpia për mos me u kthye kurrmâ. Me daten 31 Dhjetor 1946, tek zyret e ndjekjes së Koplikut asht ekspozue vetëm koka e preme e Gjelosh Lulit, për me terrorizue Malet e Veriut dhe krahinat antikomuniste! Pothuej të gjithë Emnat e Atyne Burrave që kam përmendë ma siper janë vra e zhdukë edhe trupat e tyne, kush pa krye, kush pa kambë, kush pa sy e kush pa krahë, perfundimisht gati të gjithë janë “pa Varr”! Po monument per Këta Atdhetarë, viktima të komunizmit a ka sot kund!?.. – Jo, “monumentet” janë per vrasësit e tyne, per kriminelët e dekoruem atëherë e sot! “Monumentet” janë e do të jenë per “nacional – çlirimtarët” tradhëtarë e kolaboracionistë me bolshevikët sllavo – komunistë të Jugosllavisë së Titos, Rusisë terroriste staliniste dhe Kinës së Mao Ce Dunit...shfarosës e barbar, me etiketen e “Revolucionit”...të cilëve u kanë sherbye dhe vazhdojnë me u sherbye me perkushtim, se i lidhë të gjithë bashkë “ideali antiatdhetar”... Po “ideali i antarëve të parë të partisë komuniste” cili ishte? – Sot, dimë vetëm një fakt, se pothuej të gjitha përpjekjet e Shqiptarëve për liri u shtypën me gjak, hekur, torturë, vrasje dhe tradhëti. Koçi Xoxe deklaron: “Për vrasjet pa gjyq kam qenë këshilluar dhe janë bërë me urdhër të shokut komandant.”(Dosja 1623). Torturuesit dhe kriminelët Haxhi Lleshi, Zoi Themeli, Vaskë Koleci, Lefter Lakrori, Muço Saliu, Siri Çarçani, Mestan Ujaniku, Nesti Kopali, etj., tregojnë se kur ishin në Shkodër, në janar të 1945, ishte në dijeni edhe Mehmet Shehu dhe Enver Hoxha për operacionin e Veriut, ku pasonin ushtarakët Sheuqet Peçi, Gjin Marku, Rahman Perllaku, Ramiz Alia etj. “...që kishim urdhër me vra dhe me i tretë në proskë njerëzit e dyshimtë dhe Parinë e vendit....” Ata partizanë që u vranë në Luften Nacional – Çlirimtare, të gjithë pa perjashtim, vrritën per një “ideal”, per “idealin” komunist: “Bijtë e Stalinit jemi né, rroftë Stalini i math, babai ynë!”... E dij se e kanë të veshtirë me arsyetue me trunin e tyne marksist-leninist të mykun nga “historia e PPSh” dhe parimet komuniste “prof. dr. e akademikët” e Tiranës anadollake, por duhet të tregojnë haptas se cilat ishin programet e tradhëtisë prej 8 nandorit 1941, të komunistëve të Tiranës, Permetit, Beratit, e deri tek Ramiz Alia, në 1991, në sherbim të komunizmit gjakatar? Në 1991 Ramiz Alia thotë: “Edhe gjak do bëjmë..!”, ja “ideali” i kriminelit të 1943...! E verteta historike asht vetem një: Komunistët anadollakë të Shqipnisë për me sigurue një kolltuk, até të Enver Hoxhës, shiten Atdheun, shiten Trojet Shqiptare, vranë e masakruen të gjithë Atdhetarët dhe inteligjencen Europjano Perëndimore, kthyen një Popull në bujkrob per me punue per terroristët e tradhëtarët, vodhen e vorfnuen vendin dhe pushtetin ua dorzuen veglave të tyne besnike, per me ua sigurue edhe mbasardhësëve pushtetin e perjetshëm...antiatdhetar! Mundohen “disa” me gjetë krraba me varë “programet” e Mukjes apo te Bujanit tash nga pleqnia...e aty nga fundi kujtojnë se u ka ardhë prap koha edhe “këtyne” me u thirrë “pashallarë” ...dhe askush nuk thotë të verteten historike! Mashtrojnë dhe gënjejnë edhe pse janë në gryken e vorrit...E nuk kujtohen se mbi rrasen e “mermerit” të tyne Populli Shqiptar, ka me i daltue se: “Këtu asht edhe një tradhëtar i Shqipnisë Europjane të Gjergj Kastriotit!”.

Melbourne, 2012.

13 September 2012

NE VEND TE DOSJEVE - MONUMENTE- nga Anton Çefa

 

NE VEND TE DOSJEVE - MONUMENTE
 
Dy fjalë për një Mur Kujtese dhe një Obelisk
 
ANTON ÇEFA

Anton Çefa, New Jersey USA
            Lexova në “Illyria”një shkrim të Pandeli Majkos për një sugjerim të tijin që të ndërtohet një Mur Kujtese, ku të gdhendeshin emrat e të gjithë atyre “që u vranë pse mendonin ndryshe apo edhe pse luftuan që Shqipëria të ishte ndryshe”, siç thotë shprehimisht ai.
            Pandeli Majko, për mendimin tim, është një nga personalitetet më të ekuilibruara të politikës shqiptare që nga viti 1990 dhe këndej dhe më gëzoi pa masë ky propozim i tij, vënia në jetë e të cilit do t’i shërbejë si një dëshmi e vyer kujtesës historike kombëtare dhe do t’i ndihmojë breznive të ardhshme të kuptojnë diçka nga ajo çfarë ka ndodhur në atdheun e tyre, të zdriten në selitjen e një ideje dhe përfytyrimi historik sa më të qartë për atdheun, dhe të orientohen në veprimtaritë e tyre atdhetare.
            Aq sa më gëzoi kjo ide, aq më erdhi i hidhur fakti që ai e ndjen veten “të dyzuar” nëse i takon apo jo atij si komunist dhe bir komunistësh të bëjë një propozim të tillë, sepse janë pikërisht ish-komunistët ata që duhet ta ndjejnë fajin e asaj partie dhe të atij regjimi që shkaktoi atë tragjedi të përgjakshme vëllazërore të pashembullt, dhe t’i kërkojnë falje për këtë asaj pjese të shoqërisë shqiptare që e vranë, e burgosën, e torturuan dhe nuk i lejuan as të drejtën për të patur një varr. Dhe t’i kërkojnë falje jo vetëm asaj, por edhe gjithë popullit tonë.
            Një gjest vërtet i vonuar, shumë i vonuar, njëzet vjet i vonuar, por që ngjall shpresë për një filtrim ndërgjegjeje, për një fisnikërim shpirtëror të fajtorëve.
            Të ishte bërë me kohë, që pas rënies së diktaturës, dhe në mënyrë masive, do ta kishte qetësuar këtë segment të rëndësishëm të shoqërisë shqiptare, që përbën substancën më fisnike të shpirtit shqiptar, do të ishte arritë pajtimi aq i nevojshëm dhe vëllazërimi i popullit tonë, dhe historia jonë do të ishte zhvilluar krejt ndryshe. Shkurt, nuk do të kishim kaluar nëpër këtë soj “tranzicioni”, që na ka lënë më larg demokracisë se vendet e tjera të Lindjes, dhe na ka krijuar këtë gjendje kaotike që po përjeton atdheu.
            Një gjest vërtet unik, por që na ngazëllen në mendimin që edhe të tjerë kolegë në partinë e tij, që janë direkt përgjegjës për atë çka ndodhi, të solidarizohen me propozimin e tij dhe , çka është më e rëndësishmja, të ndjejnë fajin dhe të kërkojnë falje para popullit dhe Atdheut.
            Edhe nëse një propozim i tillë bëhet për oportunitet dhe përfitim politik, siç edhe mund të interpretohet dhe është interpretuar, gjithsesi nuk i humb vlera aspak në prizmin historik, sepse breznitë e ardhshme do të lexojnë tek ai Mur Kujtese krimin e përbindshëm të diktaturës së kuqe, ndërsa synimet politike për të cilat u ngrit do të zbehen me kalimin e kohës dhe do të harrohen fare.
            Kam mësuar gjithashtu se është projektuar nga kryeministri Berisha ndërtimi i një Obelisku me të njëjtin qëllim, për t’i shërbyer kujtesës historike të Shqipërisë dhe të gjithë kombit tonë.
            Është vërtet një veprim sa i fisëm e human aq edhe i nevojshëm ndërtimi i këtyre monumenteve që do të dëshmojnë historinë kriminale të regjimit komunist dhe do të pengojnë harresën. Por në këtë 100-vjetor të Shpalljes së Pavarësisë nuk duhet të harrohet një çështje shumë më e rëndësishme se ngritja e monumenteve, ajo që vendi ynë nuk ka demaskuar krimin komunist, imperativin numër një të periudhës së pas rënies së diktaturës dhe vazhdon të jetojë e qetë në pajtim me të. Me gjithë kërkesat e herëpasherëshme të Europës, ky problem është anashkaluar, d. m. th, është sabotuar. Asnjë nuk ka shkuar para drejtësisë për një gjë të tillë, përkundrazi, në jetën politike veprojnë edhe persona që janë drejtpërdrejt përgjegjës për çfarë ka ndodhur.
            Dosjet nuk u hapën që të mos zbulohet e vërteta, e vërteta më e shëmtuar e një shoqërie, ajo e krimit. U vranë shpirtërisht pikërisht ata të cilëve u kushtohen monumentet, ata që iu kundërvunë regjimit diktatorial dhe u martirizuan për hir të idealeve humane e atdhetare.
            Në këtë Përvjetor duhet të mendojmë më shumë se kurrë: cila do të jetë e ardhmja e vendit tonë me gjendjen e krijuar? Një popull që ka frikë të zbulojë e të njohë të vërtetën historike nuk mund të projektojë një të ardhme të sigurt. E pra, njohja e së vërtetës historike është kusht sine qua non i ekzistencës së një kombi.

12 September 2012

Nanë Sava dhe njëmijë Nana....- nga Jozef Radi

NANE SAVA

Nji Nanë... Njimijë Nana dhe Njiqind vitet e Shtetit Shqiptar...


(Nji Kangë që duhet me e këndue të gjithë bashkë)

 Nga:  Jozef  RADI


Nënë Sava 1995
Shteti shqiptar ka hy në kapërcyell të shekullit dhe sigurisht nga maja e këtyne njiqind viteve të mbrrituna, ka mundsi me soditë me qetësi, po edhe me krenari e dhimbje jo veç rrugën po krejt përpjekjet e bame, jo veç luftat po edhe heronjtë, jo veç fitimtarët po edhe të mundunit, jo veç arritjet po edhe praghumnerat, jo veç burrshtetasit po edhe diktatorët, jo veç historigrryesit po edhe dinjitarët, jo veç ata me tituj e grada po edhe ata ma të thjeshtët, që quhen Popull, e që me t'përditshmen e tyne rraskapitëse s'mbrrijnë kurrë me ba as emën dhe as mbiemën të shquem...
Nji shtet njiqind vitesh, simbas mendjes sime, duhej të ishte si nji plak i moçëm e i urtë që mat me kujdes në t'gjitha anët, që i ndigjon vëmendshëm t'gjitha daullet, që s'shkumzon inati si nji adoleshent: "Ku rafsha mos u vrafsha!" dhe që nji pjesë t'mirë të punëve t'veta duhej t'i kishte futë kahera nëpër hullitë e duhuna...
Sikur faji ndër ne t'kërkonte nji emën të vetëm do ta kishim pasë krejt të lehtë me e gjetë atë, por problemi asht se faji ndër ne edhe për mjaft kohë ka me mbetë kopil, e ne të gjithë së bashku në kor kem me gjetë gjithfarë emna fajtorësh, duke harrue se ma e mira do të ishte të merrte gjithkush nga pak faj, me pshtue jo veç nderin tonë edhe të këtij shteti që kurrë s'po mbrrin me u ba si nji plak i urtë e me nda kuvend si burrat...
Nejse, a s'asht ma mirë me e lanë shtetin n'at shejtninë e tij fatlume të shekullorit e ne me iu kthye atyne vogëlsinave të mëdha që po i humbim përditë, dhe që po kujtohemi për to veç kur seleksioni natyral na i shkul dhunshëm ato vlera dhe ata njerëz, për të cilët çdo monument o piedestal sado madhështor do të ndehesh në vështërsi të mëdha përballë veprës hyjnore të atyne ma heroikeve të këtij truelli e të këtyne maleve; të atyne që me dhimbje e me sakrifica të pashkrueshme i dhanë nji emën dhe nji vlerë që s'ka zot me e zhba dhe me e zhbi prej shpirtnave tonë: Nanat shqiptare

Në nder të gjithë atyne Nanave të kësaj toke, të gjithë atyne grave që e shtynë dhe ende po e shtyjnë qerren e jetës shqiptare me shpirt nëpër dhambë, kam nji emën të vetëm, nji emën të vetëm Nane që asht sot pothuej motake me shtetin shqiptar, e që jeton për turpin tonë, sot e kësaj dite atje n'ato kampet dikur skëterrë të internimeve dhe me qetsinë olimpike të nji shenjtoreje e stocizmin madhështor të nji heroine, pret paasnji grahmë lëvdate as lavdie, at udhëtimin e gjatë drejt përjetsisë
E mora kët guxim sot, sepse nesër ka me qenë vonë, tepër vonë e ndoshta flaka e atij kandili n'shpirtin e saj do t'jetë shue; sepse s'asht njerzore me këndue nji requiem të dhimbshëm kur mundemi me këndue nji simfoni! Po, po, nji simfoni heroike shqiptare, pa shumë zulme e hove, pa shumë lajle e ojna, thjesht me e thanë me gjithë shpirt emnin e saj: Vojsava Zguri - Kuqeshi, për të gjithë ne që e njohin prej vitesh thjesht: Nënë Sava! Ose le të shtrembnohet paksa emni i saj dhe të bahet si nji flamur i rreckosun vuejteve pafund: Nënë Savra!

Nënë Sava me tre fëmijet e saj dhe mbesen
Nënë Sava, mbrriti në kampin e Savrës aty nga fundi i viteve pesëdhjetë, me të shtatë fëmijët e saj pesë djem e dy vajza. I kishin përzënë prej Leskoviku dhe i hodhën nji mbramje si kafshë aty midis barakave prej pupuliti. Grueja, fëmijën e fundit e kishte n'gji dhe të madhin posa i kish kalue të njizetat. Ajo, s'la asnji nga fëmijtë me qa, po i mblodhi të shtatë ashtu kokë më kokë, i dha secilit detyrën dhe u nis e vetme pa burrë, në at kalvar pafund, që për dreq vazhdon ndaj saj edhe sot e kësaj dite... Pesë djemtë e saj e morën baltën e Myzeqesë si të ishin eskavatore, dhe ajo që ishte e frikshme për shumë nga bashkvuajtësit, për djemtë e saj dukesh si nji lodër. A asht ndokush që e ka harrue Thanasin, Evgjeninë, Petraqin, Polikronin, Sofon dhe të tjerët... S'ma merr mendja!
Po gjithkund ishte ajo Nënë Sava. E veshur krejt në të zeza si kallogre... po që dinte edhe të qeshte... po ama fjala e saj, thirrja e saj ishte ligj... e vendimi i saj ndoshta ishte edhe ma i rreptë se vetë ligjet e diktaturës... e ndoshta ajo, diktatura që s'kishte frikë askënd në botë, duhet të ketë pasë frikë prej nji grueje, prej nji Nane, prej nji Heroinë që pa frikë ia kalonte çdo burri: Nënë Sava...
Dhe i martoi ajo grue vit mbas viti djemtë dhe vajzat; dhe i priti ajo grue vit mbas viti nipat e mbesat dhe u mplak ajo zonjë vit mbas viti, dhe ashtu në at vetminë e saj të zezë dhe solemne prej patriarku, s'guxonin nuse as djalë, vajzë as dhënder, nip as mbesë të vinte në diskutim fjalën e saj...
Kjo asht ajo Nënë Sava, që në mars të vitit që vjen, mbush plot njiqind vite, e bahet motake me Shtetin...

Nënë Sava me mbesen dhe stërmbesen gusht 2012
Gjithë gratë dhe shoqet që ndanin të njejtin fat me të tashma i kanë ikë kësaj bote, po pakkujt i ka ra ndërmend me u kujtue për To, me e ngritë sado pak zanin kundër kësaj padrejtësie që rrin pip në kambë, e s'po na len me pa larg ndër kohna, e me u kujtue se në fund të fundit të gjithë ne jemi vepër e nji Nane Shqiptare e nji grueje që e ka trembë rrezikun dhe të keqen me shembullin e saj, jemi të gjithë krijesa të nji Nënë Save...
Pse ajo s'ishte e vetme, ajo ishte vetëm nji prej atyne Nanave, emnat e të cilave jam përpjekë me ia grrye kujtesës dhe asaj dashnie që kam ndje për gjithë dhimbjet dhe sakrificat e tyne sublime... Ato i rritën fëmijët e tyne: pa burra, i martuan: pa burra, i rritën nipat e tyne: pa burra, dhe nëse ky vend flet për burra, burra të vërtetë janë vetëm Nënë Savat që e ruejtën dinjitetin dhe krenarinë e nji aristokracie shqiptare pa u ba zhele, pa guxue kush me ua shkelë dinjitetin, pa pranue asnji kompromis me të keqen e madhe, duke u dhanë fëmijve të tyne vërtet bukë ma pak, po nji shembull të pashkruem ende... Pati edhe mjaft Nana që i rritën fëmijët e tyne me burra në burg, e ndoqën fatin e tyne me trasta në krahë, i veshën pantallonat e burrave me arrna ndër gjunjë të qepuna me fijet e flokëve të tyne; e hoqën kafshatën e bukës prej goje për burrat dhe fëmijtë e tyne, po gjithsesi hija e burrit ishte gjithkund aty rrotull... ndërsa për Nënë Savën dhe simotrat e saj të maposhtme hija e burrit o kaherë ishte tretë nën dhé, o prej kur s'mbahej mend kish marrë rrugët pakthim të ezileve...
Prandaj kët kangë heroike e këndoj me ju për nji grue të vetme: mbas saj asht nji kor pafund me gra që unë jam mundue me i përmendë emën për emën, plot 53 gra, që kanë mbajtë Gurin e Sizifit në nji kamp të vetëm interrnimi: n'atë të Savrës! Po sa mija e mija gra ia vunë shpatullat këtij kombi, atherë kur burrat e vërtetë i përtypte plumbi o kurbeti i detyruem...
Lavdi kësaj Nane Shqiptare, ku ende vezullon nji grimë drite e gjithë Nanave tona të ikuna me shpirt të trishtuem!
Le t'ia nisë kush të mundë kët emën dhe kët kangë të shkulun prej së thelli Presidentit të Shtetit Shqiptar, Kryetares së Parlamentit Shqiptar, Kryeministrit Shqiptar, që nesër mos të lodhen me e kujtue mbas vdekjes, po në të gjallë ta nderojnë se e meriton kët grue për gjithë simotrat e saj! "Nderi i Kombit", pakkush e meriton si Ajo dhe gjithë Ato Nana që ruejtën me dinjitet emnin dhe nderin e krejt atyne familjeve të mëdha të cilave komunizmi u përpoq me iu shkatrrue gjithçka...!
I kërkoj çdo lexuesi, me gjetë nji mënyrë, si t'i duket atij ma e drejtë, me ia ba me dije Shtetit Shqiptar, që nëse dëshiron me iu afrue me të vërtetë asaj moshe që meriton kjo festë:
100 Vjetori i Shtetit Shqiptar, bahet ma solemn, dhe ma i vërtetë duke fillue bash prej emnit dhe moshës së kësaj Nane shqiptare: Nënë Savës!

Listë e ndërtueme veç me kujtesë atyne 53 Nanave që i rritën pa burra fëmijët e tyne në kampin e Savrës...

Vojsava Kuqeshi (nga Leskoviku)
Caje Merlika (nga Kruja)
Velide Çapa (nga Dukati i Vlorës)
Vaje Kupi (nga Kruja)
Ana Pervizi (nga Skuraj i Kurbinit)
Xhina, Kune e Cube Mirakaj (nga Iballa e Pukës)
Rukije e Sulltana Dine (nga Maqellara e Dibrës)
Mrike e Marta Markagjoni (nga Oroshi i Mirditës)
Hajrie Mulleti (nga Tirana)
Vocërr Sherifja (Hoxha) (nga Tropoja)
Kadife Matjani (Matjani i Lushnjes)
Lekani Gjoka (nga Brezhdani i Përmetit)
Gjylije Kolgjini (nga Kukësi)
Hanife e Hava Alla (nga Zgoshti i Librazhdit)
Hazize e Kadife Biçaku (nga Lenia e Librazhdit)
Merushe Plaku (nga Çamëria)
Vasfije e Tefta Dema (nga Homeshi i Dibrës)
Dhemashqini Kokali (nga Aliko e Sarandës)
Hatixhe Çeliku (nga Borja e Kuksit)
Kafile, Hane e Dije Sina (nga Muhurri i Dibrës)
Xhevrije e Xhevahire Spahiu (nga Kolesjani i Kukësit)
Zengjine e Resmie Laholli (nga Vidohova e Korçës)
Sheme e Ziqe Kaloshi (nga Peshkopia)
Tushe e Dije Lamçe (nga Elbasani)
Lefkothe Anastasi (nga Vllaho-Psillotere e Permetit)
Nënat e Kullëve (Mirdash, Ali, Irfan, Gëzim) (nga Zemblaku i Devollit)
Mrikë Gjergji (nga Malsia e Madhe)
Nëna e Maçeve (Musa, Tomorr e Kujtim) (nga Tirana)
Nëna e Kosta Guvellit (nga Dhivri i Sarandës)
Zeqije Agolli (nga Peshkopia)
Jorgjica Kënuti (nga Dropulli i Poshtëm)
Bute Berisha (nga Tropoja)
Aishe Neza (nga Tropoja)
Kaliopi Peçi (Leshnicë e Sarandës)
Xhemile Cani (nga Peshkopia)
Ike Tola (nga Peshkopia)
Vezire Taho (nga Starje e Ersekës)
Feruze Brahamaj (nga Greshica - Mallakastër)
Sabrete Asllani (nga Luftinja e Tepelenës)
V.O: Kam shënue edhe vendet prej nga vinin këto gra me dëshmue se gjeografia e heroizmit të tyne prek çdo skutë të tokës shqiptare...
Kërkoj ndjesë për ndonji pasaktësi, o për çdo harresë që mund të ketë ndodhë veç prej kujtesës sime...

Për Gazeten elektronike "Ora e Shqypnise" derguar nga Fritz Radovani, Australi.