28 December 2014

Polemika: Nasho Jorgaqi & Ismail Kadare


NASHO JORGAQI:
Përgjigje rrëfimit me qen, shkrimtarit Kadare


Ashtu si ti, edhe unë nuk po ta përmend emrin, por po të drejtohem siç ke nisur të paraqitesh kohët e fundit në kopertinat e librave, thjesht me mbiemrin. Kjo zgjedhje s’është formale, por lidhet me çka po ndodh me ty. Çuditërisht përkon dhe me një opinion të përhapur gjerësisht në publik, sipas të cilit po ndjehet një diferencë e dukshme midis peshës së emrit dhe peshës së mbiemrit, si dy komponentë jo të barasvlershëm. Deri vonë nuk më kishte shkuar mendja se një magjistar i fjalës do të vinte një ditë që për shkaqe të cilat do t’i shpjegoj më poshtë, do të kthehej në një akrobat të saj. Me këtë kam parasysh, midis të tjerash, shkrimin e ulët dhe përdhosës “Një ngjarje që mbaron me qen”, që më dërgoje si përgjigje tepër të vonuar të letrës sime të hapur. Ç’është e vërteta, megjithëse përgjigjen e mendimeve të mbrapshta dhe humorit tënd të zi ma kishte dhënë nëpërmjet shtypit tabori yt i pazhëve, prapë, duke ta njohur mirë natyrën hakmarrëse, e prisja reagimin tënd të egër, por kurrsesi deri në atë shkallë sa të më cilësoje çmendurisht budalla, Judë e spiun. Qesha, sigurisht, por qesha hidhur, sepse m’u kujtuan fjalët e Gëtes se “Epitetet nuk janë argumente. Kur këto mungojnë, tregojnë dobësi.”
Në fakt, më tej në përgjigjen tënde, ti përpiqesh të sajosh disa të ashtuquajtura argumente, një përzierje gënjeshtrash, gjepurash dhe shpifjesh të vendosura në një kontekst politik, terreni yt më i preferuar dhe më demagogjik, sidomos në periudhën postkomuniste. Me këtë rast më erdhën ndërmend bisedat tona pas kthimit tënd nga “mërgimi”, kur gjithë kohën merreshe me thashetheme, shaje e fyeje shumëkënd, lëshoje fjalë helmuese e ç’nuk thoshe. Të gjitha këto e bënin bisedën të mërzitshme, madje të padurueshme e pa nivel, çka kontrastonte me bisedat e tua të dikurshme, sa mua më vinte të ngrihesha e të ikja. Pastaj erdhi një ditë që, me gjithë keqardhjen e thellë, unë fillova t’i rralloja takimet deri sa vendosa t’i ngrija marrëdhëniet tona miqësore për afro dhjetë vjet. Ti këtë e di mirë, i di dhe arsyet konkrete, por që unë s’kam arsye t’i bëj publike. Kësaj here jam i detyruar të merrem me lehjet e një qeni të tërbuar, që më vijnë nga larg, një zgjedhje që ma ke diktuar ti.
Përgjigjja jote për kohën e saktë të hartimit të romanit “Mjegullat e Tiranës” nuk sjell asgjë të re, asnjë fakt e argument mbushamendës. Ti përsërit atë që ka shkruar në shtyp botuesi yt për ekzistencën e dorëshkrimit origjinal dhe se mjafton të bëhet ekspertiza që të merret vesh e vërteta. Por ka kaluar gjysmë viti nga akuza ime publike dhe akti shkencor-juridik nuk është bërë, në një kohë kur dëshmia ime mbetet në fuqi. Dhe kjo i takon palës tënde ta kryejë, ndërsa mua më mjaftojnë dëshmitë autentike që ruaj nga ajo kohë. Them kështu sepse ti harron që ka kaluar më shumë se gjysmë shekulli dhe se të ka dalë nga mendja që në kohën kur ti pretendon se shkruaje romanin, ne jetonim së bashku nën një çati, madje në një dhomë. Miqësia jonë ishte në kulmin e saj. Duke qenë se unë asokohe, si beqar që isha, jetoja në hotel, ti më ftove të jetonim bashkë në shtëpinë e tezeve të tua, ku kishte hapësira të bollshme banimi. Kështu, ne banuam së toku për afro dy vjet (1957-1958). Ishte koha kur unë sapo kisha filluar të shkruaja “Dashurinë e Mimozës”, ndërsa ti vazhdoje të shkruaje e të botoje vjershat e tua të suksesshme, për të cilat unë kisha fatin të isha nga lexuesit e parë, në mos i pari. Mirëpo duke lexuar me vëmendje faqen e fundit të romanit “Mjegullat e Tiranës”, datën e përfundimit të tij (pranverë 1958) m’u zgjua papritur kujtesa dhe bëra një lidhje që s’më kish shkuar ndërmend më parë. Jo, jo, – thashë me vete, – kjo s’është e mundur. Ta shkruaje romanin në praninë time dhe unë mos ta vija re e aq më tepër ti të mos me thoshe gjë!? Por kjo nuk ka aq rëndësi para përmbajtjes së veprës që e lexova të botuar. Sapo e mbarova thashë se ky roman nuk i takon kurrsesi asaj kohe, por është një vepër e mistifikuar prej teje. Nga leximi i vëmendshëm kupton se personazhet e tua nuk janë krijuar në vitet 50, por disa dekada më vonë. Ato nuk kanë psikologjinë dhe mentalitetin shqiptar të atyre viteve, pasi janë tepër të avancuara. Dashuria e Bardhylit dhe Emës, sidomos e të parit, është e ngarkuar me aq erotizëm dhe mendime e veprime krejt të panjohura për kohën e rinisë sonë. As ti e as unë, që kishim ardhur nga provinca, nuk e njihnim jetën e shoqërisë perëndimore. Oksidentalizimi që ti u ke bërë personazheve e mjediseve, nuk përputhet me realitetin shqiptar të kohës. Por kjo ka ardhur shumë vite më vonë, kur ti shëtite botën dhe njohe nga afër e përjetove jetën perëndimore. Tamam pas kësaj njohjeje të thellë prej artisti të kalibrit tënd, mund të shkruhej, siç e shkrove në fakt në vitet e pjekurisë tënde. Nga ana tjetër, pyetjes sime në letrën e hapur se si është e mundur që, duke qenë aq miq të ngushtë, ti ma paske fshehur romanin që po punoje, kurse një vit më vonë, kur shkruaje romanin “Qyteti pa reklama”, nuk harrove të ma njoftoje me gëzim nga Moska përmes letrës së dt. 3. 12. 1959 që më dërgoje? Kësaj pyetjeje nuk i jepja dot përgjigje. Përgjigjen po ma jep ti me një arsyetim sa absurd e fyes, aq dhe qesharak, kur shkruan te “Një ngjarje që mbaron me qen”: “S’ta kam treguar sepse s’të kam besuar… sepse…” Dhe më poshtë, me një paturpësi cinike, përpiqesh të sqarosh e të shpjegosh se unë paskam qenë spiun dhe se këtë e dinte gjysma e Tiranës (?!) Tani unë pyes rishtas se, kur unë paskam qenë i tillë, si më fale aq miqësi, qave halle e më besove aq të fshehta që unë kurrë s’t’i shpërdorova? E mbi të gjitha, si e fute spiunin në shtëpi? Si e mbajte miqësinë me mua për disa dekada dhe nuk dyshove qoftë dhe një herë për t’u distancuar nga e keqja? Jo, përgjigjen e gjej te karakteri yt që s’e ka për gjë gënjeshtrën, shpifjen, sajimin, përdhosjen dhe mohimin e miqësisë, trajtimin dhe lojën me miqtë si të ishin personazhe romanesh. Dhe jo rastësisht qarkullon mendimi që ti kurrë s’ke pasur e s’ke miq të vërtetë, veç interesa kalimtare dhe meskine.
Por ajo që më dhemb në tërë këtë histori të sajuar, është fakti tepër i shëmtuar që shpifjen ti ia vesh mikut tim të shtrenjtë, Drago Siliqit, një njeriu aq të nderuar për virtytet e rralla. Vetëm ai s’mund ta bënte këtë shpifje. Po ti s’e ke për gjë që gjysmën e shqiptarëve t’i marrësh për spiunë. Madje në këtë shpifje ti ngatërron dhe miq të mi të tjerë, tre të vdekur (Dragon, Dhori Qiriazin dhe Dhimitër Xhuvanin) dhe dy të gjallë (Dritero Agollin dhe Fatos Arapin). Sigurisht që me të ikurit e ndjerë s’kisha si të komunikoja, por fola me të gjallët. M’u desh të pyes Driteroin dhe ai m’u përgjigj: “Nuk kam dëgjuar asnjëherë një gjë të tillë nga Dragua jo vetëm se ju ishit miq të ngushtë, por edhe se Dragua ishte njeri më karakter të fortë.” Kurse Fatosi, ndonëse fizikisht jo mirë, më tha: “Të lutem, mos më ngatërro me këto gjera. Nuk mbaj mend gjë.”
Tani të pyes prapë dhe prapë: Kur ti, që në dhjetëvjeçarin e parë të miqësisë sonë, e paske ditur se kush fshihej pas meje, si e vazhdove dhe e thellove më tej miqësinë me mua deri në pleqëri, pa shfaqur kurrë dyshime e rezerva, pa të hyrë gjemb në këmbë nga unë kur, siç më shkruaje nga Franca në 1991, “ne bisedonin kokë më kokë me njëri-tjetrin, në një kohë kur të ikte koka”? E kupton se çfarë marrëzirash thua? Por po të kujtoj dhe një rast tjetër, në mes shumë rasteve, siç qe situata e rëndë kur u kritikove për “Dimrin e vetmisë së madhe” dhe erdhe një natë e trokite në derën e shtëpisë sime. Ta hapa menjëherë dhe u gjendëm përballë. Ishe i tronditur sa asnjëherë tjetër dhe me zë të ulët më pyete: “Të hyj? Mos po gaboj që erdha?” Dhe unë të rroka në qafë e të futa brenda pa asnjë hezitim. Atë natë, si qindra net të tjera, ndamë hallin së bashku, shkëmbyem mendime se si mund të dilje nga situata e krijuar dhe pastaj ike i lehtësuar, për t’u takuar në ditët e ardhshme. Sigurisht që ty s’të kujtohen, se ti s’e njeh mirënjohjen njerëzore.
Kurse unë nuk harroj asgjë nga miqësia jonë, sidomos nga miqësia e pastër që të dhashë. Pavarësisht nga natyra jote e vështirë, nga huqet, veset, të metat, unë asnjëherë nuk i njollosa e s’i shkela marrëdhëniet tona. S’di raste keqdashjeje apo veprime dëmprurëse ndaj teje. Përkundrazi, kam qenë kurdoherë dashamirës, i hapur dhe korrekt, tolerant, vlerësues dhe admirues i talentit tënd. Edhe kur përballesha me dobësi të tuat, me paqëndrueshmërinë tënde dhe situata të pahijshme, me arrogancën dhe cinizmin tënd, me qëndrime që binin në kundërshtim me disa nga principet e mia, unë prapë mbahesha pas vlerave të miqësisë sonë. Gjithë ç’di e për sa kam qenë dëshmitar në jetën tënde, nuk më ka shkuar mendja t’i bëj publike. Mjafton të kujtoj letrat e tua dhe shënime te ndryshme që i ruaj në arkivin tim; të kujtoj faktin që një pjesë të letrave t’i kam fotokopjuar dhe t’i kam dhuruar para një viti e ca jo vetëm në shenjë kujtimi, por edhe si përgjigje të fjalëve dhe disa veprimeve të tua në dëmin tim. S’di nëse të kujtohet, por kur po më përcillje, m’u lute që ato letra të mos e shihnin dritën e botimit, dhe unë të premtova sinqerisht, pa menduar se ç’do të më ndodhte një ditë prej teje.
Por le të kthehemi te shkrimi yt me qen, që ke hedhur në qarkullim si reagim ndaj letrës sime të hapur, të cilën e cilësoje si një test, gjë që vetëm një mendje djallëzore e dashakeqe mund ta sajojë për t’iu shmangur të vërtetës. Ç’ishte nevoja të të testoja ty, kur gjithë sa të shkruaja në letër kish të bënte me probleme konkrete e me kritika shoqërore dhe as më shkonte mendja të bëja testim e aq më tepër të provokoja apo marrëzia tjetër e jotja që të vija veten time në provë nëse isha harruar si spiun apo mbahesha mend akoma(!) S’besoj të ketë fantazi më të pështirë e më të turpshme, sidomos kur ta thotë një ish-mik i vjetër, pa kurrfarë etike dhe respekti, sikur unë të isha kurrkushi. Po edhe sikur të kisha qenë spiun, ç’ishte nevoja të përdorja praktika të tilla, veçanërisht ndaj teje që e ke kokën plot dyshime, alibira, inate e instinkte hakmarrjeje? Vetëm një mendje e sëmurë apo e ligë mund të pjellë mendime aq të zeza si ato që më atribuon ti, pa pasur asnjë fakt, qoftë nga raportet tona apo me të tjerët. Unë s’di absolutisht asnjë rast që ti të kesh dyshuar tek unë në çfarëdo situate. Fatmirësisht unë s’kam qenë nga ata që të kem dalë si dëshmitar në gjyqet politike ndaj shokëve ose kolegëve, as kam shkruar recensione akuzuese fshehurazi, as u kam dhënë këshilla hetuesve gjatë proceseve politike, as kam dhënë gjykime për vepra që kërkonin organet e kohës, siç kanë qenë të detyruar, për fat të keq, të bënin jo pak nga rrethi i shkrimtarëve dhe artistëve.
Po, kam shkruar romanin “Mërgata e qyqeve” me dëshirën time, pa ma ngarkuar ose detyruar njeri, aq më tepër Ministria e Brendshme. E shkrova këtë vepër sepse më tërhoqi e më bëri për vete veprimtaria e zbuluesve tanë patriotë që punonin me vite në diasporën politike në mbrojtje të interesave kombëtare. Këtë subjekt e ndesha krejt papritur nga njohja rastësore me një nga zbuluesit e kthyer në atdhe, pas kryerjes me sukses të misionit shumëvjeçar jashtë vendit. Më frymëzoi jo vetëm heroizmi i heshtur i këtyre njerëzve, por dhe vetëdija e lartë e detyrës dhe e sakrificave, dyzimi i tyre psikologjik aq joshës për një vepër letrare. Megjithatë, nga dëshira ime deri në miratimin zyrtar u përballa me jo pak vështirësi, nga që veprimtaria e zbuluesve tanë jashtë shtetit s’ishte pranuar zyrtarisht. Për të gjitha këto ti ke qenë në dijeni, madje kemi diskutuar kushedi sa herë, aq sa ma quajte fatlume temën që kisha zgjedhur. Kur doli romani, mbaj mend që më urove dhe nxitove të botoje në revistën që drejtoje, “Les lettres francaise”, disa kapituj të zgjedhur nga ti nën titullin “Ex Re”. Më pas, kur romani u mirëprit nga publiku dhe u vendos zyrtarisht të botohet edhe për shkollat, ti more përsipër dhe shkrove një recension entuziast që ta kërkoi Shtëpia Botuese e Librit Shkollor.
Meqë jemi te raportet tona si shkrimtarë me Ministrinë e Brendshme, po përmend se kontaktet dhe lidhjet me të nuk të kanë munguar as ty, ndonëse tani s’ta ka qejfi t’i kujtosh. Ke pasur të njohur dhe miq prej tyre, me të cilët shkëmbeje mendime ose u kërkoje ndihmë për ndonjë hall që kishe. Po kështu, edhe ti ke kontribuar në botimet e këtij dikasteri, siç është parathënia që ke shkruar për serinë e librave “Heronj të heshtur” apo ke botuar tregime me temën e sigurimit në revistën “Në shërbim të popullit”. T’i kujtoj këto jo për të të akuzuar, siç bën ti, por për të treguar se lidhjet tona me organet e shtetit të atëhershëm ishin krejt normale. Me këtë rast më shkon mendja dhe te ndonjë problem i vështirë familjar që e ke zgjidhur me ndihmën direkte të funksionarëve të lartë, deri edhe te Ministri i Brendshëm. Por, pa dashur të shkoj më tej e të bie në pozitat e tua, nuk mund të rri pa evokuar një episod që na ka treguar pas viteve ‘90 mua dhe një mikut tonë të përbashkët, një ish-funksionar i Sigurimit të Shtetit. Sipas tij, në një bisedë të rastit që ke pasur me të nga vitet ‘80, në muhabet e sipër i ke shprehur pakënaqësinë që Sigurimi Shqiptar ka dështuar në zbulimin e agjenturës sovjetike në Shqipëri. Pas këtij takimi, funksionari nuk do ta linte problemin me kaq, por me rastin më të parë do t’ia raportonte Ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai. Ai e mirëpriti dhe e porositi vartësin që të të ftonte në zyrën e tij për të pirë një kafe e për të biseduar. Dhe kështu u bë. Ti pranove menjëherë dhe pa e zgjatur shkove në zyrën e Ministrit. Sipas funksionarit që do të ishte prezent, biseda në pjesën më të madhe iu kushtua problemit të agjenturës sovjetike në Shqipëri, ku fjalën kryesore e kishe ti, ndërsa ata të dëgjonin me vëmendje. Një takim i vërtetë profesional, me arsyetime dhe fakte, të shprehura seriozisht e pa doreza. Unë e dija se ku e kishe hallin. Ti atëherë ishe i pakënaqur nga disa intelektualë partiakë që kishin studiuar në Bashkimin Sovjetik, me të cilët ishe i zemëruar pasi ata të sillnin pengesa ose flisnin keq dhe ndikonin për mosaprovimin e veprave të tua në Aparatin e K.Q. të Partisë. Por ti kishe pozita të forta dhe gëzoje përkrahje deri lart fare, pavarësisht nga këto pengesa.
Në fund, Ministri të falënderoi për mendimet me vlerë që shfaqe, duke shtuar se “derën e kini gjithnjë të hapur për çdo gjë që ju shqetëson.” Por kjo histori nuk u mbyll me kaq. Ministri, i prekur nga gjesti yt, nuk dinte si të ta shpërblente dhe, kur mori vesh, pas disa ditëve, se Lidhja e Shkrimtarëve të kish dhënë në përdorim, si drejtues i revistës, një veturë të konsumuar, urdhëroi që nga fondi i dikasterit të të dhuronte një nga pesë makinat “Volkswagen” të porsablera në Gjermani.
Pavarësisht nga të gjitha këto, unë nuk mendoj se këto lidhje me Ministrinë e Brendshme kanë qenë zyrtare e aq më tepër se ti ke qenë agjent i saj. S’di bile se si Zylyftar Ramizi, ish-zëvendës ministër i Brendshëm, deklaroi në gjyqin e byroistëve se “Ismail Kadare ka qenë agjent i rekrutuar prej nesh, me pseudonimin gjenerali”. Fakt i njohur është edhe se shefin që mbulonte sektorin e kulturës dhe të artit në Drejtorinë e Punëve të Brendshme të Tiranës ti e kishe mik dhe prej tij informoheshe për ngjarje e persona nga rrethet intelektuale, me të cilët merrej Sigurimi i Shtetit.
Interesant, po gjithnjë më ka çuditur kurioziteti dhe interesimi yt gati patologjik për botën e fshehtë të spiunazhit. Por nuk mendoja se një ditë do të përfshiheshe dhe ti në këtë botë për rrethanat që u krijuan në prag të përmbysjes së sistemit të kaluar. E kam fjalën për arratisjen tënde dhe të familjes në Francë, të organizuar nga Shërbimi inteligjent francez dhe personalisht nga Drejtori i Fayard-it, Klod Dyro, i cili njihej si agjent i saj. Këtë e vërteton edhe fakti që është po ky njeri që, para se të merrej me ty, kish organizuar arratisjen edhe të dy shkrimtarëve disidentë kubanezë nga Kuba në Francë. Se si janë lidhur fijet dhe si kanë rrjedhur ngjarjet në rastin tënd, këtë e di vetëm ti. Sigurisht, opinioni është interesuar për aventurën e arratisjes tënde. Ato që ke thënë e shkruar deri më sot janë sipërfaqësore dhe jo të plota. Dua të besoj se do t’u vijë radha dhe kujtimeve të kësaj ngjarjeje që tronditi opinionin e brendshëm e të jashtëm për mirë ose për keq. Këtë që po ta them e kam me bindje dhe s’ka të bëjë me çështje testesh që pjell fantazia jote. Është e vërtetë që letra ime e hapur mori shkas nga intervista jote, ku më fyeje publikisht dhe më akuzoje për plagjiaturë, kur në fakt s’kisha asnjë dijeni për ekzistencën e romanit tënd. Por lufta kundër meje kishte nisur shumë kohë para kësaj interviste, jo vetëm me thashetheme, të cilat i ke aq për zemër, por me akte publike. Po të kujtoj vetëm dy raste. Në një mbledhje me shqiptaro-amerikanë në Nju Jork ti përfole romanin tim “Mërgata e qyqeve”, duke kërkuar ndjesë gjoja në emër të letërsisë shqipe(!) për gjithçka unë kisha shkruar mbi mërgatën politike, një taktikë e jotja djallëzore për të shmangur përgjegjësinë që mbaje ti në radhë të parë në kohët që kishin ardhur, për veprat e tua militante kundër armiqve të shtetit socialist dhe të Partisë së Punës. Në vend që të bëje këtë, përdore veprën time, kur unë si autor, besnik i bindjeve të mia, s’do ta bëja kurrë. “Mërgata e qyqeve”, për nivelin dhe sidomos vërtetësinë e saj, është ribotuar e mirëpritur edhe pas viteve ‘90. Madje kohët e fundit e ka publikuar në ShBA Korporata me famë botërore “Amazon”.
Rasti tjetër është akoma më skandaloz dhe ka të bëjë me Akademinë e Arteve e të Shkencave, e themeluar para 3-4 vjetëve. Kur emri im ishte miratuar nga iniciatorët, ti, si president nderi, vure veton kundër kandidaturës sime, duke i lënë të tjerët të habitur. “Po ju e keni mik të ngushtë, – të thanë. – Si është e mundur?” Ti u përgjigje gjakftohtë: “Ka fyer familjen mbretërore në veprën e tij.” (Harrove në ato çaste se dhe në veprat e tua socialiste shprehet qëndrimi antizogist dhe antimonarkist) Kur ma thanë, më erdhi keq jo aq për faktin se nuk u zgjodha akademik, pasi opinioni shkencor i di vlerat e mia, por sepse kuptova përfundimisht se miqësia jonë kishte vdekur. Dhe kur ja tregova një mikut tonë të përbashkët, ai më tha: “Vërtetë besoje në miqësinë e tij? Ai nuk e njeh miqësinë, bile s’e ka njohur ndonjëherë. Tani ai, nga lartësia ku është ngjitur, bën dhe dëme të rënda, është bërë i frikshëm jo vetëm me kundërshtarët dhe rivalët, por dhe me miqtë e dikurshëm. Po më dëgjove mua, harroje!”
Por le t’i kthehemi sërish shkrimit tënd me qen, ku ti shpreh shqetësimin që krijoi letra ime në publik, të cilën ti e quan “histori zagarësh” dhe që sipas teje kish për qëllim të përbalte një shkrimtar të shquar. Këtu gjen rast të hidhesh në histori, duke iu shmangur realitetit shqiptar, pra realitetit të pozitës tënde sot dhe e çon lexuesin në fillimet pushtetit sovjetik, kur Lenini nuk i paska duruar shkrimtarët e shquar, se i konsideronte si rivalë, dhe paska hedhur parullën “poshtë shkrimtarët e stërnjohur”, për të ndërsyer pastaj militantët kundër tyre. Një krahasim krejt i stisur, që s’ka të bëjë fare me faktin se ç’ndodh me ty sot në Shqipëri. Kështu dhe letrën time e shfrytëzon dhe e shndërron në një problem politik, siç e ke zakon, fillon dhe e tjerr, duke futur në lojë patjetër si frymëzues e nxitës të kësaj “hataje” denoncuesit letrarë. Në fakt, ata që t’u kundërvunë duke i hidhur poshtë broçkullat e taborit tënd, nuk kanë qenë të tillë, por intelektualë seriozë dhe të nderuar. Dhe pastaj, duke u hequr si profesionist i fushës, me ndihmën e fantazisë së shkrimtarit, përpiqesh të bësh gjoja tipologjinë e këtyre denoncuesve pas rrëzimit të sistemit socialist. Sipas teje, ata kanë kaluar nga faza “e tulatjes, e frikës së zbulimit” te ajo e qetësimit dhe e mirëkuptimit me shoqërinë postkomuniste, për t’u kurorëzuar në fazën e tretë, në atë të njerëzve krenarë. Dhe me këtë rast, të zgjohet urrejtja kundër meje dhe aludon për mua paturpësisht, duke më bërë indirekt dhe portretin, vështruar me syze të zeza nga Parisi. Akuzat e tua të neveritshme mua s’ka si mos të më kujtojnë aventurat e tua të fshehta të një kohe të kaluar. Se vetëm një njeri si ti, me moral të dyshimtë dhe me karakter të diskutueshëm, mund të arrijë deri këtu që të shpifë si një rrugaç politik. Dhe për ta përforcuar këtë mendim, nuk mund të mos citoj fjalët e gazetarit Viktor Malaj, botuar te gazeta “Dita” (23 nëntor 2014), ku thotë për ty: “Ka qenë dhe mbetet një lajkatar i kohës kur shkruan, dhe jo mik i së vërtetës dhe tribun i së drejtës. Çfarë humnere e pamasë midis lartësisë së talentit dhe moçalit moral të individit që kuturis t’i përshtatet kohës!”
Në përgjigjen tënde të rrëfimit me qen, duke iu referuar rastit të liderit sovjetik që ka bërë, sipas teje, krime kundër shkrimtarëve të shquar të kohës për motive rivaliteti dhe zilie(!), heq paralele me veten se gjoja dhe ti në vendin tënd po bëhesh viktimë e zilisë së kolegëve të tu, një nga të cilët qenkam dhe unë, që s’po lë gur pa hedhur mbi ty(?!) Një akuzë pa mend, sepse unë asnjëherë s’kam qenë Don Kishot që të rivalizoj me ty në fushën e letërsisë. Ta kam shprehur qartë këtë në letrën e hapur. Megjithatë, ty të gënjen mendja se unë bëj pjesë mes kolegëve rivalë dhe mediokër që të paskan urryer dhe luftuar, madje të kanë përndjekur e përgjuar tërë jetën, deri në ditët e sotme. Pra, dhe ti po pësoke fatin e keq të sivëllezërve rusë, duke u përfshirë kësisoj në historinë e asaj letërsie që e pësoi keqazi nga komunizmi. Kurse unë do të thosha, ah sikur dhe ne të tjerët të kishim pasur fatin tënd! O zot, ku të çon paranoja! Bindu se askush nuk ta zë vendin, se askush nuk thur komplote kundër teje. Rri aty ku je dhe pleqëro nën aureolën e lavdisë letrare dhe mos u bjer në qafë kolegëve me përralla të shpifura. Si është e mundur që nuk i bëre ballë një letre të hapur, me disa të vërteta dhe kritika mirëdashëse nga një ish miku yt i vjetër, po ngrite një stuhi shpifjesh e fyerjesh nëpërmjet falangës së pasuesve të tu, dhe s’pate urtësinë dhe kurajën e burrit të më përgjigjeshe normalisht? Opinioni, në vend që të përballej me shkrimtarin madh, u përball me njeriun e vogël. Kjo u ndje indirekt gjatë fushatës që iu kundërvu letrës sime nga tabori yt, por që u shfaq haptazi përmes shkrimit tënd me qen. Shpërtheu kështu egoizmi yt i pafre, sedra jote e çmendur, ligësia.
Por, për hir të së vërtetës, letra ime e hapur njohu një mirëpritje e solidaritet të gjerë, aq sa unë u gjenda përpara një realiteti të paparë ndonjëherë dhe u binda për drejtësinë dhe objektivitetin e mendimeve të mia dhe të qëndrimit tim. Veç nuk mund ta fsheh që, në situatën e krijuar, kalova momente që nuk u ndjeva mirë, kur mendoja se u bëra unë shkaktar i shpërthimit të një lumi kritikash dhe opinionesh negative në adresën tënde në rrethet shoqërore dhe në internet. Nuk e mendoja që popullariteti yt të kish zbritur në atë shkallë dhe herë-herë të shoqërohej me mllefe nga më të ndryshmet. Dhe duke reflektuar me veten, thosha se kjo gjë ndoshta nuk do të kish ndodhur, në qoftë se ti do të kishe burrërinë të më përgjigjeshe në kohë dhe njerëzisht, të dialogoje qetësisht, duke u ngritur mbi mllefet që të ka mbërthyer vitet e fundit. Por shpejt do të bindesha se kjo prirje ime e brendshme qe një dëshirë naive, krejt e parealizueshme, kur kujtoja ligësitë me të cilat është gatuar natyra dhe karakteri yt, goditjet e tua prapa krahëve ne drejtimin tim.
Kështu m’u desh t’i rikthehem mendimit aq të përhapur dhe të pranuar, që qarkullon në publikun e gjerë, se ti nuk je më ai që ke qenë, shumë nga vlerat, veçanërisht si njeri, të janë rrudhur dhe ky ndryshim është reflektuar në marrëdhëniet me njerëzit dhe, ç’është më keq, në krijimtarinë tënde. Është një gjykim i diskutuar ose i pranuar që veprat e tua letrare të periudhës postkomuniste jo vetëm nuk i kalojnë për nga niveli ato të periudhës socialiste, por as i arrijnë. Këtë vlerësim tanimë të njohur e ke kuptuar me sa duket edhe ti, kur e përmend te shkrimi me qen, qoftë dhe shkarazi në kontekstin e sofizmave të tua. Edhe në këtë rast fajëson Leninin(!) se gjoja ata që flasin e arsyetojnë kësisoj për ty “janë shërbyesit e vonuar të tij.”
Në përgjigjen që më jep thua se e gjithë kjo “besnikëri gjenetike ndaj diktaturës”, të kujton besnikërinë e një qeni që ti e paske lexuar në një tregim. Vërtetë ishte interesante besnikëria e qenit tënd politik, sepse mua krejt padashur më sjell ndërmend se kësaj besnikërie të hershme ndaj diktaturës nuk i ke shpëtuar as ti si shkrimtari më i madh i saj jo vetëm me mendimet e qëndrimet glorifikuese, por, ç’është me e rëndësishme, me veprat kapitale që ke krijuar për epokën socialiste, nga “Dimri i madh” deri te poema “Pashallarët e kuq” bashkë me shoqet e saj poetike, pa harruar publicistikën dhe eseistikën militante. Një krijimtari kjo e fundit që, siç më thoshte një ditë një lexuesi yt, “Ai e kthente propagandën partiake të ditës nga bakër në flori, aq sa e habiste dhe e prekte edhe vetë Enver Hoxhën’.
Përsëri në shkrimin tënd me qen nuk i ndahesh deri në fund Leninit. E shfrytëzon aq shumë të shkretin (këtë mik tëndin shpirtëror të tradhtuar), sa arrin dhe të ankohesh se kundërshtarët e tu qenkan mbështetur në postulatet e tij, të përhapura dhe në Shqipëri, “e shkrimtarit të mirë, por e njeriut të keq.” Kjo është e vërtetë, veç të jesh i bindur se nuk është huazuar kurrsesi nga ai. Ky mendim nuk vjen prej tij, por nga vetë përvoja e lexuesit shqiptar. Sidomos kur demokracia shqiptare e ka anatemuar dhe çligjëruar mendimin e tij, ndaj dhe çdo aludim që bën ti është fantazi. Mos i ul kaq poshtë bashkatdhetarët e tu. Ata që kanë ditur t’i çmojnë vlerat e veprave të tua, janë në gjendje të dallojnë, në rastin tënd, shkrimtarin nga njeriu. Dije se ekziston një opinion krejt spontan, i përhapur sidomos vitet e fundit, që e gjykon realisht atë çka po ndodh me personalitetin tënd, pa pasur nevojë për mendimet e një lideri të huaj, që ti, ndonëse e urren, ke durimin diabolik të gjurmosh nëpër trashëgiminë e tij ato mendime që u përgjigjen interesave të tua aspak fisnike. Kështu, mos u çudit kur nëpërmjet meje do të dëgjosh fjalët që qarkullojnë për ty lartë e poshtë: “Që të rrimë shtrembër e të flasim drejt, duhet ndarë emri nga mbiemri, njeriu nga shkrimtari, është vërtetë shkrimtar shumë i mirë, por njeri i keq.”
Këta që i thonë këto fjalë nuk janë shërbyes ose huazues të ndonjë mendimtari të huaj, që ti si zakonisht tenton t’i politizosh, por lexues të nderuar e të sinqertë që kanë gjykimet e veta, madje shumë prej tyre adhurues e dashamirës të artit tënd.
Sigurisht, ky fenomen i mishëruar tanimë tek ty s’është i panjohur dhe në letërsinë tonë. Kështu ka ndodhur dhe me figura të tjera, si F. Konica, bie fjala, një fenomen që të vë në mendime dhe të trishton. Por s’ka dyshim që më e rëndësishme është vepra se njeriu. Dhe e tillë është dhe vepra jote e çmuar dhe jetëgjatë. E megjithatë, si për dreq në këto çaste që po mbyll këtë letër, dashur pa dashur më vijnë ndërmend vargjet e Shekspirit:
 
Bukuria është vetëm një skicë
Është karakteri që e bën njeriun kryevepër.
P.S. Sa për kërcënimin që më bën në fund, kur, duke e ngritur veten në lartësinë e poetit gjerman H. Haine, kërkon të më trembësh me disa nga vargjet e tij, me të cilat ai paralajmëron detraktorët se “po u gjendët në tercinat e Dantes, një mijë vite të shkojnë, s’do të kini shpëtim”, unë nuk dua ta di. Por thua vërtetë kaq larg të çon paranoja?!

Vjeshtë 2014

ISMAIK KADARE
Një ngjarje që mbaron me qen

Eshte njëra nga esetë e librit "Mëngjeset në kafe Rostand"  në të cilin shkrimtari Ismail Kadare  i përgjigjet më në fund letrës së hapur të Nasho Jorgaqit, pas një debati mediatik për subjektin e romanit “Dashuria e Mimozës” .

Botimi i një krijimi të hershëm, një roman i kohës studenteske, i mbetur në dorëshkrim më shumë se gjysmë shekulli, ka ditë që po shkakton njëfarë zhurme në Tiranë. Zhurma, siç ndodh shpesh, është në thelb e kotë, për të mos thënë groteske, ngaqë e tillë është shtysa që e ka shkaktuar. Është letra e hapur e një letrari, ish-shok i vjetër i autorit, që shpall se ky roman nuk është i vitit 1958, siç ka dëshmuar autori i tij, në përgjegjësinë e tij të plotë morale, por i shkruar tani vonë.
Një deklarim i botuesit që shpjegon qartë se zotëron dorëshkrimin, prej të cilit është nxjerrë teksti i shtypur, ridëshmon, ashtu si autori, të njëjtën gjë: datën e hershme. Natyrisht, bashkë me gatishmërinë për ekspertizën e tekstit.
Mirëpo kjo nuk e pengon letërdërguesin ta botojë letrën.
Si zakonisht, në kësi rastesh ka një mëdyshje për përgjigje ose jo. Të shumtë janë ata që janë kundër përgjigjes (historia e përzierjes me krunde e me pula, ose e budallait që hedh një gur në lumë), por s’janë të paktë të tjerët që, për respekt ndaj publikut do ta donin njëfarë sqarimi të tipit: "s’besoni? shkoni te botuesi për ekspertizë".
Pas një mëdyshjeje, autorit i shkon ndër mend një zgjidhje e mesme: përgjigje, por pa kurrfarë dramaciteti. Madje me titullin që do t’i përshtatej plotësisht: "Letra e një budallai".
Titulli ngjan plagosës, por duket kaq e palogjikshme kjo letër, saqë të krijohet bindja se është i vetmi titull që meriton.
Mungesa e logjikës nis qysh nga përmendja e dy viteve fqinje 1958-1959. Në secilin prej tyre është shkruar nga një roman. Njëri, ai i vitit 1959, "Qyteti pa reklama", mbaruar në Moskë, përveç që përmendet prej vetë letërdërguesit, është botuar ndërkaq kudo nëpër Europë, i përcaktuar si romani i parë i autorit, çuditërisht shpërfillës ndaj realizmit socialist. Tjetri, ai i mbeturi në mjegull, ai që zgjon dyshimet te letërdërguesi, duke filluar nga data e shkrimit gjer te shpërfillja ndaj socrealizmit, është i shkruar një vit më parë, më 1958.
Pyetja është e thjeshtë: meqenëse romani i vitit 1959 është i vërtetë, i besueshëm etj., përse fqinji i tij në kohë, ai i vitit 1958, i cili, nga çdo pikëpamje, është më modest, na qenka i pavërtetë, i pabesueshëm, me datë të rrejshme etj., etj.? Kjo është pyetja që shtrohet. Në qoftë se autori s’ka ndonjë ngut për sqarimin, për këtë nuk bëhet shkas ndonjë arsye etike. Më e saktë do të ishte të thuhej se shkas bëhet vërtet fjala "budalla", por kjo kurrsesi në kahun e kujdesit për të mos fyer shokun e dikurshëm.
Është tjetër gjë që pengon dhe pikërisht mendimi se diktaturat, bashkë me mekanizmat e tyre, nuk janë asnjëherë çështje budallenjsh. Madje, mund të thuhej se shumë njerëz në Shqipërinë paskomuniste: ish-xhelatë, torturues, urdhërues krimesh dhe sidomos ish-informatorët e fshehtë, ëndërronin të mos trajtoheshin ashtu siç ishin, por thjesht si budallenj.
Me sa dukej, ish-shoku i dikurshëm i autorit hynte ndër këta. Duke e quajtur "budalla", autori ishte i ndërgjegjshëm se pas durimit të gjatë, në pritje të hapjes së dosjeve, për të zbuluar të vërtetën e tij, po i bënte një favor të vogël, një favorth, siç mund thuhej: e quante budalla.
Ai nuk e meritonte as këtë favorth. Pak kohë më pas kjo do të vërtetohej. Zhurma e shkaktuar në shtyp ishte jo vetëm e papërligjur, por e nivelit më të ulët të mundshëm. Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe, me një jehonë që kishte për zanafillë një përballje të përfytyruar tragjikomike. Thelbi i saj ishte ky: letërdërguesi i drejtohet autorit me akuzën: këtë roman ti s’mund ta kesh shkruar në vitin 1958, përderisa unë nuk e di, ngaqë s’ma ke treguar. Dhe përgjigjja gjithmonë e përfytyruar e shkrimtarit: s’ta kam treguar sepse s’të kam besuar... Sepse...
Vazhdimi i përgjigjes merrej me mend, ashtu sikurse cinizmi i saj. Por ajo ishte përgjigjja e vetme. Sepse... gjysma e Tiranës e dinte ndërkaq se Sigurimi famëkeq shqiptar kishte shumë letrarë në shërbim të tij. Sepse... i paharruari i shtrenjtë Drago Siliqi, përpara se të vritej në një aksident ajror, na kishte paralajmëruar për njërin nga bashkëpunëtorët më të zellshëm që vërtitej midis nesh... Dhe ne, një grup shokësh të fillimit të viteve ’60, Dh. Qiriazi, D. Agolli, Dh. Xhuvani, F. Arapi e të tjerë, e dinim këtë. Dhe mbi njëzet vite më parë, në librin "Pesha e kryqit", botuar më 1991, shqip dhe frëngjisht në Paris, është përmendur fare qartë ky paralajmërim.
Në letrën e tij të hapur, dërguesi ka bërë, me sa duket, një test. Përtej çështjes së një dorëshkrimi (çështje e zgjidhshme fare lehtë, brenda një ose dy orësh nga një ekspertizë), njeriu ka dashur të testojë fatin e mëtejshëm të një ushtrie të tërë ish-bashkëpunëtorësh të policisë së fshehtë, të cilëve çdo ditë që kalon iu rritet shpresa se do të ndodhë mrekullia e mrekullive: harrimi i asaj që kanë bërë.
Natyrisht kanë një arsye të shpresojnë. Pas një çerekshekulli rrëzimi të komunizmit, Shqipëria është i vetmi vend që nuk po hap dosjet e fshehta të tij. Midis dosjeve të pafundme janë dosjet e letrarëve që tradhtuan kolegët. Asnjëherë në historinë e njerëzimit nuk ka pasur aq shumë letrarë spiunë sesa në shekullin e komunizmit. Dhe në asnjë vend tjetër komunist nuk ka pasur të tillë si në Shqipëri.
Ndaj ankthi i tyre është i kuptueshëm.
Nisur nga kjo, zhurma e mësipërme s’është për t’u çuditur. Megjithatë edhe përmasat, edhe mllefi me të cilin u bë, kaloi çdo parashikim. U përdorën nga të dyja palët fjalë e shprehje të pabesueshme: shpellar, taleban, nexhmieist, vllah i pabesë, gjysmavllah, thjesht vllah, turkofagos, grekomadh, miop, xhihadist, ylberist, malok, halldup, njëfarë vehabiu, vehabist, turko-xhuxh, thjesht turk.
A mund të thuhej se ishte një shpallje force? Një përpjekje për tregim dhëmbësh të tiranisë së përmbysur?
 E parë nga njëfarë largësie, ndodhia nuk do të mund të quhej veçse një "histori zuzarësh". Një shkrimtar i njohur, në mirëbesim ndaj lexuesve, hulumtuesve e kolegëve të vet, lejon botimin e një dorëshkrimi tepër të hershëm, nga ato që shpesh nuk e shohin dritën e botimit për arsye të naivitetit ose të karakterit të tyre intim. E shoqëron botimin, duke sqaruar këtë anë, bashkë me theksimin e vullnetit të tij si autor që ky krijim i rinisë, pikërisht për mungesat që ka, nuk do të jetë pjesë e veprës së tij.
Është gati e pabesueshme se si një mirëbesim i tillë jo vetëm pritet me keqbesim, por abuzohet me të, siç nuk ndodh kurrë në një vend sadopak të qytetëruar.
Është fjala për ata analistë që duket se mezi presin rastin të përbaltin gjithçka, e në radhë të parë, shkrimtarët e shquar.
Është një shije e njohur. Acarimi, nervozizmi, përgjimi, urrejtja kundër shkrimtarëve të shquar ka qenë pjesë e kronikës komuniste gjatë gjithë shekullit XX. Ajo urrejtje gjendet qysh në fillimet e komunizmit rus. Më 1905, Valeri Brjusov, kreu i simbolizmit rus, në një artikull të pamëshirshëm e talli dhe e përqeshi "zotin Lenin" për një thirrje famëkeqe "dolloj svjehrpisatjeli" (poshtë shkrimtarët e stërnjohur).
Kjo thirrje u bë për gati një shekull urdhri numër një kundër shkrimtarëve të shquar në gjithë hapësirën botërore komuniste. Duke shmangur stilemën "shkrimtarët e mëdhenj", ngaqë ajo kishte fituar një aureolë të parrëzueshme, Lenini dinakërisht përdori sinonimin "svjehrpisjatel" që literalisht do të thotë "mbi-", "super-" ose "hipershkrimtar".
Nën këtë thirrje të Leninit janë kryer krimet më të mëdha kundër majave të letrave, megjithatë dënimi i saj, sot, 110 vjet pas Brjusovit, ka qenë tepër i zbehtë në krahasim me tmerret që ka shkaktuar.
Një ushtri e pafundme denoncuesish, përgjuesish, spiunësh, ka ndihmuar shtetet komuniste e sidomos shtetin shqiptar për të kryer porosinë e Leninit. Mos-hapja e dosjeve tregon se kjo ushtri ende mbrohet në këtë vend.
E keqja s’ka mbaruar me kaq. Janë tri faza të saj që denoncuesit letrarë janë duke i kaluar si gjithë të tjerët. Faza e parë, fill pas rrëzimit të rendit ishte ajo e tulatjes, e frikës së zbulimit. Më pas, kur u pa se kurrfarë zelli për zbulim nuk do të kishte, nisi faza e dytë, ajo e qetësimit, e krijimit të një mirëkuptimi dhe dhembshurie të çuditshme ndaj tyre: shikoni të gjorët si ecin modestisht me biçikletë, me flokë të thinjura etj. Ndërkaq rrallëkush kujtohet se këta kokulur sot, kanë qenë egërsira të vërteta dje. Kanë përgjuar kolegët e tyre shkrimtarë, kanë hyrë në shtëpitë e tyre si Judë të vërtetë.
Pas kësaj faze telenovelistike, askush nuk e mendonte se do të vinte një fazë e tretë: ajo e krenarisë. Tani jo vetëm s’u vjen turp që kanë qenë judë, por ndihen krenarë. Madje, në mungesë të zyrave të Sigurimit, krenarisht, plot nostalgji, shkojnë natën te zonja X., për të shërbyer si korrierë për mesazhet e saj. 
Letërdërguesi për të cilin flitet, pasi ka kaluar dy të parat, ndodhet tani në fazën e tretë...
Ai bën pjesë tani në ushtrinë e shpifësve më të zellshëm dhe për këtë ndihet... krenar.
Rrallëkund teknologjia e shpifjes është përpunuar aq mjeshtërisht si në rendet totalitare.
Nis zakonisht me atë që mund të cilësohet si themeli i shpifjes. Në rastin e mësipërm, themelin e përbën mendimi i dikujt se data e shkrimit të një vepre nuk është ajo që ka shpallur autori, por një tjetër, e mëparshme ose e mëvonshme.
Një tufë analistësh të pamoralshëm kapen pas shpifjes themeltare, për të përsëritur idenë se për X autor është shfaqur mendimi se i ndryshon datat. Natyrisht ky ndryshim datash shoqërohet me një nënkuptim të keq. Midis analistëve do të dallohet dikush që kujtohet se, përveç dyshimit për ndërrim datash, autori X njihet edhe si ndërrues titujsh. Analisti sjell si shembull romanin "Kështjella", i cili, ç’është e vërteta, është botuar në shqip dhe në gjuhë të tjera me tituj të ndryshuar. Merret me mend që nënkuptimi i keq i ndërrimit të datave theksohet dyfish nga kjo larmi titujsh. Analisti nuk përmend asgjëkund se ndërrimi i titujve, sidomos gjatë përkthimit, është gjëja më e zakonshme në botë. Tinëzisht analisti i mëshon mendimit se ndërrimi i datave, i bashkuar me atë të titujve, e dyfishojnë dyshimin për moralitetin e autorit.
Duke mos u kënaqur me kaq, analisti detraktor, i ndjekur tashmë nga dy-tre të tjerë, shkojnë më larg në goditjen kundër autorit: çështja e retusheve. Sipas tyre, autori X., në ribotimet e veprave të tij ka retushe të shumta, të cilat gati haptas gjykohen si të pamoralshme!
Lexuesi normal në çastin e parë mund të ngelet gojëhapur nga kjo akuzë. Procesi i retushimit është pjesë themelore e procesit letrar në çdo kohë. Ndërkaq helmi i analistit dhe i detraktorëve të tjerë shkon tepër larg. Sipas tyre retushet në këtë rast nuk janë pjesë e procesit të natyrshëm letrar, por kanë lidhje me ndërrimin e rendit politik. Me fjalë të tjera, autori e përshtat veprën sipas regjimit. Shkurt, vepra me ide komuniste, pas rënies së komunizmit, kthehet në vepra me ide antikomuniste!
Është një mashtrim fund e krye. Është kaq i padenjë, saqë edhe sqarimi, pra hedhja poshtë e tij, ngjan vetvetiu i padenjë (historia e përzierjes me krunde). Për fat të keq sqarimi është i detyrueshëm. Ndaj, i shoqëruar me një kërkim ndjese ndaj lexuesit, ai sillet në vijim të këtij teksti:
Dy veprat më të ribotuara dhe më të retushuara të autorit në fjalë janë "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" dhe "Kronikë në gur", secila prej tyre me pesë-gjashtë botime. Ndërkaq, të gjitha ribotimet, bashkë me retushet, janë bërë brenda të njëjtit rend politik, regjimit komunist. Me fjalë të tjera: "Gjenerali", botim i vitit 1963. Shqipëria diktaturë. Botim i vitit 1967. Prapë diktaturë. Botim i vitit 1971. Diktaturë again. 1974. Dikt... E kështu me radhë. E njëjta gjë për "Kronikë në gur". Diktaturë. Diktaturë. Dikt... E njëjta gjë me "Dimrin", 1973, 1977. Dikt. Dikt. Pra rend i njëjtë, terror i njëjtë. Ku është përshtatja? Përse dhe ndaj kujt? Vallë analisti, bashkë me detraktorët, nuk e dinë kaq gjë? Shembulli tjetër na çon në një tjetër rend politik, këtë herë kapitalist, perëndimor. Është një roman me ribotime, retushe dhe tituj të ndryshëm: "Jeta, loja dhe vdekja e L. M." dhe "Aktori". Të dy versionet, shkruar dhe botuar në Paris në vitet ’90. Pra, i njëjti rend politik. Rend i lirë perëndimor. Pra, pyetja është e detyrueshme: Ndaj kujt mund të ketë përshtatje? Dhe, kryesorja: përse?
Dërguesi i letrës, bashkë me përkrahësit e tij, duke kërkuar që sipas porosisë së Vladimir Iliçit të shtojnë dyshimet kundër hipershkrimtarit, i kthehen idesë mjerane, se në atë kohë askush kurrsesi dhe në asnjë rast, jo vetëm nuk mund të shprehte më të voglën ironi ndaj regjimit, por as që i shkonte ndër mend ironia! Sipas njërit prej tyre, shkrimtari duhej të kishte qenë së paku një herë në Perëndim që t’i çeleshin sytë e të kuptonte se kishte diçka për të ironizuar në këtë atdheun tonë arbëror!
Një monstruozitet i tillë mund të prodhohej vetëm nga një mendje prej skllavi. Për të mos e zgjatur, duhet thënë se jo qindra, jo mijëra njerëz, por së paku gjysma e Shqipërisë ishte kundër regjimit komunist. Dhe ishin kundër jo me ndonjë pakënaqësi zonjushash, por me gjithë pezmin e tmerrshëm që shkakton terrori, internimi a vdekja e dhunshme. Dhe ishin kundër jo me ca nazetime e fjalë dykuptimëshe, por dramatikisht me dëgjim Radio Londre, me shpresë zbarkimi nga jashtë e përmbysje të rendit. Për të qenë i ndjeshëm ndaj një fryme të tillë s’ishte nevoja për ndonjë udhëtim në Perëndim. Të shurdhër e të pandjeshëm ishin kryesisht vetëm familjet e indoktrinuara.
Të mos besosh se mund të ketë ekzistuar një frymë e tillë, madje të nervozohesh e të ndihesh keq ende sot, 40 a 50 vite më pas, nga ideja se dikush, qoftë edhe në mënyrë naive mund të ketë bërë një ironi naive për realizmin socialist (për vjershat e Aleks Çaçit, siç është rasti në romanin për të cilin flitet), ky është mjerim mbi mjerim.
I vetmi zbërthim psikotik i këtij mjerimi do të ishte instinkti i një besnikërie të sëmurë ndaj tiranisë së djeshme, pjesë e së cilës ishte urdhri famëkeq e meskin i Leninit kundër shkrimtarëve të shquar.
Me sa dukej, në hapësira dhe kohë të tjera, ai urdhër do të kërkonte interpretime plotësuese, edhe më të errëta se ato të Brjusovit. Duke lëshuar klithmën "poshtë!" kundër shkrimtarëve të shquar, Lenini i vuri këta të fundit në radhët e asaj të keqeje që duhej të shuhej e të vritej pa asnjë mëshirë, ashtu siç do të duhej të ndodhte me carizmin, me Carin e familjen e tij, e pas tij me kapitalizmin, e më pas me krejt botën perëndimore. Më 2014, në Shqipëri, detraktorët kërkuan një zbatim të llojit të ri të urdhrit të Leninit, zhvendosjen e tij në kohë, si në metempsikozën e Pitagorës. Thënë ndryshe, ata kërkuan zhvendosjen e përgjimit e të spiunimit, gjysmë shekulli më parë, thua se si në një ëndërr të keqe kërkonin mbrojtjen e tiranisë nga rreziqet e hamendësuara, qysh në parathemelet e saj.
U kërkua mbështetja e urdhrit leninist me teza të reja, si ajo e shkrimtarit të mirë, por njeriut të keq, që vazhdonte ende këto ditë të përhapej kudo, e që s’ishte çudi që së shpejti të pasurohej me antonimin e vet, shkrimtar i keq, po ama njeri i mirë.
Të mahnitur pas gjetjesh të tilla, shërbyesit e vonuar të Leninit, harronin se hipershkrimtarët, në qoftë se do të duhej patjetër të kishin diçka të keqe, dëmtuese, kjo do të ishte kundërgoditja, thënë shkurt, hipergrushti.
Ishte një mjeshtëri mizore, që donin apo s’donin, ua jepte natyrshëm hyjnia e artit. Heinrich Heine i paralajmëronte pak a shumë kështu detraktorët e vet: nga burgu ku dergjeni mund të dilni, nga torturat gjithashtu, veç po u gjendët në tercinat e Dantes, një mijë vite të shkonin, s’do të keni shpëtim.

Kennst du die Hölle des Dante nicht,
Die schrecklichen Terzetten?
Wen da der Dichter hineingesperrt,
Den kann kein Gott mehr retten.

E gjithë kjo besnikëri gjenetike ndaj diktaturës së përmbysur, e parë nga larg të kujtonte tregimin "Qentë", që u bë i famshëm në prag të rënies së komunizmit, ende pa u marrë vesh se ku u shkrua dhe prej kujt.
Ngjarja shtjellohet në prag ose fill pas rënies së rendit komunist, diku në një zonë internimi, të ngjashme me Siberinë. Pas mbylljes së kampit, mbetën barakat e braktisura të tij, që nuk hynin në punë për asgjë. Ishin shqyer e shitur orenditë e pakta, dyert, llozet e hekurta, së fundmi iu shitën banorëve të katundeve përreth qentë që ruanin të dënuarit.
Vite më pas dukej se gjithçka e mëparshme po harrohej, dhe përveç barakave të lëna, dukej se asgjë s’do të sillte në kujtesë kampin e dikurshëm. Por s’ishte ashtu. Në festën e Një Majit, të cilën qendra e provincës, pas një ndërprerjeje, vendosi ta përkujtonte si dikur, e shkuara ia behu befas. Në kohën kur zyrtarët u ngjitën në tribunën e sajuar dhe festuesit me flamurë dhe banderola po rreshtoheshin për parakalimin tradicional, ashtu si në kohën e dikurshme, fill pas tingujve të orkestrës, ndodhi e pabesueshmja. Më dhjetëra qen të egërsuar u shkëputën befas nga duart e soditësve dhe me lehje të frikshme rrethuan parakaluesit.
Të tmerruar, këta të fundit s’po kuptonin asgjë, gjersa një ish-i burgosur rendi drejt tribunës, rrëmbeu një megafon dhe u kërkoi parakaluesve që, për të shmangur ndonjë gjëmë, t’i bindeshin atij dhe qenve. U desh njëfarë kohe për t’u marrë vesh ç’duhej bërë. Ish-i burgosuri, në krye të parakaluesve, po i printe ata në drejtim të barakave të braktisura, pa arritur të shpjegonte thelbin e misterit. Sa ç’ngjante i qartë për të, aq ishte i errët për të tjerët. Duke qenë qen-roje të kampit, me të parë njerëzit e vënë në rresht, te qentë ishte zgjuar instinkti i vjetër i shoqërimit të të dënuarve, ndaj nuk do të qetësoheshin gjersa grumbullin njerëzor ta çonin te barakat e kampit, ashtu siç bënin dikur.
Detraktorët e sotshëm shqiptarë s’kishin ndonjë ndryshim prej kësaj race qensh...
( Shqiptarja.com)

18 December 2014

Misteri i pazbardhur i darkës së 11 Dhjetorit 1990/ nga Arben Meçaj

Misteri i pazbardhur i darkës së 11 Dhjetorit 1990
 
Nga Arben Meçaj

Për të 24-in vit i njëjti ritual. Dhjetori si Festë e Rinisë, Festë e PD , Festë e Demokracisë. 
 berisha selami basha] 

Festojnë te gjithë. Në tribuna del kushdo që është pjesë e oborrit të udhëheqjes së momentit.
Në këtë dhjetor e njëjta panoramë. Në tribunën e 8 dhjetorit të organizuar nga Berisha, Imami, Selami dhe disa të tjerë për kornizë.
Por dhe protagonistë të dhjetorit, studentë te vërtetë në një aktivitet promovues të Hapjes dhe Lustrimit të Dosjeve.
11 dhjetor, një pamje tjetër. Festa e PD vetëm me një aktor, oratorin Basha, udhëheqësin Basha. Një material i shkurtër viziv, me protagonist të vetëm atë, Lulzim Bashën.
Aty në qendër Berisha, dhe rotull tij ata që bënë “epokë” ne dhjetor 90. Askush prej tyre nuk foli. Ata u zbythen ne Imazhin e sforcuar te Udhëheqësit te Ri, në një sfond muzikor që sinqerisht nuk kuptohej c’farë mesazhi transmetonte. Gjithsesi …
Në mbrëmje në media, një dokumentar i gjatë, me te dhëna të vlefshme historike mbi dinamikën e ngjarjeve atë dhjetor 1990.
Një sy “masovik” dallon në këtë dekor festimesh një bollëk informacioni të ndërthurur pa  berisha-pashko 
datë, pa kronologji, pa ritëm, por me protagonistë themelues, kritikë dhe opinionistë. Tenton të prodhojë kronologji , të bindë se materiali është pasqyrë e pastër e kronologjisë së ngjarjeve, por pa dashje “tek tuk” në skenë ekspozohen inserte televizive që në pamje te parë ndërthuren “ëmbël” me ngjarjen, por një sy i vëmendshëm, për më tepër syri i një protagonisti të kohës, e dallon “dobicllëkun” e tyre. Ngjarje, thirje, parulla, entiziazem i shkurtit 1991 mbivendoset si ngjarje e ndodhur në dhjetor 90.
Për korrektesë jo vetëm historike, por për të mos lejuar deformime me qëllime jo korrekte dhe promovime abuzive, dua të sqaroj se deri shkurt 91, përvecse në Shkodër, ne Tirane nuk ka patur thirrje Poshtë Diktatura.Thirrja ka qene LIRI DEMOKRACI.
C’farë ndodhi në darkën e 11 dhjetorit 1990?
Sapo u kthyem nga takimi me Ramiz Alinë. Tek ballkoni para mensës 2 (ku gjatë dy ditëve te fundit ishte improvizuar një tribune) shkon Ben Imami dhe “raporton” mbi “suksesin” e takimit. Në fakt media publike kishte transmetuar rezultatet e takimit. Pas tij fjalën e merr Berisha me një fjalim që me thënë të drejtën ha debat, por që nuk është qëllimi i këtij artikulli.
Më tej, në shesh vendoset regjistrimi fonik i bisedës me Aline dhe entuziazmit gradualisht po i vinte fundi. Njerëzit e mbledhur ne shesh filluan të shpërndahen për tu rikthyer të nesërmen ne mëngjes.
Nuk e di se për cfarë arsye (por gjithsesi le të jem dhe unë objekt i zbardhjes së këtij momenti ) isha pjesëtar i takimit “spontan” të organizuar në korridorin e katit të dytë te godinës 13 (Fevzo, nuk ishte godina 18, nuk ishte dhomë por korridori katit dyte, nuk ishte mbledhje e organizuar se nuk ishte kush ta organizonte, ka vazhduar vetëm 15-20 minuta).
Do të qëndroj gjatë mbi këtë takim, sepse këtu dhe vetëm këtu u “skenarizua” Partia Demokratike e Nesërme , “Themeluesit”, “Udhëheqësit”.
Në katin e parë tek dera hyrëse (një derë druri me xhama pjesërisht të thyera) qëndruan disa student, “për të mbrojtur këtë takim nga Sigurimi i Shtetit”. Në takim, në katin e dytë kujtoj të kem njohur Hajdarin, Imamin, Buduinën.
Të tre këta persona i njihja sepse së bashku bashkërenduam qysh nga ora 10 deri sa u kthyem nga Alia.
Pashkon e kisha dëgjuar si pedagog tek Ekonomiku dhe pata mundësi ta identifikoja si emër prej disa studentëve që gjatë takimit të “Përfaqësuesve” tek salla e godina 14 i referoheshin shpesh si personazh.
E fiksova si portret kur ne takimin e “Përfaqësuesve” tek godina 14 , ai së bashku me Berishën tentuan të futen ne sallë, por u refuzuan në mënyrë demonstrative nga studentët “Përfaqësues”. Berishën me thënë të drejtën e kam parë vetëm pas vetratës së drunjtë të sallës së godinës 14.
Në këtë takim (korridori i katit te dytë, godina 13) kishte dhe disa persona të tjerë te cilët nuk i njihja fare, nuk i kisha parë në asnjë aktivitet apo protagonizëm te 3 ditëve te dhjetorit.
Ndërkohë që deri në atë moment flitej për një strukturë politike te studentëve (emri ishte i pa diskutuar për shumë arsye . Flitej për parti studentore apo të intelektualëve, por gjithsesi vetëm fjalë), në këtë takim u fol drejtpërdrejt për një Parti të Re.
Diskutimi u përmbyll shume shpejt kur Berisha insistoi: ”Do ta quajmë Parti Demokratike, fjalën Demokraci si parrulla Liri Demokraci, nuk do t’ia lëmë asnjë partie tjetër”.  Nuk pati debat, por të gjithë në korridor ranë dakort që Partia e Re ta ketë emrin Partia Demokratike .
Ishte ora diku 10.30-11.00, kur përpara se të ndaheshim për në shtëpi, u “vendos” që të nesërmen do te mblidheshim tek shtëpia e Pashkos (ishte pranë Qytetit Studenti dhe kishte kompjuter). 
Vendi i takimit do të mbahej sekret, se mos sulmonte Sigurimi Shtetit. 
zogaj me Hajdarin berishen dhe pashkon
Mua mu kërkua të qëndroja me studentët në Qytetin Studenti, dhe të mbaja kontakte me Bodrumin për çdo zhvillim. Të nesërmen, me një grup tashmë të organizuar studentësh, menaxhova situatën në shesh dhe mbaja kontakt me “Bodrumin”.
Vite më vonë, kur ngjarjet fillova ti shihja me një sy më realist, por dhe kur informacion im ishte më i bollshëm dhe i zbardhur, fillova të analizoja.

Kush ishim Ne, që në atë korridor të godinës 13 vendosëm emrin e Partisë Demokratike?

Katër ishim “legjitimë”. Minimalisht si të mandatuar (sepse ne fund të fundit u zgjodhëm nga studentët për përfaqësim në takimin me Ramizin). Kishim dhe një të drejtë morale. Po të tjerët kush ishin? Kush i mblodhi në atë kat të dytë? Kush i mandatoi për vendimmarrje?
Është nata kur ne politikën aktive po instalohej struktura drejtuese e Partisë Demokratike.
Askush nuk ka  pyetur ndonjehere:  Cfarë peshe publike, apo përfaqësim shoqëror kishim Ne? Cfarë strukturash politike disidente apo konspirative antikomuniste apo ku ta di unë përfaqësonim?
Si ishte e mundur që një grup njerëzish pa njohje me njëri tjetrin, pa asnjë informacion për njëri tjetrin, pa aktivitet publik, të mblidheshin ne një korridor godine dhe për 15 minuta të vendosnin themelimin e një Partie?
I bëra këto pyetje retorike, sepse ne historinë botërore nuk ka ndodhur asnjëherë,  asnjëherë për be’, që krijimi i një partie apo grupim politik të realizohet vetem për…  15 minuta.
Nga njerëz që asnjëherë nuk e kishin njohur njëri tjetrin dhe për më tepër, nga individë që asnjëherë nuk kishin shprehur publikisht pikëpamjet e tyre politike.
Në dokumentaret e tij, Blendi Fevziu pikërisht këtë moment tepër të rëndësishëm të lindjes së PD e anashkalon me një shprehje që ndoshta provokon më shumë se dyshimi im dhjetëra vjeçar. Askush nuk jep një opsion të qartë mbi këtë zhvillim. Kjo fazë e themelimit të PD është e errët, e pa qartë, me pikëpyetje serioze.
E pra si u mblodhën këta njerëz? Pikëpyetje që kanë nevojë për sqarime, nëse do të duam të jemi “krenarë” mbi kontributin për themelimin e PD.
Personazhet në “Bodrumin” e Pashkos e shtojnë akoma më shumë domosdoshmërinë e sqarimit të këtij intervali kohor.
Këta persona te nesërmen ne mëngjes u “vetëshpallën themelues”. Te pasnesërmen ata dolën ne sali berisha2tribuna organizimi te PD-se, organizuan “votimin” e Kryesisë etj. Por para kujt?
Është normale që një strukturë politike të ketë themelues dhe këta janë gjithnjë “te parët“. Por a mundet dikush (pjesëmarrës ne lëvizjen studentore) të shpjegojë nga dolën këta njerëz të cilët u filmuan hap pas hapi nga nje kamera private dhe per vite me radhe  keto filmime i perdoren per tu mburrur  si themelues të PD.
Ishin në lëvizjen studentore keta njerez? JO. 
Kishin protagonizëm politik deri në këtë moment? JO.  
Protagonizëm disident Jo e JO.
Po cfarë i bashkoi atëherë tek “Bodrumi” ?! Kush i mblodhi ?
Dikush u kujdes dhe kujdeset për 24 vjet që t’i proklamoje në çdo Dhjetor si “themelues”. Ata kujdesen dhe për veten.
Njëherë shkruan njëri dhe “prodhon” protagonizmin e tjetrit. E pastaj tjetri atë të njërit.
E në finale Opinioni i Fevzos ngulit parafabrikat imazhin e pa kontestueshëm te “Themeluesve”. Ç’rëndësi ka kush kanë qenë. Një gjë është më e sigurtë se kurrë.  Nuk ka studentë themelues te PD.
Flitet per katër a pese, por vetëm ditët e para sa për të justifikuar PD-ne si produkt i Lëvizjes Studentore. Më tej dhe këta nuk figurojnë më askund. Gjithsesi dhe për këta studentë përsëri është e pa qartë kush i përzgjodhi. Kush i mandatoi të përfaqësonin studentët. Dhe këta të EMËRUAR!
E sot në këtë artikull unë shtroj pyetjen e thjeshtë: Kush i mblodhi këta njerëz qe u vetëshpallën NISMËTARË?
Këtë pyetje ja kam bërë në këto njëzet e ca vite vetes. Personalisht u ndodha me vullnet të lirë në mes te studentëve te fakultetit tim Inxhinieria e Ndërtimit.
Qëllimi thjesht të mbështesja me prezencën e një pedagogu të ri këtë lëvizje i ndërgjegjësuar se ishte lëvizja që do të mbetej ne historinë e Shqipërisë si Revolucion.
Isha nga të paktët pedagogë ne masën studentore. U përzgjodha prej studentëve te mi si një ndër katër përfaqësuesit e fakultetit ne takimin me Ramiz Alinë.
Me krenari (por dhe me nje ndjenjë të sinqertë tensioni dhe përgjegjësie) pranova përfaqësimin.
Dua të theksoj këtë moment,  si një nga më optimistët por dhe më demokratikët e zhvilluar ne 75 vitet e historisë shqiptare.
Me 10 dhjetor u paracaktua se te nesermen, me 11 dhjetor 1990 do të bëhej takimi i një grupi përfaqësuesish te studentëve me Ramiz Aline. Ishte caktuar numri i përfaqësuesve dhe duhej që nga çdo fakultet te kishte 4 përfaqësues.
Studentët u mblodhën tek fushat e sportive të Qytetit Studenti sipas fakulteteve. Ashtu ne unanimitet te plotë çdo fakultet zgjodhi përfaqësuesit e tij, studentë e pedagogë.
Ne përfaqësuesit e Rinise Studentore u mblodhem tek salla e godines 14. Në  salle, rinia studentore e Dhjetorit 90 u ballafaquam me tentativën e parë për penetrim.
Nuk mund ta haroj momentin kur pas dyerve te drunjta te sallës dallova dy persona tentuan me zhurmë të futen në sallë (ishin Berisha e Pashko). Por trupa e studentëve rezistoi.
Nuk i pranoi në atë sallë, prej nga nisi PLURALIZMI Shqiptar .
Por nuk ishte e thënë. Dritaret e Demokracisë se Re ishin hapësira më kanata të hapura.
Pak kohë me vone këta studente te rinj e panë veten jashtë shtëpisë. Rojtarë, tellallë, shërbëtorë, te haruar dhe braktisur.
Kisha vite që i meditoja këto rreshta, gjithnjë kur shihja “protagonistë”, “themelues “ etj.
Por kur shoh qe Basha feston si hero themelimin e PD-se, kur shoh Imamin e Selamin si dekor koketash te Berishës, e kur njihem me nje iniciativë te nje grupi Dhjetoristësh Idealistë (që i mbështes dhe përkrah me gjithë qënien time fizike, shpirtërore dhe politike) për hapjen e Dosjeve të Sigurimit,  apeloj publikisht:
Te nderuar bashkëluftëtare idealiste te dhjetorit 90. Erdhi koha dhe momenti të mbrojmë idealizmin me të cilin protestuam dhe fituam ne dhjetor 1990. Është koha të zbardhim kush skenarizoi, orkestroi dhe përvetësoi këtë idealizëm.
Gjithcka e ka zanafillën në 11-12 Dhjetor. Fevziu e deklaron si intervalin kohor më të pa qartë ne ngjarjet e dhjetorit 90.
Unë e deklaroj se është ky dhe vetëm ky intervali kohor kur lëvizja studentore u rrëmbye.
Nga kush?
***********

December 12, 2014