31 January 2014

Kryengritja e Dukagjinit 1926 dhe varja e deputetit Demokrat Dom Gjon Gazulli

Kryengritja e Dukagjinit 1926 dhe varja e deputetit Demokrat Dom Gjon Gazulli

Nga Azis Gjergji



Në kohën kur Presidenti і Shqipërisë, Ahmet Zogu, po e thellonte bashkëpunimin me regjimin fashist të Benito Musolinit, emigrantët shqiptarë në Itali kishin krijuar organizatën nacional-demokrate “Bashkimi Kombëtar”. Themeluesit e saj ishin personalitete të dalluara në jetën politike të shtetit shqiptar, si Sotir Peci, Ali Këlcyra, Kasëm Qafëzezi, Rexhep Mitrovica, Sejfi Vllamasi, Shefqet Korça, Bahri Omari, Xhemal Bushati, Angjelin Suma, Hysni Peja etj. Anëtarë të organizatës “Bashkimi Kombëtar” ishin edhe të arratisurit politikë të strehuar në Korfuz, si Sulejman Delvina, Spiro Koleka, Rasim Babameto, Koço Tasi, Ismail e Teki Tatzati, si dhe grupi i oficerëve te arratisur. Në Vjenë, po ashtu, emigrantët politikë nacionalistë e demokratë shqiptarë, si Fan Noli, dr. Mihal Turtulli, Qazim Koculi, Omer Nishani, Stavro Vinjau, Ahmet Dakli, Kolë Tromara etj., kishin ngritur “Komitetin Nacional Revolucionar” (KONARE).
 Përgatitje për shpërthimin e një kryengritjeje të përgjithshme antizogiste në Shqipëri po bëheshin edhe në qytetin dalmat të Zarës (Kroaci) nga nacionalistët demokratë Hasan Prishtina, Mustafa Kruja, dom Loro Caka, Mark Raka, Lazër Shantoja etj. Më 4 gusht 1926, nënprefekti i Malësisë së Madhe, M. Sokoli, i kërkoi MPB dërgimin urgjent të një kompanie këmbësorie, pasi ishte informuar se “partia opozitare i ishte afruar kufirit për të mësye”. Po atë ditë, komandanti i zonës së Veriut, kolonel Muharrem Bajraktari, kishte alarmuar Komandën e Përgjithshme të Xhandarmërisë me informacionin e tij mbi nisjen e kapitenit fanolist Mark Raka me 40 veta të armatosur nga Podgorica për në Kuç, në vendin e quajtur Bukoviç dhe se oficerët nolistë Ndok Gjeloshi, Lek Marashi, Dodë Nikolla, Pjetër Haxhia e nënoficer Ridvan Ohri po ngrinin çetat e tyre të armatosura në Dukagjin.
Më 7 gusht, nënprefekt Sokoli do t'i dërgonte MPB dy telegrame shifër me njoftimet alarmante se Mark Raka e Luigj Shantoja kishin hyrë me një kompani kryengritësish në territoret e Hotit e Grudës, kurse dom Loro Caka, Lazër Shantoja e Luk Luka ishin afruar në Kuç e Triepsh për t’u futur në Kelmend e Dukagjin. Sipas Sokolit, “partia kundërshtare ishte mbledhur te kisha e Tuzit për të mësye kufinin, kurse 400 veta të tjerë po përgatiteshin për të marshue drejt Vermoshit”.
Sipas një raporti të nënprefektit të Dukagjinit, qysh në muajt gusht e shtator të atij viti, oficerët nolistë Vas Kiri e Dodë Nikolla dhe çetat e tyre kishin filluar të bënin “propagandë kundër qeverisë së Presidentit Ahmet Zogu dhe po përpiqeshin të rekrutonin malësorë të pakënaqur nëpër çeta”. Më 12 shtator 1926, gazeta “Shqipëri e Re” shkruante se çetat e Kirit e të Nikollës kishin “20 muaj” që po i bënin ballë “regjimit tradhtar të Ahmet Zogut”.
Ndërkohë, Ahmet Zogu iu përgjigj përgatitjeve të kundërshtarëve demokratë me goditje të përqendruara politike, diplomatike e ushtarake. Qysh në qershor 1926, qeveria shqiptare nënshkroi me qeveritë greke e jugosllave një varg marrëveshjesh tregtare, ujore e konsullore. Në këtë kuadër, qeveria jugosllave njoftoi legatën e saj në Tiranë se të gjithë të arratisurit politikë shqiptarë që ishin afruar në kufirin me Shqipërinë, do të kapeshin dhe do të internoheshin në thellësi të Jugosllavisë. Pas ndërrimit të qeverive në Greqi, MPB e Shqipërisë i bëri me dije komandës së xhandar-mërisë në zonën e Jugut që të rriste vigjilencën dhe, po të diktonte ndonjë lëvizje emigrantësh politikë shqiptarë në kufirin grek, të njoftonte menjëherë1.
Në fund të gushtit 1926, Zogu takoi personalisht ministrin e jashtëzakonshëm e fuqiplotë të Italisë fashiste në Shqipëri, Pompeo Aloisin, dhe i shprehu gatishmërinë për nënshkrimin e një pakti politik “të miqësisë e sigurimit politik e ushtarak” midis Italisë dhe Shqipërisë. Bisedimet konkrete në mes Ahmet Zogut dhe Pompeo Aloisit mbi nënshkrimin e paktit u shoqëruan me kërkesa financiare për mbushjen e arkës së boshatisur të shtetit dhe armatimin e ushtrisë nga ana e Kryetarit të Republikës dhe Kryeministrit të Shqipërisë. Në fillim të nëntorit 1926, shuma e kërkuar nga Zogu qe pesëmbëdhjetë milionë lireta. Dëshmitarët e ngjarjes thonë se Musolini kishte reaguar ashpër ndaj grykësisë së Ahmet Zogut, por më pas ishte bindur t’i paguante partnerit të tij dhjetë milionë lireta, me kusht që në këtë shumë të përfshiheshin edhe “bakshishet” e pjesëmarrësve në përpunimin e marrëveshjes. Më në fund, kur Pompeo Aloisi e siguroi Musolinin se “nënshkrimi i Paktit ishte çështje ditësh”, ai ra dakord t’i dërgonte Zogut 5 milionë lireta dhe të depozitonte një shumë shtesë prej 200 mijë franga ari në Bankën Kombëtare të Shqipërisë. Këto shifra përputhen edhe me deklaratën e një zyrtari të lartë të administratës së Zogut, botuar në gazetën “Liria Kombëtare” më 13 prill 1927, sipas të cilit, Kryetari i Republikës dhe Kryeministri i Shqipërisë, Ahmet Zogu, ishte paguar për dekretimin e “Paktit të Parë të Miqësisë dhe Sigurimit” të 27 nëntorit 1926 me “shumën e 15 milionë liretave”2.
 Ndërkohë, shtypi qeveritar shpërtheu një fushatë të gjerë kërcënimesh e frikësimesh për të gjithë krerët e organizatave demokratike në mërgim. “Fletorja Zyrtare” botoi në datat 13, 14 dhe 31 tetor 1926 të gjitha vendimet që Gjyqi Special Politik i Tiranës kishte marrë kundër “organizatorëve të një kryengritjeje të përgjithshme kundër jetës së Shkëlqesisë së Tij, Kryetarit të Republikës dhe prishjen e qetësisë në vend”. Ndër ta, Shefqet Korça, Ismail Tatzati, Mustafa Kruja, Kasëm Qafëzezi, Sejfi Vllamasi e Qazim Koculi u dënuan “me vdekje në mungesë”; Aziz Çami e Mustafa Maksuti “me 101 vjet burg”; Ibrahim Dedej, Xhemal Kondi, Bahri Omari e Qazim Mulleti “me 25 vjet burg”; Hysni Peja, Rexhep Mitrovica, Sheh Karbunara, Kolë Tromara, Lano Borshi e Andon Sadedini “me 15 vjet burg” etj. Gjyqi Politik do të dënonte me afate të ndryshme burgimi edhe të amnistuarit politikë Beqir Gjylbegu, Beqo Zagorçani, Avdul Kuçi, Agathokli Xhitomi, Ahmet Lepenica, Hysni Lepenica, Ahmet Demi, Halo Kuçi etj.3
Ahmet Zogu arriti të shkëpuste pothuajse të gjitha lidhjet e kundërshtarëve të regjimit të tij brenda vendit dhe udhëheqësve të arratisur demokratë e liberalë. Të vetmen ngjarje që Ahmet Zogu nuk mundi ta parandalonte, qe Kryengritja e Dukagjinit, e cila shpërtheu më 20 nëntor 1926. Organizatori i forcave kryengritëse në Dukagjin, dom Loro Caka, kishte dërguar qysh në muajin shtator 1926, oficerin nolist Spiro Kosova te kolegu i tij dom Aleksandër Dredhaj në Shkodër, me porosi që gjithë priftërinjtë e atij qarku ( ndër të cilët gjendej edhe deputeti dom Gjon Gazulli) të mobilizoheshin në kryengritjen e përgjithshme antizogiste që po përgatitej. Në fillim të nëntorit 1926, disa ish-oficerë të tjerë kishin hyrë në krahinat e Pukës. Vetë dom Loro Caka e kishte kaluar kufirin shqiptaro-jugosllav në pyllin e Traboinit më 10 nëntor 1926. Duke kaluar nga Veleçiku nëpër pyjet e Kelmendit e të Bogës, ishte takuar me komandantët e njohur të çetave komite, oficerët nolistë Vas Kiri e Ndok Gjeloshi. Më 11 nëntor 1926, dom Loro Caka, toger Pjetër Haxhia, nëntoger Dodë Nikolla e aspiranti Ridvan Ohri i dërguan Mustafa Krujës, njërit prej frymëzuesve e organizatorëve të krye-ngritjes së përgjithshme, letrën e mëposhtme:
“Dimni ia mërrini. Ju po na thoni se tash për tash gjendja s’asht e favorshme për nji kryengritje. Ju i matni punët thellë: me politikë e diplomatië. Na aqë thellë s’kuptojmë. Ça marrim vesht e shohim na, populli këtu asht gati me kapë pushkën e me dekë për lirinë e vet. Durimi i asht mbarue. Me ne a pa ne ka për t’ia krisë. Më tjetër anë disa prej jush po ndërrojnë kondita me Ahmet Zogun për nji pajtim. Pra posë durimit tash mungon edhe besimi… Ne dashi shpëtimin e atdheut, bani edhe ju tjerët atë që t’ju vijë prej dore! Kur nji popull gatohet me dekun për liri edhe pa i pri kush, përgjegjësia u rrin atyne që në vend me vrapue në krye të tij e me ecë përpara kundra tradhtorëve e tiranëve, ka dy vjet që hahen për karrikat e ardhshme4”.
Kështu, më 20 nëntor 1926, 200 malësorë dukagjinas të armatosur, të udhëhequr nga prifti dom Loro Caka, togerët Pjetër Haxhia, Vas Kiri e Dodë Nikolla si dhe aspiranti Ridvan Ohri, shtinë në dorë qendrën e nënprefekturës dhe rrethkomandën e xhandarmërisë në Dukagjin dhe nisën marshimin drejt qytetit të Shkodrës. Në rrugë e sipër, me kryengritësit u bashkuan edhe bajraku i Shalës me Lulash Prelën në krye, bajraku i Shoshit nën komandën e Lulash Gjeloshit dhe 30 xhandarë të komanduar nga nëntoger Mark Sadiku. Numri i kryengritësve, sipas dëshmive gojore, arriti në 700–800 veta, ndërsa dokumentet zyrtare flasin për 1000 veta, nga të cilët vetëm 400 ishin të armatosur. Tek Ura e Mesit dhe Kodrat e Boksit, kryengritësve iu desh të zhvillonin luftime të ashpra me forcat qeveritare, derisa në mëngjesin e 21 nëntorit 1926 arritën që të merrnin Urën e Mesit, e konsideruar si porta lindore e qytetit të Shkodrës. Po atë ditë, 40 kryengritës pukjanë, nën komandën e oficerit Spiro Kosova, morën në dorë kontrollin e krejt krahinës së Iballës, ndërsa oficeri Kolë Bibë Mirakaj, në krye të 150 pushkëve, rrethoi qytetin e Pukës. Titullarët e nënprefekturës së Dukagjinit, të prefekturës së Shkodrës dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme raportuan se “kryengritësit kishin qëllim të rrëzonin regjimin e Shkëlqesisë së Tij, Ahmet Zogu dhe kthimin në pushtet të një qeverie demokratike".
Por përballë 1200 kryengritësve gjysmë të armatosur, Komandanti і Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Ahmet Zogu do të dërgonte rreth 12.000 xhandarë, ushtarë e mercenarë të furnizuar me para e armatime të bollshme. Në krye të operacioneve ndëshkuese do të viheshin ministri i Punëve të Brendshme, Musa Juka, dhe komandanti i përgjithshëm i Xhandarmërisë, nënkolonel Xhemal Aranitasi. Të ndodhur në pakicë, të paorganizuar e të izoluzar, kryengritësit e Urës së Mesit dhe të Pukës u detyruan të tërhiqeshin me humbje të mëdha drejt luginës së Kirit, Qafës së Agrit, luginës së Nikaj-Merturit dhe Qafës së Pejës. Ata gjetën bukë e strehë në gjirin e bashkatdhetarëve të tyre në Gjakovë, Pejë, Plavë, Guci etj. Çetat mercenare të mobilizuara nga Ahmet Zogu do të kryenin në fshatrat kryengritëse krime nga më të padëgjuarat deri atëherë në historinë e Shqipërisë. Konsulli italian i Durrësit, ndër të tjera, do të shkruante në ditarin e tij politik:
“Pothuajse gjithkund, mercenarët kanë grabitur ose ngrënë bagëtinë; atë që nuk e merrnin dot me vete e vrisnin... Në disa krahina, si Shala e Nikaj, shtëpitë janë shkatërruar në shumicë dhe një pjesë e popullsisë është gjysmë e zhveshur...”
Gazeta “Liria Kombëtare” e datës 22 dhjetor 1926, në rubrikën “Lajme nga Shqipëria”, njoftoi publikun: “Varje, djegie dhe plaçkitje… Barbarizmat e panumërta që mercenarët e Zogut kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë në Malësitë e Shkodrës janë të patregueshme. Në Dukagjin, Nikaj, Mërtur e në shumë krahina të Pukës nuk shifen veçse mijra shtëpi të djegura, njerëz të pafajshëm që vriten rrugës dhe plaçkitjet që nuk kanë shembull në jetën tone kombëtare5”.
Gjyqi Politik u transferua nga Tirana në Shkodër dhe vetëm ditën e parë, më 20 dhjetor 1926, shqyrtoi dosjet e 153 pjesëmarrësve në kryengritje, ndërkohë që Gjyqi Hetues përgatiti dosjet e 140 të arrestuarve të tjerë. Numri i të burgosurve arriti në 700 veta, ndërsa i të dënuarve me afate të ndryshme burgimi kapi shifrën 222 veta. Gjyqi Politik e vazhdoi punën në Shkodër deri në mesin e muajit mars 1927, duke dënuar 30 udhëheqës të kryengritjes me vdekje, nga të cilët 15 veta në “mungesë”. Ndër të dënuarit me vdekje ishin edhe dy priftërinj, të cilët e kishin pranuar krenarë pjesëmarrjen e tyre në kryengritje, por Zogu u detyrua t’ua ulte dënimin për shkak të ndërhyrjes së Vatikanit dhe të për-faqësive europiane në Shqipëri. Megjithatë, gjyqi special politik i Shkodrës dënoi me varje në litar dhe ekzekutoi fshehtësisht deputetin demokrat dom Gjon Gazulli6.
Historiani amerikan Bernd Fischer, ndër të tjera, thotë: “Shkëndija, drejtimi dhe krejt rrjedha e kryengritjes së vitit 1926 erdhi prej vetë shqiptarëve dhe kjo vërtetohet prej faktit se në këtë moment as Roma e as Beogradi nuk dëshironin rënien e Zogut”. Përfundimi i Bernd Fischer përkon me pohimet e politikanit Mustafa Kruja, i cili kishte dijeni të plotë mbi fillimin dhe fundin tragjik të Kryengritjes së Dukagjinit. Në artikullin e botuar në gjithë faqen e parë të gazetës “Liria Kombëtare”, më 22 dhjetor 1926, me titull: “Lëvizja e Shkodrës në dritën e fakteve”, Mustafa Kruja, ndër të tjera, dëshmon:
“Kurrkush ma mirë se Koço Tasi e un’ s’ka qenë në rrjedhë të fak-teve të lëvizjes së Shkodrës, posë atyne që e gatitën dhe e banë. Letrat që kam në dorë prej krenvet të lëvizjes e krejt lajmet e mia dësh-mojnë në mënyrën ma absolute se:
1. Ky grup patriotësh të kulluët s’ka qenë n’asnji mënyrë i shtymë a i inkurajuem për një lëvizje prej qeveriës së Beligradit. Përkundras ka pasun pengim prej gjithfarësh prej sosh…
2. Kryengritësit s’kanë pasun asnji dinar prej Beligradit!
3. Kryengritësit s’kanë pasun asnji pushkë e asnji fishek të huej; posë ça kanë pasë mundun me mëshehë prej regimit tradhtuer për t’a përdorë kundra tij nga ato që kanë qenë në vend.
4. Lufta e tyne ka qenë një veprim dishprimi thjesht patriotike, kombëtare e antifeudale7”.
Tragjedia e Kryengritjes së Dukagjinit është pasqyruar edhe në rapsoditë popullore:

Ça po folet n’ket Shqipni?
Shtat’ barakt’ u ban’ fani;
s’u ka met kurgja në shpi;
u kan’ marr’ lop’, u kan’ marr dhi,
i kan’ marr’ haps të tan për shpi,
shum’ na i voren djelt të ri!
…Kur ka shku sahati tetë,
i kan’ marr’ hapsit e shkretë;
kur ka shku sahati nandë,
i ka çel’ drita vjerr’ të tanë,
shum’ berishs, ma shum’ shaljanë…8

Ndërsa çetat mercenare zogiste digjnin e masakronin familje të tëra të malësorëve kryengritës në Shqipërinë e Veriut, në Tiranë përfaqësuesi i qeverisë së Zogut, Iljaz bej Vrioni, dhe ministri fuqiplotë i Italisë së Benito Musolinit, baroni Pompeo Alois, më 27 nëntor 1926 do të nënshkruanin Paktin pesëvjeçar të “Miqësisë e të Sigurimit”. Kryetari i Republikës dhe Kryeministri i Shqipërisë, Ahmet Zogu, e ratifikoi Paktin më 9 dhjetor 1926, duke e vënë Shqipërinë de facto nën protektoratin e Italisë fashiste të Benito Musolinit9.

Shënimet:

1. Mentar Belegu, artikulli "Mbi lëvizjen e Dukagjinit në nëntor të vitit 1926, botuar në revistën “Studime historike”, 1971, nr. 1, f. 61–65 ( AQSH. Fondi 252, viti 1926, dosja 6/1, dok. 154, 219, 232345, 19 korrik 1926); gazeta “Shqipëri e Re”, Konstancë, nr. 280, 12 shtator 1926; B. Fischer, Mbreti Zog…, f. 123 (sipas Cassels, Musolinis Early Dilomacy, f. 320 dhe Zamboni, Musolinis Expansionspoli-tik, f. LXXIII); T. Frashëri, Ali Këlcyra…, f. 95 (shën. 36); Historia e popullit shqiptar..., vëll. III, (2007), , f. 277–279.
2. Fischer, Mbreti Zog…, f. 110–111 (G. Zamboni, Mussolinis Expan-sionspolitik, f. 10, 16); “Liria Kombëtare”, Gjenevë, nr. 54, 13 prill 1927, f. 1; O. Pearson, Albania and king Zog, f. 280–283; P. Milo, Shqipëria dhe Jugosllavia…, f. 398 (P. Pastorelli Italia e Alba-nia..., f. 336–337); A. Cici, Marrëdhëniet shqiptaro–italiane…, f. 110.
3. AQSH. Fondi: Gjyqi Politik (157), viti 1926, dosja 40, fl. 1–3; "Fletorja zyrtare", nr. 181, 13 tetor; nr. 182, 14 tetor, nr. 187, 31 tetor 1926; “Shqipëri e Re”, Konstancë, nr. 283, 3 tetor 1926; “Liria Kombëtare”, Gjenevë, nr. 29, 13 tetor, nr. 31, 27 tetor 1926; “Idealisti”, nr. 8, 1 tetor 1926; J. Swire, Shqipëria..., f. 370; T. Frashëri, Ali Këlcyra…, f. 85.
4. “Liria Kombëtare”, Gjenevë, nr. 39, 22 dhjetor 1926; M. Belegu, "Mbi lëvizjen e Dukagjinit...", f. 63–64, 68.
5. M. Belegu, "Mbi lëvizjen e Dukagjinit...", f. 64–65, 67–70 (AQSH. Fondi 252, viti 1926, dosja 5/І dhe 5/II, relacion 14.11.1926 dhe tel. 20/21.11.1926; dosja 6, tel. 24.11.1926; fondi “Legata Italiane”, dosja 6, fl. 18: ditari i Dom Lazër Shantojës); fondi “Legata Italiane”, dosja 6, fl. 1: letër e ministrit të jashtëzakonshëm e fuqiplotë të Italisënë Shqipëri, Pompeo Aloisi dërguar MPJ të Italisë, 5 janar 1927; gazeta “Liria Kombëtare”, Gjenevë, nr. 39, 22 dhjetor 1926.; nr. 51, 23 mars 1927; B. Fischer, Mbreti Zog…, f. 124; O. Pearson, Albania and king Zog, f. 262-63.
6. Gazeta “Liria Kombëtare”, Gjenevë, nr. 51, 23 mars 1927; M. Belegu, "Mbi lëvizjen e Dukagjinit...", f. 73; B. Fischer, Mbreti Zog…, f. 125.
7. B. Fischer, Mbreti Zog…, f. 124; Mustafa Kruja, Lëvizja e Shkodrës në dritën e fakteve, botuar në gazetën “Liria Kombëtare”, Gjenevë, nr. 39, 22 dhjetor 1926, f. 1.
8. Epika Historike, vëll. 3, Akademia e Shkencave (Instituti i Foklo-rit), Tiranë, 1990, f. 626–627 (AIKP. Nr. 439: “Çka ka Mesi si po piskat”, A2, Blliçë, 1953 (vëll. 3, f. 338; Vermosh, 1953, vëll. 6, f. 107–109; Plan, 1953, vëll. 8, f. 437); f. 630, Nr. 441: Shtat’ bajrakt na u ban fani (AIKP. Q. Haxhihasani, Curraj i Epër-Tropojë, 1952, vëll. 24, f. 139; Kabash-Pukë, 1956, vëll. 17, f. 120; Mërtur i Gurit, 1956, vëll. 17, f. 270; A2, Kushaj, 1953, vëll. 4, f. 51; K. Shtjefni, Kuzhne, Mirditë, 1963, vëll. 6, f. 73. Fjalor: fani (turq. shkretim); haps (turq. të burgosur).
9. J. Swire, Shqipëria…, f. 375; Historia e Shqipërisë (1965), f. 577–578; B. Fischer, Mbreti Zog…, f. 111–112; O. Pearson, Albania and king Zog, f. 263; Historia e popullit shqiptar (2007), vëll. III, f. 264–265.

http://oraeshqypnise.blogspot.com/

30 January 2014

AT GEGË LUMAJ I MALEVE TË DUKAGJINIT...



AT  GEGË  LUMAJ  I  MALEVE    DUKAGJINIT... 
Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë...



 
At Gegë LUMAJ O.F.M.

(15 Tetor 1904 – 18 Nandor 1990)



            At Gegë Lumaj ka lé në fshatin Plan të Dukagjinit me 15 Tetor 1904. Mësimet e mesme i mori në Lice të Françeskanëve të Shkodres, ndersa të naltat i ka perfundue në Romë...Vazhdoi Akademinë e Arteve per pikturë në Siena t’ Italisë, dhe u laurue atje.

            Shugurohet meshtar në vitin 1931. Filloi me sherbye në Malësi të Shoshit derisa shkoi së fundi në një nga qendrat atdhetare të Veriut, në Iballe të Pukës, ku u arrestue nga sllavokomunistët e Enver Hoxhës, kur po thonte Meshë, me 17 Janar 1945. U dënue me 28 Gusht 1945, mbas tetë muejsh tortura me një grup klerikësh që asnjeni nuk dinte me tregue per shka u “akuzuen” kur perfunduen dënimet nder kampe shfarosje...

Asht Kleriku i Parë Katolik Shqiptar, që fillon Kalvarin e Gjenocidit komunist të viteve 1944 – 1991... dhe e mbyllë até me 18 Nandor 1990, po në Plan të Dukagjinit...

Kohen ma të gjatë nder burgje e ka kalue në Burgun e Burrelit...  

Ishte “trim i çartun”, i matun dhe i heshtun si Burrat e motit t’ atyne Bjeshkëve.

Nuk kishte ma të voglën kreni për punët e mëdha që kryente në famullinë e Tij. Dallohej si trim. Në gjyq asht në bankën e të akuzuemve me At Dioniz Maken dhe At Giacomo Gardin S.J., edhe ky, i arrëstuem në Shkodër ndër ato ditë. At Dionizi më tregonte aty nga viti 1994, se gjyqi po zhvillohej i rrebtë mbasi mendohëj nga Sigurimi me hjedhë “thëmelet” e një “Partisë Demokristjane”, që as nuk i kishin ndigjue zanin se asht formue në Shqipni. Flitëj për vitët 1943-44. At Gega vazhdonte me mohue para gjyqit akuzat false në drejtim të tij nga hetuesi Ali Xhunga. At Gardini, në krahun tjetër nuk pranonte se ka ardhë në Shqipni për qëllime spijunazhi ndërsa, At Dionizi, qëndronte në të tijën, se nuk asht marrë kurrë me politikë. Njëfarë Nuri Llazanit, agjent i Sigurimit komunist, akuzon At Gegën, se ky i kishte ndjekë me kalë kur Nuriu ishte kenë me një grup partizanësh... At Gega mohon tue kërkue dëshmitarë tjerë që janë kenë me té, mbasi ishte i sigurt se ngjarja nuk asht e vërtetë, por asht trillim i Nuriut. Nuriu, jo vetëm, ngulë kambë se asht ashtu si thotë ai, por edhe kërkon nga trupi gjykues që At Gega, me shokët e tij në bankën e të akuzuemve, të marrin dënimin ma të randë.

At Gega, aty për aty çohët në kambë dhe, u thotë: “Po më vjen marre mue sësi nji turk Shkodrët akuzon në rrenë nji klerik katolik, pa kenë kurrgja e vërtetë!”.

Fadil Kapisyzi që do të dëshmonte për At Dionizin, e zbutë “dëshminë” e tij, tue pasë frikë se edhe ai po merr një përgjegje si Nuriu, prej At Dionizit.

Kjo thanje e At Gegës, më tregonte At Dionizi, u ba shkak që na me marrë dënime të lehta, mbasi fjala e At Gegës mori dheun.

At Gega arrëstohet më 17 janar 1945, lirohët në mars të 1962. 


*     *     *

E njoha në vitin 1966, kur pata hapë një ekpozitë pikture personale. Erdhi si vizitor me At Aleks Baqlin, dhe mbasi më la dhe një pershtypje modeste të veten, mbas pak ditësh erdhi me pi një kafe urimi tek shtëpia. Ishte hera e parë që kam dëgjue një prift tue folë me detaje per artin... dhe ishte prap hera e fundit që mbas pak muejsh do të zhdukeshin perfundimisht gjurmët e mbetuna pa u shkatrrue mbas vitit 1944, prap nga pushtuesit sllavokomunistë e anadollakë në permbytjen perfundimtare të Shkodres, që do të zbulonin fëtyren e tyne prej terroristësh me 6 Shkurt 1967...

Asht prap i Pari Klerik që u arrestue në “Revolucionin Kultural” të vitit 1967, kur u thirr me u demaskue në Istitutin Pedagogjik të Shkodres, në mars të atij viti...

At Gega ishte i bindun se do t’ arrestohet, po nuk iu tremb syni fare...

                Me arrestimin e dytë At Gega, në vitin 1967 në “Revolucionin Kultural”, prap akuzohët për “Partinë Demokristjane”. Ai deklaron në hetuesi dhe në gjyq: “U kam thanë në vitin 1945 hetuesëve Ali Xhunga me shokë, dhe prap tashti në 1967 Elham Gjikës dhe Dhimiter Shkodranit, si edhe shokëve që kanë mendue se nuk asht keq me pasë në Shqipni një Parti Demokristjane, mbasi mund të lidhemi me vendët e Evropës Perëndimore sot nëpërmjet të kësaj partie, duhët me pasë shumë kujdes dhe mos me e formue kurrë këtë parti, mbasi barra ka me i ra Klerit Katolik. Ka 20 e sa vjet që vazhdoni me akuzue Klerin, pa kenë kurrkund partia, po ba me pas kenë shka paskeni dashtë me ba ndër né, ju kështu, edhe po na qitni fare!?” (Dosja 2291 Arkivi M.M.Tiranë).

I pathyeshem deri diten e vdekjes!

            Arrëstohet në vitin 1967 dhe lirohët në vitin 1977.

            Ka vdekë në vitin 1990, i rrethuem nga dashnija e pakufi e kushrinjve të Tij, ndër malët e egra e shumë të dashtuna të Alpëve, prej të cilave At Gega, trashigoi karakterin e fortë burrnor e trim të Tij.


                *    *    *


                At Gegë Lumaj, një Françeskan i vertetë, filloi i pari Golgoten Shqiptare, dhe deri në vitin 1977 ishte vetem pesë vite pa pranga, hekura rrethues dhe polic...Bashkë me permbytjen në zjarrin e luftës civile në Shkoder, filloi dhe lufta kunder Klerit Katolik Shqiptar, një luftë e pashembullt në Historinë e Shqipnisë, e cila shumë shpejtë merr percaktimin e saktë: “Gjenocid komunist” i zbatuem nga sllavo anadollakët tanë.

            Në gjysen e dytë të Shekullit XX (1944 – 1991), komunizmi në Shqipni ishte urrejtja sllave shekullore antishqiptare, që ushtroi Gjenocidin kunder Klerit Katolik Shqiptar, inteligjencës dhe Atdhetarëve tanë, me anën e një grupi anadollak tradhëtarë e antishqiptarë të shitun tek ata!



          Melbourne, Shkurt 2014. 

03 January 2014

Trinomi; shkrimtari, botuesi, tregu. - nga Roland Gjoza

DIALOG ME NJE SHKRIMTAR

Trinomi; shkrimtari, botuesi, tregu.


 Nga ROLAND GJOZA
Po ia nis dialogut me nje romancier. - S'di c'po ndodh, po gjendja eshte ca alarmante. Ju si mendoni? - Kriza e shkrimit ndihet jo vetem tek ne, po ne te gjithe boten. Fitojne me te fortet, duke mos perjashtuar fatin. Ja, pershembull, mua me botojne. - A mjafton rasti yt? - Eshte nje tregues. Shkrimtaret e mire botohen pa dhene para. Por nuk e mohoj qe ka dhe shkrimtare te tjere po kaq te mire qe botojne me parate e tyre. Nuk duhet t'ua veme fajin vetem botuesve, po edhe tregut. A shitesh, apo jo? Nese po, je i fituar, nese jo, paguaj qe te botosh. Pastaj te mos harrojme dhe konkurencen. Sot botohet letersi e madhe, krahas librave te shumte komerciale, botohen te medhenjte; Murakami, Kohtze, Roth, Munro, Gras, Pamuk, qe ta bejne te veshtire botimin, ne njefare menyre. C'te beje botuesi i gjore ne keto rrethana? - Po sikur te them se botuesi e ka prishur tregun? - Si? Pse? Ky eshte nje paradoks. Se fundi i fundit ai nuk eshte as idealist as filantrop, eshte thjeshte nje tregtar qe perballet me risqe te medha. Ka hapur nje shtepi botuese per te fituar, jo per te humbur. Ai nuk eshte tamam nje tregtar ne kuptimin klasik, se nuk i sherben thjeshte utilitarizmit te vrazhdte, po nje tregtar kulture, qe ben njefaresoj per kulturen. - Po kur humbet ekuilibri, lakmia per fitim e shtyn te botoje vepra te dobeta krijuesish kallp ngaqe ata ia numerojne parate e thata ne dore. - Edhe kjo ndodh, por ne flasim per shtepi botuese te medha qe e ruajne emrin e mire. Ata sakrifikojne, sepse na botojne ne, por ama, me rrezikun e humbjes, se letersia shqiptare, ta themi midis nesh, nuk para blihet. Ne romanet i shperndajme nder miq. Kjo ka dhe arsye te tjera. Indiferentizmi i shtetit per kulturen kombetare, mungesa e kritikes profesionale, hierarkia e prishur, e degjeneruar ne klane partiake, varferia dhe nje sere faktoresh te tjere qe ndikojne ne krizen e botimit. - Por po ta shikojme kete problem nga pikpamja e titujve te shumte, e morise se shtepive botuese qe mbijne si kerpudhat pas shiut, ( mbi 100 te tilla ) te duket se Shqiperia eshte nje vend i pasur dhe me kulture te madhe. A nuk eshte kjo nje piramide shtepish botuese? - Jo, aspak! Te thashe, ato me botojne mua, duke rrezikuar te mos fitojne, te lutem shume. - Ato ju botojne, se nuk jane aq budallenj, perfitojne nga emri juaj i shquar, dhe mbi emrin tuaj tingellues ngrene zerin per leshime ne taksa dhe rrahin gjoksin per sakrificen qe bejne ne emer te kultures kombetare.. Megjithese dalin te fituar dhe me shtetin, cmimi i librave, per cudi, ne vend qe te ulet, rritet. Ju pa dashje, nxisni babezine e tyre. Po a ju japin gje? - Cfare te me japin? Ca kopje libri.. te thashe qe i shperndaj nder miq. - Po si jetoni? - Me pension. Keq e me keq. I dhjere, po krenar, kinse perdor kete zhargon prej zhgenjimit. Me bejne disi te njohur, pune fame. Kete pune ata e bejne. - Dhe viktime jane te semuret nga murtaja e shkrimit.; fillestaret, diletantet, grafomanet, ushtria e pamposhtur shkarashkrimtareve, qe s'kane asgje tjeter pervec ambicies agresive dhe parave. Iu del bretku ne emigrim, hane nje here ne dite, rrojne dy tre familje ne nje apartament, qe te kursejne per librin. A eshte e ndershme kjo? - Kerkese oferta plus pasioni qe gjithsesi ta ben jeten njefaresoj te bukur, sepse e ngjyen me iluzion dehes.. S'ka sentimentalizem! S'ka tra kufiri. Ti ke deshire te botosh nje liber, nje enderr, me parate e tua, botoje. S'te pengon kush. - Po ata jane shtuar. Jane shtuar ca si shume dhe e kane prishur shijen, tregun, atmosferen letrare ne pergjithesi. Te vjen zor nganjehere kur thua se shkruan romane, se romane shkruan dhe Ali Senjefi, ai roja i liqenit. Per mua eshte turp dhe marrezi. - Kurse une nuk shikoj ndonje gje kaq te kobshme ne keto qe thua. Ti po i dramatizon shume ca gjera qe jane fare te thjeshta. Le te luajme me parimin e kontrastit. Keshtu, ne keto rrethana, krijuesi i mire bie me fort ne sy, po ai, i talentuari, ama. Futju ketij deti te zi dhe shquhu. E zeze eshte nata, po yjet duken te arte. Behu yll, jo nate. - Kjo logjike i jep dore te lire botuesit, te cilit i intereson te jete nate, qe te nxjerre perfitime prej saj. - Ne cdo lloj pune fshihet dhe spekullimi, pa te kapitalizmi do te kishte falimentuar. Dil nga vetja, nga rrethi vicioz ku je futur, letersia e mire can.. cilesisht artistet e mire dirigjojne orkestren, ata, pikerisht ata krijojne opinionin. - Ju jeni produkt i tyre. Shkruani per njeri-tjetrin. Dhe me cmimet luani; here fiton njeri, here tjetri, edhe pa vepra.. - S'mjafton talenti. Duhet te hysh ne loje. Jashte saj pothuaj deshton. Delen e vetmuar e ha ujku. Qe te besh nje gjelle te mire, kushedi sa qepe e hudhra jane qeruar, sa zarzavate e perime jane pastruar, grire e kaverdisur me vaj.. Po s'do t'ia dije njeri per keto, e rendesishme eshte si ka dale gjella. Talentin e rrethojne papastertite, intrigat, shpifjet, e po kjo dihet, se ke te besh me emrin e tingellueshem, si kamabanat qe ndjehen aq shume ne javen e shenjte te Pashkes. Ti thua se ka mbi 100 shtepi botuese, po perse ndodh kjo? Eshte dhe ajo qe ju thoni se ka shume prodhim skarco, po ama keto shtepi botuese nuk mbahen vetem nga Ali Senjefi, po me fort nga Hitleri; Main Kampf, Ben Blushi, qe luan me idolet, librat historike, memuaret e njerezve te famshem, qe ngacmon te famshmin tjeter ndrydhur te njeriu i vogel, bestselleret e tipit Daniel Still, qe trondisin opinionin, eshte pra nje bote e tere qe infiltrohet ne keto shtepi botuese, sic e shikon del e tepron, te mos flasim pastaj per tekstet shkollore, qe duhen shtypur cdo vit me tirazhe marramendes.. Shikoji librarite, vuajne prej mbipeshes, shtojne raftet, shtojne ambientet, aty ku duket se po fillon kriza e lexuesit, pra resht blerja, del papritur libri i fatit nepermjet numrave, ai i indianeve dhe tibetianeve, qe behet menjehere i famshem dhe kerkon ta kete cdo familje. - Me sa po kuptoj, kjo per ju eshte nje rrjedhe normale. - Ne keto kushte po. Botuesit me pyesin; do ta sillni tek ne romanin e ri qe po shkruani? Perse te ankohem? - Nuk ju shqeteson fakti qe jetoni me kacidhet e pensionit dhe jo me parate e romanit? - Pak. Sepse jam realist. - Ky realizem mos eshte ajo qe botuesi po ja u hedh. Se une ve re qe botuesi juaj e nderron dy a tre here ne dite kostumin dhe femijet i shkollon ne universitetet me te mira te Europes dhe Amerikes, me 40, 50 mije euro ne vit? Kjo a ju duket normale, qe bishti te rendoje me shume se sqepari? -- Atehere dalim te tregu; ai nuk e pranon kete mall, mallin tone te fiksionit apo te trillerit, se nuk i shitet. Qe te behet i tille, pra te shitet, botuesi manovron, ve ne pune parate e te patalentuarve, qe jane nje ushtri, per t'iu dhene shansin te talentuarve, atyre te pakteve, qe jane shtabi i ushtrise. E mira dhe e keqja bashkejetojne qe te mbijetoje arti. S'ka menyre tjeter. Keshtu i bie qe bariu i dhive te Pindit, ai emigranti nga Kukesi, e jep nje pjese te djerses se tij dhe per botimin e romanit tim. Suksesi im eshte varferimi i tij. Menaxhimi i ketij procesi te ndyre, por kulturor, behet prej botuesit. E c'te keqe ka ketu. Duhet plehu i bagetise qe te rritet rendimenti i grurit. Pastaj pse me drejtoheni mua. Prej suksesit une jam bere egocentrik dhe me pelqejne lavdet, i ushqej ato. Pergjithesisht jam ne paqe me problemin qe ngre ti, sepse me ka ecur. Ke degjuar per ndonje milioner qe te pyese per te mjeret e qytetit te tij dhe te fuse doren ne xhep? Ai eshte mesuar te fuse doren ne xhepin e te tjereve, pa e pare njeri dhe ne pajtim me ligjin. Keshtu do te shkoje kjo pune gjersa nje dite te pakesohet vaji i kandilit, keta guximtare te shkrimit, qe s'kane talent, po duan te botojne se s'ben, do te rrallohen vetiu, atehere pasardhesi im do ta kete tejet te veshtire, ose po te tregohet i zgjuar dhe heq dore shpejt nga shkrimi dhe merret me nje aktivitet shume fitimprures, si bie fjala, moda, atehere ai ka shpetuar. - C'ke ne duar? - Nje roman te ri. - Si po te duket? -Me i mire se cdo roman tjeter qe kam shkruar. Sic me ndodh gjithmone. - Ta kane kerkuar? - Pese shtepi botuese, deri tani. Jane vene ne pune miqte, klani i te forteve. Marr cmimin e madh ne janar. Pastaj cmimin e librit me te mire ne Panairin e librit. - Po si ndodh kjo? - Besoj, se ta thashe, por po ta perseris, une jam pjestar i klanit me te fuqishem qe percakton fatin e librit. Ne qendrojme mbi botuesit. Sepse vijme nga politika qe ka ne dore gjithcka dhe nga media qe eshte mbeshtetese e fuqishme e reputacionit tone. Rendesi ka te sigurosh lidhjet, pastaj te tjerat jane te dores se dyte. Dy here me kane propozuar per cmimin Nobel, sepse duhet te japesh dicka per lidhjet, ndryshe e peson. Te lexosh c'shkruajne per mua; Dante apo Shekspir te duken te vegjel. E besoj une kete? Aspak! Po kjo eshte reklame dhe ne i japim rendesi kesaj ceshtje. C'te them, iluzioni na ndjek, kjo dhe te zhgenjen ne pavertetesine e shume prej veprimeve tona, por po te mos veprojme keshtu, na e merr komanden klani tjeter. _ Si ka mundesi te jeni kaq i varfer? - Mos u cudisni! Fitoj tituj dhe cmime, po parate i marrin te tjeret. Ne pergjithesi ata nuk shkruajne, kurse une perkul kurrizin gjithe vitin. Ata merren me pune praktike, kane vila lukzsoze, makina te shtrenjta, udhetojne vazhdimisht. Ndersa mua me pelqen te shkruaj dhe te gezoje famen. Ata jane te ndershem; ma japin me bujari ate, vec, c'jane te mira materiale, i shijojne vete. Jane akademike, profesore universitetesh, kryetare fondacionesh, gjithmone te lidhur me partine, shkarkojne dhe emerojne, sepse jane neper shtate a tete borde ku honoraret nuk jane honorifike, po teper te majme, ata jane mjelesa te dalluar te lopeve prej euroje. -S'ka shprese? - Shpresa eshte e madhe. Varet nga c'kend e shikon. Leviz. Mos rri ne nje vend. I ke mundesite. Atje jane lidhjet. Bej nje prove. - C'duhet te jap? - Varet sa je ne gjendje te japesh. - Ka te beje me karakterin? - Varet si e kuptoni. Eshte si nje urdher religjioz lidhja, nenshtroju rregullave. Nenshtrimi s'njeh karakter. Mos eshte nocion? Jo, s'jam aspak cinik. Por pikerisht kjo ju ka bere njeri pa shprese. Kur themi sakrifice, ajo, ne radhe te pare, behet duke vene ne prove karakterin. Shpresa qe po ju le, eshte konservatorizmi juaj me karakterin. C'eshte pershtatja? Modifikim. Modifikim i karakterit. Perndryshe... S'ka rruge tjeter.

Nju Jork 2013