24 April 2014

Tallava me librin e Rudina Xhungës * - nga Petrit Ymeri

 Përgëzime për një libër të nxituar…
A janë vërtet Shkrimtarët e Shekullit 29 autorët e Xhungës? Midis së vërtetës dhe së pavërtetës në këtë libër. Pse nuk është Kadareja në këtë vëllim? Po Umberto Eco apo Rowlingu, Kundera e të tjerë që i njeh e i do lexuesi ynë? Një emision dhe një libër me preferenca dhe paragjykime! -
Nga PETRIT YMERI
petrit-ymeri
Botuesi Petrit Ymeri
Përgëzimi im për këtë libër të botuar e trumbetuar këto javët e fundit nuk është i pasinqertë. Është i vërtetë. Sepse e kuptoj fort mirë ç’do të thotë për një autor të shohë të botuar një vepër të vetën. E kuptoj punën, kohën e shpenzuar mbi dorëshkrimin, punim apo ripunim, heqje e ndreqje etj. Është një pjesë e Autorit që jeton me veprën e tij deri sa e sheh të lindë e të bëjë rrugën e tij, si një fëmijë ndofta. Pra e vlerësoj shumë punën e bërë, sidomos kur libri ka një vlerë për kulturën, për shoqërinë, është i dobishëm apo shumë i dobishëm. Edhe puna e mundi i Rudina Xhungës për këtë përmbledhje kanë të gjithë respektin tim, pa asnjë mëdyshje. Por kjo nuk do të thotë që patjetër duhet të kem të njëjtin mendim me autoren apo me botuesin, apo me të tjerë duartrokitës të vëllimit! Sipas meje është një libër i nxituar. Kur them këtë, mendoj që me pak më shumë durim e punë, me më shumë bashkëpunim e këshillime, me siguri libri do të ishte më i mirë, ndofta shumë më i mirë. E them këtë duke e konsideruar botimin e një libri si një akt të rëndësishëm, rezultat i një pune serioze e me qëllimin që të jetë i dobishëm për lexuesit. Mendoj se me më shumë seriozitet (më shumë se ç’duhet për një emision të radhës që harrohet sapo fillon rubrika tjetër), libri duhet të ishte siç e meriton lexuesi që pret më shumë nga znj. Xhunga, gazetare mjaft e njohur, jo prej pak vitesh. Duke lënë mënjanë zhurmën e poftën që shoqëroi daljen e paralajmëruar të librit “Shkrimtarët e shekullit”, mendimi i parë që të vjen kur librin e ke në dorë, është: cilat kanë qenë kriteret për të intervistuar këta dhe jo të tjerë shkrimtarë? Të rastësishme? Të diktuara nga përkthimi dhe botimi i tyre në shqip? Të mbështetura në opinione specialistësh? Po atëherë a e ka autorja përgatitjen e duhur dhe të drejtën që të rendisë dhe t’i paraqesë lexuesit një libër Shkrimtarët e Shekullit? Sipas meje, nuk e ka. Jo thjesht dhe vetëm për titullin pretencioz e komercial: “Shkrimtarët e shekullit. Intervista në bibliotekën e botës”(?!). Kjo përmbledhje  dëshmon që Autorja nuk e ka përgatitjen teorike dhe informacionin e duhur për të bërë të tilla klasifikime. Zakonisht klasifikimet e mëdha, klasifikimet e rëndësishme i bëjnë institucionet e specializuara, personalitete të spikatura të fushave të caktuara. Institute, gazeta apo revista të njohura letrare apo shkencore, apo sportive, organizojnë juri profesionale, të cilat me shumë kujdes bëjnë anketime dhe marrin edhe opinione të specialistëve seriozë. Dhe sigurisht që kjo është rruga më e mirë. Është një befasi jo fort e këndshme kur shikon që nën një titull kaq bombastik mblidhen bashkë pa asnjë lloj kriteri (duke mos folur për marketingun), fare pak autorë të mëdhenj, disa autorë mesatarë dhe të tjerë fare të parëndësishëm e pothuajse të panjohur. Dhe ç’është më e rëndësishmja, një pjesë e tyre nuk janë fare shkrimtarë, gjë që e rrëzon titullin, nuk janë as shkrimtarë dhe jo më Shkrimtarë të shekullit! Pa folur për një anë teknike: të cilit shekull, të atij që lamë pas apo të këtij ku kemi hyrë? Këto i them duke menduar të flasim me seriozitet për një libër serioz, por në qoftë se pastaj do të flasim për një libër të radhës, atëherë të kalojmë tutje. Një libër që ka shumë të vërteta dhe shumë të pavërteta. Problemi është që zhurma, sidomos ajo mediatike,  krijon ndonjëherë efekte të rrema mbi vlerat. Para disa ditësh, një gazetar i ri, fliste në emisionin mëngjesor për këtë libër, për “peshën” e autorëve të Xhungës në letërsinë botërore! Entuziasti (që nuk la pa përmendur qejfin e festës dhe verën që do pinin në ceremoninë e darkës, dashurinë e madhe që kishte për autoren e botuesen(?!), nuk e dinte që mjaft prej atyre autorëve nuk kanë peshë, jo në letërsinë botërore, por as në letërsinë e vendeve të tyre. Sigurisht janë në këtë libër disa emra të shquar që mund të përfshihen në shumë lloj klasifikimesh e vlerash, si A. Oz, D. Grossman, Pamuk, Lesing, S. Rushdie apo dhe ndonjë tjetër, por edhe ka shumë që e rrëzojnë krejtësisht titullin “Shkrimtarët e shekullit”. Ka mjaft shkrimtarë mesatarë, ashtu sikurse të tjerë të diskutueshëm për vlerat letrare. Por kur mbërrin tek autorë fare minorë, krejt të parëndësishëm për lexuesin dhe për letërsinë e vendeve të tyre, si A. Signorili, apo qofshin edhe autorë premtues si N. Amaniti apo si P. Xhordano, që para pak kohësh botoi librin e tij të dytë, mendon që autorja dhe ndofta dhe botuesja, duhet ta dinin që janë të tjerë ata që konsiderohen në këto vende “Shkrimtarët e shekullit”. Jam i sigurt që edhe Daria Bignardit, ndofta do t’i përkëdhelet sedra, por si gazetare e mprehtë që është, do të befasohet kur t’i thonë që Xhunga e ka nominuar Shkrimtare e Shekullit!? Për t’u kthyer tek libri me 29 autorët e Xhungës, po i quaj autorë se shumë prej tyre nuk janë shkrimtarë, ka prej tyre gazetarë, historianë, sociologë etj, por jo shkrimtarë, dua të them që besoj vërtet, madje jam i sigurt, që Xhunga di ta bëjë dallimin midis një shkrimtari dhe një gazetari, midis një shkrimtari dhe një historiani apo sociologu! Por nga nxitimi apo entuziazmi apo vrulli i marketingut, ajo i përzien të gjithë në një zë. Gabim që e komprometon librin, por që mund të korrigjohet duke ndërruar kopertinën bashkë me titullin. Gjëra që ndodhin. Autorja do të kishte të gjithë të drejtën e botës të zgjidhte autorët që do, të mos pyeste dhe as këshillohej me njohës të mirë të librit apo të letërsisë që janë të shumtë dhe Xhunga i njeh, nëse nuk do t’i përcillte lexuesit informacione të dyshimta me klasifikimet e veta. Por e keqja e kësaj liste nuk qëndron thjesht tek  libri në fjalë. E keqja e kësaj liste fillon tek emisioni.  Nëse emisionin e trajton siç u shpreh Xhunga “si shtëpinë e vet”, bukuri, kur e bën këtë për të treguar dashurinë dhe përkujdesjen, përkushtimin e të tjera! Por kjo shtëpi nuk është jotja, është e një televizioni kombëtar, ku të gjithë kanë të drejtë të dëgjojnë për vlera të vërteta! Dhe unë mendoj: pse nuk është në listën e emisioneve apo të librit në fjalë Ismail Kadareja? (nuk është ftuar apo mos ndofta ai nuk ka pranuar të përfshihet në këtë radhë autorësh?!) A meriton Kadareja të quhet shkrimtar i shekullit, madje i dy shekujve që pasojnë njëri-tjetrin? Pse nuk është i madhi Umberto Eco që ka të paktën 9 libra në gjuhën shqipe; pse nuk është M. Kundera, aq shumë i pëlqyer nga lexuesit shqiptarë; pse nuk është C. R. Zafon, romancieri i mrekullueshëm spanjoll?  Përgjigja është fare e thjeshtë: motivi kryesor janë preferencat personale, paragjykimet. Kush i ka botuar dhe kush i ka përkthyer, janë, me sa shihet dhe fatkeqësisht për lexuesit, motive përzgjedhëse të Xhungës. Mungesa e pavarësisë dhe paracaktimi, qëllim i ngushtë për të marketuar produkte të paracaktuara, kjo pa dyshim e dëmton shumë emisionin televiziv, kjo e dëmton edhe librin që i propozohet  lexuesit. Dhe Autorja më çudit me mllefin e saj provincial, ruajtur prej gati 2 vitesh, aq sa në intervistën e saj në TV sajon edhe fjalë të paqena dhe opinione të pavërteta. Për një autor mesatar holandez, pjesë të emisionit të vet, ajo më citon sikur unë qenkam shprehur: “Kjo gazetare që interviston autorë homoseksualë”. Nga unë nuk ka dalë as kjo frazë, as ndonjë e ngjashme me të. Jo se jam ndonjë luftëtar i paepur i lirisë së orientimit seksual, por ato shprehje që thotë Xhunga nuk bëjnë pjesë në sintaksën time. Në një shkrim të nëntorit 2012 të titulluar “Padija, Qoka dhe Marketingu” shtrova disa probleme të raporteve të medias me librin, dhe ndër të tjera e citova (për delikatesë, pa e përmendur zonjën R. Xhunga, por edhe për respekt të TV të njohur) si një shembull marketingu të hapur, por jo të vlerave letrare. Dhe  për rekomandimin qesharak që kishte bërë Xhunga në emisionin e saj për autorin Arthur Japin duke e quajtur si shkrimtarin më të madh holandez,  unë vetëm shkrova që ky shkrimtar nuk listohet as në 30 autorët më të njohur në letërsinë holandeze. Dhe bëja pyetjen: “Pse gazetarja na e rekomandon me kaq ngulm këtë autor? Nga padija? Po vallë nga padija gazetarja na i rekomandon lexuesit autorë mesatarë apo jo mesatarë? … A dëmtohet lexuesi? Patjetër që po, kur orientohet në rrugën e gabuar që vjen nga Padija, apo kur atë duan ta gënjejnë në emër të Qokës. Madje atë e gënjejnë edhe në emër të një TV të njohur.” Këto kam shkruar dhe siç thashë, pa e përmendur fare emrin e Xhungës, që ajo e ka pasur të lehtë ta gjejë, sepse këto janë disa tipare të punës së saj në propagandimin e librit. Mendoj se media serioze ku punon znj. Xhunga, një TV kombëtar me shumë kontribute pozitive, duhet të jetë i hapur për të gjithë, jo vetëm për miqtë. Në intervistën e para pak ditëve Xhunga u ankua që prej njerëzve të librave nuk ka marrë asnjëherë urime. Mos vallë duhet ta gjejë arsyen tek vetja për këtë fakt? Mos vallë është e përciptë në punën e saj me librin? Dhe pyetjes së gazetares se si shpjegohet kjo, nuk i jep përgjigje. Sigurisht që unë s’kam qenë në ceremoninë e këtij libri, sepse s’kisha pse të isha, ashtu si shumë kolegë të tjerë të mi, e para sepse nuk kemi qenë të ftuar në  sfilatën promovuese. Ndofta një titull tjetër mund ta kishte shpëtuar përgjysmë librin, e ndofta edhe unë nuk do i hidhja këto radhë, për të cilat kam qenë në dyzim. Dhe duke e mbyllur këtë  përsiatje mendoj për këtë zeje të vështirë (në Shqipërinë tonë të gjorë) që mund ta quajmë shqip botimtari (?). Çfarë nuk u japim lexuesve tanë, të njoma e të thata. Jemi të gjithë përgjegjës. Por a duhet  vazhdimisht të pranojmë që lexuesit të bien viktimë e tallavasë dhe e borive?!

MAPO, 23 prill 2014 

* Titulli i linkut të blogut ështe i Editorit të "Ora e Shqypnisë"

NEXT: Mbi debatin Fatos Lubonja - Henri Çili:
http://oraeshqypnise.blogspot.com/2014/04/mbi-debatin-fatos-lubonja-henri-cili.html

11 April 2014

Mbi debatin Fatos Lubonja-Henri Çili- nga Kastriot Myftaraj


 TENTAKULAT E OKTAPODIT KORRUPTIV*
Mbi debatin Fatos Lubonja-Henri Çili

Shkruar nga KASTRIOT MYFTARAJ

Debati i fundit i Fatos Lubonjës me Henri Çilin është nga ato ngjarje që duhet ta ndriçojnë mendjen e lexuesve dhe të teleshikuesve, mbi të vërtetën e atyre njerëzve të cilët janë bërë kulte në ekrane dhe në faqen e parë të gazetave. Debati nisi me shkrimin e Lubonjës “Çili si paralajmërues i falimentimit të sistemit”, që u botua në gazetën “Panorama”, në 9 prill 2014. Në këtë shkrim, Lubonja merr shkas nga një intervistë e Çilit, në të cilën ky thotë se, meqënëse në Shqipëri shtypi nuk është një veprimtari fitimprurëse, ai do të kalojë, sa i përket veprimtarive te tij botuese, nga pozita e biznismenit në atë të donatorit, pra të filantropit, duke e bërë gazetën dhe revistën “Mapo” botim të një OJF-je, që është Fondacioni për Liri Ekonomike. Lubonja (këtu po e parafrazoj përmbledhtas mendimin e tij) i kërkon Çilit që në veprimtarinë e tij si biznismen të jetë koherent me idetë e tij si gazetar dhe publicist. Çili biznismen, thotë Lubonja, me veprimin e tij ka pohuar dështimin e një modeli ekonomik të kapitalizmit liberal që deri më sot Çili gazetar dhe publicist e ka mbrojtur me të madhe. Prandaj, thotë Lubonja, Çili biznismen kishte detyrim që të shpallte falimentimin zyrtarisht, dhe pastaj ta niste punën nga e para, në mënyrën tjetër, por tashmë Çili gazetar dhe publicist duhet të mbronte modelin ekonomik të cilin e kishte kundërshtuar deri më sot.
Këtu Lubonja e merr si të mirëqenë atë se Çili ka vërtet ide, te të cilat beson fuqishëm dhe të cilat do të duhej t’ i rishqyrtonte seriozisht me rastin e këtij ndryshimi në veprimtarinë e tij si biznismen. Në të vërtetë Lubonja e di shumë mirë se sa seriozisht e ka Çili këtë punën e ideve të tij. Nëse Lubonja donte t’ i ndriçonte lexuesit e tij ai duhet ta kishte nisur shkrimin me pyetjen se kur na u bë ky Henri Çili biznismen, jo ta merrte si të mirëqenë faktin që ai është “gazetar, botues dhe biznesmen njëherësh”, siç thotë Lubonja në shkrim. Nëse Lubonja do të provojë t’ i përgjigjet kësaj pyetjeje në vazhdim të debatit, atëherë, po të shprehem me fjalët e tij nga shkrimi i sipërpërmendur, kjo: “ndihmon goxha për të zbërthyer sistemin që së fundi e kam cilësuar ‘oktapod me shumë tentakula’, duke vënë gishtin edhe mbi mediat e bizneset që kemi ndërtuar”.
Henri Çili u bë biznismen pas ardhjes së Sali Berishës në pushtet, në 2005. E gjithë karriera e Henri Çilit si biznismen është ndërtuar krejtësisht në vitet 2005-2013, pra në kohën kur Sali Berisha ishte Kryeministër. Me të ardhur Sali Berisha në pushtet, i dha Henri Çilit një licencë për universitet privat. Në kohën që Sali Berisha ishte Kryeministër, Henri Çili u bë botues i gazetës “Mapo”, revistës “Mapo”, si dhe krijoi një shtëpi botuese private. Gjithashtu, në këtë periudhë Henri Çili mori në zotërim një fshat turistik luksoz, në Durrës, me vlerë 12 milion euro, nga banka “Credins”, e cila ishte shumë e afërt me Familjen Berisha, në kohën që kjo ishte në pushtet. Gjithashtu, Çili mori nga kjo bankë një kredi prej gjashtë milion euro për të bërë investime në Universitetin privat të tij. Por mund të jetë një koincidencë që Henri Çili u bë biznismen në kohën që Berisha ishte Kryeministër, mund të thotë dikush. Por ka dhe një koincidencë tjetër, që gjatë kësaj kohe Henri Çili ka qenë, nuk mund ta quaj ndryshe, shërbëtor mediatik i Sali Berishës. Në zgjedhjet vendore të vitit 2011, Henri Çili u bë propagandisti kryesor i kandidatit të PD-së për kryetar bashkie të Tiranës, Lulzim Basha, duke krijuan “Iniciativën për Tiranën” me 31 “intelektualë”. Merret vesh, Henri Çili biznismen është krijesë e Qeverisë së PD. Një tjetër koincidencë, punët e zotit Henri Çili si biznismen, shkonin mirë sa kohë ishte Berisha Kryeministër. Tani që Berisha u largua nga pushteti nisën problemet edhe për biznismenin Henri Çili, ra dominoja e parë e bizniseve të tij. Të tjerat do ta pasojnë atë.
Lubonja në shkrimin e tij i thotë Çilit vetëm njërën gjysmë të kësaj që unë kam thënë më lart, i thotë vetëm atë se qëndrimi i gazetës së Çilit ka qenë pro Berishës kur ky ka qenë në pushtet. Ajo që nuk thotë Lubonja është se Berisha e bëri Çilin botues dhe biznismen pikërisht që të mbante një qëndrim të tillë. Dhe Çili sot është i detyruar që të bëjë manovra, duke u bërë donator i bizniseve të veta, të transformuara në veprimtari OJF-sh, pikërisht sepse tashmë ai ka humbur Dontatorin e tij të madh, Sali Berishën.
Lubonja, ndonëse i ka dhënë Çilit një goditje të rëndë, të cilën ky e ka përjetuar keq, siç duket nga përgjigjia e tij, nuk donte megjithatë që ta godiste kaq rëndë sa ç’ thashë unë më lart, se pastaj Henri Çili mund t’ i përgjigjej duke i thënë se edhe Lubonja u bë biznisimen herën e parë kur Berisha ishte në pushtet, në vitet 1992-1997. Se kjo është e përbashkëta e Lubonjës dhe Çilit, ata janë bërë biznisimenë kur Berisha ka qenë në pushtet. Ashtu si në rastin e Henri Çilit me Berishën e vitit 2005, edhe Fatos Lubonja kishte marrëdhënie të mira me Berishën e vitit 1992. Vetëm më pas Lubonja u bë armik i betuar i Berishës. Kur qeveria e PD dha letrat me vlerë për ish-të burgosurit politikë, Lubonja ishte njëri nga ata që përfitoi nga një skemë e krijuar nga SHIK-u i Gazidedes për të marrë vlerën e plotë në lekë të letrave me vlerë. Në atë kohë, u nxorr një shitje nga shteti një hotel në Gjirokastër me letra me vlerë, dhe blerësve iu tha se ata duhet t’ i paguanin vlerën e plotë në lekë Fatos Lubonjës dhe dikujt tjetër, nëse donin që ta merrnin hotelin. Kështu Fatos Lubonja mori 23 mijë dollarë, të cilët në atë kohë (1994) kishin vlerë shumë më të madhe se sot. Me këto para Fatos Lubonja u bë ortak në biznis me një kushëririn e tij nga nëna, që erdhi në Shqipëri nga Zelanda e Re. Këtë histori Lubonja e përshkruan paksa edhe në librin e tij autobiografik “Nëntëdhjetëeshta”, ku thotë për vetveten se: “Po merrej me synopsisin e një romani që mendonte ta titullonte Vapori me sheqer. Romani ishte ndërtuar mbi historinë e një piramide të vogël financiare që kishte hapur një kushëriri i tij. Rënia e saj kishte ndodhur më herët se të tjerat, pa bujën që bënte ato ditë rënia e të mëdhave… Përshkrimi i shtëpisë së Lulit dhe i ardhjes së tij në Tiranë pas 44 vjetësh… Kështu e gjeti Luli në vitin 1990, shtëpinë e babait që e kishte lënë më 1947 kur ishte arratisur nga Shqipëria… E priti gjithë fisi si të ishte një perëndi… Flitej se suksesin e parë në biznes e kishte pasur në Zelandën e Re, por tashmë tregtia e tij ishte shtrirë në të gjithë botën”. (Fatos Lubonja, “Nëntëdhjetëeshtata”, Shtëpia botuese “Marin Barleti”, Tiranë 2010, f. 11-12)
Ky Luli për të cilin flet Fatosi është Lulzim Pogoni, i cili u arratis nga Shqipëria në 1947, ose më saktë u legjendua arratisja e tij nga Sigurimi i Shtetit që të dërgohej për të krijuar bazën e Sigurimit të Shtetit në Zelandën e Re. Në Zelandën e Re, u dërguan nga Shqipëria persona të legjenduar si të arratisur, siç thuhej në gjuhën e Sigurimit të Shtetit për të arratisurit e rrejshëm, të cilët qenë të pajisur me shumë para për të blerë prona të patundshme, ferma, hotele, restorante, dyqane etj., të cilat do t’ i shërbenin Sigurimit të Shtetit. Këtu ishte dhe çelësi i suksesit në tregti të Lulzim Pogonit. Me të ardhur në Shqipëri, në 1991, Lulzim Pogoni shkoi të takonte… Ramiz Alinë. Fatosi shkruan në librin e përmendur më lart: “Lulin e priti edhe vetë Presidenti i fundit komunist, Ramiz Alia… E dha edhe televizioni lajmin e takimit të tij me Presidentin”. (Fatos Lubonja, “Nëntëdhjetëeshtata”, Shtëpia botuese “Marin Barleti”, Tiranë 2010, f. 11-12)
Kur Lubonja përmend firmën piramidale të krijuar në Shqipëri nga kushëriri i tij, Luli, nuk thotë se viktima të kësaj skeme mashtruese financiare u bënë shumë ish-të burgosur politikë, të njohur të Lubonjës, të cilët i vendosën ato para që morën në këtë skemë mashtruese, të bindur nga Fatosi. Por një ditë Luli u zhduk nga Shqipëria, së bashku me paratë, dhe bashkë me të u zhdukën edhe ëndrrat e Fatosit se do të bëhej milioner në dollarë, apo miliarder në lekë, siç i pëlqente t’ u thoshte kushëriri i tij Luli, kreditorëve të tij.
Kështu mbaroi aventura e Fatos Lubonjës në biznis. Shqipëria nuk ka sot një biznismen të madh me emrin Fatos Lubonja, se këtë e mashtroi kushëriri i tij aventurier, dhe se vetë Fatosi nuk ishte njeri i aftë për të bërë biznis. Berisha, nga ana e tij, bëri për Lubonjën dikur, atë që bëri për Çilin më pas, të dy i ndihmoi të nisin biznisin.
Lubonja, më tutje në shkrimin e tij thotë se biznismenët të cilët kanë krijuar media private në Shqipërinë e pas vitit 1990 iu përkasin katër fushave: firmave piramidale industrisë së ndërtimit, universiteteve private dhe industrisë së drogë. Të katërta këto veprimtari Lubonja i quan si shumë dëmprurëse për Shqipërinë gjatë këtij çerekshekulli. Është interesante se me së paku dy nga këto katër veprimtari është marrë pronari i gazetës “Panorama” ku shkruan Fatos Lubonja. Do të ishte interesante që Lubonja të na thoshte se si e shikon ai gazetën “Panorama”, ku publikon shkrimet e tij, dhe Tv Klan, nga ku ai iu flet teleshikuesve, nga pikëpamja e në të cilën i drejtohet Çilit: “Pra është e kotë që Çili të na flasë për idealizma donatorësh. Të gjithë e dimë, sikurse e di edhe ai, se në sistemin tonë mediat (si dhe korrupsioni kuptohet) janë leva kryesore që lidhin biznisin me pushtetin politik, i cili, nën shtysën e tyre, në vend se të punojë për interesin public, punon për të lëruar arën e interesave të pronarëve të mediave”.
Por do të ishte me interes që Lubonja, pasi na ka portretizuar Çilin si manjat të medias, të na bëjë dhe një portret të pronarit të gazetës “Panorama”, Irfan Hysenbelliut, se ky ka qenë para Çilit në këtë lojë, dhe është një “oktapod” shumë më i madh se Çili. Ky Irfan Hysenbelliu zemërohet shumë kur ia “prekin produktin”, siç më tha mua kur para disa ditësh erdhi dhe u ul i paftuar në tryezën ku po drekoja me disa miq të mi e nisi të më fliste me ton kërcënues mbi ato që kisha shkruar kundër tij, duke e portretizuar si oligark. Por nëse produkti i këtij Irfanit është birra, produkti i Henri Çilit ka të bëjë me Universitetin e tij privat, për të cilin Lubonja në shkrim i thotë se duhet ta shpallë të falimentuar. Tani, me logjikën e Lubonjës, a nuk duhet t’ i them edhe unë këtij oligarkut, se meqënëse në website të gazetës “Panorama”, pranë kokës së Lubonjës, në çdo fotografi të vendosur mbi shkrimet e tij, ka tre shishe birrë të një marke që nuk më kujtohet emri, “Potomi”, a diçka e tillë, atëherë duhet të shpallë falimentimin e këtij biznisi, se birra e tij nuk është gjë tjetër veçse, sipas fjalorit të Lubonjës, lëngu errësues, që lëshon “oktapodi” për të fshehur punët e tij oktapodiane. Dhe kjo çështja është edhe më e komplikuar se një nga fjalët e para që të thotë oligarku Hysenbelliu, ashtu si dhe kryeqehajatori i tij, është se: “Në dhjetë vjetorin e gazetës na erdhi ambasadori amerikan!” Kështu prania e këtij ambasadori u përdorka si licencë për të bërë kërcënime. Me oligarkë të tillë që mburren se i ka thënë “kurvë që të kanë bërë ministre se pranon të shkërdhehesh me ushtarët” një ministreje të qeverisë së sotme, është e kotë që t’ i drejtohesh shtetit, që nuk mbron dot dinjitetin e zyrtarëve të vet. Shteti le të rrijë mënjanë si spektator me sytë e mbyllur ligjërisht. Se në këtë shtet ku oligarkët mbajnë ushtri private kriminelësh me rrogë, të cilën ua paguajnë nga kreditë e marra nga bankat, falë mundësive që kanë krijaur për kolateral, duke marrë pasuri publike, do të ishte një zgjidhje e arsyeshme që të inicoheshin aksione civile ku si shpërblim për pjesëmarrësit të vihet pasuria e oligarkëve. Kjo është mënyra e vetme që shoqëria të shpëtojë nga oligarkët. Nejse.
Henri Çili iu përgjigj dje Lubonjës me shkrimin me titull “Lubonja, aleati ynë për ndërtimin e kapitalizmit”, ku e godet Lubonjën në “Thembrën e Akilit” të tij: “Inkoherenca e parë është fakti që gjithë ditën kritikon sistemin kapitalist, sipërmarrësit, botuesit, biznesin e medias, i akuzon ata për lloj-lloj, dhe e bën këtë nga pozitat dhe platformat e sipërmarrjeve private. Paguhesh me honorare mjaft të mira të këtij sistemi dhe nuk besoj se mjaftohesh duke vetëkomunikuar herë pas here, që je dhe ti gjysmë pjesë me një këmbë brenda këtij sistemi. Në qoftë se do koherencë në lidhje me këtë sistem të ftoj të braktisësh plotësisht të gjitha mjetet që të vë në dispozicion kapitali, për të kritikuar kapitalin, të braktisësh dhe honoraret përkatëse të atyre strukturave të kapitalizmit shqiptar, ku paguhesh për të përhapur dhe shprehur lirisht mendimet e tua kundër kapitalizmit. Dhe në këtë kuptim m’ u kujtua një shprehje e një mikut tonë të vjetër të përbashkët: ‘ti Fatos, një biletë nuk ke paguar me paratë e tua, të gjitha me paratë e kapitalit, dhe gjithë ditën shan kapitalin”.
Këtu Henri Çili i thotë Lubonjës pikërisht atë gjë të cilën e kam thënë unë disa herë kohët e fundit, dhe që mund të përmblidhet në titullin e shkrimit tim “Fatos Lubonja hedh valle në gojën e Oktapodit për të cilin flet, i akomoduar në tentakulën e tij”. Atje ku Henri Çili shkruan “Kapitali” më lart, duhet lexuar në fakt “Oktapodi”, me gjuhën e Lubonjës. E përkthyer në gjuhën e Lubonjës, Çili i ka thënë atij: “Inkoherenca e parë është fakti që gjithë ditën kritikon sistemin-Oktapod, sipërmarrësit, botuesit, biznesin e medias, i akuzon ata për lloj-lloj, dhe e bën këtë nga pozitat dhe platformat e Oktapodit. Paguhesh me honorare mjaft të mira të këtij Oktapodi dhe nuk besoj se mjaftohesh duke vetëkomunikuar herë pas here, që je dhe ti gjysmë i kapur nga tentakula e këtij Oktapodi. Në qoftë se do koherencë në lidhje me këtë sistem të ftoj të braktisësh plotësisht të gjitha mjetet që të vë në dispozicion Oktapodi, për të kritikuar Oktapodin, të braktisësh dhe honoraret përkatëse të atyre strukturave të Oktapodit, ku paguhesh për të përhapur dhe shprehur lirisht mendimet e tua kundër Oktapodit. Dhe në këtë kuptim m’ u kujtua një shprehje e një mikut tonë të vjetër të përbashkët: ‘ti Fatos, një biletë nuk ke paguar me paratë e tua, të gjitha me paratë e Oktapodit, dhe gjithë ditën shan Oktapodit”.
Kritika e Çilit është e saktë. Është ajo që kam thënë unë disa ditë më parë, se nëse Lubonja do të ishte koherent atëherë ai do t’ i publikonte shkrimet e tij vetëm në rrjetet sociale, ose në website të tij. Por Lubonja do të kishte vepruar kështu siç thotë Çili, në rast se Lubonja do t’ i kishte seriozisht idetë e veta. Lubonja nuk i ka përnjimend idetë e veta. Ato janë mënyra që ka gjetur Lubonja për të jetuar pasiqë dështoi si biznismen. Nëse “Oktapodi” për të cilin flet Lubonja do të kishte ndjerë dhimbje nga goditjet e Lubonjës, atëherë nuk do të kishte pritur që të vendoste Lubonja të largohej vetë, por do ta kishte flakur tutje Lubonjën dhe nuk do t’ i bënte aq shumë vend në shtypin dhe studiot televizive të tij. Por “Oktapodi” nuk dihet aspak i bezdisur seriozisht nga Lubonja. Prandaj Lubonjën e mbajnë në gazetë dhe në studiot televizive për të diskredituar kritikën ndaj Sistemit-Oktapod që është ndërtuar në Shqipëri. Prandaj, Çili me të drejtë i thotë Lubonjës me ironi nga pozita e oligarkut të sistemit: “Fatos, je aleati ynë më i mirë në forcimin e kapitalizmit dhe legjitimimin e tij, për mënyrën aq arqiomarksiste që kritikon tregun, sektorin privat dhe kapitalizmin në Shqipëri”.
Kjo duhet lexuar kështu: “Fatos, jemi bashkë tentakula të Oktapodit, secili në mënyrën e vet, dhe të dy jemi të interesuar për shëndetin e Oktapodit dhe legjitimimin e tij, prandaj mos e tepro, duke kafshuar mishin e mishit tënd oktapodor, se pot ë nisim të gjithë të bëjmë kështu, atëherë do të bëjmë vetëvrasje të përbashkët”
Përgjigja e Lubonjës për Çilin, e publikuar sot në gazetën “Panorama” ishte mjerane. Lubonja iu përgjigj Çilit duke botuar me një shënim të shkurtër të tij parathënien për botimin shqip të shkruar nga një autor Italian, me rastin e botimit në Shqipëri të librit të tij. Lubonja, as që nuk e cek kritikën që i ka bërë Çili. Ndonëse Lubonja thotë se kjo është vetëm përgjigjia e tij e parë për Çilin, dhe se debate do të vazhdojë, Lubonja qartësisht ka treguar se ai i trembet ballafaqimit me Çilin në fushëbetejën që e zgjodhi vetë./Kastriot Myftaraj

Titulli është i editorit të "Ora e Shqypnisë"

05 April 2014

Zef Serembe- jeteshkrim dhe poezi


ZEF SEREMBE


Zef Serembja lindi më 6 mars 1844 në fshatin arbëresh San Kozmo Albaneze të Kalabrisë ose Strigari, si i thonë vendësit, ku zakonet dhe gjuha shqipe janë ruajtur deri sot. Fshati ndodhet mbi një kodër të veshur me vreshta, me portokalle dhe limonë, me pamjen e detit Jon nga lindja. Kjo natyrë e ëmbël dhe e ashpër, që të kujton deri diku Shqipërinë, u bë një element me rëndësi i veprës së poetit. Personaliteti i Serembes si krijues u formua në vitet e zjarrta të lëvizjes kombëtare italiane të viteve 1848-1860, ku i ati mori pjesë aktive, aq sa u dënua me vdekje në mungesë nga qeveria burbone dhe u detyrua të endej maleve si komit. Që në moshë të njomë, Zefi i vogël njohu tiraninë politike dhe padrejtësitë shoqërore, gjë që u dha vjershave të tij vulën e pakënaqësisë nga realiteti, frymën e revoltës aq të fuqishme.

Në zhvillimin e talentit, që i lindi herët në mënyrë të vetvetishme dhe në brumosjen e Zefit me ndjenja patriotike e liridashëse luajtën rol të rëndësishëm studimet në kolegjin e Shën-Adrianit, ku pati mësues De Radën, me të cilin më vonë u bë mik. Varfëria dhe shëndeti i keq e detyruan Seremben të ndërpresë shkollën dhe të kthehet në fshatin e lindjes. Ndërkaq lëvizja kombëtare në Itali po merrte përpjestime të gjera. Ishte koha kur Garibaldi po triumfontekudo në Italinë e Jugut dhe arbëreshët po i përgjigjeshin thirrjes së tij.

Serembja u bë këngëtar i kësaj lëvizjeje, i shtyrë jo vetëm nga ndjenjat liridashëse, po edhe nga prirja për të parë tek ajo një shprehje të trimërisë së arbëreshëve dhe një shpresë për pjesmarrjen e tyre të mëtejshme për çlirimin e atdheut të të parëve. Ndërkaq, lëvizja kombëtare në Shqipëri u fuqizua, u shpeshtuan kontaktet e arbëreshëve me këtë lëvizje. Edhe Serembja tregoi interes të gjallë ndaj përpjekjeve për liri të vëllezërve përtej detit. Madje, ai ishte i pakënaqur nga dobësia e kësaj lëvizjeje dhe i hodhi shigjeta, satira të dhimbshme në vjershën "Vrull", kurse në një vjershë kushtuar Dora d'Istrias poeti ngriti zërin për lirinë e Shqipërisë, hodhi kushtrimin për luftë të armatosur dhe për bashkimin e shqiptarëve.

Në këto vite Serembja shëtiti nëpër fshatrat arbëreshe të Siçilisë e të Kalabrisë, i ra anembanë Italisë, duke u lidhur më tepër me zakonet, me folklorin, me të folmet e ndryshme të arbëreshëve, me ndjenjat dhe ëndërrimet e tyre, me ndjenjën e madhe të çlirimit të atdheut të të parëve. Po nuk gjeti asgjëkundi qetësinë e shpresuar. Gjatë këtyre shtegtimeve ai improvizonte poezi dhe i recitonte ato kudo që vinte, si një poet popullor. Disa prej këtyre vjershave qarkulluan si poezi popullore. Gjurmë të thella të dhimbshme në shpirtin dhe krijimtarinë e poetit la dashuria e pafat për një fshatare arbëreshe, që më vonë kishte emigruar në Brazil, ku edhe vdiq pas pak kohe. Dëshira për të parë varrin e kësaj vajze si dhe shpresa që të përmirësonte gjendjen e vet ekonomike, e bënë poetin të nisej më 1875 për në Brazil. Po edhe këtu Serembja u zhgënjye shpejt, sepse pa korrupsionin e thellë të oborrit, jetën e degjeneruar të aristokracisë braziliane. Pa kaluar as një vit ai u kthye në Itali, duke pasur si pasuri të vetme një trastë dorëshkrimesh. Gjatë këtij udhëtimi të vështirë thuhet se poetit i humbi pjesa më e madhe e këtyre dorëshkrimeve.

Në fshat, i rënë nga shëndeti dhe nga gjendja shpirtërore, Serembja nisi përsëri jatën e varfër të mëparshme.

Zhgënjimi në jetën shoqërore dhe në jetën personale u bënë shkak që Serembja të kalonte në këtë periudhë një krizë misticizmi, e cila ndikoi për keq në krijimtarinë e vet. Po interesi i tij për lëvizjen kombëtare në Shqipëri ishte gjithnjë i gjallë dhe në këtë lëvizje ai përqëndroi të gjitha shpresat e mbetura. Pikërisht në këtë kohë, më 1883, Serembja botoi librin "Poezi italisht dhe këngë origjinale të përkthyera nga shqipja". Megjithëse vjershat italisht kishin të meta nga ana e formës dhe niveli i përkthimit në italisht të krijimeve shqip nuk qe i kënaqshëm, libri ngjalli entuziazëm në rrethet letrare të kohës. Duke mos mundur të duronte gjatë atmosferën mbytëse që sundonte në Italinë e Jugut edhe pas zhdukjes së tiranisë së Burbonëve, poeti u nis sërish për në Brazil dhe për në Amerikën e Jugut. Aty e mbyll krijimtarinë e tij letrare me dy poezi, që dëshmojnë se ai nuk e humbi kurrë shpresën te lëvizja kombëtare shqiptare. Natyrën e tij të ndjeshme e mposhtën fatkeqësitë e jetës. Më 1901 ai e mbylli jetën në San-Paolo të Brazilit, në një gjendje çmendurie.




VRULL


Zogj të bukur këndojnë me hare,
po zemra do t'më plase mua në gji.
I helmuar e shkoj jetën te ky dhe,
mërzitem në katund, në vetmi.

Hapet përpara meje deti i shkëlqyer,
që zgjon në trutë e mi mendime shumë,
e shqetësimi zemrën time çjerr,
aq sa vetëm pushoj kur bie në gjumë.

Arbëri matanë detit na kujton,
se ne të huaj jemi te ky dhe.
Sa motë shkuan! E zemra nuk harron,
që nga turku mbetem pa mëmëdhe...


ME TE BUKURES QE ESHTE NE STRIGAR



Nga katundi u largova posi i bjerr,
vajta në luftë e u gjeta i vetmuar:
Atje, larg nga ty, rrinja zemërçjerr,
Midis të huajve u gjeta i shkretuar:
E zëmra ty keq fort të dëshironte
Edhe pika më ra se s'të takonte.

Gjaku rridhte në truall si ujë kroi
Dhe fare jetën time s'e mendova,
Mbi mua vapa e madhe e bora shkoi,
Me nxitim tërë honet i kaptova
Dhe dënuar si hutaq në gjithësi
Për ty mendonja plot me dashuri.

Përnatë, tash që u mblodha në shtëpi,
Te dera jote si bilbili këndoj.
O faqemollë, o vash ' me synë e zi,
Ta shkoj jetën me ty un ' dëshiroj,
O mollë e ëmël, që në degëz rri,
O gozhdëz ari, që më vjen në gji.

E pse më bën të qaj me psherëtime?
Vërtet, zemër nuk ke, o ti moj vashë?
Mbaje, se lule e rrallë ësht ' zëmra ime,
Dhe mirë e di se tyja krejt ta dhashë.
Shumë e keqe më duket mua kjo jetë,
Po jetova pa ty me të vërtetë.

O vashëz faqekuqe, qysh aherë
Unë po qaj me lot e me dënesë,
Se pa ty e ndjej veten krejt të mjerë,
Nuk di ç'ësht ' paqa dhe po rroj pa shpresë,
Dhe vetëm varri do më jetë i lehtë,
Kur i harruar do të jem në jetë.



KENGE MALLI

Më rri e pikur me mua nuk di ç’ke,
O e së humburës parajsë molla më e mirë,
Thuajmë ç’të bëra, i shkreti, që ashtu më le,
Sa jetën po e shkoj pa asnjë hir!

Oh, sa të mjera shkuan ditët kur fare
Nuk i pash’ bebzat të qeshnin në ata sy,
Që zemrën time e bënin aq krenare,
E gjirin ma mbushnin plot me dashuri.

Dhe ballin e stolisur rrezesh dielli
Më te dritarja jote nuk e pashë,
As të bukurën buzë, si lule qielli;
Pothuaj më su duke ti, mori vashë.

Gjin’ ma mbushi malli e zemrën me zjarr,
E trutë seç m’u harbuan në mendime,
Pushim dot nuk gjej e paqe më nuk kam.
Ti, vashë, ma dërmove jetën time.

............

Po dëgjomë fjalën që zemra të thotë:
“Do thyej prangat që më bënë të shkretë,
shpatën do t’rrëmbej edhe mburojnë time,
në luftë do t’vete si petrit i shpejtë.

E në ardhtë lajmi se vdiqa unë i mjerë,
Thuaj për mua të zin’ një fjal’ me mall.
Do t’shkojnë dimër mbi dimër e pranverë,
Jeta do t’lulëzojë, un s’do jem i gjallë.

............

Po ti, moj vashë, që të kam dash’ si sytë,
kur të më zgjohesh mëndjekthjellët menatë,
posa mëngjezit hyn dielli në shtëpit,
dërgoma këtë kujtim brenda në shtrat:




“I mjeri, oh! Një ditë ish gjithë hare,
kur rrinte në katund plot me trimëri;
si era shkoj për jetë, si një re,
e tash fle në një vend që unë s’e di...”

.........

Kur era të t’pëshpërijë si një herë
Fjalët që për mua do dërgojë malli,
Do t’më ngjajë varri posi pranverë,
Varri do t’më duket i ëmbël si zalli...