27 August 2014

Lejet e Bashkisë - si ka mundësi?!- nga Fatos Lubonja

Lejet e Bashkisë - si ka mundësi?!

 
 
Nga FATOS LUBONJA
Bashkia e Tiranës, që për shumicën do të thotë Lulzim Basha, por edhe Partia Demokratike në opozitë, ka dhënë kohët e fundit disa leje ndërtimi që të shastisin me absurditetin e tyre. Dhe ky absurditet nuk është thjesht në letër, në formë projektesh, por po shpaloset në trupin e Tiranës me shpejtësinë e një kanceri galopant. Para disa ditësh, në kërkim parkimi, më ndodhi të futem në një rrugicë të një lagjeje të vjetër të Tiranës, në qendër, ku nuk kalojnë dot dy makina, dhe pashë se rrugën ma kishte bllokuar një kamion i stërmadh që po bënte disa manovrime të çuditshme për të hyrë në një zgëqe. “Po ky ç’do këtu?”, thashë me vete. Prita derisa mbaroi manovrimet dhe, për çudinë time, vura re se nuk eci përpara, por u fut i tëri tek ai zgëqi. Vetëm kur kalova aty arrita të kuptoja se ç’punë mund të kishte një kamion aq i madh në një zgëqe të atillë. “Si ka mundësi?!” qe shprehja që më doli vetvetiu. Ishte një superkamion nga ato të firmave të ndërtimit që sillte material për të hedhur beton, a nuk e di, në një gropë që ishte hapur e freskët në truallin e një ish-shtëpie njëkatëshe e kthyer tashmë në një gropë ku po hidheshin themelet e… një pallati… tetë-nëntëkatësh. Pashë edhe tabelën atje me pamjen e pallatit… nuk qe ndërtim nga ata pa leje. Mund të them se ajo që më panë sytë qe provë e asaj se idiotësia, makutllëku dhe harbutësia nuk e kanë humbur vetinë për të të çmeritur akoma në këtë fushë të aktivitetit tonë kryesor ekonomik të këtyre njëzet vjetëve: ndërtimet. Ishte diçka edhe më tmerruese se ai projekti për ndërtimet e shumëkatësheve te Liqeni që po denoncohet së fundi. Ose më mirë të them, i një natyre tjetër tmerruese. Sepse ai projekti i Liqenit kërkon një minimum fantazie për të kuptuar absurditetin e investimit dhe kriminalitetin ndaj hapësirave të gjelbra të kryeqytetit, pasi atje nuk ka dhe aq afër ndonjë ndërtesë banimi e mund t’i gënjesh njerëzit duke iu thënë se do bëhet një kompleks modern, që s’do t’ju prishë punë ju të tjerëve që banoni rrotull. Kurse pallati që kishte filluar të ndërtohej aty nuk fliste, por ulërinte në absurditetin dhe kriminalitetin e vet urban. Ai do të futej si pykë në trekëndëshin midis dy pallateve të tjera që ishin aq pranë, sa rrethimi i gropës që qe hapur nuk ishte më larg se dy metra nga njëri prej këtyre pallateve. Kush e ka parë dhe është ankuar për një gropë të tmerrshme në hyrje të Rrugës së Elbasanit, në truallin e një shtëpie njëkatëshe ku do të ndërtohet një nëntëkatësh që do t’ia marrë dellin, dritën e frymën pallatit prapa saj e shtëpive përreth, mund t’i them se është lule përpara asaj që pashë. Lule mund të duket madje edhe një monstruozitet që sapo është ngritur prapa ish-Lidhjes së Shkrimtarëve, në Rrugën e Kavajës, sigurisht me lejen e Bashkisë. “Si ka mundësi?!”Të del kjo klithmë habitore sepse edhe qorri i qorrave të qorrave, pas katrahurës që është bërë, e sheh se Tirana sot, veçanërisht qendra, ka nevojë për frymëmarrje, gjelbërim, parqe, lulishte, rikualifikim, dhe jo për të mbushur me pallate të larta edhe ato pak hapësira të ulëta që kanë mbetur. Aq më tepër kur ke parasysh se ndoshta gjysma e ndërtimeve që janë bërë në Tiranë e rrethinat e saj janë pa shitur ose pa mbaruar. Të del klithma “Si ka mundësi?!” duke pasur parasysh se janë bërë tërë ato betime nga kryebashkiaku i radhës për mbrojtjen dhe gjelbërimin e qytetin kundër çimentifikimit të tij të mëtejshëm. Të del kjo klithmë sepse çmeritesh se si këta njerëz nuk kanë as pikën e pikës së turpit për të ngrënë fjalën e dhënë publikisht para gjithë shqiptarëve. Të del kjo klithmë kur sheh se si nuk bëjnë një gjë, po një gjë e vetme, që të mos jetë në interes të atyre me të cilët ndajnë lekët apo u sponsorizojnë partinë? Të del kjo klithmë kur mendon mallkimet që do t’u vijnë nga fëmijët e këtij qytet kur të bëhen të rritur, për atë që s’u lanë një fushë sporti, një lulishte, një park lojërash, një oborr normal shkolle. Të del kjo klithmë pasi çmeritesh se si nuk del një arkitekt, urbanist apo një njeri i vetëm atje ku gatuhen këto krime, që të kundërshtojë e të japë dorëheqjen sa për të treguar se në këtë vend ka mbetur sadopak ndershmëri e profesionalitet sa për të mbajtur gjallë shpresën? Të del kjo klithmë edhe duke menduar se një akt i tillë i kryetarit të Bashkisë është edhe vetëvrasje politike për vete dhe partinë e tij. Sepse me këto leje PD-ja humbet edhe arsyen e fundit të ekzistencës, pasi vërtetoi edhe përpara zgjedhësit më naiv se përtej retorikave elektorale me trafikantë dhe antitrafikantë droge e prostitutash, në prapaskenë luhet një lojë e pisët interesash banale të një grupi që ka një parti të vetme, lekun, dhe se në këtë rast s’ka burrë që mund t’u mbushë më mendjen njerëzve se Kryetari nuk ka bërë hesap të marrë 20 përqindëshat për të cilët akuzonte Ramën duke i bërë naftën jo vetëm Bashkisë, jo vetëm PD-së,  me këto akte, por edhe Shqipërisë. Por “si ka mundësi”-ja më e dhimbshme që të del nga shpirti është ajo që ka të bëjë me nënshtrimin e njerëzve. Si ka mundësi që këta njerëz durojnë që t’u ngresh një pallat mu te hunda, që do t’u marrë qiellin, diellin, dritën, ajrin, frymën atyre dhe fëmijëve të tyre, që do t’i lërë pa gjumë me zhurmat e ndërtimit natën dhe ditën, e nuk bëzajnë? Si ka mundësi që e durojnë këtë poshtërim, këtë masakrim, këtë shkatërrim, këtë shëmtim dhe nuk ngrihen në këmbë për të protestuar, deri edhe për të shkatërruar betonierat e fadromat e këtyre banditëve, siç shohim të ngrihen në çdo vend ku ka sadopak ndjenjë qytetarie?!
"Panorama"/ 25 August, 2014 

25 August 2014

A është Turqia shtet mik?- nga Gani MEHMETAJ

A ËSHTË TURQIA NJË VEND MIK?

Tru shpërlarësit- oficerë të zbulimit me veladonin e hoxhallarëve e të shoqatave myslimane, përpiqen të vënë në zbatimin teorinë e Davutogllusë për ringjalljen e kufomës së osmanizmit apo fantazmës se neotomanizmit.
 
Gani Mehmetaj
Nga Gani MEHMETAJ

1. Pak histori të hidhur
Perandoria osmane gjatë pesëqind vjetësh sundimi u shqua me mizori të pashembullta ndaj shqiptarëve. Edhe në fazën e shthurjes, kur ushtria otomane tërhiqej nga tokat shqiptare, nuk tregoi mëshirë ndaj të okupuarve, por i luftonte me egërsi formacionet e armatosura shqiptare që përpiqeshin t’i dalin para ushtrive të koordinuara serbe, malazeze e greke. Në vend të mëshironte tokat e pushtuara të cilat po i braktise, duke ua lëshuar okupatorëve të rinj edhe më mizor, otomanët dogjën qindra katunde e qytete shqiptare, bombarduan me artileri lokalitete duke lënë pas vetës shkrumb e hi. Ua lehtësuan pushtimin armiqve tanë, prandaj nuk e patën vështirë trupat serbe, greke e malazeze të merrnin që në sulmet e para territoret shqiptare, sepse shqiptarët ishin dërmuar nga ushtria qyqare turke që po tërhiqej nga sytë këmbët para serbëve e grekëve më të fuqishëm.
Perandoria turke ua fali më traktate të paqes njëzetë vjet para se të tërhiqej mbi 30 mijë kilometra katrore të territorit shqiptarë Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, pa e përfillur vullnetin e shqiptarëve. Për t’ua bërë qejfin Rusisë, Serbisë e Greqisë, Turqia, e shoi me gjak Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, sepse shqiptarët donin t’u dilnin zot tokave të tyre.
Më dashamirës ndaj shqiptarëve nuk u treguan as qeveritë e mëvonshme civile apo juntat ushtarake që ndërroheshin njëra pas tjetrës. Turqia moderne e ndihmoi Serbinë e Greqinë të dëbonin sa më shumë shqiptarë, duke nënshkruar traktate për shpërnguljen nga Kosova e Çamëria. Traktatet e Paqes me Jugosllavinë ende nuk janë shfuqizuar, ndërsa janë shpërngulur me dhunë disa milionë shqiptarë. Në Turqi shqiptarët e shpërngulur i sistemuan kolonë në tokat kurde, duke i armiqësuar me ta për llogari të shtetit turk.  
2. Ku ndryshon Turqia e Edogani nga otomanët?
 Mendësia e qarqeve konservatore turke nuk ndryshoi as pas 100 e ca vjetësh. Edhe më tutje kanë ëndrra budallaqe për pushtimet sulltanore dhe për raja. Pas luftës së vitit 1999 në vend të futeshin në Kosovë si Perëndimi: më promovim të demokracisë, me fonde që e rindërtuan vendin, që nga themelet, Turqia promovoi mendësi mesjetare, ndërtoi qindra xhami, ndërsa i kishim me tepri, duke ua zënë vendin shkollave për të cilat fëmijët tanë patën aq shumë nevojë. Pastaj u shpërndau ndihma vetëm myslimanëve, duke i diskriminuar katolikët e protestantët, i kushtëzuan ndihmat e hurmave e bakllavave me lutjet fetare islamike, agjërim, iftarin etj. Shumica e xhamive të ndërtuara në periudhën e pasluftës nuk kanë leje ndërtimi, nuk përfillen plane urbanistike, nuk respektuan ndalesën e zhurmës së lejueshme të altoparlantëve që çirren në kupë të qiellit sa të çmendin, duke shkaktuar kaos e nervoz në mesin e popullatës shqiptare.
Qindra shoqata islamike turke nuk ndihmuan si bota e qytetëruar, por e sollën islamizmin më të egër që e ka njohur ndonjëherë toka shqiptare. Përmes këtyre shoqatave rekrutuan e dërguan shqiptarë për luftërat fetare në Siri e Irak, që është kapitulli më i turpshëm i shqiptarëve në 100 vjetet e fundit, nxiten përçarje fetare dhe ndërsyen fundërrinat shqiptare (ish spiunë të Serbisë, UDB-ist, hajdutë e mashtrues, mercenarë me petkun e fesë, gazetarë e akademikë të shitur më parë të jugosllavët e të ri blerë nga turqit, islamikë profesionist etj) kundër shumicës shqiptare laikë e besimtarë.
Derisa evropianët sollën ekspertë të ekonomisë, politikës e të bujqësisë, Turqia me vendet arabe sollën ekspertë të fesë e “hafuza” të kuranit. Ndërkaq, këta “ekspertë” me hoxhallarët e rekrutuar vendës më shumë ngjasonin me oficerë zbulimi që merreshin më punë të dënueshme se sa devotshmëri feje.

3. Kur oficerët e zbulimit veshin veladonin e hoxhës
 Si shpjegohet që imami i xhamisë së Prishtinës, ku u fal kryeministri turk, dhe kryeministri i Kosovës, kapet me armë (snajperë, pistoleta me silencier, granata dore etj) që është veprimtari terroriste, ndërsa nuk gjykohet as nuk ndëshkohet. Është nën mbrojtjen e kryeministrit të Turqisë apo të shërbimit sekret të këtij shteti? Si shpjegohet që një shoqatë e “myslimanëve të Kosovës” (e mbështetur nga Turqia me ish spiunë jugosllavë) kërcënon se do t’i dëbojë shqiptarët katolik përtej detit si  para 500 vjetësh, ndërsa asnjë gazetë nuk reagoi, asnjë prokuror nuk e arrestoi kryetarin e tyre. Jemi në Turqi e Serbi apo në shtetin e shqiptarëve të Kosovës? Ende do të na kërcënoj Turqia me dëbimin përtej detit përmes shoqatave myslimane? Shefat e kësaj shoqate që vazhdimisht kërcënojnë shqiptarët në shtetin e shqiptarëve, tërë ditën rrinë në xhamin ku u fal kryeministri turk e kryeministri kosovar. Kjo xhami është bërë çerdhe e antishqiptarëve më të tërbuar që veprojnë si oficerë zbulimi të disa shteteve, kryesisht të Turqisë e Serbisë.
Shoqatat turke e arabe, nën petkun e bamirësve, me sjelljet e veprimet e tyre nuk ndryshonin nga ish- zyrtarët xhonturq: arrogantë e primitiv, fodull e me qëndrim fyes ndaj traditës, kulturës e heronjve shqiptarë. Kudo tjetër ata do të dëboheshin nga vendi, ashtu si do të dëboheshin “edukatorët” e shkollave të mesme që erdhën nga Anadolli, themeluan shkollat e tyre, ndërsa fëmijëve shqiptarë ua shpërlajnë trurin. Nxënësit e shkollave anadollake në debate ta kthejnë me cinizëm: është e dyshimtë a jemi shqiptar a jo, sepse atëbotë otomanët bënë shumë përdhunime! Fatkeqit e tillë tru shpërlarë pranojnë të jenë djem të nënave të përdhunuara e të baballarëve përdhunues që t’i bëjnë turqit vëllezër! Janë të sëmurë psikik këta djelmosha, apo ua kanë shpëlarë trurin me acid? Kthyer ndryshe kjo tingëllon sikur po supozojmë nxënësit shqiptarë qe vijojnë shkollat serbe të thoshin: serbët i kemi vëllezër, sepse serbët përdhunuan mijëra femra shqiptare!
I kemi turqit e serbët vëllezër? Ka mjerim më të madh të shqiptarëve tru shpërlarë? Mund të ndërtohet vëllazëria mbi këto postulate monstruoze? 

4. Tru shpërlarësit
Këtë punë të ngulmët antishqiptare, kundër interesave të vendit pos dhjetëra shkollave po e bëjnë shoqatat e hurmave e bakllavave së bashku me hoxhallarë gjysmë analfabetë, të cilët mezi e kryen medresën, sepse ishin nxënës të dobët në shkollën fillore, prandaj  nuk i pranoi asnjë shkollë e mesme shqiptare. Ata s’kanë tru as vetëdije kombëtare. Ndërkaq, oficerët e zbulimit me veladonin e hoxhallarëve e të shoqatave myslimane, përpiqen të vënë në zbatimin teorinë e Davutogllusë për ringjalljen e kufomës së osmanizmit apo fantazmës se neotomanizmit. Të frymëzuar nga kjo teori, por të paguar mirë nga shoqatat islamike, disa kanë nis të vënë në kokë në falje bajrami fes turk, calik anadollak dhe dolloma qesharake. Duan t’ua bëjnë qefin turqve të Davutogllusë, ndërsa duken palaço cirku, nesër po i pagoi Serbia do ta bartnin edhe “shajkaqen” serbe.
Tru shpërlarësit pas vitit 1999 rekrutuan mijëra mercenarë jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri e Maqedoni. Është e habitshme se si qeveritarët tonë i toleruan. Janë të shitur? U kanë bërë shantazhe? Apo janë nën tutelën e tyre?
Ka edhe veprime të tjera të çoroditura në rinovimet e objekteve kulturore e të trashëgimisë. Ajo që habitë është paralajmërimi që pas rinovimit të një xhamie në Prishtinë të pagëzohet me emrin e një sulltani gjakatar. Kjo i bie sikur të kërkonte Serbia të rinovonte kishën në Prishtinë të cilën e ndali në gjysmë të ndërtimit NATO dhe ta pagëzonte me emrin e kriminelit Milosheviq. Ka absurd  më të madh?

 5. Bizneset turke në Kosovë 
Çfarë të themi për bizneset turke në Kosovë? Nuk e bënë asnjë investim për të qenë. Njëqind herë më shumë investuan në Serbi e Maqedoni (në pjesën sllave) se sa në Kosovë, por e zhvatën palcën kurrizore të ekonomisë sonë: privatizuan për një shumë qesharake Elektro ekonominë e Kosovës dhe Aeroportin e Prishtinës. Kosova u shërbeu si deponi e mbeturinave: zbrazen depot e mallrave të tyre dhe i shitën të ne. Cilësia e mallrave perëndimore i nxori nga tregu, sidomos në teknikë e teknologji, por pjesa e varfër e popullatës i blen gjërat ushqimore serbe e turke, sepse janë më të lira. Cilësinë e mallrave serbe e turke nuk e kontrollin askush.
Industria ushqimore turke e serbe ia ka zënë frymën bujqësisë në Kosovë, Shqipëri e pjesën shqiptare të Maqedonisë.

6. Në BE apo peng i Turqisë?
 Kosova është bërë sanxhak i Turqisë. Besa edhe Shqipëria gati në këtë gjendje është, duke ia shkel syrin edhe Serbisë e Greqisë. Pjesa shqiptare e Maqedonisë është territor nën veprimin e grrmrrit-shkombëtarizimit. Sa të jenë këto kohorta islamike shkombëtarizuese, Perëndimi do ta mbështes shtetin e dhunshëm maqedonas e policinë e tyre kriminale kundër shqiptarëve.
 Deri kur do të jemi peng i Turqisë? Me veprimet turke në Ballkan (Kosovë, Shqipëri, Maqedoni) dhe më servilizmin e qeveritarëve tonë, po e rrezikojmë qenien tonë shtetërore e kombëtare, po rrezikojmë të mos futemi në BE. Nëse mbesim jashtë BE-se, do të na mbërthej shtjella e kaosit lindor. Turqia e Edoganit nuk i takon Evropës, prandaj pse duhet ta lidhim fatin me te. Interesat e grupeve tona politike nuk janë interesat e shtetit e të kombit, ata janë korruptuar, prandaj na shtyjnë drejtë kaosit. Por duhet ta shkëpusim nga ky orbitë edhe pjesën shqiptare të Maqedonisë të cilën e kanë mbërthyer islamikët si qeni mishin.
Meqë garniturat politike shqiptare të korruptuara shpejt mund të bien,  Turqia duhet ta rishqyrtoj rrënjësisht qëndrimin ndaj shqiptarëve në të tri shtetet. Armiqësia që po e nxisin brenda shumicës shqiptare mund t’u hakmerret. Erdogani me Davutoglllunë nuk do ta kenë kurrë simpatinë e shumicës shqiptare me këtë lukuni mercenarësh.
Brezi i ri i shqiptarëve Turqinë e njohin përmes oficerëve të zbulimit që sillen vërdallë xhamive, përmes ndërmjetësve që i rekrutojnë shqiptarët në Siri e Irak, përmes hoxhallarëve me mjekra e pa mjekra, në vend se ta njihnin përmes Orhan Pamukut, Aziz Nesinit, Jilmaz Gynejit, Nuri Bilge Ceylan e personaliteteve të tjera mëdha të kësaj kulture. 

7.  Sërish kërkojmë ndihmën e Perëndimit
Prandaj qe të mos lahemi në gjak në emër të islamit e neotomanizmit si në Irak e Siri, që të mos na rrëmbej shtjella e kaosit islamik si në gjithë botën arabe, që të mos e humbasin trenin e fundit për Bashkimin Evropian, ku e kemi vendin me origjinë, traditë, kulturë e qytetërim, është e domosdoshme të shkëputemi nga orbita turke e islamike, ku na futi kasta e papërgjegjshme dhe e korruptuar. Druaj që edhe kasta që po i mpreh dhëmbët për pushtet nuk ka këllqe të na nxjerr nga bataku, prandaj duhet ta kërkojmë sërish ndihmën e SHBA-ve e të Evropë Perëndimore, ashtu sikurse kërkoi para njëzetë vjetësh Ibrahim Rugova, kur gati na mbyti okupatori serb.

25 Gusht 2014
fjala e lire - ora e shqypnise

16 August 2014

Sekretari i deputetit kërkon seks me të miturën në këmbim të punës

Sekretari i deputetit kërkon seks me të miturën në këmbim të punës


Ekskluzive/Sekretari i PS kërkon seks me të miturën në këmbim të punës
SKANDALI NË SARANDË/Bisedat e sekretarit të deputetit socialist me nënën e katër fëmijëve, të cilës i kërkon marrëdhënie seksuale me vajzën e saj të mitur. “Unë, ti dhe vajza do t’i hipim krevatit të tre. Në kontrollin tënd ajo do të jetë nxënësja jote, prandaj telefonoj të vij, unë e pres me padurim”.

 Nga Telnis Skuqi

SARANDË – Mos paç hall të kërkosh një vend pune në administratën shtetërore se përfaqësuesi i zyrës së deputetit socialist të kërkon nderin e vajzës 14-vjeçare.
A. B., nëna e katër fëmijëve të mitur kishte besuar se tashmë punësimi mund të sigurohet lehtësisht fal çeljes së zyrës së deputetit socialist të Qarkut të Vlorës, Koço Kokëdhima.
Në fillim të muaj mars, A. B., takon sekretarin e deputetit, Agron Cane për të kërkuar punë.
Ai është treguar i gatshëm për ta ndihmuar këtë grua pa burrë.
“Im shoq u aksidentua në punë teksa punonte si muratorë pesë vite më parë. Ai përfundoj i vdekur në trotuar nga skela e objektit në ndërtim”, tregon A. B., me pak fjalë historinë.
A. B., thotë se gjendja e saj ekonomike është vështirësuar pas tragjedisë.
“Jetoj si mos më keq, por këta që kanë ardhur në pushtet të kërkojnë nderin e vajzës”, thotë ajo.
Sipas saj, sekretari i deputetit Koço Kokëdhima, Agron Cane ka kërkuar të bëj dashuriçka me vajzën e saj në këmbim të të mirave materiale.
“Deri dje isha e etur pas Partisë Socialiste, por kam gabuar rëndë”, më thotë A. B.
Agron Cane, i denoncuar nga shtetasja A. B.
Agron Cane, i denoncuar nga shtetasja A. B
Më tej, A. B., kërkon ta ndihmoj me një kamerë të fshehtë, pasi siç shprehet ajo, do të jap një lajm për të kuptuar se çfarë ndodh me njerëzit në nevojë kur shkojnë të kërkojnë punë.
“Aman të lutem më ndihmo. Kam shkuar shumë herë për të qarë hallet e mia te sekretari dhe kërkon si kusht dashuriçka. Ky veprim nuk është rastësi”, thotë e përlotur A. B.
“Nuk dua t’i jap atij qenit gjënë më të shtrenjtë”, thekson ajo, ndërsa shton se “nuk ka turp më të madh për një burrë 60-vjeçar të të poshtëroj vajzën”.

 INVESTIGIMI

 Agron Cane, ish-ushtarak, i martuar dhe me dy fëmijë kërkon të mbizotëroj në çdo aspekt të jetës së A. B., madje siç thotë ai në kamerën e fshehtë: “Vajzën do ta mbaj si një lule”.
“Ti tashmë i kalove të gjitha vështirësitë dhe ke forcë”, i jep zemër nënës së 14-vjeçares, Agron Cane.
Agroni është i gatshëm ta ndihmoj këtë familje pasi të zgjidhet kryebashkiaku i Sarandës.
Gjatë bashkëbisedimit midis dy protagonistëve, që u zhvillua në katin e dytë në selinë lokale të Partisë Socialiste që ndodhet pranë muzeut të qytetit bregdetar, Agroni tregon shenjat e lumturisë, pasi mendon se e ka arritur qëllimin e tij 7-mujor.

“Unë, ti dhe vajza do t’i hipim krevatit të tre. Ti mos çaj kokë”, i jep siguri Agroni nënës së 14-vjeçares.
Agroni është marrëzuar pas trupit të njomë të nxënëses së klasës së tetë në shkollën 9-vjeçare “9-tetori”, madje mundohet të hiqet si profesionist në lëndën e seksit.
Më tej, Agroni shprehet se seksi është gjëja më e bukur, ndërsa besimi për të duhet të jetë i maksimal, pasi siç thotë ai, është burrë i pjekur dhe i pëlqen të bëj dashuriçka me vajzat e vogla, plus që seksin do ta bëj ngadalë-ngadalë.
Ti mos e çaj kokën. Vajza jote më është fiksuar. Shoqet e saj e kanë bërë shpejt këtë punë. Këtë ta jap me firmë. Ajo do çlirohet se ka shumë hormone, vajza ka nevojë për seks”, këshillon Agron Cane.
“E di si është puna e femrës, – vijon Agroni – si puna e Vasilikojit, sa më shumë ujë gjethja bëhet më e mirë, ndërsa femra sa më herët të kryej seks, aq më e freskët është”.
Agroni thotë se vajza nuk do pësojë asgjë gjatë marrëdhënieve seksuale, madje shton se 14-vjeçares do t’i pjellë kokoshi duke nënkuptuar të mirat materiale që do të përfitojë pasi ai të zgjidhet kryebashkiaku i Sarandës.
“Nuk dua të them shumë fjalë se mburrem, por po deshi Zoti dhe unë zgjidhem kryetar i Bashkisë, dije se vajza jote do shikojë të ardhmen”, shprehet Agron Cane.
Agron i kërkon nënës së vajzës së mitur të ketë besim, pasi nëqoftëse ajo (nëna) nuk ka besim njëherë, atëherë vajza nuk do të ketë dhjetë herë.
Gjatë investigimit, Agroni i është lutur dy herë A. B., t’i telefonoj 14-vjeçares të vij në zyrë, pasi thjesht do ta përgatisi për aktin final.
Ti vajzën e ke në kontroll të plotë. Unë të shikoj në sy. Në kontrollin tënd ajo do të jetë nxënësja jote, prandaj telefonoj të vij, unë e pres me padurim”, thotë Agron Cane.
Në vijim të bashkëbisedimit, Agroni tregon se në zyrën e tij me dhjetra femra janë lutur për të bërë seks me të, por nuk i ka pranuar, pasi thotë se nuk është manjak seksual.
“Unë nuk jam manjak, pasi kam një grua në shtëpi. Mua më pëlqen gjëja e bukur dhe këtë e bëj me kënaqësi”, rrëfen Agron Cane në kamerën e fshehtë.

 EPILOGU

Nuk ka gjë më të rëndë për një nënë të dorëzoj me dorën e saj nderin e familjes, madje kur këtë e kërkon një përves si sekretari i deputetit të majtë të Qarkut të Vlorës.
“Abuzimi me pushtetin dhe me njerëzit në nevojë është krimi më i rëndë që i bëhet shoqërisë”, thotë një psikologe nga Saranda, e cila për të respektuar anonimitetin e vajzës 14-vjeçare preferon të mos identifikohet.
Sipas saj, ky pervers, njëherazi pedofil, nuk e ka vendin në shoqëri.
“Agron Cane ligjërisht nuk mund të dënohet me burg, pasi ai nuk ka kryer vepër penale, por moralisht e meriton një ndëshkim, pasi kemi të bëjmë me njerëz krejtësisht të papërgjegjshëm dhe me imoralitet të dobët”, thotë psikologja pasi pa me vëmendje kamerën e fshehtë.
Psikologia thekson se këto ngjarje nuk kanë zbulueshmëri qysh në zanafillë, pasi këto episode ndodhin në rrethana dhe në kushte të paimagjinueshme.
“Agron Cane është personi që ka prirje në këtë “fushë”, pasi disa dekada më parë, kur ai ishte kryekomandant i brigadës në Sarandë është identifikuar për një ngjarje të tillë, por u mbyll me një vërejtje, për të mos diskredituar atëherë ushtrinë shqiptare”, tregon psikologia, rreth 50 vjeçe.
Më tej, psikologia thotë se Agron Cane në këtë histori është fatkeq, ndërsa Koço Kokëdhima është i keqardhur, pasi ka zgjedhur njeriun e gabuar.
“Nuk dua ta besoj se Koço Kokëdhima e ka bërë sekretar për të “masakruar” vajza të njohma apo të gjunjëzoj nënat në nevojë, por atij nuk i falet që ka lejuar atë të abuzoj me besimin e tij. Kjo është e pafalshme”, thotë psikologia.
Për psikologen, kjo histori duhet të jetë mësim për çdo punonjës të administratës shtetërore, pasi në thelb institucionet funksionojnë për të mbrojtur njerëzit në nevojë dhe jo për t’ju “rrëmbyer” vajzërinë 14-vjeçareve, si rasti i Agron Canes.
“Agroni gëzon një moshë që nuk i falen gabimet, pasi nuk ka kohë të korrigjohet, por krejt kundër ndodh me një 14-vjeçare. Ajo është e vështirë të integrohet për shkak se i ke vjedhur fëmijërinë. Një traumë shpirtërore kërkon dekada të shërohet”, shpjegon psikologia. Turp!”, përfundon ajo.

13 August 2014

Kolë Ashta dhe "Leksiku historik i gjuhës shqipe"-nga Prof.Dr.Gjovalin Shkurtaj

Kolë Ashta dhe "Leksiku historik i gjuhës shqipe"Ecja nëpër anën e errët të historisë

Nga Prof.Dr.Gjovalin Shkurtaj

Kolë Ashta ka qënë një nga dijetarët e mëdhenj të Shkodrës, intelektual me formim të thellë e vizion të gjerë perëndimor, që dijet e tij të shumta i vuri në shërbim të ndriçimit të pikërisht atyre anëve të historisë së gjuhës shqipe që ishin më të errëta. Ashtu si mjeshtri Eqrem Çabej, me të cilin i lidhte një miqësi e thellë po edhe një fushë e përbashkët kërkimesh, sidomos çka lidhet me leksikun historik të shqipes, Kolë Ashta e hulumtonte dhe e vilte shterrueshëm e me shumë shqyrtime e krahasime zhdavaritëse gjithë leksikun e dokumenteve më të para të shqipes dhe, bash për këtë arsye, separatet e "Buletinit të Shkencave" dhe të "Buletin i Institutit të Shkodrës" me pjesët e botuara të "Leksikut ..." nga Kolë Ashta, Çabej i mbante gjithnjë në tryezën e tij të punës
Para pas kohësh, pas një pune vullnetmadhe e të frytshme shumëvjeçare si pedagog dhe si studiues i gjuhës shqipe, u nda së gjallësh prof. Dr. Kolë Ashta, njëri nga hulumtuesit më të zellshëm e më të përkushtuar të fjalës shqipe, njohës i mirë i teorisë dhe i praktikës filologjike, figurë e paharrueshme dhe e lidhur me ndihmesa të rëndësishme në lëmin e gjuhësisë shqiptare. Ai vdiq dhe nuk la trashëgimtar: as djalë as vajzë dhe kjo, natyrisht, në planin njerëzor e bën edhe më të dhimbshme humbjen, veçanërisht për familjen e tij, porse ai, ashtu si disa burra të tjerë të shquar të letrave e të shkencës sonë, la një vepër madhështore e të përmasave të mëdha, na la "Leksiku historik i gjuhës shqipe", vëllimin e parë të së cilës e botoi më 1996 Sektori Shkencor Albanologjik i Universitetit të Shkodrës "Luigj Gurakuqi": një punë madhore dhe e hapët, prej rreth 500 faqesh, në të cilën janë përfshirë kërkimet dhe hulumtimet e të ndjerit rreth katër pikavenyjë në filologjinë historike shqiptare: 10) "Formulës së pagëzimit" apo dokumentit të parë të gjuhës shqipe, shkruar me 8 nëntor 1462 nga Pal Engjëlli, 2) Dokumentit të dytë të gjuhës shqipe "Fjalorthit" të Von Harfit (1467), 3) "Perikopesë ungjillore" të përkthyer nga fundi i shek. XV e që përbën të tretin dokument të gjuhës shqipe dhe 4) "Mesharit" të Gjon Buzukut (1555) që përbën burimin më të madh e më të plotë të shqipes së shkruar deri atëherë.
Le t'i japim një sy, së bashku, të nderuar lexues, kësaj vepre të jetës së mjeshtrit Kolë Ashta, këtij libri të botuar nga Shtypshkronja "VOLAJ" me ndihmën financiare të Fondacionit "SOROS" dhe të Dhomës së Tregtisë të Shkodrës. Redaktorë të vëllimit janë një treshe e profesoratit shkodran, As. Prof. Dr. Tomor Osmani, As. Prof. Dr. Simon Pepa dhe Tefë Topalli, që të tre miq dhe kolegë të Ashtës, po edhe njerëz që i lidh fort zemra me ndihmesat e vyera të albanologjisë e që, duhet ta themi, në botimin e kësaj pune që përmban gjithë jetën e Kolë Ashtës, kanë rolin e atyre që shpëtojnë dikë nga përmbytja. Gaditja për shtyp e punët redaktoriale që kërkon një veper kaq e vëllimshme si "Leksiku historik i gjuhës shqipe" përbënte me siguri një mund e zotim të shënueshëm dhe atyre u përket një nderim për këtë.
Por, para se të hyjmë në thelbin e paraqitjes sonë, le të ndalemi një çast në përkushtimin e kësaj vepre nga autori: Gjithë punën për kryerjen e këtyre studimeve ia kushtoj Anetës, gruas sime, e cila m'u gjet gjithmonë pranë". Kjo na kthen edhe një herë tek ajo që prekëm në hyrje: Kolë Ashta nuk la bij, por ai, ashtu si Martin Camaj, pasi çoi jetën me familjen e vet, pasi iu mbaruan ditët, i la bashkëshortes veprën e tij të madhe, e cila e pavdekëson mbiemrin e autorit më shumë se do ta përjetësonin një çetë djem e nipa: ai la emrin e ndritur të studiuesit që kurrë nuk diti të thoshte "kam hulumtuar mjaft". Ai e vijoi kërkimin dhe punën shkencore deri në çastet kur iu mpakën e iu shterruan të gjitha forcat dhe, pa dyshim, në shkëlqimin më të mbramë të syve të tij, para se t'i mbyllte përgjithmonë, zonja e tij e nderuar, Aneta, me siguri që, bashkë me lamtumirën e burrit, do të ketë ndjerë edhe "amanetin" e autorit për veprën që la në botim e sipër. Tek lexojmë veprën, natyrisht, nuk mund të mos shprehim dhe nderimin që meriton zonja Aneta Ashta që, këtë amanet të të shoqit, arriti ta plotësojë, duke pasur pranë edhe studiuesit e Sektorit të Albanologjisë të Universitetit "Luigj Gurakuqi". Sa herë të lexojmë, të citojmë a të vlerësojmë atë çka thuhet në "Leksiku historik i gjuhës shqipe" të Kolë Ashtës, krahas tij do të na shkojë mendja natyrshëm edhe tek personat që me aq përkushtim bënë të mundur botimin e saj. Kolë Ashta ka qënë një nga dijetarët e mëdhenj të Shkodrës, intelektual me formim të thellë e vizion të gjerë perëndimor, që dijet e tij të shumta i vuri në shërbim të ndriçimit të pikërisht atyre anëve të historisë së gjuhës shqipe që ishin më të errëta. Ashtu si mjeshtri Eqrem Çabej, me të cilin i lidhte një miqësi e thellë po edhe një fushë e përbashkët kërkimesh, sidomos çka lidhet me leksikun historik të shqipes, Kolë Ashta e hulumtonte dhe e vilte shterrueshëm e me shumë shqyrtime e krahasime zhdavaritëse gjithë leksikun e dokumenteve më të para të shqipes dhe, bash për këtë arsye, separatet e "Buletinit të Shkencave" dhe të "Buletin i Institutit të Shkodrës" me pjesët e botuara të "Leksikut ..." nga Kolë Ashta, Çabej i mbante gjithnjë në tryezën e tij të punës. Kush lexon e studion veprat e Çabejt sheh se atë lëndë e citonte dhe e shfrytëzonte gjerë për etimologjitë e shqipes dhe më tej në kundrimet rreth historisë së gjuhës shqipe. Nuk gabojnë aspak, po të themi se, në veprën e E. Çabejt "Studime etimoligjike në fushë të shqipes" Kolë Ashta është autori që është cituar më shpesh. 1. Punimi i parë që zë edhe vendin e kreut hyrës të vëllimit është ai që i kushtohet figurës së Pal Engjëllit, si personalitet e bashkëkohës i Skëndërbeut, si historian a biograf i tij, i përmendur gjithandej në shkrimet historike kushtuar heroit tonë kombëtar, krahas Biemnit, Barletit etj. po, duke u ndalur, në mënyrë të veçantë në Kuvendin e Matit të vitit 1462, si një nga sinodet shumë të rëndësishme, ku ipeshkvi i Durrësit Pal Engjëlli shkroi edhe të famshmen "Formula e pagëzimit". Koha kur u shkrua Formula ishte një pikë kritike e historisë kombëtare shqiptare: Heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastriot Skëndërbeu ishte atëherë më i plakur dhe i lodhur e kishte filluar të ndihej trysnia e ndikimit turk. Kuvendi i Matit mishëronte përpjekjet atdhetare për t'i bërë ballë sado pak vërshimit të kësaj vale. Në sythin e titulluar "Dokumenti i parë i shkrimit shqip është "Formula e pagëzimit", shkruar në Mat, më 8 nëntor 1462 nga Pal Engjëlli", Kolë Ashta i qaset shtruar shqyrtimit filologjik dhe përshkrimit të hollësishëm të brendisë e të formës gjuhësore të atij dokumenti. "Formula e pagëzimit" e shkruar latinisht e shqip nga Pal Engjëlli është kjo "Ego te baptizo in nomine patris et filij spiritus sancti". Teksti shqip i Pal Engjëllit: "vnte paghesont premnit Atit et birit et spertit senit", që e tejshkruan kështu: "Un të pagëzonjt pr emënit/të/ Atit et birit et spertit senit". Dokumenti i parë i shqipes gjendet brenda një konteksti udhëzimesh të shkruara latinisht. Këto udhëzime, që kanë të bëjnë me këtë shërbesë fetare, me pagëzimin e në lidhje me formulën e tij, që lexohen në tekstin e Pal Engjëllit, dëgjohen përsëri e do të shtjellohen më gjerë edhe në shekujt vijues, si në Kuvendin e Arbnit, të mbajtur në Mërqinjë të Lezhës më 1706. Autori ngulmon se "ato janë dy më të moçmet sinode shqiptare që nga koha e Skëndërbeut". (fq. 43). Formula e pagëzimit, ndonëse është një tekst i shkurtër, gjithsej vetëm një fjali, përmban një hallkë të rëndësishme që lidh Shqipërinë paraturke me Shqipërinë e kohës osmane. Ajo është formula që do të ketë qenë në përdorim të kishës në gojë të popullit dhe shkruesi i Kuvendit të Matit nuk bëri gjë tjetër veçse e fiksoi me shkrim atë traditë të trashëguar brezpasbrezi e me një trajtë pothuajse të pandryshuar. 2. Dokumenti i dytë i gjuhës shqipe është "Fjalorthi" i Arnold fon Harfit (Von Harf) i vitit 1497. Ky shtegtar gjerman, qe nisur nga Këlni i Renanisë në vitin 1496 për një udhëtim të largët nëpër Itali, Siri, Egjipt, Arabi, Etiopi etj. Gjatë atij udhëtimi ai u ndal diku edhe në brigjet tona. Ato që pa e dëgjoi gjatë udhëtimit të tij Harfi i renditi në një vepër, e cila asokohe nuk qe botuar. Vetëm mbas shumë vjetësh, më 1860, do të botohej në Këln "Die Pilgehrfart des Ritters Arnold Von Harf...", në f.65 të të cilit, autori sjell disa fjalë shqipe së bashku me disa fraza e me disa numërorë, që u mblodhën prej tij në vendin tonë dhe po prej tij u përkthyen në gjermanisht. Së këtejmi, edhe quajtja e tyre "Fjalorth shqipgjermanisht" i vitit 1497. Nga shqyrtimet e shpjegimet e imëta të Ashtës del se Harfi, së pari, do të jetë ndalur në Ulqin, për të cilin thotë se "ky është një qytet i bukur, i vogël, pronë e venedikasve dhe është tokë shqiptare". Prej andej kalon nëpër det dhe del në Durrës e aty, mbledh disa fjalë dhe mban shënime që, më vonë, do të ngjallnin aq interesim. Në të vërtetë, përtej interesimit të mirëfilltë për historinë e shqipes së shkruar, ato pak fjalë të Harfit, do të meritonin edhe një hetim e analizë të hollë dialektologjike, sepse, bash qysh aty, mund të vinim re edhe ndonjë dukuri dialektore karakteristike për të folmet bregdetare të Shqipërisë së Mesme dhe të toskërishtes, përderisa dihet se, gjatë udhëtimeve të tij në Shqipëri, ai qëndroi edhe në Sazan. Porse, puna është se teksti origjinal nuk na ka mbërritur, kemi në dorë vetëm kopjimin sipas botimit që ka bërë Mario Roku (Roques). Të interesuarit, studiues apo studentë të letrave shqipe, në studimin e prof. Kolë Ashtës kanë tërë listën e fjalëve shqipgjermanisht të Harfit, bashkë me disa shpjegime kritike në kllapa. Aty kemi, gjithashtu, alfabetin e shqipes të nxjerrë nga "Fjalorthi". Sa thotë Ashta rreth veçorive gjuhësorehistorike të "Fjalorthit" si dhe të dhënat leksikore të nxjerra së andejmi kanë pasur e do të kenë edhe më tej rëndësi të madhe për studimet rreth fonetikës historike të shqipes, si dhe përgjithësisht rreth morfologjisë e leksikut të gjuhës sonë. Ato janë përfillur e cituar gjerë sidomos në kërkimet e Eqrem Çabejt. 3) Dokumenti i tretë i shqipes, të cilin Ashta e trajtoi gjerë në veprën e vet, është "Perikopeja ungjillore". Aty flitet për përkthyesin anonim të dokumentit, për ndryshimet mes kodit dhe dokumentit shqip të Anonimit "Perikopeja ungjillore", bëhet përshkrimi i dokumentit nga ana filologjike, jepet pasqyra e alfabetit të "Perikopesë ungjillore" dhe teksti i dokumentit shqip të Anonimit. Tërheq vëmendjen, në mënyrë të veçantë, shqyrtimi i gjerë dhe plot erudicion i të dhënave rreth fonetikës dhe përbërjes leksikofrazeologjike që nden "Perikopeja". Aty, praktikisht, Porf. Ashta ka derdhur shpjegime e shpallime etimologjike, historikokulturore, etnologjike etj., të cilat nuk mund të mos përfilleshin nga dijetarët bashkëkohës dhe ata që do të vijnë. 4) Natyrisht, puna më e madhe dhe themeli i vëllimit është studimi "Gjon Buzuku dhe vepra e tij "Meshari" (1555), një monografi e hapët dhe e plotë prej gati 400 faqesh. Kemi të bëjmë me një studim të kryer qysh më 1963 dhe është bërë duke u mbështetur fillim e mbarim vetëm në fotokopjen tërësore të "Mesharit", sepse, deri atëherë nuk kishte dalë ndonjë botim filologjik i tij. Vendin kryesor në studimin e Ashtës për librin e Buzukut e zënë, siç e thotë edhe ai vetë, sidomos dy gjëra të reja: ana letrare e përkthimit shqip dhe leksiku i plotë i nxjerrë nga vepra. Monografia është nyjëtuar si vijon: pas disa shënimeve paraprake, shkurt, vjen hyrja me titull "Jehet e kohës e të hapësirës në shekullin XVI dhe Buzuku me veprën e tij" (f. 113120), sythi rreth jetës së Gjon Buzukut dhe disa vija të personit të tij (f. 1211126), Arsyetim për çështjet bibliografike të veprës së Buzukut (f. 127134), vrojtime grafike për shkronjat e alfabetit në veprën e Gjon Buzukut (f. 135141), Një përpjekje për studimin e anës letrare të veprës "Meshari", sipas përkthimit shqip nga Gjon Buzuku (f. 141175), Veçori dalluese të gjuhës së Buzukut (f. 183220), Bibliografi për Gjon Buzukun (f. 221223) dhe Leksiku i plotë nxjerrë nga vepra e Gjon Buzukut, punuar mbi fotokopje (f. 227494). Vëllimi që kemi në dorë na fton ta këndojmë me nge, po edhe të nxjerrim së andejmi shumë fakte, pikëtakime e të dhëna që do të na duhen shpesh për të shqyrtuar e zhdavaritur të errëtat e kërkimeve rreth gjuhës shqipe. Po ndalem, kalimthi, vetëm në ndonjë ide e përsiatje që na del gati spontane duke lexuar Leksikun e veprës së Gjon Buzukut. Së pari, në afrinë shumë të madhe fonetike dhe leksikogramatikore të asaj që nden "Meshari" me të folmet e anës veriperëndimore, sidomos me ato të Malësisë së Madhe. E kam fjalën, në mënyrë të veçantë, për pika të mëdha takimi e përkimesh që nuk ka si kalohen në hije, si p.sh. grupin e zanoreve uo (afëruom, amëshuom, amëltuom, anëkuom, bekuom, besuom, bukuruom, buollicë, dërguom, dëftuom, dëshmuom, duoj, duruoshim, fabrikuom, faruom, firmuom, gruoja, guxuom, gjatuor, gjimuom, idhënuom), që nuk e ndeshim më kurrkund në të folmet e gegërishtes veriperëndimore, përveç trevave të Malësisë dhe të zonave prej nga kanë qenë shpërngulur malësorët, si në anët e Krajës dhe në diasporën e krijuar prej mërgimtarësh krajanë e anamalas në Zarë të Dalmacisë. Shumëkush, ndonjëherë edhe në radhët e gjuhëtarve që maten me hijen e mëngjesit, harrojnë se, p.sh., të folmet e Kastratit, të Hotit, të Kelmendit etj, bash hir të pranisë së togut uo dhe fazës së mëtejme të tij ua (grua, mua, prrua, shkua) dallohen prerazi nga mbarë të folmet e tjera të gegërishtes, dhe, least but not least, bashkëzanojnë më dukshëm me toskërishten e me gjuhë letrare standard, sesa me të folmet e tjera, qoftë edhe aq pranë, si p.sh. me të folmen e qytetit të Shkodrës. Pikërisht ashtu si gegërishtja e Gjon Buzukut, siç e kemi thënë edhe gjetkë, ngjason aq fort e përputhet harmonishëm në shumëçka me toskërishten e Lekë Matrëngës. Natyrisht, hipoteza si kjo mbeten gjithësesi "në kantier" e duhen çuar më tej, porse mua më duket se , edhe në shumë raste të tjera, leksiku dhe semantika buzukiane që nden "Meshari", jo vetëm gjen përputhje të plota, po edhe jep shteg për të menduar për një zanafillë të mundshme të Gjon Buzukut pikërisht nga ndonjë vis veriperëndimor që kishte një të folme si ato që ndeshim edhe sot në Malësi të Madhe. Sa për ilustrim, po theksojmë këtu se, duke lexuar Leksikun e Buzukut, mua më vijnë kundruall e krejt të njëjta shumë leksema si këto: ardhija dhe shqiptimi i saj në formën ërdhi, që aq shpesh e kisha ndeshur ndër të moshuarit e Kastratit; mbiemri cilësorë i atillë, e atillë me kuptimin "i fortë, i fuqishëm", që e kam ndeshur në Budishë e Kastrat të Epërm qysh kur punoja për temën e diplomës për të folmen e Kastratit (196566); bakeq "keqbërës" dhe antonimi bamirë "mirëbërës", forma briena si shumës i emrit brini "briri", folja bukuroj dhe rrjedhojat e saj bukuruom, e bukuruome, që ndërtohen pa parashtesë, por drejtpërdrejt nga tema bukur: ka nis rrushi m'u bukurue (Kastrat), butaku që lidhet me buti, por që në Kastrat e ndeshim në formën bucaku; fjalët dejem, i dejun "dehem, i dehur"; forma me ll e emrit të së dielës: Buzuku dielleja, Kastrat e gjetkë në Malësi edhe sot: e diell, t diell n mrame; djergem "zbres", duoj "dorëz kallinjsh", fjala ndez me formën në dh: dhezunë, dhezëllimë, që, krejt ashtu, na shfaqen në Malësi: me llez i cigare, zjarmin e laç llezun, ka marr t llezun etj. Dukuri të tilla, sigurisht, nuk mjaftojnë vetëm të hetohen, ato duhet edhe të ndiqen në ballë të gjerë e sipas një ideje për te mbërritur në përqasje sa më të plota e sistemore. Vetëm kështu besojmë se mund të jepen pamje më të hapëta e prurje më të sigurta, mbi bazën e të cilave edhe mund të zhdavariten sadopak mjegullnajat rreth fazave të hershme të gjuhës shqipe e të jo pak proçeseve fonetike e morfosintaksore të saj. Paçim shëndet e jetë për t'u ardhur rreth e për të hulumtuar mbi to. Pastë dritë e iu përmendtë kurdoherë për mirë emri mjeshtrit të madh Prof. Dr. Kolë Ashtës.

09 August 2014

Sejmenët e vrerosur të Kadaresë- nga Viktor Malaj

SEJMENËT E VREROSUR TE KADARESË

Nga VIKTOR MALAJ

 “Njerëzimi është racë e pakorrigjueshme. Mjafton t’iu japësh idhujt dhe gogolët dhe s’duan t’ia dinë për dallimet midis të drejtës dhe të gabuarës, të vërtetës dhe gënjeshtrës, të mirës dhe të keqes”.

                                       William Hazlitt

Një letër e hapur që shkrimtari dhe studiuesi Nasho Jorgaqi i dërgoi shkrimtarit Ismail Kadare para pak kohësh ngjalli shumë reagime në shtypin e përditshëm të Tiranës. Me përjashtime shumë të rralla, të gjithë opinionshprehësit iu shmangën thelbit të letrës dhe u pozicionuan në formacione luftarake, gjë që tregon se shtysa e dhënies së mendimeve të tyre nuk ishte arsyeja njerëzore dhe kultura intelektuale por pasionet dhe paragjykimet me të cilët e kalojnë jetën këta individë.
Me përjashtim të studiueses dhe kritikes letrare, zonjës Klara Kodra, z.Sokrat Habilaj si dhe shkrimtarit Visar Zhiti, shumica e reaguesve të tjerë as që u morën me përmbajtjen e letrës por nisën anatemimin e Jorgaqit dhe njerëzve të tjerë anonimë, duke i etiketuar si “pjesë e nomenklaturës komuniste”, “spiunë”, “sigurimsa”, “bolshevikë” etj., që kërkonin të hidhnin baltë mbi Kadarenë. Zonja Kodra bëri një analizë profesionale, që ne të tjerët e kemi më të vështirë ta realizojmë, por nuk shkoi më tutje, ndërsa zoti V. Zhiti tentoi të merrej me thelbin e çështjes por u tërhoq me kujdes, me sa duket për të mos e prishur me askënd. Mirëpo, e vërteta që nuk do t’i bjerë ndesh askujt nuk mund të jetë më e vërtetë e dobishme.
Shmangia nga thelbi i çështjes dhe etiketimi i njerëzve, me qëllim për t’i bërë të heshtin, ka kohë që është bërë mënyrë sjelljeje me publikun e një skuadroni akrepash intelektualë, të cilët karakterizohen sa nga intelektualizmi shterp, aq edhe nga një lloj perversiteti moral. Janë, përgjithësisht, një kategori personash, të cilët, si arritje të tyre më të madhe kanë prodhimin dhe  dhënien e diplomave universitare thuajse gjithë kokëboshëve dhe xhepplotëve të Shqipërisë ose janë individë që shërbejnë pa pushim dhe paguhen nga media shqiptare të korruptuara, të korruptueshme dhe korruptuese. Shërbejnë prej shumë vitesh duke përsëritur e ripërsëritur, pa ndërprerje, të gjithë termat e sotëm social-politikë, pa gjetur dhe ofruar kurrfarë zgjidhjesh për problemet më madhore që shqetësojnë shoqërinë shqiptare. Po t’i referohemi një thënieje popullore të përdorur në mbarë Shqipërinë, këta janë individë që paguhen duke punuar sipas parimit “Korr e mos lidh”. Mirëpo, janë individë shumë vigjilentë dhe të gatshëm të pickojnë e helmojnë cilindo që shpreh mendime dhe vlerësime të kundërta me të tyret. Duke mos qenë të aftë ta përballojnë debatin me argumente, ata kanë zgjedhur të shfaqen si modernë, perëndimorë, demokratë etj. dhe palën tjetër ta shpallin “komuniste”, “lindore”, “bizantine” etj. Në këtë mënyrë besojnë se të tjerët do të tërhiqen, të heshtin dhe këta do të jenë të vetëm, të përhershëm dhe fitimtarë në mejdanin e mendimit, duke vringëllirë shpatat e marrëzisë, ndërsa dëgjojnë me kënaqësi belbëzimet e të tremburve prej tyre, që, të strukur në një qoshe të debatit, luten pa pushim, “Zot, na shpëto nga maskarenjtë!”.
Në këtë skuadron, që përbëhet kryesisht nga individë të papersekutuar nga regjimi komunist, dallohen gazetarë të stilit Qypi, që ka një çerek shekulli që, me një fjalor të huazuar nga bordellot e kohës, nuk lë pa sulmuar askënd që nuk i pëlqen, e deri tek disa gazetarë apo studiues të tjerë që përpiqen të imponohen jo nëpërmjet dijes por shfryrjes së pasioneve. Është e sigurt se shumicën e tyre, po të ishte ende regjimi i para 1990-ës, do t’i shihnim duke u shtyrë në radhë për të marrë teserën e PPSH apo për të siguruar ndonjë vend në “nomenklaturën komuniste”. Ndërsa në gjithë këtë kohë passocialiste përpiqen të na bindin se qenia e dikurshme anëtar partie apo zyrtar i çfarëdo rangu në regjimin komunist paska qenë mëkat dhe, pse jo, edhe krim. Sipas tyre, gjithë këta individë nuk kanë sot të drejtë të shprehin mendimet e tyre. Që ta gëzosh këtë të drejtë, ose duhet të kesh qenë i persekutuar i atij regjimi, ose duhet të kesh qenë bari dhensh apo punëtor me kazmë. Këta pjesëtarë të skuadronit në fjalë nuk të fusin në burg, jo pse i pengon ndërgjegjja, por sepse nuk i lejojnë kushtet dhe rrethanat që ka krijuar koha e sotme. Në këto kushte, kanë zgjedhur të të burgosin fjalën tënde, në pamundësi të të burgosin trupin. Kjo është çfarë iu intereson atyre.
Në rastin e letrës së Jorgaqit për Kadarenë thelbi i çështjes qëndron nëse Kadare e ka shkruar romanin më të fundit në vitin 1958 apo tani vonë dhe e paraqet si arritje të rinisë së tij (ky fakt nuk cenon vlerat e veprës letrare të shkrimtarit por është domethënës për karakterin e tij), nëse është e vërtetë se në vitin 1958 Kadare e “kishte çuar kudo namin” e novelës së shokut të tij Nasho Jorgaqi kurse sot pohon se “Kur e kam lexuar… kam vënë duart në kokë. M’u duk një tmerr i vërtetë”. Gjithashtu, në thelbin e letrës së Jorgaqit bëjnë pjesë edhe vlerësimet e Kadaresë për metodën e realizmit socialist, që dikur argumentonte përparësitë e saj ndaj metodave të tjera ndërsa sot e konsideron si “art çnjerëzor” etj.
Shqytarët e vrerosur, që morën përsipër baltosjen e Jorgaqit dhe gjithë atyre që kanë vërejtje për Kadarenë, nuk u morën me asnjërin nga këto probleme. Disa prej tyre janë aq të pafytyrë saqë vetëm para dy vitesh u përpoqën ta bëjnë Kadarenë të heshtë rreth manipulimit të rezultatit të zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës duke përdorur të njëjtin fjalor me të cilin sulmojnë sot qortuesit e Kadaresë. Ka shumë vite që kjo kategori individësh, kur nuk të bëjnë dot të heshtësh, të rekomandojnë që librat e Kadaresë dhe disa libra të tjerë, të botuar para 1990, “duhen lexuar midis rreshtave”. Ata duan të na bindin se p.sh. fjalët “rrap madhështor” duhen lexuar si “ferrë e vyshkur” apo urimet “të rrojë shoku Enver sa malet me dëborë!” t’i lexojmë si “të rrojë sa dëbora në male (dihet se dëbora shkrin shpejt)” etj. Mirëpo disa shqiptarë “anadollakë” nuk pranojnë të lexojnë midis rreshtave ku ndodhet errësira e mbushur me gënjeshtra, por preferojnë të lexojnë vetë rreshtat ku ndodhet e vërteta e ndriçuar.
Në reagimet e tyre ndaj letrës në fjalë individët e lartpërmendur u përpoqën ta paraqesin qëndrimin e Jorgaqit si dashakeqës, si smirë, si dëshirë për t’u dukur (sepse po sulmonte Kadarenë, ndërsa mbrojtjen e Kadaresë nuk e konsiderojnë të tillë), si sulm i nomenklaturës komuniste që “s’ia fal Kadaresë antikomunizmin e sotëm”, si imitim i fletërrufeve të dikurshme etj. E vërteta është se N. Jorgaqi, jo vetëm në atë letër, por edhe në studimet e tij të mëparshme e ka pohuar disa herë vlerësimin e tij shumë të lartë për Kadarenë dhe veprën e tij letrare. Shqytarët e sipërpërmendur thonë se nuk duhet ndarë Kadareja si shkrimtar nga Kadareja si njeri dhe se “ai nuk mund të jetë një shkrimtar i madh dhe një njeri i vogël”. Ky pohim nuk qëndron, jo vetëm për Kadarenë, por për asnjë individ tjetër të kësaj bote. Aftësitë, prirjet dhe dhuntitë e shfaqura në veprimtarinë njerëzore janë një gjë dhe karakteri i njeriut është tjetër gjë. Ato ndërthuren dhe bashkëndikojnë por, në asnjë rrethanë, nuk mund të njësohen. Po të niseshim nga pohimi i tyre do të duhej që nobelisti norvegjez Knut Hamsun, i cili e cilësonte Hitlerin, vrasësin më të madh të njerëzimit, si “një profet i Ungjillit”, apo nobelisti serb Ivo Andriq, një armik konsekuent i çështjes shqiptare në Ballkan, të konsideroheshin edhe njerëz të mëdhenj dhe të mos kritikohen për asgjë.
Një pjesëtare halucinacionante e familjes së E. Hoxhës i konsideronte kritikat ndaj Kadaresë si sulm i mafies dhe i agjenturave, ndërsa disa adhurues pa kushte të tij apo kinse adhurues u shprehën se Kadare është “i shenjtë!”, është pjesë e Trinisë (kupto: trinisë së shenjtë biblike). Kuptohet qartë se cenimi (qoftë edhe në formën e kritikës) i tij do të përbënte sakrilegj.
Sa i përket kohës kur Kadare ka shkruar romanin e tij më të fundit, as kritikët dhe as idhujtarët e tij nuk mund ta vërtetojnë këtë fakt. Këto janë fakte që vërtetohen vetëm me ekspertiza specifike. Personalisht, si lexues i tij, ky fakt s’më intereson fare, përveçse kur është fjala për raportet e Kadares me të vërtetën.

Raportet e Ismail Kadaresë me të vërtetën

Nuk ka asnjë dyshim që I.Kadare është një shkrimtar i klasit të parë. Ismail Kadare mund ta kishte marrë dhe duhet ta marrë Çmimin Nobel për letërsinë. Ai e meriton këtë çmim jo pse ka qenë për dy dekada një komunist formal dhe as pse ka një çerek shekulli që shfaqet si antikomunist i çakërdisur dhe as pse është shqiptar. Kadare e meriton çmimin e lartpërmendur për shkak të dhuntive të tij superiore letrare të manifestuara në shumë libra të shkruar, të botuar dhe të përkthyer në disa gjuhë të huaja. Madje, të duket qesharake dhe cinike kur mendon se një çmim i tillë iu është dhënë dikur disa autorëve që qëndrojnë dukshëm poshtë Kadaresë.
Pas vitit 1990, disa individë shqiptarë e patën cilësuar Kadarenë si shërbëtor të regjimit komunist dhe ndihmës të tij, ndërsa disa të tjerë e patën cilësuar si armik dhe varrmihës të atij regjimi. E vërteta e madhe është se asnjëri nga këto pohime nuk është i vërtetë. Regjimi komunist nuk jetoi gati gjysmë shekulli në Shqipëri për shkak të ndihmës së Kadaresë dhe as ra në vitin 1990 për shkak se ndihmoi Kadareja me ikjen e tij. Ismail Kadare nuk iu ka borxh shqiptarëve që e pësuan nga regjimi i para 1990. Pohime të tilla burojnë ose nga dashakeqësia, ose nga mendjelehtësia. Kur ishim të rinj dhe studentë ne i pëlqenim shumicën e librave të Kadaresë për shkak të ndjesive artistike dhe estetike që na shkaktonin dhe jo pse ishte anëtar partie (ne, as e dinim këtë fakt dhe as ishim të interesuar për këtë) apo pse kishte shkruar edhe për Partinë dhe “shokun Enver”. Unë dhe disa shqiptarë të tjerë të thjeshtë dhe anonimë nuk kemi këtë konsideratë për letërsinë artistike të Kadaresë të pas 1990, jo pse ai bën përpjekje të stërmundimshme dhe të panevojshme të vetëparaqitet si antikomunist, por sepse kjo letërsi nuk e ka atë nivel artistik të librave të tij të dikurshëm dhe sepse në sprovat (esetë) e tij letrare Kadare dëshmon se ka shumë probleme me të vërtetën dhe etikën.
Shqytarët mjeranë të Kadaresë, duke u përpjekur ta paraqesin si hyjnor, kërkojnë nga të tjerët që ato që ka thënë apo thotë Kadare, të merren si postulate, të mos diskutohen, të mos vihen në dyshim dhe, aq më pak, të kundërshtohen. Ata duan që ne, shqiptarët e zakonshëm, për hir të cilësisë artistike të letërsisë kadareane, të pranojmë verbazi dhe të duartrokasim edhe atëherë kur Ismail Kadare nuk thotë të vërtetën, edhe atëherë kur ai trillon apo thotë gjëra që e bëjnë qesharak. Të mos jesh dyshues dhe, më së paku, kritik kur ndesh pohime të tilla të Kadaresë si: Letërsia nuk ka kurrfarë lidhjeje me jetën, se nga mënyra si lëviznin balerinat në teatrin kinez të viteve ’70 mund të kuptoje sa anëtarë të Byrosë Politike kineze do ta pësonin në javët në vazhdim, se Italia e pushtoi Shqipërinë në prill 1939 sepse Konti Çiano donte të shtinte në dorë Geraldinën, se udhëheqësit komunistë të regjimit të kaluar bënë çmos ta rrëzonin Skënderbeun por u rrëzuan prej tij dhe broçkulla të tjera si këto, do të thotë të mos kesh respekt as për veten dhe as për të vërtetën historike.
Adhuruesit pa kushte dhe rezerva të Kadaresë duan të na bindin se libra të tij si “Mosmarrëveshja” duhen konsideruar si “dhiatë e antropologjisë kombëtare”, mirëpo arsyeja e shëndoshë nuk mund të mos konstatojë se, në një pjesë jo të vogël të tij, ky libër është një lajthitje intelektuale. Përdorimi i fantazisë në çështje të historisë dhe moralit nuk mund të jetë produktiv si në krijimtarinë artistike.
Qysh nga viti 1990 Ismail Kadare ka bërë një përpjekje vigane, si askush tjetër jashtë fushës politike, për të bindur opinionin e brendshëm dhe të jashtëm se ai ka qenë armiku kryesor i regjimit komunist dhe në luftë të vazhdueshme me të. E filloi këtë me “arratisjen” nga Shqipëria atëherë kur nga regjimi komunist nuk rrezikohej as edhe një fshatar i thjeshtë, duke pretenduar më vonë se ikja e tij do i shërbente rënies së regjimit, e vazhdoi me paraqitjen e vetes në libra eseistikë sikur të ishte Prometeu i mitologjisë, dhe nuk pushoi kurrë së mohuari dhe anatemuari shumëçka që ishte krijuar në Shqipëri gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 20-të.
Në këtë kuadër janë edhe pohimet e tij rreth realizmit socialist në intervistën që paraprin botimin e librit “Mjegullat e Tiranës”. Në të, ndër të tjera, ai thotë: “Çështja e heroit pozitiv ka qenë e para që më ka dalë përpara në raportet e mija me realizmin socialist. Për t’i rënë shkurt, ishte shëmtia e parë që arrita të dalloj, pa ndihmën e askujt, përveç se të letërsisë… Nuk e kisha marrë me mend se do të vinte dita që mbi shpinën time të ndieja se ç’turp do të ishte të gjendeshe si hero pozitiv në një vepër të realizmit socialist… Personazhi qendror, d.m.th. unë vetë isha një student që më rrinte mendja ditë e natë se si pas mbarimit të studimeve, të shkoja ku të më dërgonte partia për t’i shërbyer popullit… Për herë të parë… unë kuptova se sa çnjerëzor mund të ishte ky art”.
Pohime të tilla të lënë pa mend, edhe sikur të ishin bërë nga një njeri i rëndomtë dhe jo më kur ato i bën njëri nga kontribuuesit më të mëdhenj të kulturës kombëtare. Është e sigurt se pohime të tilla nuk burojnë nga padija. Kur mendjet e mëdha udhëhiqen nga pasionet dhe interesat vetjake, jo rrallë, sjellin pasojat e stuhive dhe jo ato të diellit pranveror.
Bazuar në pohimet e mësipërme rezulton se metoda e realizmit socialist dhe, rrjedhimisht, edhe letërsia e krijuar sipas saj, janë të shëmtuara, të turpshme dhe çnjerëzore. Problemi bëhet akoma më i çuditshëm dhe i ndërlikuar kur vëren se shkrimtari ka ardhur në këtë konkluzion, kryesisht, duke pasur parasysh “heroin pozitiv”.
Që realizmi socialist ka pasur kufizimet e tij, herë të drejta dhe herë të padrejta, kjo nuk ka diskutim. Por, siç thotë me të drejtë kritikja Klara Kodra, e keqja më e madhe erdhi nga trysnia që organet partiake dhe shtetërore shqiptare ushtruan mbi shkrimtarët dhe artistët duke i degjeneruar parimet e kësaj metode deri në absurditet. Dihet se parimi kryesor i asaj metode ka qenë pasqyrimi me vërtetësi i jetës. Nga ana tjetër, “heroi pozitiv” i asaj letërsie ishte (ose, më saktë, duhej të ishte) individi që vë interesin e përgjithshëm mbi atë vetjak dhe që është i gatshëm të sakrifikojë për shoqërinë. Pikërisht, ky hero, i cili ishte i gatshëm “për t’i shërbyer popullit”, siç thotë Kadare, i jepte karakter çnjerëzor letërsisë (po sipas Kadaresë).
Ky pohim i pretendentit për Çmimin Nobel është shërbimi më i keq që mund t’i bëhej gjykimit mbi vetë autorin dhe veprën e tij. Shërbimi ndaj shoqërisë, sakrifikimi për njerëzimin është shtylla kurrizore e Doktrinës së Krishterë, nga e cila Perëndimi pretendon se udhëhiqet, ai Perëndim të cilin Kadare e glorifikon pareshtur dhe pohon se ne i përkasim dhe duhet t’i përkasim. Nënë Terezës iu dha Çmimi Nobel, pikërisht sepse sakrifikoi gjithë jetën e saj për njerëzimin (popullin), me motivacionin “Me punën e saj iu ka sjellë dinjitet të varfërve të kësaj bote…”. Kur letërsia dhe propaganda e regjimit komunist e vinte theksin tek ky lloj heroi pozitiv, Presidenti i SHBA, Xhon F. Kenedi i këshillonte amerikanët: “Mos pyesni se çfarë bën Amerika për ju por çfarë bëni ju për Amerikën”.
Nëse ka një element human (njerëzor) që përshkon artin e realizmit socialist, pavarësisht ekzagjerimeve nga ndërhyrjet e politikës, është pikërisht “heroi pozitiv”. Prania e këtij heroi, sipas Kadaresë, e bënte artin çnjerëzor. Sigurisht, në një kohë dhe shoqëri ku quhet art emisioni “Big Brother” dhe promovohen si “heronj” individë të zvetënuar si Kim Kardashianët apo ku një prapanicë e mbushur me  silikon për pesë orë çmohet më shumë se një kokë e mbushur me dije për 50 vjet, nuk mund të ketë vend për të tillë heronj pozitiv si ata që sakrifikojnë për shoqërinë. Jo më kot, njëri nga shqytarët e Kadaresë, që hiqet si filozof province, thoshte në shtyp se “Njeriu i mirë, ai që sakrifikohet për interesin e përgjithshëm është një kategori e mjerimit filozofik… Po, kapitalizmi i ka njerëzit e tij të mirë:Tek punëtorët socialë, klerikët, dhe po deshe prostitutat”.
Nëse ato që thotë Kadare për realizmin socialist janë të vërteta, atëherë lindin disa pyetje: Nëse arti i realizmit socialist ishte çnjerëzor, a duhet hedhur i gjithi në koshin e plehrave? Po kështu, të gjithë shkrimtarët e asaj kohe a duhen mohuar, harruar dhe madje, ndaluar (sepse gjërat çnjerëzore shkatërrojnë njerëzimin)? Vetë vepra letrare e Ismail Kadaresë a i përket realizmit socialist? Nëse po, si mundet një shkrimtar, që ka shkruar e botuar vepra letrare çnjerëzore, të pretendojë fitimin e Çmimit Nobel për letërsinë? Nëse veprat letrare të Kadaresë nuk i përkasin realizmit socialist, si mundi shkrimtari t’i shmangej kësaj metode letrare “çnjerëzore”, jo vetëm pa e pësuar nga shteti diktatorial, por, madje, duke pasur edhe poste politike e shtetërore (anëtar partie, nënkryetar i Frontit Demokratik, deputet i Kuvendit Popullor)? Kaq budallaqe ishin të gjitha strukturat e shtetit të diktaturës, sa ua hodhi një njeri i vetëm?
Ismail Kadare ua ka detyrim moral dhe intelektual të gjithë lexuesve të tij t’iu përgjigjet këtyre pyetjeve, dhe të tjerave si këto. Përndryshe, ne kemi të drejtë të besojmë se, me gjithë ekzagjerimet dhe deformimet, realizmi socialist ishte një metodë letrare humane (dhe jo çnjerëzore, siç thotë Kadare), se, në tërësi, librat e tij të para 1990 mbështeten në këtë metodë dhe se regjimi i kohës, me dashje, ka lejuar edhe shmangie, sado të vogla, nga zbatimi i kësaj metode.
Përfundimisht, unë besoj se e ardhmja i mbetet shkrimtarit Ismail Kadare, ndërsa me njeriun Kadare ajo nuk duhet të merret. Sepse, edhe në të ardhmen, njerëzimi do të ketë nevojë për Diogjenë që, me qiri të ndezur në dorë, të dalin ditën me diell nëpër rrugët e qyteteve, në kërkim të njeriut.

DITA 8 Gusht, 2014