15 September 2014

At Konrrad Gjolaj O.F.M / Vizita e Papës Gjon Pali i Dytë

At Konrrad Gjolaj O.F.M

 At Konrrad GJOLAJ O.F.M
 (1918 – 2000)
NJI  VIZITË  E  PRITUN  PREJ  SHEKUJSH
 Vizita e Shejtnisë së Tij Gjon Pali II, dashtë e padashtë, do të hyjë n’ analet e historisë si ajo ma e shkurta ndër komunitete, gati si provë e s’ dij se çkahit, si nji udhëtim nga A në B, rekord i vërtetë shpejtësie.
 Shtypi katolik e ai laik, agjensitë botnore të lajmeve, ndoshta edhe vetë qarqet e Vatikanit e patën shumë të vështirë t’a percaktojnë e t’i japin nji emen këtij evenimenti tepër të madh per vendin tonë të vogël. Sepse asht përnjimend e vështirë me përcaktue karakterin e kësaj lëvizjeje fort të shkurtë, me nji program ma se konçiz për t’u quejtë “pelegrinazh” për nderim të gjakut të derdhun gjatë 500 apo 50 vjetëve.
Nuk mund të quhet as ost-politikë e Vatikanit, pse nuk pat asnji element të kësaj natyre, posë nji puthjeje toke, puthje duersh, fjalime e përshëndetje për popullin shqiptar e për lidhjet e tij të vjetra me Selinë e Shejtë.
Qe pozitiv tipari i vetëm se nuk pati asnji incident, as prej të huejve, as prej vllazënve të vjetër, as prej anmiqve të sotëm.
Nuk mund të ndodhte ndryshe.
Zyrtarisht u tha se kjo vizitë kishte për qellim të vetëm, shugurimin e katër ipeshkëve shqiptarë. Ashtu duhet të ketë qenë. Por ndoshta faqja tjetër e medaljes mund të jetë edhe ma interesante. Shumë shprehje tepër bombastike për miqsinë e vjetër ndriçuese...por gati kurrgja për pozitën historike të kristianizmit në Shqipni, as për rezistencën primare kundër metodave dhe eksperiencës së komunizmit shkencor, koncentrat i të zezave të nji periudhe jo vetëm 500 vjeçare, por 2000 – vjeçare.
 Vlera e nji populli matet me forcën e kulturës së ndërgjegjës, aftësinë aktive në mjedisin ku jeton dhe aftësinë e transmetimit si rrezatim ndriçues të kozmopolitizmit, përçues ndër vende e nëpër arteriet e etapave historike të kulturave etnike, të pasunisë së traditave, gojëdhanve e sagave, shprehje të dinamikës. Matet edhe nëpër forcën e rezistencës së tregueme gjatë atapave historike të pafavorshme. Nji popull asht aq i madh sa të jetë e madhe rezistenca e tij. Nji popull nuk zhduket si komb nga historia, shtypjet, okupacionet e kulturat anësore, po qe se ai ka me çka të rezistojë, madje, po pati vitalitet e thesar kulturor e sidomos shpirtnor që t’asimilojë t’ ardhunit, qoftë edhe me armë.
Banorët e gadishullit të Ballkanit Përendimor, të papërcaktuem si fuqi etnike qysh më zhdukjen e forcës ushtarake romake dhe të stancimit filozofok grek, qendrojnë në histori vetëm në saje të ruajtjes së zakoneve e traditave të mbështetuna përherë në boshtin fis–gjak, të ruejtuna që prej fillimit të Erës së Re. Ndonse qe fjala për nji shoqni shumkombëshe, për arsye të ligjëve t’ egzistencës ajo kuagulohet tue marrë tiparet e nji shoqnie tribale plot me vlera historike. 
 Asht kjo periudhë që, si rrjedhim i ballafaqimeve të ndryshme në trekandshin ballkanik, qet në sipërfaqe  nji përmbledhje gjithë kontradikta, si rrjedhim i fillimit të përplasjeve të dyndjeve të hueja dhe popujve vendas, që përfundon me zhdukjen e dalëngadalshme por sistematike të sistemit ekonomik e politiko – etnologjik të të dyja palëve, tue nxjerrë në dritë nji shoqni shumënyjshe, tepër heterogjene, pa kurrfarë tiparesh as të trashëgimnisë së kalueme historike, as të atyne pushtuese të ndryshëm që dominuen mbi këta rajone.
Vetëm mbas invadimesh të njimbasnjishme të sllavëve dhe formimit të shtetit sllav në shekuj të mavonshëm, të coptuem në krahina të vogla, ata do të luenin rol me randësi, herë pozitiv, herë negativ, sidomos në periudhën historike të invadimit osman, bashkë me etnitetet e vogla fisnore, mbetje etnike të popujve të ndryshëm të vjetër.
Asht interesante të konstatohet se edhe etnia e vjetër greke pëson ndryshime të mëdha psikologjike e kulturore, tue mbetë materialisht vetëm si kujtim i gjuhës e i kulturës së vjetër greke, plus shtresave të dinastisë së vjetër: bizantinizmit dhe levantinizmit.
Era kristjane luen nji rol me randësi në formimin shpirtnor, por edhe në galvanizimin  etniko – kulturor, tue ruejt mbrenda strukturës së re etnitetin kulturor e tradicional fetar, pak a shumë të pastra, por gjithmonë të forta. Forcat e doktrinës kristjane vëprojnë ma intensivisht në fshat se në qytet, ku jetojnë klasat që mbajnë fuqinë në dorë. Megjithëkëte bërthamat ilegale të komunitetëve kristjane janë tepër aktive dhe përpiqen t’a transmetojnë shoqninë skllavopronare n’anë të depërtimit t’ ideve jetëdhanse të barazisë e dashunisë njerzore edhe ndër klasat sunduese.
Kur kristjanizmi legalizohet dhe bahet forcë zotnuese e drejtuese e asaj periudhe,  – dhe i tillë mbetet për shumë shekuj me radhë, – nisë me veprue mbi invadimet e popullsive sllave tue i ba pjesë integruese në mbarë aparatin administrativ, për me anue ma vonë në drejtim të Perandorisë Lindore, tue marrë gjithshkahën në dorë, që prej fuqisë ushtarake dhe deri n’ ate gjyqtare e periferike me njerëz vendas e tue e transformue krejt strukturën e vjetër. Kristjanizmi, shpeshherë i përçamë e i përndjekun, përpiqet të plazmojë jetën e mbrendëshme shpirtnore, strukturat familjare dhe ato shoqnore. 
Gjatë pushtimit të gjatë osman mbështetet n’ antitezën e popujve ballkanikë edhe si ruejtës i kombësive për gati 500 vjetë. Zhvillon luftat legjendare për vetëmbrojtje kombtare, kulturore e shoqnore, me Gjergj Kastriotin në krye, për hesap të vet e të Botës. Asht nji mrekulli historike se si nji grusht i vogël populli, nën gjithë atë shtypje psikologjike, ekonomike, kulturore e strukturore, shoqënore e fetare, i primë gjithmonë prej udhëheqsash të ndritun, të dijtun e plot ideal, të përcjellun përherë prej salvimesh, t’ ia mërrijnë të shpëtojnë kombsinë e nji populli të vogël, me të gjitha tiparet e nji populli të madh, si të gjitha kombet tjera, me nji kulturë, histori, tradita e virtyte të veta specifike. Kjo meritë i takon klerit katolik, që me vullnetin e çeliktë, me gjakun e derdhun pa kursim, me pishtarin e gjuhës e të dijes, i hapën rrugën popullit shqiptar drejt pamvarsisë e qytetnimit: lista e tyne, që prej Buzukut deri te Fishta, asht aq e gjatë sa nuk numrohet. Periudha e komunizmit, kulmi i barbarizmit të këtyne shekujve, synonte me la hesapet njiherë e përgjithmonë me klerin dhe katoliçizmin në Shqipni; këte e kanë të qartë të gjithë shqiptarët dhe kurrkush nuk mund të mohojë, as t’a shtremnojë. 
Ishte për këtë që pritej aq shumë ardhja e Shejtnisë së tij Gjon Palit II në Shqipni: shpërblim këtu në tokë i asaj rezistence burrnore. Pritej që të bekonte të gjitha vorret e martirëve të ramë gjatë këtyne shekujve ndër malet tona, luginat e fushat, të shpërndamë në të katër anët e Atdheut. Pritej me entuziazëm prej 500mijë katolikëve shqiptarë mbrenda kufijve, e po ashtu, prej vllazënve të tjerë kureshtarë, por të sigurtë për rranjët e prejardhjes. Kjo Kishë gati 2000 vjeçare, në vendin ma të afërt me Vatikanin për kah largësia gjeografike, nuk mjaftohej me nji bekim prej së largu. Ishte nji vizitë e pritun pothuej prej shekujsh. Por ç’ u kuptue nga fjalimet e mbajtuna zyrtare? 
Nuk u çek aspak se prej këtyne tribunave publike tirani dhe suita e tij çirreshin para Europës e mbarë Botës, se ia kishin mbyllë gojën Papës së Romës, dhe prej këndej baheshin  fyemjet ma provokuese që ka njoftë historia.  

Nuk u fol asnji fjalë për dhunimin barbar të Elterit të Shejtë të Katedrales Katolike, në rastin e delirit euforik të kongresit të grave të Shqipnisë me 1973. Nuk u dha kurrnji deklaratë publike se sot e mbrapa elementi katolik i Shqipnisë dhe kleri i tij, nuk do të vuejshin prej asnji forme të Gjenocidit të praktikuem deri tash... 
Ndoshta diplomacia shqiptare mbeti pak e zhgënjyeme nga që nuk ia doli t’ implikonte Atin e Shejtë ndër ngatrresat ballkanike, as me realizimin e vizitave të dyshimta, as me miratimin
për atë ost – politikë shqiptare të projektueme dikur në librin “Shënime për Lindjen e Mesme”, të shpallun ma vonë prej Alisë e Çarçanit, e që korri “sukseset e para” nëpërmjet diplomacisë demokratike, me dorëzimin e krejt fushave katolike të Shkodrës e Maleve të Mirditës katolike, si konçesione afatgjata oazeve arabike, tue marrë shpërblim nji kothere bukë misri e nji kanaçe vajguri, për me ndezë përsëri këtu bishtukun famëmadh si “fener ndriçues i Europës”. Vizita e Papës u mbyll pothuej sikur nji eveniment i madh i zhvilluem në terr. 
Asht punë për mbas-median: bahet zhurmë e madhe për nji , dy, tri ditë e hidhet në histori, pa dijtë se kur nisi e kur mbaroi. Vetëm ajo thirrja e lëshueme Popullit Shqiptar prej Sheshit Skenderbeg, duhet të mbetët e ngulun gjithmonë: “Shqipni, qindro në naltësinë e kësaj beteje të madhe...” !

Konrrad Gjolaj, “Çinarët”, në faqe 226,  Shkodër 1966
- Ma parë botue në 
Revisten “Hylli i Dritës” 1993-  
 


Shenim nga F. Radovani
At Konrrad Gjolaj O.F.M. (ose Tomë Marku) (1918–2000) ka le në Velipojë të Shkodres. Ishte nxanës i Don Alfons Trackit. Vazhdoi studimet në Kolegjin Saverian në Shkoder dhe ata të naltat teologjike në Romë. Në vitin 1943 ka krye stydimet mbasuniversitare po në Romë, ku asht laurue për Dirito Canonicum. Në 1943 vjen në Shkoder dhe ishte profesor i Gjimnazit Fretenve. Në vitin 1948 arrestohet dhe mbas një viti hetuesi lirohet “pa faj”. Nuk pranon me nenshkrue Statutin e Kishës Katolike Shqiptare, perpilue nga shteti komunist, kështu me 10 Janar 1959, arrestohet bashkë me Don Dedë Malaj, që u pushkatue. At Konrradi lirohet në vitin 1972. Punon në punë të randa dhe jeton tek mesa e vet Angjelina. Në vitin 1994 fillon me shkrue librin “Çinarët”, ku pershkruen me saktësi pikrisht atë pjesë të pashkrueme të Historisë së vertetë të Popullit Shqiptar nën diktaturen komuniste.At Konrrad Gjolaj, mbasi i la Shqiptarëve këte thesar, mbylli sytë në vitin 2000.
 
***
Ky artikull botohet nga Fritz Radovani, në pragun e vizitës një ditore në Tiranë, me 21 Shtator 2014, të Shejtnisë së Tij Papës Françesku. 
Melbourne, Shtator 2014.

10 September 2014

Letra e Gjon Kamsit për Zihni Sakon / nga Fritz Radovani


   FESTIVALI  I  GJINOKASTRES
DHE  SHEMTUESIT  E  KOSTUMIT  KOMBTAR  SHQIPTAR

  Nga Fritz RADOVANI:
 
Edhe këte sahat naltë në Kala, e keni zhgulë në Kishat Katolike të Shkodres!

Ditë e natë u mendue vetem si me e shkatrrue, plaçkitë e me e qitë faret qytetin e Shkodres!

Po, edhe Rozafa... vazhdonte punen e Saj: “Me u mëkue disa Burrave me qumështin e vet, ata tipare të pavdekshme të Trojeve Ilire, që ruente thellë nder temelet e gurt’ e Saj historikë!

Kostumi kombtar i Shkodres, trashigohej dhe ruhej si rrelike nder shtëpijat tona!

Nëse nuk perdorej... Ai shihej në të gjitha dhomat e pritjes së shtëpijave të vjetra, kjoftë edhe nder fotografi që vareshin në krye të vendit. Stergjyshët tanë vazhdonin me na nderue edhe ne!

Arkat e vjetra të grave ishin të kudondodhuna me thesaret e Etnografisë sonë kombtare.

Kostumi kombtar shkodranë i grave shihej nder disa raste i veshun nga gjyshja ime Ninja e Pjeter Prennushit, Lezja, nana e Gasper Ugashit, Maria e Gjon Mark Shllakut Rusit, Zina e Kolë Dajës, Ninja e Kolë Gurashit, Shaqia e Shan Tarrnakut, Silja e Zef Krajës, Katrina e Gjelosh Shalës, Roza Krroqi e ndonjë grue që koha më ka shlye emnat e tyne. Ndersa, gratë kosovare që kanë jetue në Shkoder, binin në sy per veshjen e tyne kombtare dhe shumë të bukur tue fillue prej të shoqes Zef Batalakut, Luigj Shalës, Mati Thaçit, Pashko Berishës, Tade Shirokës etj...

Kostumi i grave shkodrane e tham pa pikë dyshimi se asht i papersëritshëm edhe nder vendet tjera të qytetnueme. Bukuria e tij tregonte kulturen shekullore që trashigohej nder breza...

Ishte i vetmi kostum kombtar i mbetun në një qytet Martirë, në Shkoder; mbasi nder qytetet tjera të Shqipnisë veshjet e tyne kombtare ishin “asimilue” nga turqit, sllavët dhe grekët... Prandej, dhe ai duhej perçudnue mbas viteve 1967, ashtusi, mendohej me e shpartallue edhe Shkodren!

Këte fakt e verteton “Festivali Folklorik i Gjirokastres”...

 

Fara e qytetnimit Europjan në Shkoder nuk shqimet kurrë!
 

Nga familja shumë e vjeter Kamsi njoha në vitin 1978, në moshen 84 vjeçare Burrin e dijtun e trim, mikun e Luigj Gurakuqit, Gjon Kamsin. Një ditë më dha një leter që i kishte shkrue Kryetarit të Institutit Folklorit në Tiranë, shokut Profesor Zihni Sako... Sigurisht, me shpresë se ajo leter, do të shkojë në zyret dhe tavolinat e të gjithë atyne “profesorëve” (ose edhe ma naltë), që mendonin dhe punonin pa pushue me turpnue veshjen e Grave Shkodrane.

I kerkova leje me e kopjue! Ai më dha atë të drejtë, tue shtue që “mbasi t’a lexoj, me i dhanë pershtypjen time per permbajtjen e saj!”

Unë do të botoj letren e plotë, pergjegjen e sh. Zihni Sako, dhe pershtypjen time t’ atëhershme:

“Shokut Profesor Zihni Sako, Drejtuer i Institutit të Folklorit Tiranë.
Shkoder, me 30 Tetuer 1978.

Në Festivalin folklorik të Gjinokastres i zhvilluem sivjet, më ka ra në sy paraqitja e grues shkodrane, e kerkueme, si thonë, në veshjen e saj, pa brenavekë fill në këmishë e tlina.
Nji paraqitje e tillë e kerkueme nuk dihet perse e me ç’ qellim folklorik ka pasë jo pa arsye, nji gjykim të randë nga ata qi kanë ndodhë ta shofin qysh në çfaqjen e parë, qi asht dhanë në nisjen e grupit folklorik të Shkodres per Gjinokaster.
E asht per atë arsye e të botës së pranishme, vendase e të huej në atë çfaqje festivali, qi po due të theksoj gabimin e randë të ndryshimit të veshjes së grues shkodrane, nga me brenavekë në atë me këmishë e tlina me bohçe perpara. Ndryshim qi nuk difton asgja të mirë folklorike e estetike.
Brenaveku nuk asht ashtu si mendohet nji veshje e thjeshtë me kinda por nji veshje mëndafshi të zi a vjollcë, me kambësa gajtani të kuq e qendisje mbi cohë të kuqe, lulesh me tehri të zezë, qi mërrijnë te pulpat e kambës dhe me të perparme, aty ku lidhet në bel me ushkur, nji ermaç të madh në trajtë zemre, edhe ky i qendisun po ashtu mbi cohë të kuqe me tehrina të zeza. Per rreth belit, mbi brenavekë, ka brezin e mëndafshit shumë ngjyrash.
Mandej, brenaveku nuk veshet  fill mbas tlinave të ndjeshuna trupit, por mbi të bardhë me kinda, per nji dukje  ma të hieshme të brenavekëve mbi trup.
Prandej, brenaveku në punimin e veshjen ndjekë nji kujdes të posaçem të terzis per kambëzat e ermaçin, dhe të grues.
Grueja shkodrane nisë veshjen fillim e mbarim kështu:
a.      Ma parë, njiheri me tlinat, nji fanelë të hollë me mangë, e bardhë ose e drandofilltë, të veshuna per mish: Fanela e gershetueme në qafë me nji kordelë, qi lidhet në gushë në trajtën e nji flutres.
b.      Të bardhat pambuku me kinda me këmishen harkat siper fanelës, me qafë e me grykë, e punueme me gjylpanë.
c.       Jeleku mëndafshi me lule, merthehet në bel me fodulla të qendisuna me ar e lagjyhera, me komçe të punueme nga argjentarët;
d.      Brenavekët me brez të mëndafshit si u tha ma naltë;
dh. Mbi krye me flokët të lidhuna bishtalec, ven sallmanin të qendisun me tertil e lagjyhera e           inxhi, i merthyem mbi krye me nji lidhcë të gjanë, të qendisun gjithashtu;
ë.   Sipri sallmanit degermia e qendisun me lule, fije mëndafshi të bardhe e diku nëpërte edhe fije ari, e cila, merthehet mbi krye rreth lidhcës së sallmanit dhe bije krahëve mbi xhybe.
e.   Xhybja – pa mangë, e punueme me cohë të kuqe dhe e qendisun me leheri të zezë, me lule e pikla të kuqe. Asht e punueme e artit të terziut edhe në premjen e saj, dhe sa e ndjeshun per shpinë aq e gjanë mbi brenavekë dhe, në hapjen e saj kah parzma asht e stolisun me sumulla vezake mëndafshi, të zeza me majuca të kuq o të mëndafshta t’ arta.
f.   Kambët me çorapë të shkurtë të pambukët a të leshtë, të bardhë simbas stinës, mbështetë mbi pashmangë me shtrijë të qendisunen e artë, si gjithashtu, siprina e gishtave qi maron në majuca o me stivaleti lustrafini të vizatuem e të merthyem anash me sumbulla xhixhë.
g.  Marama tisi të bardhë, e hollë dhe e gjatë deri në gju, aty kah fundi ka nji shirit të qendisun me fije mëndafshi ngjyrë të kuqe dhe në mes ari, dhe vihet kur grueja del me shetitë. Ajo mbëlon me nji shestini rreth fëtyrës, me krahët, krejtë të perparmen e trupit.
gj.  Japanxha në të kuq të kjartë cohe, pa mangë, mbëlon trupin deri në gjuj dhe ka nji jakë permbrapa që hidhet mbi krye dhe lidhet nen mjekerr me nji fije tertili të artë. E perparmja e hapun asht e qendisun në dy anët e kapakëve me lule të mëndafshta ngjyrë të verdhë, të kuqe e të qielltë, dhe ka në dy anët e supeve xhufka të mëdhaja me po ato ngjyra, të cilat derdhen mbi krahë.
l.   Parzma ka per stoli gushoren (gjerdan a kolanë) dhe varsen per dupa, sinxhirin e sahatit me kapakë ari, në veshë ka vathët e vjerruna, në gishta të dorës unazat me gurë dhe, në kyq të dorës bylyzykët. Gjithë stolia xhevahiresh të argjentarëve zanatçi shkodranë.”...
     
Kostume Shkodrane nga Piktori Kolë Idromeno

Grueja shkodrane, me atë veshje madhshtore të saj ka ndejë perkrah burrit, i veshun ky jo me tirqi të bardha, qi asht veshja e pergjithëshme e Maleve të Veriut të Shqipnisë, por me brenavekë të zezë, kur si grueja që zavendsoi ragjen në brenavekë, poashtu, brijë burrit që edhe ky, zavendsoi shallvarët cohe të kuqe me brenavekët. Gjithashtu mbështolli inat me brez mëndafshi me ngjyra. Veshi anteri kumashi të kuq me vija të zeza të qendisun me tehri. Në parzem të burrit, këmisha e rrahun e ngrime në ujti me perrreth sumbullat e mëndafshta vezake të arta ose të zeza, me majuca të kuq të kapakëve të anterisë. Në qafë qafëzen e ngrime, e rrahun në ujti me kravatë të mëndafshët  të zezë, të lidhun flutur, të cilat zevendsuen gryken e këmishës harkate e punueme me gjylpanë e shtrime perrreth qafës; jeleku cohe të kuqe i punuem nga terziu me tehrie lule dhe në buzë të jashtme të kapakëve, gjatë tyne të ngjituna sumbulla të arta mëndafshi ose të zeza, dhe në maje të kuqe; në krye fes të kuq të madh me xhufkë që derdhej mbi supa e që u zevendsue me fes të kuq të rrasun mbi krye (tanuz), gjithnji me xhufkë të madhe të kaltert, sahat me zinxhir perrreth qafës dhe revolver me dorezë sermi të punimit të argjentarit.

Kjo veshje e grues dhe e burrit fillim e mbarim kuq e zi të Flamurit Kombit, dhe karakteristike në të gjithë Ballkanin, per atë bukuri stolinash asht njoftë e vlersue në shkrime e botime europjane si në Vjenë, Budapest e Triestë, Venedik e Romë të shetinave shkodrane të hershme e të vona, në krejt Dalmacinë, Bosnjen e Malin e Zi, ku puntorë zanatçi shkodranë per veshje kombtare, kerkoheshin e punojshin veshjet e popullit të tyne.
Familja e Krajl Nikollës së Malit të Zi, asht sherbye per veshjet e mbathjet nga zanatçi shkodranë si, po permendi ata ma në za si kje: Gjon Gjo Kola e Lazer Çefa, të cilët, edhe u kanë mësue fëmijve të asaj familje edhe gjuhen shqipe, të cilët e kanë folë edhe në moshen e tyne madhore, si Elena, mbretnesha e Italisë.
Në Boston të Amerikës, asht njoftë veshja e grues shkodrane me anë të së shoqes së burrit Kini i Mati Kokës, i vuem, si thotë Imzot Noli, nga shqiptarët e atyshem, në mbrojtje të tij nga frika se mos e vrasin grekët, per ndamjen e Kishës me themelimin e Kishës Autoçefale Ortodokse Shqiptare, me liturgji në gjuhen shqipe, nga ajo greke të propagandës së Jugut të Shqipnisë, si Vorio – Epir grek.
Ajo grue e hishme e Kinit Mati Kokës, në veshjen e saj shkodrane si në paraqitjet, në pritjet në shtëpi dhe në shetitjet jashta shtëpijet asht qitë në fotografi nga fotografi Marubi i Shkodres, dhe asht perhapë me kartolina të shtypuna të Alterocca – Termi i Italisë. Rishtypë tash vonë në nji botim të nji artikulli të filologut Dr. Eqrem Çabej, në revisten “Knjiga o Balkani I” e Belgradit, me emertim “Zivot i običaji Arbanasa” (Jeta dhe doket e Shqiptarëve), me të cilën rishtypje ka ndriçue veshjen shqiptare me veshjen e grues shkodrane.
Si para tij asht edhe në botimet e permenduna të konsujve të Francës së Shkodres Heqvard e Degrand, të Inglizës Miss Edith Durham, të austriakut Theodor Ippen e të hungarezit Baron Dr. Franz Nopcsa. Me atë veshje të grues shkodrane madhshtore të artit punës dhe e pasun stolinash të mëndafshta e të arta, gratë e hueja Konsujsh e të tjera, e kanë pelqye të dalin në fotografi të Atelierit fotografik Marubi, dhe të zbukurojnë odat e pritjes kudo në vendet e tyne.
Sot, këtu në Shkoder, nuk shifet ma, asht ndrye në arkat e nusisë së plakave në Muze, pse edhe ajo kohë e artë e qytetit asht kthye në ate të thjeshtë të veshjes frenge, e pergjithshme në mbarë qytetin. Ka mbetë tash në veshjen e Maleve e të katundeve të ndrituna me ato stolina sermi në parzmat e tyne e qendisjet e tyne, nanë e bij, në të cilen, gjithnji ruhet ajo ngjyrë kuq e zi e Flamurit të Kombit, i perjetsuem në atë petk shajaku, në koret, kuq në pjesen e siperme e të fundit, dhe zi në mes të petkut.
Janë per t’ u kujtue per punen e artit të tyne të veshjes terzitë, mjeshtra Gjok Baba, Mati Tukja, Kolë Raboshta, Mati Ujka, Gjon Shahini e Zef Nikoll Gera, i qitun ky me puntorët në kartolina nga fotografi Marubi, me nja 40 puntorë zanatçi në dugajtë e tyne të qytetit per veshjet e grave dhe të burrave.
Në Pazarin e 2000 e sa dugajve per veshjet e Maleve e të katundeve në sokakun e veçantë, i quejtun i “Tallaganxhijëve”, ishin Filip e Jakë Beni, Shan Çefa, Gjon Curani, Kolë Bazhdari, Simon Kadarja, qi kje edhe poet nen pseudonimin Dimo Akasari, me vjerrshat e tija në të perkohshmen shqip “Albania” e vjetit 1897 e ma vonë.
Argjentarët per vathë e unaza, bylyzykë e stolina të parzmave të grave, çibukë, zinxhir sahatash, doreza armësh, kutija duhani e cingarishte me të tjera filigrane, si në qytet Tuk Jakova, Pjeter Logoreci, Kristo Jakova, Pjeter Bedeni, dhe në Pazar, në sokakun e quejtun i Kujxhijëve ishin: Cin Jakova, Gjon Cepi, Nush Cepi, Luigj Bedeni.
Mendova me ju dhanë nji pasqyrë sa ma besnike të veshjes shkodrane, tue pa të persëritun lanjen e saj mbasdore me Albumin e Artit Popullor të Shqipnisë, dhe e shemtueme në këte çfaqje Festivali Folklorik Kombtar në Gjinokaster të këtij vjeti 1978.
Me shpresë se interesimi i Juej, si drejtuer i Institutit të Folklorit, nuk do ta lejojë ma, të persëritet ma ajo paraqitje e veshjes së grues shkodrane në atë mënyrë të shemtueme,
                                                                  me nderime ju pershndes,
                                                                        Gjon Kamsi (firma d.v.)
Drejtuesi: Rruga Sumej, nr. 114
                  Shkoder

Shenim nga F. Radovani: Letra asht kopjue pa asnjë ndryshim nga origjinali.

                                             Theksimi në fund asht ba nga ana ime.

 

Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë
Akademia e Shkencave
Instituti i Folklorit       Tiranë, me 16.XI.1978
Shokut Gjon Kamsi     Shkodër

Letren tuaj në lidhje me vrejtjet rreth kostumeve të grave shkodrane e mora.
Ju falemnderit. Shënimet tuaja janë interesante, por që ato kanë probleme që duhen studjuar.
Si duket nga shënimet tuaja ju keni njohuri të mira për kostumet e qytetit të Shkodrës.
Do t’ ju sugjeroja që ato ti zhvillonit në një punim më të gjatë, me ilustrime e vizatime me ngjyra.
Nga ana tjetër të mund të gjenit fotografi në banorë të Shkodrës, dhe një kopje t’ ia dergonit sektorit të etnografisë pranë Institutit të Historisë, që ka punonjës që merren me veshjet.
Unë si Kryetar i Komisionit për veshjet kombëtare, letrën tuaj do t’ ua kaloj etnografëve të sektorit të etnografisë, të cilët mund t’ u sugjerojnë për metoden e studimit mbi veshjet për të cilat bëni fjalë, si dhe për të dhenat rreth mjeshtrave që kanë prerë, qepur e qendisur kostume të tilla.
Drejtor (Zihni Sako) firma, vula.


Zotni Gjon Kamsi,
Mendoj se:
Perderisa ka probleme që duhen studjue, duhet t’ ishte në festival, mbasi nuk besoj se ka ndonjë kostum që s’ ka probleme...
Sugjerimi për një studim ma të gjatë asht i vlefshem per studjuesit e sektorit etnografisë së Institutit të Historisë, të cilëve, do t’ jua kishte anda me e marrë gati, bile edhe me ilustrime, vizatime e materiale fotografike.
Etnografët e sektorit etnografisë, të cilët, mund t’ ju sugjerojnë metodat e studimit, do të bajshin mirë me e lexue nja 3 herë letren Tuej, e mandej me mësue prej saj.
Ju falnderoj per kopjon e dorshkrimit të këtij materiali, të cilin, unë do t’ a studjoj me shumë kujdes, do të punoj vizatime dhe do t’ a ruej shumë, mbasi per kohen e ardhëshme ky asht brilant i kostumit shkodranë.
Me shumë respekt Fritz Radovani.
Shkoder, 30 Maji 1981. 


Shenim nga FR: Duhet shenue se n’ aktet Burrnore të Shkodranit nderuem Gjon Kamsi, mbetet në memorjen e Historisë së qytetit Martir të Shkodres, letra e Tij, drejtue në maje të kupoles së terrorizmit komunist anadollak, per “shpetimin e shkatrrimit të Vorrezave të Rrëmajit”; një projekt disa herë i menduem dhe i projektuem nga shteti...mbas 1967.

Kenja e atyne Vorrezave sot, i dedikohet guximit të pashoq t’ Atdhetarit Gjon Kamsi. 


Melbourne, 2014.

07 September 2014

Maks Velo: Pse jam antiverior e antimysliman

Maks Velo: Pse jam antiverior e antimysliman

maks-veloKjo intervistë do të mrrolë shumë fytyra ose do të anashkalohet me togfjalëshin “prapë ky i çmenduri!”. Sido që të jetë, Maks Velo është një nga të paktët, në mos i vetmi që i shpëton mbërthimit të hekurt të të qenit politikisht korrekt. Pra flet troç ose ‘speaks his mind’ për të përdorur një term të anglishtes (shumë fytyra po rrudhen tashmë nga ky jopurizëm në gjuhë ose shitmendje me anglisht). Për t’iu përgjigjur pyetjes së tij ‘sa janë veriorët gegë?’ duhet një epos më vete. Por për të antiprovokuar pa u munduar të jem politikisht korrekt, mund të them se veriorët (apo gegët në daç) nuk i gjymtojnë apo masakrojnë kurrë të vrarët e tyre. Ata e duan të bukur kufomën e kundërshtarit të vrarë! Në Korçën e zotit Velo, për shembull, vrasje ndodhin ndoshta jo rrallë, por makabritetet e plotësojnë këtë vakuum. Apo jo?!

-Ju duket se keni padurim ndaj bedenave, miteve, Kanunit, ndërkohë që flisni për vlerat e pazëvendësueshme të trashëgimisë. A mos e keni fjalën për një trashëgimi vetëm të krishterë e posaçërisht ortodokse, pra kishat e ritit bizantin, ikonat e afresket? A mos jeni për një Shqipëri paraosmane? A nuk është kjo e pamundur?

Kështu si e bëni Ju pyetjen, sigurisht është e pamundur. Kur një njëri numëron pasurinë e fillon nga ato më me vlerë, në fillim diamantet, pastaj florinjte, pastaj eurot dhe në fund leket. Pasuria e një kombi merr në konsiderate në radhë të parë ato me të çmuarat. Kodikët e shekullit 6 dhe 9-të, Epitafi i Gllavenicës, ikonat ( mbi 5000 – je) dhe afresket (ndër to edhe ato të Rubikut ). Nëse këto janë Ortodokse për mua ka pak rëndësi, këto janë sikurse janë katër B–të e mëdhenj Budi, Buzuku, Bardhi dhe Bogdani.
Këto vepra që përmenda janë prodhim i Bizantit Ballkanik, atelietë ishin lëvizëse nëpër manastire. Piktorët ikonografë lëviznin në gjithë siujdhesën. Sot janë një baze për të bashkuar gjithë Ballkanin Perëndimor drejt Europës. Por mos harrojmë MARUBIN e madh dhe shumë të çuditshëm për nga moderniteti. Kanuni është një nga Opuset më madhore të Drejtësisë Mesjetare, është një nga kodet bazë të drejtësisë botërore. Është klasifikimi dhe kodifikimi i jetës se kaluar. Por duhet të mbetej një Opus shkencor. Kur aplikohet sot në Veri, tregojmë se nuk kapërcejmë dot Mesjetën. Ne po bisedojmë për Trashëgiminë, dhe nuk zgjidhen dot kohët, epokat, territoret, por vlerat. Onufri është në kohën osmane, por ka një iluminim perëndimor.
Mitet janë ëndrrat e popujve, pa to nuk deshifrohet dot historia.
BEDENAT? Kemi Kalanë e Shkodrës, të Lezhës, të Krujës, atë të Beratit dhe atë të Gjirokastrës.
Janë të dëmtuara dhe kur shkon sikur do të ikësh sa më parë, nuk po arrijmë dot t’i bëjmë të lakmuara.

E jeni antigeg ju, zoti Velo?

Jam antiverior, jo antigeg. Kur isha i vogël, në Korçë afër shtëpisë ish një dyqan kinkalerish, i Geges, quhej. Pronari ish një plak i urtë, i dashur, zemërgjerë, kështu do mbesin në përfytyrimin tim Gegët. Si shegët me një lëng të kuq brenda dhe të bukura për të pikturuar natyra të qeta. Shega ndofta edhe përfaqëson gegërinë. Vazhdoj të vizatoj prej 50 vitesh gratë me xhubleta, është ajo që më lidh direkt me kohët homerike. Tani vijmë në Veriu. Fushë-Kruja, a e pe si stafi sigurues i presidentit Bush i hoqi orën nga dora, nga frika se mos ia vidhnin fushëkrujasit?
Laçi? Janë rrezuar ose dëmtuar 36 shtylla të tensionit të lartë, si është e mundur? Vrasjet, edhe ditën e zgjedhjeve të 23 Qershorit të kaluar? Bëj një listë sa kriminelë ka Laçi, Fushëkuqja, Lezha, Shëngjini, Rrësheni, Bajram Curri etj., etj. Shkodra kish 10 vrasje në 6-mujorin e parë, asnjë në Korçë. Kriminelë kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Sa nga Veriu janë në burgjet shqiptare dhe të huaja? Veriu është bërë tmerri i Europës.
Dukagjini kish mbjellë 115.000 rrënjë kanabis, gjuajti edhe policinë dhe dëmtoi helikopterin. Kukësi nuk paguan energjinë elektrike, e paguajmë ne për ta. Në Lurë kanë prerë gjithë pyllin. Tropoja ka mbi 150 vrasje, kanë vjedhur edhe një bankë në Angli. Vumë një verior, Berishën dhe na shkatërroi me themel.
Dy janë treguesit kryesorë. Krimi dhe dëshira për punë. Ky bën edhe bilancin. Pastaj më drejto pyetjen mua. Tani po ju drejtoj unë një pyetje: sa janë veriorët, gegë?

Po antimysliman?

Po, jam antimysliman. Jam prej 500 vitesh. Kam qenë luftëtar krahas Skënderbeut dhe jam vrarë nga hordhitë osmane. Islami nuk ka ardhur si fe apostolike, paqësore në tokat e Arbërisë. Islami është fe që është përhapur me dhunë. Islamin e sollën Hordhitë osmane. E shënova me H të madhe se ato ishin hordhi të padëgjuara. Europa kish dëgjuar për hordhitë e cingis Hanit, po ishin më të dëgjuar. Këta donin të gjunjëzonin kontinentin e vjetër, kulturën më të përparuar. Dëmi i tyre është kolosal. Dhe veçanërisht i yni. Osmanët për 500 vjet vetëm na shkatërruan dhe shkretuan. Prandaj jemi sot kështu që nuk po e marrim dot veten. Islami edhe sot është e vetmja fe e dhunës. Nga Afganistani në Libi. Gjithë ajo hapësirë nuk gjen dot paqe. Dhe po tmerron botën. Xhihadistët kosovarë na kanë poshtëruar si asnjë tjetër me Skënderbeun monstër. Këtë nuk ua fal dot kurrë. Kanë 500 vjet që e urrejnë Heroin tonë. Por nuk do të ngrihen kurrë dot mbi të. Nuk do të ndajnë kurrë dot prej tij. Sepse ai është garancia që na bashkon me Europën, me krishterimin. Prandaj ata duan ta presin këtë lidhje. Ata urrejnë dhe fyejnë Nënë Terezën, që është shenjtorja jonë, filozofja më e madhe që ka nxjerrë Ballkani. Ata duan shkatërrimin e çdo trashëgimie të krishtere. Po mos ishin ata, Shqipja nuk do të ish një nga 5 gjuhët (e vetmja gjuhë e një populli të vogël) në përkthimin e deklaratës për formimin e Kalifatit. Nuk ka fyerje më të madhe për ne dhe për Shqipen. Ata pretendojnë se Shqipëria është pjesë e Kalifatit.
Lavdërim Muhaxhiri, ish-mysliman kosovar, edhe 120 xhihadistët e tjerë nga Kosova. Edhe ata në Maqedoni dhe në Shqipëri. Islami më tremb se në mënyrë të papritur ka kthime mbrapsht në zona të errëta tmerri dhe mizorish të padëgjuara. Asnjëherë nuk i dihet se ç’sjell.
Islami nuk të jep asnjë garanci. Unë dua dhe vlerësoj fetë paqësore. Kur Islami të bëhet i tillë, nuk do jem më anti-mysliman.

Ju e trajtoni kryeministrin Rama, apo mikun tuaj Edi Rama, si shpëtimtar, por të mos harrojmë se shpëtimin e qytetit nga kioskëzimi e pasoi me betonizimin. 1900 leje ndërtimi në 10 vjet janë dhënë nga Rama kryetar Bashkie, sipas opozitës. Por edhe pa fjalën e saj, ‘Komuna e Parisit’ për shembull, është pasqyrë e këtij dorëlëshimi në kaos…

Nuk duhet të jenë 1900. Me sa di unë janë afro 360, flas për objektet kryesore. Megjithatë ka një pjesë të vërtetë në ato që shkruhen. Por Ju nuk merrni parasysh dy gjëra: të tëra rregullat e shkruara e të pashkruara për administrimin e territorit dhe për Tiranen në veçanti ishin formuluar gjate viteve 1993 – 2000. Ish shumë vështirë të ndaloje mendimin që u ngulit se kam një tokë, dua leje ndërtimi. E quanin zhvillim të pronës. Sepse kjo ish mënyra e re e dembellëkut anadollak. Jetoj me tokën. Është sanksionuar edhe në Kushtetutë. Dhe Rama bëri lëshime, që nuk duhej t’i kish bërë. Tirana dhe Shqipëria është shumë e vështirë për t’u qeverisur. Se e para ish mafia dhe jo parlamenti që caktoi ligjet e veta. Kur them mafia nënkuptoj të gjithë ne. Një popull që nuk do punën, do me patjetër shkeljen e çdo ligji. Po Rama ka kohë që edhe ato që ka bërë gabim t’i korrigjojë. Këtë presim të gjithë.

Çfarë ju trishton më shumë në Shqipëri sa i takon profilit të saj arkitektonik? Çfarë është një gjë që nuk mund të zhbëhet më?

Janë dy. Kaosi urban dhe mungesa e çdo sensi estetik. Kjo e dyta është më e rëndësishme: SENSI ESTETIK. Po nuk pate një intuitë estetike je i marrë fund. Kjo vjen me një edukim mijëvjeçar. Ne, fatkeqësisht nuk e patëm. Osmanët nuk e kishin. Të gjithë popujt orientalë nuk e kanë. Ky është dëmi më i madh që pësuam në 500 vjet nga pushtimi osman. Asgjësimi i nervit estetik. Pa të nuk bën dot asgjë: as qeveri, as shtet, as qytet, as katund, as rrugë, as pyje, as lumenj, as ujqër, as arinj. Në Europë edhe arinjtë kanë sens estetik. Sensi estetik është ekuilibër, është vetërregullim, është frenim, është vajtje intuitive drejt se bukures, është respekt, është adhurim. Neve kjo na mungon. Jemi kaotikë, egërshanë, pushtues pa mëshirë, vetëshkatërrues. Nuk mund të bëjmë dot asnjë fshat, asnjë qytet, palë pastaj një shtet për të qenë.

A e keni parë projektin e ri të qendrës së Korçës dhe a jeni dakord me të, apo rreshtoheni me disa arkitektë nga Diaspora me origjinë nga Korça, të cilët botuan një letër të hapur te MAPO kundër këtij plani?

Nënshkruesit e protestës kishin parasysh vetëm një objekt që po ngrihet në sheshin para Teatrit dhe jo gjithë projektin. Unë kam botuar disa artikuj për këtë temë. Ndërtimi i atij objekti është i paligjshëm sepse Juria Ndërkombëtare, pranoi projektin, por duke specifikuar që ky objekt të mos ndërtohet. Bashkia ka bërë shkelje. 20 metra larg tij është Hotel Grand–i, në katin e 8 të të cilit gati në të njëjtën lartësi mund të bëhet një kafe panoramike. Ashensorët janë dhe jam ngjitur disa herë. Është e njëjta pikë panoramike me atë që po ndërtohet. Përse duhej ky dublim? Në kohën kur bërtasin se nuk kemi fonde dhe duhen kursime, ato qindra miliona mund të ishin shpenzuar për të mbaruar Muzeun e Artit Mesjetar.

Çfarë duhet bërë me trashëgiminë e socrealizmit në pikturë e skulpturë?

Duhet ruajtur me shumë kujdes. Ka shumë vepra nga një prodhimtari e bollshme. Ajo kohë nuk përsëritet më. Duhen mirëmbajtur sidomos ato që janë jashtë në natyrë: mozaikët dhe skulpturat. Po ashtu edhe piktura dhe grafika që janë nëpër muzeume dhe koleksione private. Këto ditë çova në shtyp një Album GRAFIKA E REALIZMIT SOCIALIST në SHQIPËRI. Besoj se del deri në fund të muajit. Është një botim enciklopedik, me 149 autorë dhe 970 vepra, vizatime, gravura dhe pllakatet. Është një punë 22-vjeçare, gravurën e parë e futa në dosje në vitin 1992. Aty shihet puna kolosale që kanë bërë artistët, aftësitë profesionale, pavarësisht shtrëngimeve dhe disiplinës partiake. E përmenda këtë për t’Ju thënë se personalisht jam munduar që kjo trashëgimi të ruhet dhe mirëmbahet. Vetëm atëherë mund të studiohet dhe interpretohet.

A ekziston shoqëria civilë në Shqipëri? Në kuptimin e një trupi që i dhemb çfarë ndodh me vendin, jo një lukuni OJQ-sh që shqyhen mes vedi për fonde, që me sa duket përfundojnë në një humnerë të paditur?

Jo, nuk ekziston. Ekzistojnë disa gazetarë që herë mbas here ngrenë probleme që shqetësojnë shoqërinë shqiptare, por kjo jep pak rezultat sepse pushteti nuk i përfill. OJQ–ve u dhemb vetëm vetja e tyre, atë “dhembkën” për vendin e kanë maskim. Ne si popull kemi të zhvilluar në maksimum lojën teatrale, maskimin, hipokrizinë. Kështu janë të gjithë. Pse OJQ-të do ishin ndryshe? Gjoja si të preokupuar ranë në copat e majme të programeve europiane. Punojnë kur formulojnë ato programet e kërkimit të fondeve dhe sa vijnë paret në bankë, mendojnë për herën tjetër. të lodhur zhduken në ca ishuj të vetmuar. Problemet që nuk zgjidhen kur ata i dinë mirë: jevgjit, fëmijët e rrugëve, homoseksualët, dhe kondicionet e burgjeve.
Meqë europianët përloten shpejt, ata i kanë të gatshme skenat mëshirëplota. Por po të besh një listë të ojeqevistëve e të shohësh apartamentet, vilat, bizhutë dhe pasuritë bankare, kupton se ata dhe ato janë gati të hanë edhe një tavë me mish njeriu pa iu bërë syri terr, por ama OJQ-të nuk i lëshojnë.

Një prej librave tuaj me, le të themi ‘shqetësime arkitektonike’, titullohet “Betonizimi i demokracisë”. Si do ta krahasonit këtë me betonizimin e lirisë në komunizëm, domethënë me mijëra bunkerë e vendstrehime të përhapura në gjithë trupin e vendit nga diktatura e Hoxhës?

Duket sikur njëra dhe tjetra nuk kanë lidhje, domethënë “ betonizimi i lirisë në komunizëm” dhe “betonizimi territorit në demokraci” nuk kanë lidhje. Është e kundërta. Janë të lidhura si sëmundjet në trupin e një njeriu. Betonizimi i lirisë është skleroza që solli betonizimin e demokracisë. Se nuk mund të kesh demokraci kur liria që sjell ajo shkatërron gjënë më të rëndësishme për një shtet, TERRITORIN. Bunkerët e Hoxhës janë asgjë në krahasim me dëmin e vilave të fshatarëve që nuk duan të quhen fshatarë); dhe pallatet e qytetarëve që duan të rrinë gjithë ditën në kafe. Mbaj mend njëherë Berishën që po fliste i entuziastmuar se kish parë gjithë ato ndërtime fshatarësh gjatë një rrugëtimi. Nuk kuptonte Berisha se aty ish vdekja e shtetit, se ndërtimi mund të transformohet në shkatërrim. Sepse ata fshatarë duhet të jetojnë nëpër fshatra të grumbulluara (dhe jo veç e veç) dhe të ndërtojnë banesa me tipologji fshatare një ose dykatëshe sikurse bëjnë fshataret e Francës, Spanjës, Holandës, Anglisë…kështu foli edhe në Sarandë, kur Saranda është shembulli më i tmerrshëm i dhunimit të një dhurate të natyrës.

A mund të kishte një jetë të dytë për bunkerët, dmth a mund të rifunksionalizoheshin si diçka tjetër, apo ‘privatizimi’ i tyre qe i drejtë?

Po, mund të kish. Si dekor, si memorie. Francezët i ruajnë gjithë bunkerët e Luftës së Parë Botërore në Normandi. Konservimi i memories është një nga prioritetet e popujve të qytetëruar europianë. Duhet të ish bërë një rikonjicion dhe përveç atyre që pengonin qarkullimin, bunkerët e tjerë duhet të ishin ruajtur. Më vinte keq kur shihja që i shkërmoqnin për skrap, për t’iu marrë hekurin. Vendstrehimet janë ruajtur më mirë. Më kryesoret janë ky i Bllokut, i Gjirokastrës, i Gramshit. Ato po mund të rivitalizohen.

A mund të jeni dakord me atë se ç’u ndërtua në periudhën e Zogut, koha e dëshmoi si më të sigurtën, më estetiken dhe më oksidentalen? Si përplaset kjo me narrativën që komunizmi desh të nguliste rreth Zogut (nuk di pse mendoj se edhe ju do ta keni përvetësuar një të tillë edhe pse jeni antikomunist) si oriental, satrap, prapanik e të tjera si këto?

Po, por kjo vinte se ishin ndërtimet e para pas një letargjie anadollake. U ndërtuan kryesisht me projekte austriake dhe italiane, ose nga arkitektë shqiptarë që kishin studiuar aty. Kish hapësirë, pastaj mos harroni se Shqipëria nuk ish as 1.000.000 banorë. Me e çuditshmja ish se Zogu donte të bënte mbretëri mbi një katrahurë orientalotribale mesjetarooksidentale-feudale. Mbretëritë kërkojnë popuj homogjenë. Ne nuk ishim dhe nuk jemi të tillë. Prandaj dhe mbretëria nuk pati jetë të gjatë. Po Mbretit Zog nuk ia mohoj ato që i ka bërë mirë.

Çfarë na ka mbetur me vlerë arkitektonike nga koha e Hoxhës?

Na ka mbetur Kinostudioja, që tani e restauruar bukur, shkëlqen sikur është Pallati i Dimrit. Pastaj kemi Hyrjen e Kombinatit, edhe pallatet e Lanës që duhen restauruar, Fakulteti Filologjik që po pastrohet, Muzeun Historik dhe Pallatin e Kongreseve, si dhe “Mihal Durin”, po duhet ruajtur edhe stacioni i Radios me antenën në Kashar. Pastaj kemi sheshin “komunist” në Librazhd që u dëmtua nga hoteli i lartë që u ndërtua aty, kemi Ersekën e padëmtuar, qendrën e Përmetit, klubin e Maliqit dhe të Orikumit, Hotel Turizmi në Gjirokastër. Përmenda vetëm disa.

A mund të veçoni një numër ngrehinash në Tiranën e tranzicionit, që janë estetikisht të bukura dhe kanë njëfarë etike në raport me qytetin dhe njerëzit?

Po përmend Qendrën ABA, Rogner-in, Sheraton-in; Kulla e re e Belgëve, (që Rama thotë është një nga 10 grataçelat më të bukura në botë), Ura mbi Lanë e Belgëve, Fakulteti i Arkitekturës në Universitetin EPOKA, Aeroporti NËNË TEREZA, TEG-u etj.

Nëse do t’i rifunksionalizonit uzinat, fabrikat, kombinatet e kohës së socializmit shqiptar, çfarë do të bënit me to: jo vetëm në kuptimin e biznesit, por sidomos të hapësirës publike apo urbane? Çfarë do të bënit me qytezat e lindura pas ardhjes në pushtet të komunistëve, domethënë me avanpostet ‘industriale’ të socializmit?

Fabrikat, uzinat, kombinatet kanë disa karakteristika dhe veçori që të japin mundësi t’i përdoresh për shumë funksione. Sepse ato kanë hapësira të mëdha, kanë lartësi dhe kanë dritë.
Kjo pyetje ka qenë shtruar për urbanistët dhe arkitektët edhe në vende të tjera europiane, si në Francë, Angli, Gjermani. Ata ndoqën politikën e konservimit të disave për të ruajtur tipologjinë dhe adaptimit të shumicës me funksione industriale ose publike. Po marr një shembull: Uzina e Instrumenteve të Precizionit në Korçë ishte një vepër e përkryer si nga ana e arkitekturës, po ashtu edhe e konstruksionit. Kish hapësira pafund, lartësi të shteteve, e realizuar me materialet më të mira dhe me kualitet të lartë. Atje mund të ish bërë pazari, po ashtu mund të ish futur stacioni i autobusëve dhe taksive. Mund të ishin adoptuar edhe salla ekspozitash. U prish e tëra për qëllime abuzive. Shembull i mirë në Tiranë është Profarma. Duhen shpëtuar ato që kanë mbetur, pastaj duhen studiuar dhe adoptuar.

A jeni fatalist, a mendoni se kemi humbur gjithçka sa i takon pikëpamjes urbane apo arkitektonike?

Po, jam fatalist. I vetëm realitet i vërtetë në Shqipëri është fataliteti. Këtë ma ka mësuar jeta e dhimbshme që kam kaluar. Kjo gjë që ka ndodhur me ne nuk ka ndodhur në asnjë vend, në asnjë kohë, me asnjë popull. Të shkatërrosh territorin në këtë shkallë me anën e ndërtimit. Janë shumë  që duhen prishur nga Shkodra në Konispol. Janë mbi 400.000. Janë tërë qytetet kryesore: Tirana, Durrësi, Vlora, Saranda, Kruja, Librazhdi, Prrenjasi, Shëngjini. Janë qindra mijëra gjatë arterieve kryesore rrugore. A mund të jem optimist?

Çfarë duhet bërë me Piramidën?

Piramidën e prishi një regjisor teatri, atëherë ish këshilltari i një ministri kulture. Nuk ka më të rrezikshëm se artistët kur ngatërrojnë disiplinat. Atij i dukej se teatri ish gjëja më e rëndësishme në Shqipëri. Janë harxhuar fonde për ta prishur kur ajo ish mirë e bukur. Kish nevoje vetëm për një riparim sepse futej ujë dhe pikonte në salla poshtë. Por nga funksioni ish perfekt, ish polifunksionale. Tani duhet caktuar një grup pune për ta sjellë në gjendjen e parë. Kjo mund të bëhet. Ne për fantazira shkatërruese jemi shumë të aftë.

Çfarë duhet bërë me magazinat apo ndërtesat karabina në përdorim fragmentar që shtrihen në dy krahët e rrugës që të çon në Kinostudio dhe Porcelan?

Sigurisht, kështu apriori nuk mund të sugjeroj gjë. Duhen studiuar me kujdes, por ajo zonë ka një traditë artizanati dhe stacionesh televizive, mund të përmblidhen edhe redaksi gazetash, shtëpi botuese, shtypshkronja.

Çfarë mund të bëhet me Krujën që qyteti të rivitalizohet, të rishpiket sepse duket se po vdes edhe si qendër urbane edhe si pikë turistike?

Nuk është e vështirë të japësh mendime për Krujën apo për qytete apo fshatra të tjera turistike, janë me dhjetëra. Do përmendja edhe Ersekën, Leskovikun, Tepelenën, Delvinën, Vithkuqin etj., etj. Vështirësia qëndron në zbatimin e tyre. Janë disa faktorë që japin dënimin ME HARRESË. Ky është ndryshimi i modës së të jetuarit. Që të mbash një qytet si Kruja në këmbë, do popull me ndjenja dhe etika të një shteti të pasur. Nuk i kemi as njërën dhe as tjetrën. Nuk jemi aq patriotë sa hiqemi.

A mund të jepni një ide për funksionalizimin e pikave që janë gjithandej në vendin tonë, dhe ku janë zhvilluar episode të mëdha e tragjike gjatë Antikitetit? Për shembull, janë disa beteja mes Çezarit e Pompeut që nga Shkëmbi i Kavajës e deri në Llogara. A mund të riinskenohet diçka në favor të historisë, trashëgimisë dhe turizmit?

Po është e njëjta pyetje si për Krujën. Të gjithë kur nisen për udhë, mendojnë ku do të pushojnë dhe ku do të hanë. Asnjëri nuk interesohet se çfarë ka ndodhur në këtë hapësirë gjatë historisë. Pastaj ka edhe të tjerë që duan të ndërrojnë historinë. Ne bëjmë një luftë të padukshme, të fshehtë, se nuk jemi popull homogjen. Të njëjtin fakt dy komunitete e interpretojnë ndryshe. Kjo i vështirëson të gjitha, edhe udhëtimin. Pastaj duhet të shpëtosh edhe kokën, se ata 3 studentët çekë që donin këtë gjë, të njihnin malet, i vranë në Veri.

Na thoni një këshillë urbanistike që i keni dhënë kryeministrit Rama dhe ai ju ka premtuar se do ta realizojë?

Unë këshillat i kam dhënë me shkrime. Janë mbi 80 artikuj në 20 vjet. Rama i lexonte të gjitha dhe më ka kontaktuar shpesh. Urdhrat e Ramës për ndërtimet pa leje kanë edhe një kontributin tim të vogël aty. Rama është një njëri që di të vlerësojë dhe respektojë çdo njeri që punon, sidomos ata që janë idealistë dhe profesionin e duan vërtet.


04 September 2014

Për gjuhën shqipe- nga Skifter Këlliçi


Shkrimetari dhe publicisti Skifter Këlliçi 

Për gjuhën shqipe




Nga Skifter Këlliçi,  

 Kur gjatë një bisede me disa miq italianë dhe rusë këtu në Boston, ku jetoj 15 vjetësh, po u argumentoja se gjuha shqipe, ashtu sicc pohohej këto ditë edhe në gazetën e madhe amerikane “Nju Jork Tajms” është ndër më të lashtat dhe më origjinalet në Europë, ata u habitën. Por u habitën edhe më shumë kur u thashë se, megjithatë, gjatë këtyre më shumë se 20 vjetëve të fundit pas shembjes së komunizmit dhe vendosjes së demokracisë, në gjuhën shqipe janë shfaqur dukuri negative, ndër të cilat, futja pa asnjë kriter e fjalëve të huaja, në vend të fjalëve të bukura shqipe si dhe gabime të tjera të rënda gramatikore.
Sidoqoftë, nuk u bëri shumë përshtypje kur përmenda depërtimin e fjalëve të huaja, sepse të tilla, sicc më shpjeguan ata, kanë deportuar dhe po depërtojnë dhe në italishte dhe rusishte, dukuri që e kam venë re edhe unë që lexoj vazhdimisht në internet shtypin italian dhe rus, sidomos sportiv me të cilin më lidh një pasion i vjetër.
 Por kur përmenda se puna ka arritur deri sa kohët e fundit një grup prej 20 intelektualësh, akademikë, profesorë, shkrimtarë dhe artistë, t’i drejtohen edhe e kryeministrit që edhe t’i dalë në mbrojtur gjuhës shqipe, ata ngritën supet. Nuk mund të përfytyronin që në ditë tona një grup i tillë intelektualësh në vendet e tyre t’i drejtoheshin drejtuesve më të lartë të vendeve të tyre për probleme gjuhësore të këtij lloji, të konsoliduara prej shekujsh.
Mirëpo, për fat të keq, kjo ndodh në Shqipërinë e sotme. Ndaj, me këtë rast, pasi ripunova një shkrim të botuar dikur në shtypin tonë për këto probleme dhe për çudi më shkurtime barbare të redaktorëve të saj, thua se po shkruaja për rritjen e… gomerëve, po ua paraqes lexuesve, të cilët do të njihen me disa nga gabimet gjuhësore, për të cilat shqetësohen intelektualët dhe vetë opinioni ynë publik.
 Por së pari, po u kumtoj lexuesve se është për të ardhur keq që studiues të huaj, që me këmbëngulje dhe pasion kanë mësuar shqipen, në shkrimet e tyre nuk i lejojnë vetes gabime gjuhësore që i vërejmë në mediat dhe botimet tona.
 Vendosja pluralizmit demokratik në Shqipëri pas gati 50 vjetëve të diktaturës komuniste, nuk do të thotë që edhe në gjuhën shqipe të vendoset një “pluralizëm demokratik” ashtu si, për fat të keq, e perceptojnë shumë nga mediat e të gjitha ngjyrave, TV-të, si edhe disa nga shtëpitë botuese në Shqipëri.
Ky biçim “pluralizmi…gjuhësor”, i cili ka nisur pas vitit 1991, ka sjellë si pasojë që gjuha shqipe, e shkruar dhe e folur në këto institucione, të ketë gabime, të cilat mund të viheshin re gjatë periudhës ‘20-‘40-të, të shekullit të kaluar, kur në Shqipëri ende nuk ishin vendosur normat e drejtshkrimit.
 Ndonëse për këto probleme është shkruar dhe vazhdon të shkruhet në media nga personalitete të shquara në fushën e gjuhës shqipe, për ironi të fatit në shumë prej tyre, sidomos televizive, vërehen po të njëjtat gabime gjuhësore, të cilat, madje, për fat të keq, edhe janë shtuar.
 Në këtë shkrim do të ndalem në gabimet më tipike që vihen re në të shtypin e ditës:
 1-Mënjanimi thuajse i plotë i kohës së kryer e thjeshtë të mënyrës dëftore të foljes:
“Dje presidenti Nishani ka deklaruar… “, kur duhet shkruar dhe lexuar edhe në mikrofon, ose kamera: “Dje presidenti Nishani deklaroi…”.
Dhe kjo, sepse e kryera e thjeshtë tregon një veprim të përfunduar plotësisht para çastit të ligjërimit, ose një gjendje, a veprim të kaluar. Kurse e kryera tregon një veprim, a gjendje të kaluar, në mënyre të tillë që rezultatet janë të pranishme edhe në çastet e ligjërimit. (“Fjalor i gjuhës shqipe”faqe 897, 1981).
Mendoni për një çast sikur ky shtrembërim të bëhej normë në veprat letrare!..
Po shkëpus një dialog të shkurtër nga vepra “Përballë pasqyrës së një gruaje” të Kadaresë, (faqe 148).
-Është krejt ashtu,-i thashë
-Bëjnë sikur na kanë harruar, po mendjen e kanë te ne, -përsëriti ai ngadalë… .
Shkrimtari ynë i madh, si çdo shkrimtar tjetër shqiptar, ka përdorur foljet them dhe përsëris në kohën e kryer e thjeshtë, pra ai shkruan: thashë dhe përsëriti.
Mendoni se sa do të qeshnim, sikur Kadarea të shkruante:
 -Është krejt ashtu, -i kam thënë.
-Bëjnë sikur na kanë harruar, por mendjen e kanë te ne, -ka përsëritur ai.
 2-Zhdukja e pjesëzës “të” në kohën e ardhme e tashme të mënyrës dëftore të foljes:
Do shkojmë…” dhe jo:”Do të shkojmë.., .ose: “Do e bëjmë…” dhe jo: “Do ta bëjmë..”
Madje edhe në tituj artikujsh!..
 3-Mënjanimi i trajtës së shquar të emrit, madje edhe gjatë lakimit:
Bush bisedoi me Putin.”, kur duhet shkruar : “Bushi bisedoi me Putinin.”(Pas parafjalës “me” duhet të përdoret rasa kallëzore).
 4-Përdorimi ndajfoljes “pavarësisht” si parafjalë në rasën rrjedhore:
Pavarësisht rezultateve të arritura…”, kur duhet shkruar: “Pavarësisht nga rezultatet e arritura…”
Çuditërisht kjo dukuri po bëhet vitet e fundit normë në mediat tona dhe përbën një gabim të pajustifikueshëm.
 5-Përdorimi i gabuar i disa foljeve në mënyrën urdhërore, veta e parë, kur në vend të tyre duhet të përdoret mënyra përcjellore.
P.sh.:Të gjitha delegacionet, përjashto delegacionin kinez, mbështetën propozimin e delegacioneve të vendeve të tjera…”
Në këtë rast folja “përjasho”në mënyrën urdhërore duhet të zëvendësohet me të njëjtën folje, por në mënyrën përcjellore, sepse askush nuk jep urdhër.
Pra: “Të gjitha delegacionet, duke përfshirë delegacionin kinez…
Mund të përdoret gjithashtu edhe lokucioni me përjashtim të.
Pra: “Të gjitha delegacionet, me përjashtim të delegacionit kinez.. “
E njejta dukuri vërehet edhe përdorimin e foljes përshi:
Të gjithë shokë, përfshi edhe Petritin, erdhën në takim.
Folja përfshij është përdorur gabimisht, sepse edhe në këtë rast askush nuk jep urdhër.
Kjo folje duhet përdorur në mënyrën përcjellore. Pra:
Të gjithë shokët duke përfshirë Petritin.
 6-Shkrimi i fjalëve, termave, titujve, emrave të personaliteteve të huaja etj., sipas drejtshkrimit të këtyre gjuhëve:
“The New York Times”, George Bush, Ollbright…, kur sipas rregullave të drejtshkrimit emrat, titujt dhe emërtimet në gjuhë të huaja duhen shkruar sipas parimit fonetik të gjuhës shqipe, pra, ashtu siç shqiptohen: “Dhe Nju Jork Tajms”, Xhorxh Bush, Ollbrajt…
 7-Nuk po ndalem në një dukuri të shëmtuar, që vazhdon të mbetet plagë në gjuhën tonë:
Vërshimin pa asnjë arsye të fjalëve të huaja në media, për të cilat është shkruar vazhdimisht, shumica e të cilave zëvendësohen fare mirë me fjalë të gjuhës shqipe, si dhe mosrespektimin e shenjave të pikësimit.
 8-Gabime të rënda në titujt e organeve të shtypit ose të TV-ve:
Dy revista javore kanë titujt: “Klan” dhe “Spektër”, disa gazeta, “Metropol”, “Standart”, “Start”, tituj, pra, në trajtën e pashquar të emrit, të cilat duhet të shkruhen në trajtën e shquar: “Klani”, “Spektri”“Metropoli”…, ashtu siç shkruhen, për shembull, titujt e dy gazetave të tjera: “Panorama” dhe “Tema”…Pra, jo; “Panoramë”, “Temë”….
 Mendoni sa për të qeshur do të ishte sikur dy nga revistat më popullore para vitit 1992, “Hosteni” dhe “Nëntori”, të titulloheshin “Hosten” dhe “Nëntor”.
Do të ishte gjithashtu absurde, sikur gazeta italiane “Il Corriere della Sera” të shkruhej: “Corriere della Sera”, gazeta franceze “Le Monde” të shkruhej: “Monde”, gazeta amerikane “The Boston Globe”-“Boston Globe”, pra, pa nyjet e përparme përkatëse “Il”, “Le” dhe “The”, përkatësisht në italishte, frengjishte dhe anglishte.
Në shqip këta tituj do të duhej të përktheheshin: “Korrier i Mbrëmjes”, “Botë” dhe “Glob i Bostonit” dhe kështu do të tingëllonin në mënyrë krejt të panatyrshme.
 9- Një qendër televizive zgjedh titullin “Shijak Televizion” dhe jo “Televizioni Shijak”. Si sëmundje ngjitëse ka, ose ka pasur emërtime të tjera absurde: “Rozafa TV, “Skampa TV”, “Apollonia TV”…..Për pasojë, mos ndoshta ndonjë ditë u dashka thënë Tirana Radio, Shqiptar Televizion…(!?).
Mania për të vënë emërtime me terma nga gjuhë të huaja është bërë “rregull” nga pronarë kompanish, hotelesh, restorantesh, dyqanesh…, sa që pandeh se nuk ndodhesh në Shqipëri, por në një vend të huaj.
Dhe të mendosh se ka vende të huaja, të cilat me vendime qeverie ndalohet rreptësisht përdoromi i emërtimeve të huazuara nga gjuhë të huaja.
Gabim të rënda gjuhësore në vepra të disa shtëpive botuese
Por e keqja më e madhe vërehet në botimin e librave, ku me përjashtime të rralla, mungon emri i redaktorit dhe korrektorit letrar. Si rrjedhim, librat botohen me gabime gjuhësore.
Ka drejtues shtëpish botuese, pa përjashtuar, që, siç duket, duan të kursejnë në kurriz të gjuhës dhe kështu parapëlqejnë që librat e të gjitha llojeve t’i botojnë pa ua nënshtruar redaktimit dhe korrekturës letrare dhe gjuhësore. Madje rastis që në një vepër letrare mund të gjesh vetëm emrin e…recensuesit(!?).Për redaktor a korrektor letrar, as që bëhet fjalë. Gabime gjuhësore vërehen sidomos në veprat e përkthyera dhe botuara nga disa shtëpi botuese. Ka përkthyes që njohin mirë gjuhët nga të cilat i përkthejnë ato, por nuk njohin mirë gjuhën shqipe. Si pasojë, gjuha e këtyre veprave paraqet dobësi të theksuara.
Me këtë rast do të përmend vetëm një rast: Romani “Kodi i Da Vinçit”, i shkrimtarit të njohur amerikan Dan Broun, me sa di është botuar nga dy shtëpi botuese. Në njërën, përkthyer nga një krijues i talentuar, fatkeqësisht ka gabime të mëdha gjuhësore dhe logjike. Duket se libri nuk ka kaluar fare në procesin e redaktimit gjuhësor dhe korrekturës letrare.
Por edhe më e rëndë kjo dukuri vërehet në “Fjalorin Frazeologjik Italisht-Shqip”, vepër e autorëve Naim Balla, Eshref Ymeri, Irena Ndoci, (Lama).Gabimet në këtë fjalor janë shumë të rënda. Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe, kur njëra nga korrektoret letrare, ka mbaruar studimet për… rusisht, madje në kohën kur është botuar kjo vepër me vlera, ka punuar korrektore letrare në një nga shtëpitë botuese të librit shkollor dhe do të ishte absurde po të vazhdonte të punonte përsëri aty.(!?)
 Është e habitshme se si drejtuesit e kësaj shtëpie botuese kanë mbyllur sytë para këtij veprimi, kur e kishin për detyrë të gjenin plot redaktorë që kanë mbaruar studimet për gjuhë-letërsi shqipe në UT ose universitete të tjera. Është dhe më e habitshme që Ministria e Arsimit dhe Sporteve të mos bëjë kontrolle që elementë të tillë të zëvendësohen me specialistë të zotë të gjuhës shqipe.
Ndodh, gjithashtu, edhe një dukuri tjetër: ribotohen vepra të përkthyera, që janë botuar dekada me parë, sidomos para se të vendoseshin përfundimisht rregullat e drejtshkrimit, (shtator 1972), por pa kurrëfarë redaktimi, a korrektimi. Si pasojë, vende-vende, ndonëse këto vepra, të përkthyera nga shqipërues të njohur dhe me përvojë, kanë nivel të lartë artistik dhe gjuhësor, çalojnë nga ana drejtshkrimore.
 Për më keq ndodh që një vepër e përkthyer, qoftë edhe nga një përkthyes më përvojë, nuk i nënshtrohet redaktimit dhe korrekturës gjuhësore.
Gabime gjuhësore vërehen gjithashtu edhe në përkthimet e dialogjeve të filmave të huaj që shfaqen në televizionet shqiptare.
 Nga këta pak shembuj del në pah një dukuri shumë shqetësuese: gjuha e shkruar, ose e folur edhe në mediat elektronike, si dhe gjuha e librave, jo vetëm nuk është përmirësuar, por, për , mjerisht, po shfaq të meta që kurrë nuk janë vërejtur në botimet e të gjitha llojeve gjatë periudhës komuniste.
 Na vjen ose nuk na vjen mirë, por duhet të pranojmë se në atë periudhë, edhe në gjuhë kishte “diktaturë”, por në kuptimin e mirë të fjalës. Por kjo “diktaturë” ishte e domosdoshme. Nga të gjitha shtëpitë botuese, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Shtëpia Botuese “8 Nëntori’, Shtëpia Botuese e Librit Shkollor, Shtëpia Botuese e Librit Universitar…Mjekësor, Bujqësor, Ushtarak, si dhe se fundi, Shtëpia Botuese e Lidhjes së Shkrimtarëve, asnjë vepër nuk mund të botohej, pa iu nënshtruar rreptësisht redaktimit dhe korrektimit letrar dhe gjuhësor. Madje, edhe korrektimit teknik në shtypshkronjë. Dhe, në qoftë se pas këtyre proceseve ndonjë libër do të kishte gabime, cilado shtëpi botuese, në bashkëpunim me shtypshkronjat, ishte e detyruar të shtonte në fund të tij një fletë-korigjimi. Dhe kjo, për të respektuar lexuesin dhe gjuhën shqipe.
 Gjithashtu, çdo , shtëpi botuese, veçanërisht Shtëpia Botuese e Librit Shkollor ishte e detyruar të kishte në organikën e vet redaktorin, ose korrektorin letrar. Madje me përvojë.
Po kështu dhe në RTVSH kishte një redaktor që kontrollonte titrat dhe dialogët, të përkthyer nga filma te huaj.
Edhe Këshilli i Ministrave kishte gjithashtu një redaktor që merrej me redaktimin gjuhësor të “Gazetës Zyrtare” dhe të urdhëresave më të rëndësishme të dala nga prej tij, në mënyrë që të mënjanoheshin gabimet e mundshme gjuhësore. (Do të ishte çudi që të mos ishte edhe sot një redaktor i tillë).
Veç këtyre, herë pas here në shtyp botoheshin rubrika për pastërtinë e gjuhës dhe për probleme te tjera, të cilat ritrajtoheshin më thellë në revistën “Gjuha Jonë”. Por habitërisht kjo revistë, botimi Akademisë së Shkencave, ka vite që ka pushuar së ekzistuari, thua se problemet drejtshkrimore dhe gramatikore të gjuhës shqipe tashmë janë zgjidhur përfundimisht.(!?).
Mendoj se që gjuha shqipe të shkruhet sa më pastër dhe pa gabime, duhen marrë këto masa”:
-Çdo organ shtypi, ose shtëpi botuese të ketë detyrimisht në organikën e vet redaktorin letrar a gjuhësor, emri i të cilit të publikohet në të gjitha botimet e tyre. Dhe çdo redaktor të këtë si kuran “Fjalorin Drejtshkrimor të Gjuhës Shqipe”, botim i Akademisë së Shkencave.
 -Në fakultetin e gazetarisë te UT-së, në qoftë se nuk janë përfshirë deri tani, të përfshihen programe të gjuhës shqipe, sidomos një program i detajuar i rregullave të drejtshkrimit.
Besoj se kështu në një të ardhme të shpejtë në shtypin tonë të shkruar dhe të folur, si dhe në botimet e librave do të kemi përmirësim të dukshëm të nivelit gjuhësor. 
“Nuk na lejohet të shkelim dhe të zhvlerësojmë veprën e ndritur dhe të shenjtë të lëvruesve të gjuhës shqipe dhe të gjuhëtarëve atdhedasës, -shkruajnë intelektualët e sipërpërmendur në letrën drejtuar kryeministrit , -që me punën ngulmuese dhe dituritë e tyre ndërtuan kodet themelore të këtij mekanizmime vlera të pacmuara”.
 Ta shkruajmë gjuhën amëtare sa më mirë, kjo është detyrë atdhetare e cilitdo shqiptari. Mbi të gjitha, e gazetarëve, publicistëve, shkrimtarëve, nga krijmtaria e të cilëve mëson secili nga ne, mëson qytetari shqiptar kudo që ndodhet.

Koha Jonë, 4 shtator 2014