25 November 2014

Intervistë me Danish Jukni - nga Gazmend Krasniqi

DANISH JUKNI  / 19 qershor 1934 - 3 shkurt 2003
 Danish Jukni
“Jeta e patriarkut të tablosë Shqiptare”
 
Intervista e fundit.
Nga
Gazmend Krasniqi


Pesë vitet e fundit të jetës së tij Danishi kaloi një sëmundje të rëndë, ku edhe në gjendjen më optimale, pati regjim shtrati, porse pa ia prekur mendjen asnjë hije turbullimi, gjë tepër munduese për një njeri që ka kërkuar gjithmonë të marrë më të mirën nga jeta, prandaj e ka pritur me ngulm rehabilitimin e shëndetit. Ai përmendte një foto të Renuarit, në të cilën piktori impresionist e ka lidhur penelin për dorën e paralizuar dhe vazhdon të pikturojë, çka tregon se është arti ai që e mban një artist të lidhur me jetën. E kujtova këtë histori për të treguar se pas rehabilitimit shëndetësor Danishi mendonte të punonte dhe jo të jepte intervista, të punonte dhe të mos fliste për punën, ashtu siç ishte bërë gjatë gjithë karrierës së tij të gjatë artistike. Me sa di, intervistat nuk kanë qenë në natyrën e tij: njëherë një shkrimtar-gazetar ma pat shfaqur ankimin e vet për këtë natyrë të Danishit, gjë që për mua, sigurisht, s’përbënte asnjë habi. A fliste Danishi? Piktori shkodran, Franc Ashiku, njeri me kulturë dhe i shijes, më pat treguar se kur njëherë u përmend Van Ejk, Danishi nuk foli, por bëri një poezi. (Çka të kujton shprehjen e Bodlerit se, të flasësh për pikturën moderne, është të bësh një poezi). Piktori i mësipërm më ka treguar një tjetër histori, se si pas një dite pune në Tiranë, Sali Shijaku, piktori më i famshëm i asaj kohe, i thoshte para hotelit: ia kishte lakmi që kishte fatin të rrinte me Danishin. Qysh herët, kam njohur njerëz që thoshin se duhen mbajtur shënim ato që thotë një pedagog si Danishi, kaq admirim zgjonte ai në rrethe të caktuara, por ai vetë, si të gjithë njerëzit e ditur, kishte plot dyshime për konceptet, edhe të aprovuara, të dijes. Një ilustrim për këtë, bie fjala, është çasti kur thoshte gjëra si këto: s’kam parë as Egjiptin, as Greqinë. Danishi i takonte asaj plejade intelektualësh e artistësh cilësorë, të cilët mbeteshin jashtë politikave kulturore të regjimit komunist, sepse ndërkohë ky regjim po i përgatiste kallëpet që i duheshin, por në rastin e këtij artisti kemi luftën e gjatë për të mos rënë pre e dëshpërimit, apo e heshtjes së plotë, siç ndodhi me shumë artistë e intelektualë të çmuar të kohës, përkundrazi në mendjen e tij kërkohej ndërgjegjësimi i pritjes së çastit ku thuhet fjala e fundit. Duket se një ide e tillë e ka shoqëruar deri në ditët e fundit, pasi kjo kohë përkoi me atë erë lirie që sollën proceset demokratike ku u përfshi vendi ynë, megjithatë ai iku pa e thënë atë. Nuk e tha atë as atëherë kur i kërkova të komentonte fjalët e piktorit Edi Hila që “vetëm Danishi e dinte se nuk pikturohet kështu si pikturohet në Shqipëri”: jeta e çuar përmes censurës dhe autocensurës, nxori krye sërish, duke e shmangur edhe më tej shprehjen e drejtpërdrejtë të qëndrimit estetik në një vend dhe në një fushë ku mungojnë kritika dhe studimi i rangut të parë. Ilustrim i kësaj është edhe pyetja që më bëri kur kjo intervistë u botua në një gazetë të përditshme: hë, tha, ç’thonë për të? I ndërgjegjshëm për ato që duhej dhe mund të thoshte, pas kësaj interviste, i thashë se do t’i sillja ca pyetje, për të cilat do të gjenim kohë për të biseduar më vonë: ngurroi si për të thënë po, si jo. Kjo ide nuk u realizua kurrë, sepse qeshë unë ai që nuk nguli këmbë si duhet: edhe bisedat e zakonshme, por me orë të gjata, ndikonin për keq në gjendjen e tij shëndetësore, sepse imagjinata e vënë në punë pas asaj jete inaktive shumëvjeçare, e linte pa gjumë gjithë natën vijuese, kur kishte nevojë të lehtësohej sadopak nga dhimbat. Kjo ishte kryesore për mua, pastaj vinte frika se do të vazhdonte të mos zbërthehej, si atëherë kur rrëfente në një mënyrë të fshehtë provokuese për atë piktorin rumun që kishte qëndruar gjatë para tablosë me punëtorët e h/c dhe në fund kishte thënë se ajo punë ishte gjithë kontradikta. Mos kishte kontradikta midis temës së zgjedhur dhe mjeteve që përdoreshin për të mishëruar atë? Apo ishte diçka tjetër për të cilën ai s’donte të shprehej lehtësisht? Apo gjithë bukuria e një vepre arti qëndron te ngritja e pyetjeve dhe jo te nevoja e dhënies së një përkufizimi të vetëm? Rasti i Danishit është rasti i artistit që iku pa e thënë fjalën e fundit, megjithëse shumë gjëra të bindin se fara e saj pjellore rrinte brenda tij. Kam pasur rast ta vizitoj qytetin e Krakovit, por kjo ka ndodhur atëherë kur Danishi nuk jetonte më dhe nuk e patëm fatin të flisnim për atë kujtim që e kishte shënjuar thellë formimin e tij, çka, besoj, do të kishte zbuluar shumë gjëra për këtë artist. Çfarë përfaqëson ky qytet? Në planin historiko-kulturor, qyteti i Krakovit ka një trashëgimi madhështore për gjithë atë pellg të Europës Qendrore. Zona historike e Krakovit (kështjella Vavel), i cili qe për rreth 700 vjet kryeqyteti i mbretërve polakë, hyn në dhjetë sitet e para të mbrojtura nga UNESCO. Vetëm në vitin 1700 kaloi kryeqyteti në Varshavë, atëherë një fshat i panjohur. Universiteti i Krakovit ka si datë krijimi vitin 1364, ndërsa vetë emri i qytetit lidhet me atë të Kopernikut dhe Papa Vojtilës, si dhe me emrat e disa nobelistëve të shkencës dhe letërsisë. E veçantë është edhe trashëgimia në fushën e arteve figurative: muzeu “Chartoriskij” zotëron njërën nga pak veprat që ka nxjerrë dora e mjeshtrit Leonardo da Vinçi. Është fjala për të famshmen “Zonja me hermelin”. Ky muze zotëron edhe dy Rembrandë, por edhe disa emra të tjerë të njohur të artit europian. Koleksionet e artit egjiptian, etrusk, grek e romak, janë tjetër pasuri e tij. Jo larg këtij muzeu, ndodhet katedralja e “Shën Mërisë” me altarin e saj të rrallë, punuar në shekullin XV nga mjeshtri gjerman Vos, të cilën e analizon Gombrixh në veprën e tij fondamentale “Histori arti”. Atë që ka ndodhur më pas, e përmbledh Galeria e Artit Polak të shek. XX, në Muzeun
Kombëtar,Krakov. Ajo përmbledh vepra të viteve 1890-2005. Njëra nga sallat titullohet “Fundi i shekullit” dhe tregon klimën e krijimit të Polonisë së re, nën ndikimin e filozofisë së Niçes, Shopenhauerit dhe filozofit polak, Prylyszewski. Një sallë tjetër titullohet “Drejt Francës”. Lavdia e Parisit, i njohur gjerësisht si kryeqytet botëror i artit, gjen shprehje në veprat e disa artistëve krakovitë. Në sallën pasuese, “Avangarda”, përmblidhen vepra që lidhin avangardën e para Luftës II Botërore me artistët modernë të pas Luftës. Disa nga avangardistët, të mbledhur te Grupi i Krakovit, i dhanë tonin artit të pasluftës në Poloni. Duhet përmendur se Polonia ka njohur realizëm socialist vetëm gjatë vitit 1956, ndërsa gjatë gjithë periudhës tjetër, referencat me artin perëndimor kanë qenë të vazhdueshme. Formimi në një qytet si ky, sigurisht, i vuri vulën edukimit artistik të një piktori me natyrë analizuese, që kërkonte përgjigje të kthjellët për atë që bënte. Danishi e dinte se si në çdo fushë të jetës, edhe në art, një ditë “kërkohen vlerat”. Historia e artit na tregon se vlerat e gjejnë rrugën e vet në mënyrë organike. Në vitin 1905, kur hapej ekspozita retrospektive e veprës së Pol Sezanit, bota e mori vesh se ai piktor i mënjanuar e kryeneç, i vetëlarguar nga metropoli i artit, mund të përcaktonte drejtimin që duhej të merrte arti i shekullit XX. Me këtë arsyetim, dua të them se Danish Jukni është një piktor që meriton t’i ngrihet në këmbë krijimtaria, me tri etapat e saj të mëdha: - periudha që lidhet me shkollimin - periudha e përfshirë në realizmin socialist, ku ai qe pjesëmarrës i vazhdueshëm i ekspozitave kombëtare - periudha pas rënies së Murit të Berlinit, me largimin e censurës dhe autocensurës Nëse do të arrihej kjo (këto vepra ndodhen në koleksionet e të afërmve të artistit, në koleksione të tjera private, në Galerinë Kombëtare dhe atë të Shkodrës), unë mendoj që do të arrinim në disa përfundime të rëndësishme për artin modern shqiptar të pikturës.

 150710_964373223576775_2576296763577967512_n
Pyetja e parë gjithmonë është për fillimet?

Kam lindur më 19/6/1934 në Shkodër. Mësimet e para për artin i kam marrë në kursin e Shtëpisë së Kulturës, kurs që drejtohej nga rusja e bardhë, Vitoria Puzanova, specialiste për ikonografinë. Në shkollë, lëndën e vizatimit ma jepte piktori i njohur, Zef Kolombi. Në Liceun Artistik në Tiranë pata për pedagogë A. Buzën dhe S. Kacelin. Kur fitova të drejtën për të vazhduar studimet e larta në Poloni, ndesha në një problem: si gjithë të tjerët, kisha dëshirë të shkoja në B. S., sepse dija shumë pak gjëra për Poloninë. Profesori im, O. Paskali, që ishte njeri me kulturë, më shpjegoi se Polonia ishte një vend shumë i përparuar. Kur shkova atje u binda: Akademia e Arteve në Krakov, ku shkova unë, qe themeluar më 1818. M’u desh punë e madhe të korrigjoja shumë gjëra nga ato që kisha mësuar në Liceun e Tiranës: shkolla ku kisha mbërritur ishte shumë liberale. Të gjithë profesorët kishin mbaruar studimet në Francë. Çdo gjë që ndodhte në Francë mbërrinte në Krakov brenda një jave. Pa kaluar as pesë ditë nga ekspozimi në Paris, mbërriti aty, i riprodhuar në revistë, një portret i Picasso-s. Van Gog shihej si histori, si formë artistike e kaluar. Shkolla nuk kishte kufizime: lulëzonin të gjitha rrymat e artit. Tek unë nisi lufta e brendshme: çfarë mësoja dhe çfarë më priste në Shqipëri?! Një emision radiofonik u tall me fjalët e sekretarit të arteve figurative të Shqipërisë, i cili kishte thënë se në Shqipëri arti i realizmit socialist nuk kishte asnjë shkarje. Kur ky person erdhi për një konferencë ndërkombëtare në Poloni, i jam fshehur dhe, shumë vjet më vonë, tashti në Shqipëri ia kam mohuar faktin se dikur qeshë fshehur prej tij.

Cila qe paraqitja e parë si piktor kur u kthyet nga Polonia?
Kur mbërrita në Shkodër, shokët e mi piktorë më folën për një ekspozitë kombëtare. Punova mbi dy punë: një portret i mbesës dhe një kostum popullor. Kur panë këtë të dytën, shokët e mi piktorë reaguan menjëherë, duke thënë se diçka e tillë nuk mund të paraqitej kurrsesi. Portretin e vajzës e çova në ekspozitë dhe kjo pikturë fitoi çmimin e parë në gjininë e portretit. Për fat, komisioni përbëhej nga piktorë që kishin studiuar në Perëndim.

Një pikturë me të kuqe, me dritë impresioniste? E kam parë në fondin e Galerisë Kombëtare?
Megjithëse, si rregull, punët që fitonin çmim bliheshin nga Galeria, komisioni përkatës i Galerisë e gjykoi se kjo vepër nuk duhej të hynte në fondin e saj. Ajo hyri atje dy-tri vjet më vonë, pasi u kthye nga Bienalja e Aleksandrisë, ku qenë thënë fjalë vlerësuese për të.

Po më pas?
Kur fillova punë në Kombinatin e Tekstileve në Tiranë, nuk pata shumë kohë të lirë, sepse qeshë shumë i angazhuar me punën aty. Për më tepër, bocetet e mia të tekstilit nuk ecnin para komisioneve të ngritura, përgjithësisht, me shitës të dalluar e shefa tregtie. Nëse ndonjëri nga bocetet e mori provimin, si tekstil i realizuar përfundoi në ndonjë rreth të vogël larg Tiranës. Një herë, kur e pashë fustan në trupin e Edi Luarasit, aktores, e cila e kishte blerë në një qytet të vogël, provova emocione të veçanta.

Në këtë kohë keni bërë edhe ilustrime.

Kam bërë ilustrime në “Drita” dhe “Nëntori”, derisa më erdhën në vesh fjalët e Kryeministrit të asaj kohe, i cili kishte thënë me tone të ashpra: “Ç’është ky djalë që na bën këto paçavure!?”

Jeni themelues i Ateliesë së tekstilit në I.L.A. Unë dua të di diçka më shumë për punën tuaj si pedagog, për problemet që hasët atje.
Kur shkova unë I.L.A ishte në vitin e tretë të krijimit të tij. Në orën e vizatimit, ashtu si në shkollën ruse e akademitë e ndryshme, mbylleshin dritaret me perde dhe krijohej një dritë artificiale, duke kërkuar tonin (flokët ose një rrobë të errët duke i bërë të zeza) dhe jo volumin. Megjithëse nuk ishte diçka që ma kishin mësuar në shkollë, për studentët e mi kërkova mbështetje nga mjeshtër të tillë të vizatimit si Da Vinçi, Michelangelo. Dyrer, Ingres. Rezultati qe pozitiv dhe unë fitova simpatinë e studentëve. Kjo thyerje mentaliteti nuk qe e lehtë, por u shfrytëzua justifikimi se ne po krijonim shkollën tonë kombëtare.

Kur e punuat tablonë me punëtorët e H/c?
Më 1969. Kur shkova me studentët në praktikë, kantieri më bëri shumë përshtypje. Shumë. Vetë njeriu ishte shumë i vockël, por realizmi socialist e donte atë të madh. Qe viti i dytë i shkuarjes në hidrocentral kur e punova atë tablo.

Si u prit ajo?
Shumë keq. Ndërmjet shumë diskutuesve që kërkonin mosekspozimin e saj, qëlloi edhe dikush që tha fjalë të mira. Ky ishte… një shofer. Më vonë tha fjalë të mira për të Muslim Mulliqin, piktori kosovar, gjë që mund të më kushtonte shtrenjtë, sepse ai jetonte në një vend revizionist. Pikturat që morën çmim në atë ekspozitë tashmë nuk njihen më. Vetëm kjo i ka rezistuar kohës. Kur u kërkuan vlerat e realizmit socialist, kjo vepër filloi të ekspozohej dhe të publikohej.

Po tabloja Barinjtë si u prit?
Ajo është pritur mirë. Është diskutuar për të marrë çmimin e parë, por, në fund, i është dhënë çmimi i dytë. Më vonë ajo njohu publikime të ndryshme.


Si e keni përjetuar liberalizmin e viteve. ‘70?
Shumë dyshues.


Po largimin nga Tirana për në Shkodër?
Me frikën se ky qe hapi i parë drejt burgut. Kështu ndodhte zakonisht.


Çfarë veçoni nga puna juaj në periudhën e Shkodrës?

Them: portretin e Gjon Buzukut dhe tablonë Dita e poezisë. Për këtë të dytën më erdhën fjalë se do të merrte çmim të parë, po kur mbërrita në Tiranë, mora vesh se qe hequr fare nga ekspozita.

Procedimi në punën tuaj.
Gjithmonë ka qenë një kërkim i gjatë në vizatim, në raporte ngjyrash, duke bërë bocete të shumta, ku, pas përfytyrimeve të para, vinte tërheqja.

Për keq?
Pikërisht. Nuk guxoja të paraqisja atë që ishte përfytyrimi im i vërtetë.

Të kthehemi te Barinjtë. Shyqri Nimani, piktori kosovar, kur ka shkruar për të, e ka quajtur “muzikë për sytë”.
Një koleg e shok më tha se më kanë dhënë dorë gunat. Por gunat pikërisht për atë arsye i kisha zgjedhur, për të më dhënë dorë.

Një regjisor francez ka thënë se ai mund të bënte filma të mirë edhe në realizëm socialist.

Arti i ikonografisë, megjithëse brenda kanonesh, ka vlera të mëdha.

Kisha dhe piktorët e saj ia dolën, kur morën një mënyrë pikturimi nga Egjipti dhe bënë zgjidhje të përsosura formale, ndërsa ideatorët e socializmit dhe piktorët e tij nuk ia dolën përfundimisht, nuk e bënë realizmin socialist jetëgjatë. Gjithmonë e kam fjalën në aspektin estetik. Në këtë qerthull kanonesh të pakonsoliduara, cilët kanë qenë mjeshtrit që ju kanë ushqyer në punën tuaj?

Në atë dokumentarin televiziv që ju e njihni, Sali Shijaku thotë diçka mbi atë që kam bërë unë për futjen e disonancës në pikturën tonë.

Piktori Edi Hila më ka thënë: “Vetëm Danishi e dinte se nuk pikturohet kështu siç po pikturohet në Shqipëri”. Nuk e di nëse mund të thuhet kështu. Edhe të tjerët e dinin.

Sidoqoftë, duket se Edi Hila e ka dëgjuar vetëm prej jush. Keni punuar nëpër panaire, muze, në skenën e festivalit folklorik të Gjirokastrës. Meqë jemi te skena, juve a ju takoi ndonjëherë të dilni në “skenë”?
Kur më kërkuan të bëja një sixhade për zyrën e Kryeministrit, me zor i binda se duhej të shikoja më parë dhomën, pozicionin e derës, orendimin etj. Pa bërë ende zbërthimin teknik të projektit, ai u nis në Kinë, sepse vetëm atje mund të bëhej një sixhade 12 metër e gjatë. Sixhadeja u kthye nga Kina, u shtrua në zyrën e Kryeministrit, por kurrë nuk m’u krijua mundësia ta shoh veprën time. Kam punuar edhe disa sixhade për ambientet nga hynte udhëheqja në Teatrin e Operës. Kur hyri Kryeministri, pyeti se ku qenë marrë ato gjëra dhe, kur i thanë se qenë bërë prej shqiptarësh, shfaqi pëlqimin për to. Por vetëm një fjalë e sekretarit të parë të Tiranës i zhduku ato njëherë e përgjithmonë prej aty. Njëherë tjetër kam bërë një sixhade të porositur nga vetë Enver Hoxha, por s’e kam parë kurrë me sy, sepse nuk e di se ku ka përfunduar. Ndërsa, në rastin e skenës së festivalit të Gjirokastrës, kur mbaruam punë ne, grupi i piktorëve, përfunduam menjëherë në periferitë e festivalit. Kjo ishte më e pakta, sepse sa e sa herë kemi dëgjuar fjalët: “Do të përfundoni në burg me këto që na bëni”. Te një sixhade e bërë për Kuvendin Popullor, sekretarit të Presidiumit iu duk se gjeti ca kryqe të vogla dhe, përmes tjerash, ma përmendi faktin se unë kisha studiuar në Poloni, në një vend katolik. Për fat, Kryetari tha se nuk i dukeshin si kryqe.

Ç’rol ka luajtur në jetën tuaj bashkëshortja, polakja Danuta?
Shumë të rëndësishëm. Ajo ka qenë syri i parë që shikonte pikturat e mia dhe, meqë njihte preokupimet e lexonte të njëjtat libra si unë, gjithmonë më thoshte diçka. Edukata, kultura dhe kërkesat e saj të larta si mjeke, më krijonin një atmosferë të tillë ku unë e ndieja veten si jashtë shteti. Mandej i kishim të njëjta edhe pëlqimet: lulet, kafshët, malet, detin. Qysh më 1994, kur ajo u nda nga jeta, nuk kam pikturuar më.

Çfarë do të thoshit për vitet ‘90?
Vitet ‘90 nuk qenë diçka e papritur për mua: prej kohësh mendoja se si do të vinin ndryshimet, nga brenda apo nga jashtë. Në vitet ’90 fillova të rilidhesha me ato gjëra që i kisha bindje, që i kisha brenda vetes, pa pasur nevojë t’i kërkoj gjërat larg. Nuk e ndieja nevojën të bëhesha medoemos abstrakt. Në pikturat që punova në këtë kohë ndihen motive të trajtuara prej kohësh, si natyra të qeta, Gjirokastra, por të trajtuara ndryshe, zhveshur nga çdo censurë e autocensurë. Nuk është e lehtë për një gjashtëdhjetëvjeçar që kishte kaluar tridhjetë vite si ato për të cilat fola, megjithatë gjatë kësaj kohe jam marrë me disa piktura. Disa prej tyre edhe janë ekspozuar, si në ekspozitën e parë kolektive në Galerinë private Te&Gi (ku janë blerë nga një i huaj dhe unë s’kam as fotot e tyre), si në paraqitjen artistiko-kulturore të Shqipërisë në Di të Francës. Ritmi i punës sime u pre, siç ju thashë, me vdekjen e gruas.

Edhe gjatë kësaj kohe keni vazhduar me bocete të shumta?
Jo, kësaj here bocetet kanë qenë më të pakët, pasi më jepte dorë liria e abstragimit.

Kur mund të filloni të pikturoni përsëri?
Dua që kjo të ndodhë sa më shpejt, por jam i kushtëzuar nga rehabilitimi im shëndetësor.

18 November 2014

Masakra komuniste në çlirimin e Tiranës/ nga Daniel Gazulli

Gazetari Nebil Çika ekzekutuar nga komunistet më 17 nëntor 1944
MASAKRA KOMUNISTE NË ÇLIRIMIN E TIRANËS 1944

 - Në mes të ekzekutuarve edhe babai i shkrimtarit Mustafa Greblleshi-

Shkruar nga DANIEL GAZULLI
Sipari i kësaj tragjedie hapet natën e 28 tetorit 1944, kur forcat komuniste që qëndronin në ilegalitet apo që kishin penetruar ato ditë në Tiranën e pushtuar, në vend që të godisnin pushtuesit gjermanë, futeshin fshehtazi natën si hienat nëpër shtëpitë tiranase dhe arrestonin apo pushkatonin shqiptarët që ishin shënuar nëpër listat e vdekjes nga krerët e tyre. Kështu ia behën në mesnatë tek shtëpia e Ymer Dërhemit dhe arrestuan Akil Sakiqin, Nazmi Uruçin dhe Fahri Dabullën. "Ju kërkojnë për një sqarim". Por i pushkatuan po atë natë.
Akil Sakiqi ishte nga Dibra e Madhe. Familja e tij atdhetare, e ndjekur nga genocidi serbo-maqedonas u shpërngul në Turqi, mandej u vendos në Tiranë. Akili, pasi mbaroi Liceun e Korçës, kreu Akademinë Ushtarake në Romë, degën e Rojes së Financës. Shërbeu me devotshmëri në Durrës, Shkodër etj., gjithnjë në prapavijë. Më 7 prill 1939 luftoi tok me Myftar Jegenin e mjaft oficerë të tjerë të Ushtrisë Kombëtare kundër agresionit italian.
Edhe Nazmi Uruçi prej Dibrës së Madhe ishte nga një familje patriote. Fahri Dabulla nga Gjirokastra. Adili, Nazmiu dhe Fahriu, të tre oficerë të njohur të karrierës, atdhetarë të flaktë, shqiptarë të ndershëm e të panjollosur, e kishin kryer së bashku me E. Hoxhën Liceun e Korçës. Terroristi Hoxha i futi shokët e liceut në listat e vdekjes. I pangopur me vdekjen e tyre, ai i përmend ata me urrejtje patologjike dhe pa asnjë shenjë pendese edhe pas disa dekadash në librat e tij, kur rreket të falsifikojë historinë.

"Pak para plenumit më vjen S.Malëshova gjithë "alarm".
- Po bëhet shumë terror, - më thotë gjithë zemërim.
- Terror? - e pyeta i habitur. - Ku ?
- Në Tiranë, - më përgjigjet. - po vriten shumë oficerë të penduar.
- Në Tiranë vazhdon lufta e madhe për çlirimin e kryeqytetit, - i thashë. - Kë quan terror ti? Dhe për cilët oficerë më ankohesh ?"

Çfarë hipokrizie! Dihet që në plenumin e Beratit (24-27 nëntor 1944) përpara të dërguarit të PKJ, V.Stoiniç, E.Hoxha pranoi tejet i nënshtruar: "Po vriten në Tiranë me dyzina njerëz dhe oficerë të dorës së dytë të cilët, duke pasur besimin e plotë në drejtësinë dhe në shpalljen tonë, dorëzohen. Një punë e tillë nuk është okazionale, por është tërë toni që i është dhënë punës organizative të partisë dhe të ushtrisë. Shokët tanë mendojnë vetëm të zhdukin çdo njeri që s'është me ne, që s'mendon si ne, të zhdukin bile edhe njerëz të thjeshtë të popullit".
Nata e 28 tetorit ishte caktuar nga Qarkori i PK për Tiranën si nata e vrasjeve masive të ushtarakëve të karierës. Atë natë u pushkatuan: Hamit Greblleshi, nga një familje autoktone tiranase, mësues dhe më vonë, pasi kreu Akademinë Ushtarake në Stamboll, oficer i Xhandarmarisë të shtetit shqiptar deri në vitin 1939, kur doli në lirim për arsye shëndetësore.
"A mund të vritej një njeri që për tre muaj kishte shërbyer detyrën e oficerit të prapavijës? - pyet Kujtimi, djali i Hamitit. - Kjo pyetje na ka ndjekur tërë jetën qysh nga dita e vrasjes së babait tonë". Djali tjetër, Mustafai, autori i romanit të famshëm "Gremina e dashurisë" u burgos dhe vuajti në skëterrën e burgjeve komuniste, por qëndroi se kishte genet e të atit, të cilit i kushtoi në qelinë 79 të burgut të Tiranës elegjinë "Qetësi".
Hamit Greblleshi u arrestua bashkë me oficerët e tjerë që jetonin në rrugën e Tabakëve, Hasan Dinen nga Maqellara e Peshkopisë, me akademi ushtarake të kryer në Itali, atdhetar bir atdhetari, Azis Blloshmin nga familja e njohur e Blloshmëve të Bërzeshtës, që kishte kryer studimet ushtarake në Vienë, Faik Shkupin, shqiptar nga Shkupi, i lauruar për ushtarak në Itali dhe shërbente në Shqipëri, Mehmet Dadon dhe Boris Belevskin, rus i bardhë, oficer në ushtrinë shqiptare, Aleks Mavraqi, Selmam Shtjefni, Bajram Cuka e të tjerë që nuk u dihen as varret.

Një nga ata dyzina të zhdukur është edhe major Muharrem Liku, bir i devotshëm i Tiranës. I shkolluar në Stamboll dhe i frymëzuar nga rilindësit, sidomos nga i kunati, Halit Bej Bërzeshta, ushtarak i shtetit shqiptar ai i shërbeu atdheut dhe mbretit me besnikëri. Ndaj u fut në listat e vdekjes. Më datën 1 nëntor 1944, në orën 3 të mëngjesit, trokitën në portën e shtëpisë. Vrasësit kërkonin Muharremin. Ai doli nga shtëpia sepse e ndjente veten të pafajshëm. Te porta pa njerëz të armatosur dhe oficerin tjetër të Ushtrisë Kombëtare, që kishte studiuar në Europë, Abdulla Saraçin, të arrestuar. Të dy i shoqëruan për diku, ndoshta asgjëkundi. S'kaluan veçse disa minuta në rrugë e sipër, kur krisi automatiku. Më parë ra Abdullai, pas tij plumbat përshkuan Muharremin. Kufomat i futën në një karrocë akulloreje. Kalimtarët e rallë panë në atë gëdhirje një karrocë, nga e cila varej një dorë e përgjakur. Mandej edhe dy duar të tjera. Pra ishin dy kufoma. Familjarët i gjetën, i nxorrën trupat e tyre të prishur dhe i varrosën te Varri i Bamit. Njëri gisht i dorës së Abdullait ishte i prerë bashkë me unazën e florinjtë.
Po atë natë killerët arrestuan dhe vranë ushtarakun me gradën kapiten, Anton Fekeçi, lindur në Graz të Austrisë, por që banonte e shërbente në Shqipëri, nga që e ëma, Gjystina, ishte shkodrane nga familja e dëgjuar Bumçi. Antoni ishte një oficer model me formin perëndimor dhe shumë i aftë profesionalisht. Në mesnatën e 30 tetorit e thirrën në shtëpi dhe e pushkatuan 100 metra larg saj. Pastaj u kthyen përsëri, e nxorrën familjen në rrugë, se shtëpia u duhej, ashtu si u duheshin edhe orenditë, makina e shkrimit etj. Tragjedia e kësaj familjeje u mbyll me vdekjen në burg të Frederikut, djalit të Antonit, i dënuar për agjitacion e propagandë, si mijëra bij të tjerë të këtyre martirëve.
Genocidi për motive politike vazhdon me intensitet brenda dhe në rrethinat e Tiranës. Më 3 nëntor 1944 forcat komuniste pushkatuan pa gjyq në Sharrë të Tiranës tre deliallisët e shquar të Shijakut: Kapllan Deliallisi, deputet i Shijakut në Parlamentin shqiptar dhe i vëllai, Jakup deliallisi, ish-kryetar i komunës së Shënavlashit dhe të Luzit. Bashkë me ta u pushkatua edhe Shefqet Deliallisi, i biri i atdhetarit të njohur Ymer Deliallisit - sekretar personal i Ismail Qemalit, një oficer i ri, i diplomuar në Akademinë Ushtarake në Romë, por që e priti me indinjatë pushtimin fashist dhe u vetlargua nga detyra, sepse ishte kundër pushtuesve, ashtu siç kanë qenë brez pas brezi deliallisët e Shijakut. Bashkë me këta martirë, u pushkatua edhe Isuf Allamani, nga familja në zë e Allamanëve të Matit. Ç'kishte bërë Isufi që e vranë? Kishte studiuar për agronomi në Universitetin e Firences dhe ishte kthyer në Shqipëri për të dhënë ndihmesën në ripërtëritjen ekonomike të vendit. Ai themeloi Fermën e Xhafzotajt, një ekonomi moderne bujqësore e kapitaliste dhe ishte drejtori i saj, kur u arrestua e u pushkatua pa gjyq, ndonëse nuk ishte përzier fare në çështjet politike.
Po në Sharrë u pushkatuan pa gjyq dhe u hodhën mbi njëri-tjetrin në një përrua, pesë viktima të tjerë: kapiten Bajram Cuka, Selim Kelmendi, Ndue Pali, Minella Toçi dhe Selaudin Korça.
Selim Kelmendi, nga Vuthaj i Gucisë, i kishte ikur me armë në dorë terrorit serbo-malazez tok me dy vëllëzërit e tij, Rustem e Ramë, pjestarë të çetës së Azem Galicës, por nuk i shpëtoi dot terrorit të çetnikëve shqiptarë.
Selaudin Korça, i biri i patriotit të madh, klerikut, filozofit, publicistit, poetit dhe antikomunistit të njohur Hafëz Ali Korça, që vazhdonte studimet e larta në Itali, por që erdhi në Shqipëri për t'u bërë pre e terrorit komunist.
Më 10 nëntor, ra pre e këtij terrori tek Ura e Brrarit, oficeri Subi Topulli nga familja e shquar e Topullenjve të Gjirokastrës. Vrasësit e masakruan dhe zhdukën çdo gjurmë të tij, duke hapur fjalë se ishte arratisur nga Shqipëria.
Vijmë kështu te nata e 12 nëntorit në Tiranë, që është, quajtur edhe "nata e Shën Bartolemeut". Atë natë u bë masakra më e madhe, një dënin dhe vrasje kolektive pa gjyq e 14 figurave të shquara të kombit e të kulturës shqiptare.
Ismail Agë Petrela është një nga figurat madhore të Shqipërisë, që u pushkatua mesnatën e 12 nëntorit. Pse e kishin futur në listat e vdekjes Ismail Petrelën? Sepse ishte nga një familje e madhe, vetë ishte një nacionalist i shquar, një luftëtar i lirisë, një demokrat i vendosur, një burrë i mençur tiranas, një intelektual i njohur që dinte disa gjuhë perëndimore, një njeri i kulturës, sidomos e asaj muzikore. Kulmet e veprimtarisë atdhetare të Agë Petrelës janë pjesëmarrja aktive në Revolucionin e Qershorit, në Lëvizjen e Fierit, në Konferencën e Pezës, në Kuvendin e Mukjes dhe lufta kundër pushtuesve italianë në krye të çetës së tij, që vepronte në Shqipërinë e Mesme. Ja, përse e vranë komunistët Ismail Agë Petrelën! Në çastin e pushkatimit u tha ekzekutorëve: "Qëlloni, burrat një herë vdesin!"
Terroristët këtë herë zgjodhën për të masakruar familjen e shquar Kokalari nga Gjirokastra. Pushkatuan natën e 12 nëntorit në skutat e hotel "Bristol"-it Muntaz, Vesim dhe Syrja Kokalarin. Muntazi dhe Vesimi, pionierë të arsimit kombëtar, themelues të shtëpisë botuese "Mesagjeritë Shqiptare" që botoi vepra madhore të letërsisë sonë e të huaj, intelektualë të klasit të parë, bashkë me vëllanë e tyre Hamit Kokalarin, i cili shkroi atëbotë librin e famshëm "Kosova - djep i shqiptarizmit" dhe motrën Musine, shkrimtaren e parë shqiptare, nacionalisten dhe demokraten e shquar, që diktatura më pas e burgosi dhe e internoi gjersa vdiq.
Po atë ditë terroristët komunistë pushkatuan edhe Nebil Çikën, filozofin, publicistin, demokratin e madh. Ai ka qenë redaktor dhe kryeredaktor i mjaft organeve të shtypit të lirë shqiptar si "Revista Pedagogjike", "Reforma", "Jeta", "Arbëria", "Miku i Popullit", "Minerva", "Bota e Re" etj. dhe autor i veprës së njohur "Njimendësia shqiptare" që e vendosi atë në elitën e zgjedhur të kombit. Pikërisht këtë elitë vrau komunizmi.
Ai goditi familjet e mëdha që kishin nxjerrë njerëz të shquar, për të ndërprerë traditën, për të tharrë burimin, për të venitur e nënshtruar Shqipërinë. Një nga ato, është edhe familja tiranase Lleshi. Të gjithë burrat e saj u sakrifikuan për një Shqipëri të lirë, të bashkuar në trojet e saj etnike dhe demokratike. Muharrem Lleshi e priti me indinjatë pushtimin italian, ndërsa dy djemtë e tij Sulejmani dhe Islami, nacionalistë, u internuan nga italianët në Itali dhe Porto Romano, më pas ishin luftëtarë të batalianit "Besnik Çano" që luftoi edhe në Kosovë për çlirimin e saj. Sulejmani themeloi gjimnazin e Gjakovës dhe qe drejtori i parë i tij.
Në mesnatën e 12 nëntorit, terroristë të armatosur hynë në oborrin e shtëpisë së Lleshëve, ku ishin strehuar demonstrues antifashistë apo ilegalë dhe thirrën emrin e Muharrem Lleshit. Sa u shfaq ai te pragu i derës, një breshëri automatiku e la të të vdekur e të mbuluar me gjak.
Familja tjetër e njohur tiranase që u godit ishte ajo Stërmasi, që kishte nxjerrë njerëz të dëgjuar si Xhaferr Stërmasin, flamurtar i Pavarësisë. I biri, Reshati, i mëkuar me shqiptarizëm dhe dije, kreu studimet e larta në Akademinë Ushtarake në Itali dhe shërben me devotshmëri në Ushtrinë kombëtare Shqiptare. Në prill të vitit 1939, në shenjë proteste ndaj pushtimit italian, dha dorëheqjen, sepse nuk donte t'u shërbente fashistëve. Merr pjesë në protestat dhe demonstratat anti-italiane. Si nacionalist i kulluar, merr pjesë qysh në vitin 1942 në Organizatën e Ballit Kombëtar dhe në vitin 1943 u caktua komandant i Rinisë së Ballit të Tiranës, të cilën e udhëhoqi në luftë kundër pushtuesve italianë e gjermanë. Ja pse e vranë Reshat Stërmasin!
Gjahut të tyre nuk i shpëtoi as Rifat Tërshana, nga Dibra e Madhe, oficer rekrutimi që shërbeu me përkushtim në Korçë, Fier dhe Durrës. Ndërkohë, ndihmoi edhe Lëvizjen NÇ. Por, nuk e llogaritën, kur e pushkatuan natën e përgjakshme 12 nëntorit.
Terrori masakroi edhe njerëz të thjeshtë e të patrazuar në politikë. Lluka Xhumari, nga qyteti i Durrësit, kishte kryer në Itali shkollën teknike dhe ishte bërë mjeshtër në profesionin e tij. Njeri me inisiativë private, hapi një punishte të vogël të cilën e zgjeroi në shoqërinë automobilistike SAKT. E pushkatuan në rrënojat e hotel "Bristol", sepse ishte njeriu i biznesit, i inisiativës së lirë, i ekonomisë së tregut, investitor i suksesshëm, bamirës, njeriu i së ardhmes.
Po ashtu, edhe Ali Panariti, nga Korça, tregtar i njohur në Tiranë e Durrës, mandej sipërmarrës për ndërtim rrugësh. Terroristët me në krye sekretarin e celulës komuniste R.Dobrolishti, e morën Aliun nga shtëpia dhe e pushkatuan pa gjyq në breg të lumit të Tiranës, ku e gjetën fëmijët gjysmë të varrosur.
Epilogu i këtij terrori fondamentalist ishte masakrimi i Jorgji Memës, nga një familje patriote e fshatit Shtërmen të Elbasanit. Kishte kryer shkollën Normale, por dëshira e tij ishte t'i shërbente si ushtarak shtetit shqiptar, mandej në funksionin e kryetarit të komunës së Baldushkut e të Mollasit. Jorgji dhe gjithë fisi i Memajve u hodhën në luftën për liri kundër pushtuesve të huaj. Komunistët e arrestuan në Tiranë më 16 nëntor1944 dhe e pushkatuan menjëherë në rrugicën e shkollës "Kristoforidhi". Tiranasit e mirë e varrosën në oborrin e kësaj shkolle martirin Jorgji Mema.
Kështu u mbyll ky akt i terrorizmit komunist që përgjaku Tiranën, për t'i hapur rrugën terrorizmit shtetëror që përgjaku Shqipërinë dhe kombin për gjysmë shekulli me radhë.

Titulli i shkrimit është i Editorit të "Ora e Shqypnisë"
Grafika nga Lek Pervizi

Editoi: K.P. Traboini

12 November 2014

Joseph Brodsky: Letërsia, të ndërhyjë në punët e shtetit/ Alda Bardhyli



Nga Alda Bardhyli
brodsky5Në Leningradin e vitit 1960, në kafenenë ku ulej për të biseduar për poezinë me Ana Akhmatovën, Joseph Brodsky do të takonte për herë të parë Marina Basmanovën. Ishte e hënë. Ajo dhe Ana sapo kishin lënë studion, për të takuar djaloshin që shkruante vargje të ndjera. Marina, piktore e re ruse po realizonte një portret për Anën. Nuk ishte e lehtë të merrje miqësinë e Ana Akhmatovës. Ajo kishte qenë e famshme që me fillimin e Luftës së Madhe, një talent që mishëronte jetën bohemiane të Shën Petërburgut perandorak. Por Brodsky kishte mundur të futej lehtë tek ajo, përmes vargjeve të tij. Ky qe takimi i tyre i parë, nën qiellin e Leningradit, ku bisedat kalonin përmes pikturës dhe poezisë. Një takim që nuk do të mbaronte aty, për të vijuar më pas në studion e Marinës dhe shëtitjen në rrugën që po pushtohej nga errësira. Që atë ditë, Joseph Brodsky e ndjeu se Marina Basmanova do të ishte një femër e rëndësishme në jetën e tij. Pak kohë më pas, teksa shihte historinë e tyre të reflektuar në piktura, ai e kuptoi se e donte këtë grua. Brodsky shkruante vargje të cilat ia lexonte teksa ajo hidhte ngjyrat mbi telajo. “Aq e huaj na dukej çdo surprizë/sa përqafimet tona trup me trup/turpëronin çdo psikanalizë…”, shkruante ai. Janë pafund vargjet e dashurisë që ai i shkroi asaj, në Leningradin që përhumbej mes tensioneve politike. Si artist ai nuk mund të duronte dot censurën e vendosur nga komunizmi. Marina nuk ishte vetëm e dashura e tij, por dhe mikesha më e mirë e bisedave për artin dhe politikën. Lidhja me këtë grua, ashtu si Brodsky shprehej do ta bënte poet. Fitues i çmimit “Nobel” në letërsi më vitin 1987 Joseph Brodsky është një nga personalitetet e letrave ruse. Ai lindi në Leningrad më 24 maj 1940. Babai i tij, Aleksandër Brodsky, ishte fotograf i njohur. Nëna, Maria Volper, ishte përkthyese letrare. Atmosfera intelektuale në të cilën u rrit do të ndikonte në prirjet drejt letrave të djaloshit. Prindërit e futën që të vogël të studionte gjuhë të huaja, çka e ndihmoi të lexonte autorë të ndaluar perëndimorë. Miqtë e kujtojnë atë si një njeri të pazakontë, me një karakter të pavarur. Me ndjesinë e një artisti, ai ishte gjithnjë në kundërshtim me sistemin sovjetik. Mënyra e tij e të menduarit, ishte kundër filozofisë së komunizmit. Propaganda dhe portretet e Leninit në shkolla do ta lodhnin.brodskyNdaj, në moshën 15-vjeçare, ai vendosi të linte shkollën dhe nisi të bënte punë të ndryshme, deri në sanitar në morgun “Kresty”, ku dhe u burgos për shkak të një incidenti. “Thjesht ,nuk munda të duroj disa surretër të klasës sime dhe kryesisht, mësuesit. Dhe ja, në një mëngjes dimri, pa ndonjë arsye të dukshme, u ngrita mes mësimit dhe në mënyrë malodramatike u largova, duke ditur mirë se kurrë nuk do të kthehem”, kujton ai. Në moshën 16-vjeçare ai zbuloi pasionin për poezinë dhe nisi të shkruante. Takimi me poeten e njohur ruse, Ana Akhmatova, në vitin 1961 do të ndryshonte përgjithmonë marrëdhënien e tij me poezinë. Akhmatova e inkurajoi djaloshin të vazhdonte të shkruante, pasi vargjet e tij ishin të bukura. Ajo e prezantoi atë me një rreth të njohur poetësh dhe shkrimtarësh në Rusinë e atyre viteve, çka do ta ndihmonte Brodskyn të orientohej drejt rrugës së duhur. Pikërisht në këtë kohë ai u njoh me piktoren Marina Basmanova, e cila do ta frymëzonte të shkruante një koleksion të tërë vargjesh me dedikimin M.B. Regjimi sovjetik do ta sulmonte Brodsky-n, pasi shkroi poemën “Isaku dhe Avraami” bazuar në Dhiatën e Vjetër, të cilën ai u përpoq ta botonte në vitin 1963. Ai u arrestua dhe gjyqi ndaj tij u kthye nga qeveria si një spektakël për të frikësuar të gjithë intelektualët që guxonin të dilnin kundër censurës. Ende kujtohet përgjigjja që ai i dha gjykatësit, kur e pyeti për profesionin. Poet, tha Brodsky. Poezitë e tij u akuzuan që dëmtonin komunizmin dhe u dënua me 5 vjet punë të vështirë. Brodsky u internua në një fshat të largët në veri të vendit. Internimi i tij solli reagimin e intelektualëve të kohës, mes të cilëve dhe Sartri. Marina shkoi të jetonte me të në ato kushte dhe në vitin 1965 ajo u bë nëna e djalit të tij, Adrei. Por lidhja e tyre nuk mund të regjistrohej në regjistrat sovjetikë, të cilët nuk e pranuan asnjëherë. Ajo e regjistroi djalin me mbiemrin e saj. Pas protestave të gjata, Brodsky kthehet në Leningrad në vitin 1965. Në të njëjtin vit një përmbledhje e poezive të tij u botua në SHBA. Ndërsa në Shën Petërburg, poeti u detyrua të shkonte në një spital psikiatrik. Kjo situatë pa kthim në raportin mes tij dhe komunizmit do ta bënte Brodskyn të mendonte arratisjen. Më vitin 1972 ai arratiset nga Bashkimi Sovjetik duke bërë një ndalesë në Vjenë, më pas në Londër për të mbërritur në SHBA. Për shumë vite ai punoi si profesor në disa universitete. Në vitin 1978 ai mori titullin doktor në letërsi nga Universiteti i Yale-s. Në vitin 1979 u bë anëtar nderi i Akademisë së Arteve Amerikane. Gjatë qëndrimit në Amerikë, ai u përpoq të merrte prindërit. U shkroi shumë letra ambasadave, autoriteteve përkatëse, por regjimi sovjetik nuk ia bëri të mundur diçka të tillë. Në vitin 1980 ai botoi një libër kushtuar Marina Basmanovës, me të cilën nuk mundi të shihej më pas ikjes në SHBA. Ndaj do t’i kushtonte vargje dhimbjeje poetit, për gruan që dikur e bënte të shkruante vetëm për dashurinë. Largësia do t’i kushtonte shumë kësaj marrëdhënieje dhe në vitin 1990 Brodsky martohet me studenten e Sorbonës, Maria Sozzani, me të cilën lindi një vajzë. Poezitë dhe esetë e tij nuk ishin vetëm për dashurinë. Brodsky ishte një antikomunist, prirje të cilën e shprehu hapur në poezitë politike që shkroi. Në fjalimin e mbajtur në Akademinë Suedeze gjatë marrjes së çmimit “Nobel”, ai ia dedikoi çmimin njerëzve që kishin ndikuar në rritjen e tij si poet, mes të cilëve dhe Ana Akhmatovës. “Zemërimi, ironia apo indiferenca e shprehur nga letërsia në lidhje me shtetin, është në thelb, reaksioni i të përhershmes, më saktë të themi – i të pafundmes, kundrejt të përkohshmes, të kufizuarës. Të paktën deri atëherë kur shteti do t’i fusë hundët në punët e letërsisë, letërsia ka të drejtën e vet të ndërhyjë në punët e shtetit. Sistemi politik, forma e rendit shoqëror, sikundërse çdo sistem në tërësi, është, për vetë natyrën e saj të përcaktuar, formë e kohës së shkuar që rreket ta quajë veten formë të së tashmes (shpeshherë edhe të së ardhmes), dhe njeriu, profesioni i të cilit është gjuha, është i mbrami që mund t’i lejojë vetes ta qesë në harresë këtë gjë. Rreziku i vërtetë për shkrimtarin nuk është dhe aq mundësia (dhe shpesh siguria) e përndjekjes nga shteti, sesa mundësia për t’u ndier i hipnotizuar nga tiparet e shtetit, të cilat, të përbindshme apo të nënshtruara ndryshimeve për mirë, janë përherë të përkohshme”, do të shprehej ai. Brodsky është përkthyer në shqip nga Agron Tufa. Vetëm pas rënies së regjimit komunist ai mundi të kthehej në Rusi e të takohej me të birin. Brodsky vdiq nga një atak në zemër në moshën 56-vjeçare.