14 August 2015

Pjetër Gjoka, Artist i Popullit


PJETËR GJOKA
Artist i Popullit

Pjetër Gjoka lindi në Ulqin më 3 gusht 1912. Në moshën 4-vjeçare vendoset në Shkodër. Aktivitetin në teatër në lëvizjen amatore e filloi që vitet '30 në dramën “Dy princa dhe një vashë”, në Shkodër. Në vitin 1947 vjen si aktor në Teatrin Popullor, pasi kishte debutuar me Teatrin e Ushtrisë. Roli i parë ishte në komedinë “Tartufi”. Ka interpretuar rreth 90 role në këtë teatër, dhjetëra kryerole nga dramaturgjia botërore, ndërsa në skenë qëndroi 52 vjet rresht, duke interpretuar edhe i verbër krejtësisht. Në vitin 1961 është nderua me titullin e lartë "Artist i Popullit". Vdiq më 2 maj 1982.

Në vitin 2010, bashkia e qytetit i akordon titullin "Qytetar Nderi i Shkodrës".

Pjetër Gjoka: Aktori që luajti dy vjet në skenë pa dritën e syve
Shkruar nga Baxhul Merkaj

Pjetër Gjoka nuk është më. Ka shumë vite që televizionet shqiptare nuk japin më sekuenca filmike nga rolet e tij, por, megjithatë, autoriteti i gjeniut të skenës shqiptare ndjehet ende në korridorin e Teatrit Kombëtar, ku fotografia e tij shihej me kureshtje e respekt nga mijëra dashamirës të artit.
Kur vdiq Pjetër Gjoka, shumë aktorë të teatrit u shprehën: vdekja e tij është një legjendë, ngaqë ai do të jetojë me rolet e tij në kujtesën e brezave. Tani kanë kaluar më shumë se 32 vjet nga dita e vdekjes së tij dhe respekti për aktorin e madh është shumëfishuar. Pjetër Gjoka lindi në gusht të vitit 1912 në Ulqin. Në moshën 4-vjeçare vendoset në Shkodër. E ëma ka qenë nga Salca e Nikaj Mërkurit (Tropojë), ndërsa i ati nga Dushmani, Kurora e Dukagjinit.
Në vitet e para të rinisë u aktivizua shumë në atletikë, po kështu dhe si futbollist i skuadrës “Vllaznia”. Në vitin 1930 ka përfaqësuar vendin tonë në Lojërat Olimpike, në Greqi. Ai ka vendosur rekordin kombëtar në një apo trehapësh. Ky rekord është thyer në vitin 1964 për të rinjtë. Artisti i Popullit Pjetër Gjoka, këto ditë mbushi të 92 vjetët e lindjes së tij. Një jetë të tërë në skenë. Përjetoi 114 role, tipa, karaktere, jashtë lavdisë vetjake, por duke i dhënë përparësi suksesit të artit teatral. Tipat dhe karakteret e mëshiruara prej tij janë personazhe në proces zhvillimi të brendshëm psikik. Aktori i madh Pjetër Gjoka ka të përbashkët me kolegët e tij shumë cilësi, por ai ka të veçantat që do t’i shpalosim në këto shënime. Ishte viti 1976, zhvillohej festivali i teatrove dramatikë. Juria shpalli çmimet, çmimin e parë për aktorin më të mirë e meritoi Pjetër Gjoka. Ai u ngjit në skenë, ku e shoqëronte asistenti i tij. Aty, asistenti, pasi mori çmimin, ia drejtoi artistit. Pjetri zgjati duart, por ai ishte i verbër dhe nuk e gjeti menjëherë ku ishte kupa e fituesit dhe buqeta e luleve. Artëdashësit në sallë e kuptuan që ai nuk shihte nga sytë dhe e duartrokitën gjatë.

Artisti muzikant

Pjetër Gjoka merr pjesë në bandën e qytetit të Shkodrës, si vegël fryme përdorte kornon, kohë në të cilën djali i së bijës mbaroi shkollën në Gjermani për korno, i quajtur Gent Lazri. Por artisti ishte dhe këngëtar. Mësimet e para si këngëtar i ka marrë nga mësuesi prift, ku kohët e fundit u bë Kardinali i Parë i Shqipërisë Mikel Koliqi dhe drejtor shkolle në atë kohë ishte Patër Gjergj Fishta. Në këto kohë, në një bisedë, Mikel Koliqi është shprehur: “Pjetër Gjokën unë e kam pasur nxënës dhe ka qenë një tenor shumë i mirë. Tefta Tashko Koço zhvilloi në atë kohë një turne në Shkodër. Mbasi dëgjoi korin e kishës, i bëri përshtypje solisti Pjetër Gjoka. U njoh me të dhe e pyeti: “- A dëshiron të shkosh jashtë vendit në Itali për studime si këngëtar? Unë kam mundësi të të rregulloj!” Artisti u përgjigj: “Kam dy pleq në shtëpi, jam i vetëm, ata më kanë bërë kokën dhe kam detyrime karshi tyre. Ju falenderoj për kujdesin!”

Pjetër Gjoka në rininë e tij
Fillimet e punës së artistit në teatër

Qysh në vitin ’30 ka marrë pjesë në dramën “Dy princa dhe një vashë”, në Shkodër. Roli i parë ka qenë në “Një i vdekur”. Luante në një teatër amator, por dhe shokët e tij që ishin edhe ata amatorë, u futën në një bodrum dhe gjatë shfaqjes vendosën ta ngacmonin, duke e shpuar me një gjilpërë nga poshtë skenës. Skena e rolit të të vdekurit zgjati 15 minuta, ai nuk lëvizi, qëndroi si i ngrirë, por shokët e tij vazhdonin ta shponin, duke menduar se gjilpëra nuk kishte mbërritur në trupin e tij. Kur u mbyll perdja, ai nuk lëvizi. Pas pak u ngrit dhe tha: “Kujtoni se nuk e ndjeva, shihni vendin tërë gjak. Roli ishte i vdekuri dhe unë interpretoja të vdekurin...” Por shoqëritë kulturore atëherë lëviznin nëpër rrethe. Erdhën dhe dhanë shfaqje në Tiranë. Shfaqja quhej “Kthimi i Skënderbeut në Krujë”. Aty Pjeter Gjoka interpretoi rolin e plakut ’70 vjeçar, i cili dërgohet nga trimat e Krujës në Stamboll, t’i mbushte mendjen Skënderbeut për t’u kthyer në Shqipëri. Artisti ishte atëherë në moshën 23-vjeçare. Shfaqjen e ndoqën me interes shumë shikues, edhe familjet shkodrane që jetonin në Tiranë. Një vajzë që kish ardhur te xhaxhai i saj, kur pa shfaqjen familjarisht, tha: “Sa bukur që luan ai plaku”. Kushërira kthehet dhe i thotë: “Nuk është plak, por djalë i ri!” Ajo vajzë e re, mbas disa vitesh, Liza Gjoka, e cila në rininë e saj interpretoi Marie Stuart të Shillerit, bëhet gruaja e Artistit të Popullit Pjetër Gjoka. Ndaj, ai gjatë jetës së tij shpesh thoshte: “Një pjesë të suksesit tim ia dedikoj me gjithë shpirt bashkëshortes sime, Lizetës.” Aktori nuk u nda nga skena për 52 vjet. Hyrja në teatër atij i solli diçka të re, të panjohur më parë, të thjeshtë, të kuptueshme tek aktorët e asaj kohe, ku mbizotëronte teatraliteti, deklamacioni, loja jo e natyrshme. Kurse loja skenike e Pjetër Gjokës ishte e kuptueshme, jetësore, e qartë, e natyrshme, pa sforcime, kapej lehtë nga spektatori. Lojën e tij e pëlqenin jo vetëm aktorët e vjetër, të cilët shprehnin admirim, por edhe aktorët e rinj. Interpretimi i tij skenik ishte i besueshëm. Pjetër Gjoka hyri në Teatrin Kombëtar në vitin 1945, ku prezantohet me një rol te pjesa “Te fundërrinat” e Gorkit. Pjetër Gjoka ka ndihmuar në kuptimet dhe kristalizimin e fiziononisë së Teatrit Kombëtar.
Qysh në atë kohë admirohet nga spektatori dhe duartrokitet prej tij. Në rrugën e artit skenik vazhdon në rolet te “Guvernatori i provincës”, Makar Dubrov, “Halili dhe Hajria”, në rolin e Shpend Gjet Plakut. Në këtë figurë, Pjetër Gjoka e kërkon lirinë me thjeshtësinë popullore. Figurat e realizuara bukur artistikisht te “Revizori”, “Otello”, “Vajza e thinjur”. Rolet, artisti është përpjekur t’i interpretojë gjithmonë duke u nisur nga të dhënat individuale. Në rolin e muzikantit të varfër, ai evidenton thjeshtësinë e figurës, dashurinë e muzikantit për të birin. Figurën e Milerit tek “Intrigë e dashuri”, Pjetër Gjoka dha një baba me virtytet më të mira. Ky rol është ndër më të realizuarit prej tij. Artisti i popullit Pjetër Gjoka, spikati dhe në mjaft role edhe në kinematografi, në filmin “Tana”. I spikatur është roli i Tasimit, mjek i dëgjuar, por që ka mbeturina. “Në këtë rol, ai i jep rëndësi fjalës. Studimi i tekstit është i domosdoshëm për aktorin dhe ai s’duhet ta nënvleftësojë atë”, theksonte vetë artisti. Disa nga rolet e tij të tjera janë te “Hamleti”, “Borgjezi fisnik”, “Mbreti Lir”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe më vonë “Arturo Ui”, duke interpretuar me virtuozitet rolin e “Dog Zboru”. Koha kalonte, por aktori i madh nuk e ndërpriste lidhjen e tij me artin skenik.
Loja teatrale e tij ishte e përmbajtur, pa shpërthime dhe plot emocione. Ajo ishte brilante dhe kishte origjinalitetin e vet, ndryshe nga temperamenti impulsiv i artistit Naim Frashëri. Pjetër Gjoka ishte dhe mbeti artist me potencë dhe autoritet. Edhe pse doli në pension, punën s’e ndërpreu. Punonte në teatër, film dhe vinte vetë në skenë drama të ndryshme. Kjo ndodhi në Tiranë, Vlorë dhe së fundmi në Gjirokastër. Bashkim Kozeli, dramaturgu i njohur, rrëfen: “Ishte 1 maji i vitit 1982. Ai punoi bashkë me mua për inskenimin e dramës sime “Pyesni malet”, me trupën e Gjirokastrës. Punoi me mjaft shpirt dhe drama u dha me sukses. Unë e quaj një fat të madh rastin që më dha kjo dramë për të punuar me gjeniun e teatrit shqiptar“. Ndërsa Drita Pelingu, aktorja e njohur shqiptare, rrëfen: Pjetër Gjokën e kam pasur shok dhe regjisor. E Veçanta si regjisor ishte referimi i përhershëm ndaj shembujve jetësorë. Proceset të njohjes ai i caktonte rëndësi themelore, për furnizimin e kujtesës emocionale, pasurimin e bagazhit jetësor të aktorit“.

Verbimi

Regjisori Albert Minga, duke rikujtuar Artistin e Popullit Pjetër Gjoka, tregon: „Ishim duke xhiruar filmin “I treti”. Të gjitha përgatitjet ishin bërë gati. Regjisori urdhëroi: - Qetësi, fillon xhirimi. Skena: Gulielm Radoja do të ndizte cigaren gjatë bisedës. Artisti Pjetër Gjoka do të pinte cigaren dhe do të përgjigjej. Skena po shkonte mbarë, por, në moment, regjisori ndërpret xhirimin. “Zoti Pjetër - më falni, po në një zyrë luksoze, cigarja nuk shkundet në tavolinë, por në taketuke. Atë çast Pjetri kontrolloi përreth vendit ku e kishte vendosur më parë dhe ngaqë nuk e gjeti aty, iu përgjigj: Dikush e ka luajtur nga vendi ku e kam vendosur unë, sepse ngaqë nuk shikoj, i provoj gjërat disa herë që të mos turpërohem në xhirim?!“. Pikërisht atë çast, Guljelm Radoja pranoi gabimin dhe tha se lëvizjet në tavolinë i kishte bërë ai. Atëherë Pjetri e porositi: “Ju lutem, herë tjetër mos lëvizni asnjë objekt nga vendet ku i vendos unë. Ja po ju sqaroj. Unë vij një orë e gjysmë para jush dhe vendos objektet në mënyrë të tillë, që të mos ju pengojnë, ju e dini që unë nuk shoh...“ Kjo ishte njëra nga mbresat e kolegëve të tij artistë për mjeshtrin e madh të skenës shqiptare, që gjatë gjithë jetës së tij mbahet mend për korrektesën dhe zbatimin e disiplinës së rreptë në punë. Për këtë gjë, gjatë bisedës që zhvillova me të birin e tij, aktorin e Teatrit Kombëtar Gjovalin Gjoka, mësova për punën madhore të artistit P. Gjoka, se si punonte ai me rolin gjatë viteve 1975-1977, kur nuk shikonte. “Inçizoja rolin e partnerit si edhe rolin e tij në kasetofon. Kështu, ai përvetësonte tekstin”, shprehet Gjovalini.
Dhe pas dy vjetësh errësire, artisti bëri një operacion në Itali dhe drita e syve iu rikthye. “Sytë i pata të mbyllur, mjeku më hoqi fashot, me ra drita. I mbylla përnjëherësh se mos më ikte kjo dritë që më erdhi“, tregonte ai për këto momente emocioni të jetës së tij. Për këtë moment, Gjovalini tregon se familja e tij dhe i gjithë mjedisi artistik është gëzuar shumë. Pjetër Gjoka i kishte dobësi fëmijët. Çdo ditë shkonte te krevati dhe prekte mbesën e vogël, e cila në atë kohë ishte katër muajshe. Ai nuk e shihte dot fytyrën e mbesës, por pyeste gruan: Të lutem, më thuaj si i ka flokët mbesa!?… Dhe aty për aty përshkruante me imagjinatën e tij portretin e vajzës së vogël. Megjithatë, kur i erdhi drita e syve, u befasuan të gjithë. Ai nuk takoi asnjë nga ne, duke thënë: “Hapuni ju të gjithë, të parën do shkoj të takoj Aurelën, sepse atë nuk e njoh fare. Më keni thënë që është e bukur, prandaj më takon ta përqafoj“, u tha ai pjesëtarëve të tjerë të familjes. Dhe Gjovalini tregon se shkoi te krevati ku flinte, e puthi, dhe tha “Qenka ashtu si e kam imagjinuar”. Vetë Pjetër Gjoka, për artin skenik teatror, është shprehur: Punonim të gjithë qysh kur regjia hidhte platformën.
Në fillim lexonim veprën me kërkesat e regjisë, duke menduar e kërkuar për të gjetur skenat, ngjarjet, pra jetën e mëparshme të personazhit, gjersa hynte në dramë një jetë e ngjashme me këtë karakter. Kështu mendimi do dilte më i pjekur, më bindës, sepse aktori depërtonte në thellësi, psikologji, në formimin kulturor të heroit të vet. Nën drejtimin e regjisë theksonim që në tavolinë, replikat, nëntekstet, lidhjen me partnerin duhej të evidentoheshin qartë. Përveç lidhjes me partnerin, vendosnim lidhje të thella të brendshme me vetë figurën që interpretonim, hynim në mendimet dhe psikologjinë e saj të veçantë”. Ai është mes nesh, mbasi është i përjetuar me rolet e tij, në zemrën e njerëzve dhe duke e ndjekur nëpërmjet ekraneve televizive. Ndonëse kanë kaluar 102 vjet nga lindja e tij, njerëz të tillë si Pjetër Gjoka mbeten të pavdekshëm.



 Kur Pjeter Gjoka luante dramën e Skënderbeut para princit turk


Tiranë, nëntor 1937. Dhëndri i sulltanit “censuron” dramën shqipe. Edhe pse ai vit përkonte me 25-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, shfaqja e një drame shqipe në Tiranën mbretnore të pragluftës së Dytë Botërore, varej pikërisht nga një princ turk. Me sa duket, turqit “kërkonin” të mos ngrihej lart Skënderbeu, edhe pse shumë shekuj kishin kaluar nga vdekja e tij. Në fakt, pjesa censurohej për shkak të vizitës së tij në tokën që vendi i tij e pati mbajtur nën sundim për shekuj me radhë.
Me sa duket, oborri mbretnor shqiptar mendonte se për turqit, Shqipëria ishte akoma plagë që dhemb. Drama “Kthimi i Skënderbeut në Krujë” ishte planifikuar të jepej dy herë. Në orën 17.00 për qytetarët dhe në orën 20.00 për Mbretin, personalitetet e larta dhe të ftuarit. Premiera e saj do të shoqërohej me peripeci të shumta që, akoma edhe sot janë të freskëta tek ata të paktë shikues që kanë ngelur akoma gjallë. Peripecitë, siç tregonte aktori Pjetër Gjoka që në dramë kishte rolin e plakut Llesh, ishin të lidhura me ardhjen në Shqipëri i ftuar nga Mbreti Zog, të dhëndrit të pallatit të sulltanëve, princit turk Habib. Trupës teatrale amatore iu kërkua të jepte shfaqje para mbretit, qeverisë dhe “mikut të nderuar”, vetëm me një kusht, që shfaqja t’i nënshtrohej censurës. Ky është një detaj që na shfaqet në monografinë “Pjetër Gjoka, 52 vite në skenë”. E botuar nën kujdesin e djalit të aktorit të madh, Gjovalin Gjoka dhe nipit Gjovalin Çuni, libri sjell momente të panjohura nga jeta dhe karriera e aktorit shqiptar. Në të na parakalojnë, heronj, luftëtarë, kujtime, të pathëna dhe momente mjaft interesante, të lidhura me jetën e artistit, regjisorit, aktorit dhe tenorit Pjetër Gjoka.

Pjetri fëmijë
Ulqin, 2 gusht 1912. Luçija e Ugashëve do të lindte një mashkull aq të pritur në familjen Gjoka, Pjetrin. Në vitet, kur qyteti po dilte nga korniza e qytetit-kështjellë, djali i Gjokajve do të kalonte tri motet e parë të jetës. Familja e tij do të vendosej në Shkodër në vitin 1915. Shkodra i priti me shi. Aty do të fillonte jeta e atij që më vonë do të ishte “Artist i Popullit”, Pjetër Gjoka. Ja si e kujtonte vite më vonë aktori ardhjen e tij në Shqipëri. “Edhe sot, në këtë moshë i ndjej ato currila të ftohta, që si një dorë e hekurt më kalonin nëpër fytyrë, me një ledhatim të ngrirë, të akullt, sikur donin të mbytnin të qarën time për bukë”. Mësimet e para do t’i merrte në shkollën e Françeskanëve në të njëjtin qytet dhe profesor do të kishte At Gjergj Fishtën, me të cilin do të kishte shumë kujtime. Një ndër ta është ai që i përket ditës ku Pjetri i vogël, pas mësimit kishte shkuar të lahej në lumin Kir dhe ishte hedhur nga ura e tij. Atëherë, siç do të rrëfente vetë ai, Fishta që nuk i bëhej fjala dysh, i kishte bërtitur dhe e kishte bërë t’i vinte gishtin kokës. Pjetri pati lindur pak muaj para se shteti mëmë të shpallte pavarësinë. Vite më vonë ai do të shprehej: “Unë e prita shpalljen e Pavarësisë me pelena. Nuk e di nëse qaja apo qeshja atë ditë. Por, tani më duket se do kem qeshur më shumë se qarë.

Kujtimet
Në jetën e tij artistike, Pjetër Gjoka ka qenë edhe muzikant edhe aktor. Si i tillë, janë të shumta pjesët që ka vënë në skenë. Nga dramat e shkruara nga kryemjeshtërit e letërsisë shqipe, më e mira për kremtimin e përvjetorit të Pavarësisë, në nëntorin e vitit 1945-ës është tragjedia “Juda Makabre” e shkruar nga At Gjergj Fishta. Me një subjekt të marrë nga Bibla, ashtu siç nënvizonte edhe Zef Zorba tragjedia “ishte fund e krye akuzë ndaj çdo lloj pushteti e çdo tradhtie ndaj atdheut, i përshtatej çuditërisht dallgëve të situatës politike nëpër të cilat po përshkohej kombi”. Për këtë, artisti Gjoka do të shprehej: “Ishte e përshtatshëm për rastin tonë, por ne donim që ashtu si teksti i dramatizuar të kishim jo një muzikë të huaj, por një muzikë të krijuar posaçërisht për ngjarjet dhe heronjtë e veprës së Fishtës”. Për të realizuar këtë, një grup artistësh shkodranë bënë të pamundur dhe liruan nga “burgu-shtëpi” Prenkë Jakovën, i cili ishte i vetmi që mund ta bënte muzikën. Përgatitjet për ta vënë në skenë atë nuk do të kalonin pa rënë në sy nga organet e sigurimit të shtetit. Filluan kërcënimet indirekte ndaj iniciatorëve. Për këtë Pjetri kujtonte: “Në një natë me stuhi shiu dhe ere, në shtëpinë time trokiti një njësi e Sigurimit të Shtetit. Gjatë pyetjeve që më bënë për të provuar identitetin tim dhe për të vërtetuar se ku dhe me kë e kisha kaluar kohën, rezultoi se gjithë ditën deri natën vonë, kisha qëndruar në mjediset ku punohej për melodramën”. Situata e tendosur politike e kohës bëri që leja mezi të merrej nga Ministri i atëhershëm i kohës Sejfullah Malëshova, “ithtar” i Fishtës. Por edhe pas kësaj, shfaqja do të ndalohej nga regjimi komunist. Pas shumë përpjekjesh premiera e shfaqjes të jepej më 28 nëntor 1945 në sallën e kinema “Rozafat”. Kundrejt kërkesave për ta përsëritur shfaqjen, erdhi vendimi komunist “ndal”. Fundi i kësaj shfaqje, ku Pjetri luante priftin, shënon fundin e aktivitetit vokal të Pjetër Gjokës.

Princi turk dhe Skënderbeu
Një tjetër rol i suksesshëm i Pjetrit do të ishte ai i Lleshit tek drama “Kthimi i Skënderbeut në Krujë”. Drama e realizuar në vitin 1937, vihej në skenë me rastin e kremtimeve të 25-vjetorit të pavarësisë. Pjetër Gjoka luajti me sukses përkrah Loro Kovaçit, në rolin e Skënderbeut. Lleshi do të shkonte në Stamboll t’i mbushet mendjen Skënderbeut të kthehej në Shqipëri. Roli mishëronte në vetvete urtësinë popullore. Në të shkriheshin njëra me tjetrën ngrohtësia dhe ashpërsia. Shfaqja e organizuar nga Loro Kovaçi, pas suksesit të madh në Shkodër, ditën e 28 Nëntorit, do të jepej në Tiranë, që ato ditë festive ishte mbushur me trupa amatore. Drama ishte planifikuar të jepej dy herë, në orën 17.00 për qytetarët dhe në orën 20.00 për Mbretin, personalitete dhe të ftuar. Premiera e saj do të shoqërohej me peripeci të shumta që, akoma edhe sot janë të freskëta tek ata paktë shikues që kanë ngelur akoma gjallë. Peripecitë, siç tregonte Pjetri, ishin të lidhura me ardhjen në Shqipëri i ftuar nga Mbreti Zog të dhëndrit të pallatit të sulltanëve, princit turk Habib. Trupës teatrale amatore, iu kërkua të jepte shfaqje para mbretit, qeverisë dhe “mikut të nderuar”, vetëm me një kusht, që shfaqja t’i nënshtrohej censurës. Në mëngjes erdhi për të parë shfaqjen vetë ministri i brendshëm i Zogut, Musa Juka së bashku me nëpunësit e tij. Mbasi e panë ata bënë disa vërejtje. Iu thuhej se nëse donin të shfaqnin të hiqej akti i katërt, si edhe disa copëza nga i dyti, në mënyrë të veçantë çdo fjalë fyese drejtuar turqve. “Ne nuk duhet të ofendojmë e të zemërojmë mikun tonë të nderuar, zakoni nuk na e kërkon një gjë të tillë”, – kishte thënë Musa Juka. Pas replikave të Loro Kovaçit, ministri Juka i nervozuar bërtiti: “Ta bëni si them unë, ndryshe do t’iu burgos të gjithëve. Duke e njohur mirë vlerat dhe huqet e bashkëqytetarëve të vet, Juka teksa largohej i zemëruar pëshpëriti: “Mirë jepeni vetëm për popull, ne s’na prish punë kjo”. Pika kulminante e saj ishte momenti kur plaku Llesh (Pjetri), me ardhjen e Skënderbeut në Krujë, ulte flamurin turk dhe ngrinte atë shqiptar. Kjo bëri që spektatori të kalonte në delir e të thirrte “Rroftë Shqypnija”.

Rolet
Një tjetër dramë tek e cila do ndalemi për të treguar një tjetër moment interesant, është ajo me titull “Dy princa për një vashë”. Një dramë me tre akte ajo u shkrua dhe u vu në skenë nga Henrik Lacaj, më 26 prill 1939. Drama krahas subjektit dhe interpretimit shënon edhe daljen për herë të parë në skenë të një vajze, Maria Markut, që interpretonte në një trupë me meshkujt. Mbi këtë event të skenës shqiptare, Pjetri tregonte se “në prova asistonin të gjitha gratë e aktorëve, për të mos lënë Marijen vetëm, kurse regjia, njërën anë të skenës do t’ia linte asaj për hyrje dhe dalje, duke mos lejuar asnjë aktor të shkonte nga ajo anë. Megjithëse në monografinë e A. Skanjetit nuk është pasqyruar pjesëmarrja e Pjetër Gjokës në dramën “Dedë Gjo Luli”, përmes kujtimeve të tij personale ne njihemi me realizimin e rolit kryesor të pjesës nga Gjoka. Ai kishte rolin e Dedës, një realizim i bazuar tek njohja e thellë e kësaj figure. Mesa dramave të shfaqura nga shoqëria “Bogdani” është edhe “Drejtësia cigane” e përkthyer siç ishte bërë zakon të cilësohej në atë kohë lirshëm nga Pjetër Gjoka dhe Kolë Çuni. Fletorja ku është shkruar drama, është ruajtur në familjen e aktorit Pjetër Gjoka, me shkrimin origjinal të tij. Ai do të interpretonte edhe rolin e Zabelinit në “Orët e Kremlinit”. Në arkivin personal të Pjetër Gjokës ndodhet edhe një fletore, që ndonëse e zverdhur nga koha, dallohet data 24.10.1957. Me një shkrim dore është hedhur në këtë fletore roli i Zabelinit, ndërsa katër fletë përmbajnë shënime që kanë të bëjnë me realizimin e shfaqjes, ku nuk mungojnë vlerësimet e vërejtjet për çdo rol. Por aktorit, rolet e shumta si malësor i veriut, me kalimin e kohës duket se e shqetësuan. Për këtë ai do të thoshte: “Jam kundër stamposjes së aktorit. Thonë se unë jam i prerë për rolet e malësorëve, por këtë nuk e pranoj. Më pëlqen të thyej vetveten. Nuk ka gjë më të keqe për aktorin kur e prefetishizojnë…”. Ai njihet si një ndër aktorët që ka interpretuar role, edhe pse ishte i verbër. Në Festivalin Kombëtar të teatrove ai do të merrte pjesë me rolin e Pilos, tek pjesa “Shënomëni edhe mua”. E mori atë rol me dëshirë të madhe, i vetëdijshëm për vështirësitë që i sillte verbëria. Në një situatë të tillë, Gjoka do të thoshte se është fatkeqësi e madhe të mos dish të lexosh, por fatkeqësi më e madhe qenka kur di dhe nuk mundesh”. Nga monografia “Pjetër Gjoka, 52 vite në skenë” ne kujtojmë për fat të keq, se kur ai u nda nga jeta, me vete mori edhe një peng. Në ditët e fundit të jetës, i tërhequr pas figurave kombëtare, e tërhoqi shumë monologu i Ismail Qemalit mbajtur ditën e Shpalljes së Pavarësisë. “Pas dy vjetësh është 70-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë. Edhe unë për koincidencë mbush atë vit, 70 vjeç. Kam një ëndërr si aktor. Të luaj Ismail Qemalin. Me siguri atë vit, do të ketë film apo dramë për të…” Ëndrra mbeti ëndërr, një vegim i këndshëm, i parealizuar, sepse ai u nda nga jeta më 2 maj 1982.

Nga Fatmira Nikolli 

GazetaShqiptareOnline me 9 korrik 2009

Vjeshta e Xheladin Beut / nga Mitrush Kuteli

Vjeshta e Xheladin Beut


Mitrush Kuteli



I

As vetë Xheladin Beu nuk dinte përse ndjente një zbrazëtirë aq të madhe në zemër atij mëngjezi vjeshte të dytë. Një zbrazëtirë sa një zgërbonjë gështenje që e ka brejtur krymbi përbrenda, një shembëtirë, një trubullirë e një neveritje pa fund e pa anë...
Edhe çudi: mëngjezi s’ishte i keq. E rrallë dhe e verdhë, vërtet, fleta e plepit përtej dritareve me hekura e kafazë, po qielli i kulluar, i ëmbël. Shpeshëria që, siç na duket neve, njerëzisë, s’ditka kurrë se ç’qenka dhembja e pikëllesa, cicërinte e ngazëllohej me bujë të madhe aty pranë konakëve të beut e tej e tutje – arave, pemëve, qiellit – kurse ay, Xheladin Beu i Shemshedin Beut të xheladin Pashait, apo “Beu i madh”, siç i thosh tërë bota, zot i patundur mbi çifligje e mbi njerëz, ndjente një zbrazëtirë të madhe në zemër. Gojën e kish të hidhur sikur paskej ngrënë shafran, qiellëzën të thatë, gjuhën të trashë si shuall bualli. Dhe herë-herë, një të therur në tepelekun e kokës.
As nga shëndeti, as nga malli e gjeja s’ish qarë shumë gjer ahere Beu i madh. Shëndetin e kish patur grurë: burrë i ngjeshur, dërdëng, ta çaje bëje katër: kamjen të rëndë, shumë brezash, sa as vetë s’ja merrte dot radhën me të numëruar e me kalem; bujqit, rajej e harbutë, të gjithë me dorën në zemër, si nuse kaurri: s’guxonin as t’i thoshin me emër, as ta shikonin në dritën e syrit. Edhe sikur t’u bënte urdhër që të shtirheshin përdhe që t’i shkelte me këmbë, siç shkelet balta për të bërë plitharë, shumë prej tyresh do të shtriheshin t’i shkelte. Se jo më kot Xheladin Beu kish në dorë bukën e kopaçen, tamam ç’i duhet fusharakut që të bëhet i butë si dele, jo aq fort për jetën e tij sa për atë të fëmijve të njomë e shumë brenga të tjera të kësaj dore. Tua të qaheshin? Po kujt t’i qaheshin? Kush i dëgjonte? Të ngriheshin e të iknin? Mirë, të iknin, po ku? Kudo që të shkonin i priste qaforja, sepse gjithë bejlerët e pashallarët kishin kërbaç e qahjanj. Tërë dheu që jepte bukë ishte e tyrja. Mirë thoshin ata që thoshin: gjithë derrat një turi kanë...Ca që ishin ngritur e kishin ikur natën, në erësirë, me fëmijët në kosha e pleqtë në tezga, kishin humbur si uji nëpër ujë, nuk u qe ndjerë nami e nishani. Prandaj ata që kishin mbetur, rrinin aty ku ishin, bënin grurë e hanin misër. Kur s’kish misër të mirë, hanin misër gjarpri, këlkëzë, të shkuar nëpër tri ujra, zienin përbrenda siç ziejnë e roniten në lyrën e vet ato kokat e këmbët e bagëtisë të futura në një poçe të madhe balte, me këltyrën të zënë me brumë, brenda në furrë. Nuk u ndjehej as regëtima, as cicërima. Herë-herë binte ndonjë sëmundje e u vinte kosën të vegjëlve e të mëdhenjve; shtëpi e fshatra të tëra mbeteshin të shkrta. Po, çudi, çudi, pas sëmundjes shtroheshin përsëri si fara e sinapit.
Ta pret mendja se ndër rajenj e ndër harbutë kish edhe kokëndezur, që nuk duronin më tej e mateshin t’ja shkrepnin, po Xheladin Beu, që ishte brezi i tretë zot në atë mëngë të mbretërisë së madhe të Baba sulltanit, e kish vënë punën në vijë të mos bënte rrëk njeri, kështu që kokëndezurit mbeteshin pa kokë përpara se të ndiznin koka të tjera. Këtë punë e bënin qajhallarët, “trimat” siç u thosh beu, apo “lanxhot”, “larot”, “zybat”, siç u thoshin me gjysmë goje ata të tjerët, vegjëlia.
Ja kështu!
Puna e bejllëkut dhe e çiflikllëkut do marifete. Dhe marifetet mblidhen e shtohen brez pas brezi, nga babai, nga gjyshi e më tej. Këto marifete Xheladin Beu i kish në xhepdhe i nxirrte një nga një a të gjitha bashkë, si t’ja donte puna. Veç kësaj, duhet ta dini se ai kishte zënë të gjitha shtigjet, shpatullat i kishte të ngrohta dhe i kthente gjithnjë andej nga ngrohte dielli, duvaxhi me mish e me shpirt i “llambës së dynjasë”, Baba sulltanit, të cilit i dërgonte kur e kur peshqeshe: mahmudije të verdha e çupa të bardha, nga çifligjet e tija. Nuk e harronte Kapu Aganë, as sadrazemin, as sulltan-validenë, as adëmin e madh, të parin e haremllëkut të sulltanit, që të mbyllnin sytë kur Xheladin Beu zgjeronte çifligjet lart e poshtë, në stërkat e bujqësisë, në zabelët dhe tokat e buta pa zot. Nuk përzihej fort në gërnjat e të mëdhenjve të mbretërisë, po kur i vinte ndonjë bumbashir e i thosh se Baba sulltani kish luftë s’di se ku, në Qyrdistan, në Rabistan apo në Tinglimajmunistan, beu i dërgonte karvanë me imdate e njerëz me dyfegje, që do të linin kokat andej. Po mbi të gjithë, beu mbështetej tek i vjehri, që ish bir veziri, mbështetej tek të kunetërit, që ishin të gjithë në bukë të madhe.
Me gjithë këto të mira që zumë në gojë e ato që nuk i zumë fare – kazanët e qypat dinga me mahmudije të verdha nga ato të merhum sulltan Mahmutit, me dupje lira, ingjiliska e verdhashka të ndryshme të kauristanit (s’prish punë se i kish prerë kauristani, alltën ishin edhe këto, nuk i hante ndryshku) dhe që i shtoheshin mot për mot, kukumale – me gjithë ata trimat mustaqepresh e mustaqerruar, që kish nënë urdhër e që s’linin të fluturonte as zogu pa lënë poshtë ndonjë pendë, se nuk i ushqente më kot me mish të majmë e somune të bardha, Xheladin Beu ndjente një zbrazëtirë të madhe në zemër (po, brenda në zemër) atij mëngjezi të ëmbël vjeshte.
Dhe kjo oda e madhe e konakut të madh me mure kalaje, me ca dritare me nga dy palë hekura të përdredhura si brirë dashi e me kafazë, nëpër të cialt drita e diellit hynte e çjerrë si nëpër ca kula drizash, i qerthullohej beut ashtu siç qerthullohen kuajt në lëmë. Jo, nuk qerthullohej oda, po qerthulloheshin trutë e Xheladin beut. Dhe nuk dinte ç’ishte kjo punë. I sëmurë nuk ishte, sepse ishte ngjallur, dhe të ngjallurit, thonë, nuk sëmuren kurrë. Kish patur, vërtet, në të ri, një si frëngjyzë a si i thonë asaj sëmundjes së frëngut, që ja kish dhënë peshqesh një cingi e trashë, brenda në Manastir, ku kish vajtur me ftesën e valiut dhe kish “këmbyer gjellën”, po kjo s’ish gjë: punë e vjetër, e harruar. Fshikën ja kish mbyllur një xherah plak me melhem zhive e hudhër të shtypur në havan e s’di çfarë tjetër. Ca më vonë i qe mbushur trupi me pushkuriza prush të kuqe, po edhe këto i kish mbyllur me melhem dhe trupi i qe zbardhur përsëri. Pastaj i kish rënë leshi i kokës, po rroftë festja me xhufkë, që ja mbulonte tullupanen. S’di se kush i kish thënë se po të kesh ndonjë sëmundje të kësaj dore, duhet ta hedhësh, t’ja japësh dikujt, ta përndash mbarë e prapë: peshqesh e dhe! Kjo isht epunë që dihej. Filan be, hanedan i madh, e kish hedhur oftikën duke pështyrë fshehur në gjellët e mira që u shtronte mysafirëve dhe, thoshin, ish bërë mirë, kish rrojtur edhe mjaft vjet. Ç’është e drejta, me kohë e mot, shumë nga mysafirët e të afërmit ishin sëmurur, po kësaj s’ke ç’i bën: sikush si ta ketë shkruar nga dora e zotit. Fundi i fundit, përse ata të mbeteshin faqekuq si molla, kurse ai, beu handean, të zverdhej e të thahej dita ditës? Ata të rronin, ai të vdiste - ë? Kështu bëri edhe Xheladin beu; i suall një çupë të mitur (sa më e mitur, thoshin, aq më e mirë është për benë, se të miturat e kanë gjakun të hollë, të valë, dhe gjaku i hollë dhe i valë e hollon, e ngroh dhe e spastron gjakun e trashë, të ftohtë...) dhe beu e pishi. E prishi e dha urdhër ta shpinin tutje që të mos shihej e të mos dëgjohej. Pastaj e përndau frëngjyzën anembanë, në gra e në dylberë, dhe u shërua fare...
Dhe ja tani, oda e madhe e konakut të madh i qerthullohej si kuajt në lëmë. I therte tepeleku i kokës. Ndezi një cigare, esëll, që t’ja priste vrundullin rrotullimit e të mbante mendjen në vend dhe zuri ta pinë shqeto, pa çibuk, po cigarja, aq e shijëshme herët e tjera, tani ju duk e hidhur e pështirë. E kafshoi dhe e hodhi tutje, në vatër.
Ç’ishte kjo punë? A mos beu s’ishte mirë? Jo, jo. Gjer dje kish qenë fare mirë.
Asaj nate kish bërë, vërtet, një aheng të vogël, me raki të fortë e meze nga të gjitha llojet – mish gjahu, pa dhjamë, të shuar në uthull, me hudhra, pra me shije shumë; mish të butë e të majmë, që e kish shqyer me dorë, e kish ngrënë dhe kish hedhur tutje koskat dhe kish lëpirë të persë gishtërinjtë e më the të thashë (ca jevga me daire e a të tjera me këngë në gojë, me çitjane të fryra si bajrakë dovleti, kur i nget era, me nga një flori të verdhë të ngjitur në ballë me sherbet të trashë, që thyenin belin e tundnin vithet aman-aman, që ta ndiznin benë...), them, kish bërë një aheng të vogël, po kjo s’ishte punë e re. Se Xheladin Beu kish qenë gjithnjë, që në të ri, njeriu i qejfit, hashari, dhe jo një herë e dy e zinte mëngjezi ku s’ta pret mendja, në konakët e afërm a të largët, në përdhesat e tebabisë, që mbanin erë myku e memish-haneje e shumë erëra të tjera. Bile edhe aty brenda, në selamllëk, ku priste miqësinë, meshkujt, beu kish në njërin krah odat e tija për punët e tija, me fjalë të tjera për gjerdheqe mbi gjerdheqe. Pastaj, kur velej së tepërmi nga mishi i bardhë i haremlëëkut (kësaj here hanëmi as që ishte aty: kish shkruar teferiç në sarajet e babait, të pashait), ngrihej vinte atje ku desh vetë apo sillte në jatak ato që desh vetë, dhe defi binte pa pushuar në dera, gjersa beu i madh mbaronte punë, po të ishte i kënaqur, e hidhte groshnë me grusht, që ta dinte vegjëlia sa të madhe e kish zemrën beu i madh...
Këto teke ja dinin të gjithë, e më fort ja dinin e ja druanin ata që kishin çupa të mitura në shtëpi, prandaj përpiqeshin t’u gjenin shpejt e shpejt ndonjë burrë sido-kudo e t’i martonin, për të hequr ferrën nga dera e për të shpëtuar faqebardhë. Po edhe në bri të buallit sikur t’u futkeshin këto, të bukurat, prapë Xheladin Beu i gjente pas erës, sepse era e çupës së bukur qenka si ajo e mollës së mirë, u përhapka anembanë. Dhe, si ja gjente gjurmën, Xheladin Beu akrosej si ai kali i zhdëpur me elb e nuk i zinte vendi gjersa e bënte vollen e tij, ja me të mirë, ja me të keq. Po, po: edhe me të mirë, sepse kur ja donte puna, beu bëhej, si i thonë, qumësht e mjjaltë. Dhe ju e dini sa shumë hie i ka një beu të madh kur qesh; i zbardhin dhëmbët, i xixëllojnë sytë, i shkëlqen lëkura e lyrshme e faqeve, i tundet xhufka e festes. Kjo të bënte t’i harroje të gjitha e të thoshe: “Oh, ç’burrë babaxhan është beu ynë, e paçim sa malet! Tamam si dielli i muajit maj!” Kështu thoshin syleshët, po ata që nuk ishin syleshë e dinin se Xheladin be “babaxhani” ishte si ata qentë e kiq që të hanë nga prapa: të fshinte nga faqja e dheut! Ay kish edhe një fjalë të tijnë, që e kish trashëguar nga i gjyshi: “Çdo gjë e gjallë që pillet, rritet e kullot në dhenë tënd është e jotja. Merre e bëj ç’të duash”.
Kur ja donte puna të bënte tembillëk” u jepte urdhër trimave që të fillonin spastrimin. Atëherë njeriu zhdukej pa gjurmë, siç nuk le gjurmë zogu në erë. Kish qenë e s’ishte më...Ai nuk harronte amanetin e vjetër të gjysh pashajt: “Mbaje e shtoe atë që ke; preja kokën atij që mundohet ta ngrerë lart: mos lërë të dalin në kasabanë tënde e në çifliget e tua njerëz më të mençur se ti: mos e prsih me të madhin; kij mendjen të shikosh nga fryn era e nga ngroh dielli. Për punët e tjera bëj ç’të duash, si zot malli.” Dilte nganjëherë një i krisur ndër rajenj e ndër hajdutë (nga një i veçuar), që vinte shpirtin në majë të dyfegut e ja shkrepte, po vendi se mbante dot me bukë dhumë kohë dhe shpejt mbulonte balta baltën, rritej bari mbi varre dhe Xheladin Beu bënte siç kish bërë...
Dhe ja sot, pas një ahengu të vogël, Xheladin beu ndjente një zbrazëtirë të madhe në zemër. Oda i vinte rrotull, zverkun e kish të rëndë, cigarja i dukej shafran.
U shtri në divan, vuri pëllëmbët prapa kokës, në jastëk, hodhi këmbë mbi këmbë e u mundua të platitej.
Krisën dërrasat e thata të çardhakut, tringëlliu rezja e derës së parë, në hyrje, dhe më tej rezja e derës së odës, kërcitën menteshët dhe hynë brenda katër a pesë kopile, kush me legen a ibrik, kush me sapun e peshqir në dorë. Këto të gjitha i printe një ballabane zeshkane me një shami aliskë në kokë, tërë tule mbarë e prapë, po gojëmjaltë. Kjo i tha tërë dhele: “Mirmëngjes, be. Si m’u gdhive, be? Si më je zotrote, be? Ta marrtë të keqen Sheqerja, be. Ditët tona në të tuat, be” e sa e sa të tjera të tilla. Kopilet përsëritën fjalët e ballabanes, por me zë më të ulët, të drojtur, si me gjysmë goje. Xheladin Beu u përgjunj e u la me zhurme e me grahmë, duke hapur rreth e qark shumë stërkala, siç e kish zakon: fërkoi zverkun bojë vishnje, u fshi me peshqir gjersa i krisi mishi, duke bërë “ohoho” e “ahaha”, se e ndjente veten më mirë. Vetëm gojën e kish të hidhur, megjithqë e lau dhe e shpëlau me ujë. Kur dual të gjitha, bashkë me ballabanen, hyri kopilja më e vogël e shtëpisë, një miturake me ca faqe si pjeshka që sapo e ke këputur nga dega, me vetulla të holla si tirtir serezi. Sytë nuk i dukeshin, se i mbante përdhe e ja mbulonin qepallat e gjata. Kish një fustan me lule, as të gjatë, as të shkrutër, dhe një palë papuçe Stambolii, që qëndisura, që i kish futur në këmbët e zbathura. Kjo ishte, si të thuash, kopilja e fundit që kish hyrë në konak të beut, një jetime që ja kish gjetur s’di se ku një myftar fshati e ja kish sjellë peshqesh, për të forcuar veten. Beut i kish pëlqyer shumë dhe e kish marrë që atë natë në dysheg, e kish bërë grua: ai me të gulçuar, si buall kënete, ajo me të blegërirë, si shqerrë në therrtore. Kështu edhe më tej, shumë net me radhë.
Shoqet, kopilet e tjera, i kishin zili, po më kot: ajo i priste me ankth e dhembje netët e dyshegut. Po të kish mundur do të kish zbathur, zhveshur, uritur nga kjo shtëpi e urryer, nga ky njeri i urryer. Të ikte, po nuk mundte: dritaret kishin hekura, oborret kishin mure, qahjanj. Kështu, vajza ish shtruar, kish hyrë në sërën e grave të tjera dhe vinte në jatakun e beut sa herë që i jepte urdhër Sheqerja.
Tani ajo mbante në duar një tabaka të artë me një xhezve të verdhë e një filxhan sa një lagjin, pa vegël, të stolisur me yj e hënë. Beu e shikoi me epsh dhe i qeshi buza – për herë të parë atë ditë - pastaj u ngrys përsëri: kopilja ishte gjithnjë e bukur, me qafën të gjatë e të bardhë, me gjinjtë as të mëdhenj as të vegjël, të shtrënguar me jelekun e qëndisur, po benë nuk e gënjente syri. Kopilja ishte ndryshuar s’di se si, nuk ishte më ajo e para. Fytyrën e kish pak si të zbetë, të munduar; belin më të mbushur. A mos vallë?...
I tha:
-Gurie (kështu i thoshin aty, po emrin e vërtetë nuk ja dinte njeri), hap atë penxher.
Kopilja bëri siç i tha i zoti: la tabakanë me xhezve dhe filxhan, u përkul sa hyri pothuaj e tëra në pezuli i murit të trashë, u zgjat, ngriti xhamin, e mbështeti në të dy zemberekët djathtas e majtas. Brenda në odë hyri më shum dritë dhe, bashkë me dritën edhe era e freskët e vjeshtës.
-Edhe atë tjetrën – tha beu, që ja kish mbërthyer sytë shtatit të Gurijes.
Kopilja u përkul shumë e më shumë, fundi i fustanit iu ngrit lart e më lart dhe, për një çast, përpara syve të beut llambaritën pulpat e zëmbakta. Hyri brenda edhe më shumë dritë e më shumë ajër, që e gjallëruan Xheladin Benë. Ndjeu një fërgëllim të këndshëm në rrembat dhe kërceu më këmbë.
-Edhe atë, Gurije!
Ajo u përkul ne dritarja tjetër, përsëri i zbardhën pulpat gjer në kyçet me damarë të hollë, të kaltër, prapa kupës së gjurit. Kur u kthye të marrë tabakanë, kopilja u gjend në krahtë e shëndoshë të Xheladin Beut, që e hoqi vrulltaz dhe i ngjeshi kokën në kraharorin e tij leshtor. Beu i madh kundërmonte raki, gromësinte shpesh “gup-gup” duke përhapur një erë të rëndë. Gurija u drodh, bëri të prapsej, uli kryet, po ay e hoqi më fort dhe i puthi gropën e qafës. Buzët i kish të vala, të thata; mustaqet të ashpra si kreshta derri. E shtyu ngadalë drejt divanit, duke ja shtypur vrazhdë gjinjtë - si zot malli – ndonse ajo klithi nga dhembja. Gurija priste me tmerr e krupë se ç’do të ndodhte më tej. Ah, sikur të kish një pus aty pranë, një greminë, që të hidhej, të vdiste...Vetëm të ndodhej sa më larg këtij divani të butë, larg Xheladin Beut të ndezur, të lemerishëm, që e shtrëngonte, gufonte, kafshonte. Mirëpo ndërkaq beut i qe shuar zjarri i ndezur një çast më parë në damarët e fryrë. Ju prenë këmbët, u zverdh, u ngrys dhe e largoi vetë, duke e kqyrur me ca sy të skuqur, të kërcyer.
-Efendëm...Ti je “ashtu”? – e pyeti Xheladin Beu sa për të thënë një fjalë.
-“Ashtu”...be...më tha...
-Efendm, kush të tha?
-Dado Sheqerja.
Sheqerja ishte ajo ballabaneja zeshkane, e para mbi të gjitha kopilet dhe këto i thoshin “dado”, ndonëse beu s’kish fëmijë, sepse hanëmi ishte shterpë.
Një herë e një kohë, Sheqerja kish qenë zjarrshojtësja e epsheve të parakohshme të Xheladin Beut dhe kjo punë kish zgjatur shumë vjet, bile edhe pasi atij i qenë zgjuar epshe të tjera: për çupa miturake e për dylberë bardhoshë, e më tej, pasi ish martuar me hanëmin. Më vonë, kur Sheqeres i qenë flashkur e varur së teprëmi tulet dhe kur as të bardhët e zhivës nuk ja fshihte dot rrudhat e dërudhat e shumta (doemos, ajo ishte disa vjet më e madhe nga beu) ky e kish pajosur mirë dhe e kish martuar me nallbanin e konakëve, shumë më të ri se veten, sepse, hej-hej! Dadua dinte shumë ledhe dashurie që i kish nxënë nga koha e Shemshedin Beut, babait të Xheladin Beut, kishte mbetur “folë-e-qesh” mbante kyçet e qilarëve dhe shkopin me të cilin rrihte kopilet. Nallbani ishte i kënaqur se qe bërë “baxhanak” me benë e madh e puna i vinte mbarë, tamam “ibrishim në qilim”, siç thosh kënga.
Po meqë zumë në gojë “baxhanakët”, duhet të themi se Xheladin Beu kish mjaft të tillë, të cilëve u falte kopilet e konakut, pasi velej me to e sillte të tjera, të njoma. Në këtë punë beu ndiqte gjurmë për gjurmë tragat e Baba sulltanit, “diellit të dynjasë”, i cili u falte sadrazemëve, pashallarëve, nedimëve, javerëve dhe gjithë të mëdhenjve të mbretërisë, të afërm dhe të largmë, odaliskat e bukura që kishin shkuar nëpër jatakun e tij, pasi i pajoste me pajra të mëdha. Dhe këta burra të mëdhenj të mbretërisë të madhe – sadrazemët, pashallarët, nedimët, javerët e belerët e të gjithë kallëpeve – e kishin për nder të madh të quheshin “baxhanakë” të “diellit të dynjasë” dhe të bënin fëmijë me bukuroshet që kishin lënë vajzërinë në dyshegun e sulltanit e të forconin themelet e mbrtërive të tyre të vogla nën hien e së madhes. Sa për punë “vajzërie” atyre nuk u bëhej vonë, sepse, kur u tekej, kishin çifligjet e tyre: “Zgjat dorën e merr”.
Tani dado Sheqerja ishte ajo që gjuante e shtinte në dorë vajzat e njoma – zakonisht miturake, jetime, pa krahë, po ndodhte edhe ndryshe..- që duhej të shuanin epshet e Xheladin Beut. Ajo vetë bëhej bullë e i stoliste para gjerdhekut, i mësonte se ç’të bënin e si të bënin që ta kënaqnin të zonë. Asaj vetë, Sheqeres, i mjaftonte nallbani i shëndoshë, që mund të thyente potkuan me dorë, e që punonte gjithë ditën me sandraç e çekan dhe mbante erë të fortë djerse burri.
...Beu iu afrua Gurijes, e hoqi lehtë pas gjerdhanit të inxhinjve dhe e pyeti duke i fryrë në turinj kundërmimin që i dilt enga plënci:
-Efenm, hanëmi di gjësendi?
-S’di...
Nuk u muar vesh mirë: s’dinte ajo, Gurija, apo s’dinte hanëmi dhe se si i kuptoi beu këto fjalë. Tha:
-Sot do ta pi ahven (kështu i thosh beu kafesë: “kahve”, siç e kish dëgjuar nga i vjehri e nga e shoqja) në ballkon.
Kopilja nxori tabakanë në ballkon, mbushi filxhanin me “kahve” pak si të ftohur, pa ajkë, dhe u kthye në odë.
-Mirë. Shko – tha beu.
Gurija doli kryeunjur, me sytë të përlotur, duke u përkundur, sepse papuçet e qëndisura i futeshin thellë në qilimin e butë. Ajo dinte ç’dinte, nga të dëgjuarat, se kopilet që mbeteshin me barrë në konakët e beut...dhe prandaj kishte përse të lotonte. Kujt t’i ruhej më parë: hanëmit, shembrave, apo beut? Një çast harroi puset e greminat, që kish menduar një çast më parë, thosh të kthehej, t’i binte në gjunjë e t’i thosh: “Aman, be, mos më vraj...mos...Mos...Lëshomë të shkoj gjëkund”. Por nuk u kthye.
Xheladin Beu mbeti vetëm, Tha të delte në ballkon, të pinte “kahven”, po e ktheu mendjen e i ra rrotull odës, qëndroi një çast përpara pasqyrës sa një derë, u shikua e nuk e njohu veten: nga pasqyra e vështronte një burrë tjetër me ca sy të skuqur, të kërcyer, me një grykë të shfryrë e të varur si ato laprat e misërokut, me ballin brazda-brazda. Aty-këtu, nëpër mustaqet e kreshpëruara, i dukeshin fije ergjëndi. Vetëm nën hundë, ku ndaheshin më dysh shtëllung, i kish pak si të zverdhura nga tymi i duhanit, tamam si ca qime përçi plak.
A mos e kish fajin pasqyra?
Jo, pasqyra e ndritur, me yll e hënë të bardhë, në cep, s’kish asnjë faj. Fajin e kishin vjetët e shumta që i kish rrojtur e gëzuar si shumë të paktë janë ata që i rrojnë dhe i gëzojnë, e kishin ahenjgjet e gjerdheqet e shpeshta, të cilat Sheqerja ja nxiste me pije xhenxhefili e karafili. Sidoqoft, tani, për herë të parë, xheladin beu vuri re se sikur i kish shkuar një damaluk nëpër fytyrë. Megjithatë, vajti e u ngul përpara një pasqyre tjetër. Po edhe kjo ishte si e para dhe i tregonte një burrë me lapra, brazda e sy të skuqur. I ra lehtë festes, me gisht, dhe e shtyu në majë të kokës tullupane. E ktheu në vend, e vuri mbi sy, si ngaherë. Hej, sa zët i kish atë çast ata derra çifçinj që rronin me bukë misri e dhallë po leshrat i kishin si penda të korbit...
-Efenm, u mplake, Xheladin Be...
Kush foli kështu? U kthye e shikoi përqark. S’kish njeri. Kish folur vetë beu. Këtë zakon kish kohë që e kish filluar dhe po e shtonte dita ditës: fliste e përgjigjej vetë. Njerëzit e tij të afërm e dinin, po bënin sikur s’dëgjonin, sikur s’vinin re kur çuçuriste kot më kot nëpër mustaqet, që i ngriheshin dhe uleshin. Domosdo, ata e dinin fjalën e moçme: “Beu edhe gomar të bëhet, mos i hyp”.
Dhe përsëri:
-U mplake, u mplake...Ike...
Dhe i vozitën mornica të ftohta nëpër trup jo për kohën që kish shkuar, po për atë që do vinte pasandaj. Ja, nëpër qytet e nëpër fshatra zunë të rriten çupa të reja. Aty më parë i shihje pragjeve e udhës, nëpër pluhur, të dregosura, të qurrosura, të palara, kurse tani s’i sheh fare: janë “mbyllur”. Domosdo, duhet të jenë zbukuruar. Kujt do t’i mbeten këto? Kujt do t’i mbetej mjalti i zgjonjve, rrushi i ëmbël, tërë pemët e çifligjeve? Xheladin Beu po mplakej, Xheladin Beu ish mplakur...
Mendja zuri t’i qerthullohej, sa ment ra poshtë, në sixhade. Bëri ca çape e ndenji në cep të divanit.
-Po pas pleqërie? – pyeti.
Dhe u përgjegj vetë:
-pas pleqërie, efenm? Ti e di: varri...
I hypën djersë të ftohta, që ja njomën rrethin e festes. Atëhere, po të shihej në pasqyrë, do të dukej si një kufomë e pakallur në varr. Kish parë shumë të vdekur, kish dëgjuar e dëgjonte ditë për ditë se vdisnin njerëz, po ata, thosh ai, ish in budallenj. Budallenjtë vdisnin...Ata që s’kanë ç’të hanë, ata që tërë jetën s’dinë të bëjnë gjë tjetër veçse të ngasin qetë e t’i rëndojnë dorakut të parmendës. Ay ishte be, ishte Xheladin Beu i Shemshedin Beut të Xheladin Pashajt, që e kishin pritur nä shparga mëndafshi dhe e kishin tundur në djep floriri. Ai nuk ishte si të tjerët, rajenjtë e harbutët, që i pjellin gratë në arat, i mbështjellin me lecka e i tundin në govatë, në vend të djepit. Një ishte Xheladin Beu në atë mëngë të mbretërisë, një e me vulë!
Po pas pak e ktheu:
-Mirë, mirë tha, duke përtypur nëpër gojë “efendëmin”, që e kish, siç thotë bota, “araret” – po edhe babai vdiq, edhe gjyshi vdiq...budallenj ishin ata?
Dhe u përgjegj vetë me një fjalë që e kish marrë nga Xhixhi-hanëmi:
-Afedersën! Afedersën!
Dhe më tej padashur: a s’ka edhe aty, Xheladin Beu dy duar e dy këmbë, si gjithë bota? A s’duhet të punojë si gjithë bota për të nxjerrë bukën?
Këtu nuk e mbajti dot të qeshurin, me të madhe: “Ha-ha-ha! Ku është parë bej, nip pashaj, të ngasë qetë? Ptu!”
Dhe u çudit se si mund t’i kish bërë vetes një pyetje kaq të shëmtuar. Si mund të vihej ay, beu i madh, burrë “temis” – siç i thosh pastërtisë, ndonëse kundërmonte nga kalbësit e brendëshme si ato saraxhatë e kuajve – në radhën e çifçinjve të thatë, nofullmëdhenj, të palarë, barkbosh, që Zoti, me të madh të tij, i kish jaratisur t’i bënte grurë e berra? Doemos, edhe çupa për gjerdheqe...
-Jok, jok! – tha siç thoshte xhixhe-hanëmi.
Kështu thirri beu sa kumboi tërë oda, si shpellë, dhe doli në ballkon, ndenji këmbëkryq në shaneshin, ndezi një cigare nga ato që dridhte Sheqerja e ja ngjitte me pështymën e saj. Aty, në ballkonin si kafaz me hekura të dendura e të përdredhura si ca rrathë buti, të teptisur jashtë e ë lidhur lart me murin e gurtë - që ku shihte dhe nuk e shihnin – cigarja ju duk pak më e shijshme. Zgjat dorën, mori filxhanin dhe e shpuri në buzë, po e la prapë menjëherë: kafeja ish ftohur fare. Ngrysi ballin, përpoqi duart fap-fap, një herë, dy..Hyri një kopile e vogël si zog pule, e zbathur, që beu nuk e thërriste më në dysheg dhe që, së shpejti, do ta vinte të ruante patat, sepse i kish shkuar koha, i kish kapërcyer të tetëmbëdhjetat. Kopilja u mat t’i kërkonte urdhërin, po nuk guxoi, ngriu me duart të mpleksura mbi gjinjtë e mëdhenj, shumë të mëdhenj për shtatin e saj të vogël. Vajza ish trembur: fytyra e tërë trupi i përkulur i Xheladin Beut ishin tërë vija drite e hije. Drita vinte nga rrezet e diellit, hija nga hekurat e ballkonit. Për një çast asaj ju duk i llahtarshëm, si qoftëlargu, dhe prandaj u mek.
-Moj ti, si të thonë... – tha beu – Kahvja m’u ftoh. Të më sjellë një tjetër. Ajo..
“Ajo” ishte Gurija...
Kopilja heshtur hyri, heshtur doli: Nuk ju ndje as hapi, as zëri.
Beu ktheu kokën nga ana tjetër. Në oborr shkonin e vinin njerëz pa zhurmë. Ata e dinin se beu ishte në ballkon. Nuk e shihnin, po e dinin: nga tymi i cigares që dilte nëpër hekurat, nga të murmuriturat me vetveten.
Konakët e Xheladin Beut ishin ndërtuar në një vend të lartë, pothuaj në krye të qytetit. Që aty dukej qyteti, apo “kasabaja ime”, siç i thosh ai vetë, dukej si në pëllëmbë të dorës, me pak shtëpi të larta e shumë shtëpi të ulëta, me minare të bardha e këmbanore të hirta, të gjitha të mbështjella në kithin e përndritur të vjeshtës së thatë. Një pjesë e madhe e dyqaneve dhe gjithë hanet në vrom të tregut, një pjesë e shtëpive, kopshteve dhe vendeve viranë, plot troskë, hithra e gjemb gomari dhe gjithë mullinjtë, ishin të beut. Qiratë i mblidhte dhe ja sillte Zylfua, muaj për muaj. Aty, në “kasabanë e beut” nuk bëhej gjë pa i marrë dorän atij. Mëngjez për mëngjez vinte bylyk-bylyk parësia e vendit, që t’i falej beut ose, siç thoshin, “t’i pinte kafenë”. Sillnin lajme se ç’kish ndodhur nga një ditë tek tjetra – kush ish vrarë e kush kish vdekur, kush kish ardhur e kush kish shkuar, kush gjykohej e përse gjykohej, kush shiste e kush blinte, kush kish zhveshur ndonjë karvan, kush ish martuar e kush do të martohej e sa të tjera të kësaj dore – merrnin urdhëra e pastaj shkonin me nxitim sikush në punë të tij. Rrallë e tek, kur ish fjala për ndonjë punë të madhe, a kur vinte ndonjë njeri i madh – kajmekam, kadi, yzbash ose duvaxhi i parë - dilte e priste vetë beu; më të shumtat e herës e prisnin veqilët, Zykua a Zylfua. Beu bënte sehir nga ballkoni ose ngjitej lart, në kullë, një odë e vogël me katër dritare, që ku mund të shihej në të katër anët, ose rrinte në shilte prpa perdes, si sulltani i Stambollit, dhe njerëzit ja dëgjonin vetëm kollën ose pëllëmbët që i përpiqte fap-fap, dhe atëherë u ngrinte gjaku në zemër: përpoqi duart beu!
Domosdo, në konakët e beut vinin edhe agallarë dhe myftarë fshatrash, vinin fshatarë për të qarë ndonjë hall. Ta pret mendja: asnjë nuk vinte me duart bosh.
Mirëpo kësaj here Xheladin Beu s’kish nge të merrej me vogëlsira të këtilla; ai ndjente një zbrazëtirë të madhe në zemër.
Hoqi sytë nga qyteti dhe i hodhi tutje, në fushë: këtu të verdhë, më tej të murrme dhe vende-vende të gjelbër, me selvi. Atje ku dukeshin selvi kish varreza, të vdekur, shumë të vdekur, sepse fshatarët e “kishin zakon” të vdisnin me shumicë, më fort fëmijët. Andej, në fushë, kish shumë shtëpi “të shuara”, shumë të tjera të braktisura. Nejse, tëi lemë fshatarët e të zemë një gjë tjetër më të mirë: dhenë. Pothuaj tërë ky dhe, gjer larg, ku piqej me qiellin ishte i tija. Me gjith varreza. Edhe kodrat në të djathtë e në të mëngjër. Të tijat, po ç’i do? Beu s’ishte mirë atij mëngjezi vjeshte. Pse e qysh? Po mplakej...Ja mbrëmë, i kishin sjellë një “ftujë të njomë”, si Gurijen. Jo, më të njmë: Gurija ishte persëmbëdhjetë vjeç, ajo tjetra që s’ja dinte as emrin, trembëdhjetë. Kishin kënduar me gojë e i kishin rënë defit: “Jarnana, jarnani” dhe prapë: “Jarnana, jarnani;/ Ato cica sherbetli,/ M’i bëj naze t’i pi raki...” Dhe ai, Xheladin Beu, zot mbi dhera e zot mbi njerëz, s’ish bërë burrë, ish lidhur. Kësaj here s’kish bërë ferk as xhenxhefili, as karafili, e as rakia me meze. Xheladin Beu po mplakej. Vogëlushja çupë hyri, çupë doli...dhe ish e bukur me vetullat të bëra me mazi, me thonjtë të lyer me këna, me sytë e bukur, me faqet me vrima.
Dhe beut i vinte keq, i vinte inat, i vinte turp. Ai goxha bej.
Aty për aty i shkrepi një mendje tjetër: kujt do t’i mbetej tërë ajo pasuri që kish mbeldhur e ajo që po mblidhte? Tërë ajo kasaba, tërë këto çifligje? Vërtet, e shoqja, Xhixhe-hanëmi, ishte nga derë e madhe, bijë pashai e mbesë veziri, po shterpë, barkthatë. Veziri kish qenë “baxhanak” i sulltanit; edhe vetë pashai. Pra Xheladin Beu kish hyrë në radhën e të parëve të mbretërisë dhe priste ta ngrinte oxhakun lart e më lart, të bëhej pasha. Peqe, po kujt do t’ja linte këtë oxhak? Mund të bënte një gj: të shtinte kurorë të dytë e të tretë me grua pjellëtore. Këtë të drejtë ja jepin të gjitha kanunet e dheut e të qiellit, po Xheladin Beu – i madhi Xheladin Be, i forti Xheladin be – duhej ta prishte punën me të vjehrin, me të kunetërit, me tërë farefisin e së shoqes, gjer lart në Porta e Lartë. Ai ja kish frikën sidomos Xhxhi-hanëmit, një gamile tërë koska e kokalla, sikur të paskej qenë ushqyer jo me qumësht e mjaltë, po me karkalecë të pjekur. Kur endej nëpër çardhak e kur sillej nëpër odë, tërë këto kocka e kokalla bënin trak-trak sikur të paskej vozitur vetë shapatani apo ai kadiu i vjetër i Libohovës, që thoshin se ish ngjallur lugat, sepse kish qenë i shtrembër e rryshfetçi i madh. Po ashtu, trak-trak, edhe kur ulej në shilte, kur binte në jatak: vetëm koska e kokalla. Mirëpo këto ishin koska e kokalla bije pashaj e mbese veziri, dhe prandaj i mbulonte me mëndafsh e pembe e belluz jeshil, të qëndisura me fije ari e të stolisura me xixa xhevahiri. Xixa të tjera të këtilla i ndritnin e i përndritnin në kapuç, në leshrat, në qafë, në kyçet e duarve, në gishtërinjtë me thonj të skuqur.
Ajo dhe të vëllezërit prisnin që Xheladin Beu të hidhte topnë - kështu apo ashtu... – dhe t’i përlanin pasurinë. Doemos, dinin se beu bridhte si maçok kobash poshtë e lart, brenda në qytet e jashtë nëpër fshatra, po kjo ishte punë mashkulli, le të bënte ç’të donte. Vetëm dy gjëra s’donin ata: kurorë të dytë, me shembër, dhe niqa...
Tani Xheladin Beu vështronte e nuk shihte gjë, sikur t’i qenë perdelisur sytë. Mendja e tij bluante po atë punë: kujt do t’ja linte emrin, oxhakun, mallin? Niqa – jo, kurorë të dytë - jo, po atëherë si? Këtë kokël duhej ta kish zgjidhur që qëkuri, dhe nuk e kish zgjidhur. Tani ish vjeshtë, tani beu...
Dha e mori me vete, murmuriti, u përgjegj vetë e së fundi tha me zë:
-Efenm, në djall të venë e bija e pashajt, të bijtë e pashait dhe vetë pashai, i biri i vezirit” Do të bëj siç bëri im gjysh! Ja, po të pjellë kjo një djalë (“Kjo” ishte Gurija) do t’i shtie kurorë e do ta marr grua të dytë! Pastaj le të bëhet ç’të bëhet!
Po ç’kish bërë i gjyshi?
Edhe gjyshit, Xheladin Pashajt, i kish qëlluar shterpë gruaja e parë. E mirë ishte, e bukur ishte, po shterpë...dhe pastaj e donte me gjithë shpirt e nuk desh t’ja thyente zemrën, t’i hidhte kurorë të dytë. Po si mund të rronte pa fëmijë? Dhe ja, një ditë vere, tek po rrinte në dritare, prapa hekurave, hyri në oborr një fshatar me një çupë të vogël, që e ndiqte si ogiçe. Fshatari ishte me opinga, çupa ishte zbathur. Ai ju afrua çezmës së pashait, piu ujë, lau sytë, u hoq mënjanë e i bëri vend çupës, zgjidhi shaminë e kuqe nga brezi e zuri të fshinte fytyrën, qafën. Çupa bëri siç kish bërë fshatari: piu ujë, lau sytë, po nuk i fshiu se s’kish shami. I la të thaheshin vetiu. Faqet e kuqe ju skuqën edhe më fort. Aty afër s’kish njeri. Megjithatë, çupa shikoi rrotull, pastaj ngriti pak fustanin dhe vuri njërën këmbë nën lyfyt, për të hequr pluhurin e udhës. Vuri edhe tjetrën, u përkul, i fërkoi. Këmbët i kishte, poshtë, të nxira, po lart, të bardha si niseshteja në diell. Piu edhe një herë, u hodhi edhe dy a tre grushta ujë syve. Pashai e pa që prapa dritares me hekura dhe e pëlqeu. Ai ish njeri i dhënë pas këlliçit e pas luftërave e jo pas grave, po kjo çupë i pëlqeu e më shumë. “Mirë, tani nxirre këtë çupë, i tha ay qehajajt. Të presë jashtë”. Qahjaj dhe çupa dualën. Pashai u kythe e e pyeti fshatarë cili ishte e nga ishte, ç’e kish atë çupë, ku vinte. Fshatari i tha emrin, fshatin. Fshati ishte pronë e pashait; çupa ishte mbesa e fshatarit, e bija e të vëllait, jetime. Sa vjeç? Dymbëdhjetë. Fshatari shkonte në pazar. Çupën do ta martonte me një që i jepte njëqind grosh, tre kreë dhen, një palë rroba, një shami e s’di çfarë. Ay që e merrte – filani i biri i filanit nga filan fshat – ishte i pasur. Kish edhe tri gra të tjera, shumë djem e vajza, me të tria. Disa djem e disa vajza i kish tëmartuar e me fëmijë më të mëdhenj se sa nusja e re, që i qe tekur të merrte, për pleqëri. Pashai e dëgjoi dhe, fundi, i tha: “Mirë e mora vesh. Ti shko, çupën lere këtu, se është malli im, nga çifligu im. Do ta martoj vetë me kë të dua”. – “Aman pasha! Derman pasha! Vetë dorë në zemër! Çupa është jetime, kam marrë kapar që t’ja jap filanit...” – të gjitha shkuan kot; pasahi nuk u tund nga fjala e parë. “Eshtë malli im, do ta martoj vetë”. Nxori qesen, i numëroi pesëqind grosh, i hodhi përsipër xhing-xhing edhe nja tre mexhite të bardha, i dha fjalën se do t’i jepte një pendë që, pesë krerë dhen e s’di çfarë, pastaj përpoqi duart. Hyri qahjai, e zuri lehtë përkrahu e nxori jashtë me të butë. Fshatari ishte edhe i gëzuar – pesëqind e kusur grosh, një pendë qe, pesë krerë dhen! – po edhe i trembur. “aman, - i tha qahjajt, mos më merrni në qafë! Kam në shtëpi fëmijët e mi e fëmijët e tjerë të vëllait. Druhem mos bie në gjak me atë miknë që më ka dhënë kaparë”. – “Verë kësulën mbi sy, e qetësoi qahjaj, - e i thuaj se çupën e mbajti pashai dora vetë. Në do gjak, le të vijë këtu”...
Që atë natë pashai e mori çupën në jatak. Edhe netët e tjera...Kur mbeti me barrë, e dërgoi në një fshat të largët, që të lindte. Bëri djalë. Atëhere pashai ishte dyzet e kusur vjeç. Këtë punë e mbajti të fshehtë. Të fshehtë-të fshehtë, po fjala i vajti në vesh së shoqes, pashalleshës. Në vend të pikëllohej, kjo u gëzua e i tha pashait: O imzot, pse ma fsheh mua gazin tënd? Gazi yt është edhe imi. Unë dnodha të jem kështu siç jam, barkthatë. Ti, Pasha, s’më ke faj...Kështu desh zoti. Hidhi kurorë çupës, sille këtu me gjithë djalë. Do të ta dua si birin e gjirit e të pëqirit. Do të ta tund në djep floriri, do të ta lish me shparga mëndafshi, që të rritet, të shtohet e të mos na shuhet oxhaku”. Pashai e shikoi i çuditur, po e kuptoi se e shoqja i fliste nga zemra. Dërgoi e solli fshataren e vogël, me gjithë djalë. I hodhi kurorë. E shoqja e parë, pashallesha, e mbajti fjalën: e lidhi djalin me shparga mëndafshi, e tundi në djep floriri. Nuk i mbajti kurrë mëri shembrës së re, të bukur si hënë. Kjo s’bëri fëmijë tjetër. Djali u rrit dhe u bë Shemshedin Be. Pashai vdiq pas disa vjet, po e la me fjalë që i biri të martohej i ri e të bënte shumë fëmijë. Shemshedin Beu nuk ja shkeli porosinë. Bëri shumë djem, nga të cilët mbeti gjallë vetëm Xheladin Beu; të tjerët vdiqnë apo u vranë nëpër luftra, për të fituar ofiqe e çifligje. Ama pasurinë e shtoi shumë e më shumë, mbushi kazanë e qypa me verdhashka, se ish lakmonjës i madh i parasë, dorështrënguar, i rripte të gjallë të gjithë ata që kish nën urdhër. Mbyllte grurin e misrin në hambarë të mëdhenj, që i hapte në mars a në prill, kur binte zia e bënte kërdinë. Mbante njerëz apostafat për të zhveshur karvanët, pastaj bënte sikur i dërgonte për të ndjekur hajdutët, ndërsa kuajt e mushkat e karvanëve, me gjithë barrë, i kishte në ahur. Ua kthente të zotërve me pagesë, dhe, më vonë, ua grabiste përsëri. Shkonte për gosti nëpër fshatrat e nëpër stanet, hante e pinte dhe, më në fund, në të ikur, kërkonte “dhëmb-parasi” – pagesë për dhëmbët që ishin munduar për të ngrënë mishin e pjekur. Shpesh trimat e tij grabisni tufë të tëra bagëtish. Qanin çobenët e çobankat, që kishin mbetur lugëthatë, po shemshedin Beut nuk i bëhej vonë. Një herë, s’di se kur, thonë se një çoban i krisur, që beu i kish rrëmbyer kopenë, i ra me dyfeg të gjatë e krisi e iku. Nuk e vrau, po e plagosi: i futi një plumb në mollaqet. Që atëherë Shemshedin Beu s’mundi as t’i hypte kalit, as të ecte me dy këmbë. Plaga ju bë xhivadi e madhe, që ja punonin me fitil. Lëngoi shumë vjet, përmbys, gjers vdiq, apo gjersa ngorshi, siç thosh harbutëria a rajallëku.Gjithë pasurinë që kish trashëguar nga i ati, nga pashaj, e atë që kish mbledhur vetë, ja la të birit, xheladin Beut. Ky ra pas qefeve e ahengjeve, pas grave, pas zullumeve. Më tej, për të forcuar oxhakun u martua me një bijë pashai, mbesë veziri, baxhanakë e stërbaxhanakë sulltani, me atë gamilen koskëmadhe e hundësamare, që i thoshin Xhixhi-hanëm apo xhixhiko-hanëm. Beu s’e kish parë fare, se mblesëria e martesa ishin bërë, siç e donte puna, me lajmëtarë, që ja kishin ngritur në qiellin e shtatë të mbesën e vezirit, duke thënë se kjo ishte e bukur si hëna e gushtit, si dudia e butë e sa të tjer të kësaj dore. Krushqit ja suall nusen në shtëpi, me suvarinj, me salltanet të madh, me allajka e stërallajka prapa, po pa çupëri...Çupërinë ja kish falur s’di se kujt, që në kohën kur i thoshin Xhxhi.hanëmkëz (këtë punë e dinte ajo vetë dhe ai mashkulli festekuq, që kish hyrë i pari në jatakun e saj), po xheladin Beu s’guxoi të bënte gëk as mëk, se binte në luftë me pashallarë e vezirë, me baxhanakun e tyre sulltanin.
Ja kështu! Xhixhiko-hanëmi doli, siç thamë, shterpë. Jo tamam shterpë se, siç thoshin gojët e këqia, dikur kish hedhur në diell fëmijën e parë dhe më tej kish shterur. Këtë punë, ajo e dinte që qëkuri, dhe prandaj ja kish bërë fora, andej, në pashallëkun e babait, duke ndërruar jaranët si fustanët.
Tani sikush bënte jetën e vet në konak të vet: hanëmi në haremllëk, me të pritur e me të përcjellë zonjat e parësisë (helbete, shpesh s’dihet ç’fshihet nën ferexhe: ti pandeh se është femër e të del një bandill mustaqedredhur...); beu, në selamllëk, me ato që dimë e ato që s’dimë.
Dhe prisnin.Çfarë prisnin? Kushedi...Rrallë e tek shtroheshin në sofër bashkë; beu me sheqeren pranë, gjithnjë sytë katër; hanëmi, me allajkën më këmbë, prapa kurrizit.
Xheladin Beu nuk shkelte kurrë në pashallëkun e vjehrrit, plak, se kish frikë mos kthehej meit, në tabut..
Ama “selámet” dhe “aleqym selámet” bashkë me peshqeshet, shkonin e vinin pa kursim. Dhe ndërkaq, beu e nxirrte dufin duke bredhur poshtë e lart, si ata maçokët e shkurtit, duke përhapur në të katër anët sëmundjen e frëngut, kurse hanëmi shkonte e rrinte muaj të tërë në pashallëkun e babait apo në atë të vëllait të madh, dhe atje, tym të dalë: sonte një feste, nesër një tjetër, pasnesër një sarëk – shterpë që shterpë ish!
Pashai plak i kish dërguar fjalë disa herë të dhëndrit që t’i jepte për grua të dytë një mbesë, çupën e çupës a nuk di çfarë (që të mos i shuhej oxhaku e të mos i dilte pasuria nga dora), po Xheladin Beu, që ish djegur nga çorba, tani i frynte edhe kosit e s’desh të bënte më krushqi me pashallarë.
-Evet, efenm! – thirri Xheladin Beu, si e pleqëroi punën në mendje – do të bëj ashtu siç bëri gjyshi!
Kur e ngriti kokën, pa se përpara tij qëndronte Sheqerja me tabaka në dorë, me xhezve e filaxhan.
-Ti? Po pse, pse...ajo? Hëm...Hëm...Hëm Efenm – dhe u ngrit në këmbë.
Sheqerja buzëqeshi me atë gojën e madhe, u përkul e mbushi filaxhanin, sa një lagjin, me kafe avulloshe.
Xheladin Beu ishte burrë i pashëm, i mbushur, i gjatë, po Sheqerja vinte një pëllëmbë më e gjatë. Domosdo, edhe shumë më e mbushur, prapa e përpara. Ajo e dinte se po të qëndronte më këmbë, ne pragu i ballkonit, do të duhej ta shikonte benë nga lart poshtë, kurse ky duhej të ngrinte kokën. Punë pa lezet...Prandaj u ul e ndenji burrërisht ne pragu i ballkonit, duke hapur djathtas e majtas palat e shumta të dimiteve dyzet-kutëshe, dhe ngriti kryet të shikonte benë, që ndërkaq ish ulur përsëri dhe kish ndjellë e zhurmë, sikur të thithte palcën e ndonjë koske, gllënqet e para të “kahves” së valë, zinxhirli, plot kajmak. Sheqerja tha:
-Ajo, be, t’u bëftë Sheqerja e ka marrë punën me frikë. S’di ç’i kanë thënë ato ziliqaret, kopilet. Të këtejshmet e të andejshmet – dhe tregoi me dorë konakët e Xhixhi-hanëmit.
-E kanë marrë vesh se është “ashtu”?
Sheqerja bëri me kokë:
-E kanë marrë...E kanë trembur çupën. I kanë thënë se, gjoja, zotrote do ta vrasësh me gjithë foshnjë. Ka lojtur pak...Kështu e ka barra e parë, ta marrtë Sheqerja, po kjo bën veç botës. Flet përçart: “Bubu, beu! Bubu (hanëmi! Do të më hedhin në pus. Do të më mbërthejnë në mur të gjallë” Të ik, të ik, në mal, me ujqit! Bubu, beu! Bubu beu!” Kështu bën. – dhe Sheqerja qeshi.
Xheladin Beu ndezi një cigare, lëshoi një shtëllungë tymi mbi filxhanin, që ja mbushi Sheqerja së dyti, e tha:
-Jo, moj, jo” Këtë nuk e vras, nuk e mbyt. Unë...unë...efenm, them...
-Ka frikë edhe nga allajkat, nga të gjithë.
-Jo, jo! Të mos ketë frikë.
Për ca çaste biseda u kthye në çuçurimë. Beu e hoqi për jeleku, i tha në vesh ç’kish për të thënë. Dhe kur e kur: “Hëm, more vesh, Sheqe? Kështu...Unë...atë...po të bëjë djalë...efenm...si gjyshi!” Ajo dëgjonte e bënte me kokë në të djathtë e në të mëngjër: “Peqe, be. Sa mirë të paska rënë në mend. Si të urdhërosh zotrote, be, ta marrtë sheqja, t’u bëftë Sheqja. Këtë punë ma lerë mua, që t’i gjej vendin. Djalin do të ta rrit unë. Ti i bukur, ajo e mirë, djali si pëllumb! Të pëlcasin nga inati ata që s’na duan”. Herë pas here bënte me kokë lart e poshtë, duke nxjerrë ca tinguj shumë të thatë a shumë të lëngtë nga qiellza, nga gjuha e dhëmbët, që veshi i shquan dhe i kupton mirë, po kalemi nuk i merr dot: “ncuk”, “ncuq”, “ntxk”, “ntck” e kështu më tej. Kur mbaroi, beu i vuri pëllëmbën mbi supin e tultë, të dhjamur, rëndoi, shtërngoi, sa Sheqe i dhembi, zgurdulloi sytë.
-More vesh, Sheqe? Ashtu të bësh. Po të më sjellësh myzhdenë se bëri djalë do të të jap një mulli!
-Më rrofs be.
-Tani shko.
Sheqerja u ngrit më këmbë, pothuaj e gëzuar – sepse pëllëmba e rëndë e beut ja kish bërë supin zdrame – dhe, për një çast, me ato kindat e dimiteve të hapura djathtas e majtas, prapa e përpara, u duk si një mullar me bar që e kishin çarfalitur me gojë e me brirë ca buaj shumë të uritur. Ndreqi palat, u mat të dalë. Beu po e shikonte tërë epsh. Aty për aty iu ndez një dëshirë e re për Sheqen e tij të vjetër. La filxhanë e tha:
-Jo Sheqe, mos shko. Futi llozin derës dhe eja.
Sheqeres i qeshi fytyra:
-T’u bëftë Sheqja, be...ti me mua e ke shpirtin.
Shkoi i vuri llozin derës dhe u kthye me dhele, si dikur. I ndritnin tengllat e mëdha, të arta. Shkopsiti me naze jelekun...
Edhe kështu, atij mëngjezi vjeshte, Xheladin Beu i Shemshedin Beut të Xheladin Pashajt u bë përsëri burrë dhe “ortak” me “baxhanakun” e tij, nallbanin, të shoqin e Sheqeres.
Nga jashtë vinte trokëllima e çekanit të nallbanit që mbathte kuajt. Dimitet dyzet-kutëshe kishin mbetur jetime, nëmes të odës.
-Me Sheqen tënde e ke shpirtin, be...
-Me ty, Sheqe, me ty...-thosh beu duke gulçuar si kalë teknefes.
...Sheqerja u vesh përsëri, kopsiti sumbullat e jelekut dhe u mat të çelte, po diç ju kujtua:
-Jashtë presin ca njerëz.
-Ç’janë?
-S’janë gjë, hallexhinj: kasaballinj, fshatarakë. Ndofta kanë ardhur të qahen.
-Të qahem, efenm? U thuaj të flasin me Zykon. Sot jam zaif.
Zykua ishte veqili i parë i beut, një shkurtabiq i çalë e dredhak, që të shkonte në hell, të diqte e nuk të piqte.
Beu shtoi:
-Jam zaif. I thuaj Rizait të nxjerrë kuajt, të më shaloj Allçanë. Do të dal teferiç, andej – dhe tregoi vagël fushën. – Për gjah. Me shtatë veta. Sillmë rrobat, Sheqe.
-Peqe, be. A je mirë? – e pyeti ajo me buzë në gas.
-Shumë mirë Sheqe.
-Me mua e ke shpirtin, be, me mua.
Veshi me nge rrobat e kadifesë së gjelbër me vija e sumbulla argjendi, që i kish apostafat për udhë e gjah. Sheqerja u ul në bisht e i mbërtheu kopsat poshtë, nën gjunjë; i lidhi lidhëzat e gjata të çizmeve të verdha, duke i shkuar kanxhë më kanxhë. Kur u mat të ngjeshte kollanin me fishekë, u dëgjua një trokëllimë në derë. Sheqerja e hapi. Hyri një zhgan kopilesh që sillnin mëngjezin. Xhelain Beu u shtrua në sofër, i ra festes dhe e largoi nga balli. Hëngri llap-llup, me zhurmë, si ngahera. E nisi me çorbë pule të majme, tërë sythe lyre, po të athët të prerë me limua (dinte Sheqerja se ç’t’i gatuante që t’i hiqte gromësirat e rakisë), e vazhdoi me mis të bardhë pule e miske, me qengj të pjekur, e mbylli me shqerpare të mybtur në sherbet të trashë, të mbuluar me pluhur xhenxhefili, kanelle e karafilke. Çliroi kopsat, përpoqi buzët e gjuhën me “oh! oh!...”, lëpiu të pesë gishtërinjtë. Lakmoi shumë e u ngjesh paq, pastaj kur s’mundi të hante më, i largua nga strofa, lau duart, u mbështet në jastëk dhe shikoi togun me koska, poshtë, dhe strofën plot mishra e ëmbëlsira.
-Eh, efenm! Mirë i ka jaratisur të gjitha i madhi zot, ama një gjë s’e ka bërë mirë: i ka dhënë njeriut vetëm një bark, si kamësit, ashtu edhe skamësit, që s’ka ç’të hajë...Punë i thonë kësaj? Ja unë hëngra e u ngopa, po tepëroi. Kush do t’i hajë këto që lashë? Hë? Jo, këtë s’e ka bërë mirë!
Kjo ishte fjala që thosh dendur beu, kur ish me miq, kur hante shumë velej e tepëronte. Tani s’kish miq, po prapë e tha fjalën dhe vështroi me pikëllim sofrën plot: kish ngrënë shumë, po edhe kish tepëruar.
Për një çast harroi gjahun, Rizanë dhe pelën e kullme, që zbriste në oborr duke çukitur kalldrëmin me potkonjtë e nallbanit të Sheqeres, harroi langonjtë dhe qahjallarët, dhe po e ndillte gjumi. Por, më në fund, e mundi veten, u ngrit, ngjeshi lehtë-lehtë kollanë mbi plënxin plot, mori çiften e zbriti. Tirmat e pritën me dorë në zemër e u hodhën ta ndihnin t’i hypte pelës: kush i ndreqi yzengjitë e kush i mbajti këmbën me të dy pëllëmbët dhe e ngriti lart. Puna shkoi zor, se beu qe rënduar shumë, po i dha hov trupit e u gjend majë pelës, doli nga porta me qemer guri e u nis për në fushë: ai përpara, trimat prapa, langonjtë kur përpara e kur prapa.
Qielli ishte i kulluar, fusha e kodrat të veshura e dritë, udha e butë, me pluhur, vende-vende, në hije, e lagur nga vesa e natës. Zogj udhëtarë, të renditur si perusti, fluturonin lart, shumë lart, duke fërfëllirë krahët. Langonjtë çafkëllonin nëpër dternishtet mbi udhë e nën udhë. Nga një brryll udhe dual një tufë fshatarësh me qerre, kuaj, mushka e gomerë të ngarkuar me drithë, qepë, presh, kunguj, pemë, dru: i shpinin në konakët e beut. Kur e panë, mbajtën kafshët e qëndruan buzë hendekut, si të ngrirë, me dorë në zemër.Beu as që u hodhi sytë. Tani e kish marrë pak veten dhe kulloste rreth e përqark sytë e skuqur. Nata e ahengut kish mbetur prapa, larg, në mjegull, me gjithë jarnanitë e jarnanatë e saj, që dukeshin të paqena, si një ëndërr e keqe e një nate dimri, kur të bëhet sikur të ndjek një llavë ujqsh, të afrohet të të çajë e ti bën të vraposh, të shpëtosh, po nuk ik dot, je mbërthyer në vend, thërret me të madhe e as veshi yt s’ta dëgjon zërin. Edhe Xhixhi-hanëmi ishte zhdukur bashkë me natën e dmrit, me ujqit. Xheladin Beu ishte në diell të mirë, bënte, i gëzuar, “ohoho!” e “ahaha”, jepte e merrte me vete. Ata që vinin prapa dëgjonin, po nuk ja shkoqitnin dot fjalët.
Papritur, era solli një kundërmim kërme. Beu e trimat kaluan të ngrysur pranë një gomari të ngordhur me këmbët përpjetë, me kokalla të kuqe, dhe trembën një tufë galash të shtruara në gosti. Këto u ngritën e shqitën sipër kalorësve si ca hije të zeza, krokërinë me zemërim, ranë në një ugar, u ngritën përsëri e u kthyen në gostinë e tyre.
Beu nxori cigare, e ndezi, që të shpëtonte nga kundërmimi i kërmës. Nëpër arat me misër të paprerë, zbardhën, skuqën, zverdhën për një çast ca shami, pastaj s’u panë më. Domosdo, Xheladin Beu e kish hijen të rëndë, prandaj gratë e vajzat u tulitën nëpër misrat.
Më tej era e u bë përsëri e pastër, e këndëshme, si në vjeshtë. Një çast ju kujtua Gurija e trembur, me barrë.
-Në djall të vejë edhe kjo! – tha dhe hodhi tutje bishtin e cigares.
Vetëm një gjë nuk harronte dot: atë gjerdhekun e dështuar të natës që shkoi, që i qe ngulur si një gozhdë në tru, megjithqë Sheqerja e kish kënaqur në mëngjez si ngahera. Ju duk sikur ja dëgjoi zërin e butë, ledhatonjës: “Me mua e ke shpritin, be...me mua! Të vesh ku të vesh, me mua e ke shpirtin!” Dhe Sheqerja kish të drejtë: me të e kish shpritin Xheladin Beu. Dhe s’di se si, i vinte keq që ja kish falur nallbanit, baxhanakut. Më në fun tha:
-Prapë imja është. Kur të dua...
I futi mamuzet pelës dhe e ngau vrap përpara. Më tej dërgoi një qahja të lajmëronte të parin e akcilit fshat se do t’i vinte për drekë e pastaj u fut nëpër korie, pas gjahut.
Gjahu i vajti shumë mirë atë ditë: turtuj, thëllëza, pëllumba...Ay vriste, langonjtë e qahjanjtë ja sillnin.

II

Drekën e hëngri jashtë, në “jeshillëk”, pranë Kroit të dardhës plakë, se aty e kish kërkuar vetë. Të trapiturat pas gjahut, rakia e mirë, e ftohur brenda në krua, mezetë e shijshme ja hapën oreksin sa për katër barqe. Beu mbushi vetëm një, sepse aqe kishte, po e ngjeshi mirë, si targaç kurbati: hodhi brenda shumë, nga të gjitha.
Tani, ndërsa trimat ishin shtruar e po hanin pak më tej, në një brinjë, beu rrinte shtrirë në qilim, me tëmblën e djathtë të mbështetur në pëllëmbë. Burrat e fshatit, pothuaj bujq në çiflik të beut, kishin lënë punën e grindjet dhe kishin ardhur t’i faleshin, t’i bënin nder, siç e do puna. Këta rrinin nja dhjetë çapë larg, posht, kush më këmbë e kush më bisht a më gjunjë, duke pritur një shenjë, një urdhër. Ca të tjerë u shërbenin trimave të beut, që hanin bukë e mish e ua hidhnin kockat langonjve. Beu mbajti pranë tij vetëm disa pak burra nga parësia, me qosteqe e pafta ergjendi në gjoks e “peqepeqe” në gojë. Këtyre u hodhi vëp e vëp nga një cigare të hazërtë, që ishin shumë të mira, sepse i kish dredhur vetë Sheqerja e i kish ngjtiur me pështymën e saj.
Drita e ditës ishte e butë, e ëmbël, si e kulluar nëpër gjergjir. Beu foli për punët e mëdha e të vogla të mbretërisë; për “djellin e dunjasë”, Baba sulltanin, që ja kish vënë këmbët në një këpucë gjithë “Avropës” ja kishte hedhur hallkën tejpërtej nëpër hundë e bënte të loste si ari. Së shpejti, Baba sulltani do të nxirrte këllëçin e madh e do t’i bënte hi e pluhur gjithë kralet e mëdhenj e të vegjël, do t’u merrte gratë e çupat e do t’i mbyllte në haremin e Stambollit. Domosdo, ato që do të tepëronin do t’ua falte të mëdhenjve të mbretërisë. Tha se ay,, Bab sulltani, mblidhte njerëz me harxhe, paguante tink-tink alltën e argjën. Pastaj, papritur, vuri re se burrat që kishin ardhur t’i merrnin dorën ishin të paktë. Pyeti:
-Efenm, vetëm kaq burra paska fshati? Ku janë ata të tjerët?
-Ka vdekur një si çun i vogël, be. Kanë shkuar ta kallin në varr – tha njëri.
-Ka vdekur edhe një si grua, me nder të zotrisë sate, një nuse e re – tha tjetri.
-Hëm, hëm, xhenaze biçimi...Dy të vdekur në një ditë. A mos i ka rënë murtaja fshatit? – pyeti beu edhe si me të qeshur, po edhe me frikë.
-Murtaja jo, be, po na ngrinë ethet. Edhe dje...
Beu s’pyeti më tej si e qysh, si nuk pyeste kurrë për punë vdekjeje. “Këta derra çifçinj janë të shtuar si fara e sinapit...Vdesin, po nuk shuhen fare. Po të kenë bukë misri shtohen gjene, se ato dosa fshatarake pjellin stërc e stërc për mot”. Aty për aty e ktheu bisedën: “Më kini mbetur borç kaqe grurë e kaqe misër, kaqe dru...Dushk i dua. Mjaltin s’ma kini sjellë. Harruat ku jini? Do t’ju dërgoj Zylfon a Zykon që të ndajmë hesapet bashkë. Hëm...hëm...” Fshatarët dëgjonin me sytë përdhe. “Grurin e msirin i kemi larë. Edhe drutë i kemi larë. Sot dërguam të fundit”. Dhe me gjysmë goje: “A mos i ka mbajtur Zylfua për vete?” Po fjalët e tyre s’i ranë në vesh beut, se askujt s’ja mbante të fliste me zë të lartë. Beu ligjëroi:
-Shkoni bre, andej, me harxhe – dhe tregoi tutje me dorë. – Të mbushni qeset e të lani borxhet. Dovleti ka haznë të madhe, ka taraphanë. U jap kartë për tim vjehrr, pashanë, se më ka bërë haber: do njerëz. Dovleti ka luftë, lufta sjell pare, të mbush me plaçkë.
Dhe, si rrinte kështu, me cigaren të shuar ndër gishtrinj, e preu një gjumë i lehtë, i ëmbël, pa jarnani e jarnana, po me gurgullimë kroi, me shushurimë fletësh të zverdhura, që shkundeshin e binin duke u tundur nëpër erë. Sapo e preu gjumi, ata me qosteqe në gjoks u shikuan sy në sy e u larguan së prapthi, ngadal, duke shkelur në majë të gishtërinjve.
Trimat kishin mbushur barqet e çlodheshin duke kruar dhëmbët me ndonjë kleçkë. Langonjtë rrinin aty pranë me gjuhën jashtë, të kuqe, varur si llapë.
Kur u zgjua, Xheladin Beu pa se kish përsipër një mbulesë të leshtë, që ja kish hedhur Rizai. E largoi tej, u ngrit shesh, fërkoi sytë e tha:
-Efenm, më paska marrë gjumi.
Ndenji sa ndenji kështu, pastaj shtoi:
-A ikim, o Riza?
-Si të urdhërosh zotrote, be.
U ngritën të shkonin, po nuk shkuan. Moti i ëmbël e gjahu i mirë i mbajtën gjer vonë, kur dielli kish kthyer më të perënduar. Edhe një copë herë të mirë çiftet e teket krisën bambum, nëpër korie.
Vetëm një gjah nnuk pa me sy kësaj radhe: çupa e nuse. Në asnjë nga fshatrat që shkeli. Ta pret mendja: ish hapur fjala anembanë se kish dalë beu për gjah dhe...”Ama derra këta çifçinj! I mbajnë dosat mbyllur!” Pa beu aty-këtu ca plaka leckamane të ngarkuara me dru e karthje, po ç’i do këto? Janë si pastërmaja e dhisë. Beu s’desh pastërma; desh mish thëllëze.
Tani gjendej në një çukë me këlpishte. Rizai vinte prapa me torbat plot. Kuajt prisnin tutje, në udhë, në anën tjetër. Fërshëlleje me dy gishtërinj në gojë e vinin sakaq. Po nuk fërshëlleu njeri. Aty poshtë, midis sallkëmësh, ishte një pus me çikrik, që bënte gau giu kur zbriste e ngjitej kova. Që aty vinin ca zëra të hollë, zëra çupash. Qeshnin, i thërrisnin njëra-tjetrës. Beu mbajti çapin e i bëri me dorë Rizait: mos luaj nga vendi! Dy turtuj topolakë kishin qëndruar në një degë këlpishteje mu mbi krye të tij. Çiften e kish të mbushur. Po nuk u ra. Më në fund, ndajnata i sillte një gjah tjetër në grykë të dyfegut. Çupat e fshatit e dinin të ikur dhe kishin ardhur të mbushnin ujë.
Vragës-vragës, Xheladin Beu zbriti çukën, hyri nëpër sallkëme, iu afrua pusit. Aty ishin nja shtatë a tetë çupërlina që flisnin e qeshnin. Ca kishin mbushur stomnat, ca po i mbushnin e nja dy prisnin radhën. Namëta, ay me një këmbë u nxori përpërpara Xheladin Benë!
Çupërlinat klithën sikur të paskej rënë ujku, lanë stomnat e u përhapën ku mundën: kush hodhi ledhin, kush çau drizat e kush mori vijën tatëpjetë. Shumë gjemba hynë atë ditë në mish të butë, po më mirë nëpër gjemba se sa në dorë të beut...Sa të mbyllësh e të hapësh sytë ikën të gjitha. Të gjitha, veç njëje, që i ra stomna nga dora e iu thye. Çupa e shikonte benë si zogu gjarpërin, që i afrohet t’i hedhë helmin, dhe s’ikte dot. Sikur e mbante të rëndët e dheut. Një ciflë e stomnës së thyer ja kish gjakosur njërën këmbë, po shkaku nuk ishte ky: frika e kish mbërthyer në vend. “Qënka pëllumbeshë e butë, peshqesh nga zoti” tha beu me vete dhe ju qas më pranë. Çupa sikur s’ish nga kjo botë, po nga bota tjetër: një hyrije e veshur e tërë në të bardha: linjë të bardhë, shami të bardhë mbi leshrat e verdha, trup të hedhur, sy të gjelbër si bari i njomë i kënetës. Beu e peshoi me sy, që nga kiskat e holla, mbi noçkë, ku zbriste një fije gjaku, gjer lart në pulpat që ngjiteshin nën linjë, pastaj lart, në belin si të shkuar nëpër unazë, edhe më lart, Në gjinjtë e vegjël, në qafë, në gojën e vogël, me ca buzë të tulta, të këryera, me hundën të derdhur si qiri, me sytë e blertë të kënetorë dhe ballin e sheshtë, të bardhë. “Shiko, shiko, efenm, ç’bereqet bëka çifligu i Këlpishtes e unë s’ditkam gjë. Hyrije e zbritur nga xheneti! Po t’ja dërgoj padishahut më bën menjëherë pasha. Jo, s’më duhet pashallëku! Imja është e do ta mbaj vetë. Kjo ja shkon njëqind herë Gurijes e gjithë të tjerave. Do ta marr që tani! Sonte, në jatak...” Kur ju afrua më shumë, sa ta prekte me dorë, çupa u drodh, po më fort ju drodh buza e poshtme. Dhe ndërkaq, nën linjën e qëndisur me të kuq e të zi gjinjtë ngjitu-zbrit, ngjitu-zbrit, sytë ju mbushën plot lot. Po beut s’iu bë vonë; ay ish mësuar me gjëra të këtilla: qengjet blegërijnë kur u vë thikën kasapi çupat qajnë kur i merr beu në dyshek. Pastaj, kur e shkon në hell dhe e pjek, qengji bëhet shumë i shijshëm; çupa e marrë së dyti e së treti në jatak bëhet edhe më e shijshme se qengji.
Xheladin Beu zgjati dorën, i çiku lehtë faqet dhe ndjeu ëmbëlsi të madhe në trup, sikur u përtëri e u bë djalë njëzet vjeç.
-Mos më qaj, moj sulltane, mos...Unë të kam xhan, unë s’të ngas. Do të të bëj zonjë mbi zonja.
Çupa u drodh edhe më shumë, u mat të ikte, po beu i shtrëngoi krahun si në mengene. Atëherë ajo lëshoi zërin e klithi:
-Nëëëno! Nëëëno moj!
Beu u ngrys, po i foli butë:
-Jo kështu, moj sulltane, jo kështu...Mos thirrë. Si të thonë? Ti je çupa e çifligut; çifligu është imi! Edhe ti je imja. Do të të marr në konak, do të të bëj...
-Nëëëno! Nëëëno!
Nuk shkoi shumë e u dëgjua një zhaurimë e madhe nëpër degat e varura, sikur të çante udhën ndonjë derr i egër nga ata të mëdhenjtë. Beu ktheu kokën andej. Jo, s’ish derr, po një grua e gjatë, e thatë, e nxirë si çotillë lisi që e ka djegur rrufeja. Gruaja u turr, i shkëputi beut çupën nga dora e i thirri:
-Po ta bësh edhe këtë punë s’të djeg as zjarri i xhenemit, Xheladin Be. S’të tret dheu!
“Ç’është kjo e krisur që më del përpara?” tha Xheladin Beu me vete dhe u zbyth. Çiften e kish në dorë, të mbushur, me imniet të hequr. Mund ta zbrazte, po nuk e zbrazi: u praps edhe më tej. Ai u praps, gruaja e ndoqi ballë për ballë. Tani vetë beu ish si një zog që sheh gjarpërin tek afrohet e nuk ik dot. E mban të rëndët e dheut. Gruaja u kthye e i thirri çupës:
-Ikë shpejt!
Kjo s’priti t’i thosh së dyti: hodhi ledhin e ua mori me të katra. Kish qenë e s’ish më.
Xheladin Beu e shikonte gruan e s’fliste dot. Kjo ish e gjatë, e thatë, po ndryshe nga Xhixhiko-hanëmi. Dukej nga nishanet se dikur kish qenë e bukur, kurse e bija e pashajt kish qenë ngaher anjë thes me kokalla si ato të gomarit të ngordhur që kish parë udhës. Dhe ishte e fortë: të të binte një herë me atë pëllëmbë - të linte në vend e vinin të tjerët të të ngrinin në trirë e të hanin hallvën.
-Ta dish, o pushtanik – thirri gruaja si iku çupa – po të bësh atë punë me këtë çupë do të ta hanë mërshën krimbat, do të t’i qitin sytë galat! Jo galat, po do t’i qit unë, me thonj. Çnderove gjithë çupat e botës, tani kërkon të çnderosh edhe tët bijë!
“Ç’po thotë kështu kjo e marrë? Ku kam unë çupë? S’kam as çupë, as djalë...”
Gruaja mori vrull, e zuri benë për jeleku, e tundi dhe shkundi me atë dorën e fortë, sa i kërcyen edhe më fort sytë e skuqur.
-S’më njeh ti mua? S’e njeh Maron e Kovit, që e çnderove në të ri, se kishe kamxhik në dorë, se ishe i fortë? Ja, ajo që kishe pranë është jot bijë! Ta dish se unë do të ta shtyp kokën, si gjarpërit, po të bësh me çupën ç’bëre me mua! Y-y-y murtajë. Pusht Stambolli! Matuf!
E shtynte, e hiqte, e tundte, e shtynte prapë, si leckë, dhe ai, xheladin Beu, zot kasabaje e zot çifligjesh, zgurdullonte sytë si të bufit e s’bëhej dot burrë t’i shkëputej nga dora, s’ishte i zoti t’i binte me çifte a të nxirrte koburen nga brezi.
-Më ke marrë nderin të marrtë zoti mentë! Më ke lënë me turp e në zi më të lëntë perëndia pa sy, të heqshin për peri! Më ke ngrënë jetën të hëngërt mortja!
E tundi sa e tundi, pastaj i dha një të shtyrë sa beu i madh mënt u shemb përdhe. Gruaja shkoi e mblodhi copat e stomnës së thyer e ja hodhi përpara, ku mundi: këmbëve, gjunjëve, duarve, duke mallkuar papushim:
-Ja theve thefsh arrëzën e qafës! U kalbsh së gjalli përmbys, siç u kalb yt atë, që e hëngër krimbat! Ngorç në ndonjë përrua si qen i zgjebur! Na shojte, t’u shojttë emri, të këndoftë kukuvajka në shtëpi! Ku është parë e dëgjuar të çnderojë i ati të bijën?
Copat e shtambës i vinin breshër, dhe ai, beu, rrinte i ngrirë në vend; nuk fliste dot, nuk ikte dot.
Gruaja u përkul mbi kovë e zuri t’u hidhte ujë syve, me grusht. U hidte e mallkonte. Stërkalat e qullën Xheladin Benë. I dukej sikur dheu kish nisur t’i vinte rrotull, sikur dëgjonte daire e daulle bashkë: xhing-xhing, dum-dum. Dhe në mes të kësaj bubullime shquante zërin e çjerrë të Difes:

Sa të dua unë ty,
Më rri mendja gjithë në ty;
Ato cicat sherbetli
M’i bëj meze t’i pi raki...

Po Difja ishte larg, s’di se ku, Marua ishte afër. Dhe Marua u hidhte ujë syve e mallkonte:
-Të çaftë ujku e të nxjerrtë zorrët! Të pjekshin në hell, të gjallë! Humbsh e mos u duksh, mos u dëgjofsh!
Të gjitha i dëgjonte beu e s’thosh dot një fjalë, të paktën “efnm” ose “hëm-hëm””, siç e kish zakonin. Sikur i qe kyçur goja.
-Na plase, më të plastë dhjamët e syrit! Na kalle frikën, më të kallçin të gjallë në varr! Na dogje, të djegshin lugat!
Fjalë e mallkim, fjalë e kanosje. Dhe më e keqja: ndofta e dëgjonin trimat përtej, ndofta e dëgjonte Rizai.
...xheladin Beu u zbyth pa bërë zë, rotulloi çukën e doli në udhë, ku prisnin kuajt, i hypi Allçasë, i futi mamuzet e ngriti kamxhikun.
-Ike, mos u kthefsh; ike, të ikshin mendtë e kokës! Mos arrifsh i gjalli në shtëpi! – vazhdoi gruaja fill i vetëm pranë pusit me çikrik.
Allçaja u bë veri: i ndritnin potkonjtë e bardhë. Po ngrysej, por qielli kish edhe pakëz dritë - një dritë sedefi, si vragë që e ndante nga toka e errur. Dhe mbi këtë vragë kish një brez të gjerë, të gjelbërth. Pastaj u shojtën të gjitha dhe zbriti mugëtira. Bashkë me mugëtirën nisi të frynte një erë e ftohtë, që ngrinte pluhurin e udhës.
-Hëm, hëm! – bënte beu. – Jezit-grua! Lanet-grua!
Trimat, me Rizanë në krye, që i kish hypur një kali çil kishin mbetur prapa, sepse pela e beut s’e kish shoqin në vrap. Lluk-lluk, i bënte barku. Ferrat e pemët iknin si ca hije në të dy krahët e udhës.
Era e ftohtë i vëzhgëllinte veshëve.
Ne ura e drunjtë po vinin ca qerre të ngarkuara me misërishte. Rrotat kërcisnin thatë, gau-giu. Pranë tyre dhe prapa vinin ca fshatarë më këmbë. Beu shkoi si shigjetë pranë tyre dhe ata as që patën kohë ta shihnin mirë cili ish. Ikte, ikte, si ndërkryer.
Pas një copë here tha:
-Ç’po bëj kështu? Unë po e vras Allçanë..
Lehtësoi mamuzet, hoqi frenë, bëri “trrrp” dhe pela zbuti vrapin; më tej nisi t’ja merrte me hap. E arritën trimat nga prapa.
“Ç’është kjo grua?” tha me vete.
Dhe dalngadalë, kur po e mbulonte botën errësira, Xheladin Beut nisi t’i bëhej përbrenda një dritë e hollë. Ja se ç’pa nëpër këtë dritë:
...pranverë. Kish mugulluar bari, kish çelur dardha. Beu kish dalë në fushë. Jo për gjë, po konakët nuk e nxinin dot. Pranverë, kjo! I vlonte gjaku. Sheqerja e ato të tjerat sëi dukeshin gjë, s’e ngopnin më. Donte gjësend tjetër e s’dinte ç’donte. Dhe kur po bridhte kështu, me dëshira shumë, poqi udhës një çupë fshati, të njomë, sindozot kjo që kish parë sot ne pusi me çikrik. Çupa u mundua të ikte, po beu e arriu. Ajo luftoi me tërë fuqinë që i jepte mosha e re: e shtyu, i shpëtoi nga dora, iku, thirri, po beu e arriu, e goditi me kamxhik, e rrëzoi. Luftoi përsëri, e goditi benë, e kafshoi, e gjalosi. Kjo endezi më fort Xheladin Benë dhe i ra së dyti me kamxhik. Çupa i kish sytë të mëdhenj, të blertë si barishtat e kënetës, dhëmbët të bardhë, të mprehtë. Dhe luftoi përsëri, po gjithnjë më dobët. Luftën e vednosi kamxhiku. Po të mos kish qenë ky, nuk do të kish ndodhur ajo që ndodhi. Po të mos kishte qenë ky, nuk do të kishte ndodhur ajo që ndodhi. Beu ju hodh si ujku deles. Ajo thirri përsëri dhe thirrjen e saj e dëgjuan disa grari që ndodheshin aty pranë, po kush guxonte t’i dilte përpara Xheladin Beut? Çupa nuk lotoi ceçse kur u ngrit që poshtë me linjën të çjerrë, me vjazërinë të humbur. Ndenji kryeunjur nën një pemë dhe atje lotët filluan të pikonin përdhe. Kamxhiku i kish lënë në trup vazhda të përgjakura. Edhe beu e kish kërcen e veshit të ndarë më dysh. E pyeti si i thonë. Ajo e shikoi si ulkonjë dhe nuk ju përgjegj. U ngrit e shkoi çalë-çalë, humbi nëpër lule e blerime. Por beu ja gjeti tragën; i thoshin Marua e Kovit. I ati hiqte nga oftika, në rrogoz, në kasolle. Beu u përpoq ta merrte kopile, në konak, si shumë të tjera. S’desh. U përpoq ta shtinte prapë në dorë; s’mundi. Trimat e beut e rrahën Kovin. Ky lëngoi edhe pak kohë, pastaj vdiq. Beut i ra në vesh se Marua kish mbetur e rëndë. Atëhere i bëri fjalë një bujku që ta merrte grua. Bile i taksi një pendë që e s’di çfarë, po bujku krisi e iku s’di se ku. S’kish dashur të bëhej “baxhanak e ortak” me xheladin Benë, siç bëheshin vezirët e pashallarët me sulltanët e Stambollit. Më tej beu ra pas epshesh e gazesh të tjera, mori grua Xhixhi-hanëmin, që të ngrinte lart e më lart oxhakun, e ja humbi gjurmën Maros syblertë. Kjo ishte, si i thonë një fjale, “fis i shquar”, pa krahë. Lindi një çupë, punoi dhenë, si bujkeshë, pleqëroi e varrosi nënën dhe rrojti e veçuar, e përçmuar, e egërsuar në një cep çifligu. Dalngadalë ju shua bukuria e dikurshme, ju rreshk e rrudhos fytyra, po çupën nuk e braktisi. Dhe ja tani, pas kaqe vjet, i del përsëri përpara. Çupën e ka t’i presësh kokën. I tha se kjo çupë ishte e tija. Dhe beu i zuri besë..Po në e gënjeu? S’ka se si të jetë e bija! “Këto dosa çifçesha gënjejnë si ata derrat çifçinj”
-Më gënjeu! – thirri Xheladin Beu me zë dhe e ngau pelën përpara.
Dhe ç’fjalë të rënda i tha ajo deli-grua! “Y-y-y, murtajë, pusht Stambolii! Matuf! Të marrtë Zoti mendtë! Të lëntë Perëndia pa sy! Ngorç në ndonjë përrua, si qen i zgjebur! Të këndoftë kukuvajka në shtëpi! Të plastë dhjamët e syrit! Të djegshin lugat!” Beu i kujtonte të gjitha mallkimet, s’kish harruar asnjë. Dhe gruaja ju kanos t’ja shtypte kokën, si gjarpërit. E shtyu, e pështyu. – “Si i durove këto të gjitha, o Xheladin be?” – “U ndodha gafil”. – “Gafil, apo pate frikë?” – “Unë...frikë? Unë...” – Hajde, be, hajde...edhe për tët atë të tha fjalë të rënda nga ato që nuk i ngre kandari”.
Kështu jepte e merrte Xheladin Beu. Trimat e dëgjonin e s’bënin zë.
Ish errur natë. Cicërinin bulkthet. Lart, në qiell, ndriçonte kloshka me gjithë zogj. Tërë fusha sikur merrte frymë. Befas çau erën një zë i çjerrë, si zë grifshe. Beu u tremb, po e mori prapë veten: trimat i kish prapa. Tha:
-Do të kthehem ta rrah me kamxhik atë deli-grua. Më gënjeu...I marr të bijën edhe e sjell në konak. Kështu!”
Ment e ktheu pelën, po atë çast i ra një mendje tjetër.
-Këtë punë e kam në dorë. Dërgoj nesër trimat edhe e mbarojnë. Evet, efenm.
Dhe përsëri: të kthehet, të mos kthehet...
-S’kthehem dot, u bë vonë. U lodh pela. Nesër, që menatë, u bëj urdhër trimave e ma sjellin. Këtë punë e mbaron Rizai. Ajo, ime bijë? Jo! Më gënjeu plaka.
Era e mbrëmjes sillte një kundërmim të rëndë: udha shkonte pranë vendit ku gjendej kërma e gomarit të ngordhur. Beut ju duk sikur e kish zënë dikush për gryke dhe e shtrëngonte. “Kërmë, krimba. Kështu do të bëhem edhe unë nesër?” Pastaj doli nga vendi i kundërmimit e ju bë sikur pa Rizanë, kaluar, me çupën përpara, të mbështjellë me një çarçaf të abrdhë. Dhe u gëzua. Do ta bënte të tijën, jo si Maron, përdhe, në fushë, po në jatak. Do ta rrihte, po ta donte puna. Edhe do ta përkëdhelte.
Pastaj të gjitha këto u shembën siç shembet një shtëpi plitharësh që e merr lumi. “Mirë, po cili është Rizaj?” – “Rizaj? Djalë fshati”. – “Djalë fshati, po i kujt?” - “Djali i asaj, si i thonë? Aha, më ra në mend: djali i Xhemiles!” E bukur kish qenë Xhemilja, i bukur ishte dhe Rizai. Djalë pa baba. Jetim? Jo, nuk ishte jetim, po pa baba. Beu e mori në konak, më parë...ndryshe, dylber-hesapi, pastaj qahja, se ay i pari qe mplakur. I ati i Rizait (që s’ish tamam i ati, sepse Xhemilja ja kish sjellë djalin, si i thonë, përpara kalit) kish qenë plak dhe e kish marrë Xhemilen për pleqëri, me gjithë djalë, siç i kish dhënë urdhër beu..
Pastaj mendimi ju çakërdis. I bënë veshët sikur dëgjoi një këgë të vjetër, të harruar:

O çun, çun; çun, çun,
Gushën si pëllumb,
Mos ma pi rakinë,
Se të bën zullum...

Hëna! Doli hëna! E kuqe, me njërën anë si të ngrënë, po edhe kështu siç ish bënte mjaft dritë. Bahkë me rrezen e parë, që i goditi bishtin e syrit, Xheladin Beut ju duk sikur dëgjoi një zë që tha: “Po kur vjen yt bir kaluar e po të sjell tët bijë për gjerdhek. Vëllai i sjell motrën babait...Hajde-hajde, ku degdise o Xheladin Be! Si qentë e si derrat!”
Kush foli kështu! Asksh. Aty pranë s’kish njeri. Po atëherë kush?
Dëgjoi çape kuajsh që afroheshin. Ktheu kokën dhe njohu kalin e Rizajt. E ju duk sikur Rizai kish përpara një gjë të bardhë: i sillte beut të bijën. Vëllai...motrën “Ta solla baba. Merre time motër, tëtë bijë!”
..Që ku dual këto gala? I prenë udhën, me hijen e tyre të rëndë, pastaj u zhdukën. U zhdukën dje u dukën prapë, përsipër, mbi krye, duke krokëritur. Midis tyre ishte edhe një korb i zi, që e kish vrarë atij mëngjezi, sepse e kish pandehur pëllumb. Ky korb bënte më të madhen e këndonte si njeri:

Jarnani, jarnana...

Ku ta dish? Korbi ka tre shpirtra e prandaj rron treqind vjet. Rron se ha kërmë. Ngjallet lugat. Jo, ky s’është korb, po lugat!
Xheladin Beut i hypën të dredhura. Aty, mbi udhë, kish ca varre që i kishin mbytur ferrat. Ju duk sikur pa dritë e sikur dëgjoi një zë:
-Hajde, se të presim, o Xheladin Be! Të presim të na vish në tabut floriri, me qefin mëndafshi, ashtu siç të kanë tundur në djep.
Dhe galat, lart, që i printe ai korbi i zi:
-Ga, ga, gaaa...
Jo, s’ishin gala, se natën s’ka gala. Ishin bufë kënete.
Hëna hyri në re. Zotëroi errësira.
Xheladin Beu i nguli mamuzet pelës, ngriti kamxhikun, goditi. Pela u bë furtunë. Në të ikur e sipër beut i ra kamxhiku nga dora. Papritur, ja preu udhën një hie. Xheladin Beu nxori koburen nga brezi dhe e zbrazi. Po vritet hija. Ajo i preu udhën përsëri.
Pela ish mbytur në djersë. Ment pëlciste.


...Xheladin Beu i Shemshedin Beut të Xheladin Pashës, njeriu i gjakut, i ahengut dhe i frëngjyzës, kish humbur mendjen. Dhe ikte nëpër fushë, natën, në udhë pa udhë, kurse dheu, pemët hijet dhe çdo gjë e gjallë dhe e vdekur këndonin papushim:

Jarnana, jarnani...
M’i bëj meze t’i pi raki.
.....................................
Jarnana, jarnani...

III

E gjetën të nesërmen në një hendek. Të gjallë. Nuk njihte njeri. E shpunë me një trirë, në konak, ta përkujdeste Sheqerja. Po si përkujdeset i çmenduri? Domosdo, i lidhur. Pëlliste. Hante nën vete.
S’di kush i bëri fjalë Xhixhi-hanëmit. Ajo ardhi shpejt, me të vëllanë. Pa tri ditësh Xheladin Benë e kallën në varr. Xhixhi-hanëmi mori ç’mori e u kthye, me karvan e suvarinj, në pashallëkun e babait. Çifligjet i shiti më vonë.
Po Gurija ç’u bë?
Ku ta dish...