13 April 2020

🔴 Birucat e Sigurimit në Shkodër - nga Fritz Radovani

ME KË DO TË MBUSHESHIN 26 BURGJET E BIRUCAT E SIGURIMIT TË SHKODRËS QË NGA 1946? 

Nga FRITZ RADOVANI

 Rrobaqepësi Filip Daia, tha: “Toskënia paska kenë ma e madhe se Italia..!”, mbasi në të gjitha shtëpijat e Shkodrës nuk kishte një dhomë bosh…të gjitha ishin të mbushuna me oficera e halabakë të mbërthyem në armë e spaleta që kishin ardhë me “ndërtue” socializmin… Mbas largimit të terroristit Zoji Thëmeli, si kryetar i Degës së Mbrendshme të Shkodrës, në vendin e tij erdhi major Hilmi Seiti. Njihej nga mjaft persona shkodranë, mbasi në vitet e rinisë së tij, aty nga 1939-40, kishte ardhë si student në Shkodër, dhe kishte kenë në konviktin “Malet tona”. Nuk dihej se nga erdhi, as nga shkoi, por njihej i ardhun nga Çamëria… Dihej se, që në vitet e para mbas 1944-s ishte angazhue me forcat e ndjekjes, që ma vonë u quejt “Sigurimi i Shtetit”, një nga organet e njohtuna terroriste të sistemit komunist shqiptar, që në themelimin e tij, ku, asokohe (1950), punuen me zell shumë nga emnat e njohtun dhe të paharrueshëm për krime, si: Ali Xhunga, Herakli Kocani, Qamil Gavoçi, Qazim Kapisyzi, Fahri Kraja, Rasim Mushani, Rasim Dedja, Shyqyri Çoku, Dul Rrjolli, Xheudet Miloti, Isa Miloti, Çesk Shoshi, Lilo Zeneli, Kasem Troshani, Hamdi Ulqinaku, Fadil Paçrami, Xhemal Selimi, Asllan Lici, Elez Mesi, Dulaç Lekiqi e Aranit Çelat me shokë… që, nuk lanë gja pa ba mbi rininë e pleqninë shkodrane, vetëm për me zhdukë themelet e traditave atdhetare të vendosuna në shekuj nga kjo qytetari. P ikërisht, asht ajo kohë kur major Hilmi Seiti i drejtohet Ministrisë së Mbrendshme me ket kërkesë nga ana e tij: “Në Gjimnazin e Shkodrës vlon propaganda antikomuniste, na dërgoni sa më parë 100 (njëqind) konviktorë nga Jugu”… (Dosja H. Seiti, Arkivi i M. M. Tiranë, 1998). Asht viti 1949, kur kryetari i Degës së Brendshme të Shkodrës, i posaardhun për me zbatue politiken kriminale komuniste, ndien nevojën se i duheshin edhe 100 “konviktorë”, 100 spiunë, 100 agjentë, 100 kriminelë, 100 komunistë, 100 kuadro të ardhshme të Sigurimit! Pra, duheshin edhe 100 katilë të tjerë, përveç atyne qindrave që ishin në çdo skutë e kand të qytetit. Nuk i mjaftonin të Veriut, po i donte nga “Jugu”… për me realizue veprën e fillueme nga komunistët jugosllavë, që në themelimin e Partisë Komuniste në vitin 1941 prej tyne, vepër e cila do të lante me gjak të gjitha trojet tona, por në mënyrë të veçantë, Veriun, e posaçërisht ato troje që ndër shekuj i kishin ba ballë rrebeshit shovinist sllav e, që nuk u thyen kurrë: Malet e Veriut! “Partia” kje e gatshme me ia plotsue dëshirën, kështu u kompletue grupi i spiunëve në qytetin e Shkodrës dhe, rinia shkodrane do të survejohej e spiunohej nga: Ferit Mandia, Vehbi Çanga, Bardhyl Dushi, Feço Mandia, Vladimir Misja, Hajredin Çeliku, Çiril Pistoli, Iljaz Fishta, Agim Bejleri, Jonuz Dini, Haxhi Pela, Jonuz Tuli, Xhemal Dini, Sadush Kumbaro, Emil Mborja, Satber Jubani, Ilir Gjylbegu, Qemal Jashari, Jani Çomo, Angjelin Kumrija e deri te Bep Jubani me shokë në vitin 1956, të gjithë ishin në shërbim të diktaturës dhe organit të saj terrorist, Sigurimit të Shtetit. Si të tillë, Sigurimi i dërgoi me krye edhe studime jashtë shtetit, prej nga këta erdhën të “formuem” si spiunë dhe agjentë, tue i shërbye partisë ata vetë bashkë me gra e trashigimtarët e tyne, edhe sot në gjiun e Partisë Socialiste nën maskën e “demokracisë”… Në vitin 1950, prova e parë e besueshmënisë së Hilmisë ndaj Sigurimit mbas daljes nga burgu të vetë atij, asht kenë arrestimi dhe torturat që ai i ka ba me duert e veta studentave të Shkodrës, që u arrestuen njëherësh më 10 maj: Alfons Radovani, Viktor Luka, Et’hem Bakalli, Njazi Uruçi, Mërgim Dani, Nexhip Osmani, Ferit Myftia, Pjerin Vata dhe Gjon Mark Ndoi e, mbas pak ditësh, të Ismail e Olimpi Barutit…dhe, kur Alfonsi u lirue, tregoi se bash ai Hilmi ishte ai që i ka shkulë nga goja dhëmballët me pinca të elektricistit, që komandonte elektroshokun…