23 March 2014

Vdis vetëm për me u tradhtue », ose Zef Pllumi në Lampeduza/ nga Orgest Azizi

«Vdis vetëm për me u tradhtue », ose Zef Pllumi në Lampeduza



Nga Orgest Azizi


Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, tradhtimi
Kafshatë që të mbetë në fyt e të ze trishimi,
Kur sheh flokët e lyeme e ato pare t’pista
Tek përdhosin shpirtna e zgërdheshen nën drita.


The Invasion of Body-snatchers

E çuditshme është, jo pak, ngritja e parezistueshme e Zef Pllumit në kapital simbolik absolut, të ekspozuar ndaj përdorimesh (përdhosjesh) publike nga më të ndryshmet. A thua do të zbardhen ndonjë ditë nëndhesat e kësaj succes story, ku t’birtë ambiciozë të shekullit të parasë, që plakun s’mund ta linin në “shejtninë” e tij të vyer (lexo : të konvertueshme në kapital të çdo lloji), i vërshuan si çakej rreth e rrotull, për të ngritur në hero të kohës atë që më së shumti, që nga përvoja e jetës e deri te qëndrimi i tërhequr, që nga mungesa e renvanshit e deri te përkushtimi ndaj dëshmisë, ishte në kundërshti të plotë me tiparet dhe personazhet sunduese të kohës sonë : me platetë televizive, me kostumet firmato, me makinat e mëdha, me mafjen e biznesit dhe të ngjirurit për prona e për pushtet.
Territori i përvijuar kështu rreth kësaj figure të hiper-konsensualizuar, seç i përket një gjeografie të çuditshme, ku nën hyqmin e një « biznesmeni » të pushtetshëm të dalë nga « Zëri i Popullit », vijnë e mblidhen kandidati i përjetshëm për Nobel dhe drejtori i përjetshëm i një biblioteke që vetëm emrin e ka Kombëtare, «nipër» e «mbesa» që hipin në kurrizin e plakut për të arritur ndonjë post në ministri apo vende nëpër juri çmimesh letrare, kryetare kuvendi që shajnë presidentin e çojnë dhëndurët e pashkollë nëpër ambasada, pronarë, analistë, opinionistë e të tjerë pari, që vendosin, post-mortem, të japin një çmim (për miqtë e tyre) me emrin e plakut, kinse në homazh të tij.
Deri këtu, edhe figura e Zef Pllumit kishte rënë prè (e pritshme) e asaj alkimisë së fëlliqët që duket se është bërë normë te shqiptarët e tranzicionit, ku gjaku i të vrarëve (dhe derdhja shpesh e pazbardhur e tij) konvertohet fët e fët në pushtet, ofiqe e parà : gjaku i Azem Hajdarit në ndonjë liçensë avokatie, ai i të vrarëve për universitetin e Tetovës në sipërmarrje diplomash false, ai i dëshmorëve të UÇK-së në pishina me delfin kodrave rreth Prishtinës, ai i të vrarëve të Gërdecit e të 21 janarit në një gjysmë-alternancë banale pushteti. E kishim lënë (sh)përdorimin e fundit të këtij kryeshenjuesi publik (emblemë e lirë, me sa duket, nga çdo e drejtë autori dhe, pra, e «xanum», si përherë, nga më të fortët) te ky zaptim i fundit – që do të kish qenë thjesht bajat po të mos ishte pjesë e kësaj radhe të pandalur brengosjesh – ku bashkia e qytezës Shëngjin vendoste që, në edicionin e parë të ndarjes së çmimeve «At Zef Pllumi» (jo një, por disa, që të ketë për të gjithë), t’ia jepte njërin prej tyre një ish-spiuni të sigurimit, të vetërrëfyer si i tillë!
Dhe ja ku na bie përsipër ky turp, duhma e ardhur nga përtej detit, që i rrafshon si kala fëmijësh në rërë manipulimet e vockla të mëtonjësve të provincës të mbledhur rreth emrit të madh, sikundër kreshnikët e Itakës së dikurshme rreth avlëmendit dhe sharmeve të Penelopës. Ia behu sërish Bajlozi flokëlyer me televizione dhe parà, që kësaj here kërkon shpirtin e një plaku të vdekur dhe jo më virgjëresha (ç’budallë që jam, sigurisht edhe ato, mbi të gjitha ato, siç ia tha troç kryeministrit tonë të qeshur): 12 milionë kopje të përkthimit italisht të Rrno vetëm për me tregue do t’u shpërndakan në çdo vatër italiane, nën kujdesin dhe nga xhepi i vetë Kavalierit të tronditur, që italianët të mësojnë se ç’bishë e egër vrastare është komunizma.
12 milionë kopje ! Primo Levi t’i vijë anës, me meditimet e tij të dhembura deri në vetëvrasje mbi pasojat e krusmës totalitare ende deri sot, anës t’i vijnë Jean Améry gjithashtu i vetëvrarë, Imre Kertezsi megjithë Nobelin, Charlotte Delboo dhe Varlam Shallamovi, partizanët e internuar në kampet greke dhe nënat e të pagjeturve nga Kili dhe Spanja deri ne Kosovë, si dhe çdo dëshmitar tjetër i kampeve të përqendrimit, çdo viktimë e mbijetuar e nazizmit, stalinizmit apo (neo)fashizmave të çdo kontinenti, deri te afrikanët e ndjekur para do vitesh në «gjueti zezakësh» në jugun italian.

De profanatione

Gazeta, si përherë, nuk thotë më shumë. Mësoje dhe plas po deshe! As se si krisi kështu kjo rrufe në qiellin pa re. As se si u bë botues e zbulues talentesh letrare ky i dënuar multiprocesual, ky ish-kryeministër i zbuar nga parlamenti i vendit të vet. As se kush e autorizoi në emër të të vdekurit e kush i mbledh të ardhurat marramendëse të copyright-it, që duhet të arrijnë në dhjetëra miliona. Na duhet t’i marim me mend vetë.
Dhe vërtet, sa lehtë mund ta përfytyrojmë Kavalierin, teksa tronditet, mes dy orgjish në vilën luksoze, i shtrirë ndoshta mes dy kofshësh dhe një gjoksi, duke shfletuar disa faqe të shpëtuara nga ferri përtej Adriatikut. Ndoshta një ditë ka harruar edhe flokët pa lyer nga pikëllimi. Me gjasë, e ka diskutuar me Kadafin idenë e ndonjë përkthimi të librit në Libi, si shpërblim për huazimin e metodës së bunga-bungas. Nga lumi i 12 milionë kopjeve, me siguri ka vendosur t’u dërgojë nga një me firmë personale ish-të mbyllurve në stadiumin e Barit, që i iknin naivisht ferrit aq bukur të përshkruar në libër, por edhe familjeve të të mbyturve të sotëm (të «mbyturit» pikërisht, siç thoshte Primo Levi: I sommersi e i salvati, te libri me nëntitull : « Auschvici 40 vjet më pas »), atyre që janë në gjyq pa krye kundër shtetit italian për fundosjen e Katrit të Radës ; atyre të tjerëve, sa e sa të paemër, që dergjen thellësirave të Otrantos, atyre që qeveria e Kavalierit zemërlënduar donte t’i shpallte delinkuentë për shkelje kufiri dhe t’u hapte zjarr, se s’kishin fatin të ishin as femra të bukura e as priftërinj të vdekur.

Se ku e sheh hamshori i Milanos, aq shumë i interesuar për mbesën e liberalit Mubarak dhe miku për kokë (cilën nga ato?) i demokratit Kadafi, rrezikun e madh komunist t’i avitet Italisë, apo ndoshta dhe tërë botës së qytetëruar sipërmarrëse dhe katolike, një zot e di. Me siguri, rrethimi nga « gjykatësit e kuq » dhe laku që po i mbyllet përherë e më shumë, ia ka errur vështrimin, aq sa ta marrë shefin e brigadës financiare të Romës për sivëllanë e Aranit Çelës. Por s’është vetëm kjo. Fundja ai e di mirë se në Regina Coeli kanë rënë tashmë Adriano Sofri, Toni Negri apo Paolo Persichetti, ish-autonomët dhe brigadistët e kuq, por jo ai dhe të tijtë.
Përdorimi hiperbolik i librit të Zef Pllumit nga aleati i Lega Nord i takon atij privilegji të dyshimtë që i pati rënë për pjesë dikur edhe Hannah Arendtit apo Sollzhenicinit, kur analizat dhe dëshmitë e tyre, deshën s’deshën, u përdorën si armë ideologjike e Perëndimit më reaksionar në luftën e ftohtë kundër totalitarizmit (në rënie nga vafti e sipër) ; si ekrane për të maskuar e heshtuar ripodhimin e përditshëm të « jetës së zhveshur » (« vita nuda » : G. Agamben) në zemër dhe në skaje të Perandorisë demokratike (Vietnam, Afrikë, Kili, Irak dhe në të gjithë kufijtë e Europës së ndarë a të bashkuar) ; kur njëra dorë tundte Arendtin dhe tjetra vërviste nga avioni rrëketë e napalmit ose trupat e torturuar të sindikalistëve në det të hapur.
Para dy-tri vitesh, konvertimin mediatik të « biografisë » së Enver Hoxhës në duart e një historiani të improvizuar, megjithëse abuziv, mund ta shihnim, fundja, si një farsë të mjerë provinciale, të luajtur diku « në një cep të Ilirisë së poshtme », në të njëjtën kohë me hapjen e TEG-ut. Tekefundit, bëhej fjalë për vrasësin dhe vetëm familja kish të drejtë të lëndohej. Po këtë nëpërkëmbje shumëmilionëshe si ta quajmë? A ka vallë fjalë në tipologjinë e zhanreve që t’i shkojë? Tragjedi jo se jo, se ajo kërkon heronj dhe jo vemje krenare të mbushura me testosteron. Komedia është tepër e dhimbshme dhe nuk e kuptojmë se kë mund të bëjë për të qeshur. Ngurrojmë ta quajmë edhe cinizëm, për të mos i hyrë në hak filozofit të vjetër athinas, që Aleksandrit të Madh, mbretit të botës, i tha : «Hiqmu se më zure diellin!». Po edhe dhunuesit e varreve e kanë një arsye, dhe të paktën fshihen e veprojnë natën dhe jo nën dritat katodike faqe botës (që ndjen turp).
Përdorimi i pavend (më e pakta) i librit të Zef Pllumit është i fëlliqët jo vetëm nga strategjia përfituese e Kavalierit, jo vetëm nga përdormi i tij si trofé, për t’u kthyer me duartrokitje unanime në Senatin nga ku e përjashtuan, jo vetëm si shashka e radhës për të tërhequr vëmendjen e opinionit dhe lustruar figurën e vet. Më e rëndë akoma është zhvatja, me armën e parasë, dhe shpërvetësimi i një populli të tërë nga një pjesë e vyer e pasurisë intime, nga dëshmia e së shkuarës së afërt që u takon të gjithëve (bashkëkombasve dhe gjithë njerëzisë), e që vlen pikërisht për sa që rri dhe bie jashtë sferës së interesit. I ndyrë dhe obsen është aneksimi i bujshëm (dhe pa luftë kësaj here) i një trashëgimie tri herë të brishtë : për nga mënyra e artikulimit dhe mbijetimit, për nga vdekja e autorit dhe për nga varfëria e popullit nga e cila ajo vjen ; e ndyrë është, së fundi (po shtrirja e kësaj ndotjeje është pa fund), fjala e shkulur me zor përtej varrit, mobilizimi i pafre i veprës dhe kujtimit të të mbijetuarit për t’i shërbyer një kauze mëse të dyshimtë, suport i pavullnetshëm dhe i çarmatosur i një ideologjie jo më pak mashtruese. Atë që nuk e bëri dot komunizmi me dhjetëvjeçarët e burgjeve të veta, e bën Kavalieri (dhe ndihmësit e tij andej e këtej detit), duke e detyruar atë të flasë e të vihet në shërbim të ambicjes dhe pushtetit. Dy herë i vdekur plaku, si shumë të tjerë, dhe dihet se vdekja e dytë është më e rëndë se e para.

Varreza detare

Para disa vitesh, kur sivëllai francez i Berlusconit, presidenti Sarkozy, deshi të lyente imazhin e vet duke panteonizuar Albert Camus-në, familja e shkrimtarit e refuzoi një « homazh » të tillë, që vinte era interes elektoral, nga ai që ndërseu opinionin dhe lëshoi policinë e armatosur kundër rromëve dhe arabëve. Por skrupuj të tillë s’kanë vend në Shqipëri, ku neofashisti i një Aleance të harruar Kuqezi zapton pa të keq bulevardin Dëshmorët e Kombit pikërisht në ditën e 7 prillit, dhe ku populli 100 vjet i pavarur ushqehet në ditën e dasmës kombëtare me tortën shumëtonëshe me të njëjtat ngjyra. Pak rëndësi kanë refugjatët dhe ata që fshihen ende « pa letra » në qytetet e Europës së tmerruar nga komunizmi, pak rëndësi ka racizmi që hidhet sa nga shqiptarët (albanese! terrone!) te rromët, sa nga rromët te arabët, sa nga kurdët te «marokenët». Pak rëndësi ka se të vdekurit e Otrantos, mish për top a mish për peshk, janë sivëllezër të të tjerëve të mbytur, sot e kësaj dite, brigjeve të kështjellës europiano-demokratike: sirianë e afganë para një muaji në Farmakonizi (Greqi), libianë para pak javësh në Ceuta (Spanjë), tunizianë e afrikanë subsaharianë çdo javë në Lampeduza (Itali) ; dhe se të gjithë bashkë janë sivëllezër me priftin e burgosur, të gjithë të pafajshëm, trupa të dërrmuar, të mbytur a të shpëtuar nga varka vrastare e «thanato-politikës» së çdo ngjyre. Pak rëndësi kanë të gjitha këto. Por çfarë pra, atëherë, ka rëndësi?
Pak rëndësi kanë, flas, në Shqipëri. Nanni Moretti, regjizori i Kajmanit, e ka ndërtuar një pjesë të mirë të veprës së vet kinematografike si dyluftim (të pabarabartë), betejë pothuaj personale kundër hidrës berluskoniane, ku kamera e kineastit i kundërvihet si armë ekraneve të panumërta të mediokratit. Shihni Aprile, dhe skenën e bukur të zbarkimit të refugjatëve shqiptarë. Por në Shqipëri, Nanni e ka të humbur betejën. Kur vjen puna për Italinë, kundrejt plagës së pashërim të Primo Levit dhe klithmës së ndjerë të Pasolinit, shqiptarët preferojnë Federico Moccian dhe masturbimin me « paradokset » plot kripë dhe erudicion të Umberto Ecos ; kundrejt imazheve të kinemasë preferojnë të drogohen me televizionin e Kavalierit (për shtatë spektatorë në projektimin e filmave të Carmelo Benes, sa miliona dynden përditë para Opinionit – surrogato e emisioneve të Bruno Vespës) ; kundrejt ritmeve të Paolo Contes dhe gjëmbave në Ascanio Celestinit, preferojnë Elsa Lilën dhe Pippo Baudon.
Filtri Adriatik funksionon sot, në të dyja kahet, si një kullesë a sitë së prapthi : lë të kalojnë peshqit e mëdhenj e të bujshëm, por jo kumtet e holla dhe me vlerë, që kush e di ku mbyten rrugës, bashkë me të tjera viktima. Në raport me Italinë, Shqipëria duket sot paradoksalisht më e izoluar se kurrë : gjithë çka vinte si emancipuese nga bregu përballë, para dhe pas ’90-ës, është tkurrur sot në autostradën mediatike dhe në mimetizmin më tëhuajësues. Gjithçka duket e destinuar të bëhet bërllok, sapo hidhet ne bregun tjetër. Vitet mund të kalojnë, Italia mund të mbushet me qindra mijëra shqiptarë që banojnë e rriten aty, shkojnë e vijnë, interneti dhe fejsbuku të vërshojnë kudo : hidhu përpjetë po deshe, « italia » që zbarkon në shqipëri vazhdon sot e gjithë ditën të kalojë nga të njëjtat diana çule e të njëjtët virgjil muçër, nga i njëjti « institut kulture » dhe të njëjtët aurel plasarë : dhe për sa kohë të jetë kështu (po pse vallë është kështu?), pamfletet neo-raciste dhe anti-islame të Oriana Fallacit lehtë do t’ua zënë frymën faqeve ku Primo Levi evokon ata « Muselmanen », që dergjeshin kampeve të përqendrimit dhe e ndien veten në faj ndaj tyre.

Unë vetë nuk e kam lexuar ende librin e Zef Pllumit. Çmimi, për dreq, ishte goxha i shtrenjë, dhe, duke mos qenë shpesh një Shqipëri, nuk pata rastin ta bleja. Ia kërkova dikujt, dhe ma dha, por koha e qëndrimit ishte e shkurtër, libri i gjatë, dhe mjaft i trashë për t’u futur në bagazhet që ende janë ato të një gjysmë-refugjati. Por e lashë në Tiranë, ta lexoja në rastin më të parë, siç kam lexuar me interes të tjera gjëra të ngjashme.
Por tani nuk do ta bëj ! Do të më vinte turp të më shihnin në kafe me librin e përlyer. Jo, do vë pak para mënjanë, do blej një biletë avioni dhe do të shkoj edhe unë, si Marinne Le Peni, në Lampeduza : dhe atje, me vështrimin e humbur në atë Mare Nostrum përherë e më tepër të shndërruar në Mare Mortis, do të meditoj këto fjalë solidariteti të vrazhdë, të ardhura nga një Itali tjetër : «Nëse kjo është e vërtetë, nëse kuptimi i kampit qëndron në materializimin e qëndrueshëm të gjendjes së jashtëzakonshme dhe në krijimin e një hapësire të veçantë për « jetën e zhveshur » si të tillë, atëherë na duhet të pranojmë se kemi të bëjmë me kamp sa herë që ballafaqohemi me një strukturë të tillë, pavarësisht nga masa e krimeve të kryera në të dhe cilatdo qofshin emërtimi dhe topografia e saj e veçantë. Kamp do të jetë kështu si stadiumi i Barit, ku në 1991-shin policia italiane grumbulloi përkohësisht emigrantët klandestinë shqiptarë, para se t’i përzinte drejt vendit të tyre, ashtu edhe Vél d’Hiv (Velodromi i Dimrit) në Paris, ku autoritetet kolaboracioniste të Vichy-së mblodhën çifutët para se t’ua dorëzonin gjermanëve ; si kampi i refugjatëve në kufirin spanjoll, pranë të cilit vdiq Antonio Machado në 1939-ën, ashtu edhe të ashtuquajturat zones d’attente (zona pritjeje) të aeroporteve ndërkombëtare franceze, ku mbahen të mbyllur të huajt që presin njohjen e statusit të tyre si refugjatë. Në të gjitha këto raste, një vend në dukje pa rëndësi, përvijon në të vërtetë një hapësirë ku sistemi normal është faktikisht i pezulluar dhe ku mundësia e akteve pak apo shumë mizore, nuk varet nga e drejta por vetëm nga qytetaria dhe sensi etik i policisë, që vepron përkohësisht si forcë sovrane » (Giorgio Agamben : «Kampet si pardigma» – sesi vepron kjo polici, kur quhet Frontex apo « roje e kufirit detar», e dimë tashmë mirë).

Dhe do të pres të më aviten, si të yshtyra nga fjalët e filozofit në këtë Elsinor të jugut, fantazmat e afrikanëve « të mbytur » dhe, bashkë me to, shpirti i trazuar i At Zef Pllumit:

List, list, O list!
If thou didst ever thy dear father love-
Revenge his foul and most unnatural murder
Murder most foul, as in the best it is;
But this most foul, strange and unnatural.
Now, hear:
The serpent that did sting thy father’s life
Now wears his crown.”

Paris, mars 2014 


KUNDERPERGJIGJET DREJTORI I BIBLIOTEKES KOMBETARE TIRANE



Kultura e thashethemit kundër At Zef Pllumit

Aurel Plasari

Kulturës së thashethemit, që po lulëzon në Shqipëri prej më se njëzet vjetësh, i shtohet zëri i një kurbetçiu të cilit as emrin nuk ka vlerë t’i përmendësh. Bën pjesë në tipologjinë e njohur të atyre që, siç e përshkruan një miku ynë, mbasi kanë dështuar të identifikohen me diçka pozitive në këtë botë, gjejnë një nga mënyrat më të neveritshme për t’i bërë marketing vetes: duke përgojuar të tjerët.  Këtë kurbetçi e paskësh bezdisur jehona e botimit dhe promovimit në Itali të vëllimit të librit të kujtimeve të At Zef Pllumit “Il sangue di Abele”, posaçërisht promovimi i saj në Senatin e Republikës së Italisë prej Silvio Berluskonit. Prandaj, që nga kurbeti, ka lëshuar diatribat e fëlliqura në më shumë se një të përditshme të Tiranës. Në qoftë fjala për teprí të Kavalierit me promovimin e librit në fjalë dhe orvatje të tij për të nxjerrë përfitime prej një vepre si ajo e Kujtimeve të At Zef Pllumit, ato rezerva i kam vënë vetë në dukje në një bisedë në “Vizion +” qysh të pasnesërmen e veprimtarisë së zhvilluar në Senat. Pra, për tepritë e Silvio Berluskonit në veprimtarinë në fjalë kurbetçiu nuk thotë ndonjë gjë të re dhe është i vonuar në krahasim me mua. Për më shumë, për Silvio Berluskonin kanë të drejtën të shprehen ata dhjetë milionë italianë që e votojnë dhe ata miliona të tjerë që nuk e votojnë.
E reja në diatribat e fëlliqura të fëlliqura është kapja tinëzare e rastit për diç tjetër: për të përgojuar jo vetëm Silvio Berluskonin, por edhe të afërmit e At Zef Pllumit, edhe bashkëpunëtorët e tij, edhe miqtë e tij, kinse këta po përfituakëshin “në kurrizin e plakut” - kështu shkruan – për poste a përfitime a për çfarë e di vetëm një fantazi e mbrapshtë. Lexuesit me të drejtë mund të kenë pyetur: Po nga i di kaq mirë kurbetçiu punët e At Zef Pllumit? Afritë e tij? Bashkëpunimet e tij? Miqësitë e tij? Me këto farë “studimesh” qenkësh marrë në kurbet? Ky, lexues, i di këto pikërisht nga kultura e thashethemet, - dhe këtë term e kam pikërisht prej At Zef Pllumit, - me të cilën ushqehen jo rrallë mediat që e parapëlqejnë një ushqim të tillë të ndyrë. Ndër këta që po përfituakëshin “në kurrizin e plakut” kurbetçiu përmend sidokudo kalimthi edhe drejtorin e Bibliotekës Kombëtare, që për çdo lexues i bie të jem unë vetë.
Që kurbeti, pos shumë traumash të tjera, shkakton ndër disa kurbetçinj edhe probleme psikike, kjo dihet dhe meriton vetëm keqardhje. Por kur shkakton edhe probleme të rënda të karakterit dhe, që nga kurbeti, i nxit të përfshihen në kulturën e thashethemit, në këtë rast kurrfarë keqardhje nuk meritojnë për këtë deformim. Do të doja të ma mirëkuptonin termin e “kurbetçiut” shumë miq të mi të mërgimit, ngase edhe unë i kam mirëkuptuar: mërgimi në vetvete është rrugë e vështirë. Vetë njëri ndër më të mëdhenjtë e të mërguarve, Solzhenicini, a nuk pati thënë që “mërgimi është një rrugë për askund”? Ndërsa kurbetçiu është mërgimtar, është specie tjetër. Dhe si i tillë ai përfaqëson një nga ato raste kur, përveç dëmit që synojnë të bëjnë, nxisin diç të mirë: hapjen e letrave dhe thënien e të vërtetave sipas parimit “sa më shumë përsëriten gënjeshtrat, aq më shumë duhen pohuar të vërtetat”.
Bashkëpunimi i At Zef Pllumit me Aurel Plasarin kurrfarë lidhjeje nuk ka me “drejtorin” e Bibliotekës Kombëtare. Njohja e tyre daton në dhjetorin e vitit të hershëm 1990 dhe është bërë me nismën e vetë Françekanit tanimë të Madh, sikurse e ka treguar disa herë në intervista të tij. Por: e ka treguar për ata që e kanë lexuar. Madje shkasin e ka dëftuar gjerë e gjatë edhe në njërin nga librat e tij kur më 1996 ka treguar për një ngjarje të veçantë të dhjetorit 1990, përkujtimin e 50-vjetorit të Gjergj Fishtës si vijon:
“Ndërkohë për Poetin po afrohej 50-vjetori i vdekjes. Atëherë nji grusht intelektualësh shqiptarë, të pamvarun prej partive e politikave, të gjithë të nji breznie të re, menduen me e hapë sherrin me ‘vijën e partisë’ në letërsi dhe arte: vendosën që 50-vjetori i vdekjes së At Gjergj Fishtës ma nuk duhej kalue në heshtje. Ishin Aurel Plasari, Skënder Buçpapaj dhe Rudolf Marku [...]. Në mure u ngjit njoftimi për ‘përkujtimin’ e Fishtës me 28 dhetor 1990; nji njoftim i habitshëm, për herë të parë i nënshkruem me formulën demokratike gati të harrueme: ‘nga nji grup dashamirësh të poetit’ [...]. Fjalët me të cilat A. Plasari mbyllte pleduarinë e tij këtu e gjashtë vjet ma parë ishin domethënëse: ‘Gjysmëshekulli që ka kaluar prej vdekjes së tij fizike e ka vërtetuar jetëgjatësinë e veprës së tij letrare, me gjithë kushtet specifikisht të vështira në të cilat i është dashur asaj të gjallojë. Na bie neve, breznisë që do të përgjigjemi tash e tutje edhe për respektin ndaj traditës sonë letrare, t’ia japim asaj votën e dashurisë. Jo me fjalë. Ta mbrojmë këtë jetëgjatësi duke ia shtypur e rishtypur pjesën më të mirë të kësaj vepre e, sidomos, duke rregulluar marrëdhëniet e saj me historinë e letërsisë. Unë do të thosha: Jo duke i dhënë Fishtës vendin që i takon, por duke i kthyer historisë së letërsisë atë çka i mungon’”. (At. Z. Pllumi, Françeskanët e mëdhaj, f. 26-27).
Lidhjen e kësaj njohjeje të hershme të At Zef Pllumit me të mëvonshmin drejtor të Bibliotekës Kombëtare, nga njëra anë, dhe me hipokrizinë e mundshme të Silvio Berluskonit më 2014 vetëm një mendje e degraduar mund ta prodhojë. Jo vetëm sepse janë 23 vjet në mes, më 1990 kur Aurel Plasari as kishte në mend të bëhej “drejtor”. Por sepse ajo njohje shënonte fillimin e një bashkëpunimi të gjatë dhe fort të ngushtë, që do të kishte për kurorë të parë themelimin e edicionit të ri të revistës emërmadhe “Hylli i Dritës”, revistë e ndodhur ende sot shënjestër të xhihadistëve të vjetër dhe atyre rishtarë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Fort i kujdesshëm për të vërtetat historike, këtë fragment historie vetë At Zef Pllumi e ka dëshmuar kështu:
“Në vitin 1993, me iniciativën e nji grupi të vogël intelektualësh, të kryesuem prej A. Plasarit, u fillue së rishti botimi i rrevistës ma të parë të kulturës shqiptare, themelue në vitin 1913 prej At Gjergj Fishtës, ‘Hylli i Dritës’, e mbyllun përdhunisht prej pushtetit komunist në dhetor 1944" (po aty, f. 28).
Kultura e thashethimit, në të cilën ligësia ndërzehet me smirën e zezë, ajo po: mund të sajojë histori recente për ndonjë drejtor të Bibliotekës Kombëtare që po përfituakësh “në kurrizin e plakut”. Aurel Plasari sigurisht që ka përfituar prej Françeskanit të Madh, madje ka përfituar shumë, vetëm se në një kuptim që asnjë xhihadist nuk mund ta rrokë. Këtë përfitim mund ta kuptojnë ata që kanë ndenjur, madje jetuar, pranë At Zef Pllumit. Dhe Aurel Plasari ka qenë ndër ata që ka përfituar jo kur ka qenë “drejtor”, - do të kishte qenë shumë vonë, - por qysh shumë herët. Gjatë vitesh të tëra kur mori përsipër ta mbështeste Atin françeskan në shumë nisma të tij kulturore, ndër to edhe në redaktimin e Kujtimeve të tij të përfunduara tanimë në veprën monumentale “Rrno për me tregue”. Madje shpesh, sikurse është treguar më se një herë, duke bujtur për kohë të gjata në Hospicin e Kuvendit Françeskan për të ndjekur fashikull mbas fashikulli shkrimin e Kujtimeve dhe redaktimin për shkak të brengës së autorit se mund të vdiste pa i mbaruar ato... Miqtë e përbashkët e dinë se më ka qëlluar për kohë të gjata të ulesha në tryezë me të tri herë ditën dhe të mësoja prej tij pjesë ndër më interesantet të historisë së kulturës shqiptare, pjesë ndër më të errëtat të politikës shqiptare, por edhe të njihja vise ndër më të mahnitshmet të Shqipërisë në rastet e shumta kur udhëtova me atë shtegtar të pasionuar në të katra anët e Shqipërisë etj. Njëri nga miqtë tanë të përbashkët, ish-student i Dhjetorit, Shpend Jeshnica, më ka kujtuar mes të tjerash në një koment në FB edhe një situatë që nuk e kam ditur dhe që sot kur e mësoj më emocionon:
“Mbaj mend një pasdite te shtëpia ku rrinte At Zefi. Na kishte ftuar si nipa të tij. Ishte Lulzim Gjekmarkaj, Agron Gjekmarkaj dhe unë. Kur po bisedonim na tha: Mos bani zhurmë kur të flisni, Aureli asht duke pushue dhe ka tre dit që po punon ditë e natë. Do ndihesha i lumtun në qoftë se nji ditë do ju shof duke ndihmue Aurelin në punën që po ban”. S’ka njeri në botë që mundet me baltosë atë lidhje të ndërtuar nëpërmjet respektit dhe mirënjohjes mes At Zefit dhe Aurel Plasarit. At Zefi të konsideronte mik, bashkëpunëtor, shok dhe njeri shumë të afërt. Ti ishe i vetmi në ato kohë që dita dhe nata s’kishin të ndarë në shtëpinë e At Zefit. Në atë kohë ti ishe familja e tij. Respekt për ty, Aurel, për ndihmën që i dhe At Zefit”.
Prej këtyre marrëdhëniesh të ngushta bashkëpunimi lexuesit mund të kenë nënkuptuar diçka nga Parathënia që kam shkruar më 1995 për Kujtimet e tij, tanimë edhe e ribotuar me titullin e njohur “Nën këmishën e hekurt të kujtimeve”. Që më pati besuar atë Parathënie, e kam quajtur dhe e quaj ende sot nder të jashtëzakonshëm. Dhe që thashethemexhinjtë e kurbetit t’i zhvesh cullak me mllefin tyre prej xhihadistësh që kinse i qajnë hallin “plakut”, ja ku po detyrohem të sjell këtu për herë të parë në faksimile vetëm njërin ndër kushtimet që më ka lënë në vëllimin II të sapobotuar të veprës monumentale “Rrno për me tregue”:
“Aurelit,
me dashuní, respekt e falnderime për mundin e madh derdhun në ketë libër.
Z. Pllumi, 25 – XII - 1997".
Tani më bie të pyes: Përse i shqetëson kurbetçinjtë e kulturës së thashethemit prania ime në Sallën e Senatit të Republikës së Italisë, në ceremoninë e promovimit të botimit në italishte të një vepre të rëndësishme të kulturës shqiptare me të cilën kam qenë i lidhur jo vetëm si bashkëpunëtor dhe mik i autorit, por edhe si redaktor i saj dhe autor i Parathënies së saj? Madje edhe kurrfarë lidhje të mos kisha në atë vepër, praninë time në atë ceremoni do t’ia detyroja për bukuri Urdhrit të Meritës të Republikës së Italisë që mund ta mbaja në kraharor, po të ma kishte ënda. Të kisha munguar në atë ceremoni, prestidigjatorët e kulturës së thashethemit do shqetësoheshin për të kundërtën: Përse mungoi vallë në atë ceremoni Aurel Plasari? Për ta mjafton që të gjejnë shtigje të liga për t’ia bërë marketingun vetes duke denigruar At Zef Pllumin dhe veprën e tij.
Shtigje të tilla i çojnë të përgojojnë deri edhe nipat e At Zefit. Si guxojnë? Nipat e At Zefit janë bërë copash për të sa ishte gjallë, e kanë rrethuar dhe ruajtur jo si truproja, por si shpirtroja të tij. Për mua vetë kanë qenë dhe mbeten ndër miqtë më besnikë. Po përfituakëshin nipat prej emrit të At Zefit?! Po afërmendsh që po: At Zefi nuk u la as çifligje, as pallate, u la pikërisht emrin e nderuar dhe të lavdëruar. A mos i bren kurbetçinjtë ndonjë brengë për emrat që mund të kenë trashëguar vetë?       
Po ato shtigje i çojnë të përgojojnë edhe një shkrimtar të madh të shqiptarëve: Jo po s’e ka marrë Nobelin, jo po as ka për ta marrë ndonjëherë. Ç’lidhje kanë këto përgojime meskine me jetën dhe veprën e At Zef Pllumit? Marrëdhëniet e tij me intelektualët, të mëdhenj ose të vegjël, kanë qenë gjithnjë zgjedhje të vetë Françeskanit të Madh. Të tilla qenë ato me shkrimtarin që përgojohet. Ç’zekth i ngacmon kurbetçinjtë? Ata nuk do të mundin kurrë që At Zef Plumit t’i ndërtojnë një portret siç do ta donin ata: Françeskani i Madh ishte ashtu siç ishte: njeri i lirë. Po ta shtjelloja edhe më e të nxirrja, fjala vjen, foto nga koleksionet e mia, do të botoja një foto në të cilën At Zef Pllumi, në vjeshtën e vitit 1998, çapitet në kalldrëmet e Voskopojës tok me z. Servet Pllumi, i cili i ka shkruar krahun, gjatë pushimeve të simpoziumit ndërkombëtar “Voskopoja fenomen ballkanik”. Të dy qeshin: ndërsa At Zefi e quante me humor “marksist i madh”, prof. Serveti e quante “kushëri” duke lozur me mbiemrat e të dyve. Ky ishte Françeskani i Madh, ai që kur e pyetën për ndonjë “sekret” në mënyrën e të shkruarit të Kujtimeve të tij me aq sharm, u përgjigj që “sekreti” ishte vetëm një: “I kam shkrue pa inad”. Për mua, që kam ndeshur në jetë jo pak njerëz të mëdhenj, nga Shqipëria, Europa, madje edhe bota, At Zef Pllumi mbetet më e hapura mendje që kam njohur.    
Dhe, meqë para rishtarëve xhihadistë të kulturës së thashethemit nuk ka më kuptim ruajtja e modestisë, po e flak atë tutje për një çast dhe, prej letërkëmbimit shumëvjeçar me Françeskanin e Madh, - ai do të botohet kur të fashiten rrethanat e mbrapshta të shoqërisë shqiptare, - po sjell po në faksimile vetëm njërën nga letrat e tij, si testament udhëpërçues që për mua është më i vyer se çdo dekoratë a urdhër nderi që kam marrë deri më sot:
“Paqë e të mira!
Shum i dashuni Aurel,
Më fal se po të shkruej pa tituj e pa grada shkencore, por vetëm sikur t’ishe djali em.-
Të lumtë, të lumtë për shka ke punue deri më sot për naltimin e kulturës shqiptare! Uroj që kështu i palodhun në tanë jetën tande që ke para të vazhdosh, sepse vetëm kështu ajo merr kuptimin e sajë të naltë. Shoqnia shqiptare ka mangut nji çetë njerëzish si ti për në dashtë me hy në radhën e popujve tjerë të qytetnimit europjano-prendimor.
Megjithse pak si vonë, po t’i baj urimet e vitit të ri 1997 jo vetëm për lumtuninë tande në shtëpinë e re, por edhe për vepra tjera të suksesshme ndër lamijet e kulturës.
Me dashuninë ma të madhe Z. Pllumi.
Tiranë, 4 Janar 1997".
As në Shqipëri, as në kurbet nuk ka pjella bastarde që t’i bëjë pis ato marrëdhënie e atë bashkëpunim në të mirë të kulturës shqiptare. At Zef Pllumi nuk rron më. Por jemi gjallë ne që nuk do të lejojnë asnjëherë përgojimin tinëzar të veprës së tij, shkrim për shkrim, dhëmb për dhëmb. Kur të mos rrojmë më ne, do të jenë gjallë të tjerë që do të dinë t’i mbrojnë të vërtetat përkundër kulturës së thashethemit. Historia e kulturës shqiptare e ka konfirmuar tanimë këtë ligjësi trashëgimie. Besoj që kaq mjafton. Por, nëse do të duhet, kam edhe më.
Në fund, për më të madhen kureshtje të lexuesit, po shënoj se kurbetçiu që ka marrë përsipër të përgojojë At Zef Pllumin, farefisin e tij, bashkëpunëtorët e tij dhe miqtë e tij, as që e ka lexuar veprën e Françeskanit të Madh “Rrno për me tregue”, së cilës guxon t’ia maskarallojë edhe titullin. Këtë ka pafytyrësinë ta pohojë vetë. A thua se vuan vepra e At Zef Pllumit nga mosleximi i një të pafytyri si ai.