ATHANAS GEGAJ
Triesh, 3 janar 1904 - Los Angeles, 28 janar
1988
Luka, siç qe dhe emri i pagëzimit, i biri i Prenkës dhe Mrisë leu në Buxhë të Trieshit në Malësi të Madhe, që tash është në Mal të Zi, më 3 janar 1904. Kushtet e para i kreu më dt. 7 gusht 1923. Studioi në kolegjin Illyricum t'etënve françeskan në Shkodër ku kreu maturën 1927-'28. U nis më 1931 me studime në të Louvain në Belgjikë, ku u laureua në histori-filozofi. Porsa u kthye në Shqipëri u shugurua frat. Jep mësim në kolegjin françeskan deri me të hymë të italianëve, për shkak të kundërshtimit ndaj regjimit fashist e internuan në Itali dhe nuk e kthyen më. Më 1941 braktis petkun e françeskanëve dhe del civil[1].Mbas Luftës Botnore Gegaj shërbeu si sekretar i Ahmet Zogut në legatën e tij në mërgim. Më 1962 shkon drejt ShBA-së ku u bë redaktor i të përjavshmes "Dielli që dilte në Boston deri më 1971. Vdiq me 28 janar të 1988 në Santa Monica, Los Angeles, California. Ndër veprat kryesore që mbahen mend janë monografia "L'Albanie et l'invasion turque au XVe siècle" (Arbëria dhe pushtimi turk në shek. XV, Louvain - 1937), dhe artikuj të ndryshëm në shtypin françeskan të "Hyllit të Dritës".(Wikipedia)
VOICE OF AMERICA: Intervistë me historianin Dr.Athanas
Gegaj
(Me rastin e 500-vjetorit te vdekjes së Skenderbeut
- Kjo intervistë u transmetua nga Zëri i
Amerikës më 18 e 19 Janar të vitit 1968)
-Zoti Gegaj, kur Fan Noli shkroi librin e tij mbi
Skënderbeun më 1949, ai tha se vepra juaj frëngjisht mbi Skënderbenë ishte më e
mbaruara qe kishte parë dritën gjer në vitin 1949,si nga forma,nga lënda dhe
nga baza dokumentare.Përsa kohë punuat per këtë
vepër dhe kur e mbaruat?
Athanas
Gegaj: I mbetem mirënjohës Peshkop Nolit
për laudërim që shprehi për veprën time “L Albanie et l’invasion turque au XV-e
siècle’ ose “Shqipëria dhe invazioni turk në shekullin e XV-të ”, At Noli ka qenë një njeri me kulturë të gjerë dhe ishte po në të njëjtën kohë një
ekspert i çështjeve të historisë
meskohore të Shqipërise. At Noli gjeti në këtë vepër gjëra qe e interesuan si
studioz kompetent të jetës dhe të veprave të Skënderbeut, prandaj si shqiptar i
madh që ishte, ai çmonte në kulm çdo gjë që ka te bëjë me historinë e popullit
shqiptar dhe me lartësimin e tij si komb. Për sa i përket veprës time
“Shqipëria dhe invazioni turk në të XV-tin shekull” kam punuar dëndur dy vjetë.
Kërkimet e para i bëra në vitin 1935 dhe vazhdova në kërkime dhe në përgatitje
të librit gjatë vitit 1936. Në dhjetor të këtij viti libri ishte gati për
shtyp,por duke qenë thezë doktorale ,m’u desht ta mbroj publikisht në një nga
Aulat e Universitetit të Louvain,ku kisha kryer studimet e mia. Libri u gjet interesant dhe
autoritetet e Universitetit aprovuan botimin e tij. Libri në fjalë u botua më
1937 në Louvain-Paris dhe një Shtëpi Botuese e Parisit u ngarkua për
shpërndarjen dhe shitjen e tij.
-Ku i bëtë kërkimet dhe, në qoftë se i mbani mënd, nën
cilët profesorë?
Athanas Gegaj:
Kërkimet e mia filluan në Paris për ca muaj,ku veçanarishtë në “Bibliothèque
Nationale”të qytetit gjeta shumë material të dorës së parë. Kurioziteti im u
ngjallë veçanarishte kur për
kombinacion, më ra në dorë një
botim i të mirënjohurit profesor rumun, Constantin Marinesco,i shkruar
frengjisht: “Alfonsi i V, mbreti i Aragonës e i Napolit dhe Shqipëria e
Skënderbeut”, botuar në formë broshure nga Shkolla Rumune në Paris më 1923.
Libër i vogël po por një zbulesë për sa i përket historisë së Skënderbeut e
relacioneve mes Shqipërisë dhe mbretërkisë së Aragonës e të Napolit. Nga Parisi
kalova në Napoli, në Romë, në Firenze
dhe në Venedik, duke u ndalua për ca kohë dhe në Milano. Në
arshivat dhe në bibliotekat e këtyre qyteteve gjeta material të shumtë
dhe fillova të përpiloi librin. Profesori im i mirënjohur,që e mbikqyri të tërë
materialin më dha aprovimin e tij për
botim, ky ishte Adoph De Mayer i Universitetit te Louvain.
-Si filluat të interesoheni për të shkruar një libër
mbi Skënderbenë?
Athanas Gegaj:
Interesimi im për historinë e Skënderbeut është një gjë tipikisht shqiptare. Aj
është heroj i kombit tonë dhe një fytyrë ndërkombëtare që zotëron në historinë e Europës në të XV shekull. Për më tepër Skënderbeu
është aj personalitet që ka nderuar dhe nderon çdo kohë popullin shqiptar.Po
interesimi im për historinë ë Skënderbeut fillon atëherë kur isha student në
Shkodër, dhe veçanarishtë kur arrijti nga Amerika “Historia e Skenderbeut”
botua në Boston nga At Noli me 1921 me anën e Organizatës Vatra. Ky libër
entuziazmoi të tërë moshën e re
shqiptare,sepse kishte meritën që jo vetëm se kishte shkrojtur në një gjuhë të
bukur,por nga ana tjetër paraqiste heroin tonë në një dritë të re. Leximi i
këtij libri më ka shoqëruar për shumë
vjetë e më në fund më shtyti të kërkoi gjëra të reja për rreth heroit tonë,për
t’i paraqitur, edhe botës së jashtëme Skenderbeun sipas nevojave të kritikës
historike,duke ndarë në sa ishte e mundur fytyrën e tij gjigante nga legjendat.
-Ç’ishin disa nga problemet që përballuat gjatë
shkrimit të kësaj vepre?.
Athanas Gegaj:
Problemet që m’u paraqitën në përgatitjen e kësaj vepre qenë të shumta. Më së
pari duhej që unë t’u çveshja nga çdo simpathi e ndjenjë personale. Historia në
këtë rast lipsej të ishte një histori kritike, e bazuar mbi dokumente të kohës,
mbi botime, me vlerë kritike që në çdo kohë janë bërë mbi Skenderbeun. E qe një
problem i rënde, sepse Skenderbeu, si në çdo zemër shqiptare,ashtu edhe në
mua,mbetej përherë heroj i kombit,që gjësend nuk mund ta shëndrrojë ftyrën e
tij! Nga ana tjetër kërkova me çdo mjet të konfrontoj historinë e vertetë me
botime të panumrta mbi Skenderbeun. Këtu m’u desht të luftoj për të paraqitur
një Skenderbe sipas dhënjeve historike;po në të njëjtën kohë kërkova, me çdo
kusht me çdo mjet,që Skenderbeu të mbetej dhe aj, që na e paraqet legjenda ose
më mirë kronika e kohës. Për këtë gjë luftova,por kërkova të mbetem objektiv në
çdo rast.
-Cilat janë disa nga gjërat e ra,që nuk diheshin më
parë, dhe që i vutë në dukje ju në librin tuaj?
Athanas Gegaj:
Në përgjithësi nuk ekzistonte një vepër kritike mbi Skenderbeun. Botimet
kritike ishin marrë me ca probleme të historisë së Skenderebeut, dhe ato që u
paraqiteshin si histori kritike,kishin mungesa te shumta nga çdo pikëpamje.
Merita modeste e veprës time është kordinimi i të gjitha këtyre botimeve,duke i
konfrontuar me dokumenta të kohës. Merita e kësaj vepre prandaj mbetet në
ndamjen e legjendës nga historia dhe në udhëzimin e ri të një studimi kritik të
jetës dhe të veprave te Skenderebeut. Për këtë gjë gurrat e arshivave dhe
aktetet zyrtare të kohës më udhëzuan të ndaj legjendën nga historia e vertetë e
Skenderbeut.
-Ç’është rëndësia e këtyre zbulimeve?
Athanas Gegaj:
Rëndësia e këtyre zbulimve për rreth historisë se Skenderbeut është kryekreje
në methodën e re e kritike që përdora për të paraqitur Skenderbeun në dritën e
vërtetë të jetës se tij dhe të veprave të tija. Duke punuar në këtë mënyrë
kërkova që Skenderebeu të mbetej aj që është. Dhe më vjen mirë të ju them se
historia e Skenderbeut sa më kritike të jetë, aq më gjigante na paraqitet jeta
e tij. Legjenda e lartësoi tepër,por historia e kritika,gjë që kërkova të
realizoj me çdo mënyrë,nuk e vogëlsojnë fytyrën e tij si luftar, si strateg,si
hero i një kohe dhe i një kombi.
-Sipas mendimit t’uaj, Zoti Gegaj, ç’kuptim ka, ose
ç’kuptim duhet të ketë jeta e Skëndërbeut për Shqiptarët në kohe të sotme?
Athanas Gegaj:
Jeta e veprat e Skenderbeut janë nje shëmbëll i pavdekshëm në gjiun e popullit
shqiptar. Kujtimi i tij i drejtoi të gjitha luftat e orvatjet për liri, që bëri
populli shqiptar gjatë shekujve të robërisë deri në ditën e indipendencës së
tij. Jeta dhe vepra e Skenderbeut janë të bazuara në bashkim të gjithë
shqiptarëve. Si në kohëra të kaluara,ashtu edhe sot,jeta dhe veprat e
Skenderbeut janë te bazuara mbi vëllazerim te gjithe shqiptarëve,mbi
lirinë e vendit nga i huaji,mbi të
drejtat e barabarta te çdo qytetari,mbi respektin e çdo shqiptari të ndershëm,
dhe mbi ruajtjen e traditave tona, atë të
besës, të burrërisë, të mikpritjes
dhe të krenarisë kombëtare. Për më tepër Skenderbeu na mëson se
shqiptari nuk do të kursejë gjësend per t’i ardhur në ndihmë nje shqiptari
tjetër dhe për të krijuar një atdhe të përbashktë shqiptar,ku secili të jetojë
i lirë dhe të punojë për atë vend që na e lanë trashigim të parët tonë.Ky vend
është Shqipëria e Shqiptarëve,ku secili është zot në shtëpi të tij dhe kërkon
të jetojë me dignitet e në bashkim, ashtu
siç na mësoi Skenderbeu. E ku na mësoi edhe një gjë tjetër: Shqipëria
është e gjithë shqiptarëve. Këta do ta mbrojnë me çdo mjet e me çdo sakrificë
për Atdheun e Shqiptarëve, dhe si vdiset për liri,pa u bë skllav i huaj, pa
perulur karakterin burrëror të popullit shqiptar.
-Cili është shkaku që Skenderbeu vonoi të kthehet në
Shqipëri për të rrëmbyer Krujën dhe principatën e tij nga duart e Turqëve?
Athanas Gegaj :
Shkaku kryesor që Skenderbeu vonoi të marrë në dorë drejtimin e rezistencës
shqiptare,qytetin e Krujës dhe principatën e atit të tij është njohuria e thllë
e fuqisë Ottomane. Për më tepër ai, nuk shihte një fuqi tjetër në Evropë,që te
ishte gati te përballjë ushtritë e
sulltanëve,që po marshonin gadhenjyese në të gjitha anët. Shqipëria ishte ndarë
në principata,pothuajse të gjitha nën influencen e huaj, turke ose veneciane.
Kishte për më tepër parasysh historinë e
atit të tij,që nuk pati perkrahje, dhe sa herë ngriti krye,qe përulë nga
ushtritia e sulltanëve. Me gjithë këta Skenderbeu ishte në kontakt me princat
shqiptarë dhe ëndërronte të kthej sa më parë në Shqipëri për të drejtuar
rezistencën shqiptare. Kur pa se nje fuqi e re,Hungaria po luftonte në brigje
të Danubit,atëherë Skenderbeu gjeti kohen e volittëshme,u ktyhye në Shqipëri
dhe organizoi vendin për të përballuar fuqinë Ottomane. Deçizioni i
Skenderebeut të kthehet në Shqipëri dhe të organizojë vendin kundër fuqisë
ottomane është një nga deçizionet më me pergjësi të historisë. Vetëm një
Skenderbe mund të merrte një deçision të atillë!E për këtë gjë,ai është i madh
dhe i pavdekshëm në historinë e popujve.
-Cilët kanë qënë faktorët që Skenderbeu, me nje fuqi
të vogël mundi të bëjë ballë forcave të mëdha
e të armatosura gjer në dhëmbë të sulltanëvë të Turqisë?
Athanas Gegaj :
Faktorët kryesorë që Skenderbeu me një ushtëri te vogël mund t’u bëjë ballë
forcave të armatosura të Sulltanëve të Turqisë,sipas mejtimit tim,janë
këto:Skenderbeu ishte strateg i përsosur,një komandant, që nuk dinte çka është
frika,nje njohës i vendit dhe i zakoneve shqiptare; dhe për më tepër Skenderbeu
nuk e la kurrë armikun që t’i impnojë planet e tija në luftë. Fuqitë shqiptare
Skenderbeu i ndante sipas nevojave të rasteve; ky linte përherë një
reservë dhe shtegun të hapur,që te mos
rrethohej nga armiku. Më tepër Skenderbeu qe aj që e sulmonte armikun duke i dhënë ushtrisë së
tij një shembull që ka mbetur një traditë burrërie shqiptare. Aj perballonte
vdekjen si një ushtar i thjeshtë. Ku ishte rreziku më i madh aty ishte
Skenderbeu. E nuk kishte ushtar shqiptar që të mos kerkonte të bëjë atë gjë që
bënte Skenderbeu! Më në fund Skenderbeu dhe kapetanët e ushtarët e tij luftonin
për liri. Ai dhe ushtarët e tij e dinin se nuk u mbetej tjetër veçse vdekjes
ose lirisë . Për këtë gjë Skenderbeu e
trimat shqiptarë shkruan epopenë shqiptare të shekullit të XV.Kjo është epopeia
më e bukur e çdo kohe.
-Skenderbeu bashkë me mbrojtjen e Shqipërisë mbrojti
edhe Krishterimin dhe qyteterimin e Evropës nga sulmet e Turqëve. Pra përse
disa vende të Evopës,sidomos Venediku nuk i dhanë përkrahjen e duhur?
Athanas Gegaj :
Nuk ka dyshim se Skenderbeu mbrojti qytetërimin europian dhe ua thej hovin
fuqive ottomane që ishin gati të marrshojnë në Itali dhe në Europën qëndrore.Skenderbeu pati
ndihma nga Alfonsi i V i Aragonës dhe i Napolit,si dhe nga papët e Romës që e
kishin kuptuar mirë rrezikun ottoman. Sa për Venedik,sadoqë ishte një fiuqi e
madhe detare kjo për shkaqe tregëtare kërokonte
të mbante marrëdhënie të mira me Turqinë;dhe ishte rivale e mbretit të
Aragonës e të napolit. Më vonë më 1463 e kuptoi rrezikun dhe përkrahi
Skenderbeun,por qe tepër vonë.
-Pas “Lidhjes së Kapedanëve”që u bë në Lezhë, e cila e
vuri në krye Skenderbenë,ç’farë forma administrative u shtuan asi kohe në
Shqipëri?
Athanas Gegaj :
Sipas Lidhjes së Lezhës,Skenderbeu mbetej kryekomandant i forcave shqiptare.
Dalë nga dalë të gjithë i bashkoi për rreth vehtjes së tij,duke u lënë liri në
administrimin e principatave të
tyre.Këto principata ishin shumë të kifizuara e shpesh te okupuara nga Turqit
ose nga Venediku. Secila principatë i jepte Skenderbeut përkrahjen me ushtarë,por
shpezat e luftës i përballote Skenderbeu,shpesh herë i ndihmuar nga Mbreti
Alfons,papët e Romës, nga Raguza dhe nga
të ardhurat e kripës.Më vonë pati përkrahje dhe nga Venediku.Forma
administrative në Shqaipëri në këtë kohë ishte ajo që zotëronte në Europë,duke
mos harruar se deri qyteti i Krujës ishte qytet i lirë,prandaj forma
administrative u mbështet në ligjet e vendit.
-Sipas mendimit tuaj,ç’farë drejtimi do të kishte
marrë fati i Shqipërise sikur Skenderbeu të kishte jetuar më gjatë?
Athanas Gegaj :
Po të kishte jetuar më gjatë Skenderbeu ,sadoqë ishte i shtytur në moshë, fatet
e Shqipërise do të ndryshonin. Aj me
1463 bëri një marrëveshje me Republikën e Venedikut, i suguroi Shqipërisë
përkrahjen e saj dhe ai vetë qe emëruar
komandant suprem i ushtrive shqiptare
veneciane. Për më tepër Skenderbeu do të
kishte kohë të udhëzojë djalin e tij Gjonin,kështu që rezistenca shqiptare e
përkrahur nga tjera fuqi europiane,do të mund t’i siguronte Shqipërise
lirinë dhe indipendencën;këtë gjë e meritonte dhe ca fuqi të kohës kishin filluar ta
kuptojnë rëndësinë strategjike të Shqipërisë.
-Dhe qysh prej kohës që është botuar vepra juaj dhe ajo e Fan Nolit mbi
Skenderbeun, a kanë dalë në shesh dokumenta të tjera që nuk diheshin më parë
rreth jetës dhe luftërave të Skenderbeut?
Athanas Gegaj :
Studimet përmbi jetën dhe veprat e Skenderbeut nga koha e botimit të veprës time e pastaj kanë vazhduar. Më së
pari është vazhdimi i botimit të Acta
Albania dhe Acta Albanie Veneta;këto të fundit përgatitur nga Qendra e Studimeve Shqiptare të
Italisë.Dhe At Valentini është duke botuar “Studi Veneti” te”Fondazionit Cini”,
që kanë të bëjnë me historinë shqiptare gjatë shekujëve XIV-XV. 500-vjetori i
vdekjes së Skenderbeut nga shume pikëpamje shpresoj të jetë deçisive përsa i
përket epokës së Fatosit tonë kombëtar.
KOHA JAVORE,
Podgoricë, 23 & 30 prill 2015,
f.14-15