23 September 2016
20 September 2016
29 August 2016
Personaliteti i dyshimtë i Enver Hoxhës- sipas Bedri Spahiut
Terroristët Dushan Mugosha, Enver Hoxha dhe Milladin Popoviq |
PERSONALITETI I DYSHIMTË I ENVER HOXHËS - SIPAS BEDRI
SPAHIUT
Intervista e pabotuar e ish-kryeprokurorit dhënë
gazetarit Vangjush Gambeta
Me rastin e 70-vjetorit të
pushtimit komunist, gazeta “Tirana Observer” sjell një intervistë të rrallë të
Bedri Spahiut. Sipas rrëfimit të djalit të Bedri Spahiu, gazetari i njohur
Vangjush Gambeta në maj të vitit 1991 i kërkoi një intervistë ish-prokurorit të
Përgjithshëm. Spahiu pranoi dhe mori pyetjet e shkruara nga Gambeta. Por më
pas, ndoshta ngaqë familja Spahiu ndërroi shtëpinë dhe për shkak të ngjarjeve
që erdhën më pas, Gambeta nuk arriti ta merrte intervistën, e cila nuk u botua
kurrë. Me këtë rast, “Tirana Observer” sjell intervistën e plotë. Në këtë intervistë,
Bedri Spahiu flet më shumë për karakterin e Enver Hoxhës dhe pse ai arriti t’i
eleminonte të gjithë kundërshtarët e tij në parti.
Vangjush Gambeta: Ju keni qenë në një moshë, në një
lagje, në një klasë me Enver Hoxhën. Keni krijuar grupin komunist të
Gjirokastrës në vitet ‘30. Enver Hoxha nuk ka folur kurrë që të ketë patur
aktivitet gjatë luftës në atë qytet. Cili ka qenë roli i tij në luftë?
Bedri Spahiu: – Më duhet ta filloj nga koha e Zogut se
atëherë bëra përpjekjen e parë (dhe kjo qe e fundit) për të futur E. Hoxhën në
grupin komunist të Gjirokastrës. Në gusht të 1931 unë krijova grupin komunist
në ushtrinë e Zogut ku isha oficer. Në 11 Qershor 1937 më arrestuan, ndërsa
isha akoma oficer, së bashku me shokët e grupit. Kishte dështuar kryengritja e
Fierit dhe meqë ne kishim lidhje me ta na arrestuan me akuzën: pjesëmarrës në
kryengritje, subversion në ushtri dhe propogandë komuniste. Pas 7 muajsh
hetuesi na liruan dhe mua me Tahir Kadarenë na internuan në Gjirokastër.
Krijova grupin komunist të këtij qyteti. Në vitin 1938 dëgjova se E. Hoxha
ishte kthyer nga Franca. Mendova ta tërhiqja edhe atë në grup. Dërgova Tahir
Kadarenë që ta thërriste. E. H. Refuzoi duke i thënë: “Mos më përzini në këto
punë”.
Në 1939, pasi iku Zogu, E. Hoxha i kërkoi Shemsi
Totozanit që ta takonte me mua. Në mbrëmje Shemsiu vjen tek unë dhe më thotë: ”
Ai gangsteri i Mullait do që të takohet me ty”. Refuzova në mënyrë kategorike.
Nuk e kuptova pse E.Hoxha kishte patur frikë nga Zogu.
Në atë kohë isha epiqendra e lëvizjes komuniste në
Gjirokastër dhe përgjegjësia për detyrën time më bënte të ndërgjegjshëm në
kujdesin për zgjedhjen e anëtarëve të ardhshëm të Partisë. ish grevëthyesi i
djeshëm ( një herë, klasa jonë, edhe ai po ashtu, morëm një vendim për të
bojkotuar mësimin, por E.Hoxha e theu këtë vendim duke u paraqitur i vetëm në
shkollë) mund të bëhej sabotatori i ardhshëm.
Që nga ajo tentativë e E.H. për të më takuar ai mbaroi
për mua. Mundet që të ketë ardhur edhe herë të tjera në Gjirokastër e të jetë
zhdukur si fantazëm, kujtesa nuk më sjell ndonjë moment që ta kem parë atje.
Gjithçka është shkruar nga diktatura për E. Hoxhën si
organizator apo militant i P. Komuniste është kryekëput një mashtrim, një
falsifikim i historisë.
Dy qenë Konferencat për formimin e P.K.SH. E para e
drejtuar nga Dushan Mogosha (Sala), ku mora pjesë edhe unë; dështoi pasi Qemal
Stafa kërkoi që D. Mogosha të ishte i pajisur me dokumentin që vërtetonte se
ishte i dërguari autentik i Kominternit për të ndihmuar bashkimin e grupeve
komuniste shqiptare. Në këtë konferencë E. Hoxha nuk ishte.
Meqë konferenca e parë dështoi, misionarët jugosllavë
u përgatitën për të dytën duke përdorur një skenar për të mos pranuar në këtë
konferencë persona të njohur mbasi mund të ndodhte si rasti i konferencës së parë
me Q. Stafën. Pra dhanë udhëzime që të caktoheshin nga dy persona, por jo
kryetarët, për të përfaqësuar grupet komuniste në këtë konferencë.
Koço Tashko më tregoi se ç’kishte ndodhur në Korçë kur
Miladin Popviçi kishte vajtur për të marrë pjesë në mbledhjen ku do të
caktoheshin dy anëtarët për konferencën e formimit të Partisë. Numri
pjesëmarrësve kishte qenë i vogël, si pasojë Miladini i thotë Koços që të dilte
e të gjente ndonjë anëtar tjetër. Koçua del dhe në një mejhane gjen E. Hoxhën.
Ky kishte ca kohë që jetonte në Korçë, ishte thjesht një simpatizant i grupit
komunist të këtij qyteti. Koçua e ftoi që të vinte në konferencë. Miladini sapo
e pa tha: “Shumë mirë, ja njëri, caktoni dhe një tjetër”.
Në konferencën që u bë në Tiranë merrte pjesë edhe Tuk
Jakova, anëtar i grupit të Shkodrës. Disa ditë mbas konferencës ai më takoi dhe
më tha: “Na zgjodhën Enverin. Po atje nuk u përmend asnjë emër. Miladini tha:-
Njëshi është intelektual, familje patriote, ka mbaruar studimet jashtë etj,
etj. Shtanga kur mora vesh më vonë se ky Njëshi ishte Enver Hoxha”.
Mbas ca kohësh takova misionarin jugosllav dhe i
thashë: “ A e njihni ju Enver Hoxhën?”
Ai ma ktheu me buzëqeshje dhe duke më rrahur
shpatullat: “E njohim, por ne na duhet vetëm për periudhën e luftës”.
Si u bë dhe kur u bë sekretar i parë E. Hoxha, kjo ka
qenë gjithmonë një mister dhe kam arritur në konkluzionin se Sekretari i Parë
politik i Partisë tonë ka qenë produkt i flirtit Miladin – Enver, i Miladinit
intelektual dhe Enverit gënjeshtar.
Thuhet se në Korçë, kur dëgjoi për përpjekjet që
bëheshin në Tiranë për formimi e Partisë Komuniste E. Hoxha tha: “Tani bëhet
karrierë në Tiranë prandaj duhet shkuar atje”.
Unë nuk e di në se E. Hoxha i ka thënë vërtet këto
fjalë apo në se i ka thënë tamam kështu. Fakti ështës e gjithë veprimtaria e
tij i shërbeu këtij qëllimi që ai e realizoi me sukses të plotë.
Vangjush Gambeta: Roli i E. Hoxhës në luftën
Nacional-Çlirimtare?
Bedri Spahiu: Ai nuk ka luajtur një rol për luftën. Ai
ka luajtur rolin e njeriut pa principe, pa skrupuj moral, që aspiron vetëm
pushtetin, i gatshëm t’i shërbejë edhe djallit për t’ja arritur këtij synimi.
Ai ishte aventurieri politik, uzurpator i pushtetit dhe i autoritetit të
Partisë Komuniste Shqiptare, autoritet ky që u rrit në popull nga aktiviteti i
militantëve të ndershëm, të devotshëm, që besonin me të vërtetë në të ardhmen e
lumtur e të ndritur të shoqërisë shqiptare, të Atdheut të tyre, kauzë për të
cilën ata sakrifikuan deri pasurinë, familjet dhe veten e tyre.
Vangjush Gambeta: Cili ka qenë Enver Hoxha – fëmijë po
i ri. A janë të vërteta fjalët për moralin e tij të shthurur?
Bedri Spahiu: Me E. Hoxhën kemi të njëjtën moshë.
Shtëpitë tona në Gjirokastër ishin më pak se 100 m larg njëra-tjetrës dhe kemi
qenë në një klasë. Në lodrat fëminore ai ishte fëmija që donte vetëm të fitonte
dhe me çdo kusht. Hilet, dredhitë ishin mjetet më të zakonshme për t’i siguruar
fitoren. Ndershmëria në lojë nuk ishte element i njohur nga E. Hoxha – fëmijë.
Me mësime ai ka qenë nën mesataren. Nga koha e shkollës më kujtohet si e
veçantë një ngjarje që sapo e përmenda pak më lart:
1 Maji në Gjirokastër është dita e luleve dhe në kohën
tonë bëhej pushim edhe në shkolla për ta festuar duke zbritur në fusha me
trandafila në duar. Në vitin 1923 Ministria e Arsimit urdhëroi shkollën tonë 6
vjeçare të vazhdonte mësimin rregullisht edhe ditën e 1 Majit. Së bashku me një
shokun tim, Nesip Gjebrenë, mblodhëm klasën dhe të gjithë bashkë vendosëm të
bojkotonim mësimin dhe 1 Majin ta festonim si çdo vit. Edhe E. Hoxha ishte
dakord me gjithë shokët e klasës.
Në mbrëmje autoritetet e shkollës dhe një xhandar
vijnë në shtëpi, më marrin dhe më mbyllin në klasën e shkollës. Mbas meje
sjellin Nesip Gjebrenë dhe kështu me radhë të gjithë shokët me të cilët kishim
biseduar për të bojkotuar mësimin. Në 1 Maj mësimi filloi rregullisht dhe i
vetmi që shkoi në orën 8 si zakonisht ishte E. Hoxha.
Ndoshta treguesi më i saktë për të karakterizuar E.
Hoxhën e asaj moshe ishte epiteti që i kishin vënë shokët. E thërrisnin
“gazhel” (kërriç).
Mbas klasës së gjashtë jeta më ndau nga E. Hoxha për
të më takuar përsëri (me sa më kujtohet) në Shtabin e Përgjithshëm në Labinot.
Kështu që rininë nuk ja kam njohur drejt për së drejt. Por për sa e kam njohur
në vegjëli mund të them me bindje të plotë se në atë moshë ai ka patur të
gjitha cilësitë që spikatin në individë të predispozuar të jenë ana e kundërt,
ekstreme e virtytit. Nga shokë të mi, apo të njohur të tjerë, të respektuar dhe
të besueshëm në ndershmërinë e tyre, kam dëgjuar edhe unë plot gjëra për
moralin e shthurur të E. Hoxhës (besoj se ai ka patur vetëm një moral: të jetë
i pamoralshëm). Kështu që, përsëri duke u mbështetur edhe në njohjen time të
mëpasshme, duke bërë edhe një përqindje zbritje për shtesat, hiperbolizimet,
interpretimet subjektive etj., them se nga ato që thuhen për E. Hoxhën në
çështje morali mbeten përsëri shumë të vërteta.
Shumë njerëz çuditen: Si është e mundur që një njeri i
vetëm të fusë në thes dhe të asgjësojë kaq e kaq udhëheqsa të dalluar në luftën
heroike Nacional-Çlirimtare? Si mundi t’i zërë E. Hoxha pozitat kyçe, si mundi
të mbahet dhe të ushtrojë diktaturën e tij e të përdorë një palë të shokëve të
tij kundra palës tjetër e të bënte bashkëpunëtorët e tij vrasësa të të vrarëve?
Si mundi ta bëj një popull të tërë t’i këndojë këngë lavdie dhe t’i atribuojë
merita të padrejta dhe të paqena? Si mundi ta shndërrojë një Parti të tërë në
spiunë, sot të një shteti dhe nesër të një tjetri? Si mundi t’i bëjë prindërit
spiunë të fëmijëve të tyre dhe anasjelltas? Si mundi ta bëjë familjen shqiptare
agjenturë të Sigurimit?
Këto e të tjera u bënë të mundura sepse në krye të
piramidës u vu E. Hoxha (pa harruar faktorin vendimtar jugosllav), njeriu që
ishte i denjë për të kryer transformime të tilla. Falë kësaj denjësie diktatori
doli në krye si fitonjës.
Askush nuk mund të bëhet diktator pa u përleshur me
kundërshtarët e vet e pa fituar mbi ta. Veç kësaj ai gjendet edhe në garë me
shokët e kryesisë për vendin Nr. 1 dhe e fiton këtë vend, pra fiton edhe garën
me bashkësunduesit e vet duke ushtruar kështu pushtetin diktatorial. Fakti
është se E. Hoxha bëri atë që nuk do ta bënte asnjë nga shokët e tij të vjetër
apo të rinj. E bëri si diti ai dhe fitoi, e çfarëdo që të thuhet, çfarëdo e
keqe që t’i atribuohet ai mbetet figura e udhëheqësit fitimtar, i denjë për një
pushtet të këtij lloji.
Gjatë gjithë periudhës së luftës E. Hoxha bëri të pa
mundurën për të më njollosur dhe për të më spostuar. Dhe për këtë ai ndihmohej
edhe nga jugosllavët, të cilët merrnin pjesë në çdo mbledhje.
Në dhjetor të 1942, në konferencën e Partisë Komuniste
të qarkut të Gjirokastrës, i deleguari i Komitetit Qendror Dushan Mogosha dhe
Kristo Themelko u përpoqën të më shkarkonin duke më akuzuar për paaftësi.
Në Dhjetor 1943 bëhet konferenca e qarkut Shepel të
Zagorisë. Të deleguar ishin Dushan Mogosha dhe Liri Gega. Mua nuk më thirrën me
gjithë se isha përfaqësuesi i zonës. Ngritën akuzën se nuk kisha zbatuar
urdhërat për qëndrimin ndaj Ballit, duke përmendur rastin kur partizanët kishin
ndaluar dhe marrë me vete Ali Bej Këlcyrën dhe unë, jo vetëm që nuk kisha dhënë
urdhër për ta pushkatuar por kisha urdhëruar që dy partizanë ta shoqëronin për
në Gjirokastër shëndoshë e mirë.
Në Nëntor 1944, në Pleniumin e Beratit u propozua që
Sejfulla Malëshova, Tuk Jakova dhe unë të hynim në Byronë Politike. Për këtë E.
Hoxha nuk ishte dakord. U bënë shumë debate, të gjithë ju kthyen E. Hoxhës. Ai
e pa veten keq dhe ngrihet e thotë: “Po, është e vërtetë, unë nuk jam i aftë
për këtë detyrë. Jam dakord që Shqipëria të bëhet Republika e shtatë e
Jugosllavisë dhe Titua sekretar i parë i saj”. Në këtë kohë Koçi Xoxe ngihet me
vrull dhe thotë: “Ç’na thua kështu? Partia jonë është e pavarur. Ç’do Titua
këtu?!”.
Mbas çlirimit i shkruajta një letër Titos ku tregoja
se kush ishte E. Hoxha. Mbas disa muajsh më thërret Enveri në zyrë dhe sapo u
ula në kolltuk ai ngrihet duke thënë se po shkonte në banjo. Te tavolina, afër
mej dhe i kthyer nga unë, ishte një libër i hapur. Zgjatem dhe shikoj faqen e
hapur. Ishte letra ime që i kisha bërë Titos për E. Hoxhën. Shoh kapakun e
librit: ishte fletorja zyrtare e Jugosllavisë. U bë e qartë çdo gjë: Titua
njoftonte E.Hoxhën për kundërshtarët. Mbas disa vitesh më ra në vesh se edhe
Nako Spiro i kishte shkruar Titos një letër të tillë dhe besoj që E. H. do t’i
ketë bërë këtë lojë, gjë që e ka detyruar Nakon të vrasë veten.
Jugosllavët e vunë në krye dhe e mbajtën E. H. sepse
ishte më i përshtatshmi për ta. Vetë E. Hoxha e ka shprehur e ka shprehur këtë
mbas vdekjes së Titos: “Pavarësisht nga kontradiktat ideologjike, Titua për ne
ka qenë një ombrellë”.
Kam qenë pjestar i delegacionit të parë në Jugosllavi
bashkë me E. Hoxhën, Koçi Xoxen dhe Hulusi Spahiun. Më kujtohet darka e fundit
e shtruar për ne kur Titua në bisedë e sipër tha: “Në vendet e prapambetura
pjesa më aktive janë ushtarakët dhe intelektualët”.
Dihet eleminimi i këtyre dy klasave në periudhën
1945-1948 dhe mbas prishjes me Jugosllavinë ky eleminim duhej justifikuar. E.
Hoxha e quajti “Sigurimi mbi Partinë” dhe në popull përhapën sloganin “koha e
Koçit”. Dhe gjatë gjithë sundimit të tij ai ka luajtur me të njëjtin skenar.
Situata në Shqipëri ashpërsohej apo zbutej sipas
situatës ndërkombëtare. Dhe ishte herë në favor e herë në disfavor të E.
Hoxhës. Një periudhë ashpërsimi pasohej nga internime, burgime e akte terrori
për të cilat thuhej se i bënte Mehmeti, ndërsa kur situata zbutej hapej fjala
se Enveri është i mirë por nuk e lënë të tjerët, se uji vjen i kulluar nga
burimi por turbullohet rrugës etj.
Në vitin 1951 kam qenë dëshmitar në një ngjarje në
zyrën e E. Hoxhës. ishte hedhur bomba në ambasadën sovjetike. Isha duke shkuar
në zyrën e E. Hoxhës dhe takoj në korridor Mehmet Shehun. I thashë se ku po
shkoja. Sapo isha ulur kur dëgjohet një trokitje dhe tek dera e hapur u duk Mehmeti.
Që nga aty ku ishte ai foli me zë të lartë, me sa duket që të dëgjohej mirë:
“Ke dhënë urdhër që të fillojnë arrestimet dhe torturat në burgje. E dua me
shkrim!”. E. Hoxha u shpërfytyrua, shkoi tek tavolina, shkruajti një letër dhe
ja dha Mehmetit. Ndërsa Mehmeti fuste letrën në xhepin e brendshëm të xhaketës,
i kthyer nga tashmë nga unë, më shikonte sikur donte të më thoshte: “S’ma hedh
dot mua si ja hodhi Koçit…”
Mendoj se themelore nuk është në se E. Hoxha ishte në
vendin që meritonte apo jo, por e ç’natyrë ishte denjësia e tij për këtë vend
dhe në çfarë konsistonte kjo denjësi.
Besoj se konsistonte në:
1- Origjinën e familjes së tij,dhe
2- Në trinomin cilësor të karakterit Enverian.
1- Familja e E. Hoxhës ishte e një shtrese mesatare,
nga ato familje që silleshin pa pushim si satelitë rreth parisë gjirokastrite
duke përgjuar e duke të futej në rradhët e saj. Por, megallomane e perifane,
kjo pari nuk e afroi kurrë dhe familja Hoxha nuk mundi të njësohej me parinë
gjirokastrite. Nga ky synim i parealizuar kurrë E. H. , bashkë me qumështin e
nënës, thithi dëshirën për të dalë në krye, për t’u dalluar, për të sunduar.
2- Trinomi cilësor i karakterit enverian për bëhet
nga:
a – Pandershmëria
b – Dinakëria
c – Demagogjia.
Këto cilësi u bënë fokusi i cilësive të tjera morale
të E. Hoxhës ashtu siç e paraqitin kundërshtarët, dashamirësit dhe ai vetveten.
Vangjush Gambeta: Përse ka qenë dënimi Juaj?
Bedri Spahiu: Jam dënuar nga Gjykata e Lartë për
“tradhëti ndaj Atdheut, agjitacion e propagandë sipas nenit 64,1472 të K. P. me
25 vjet heqje lirie, konfiskim pasurie dhe heqje e të drejtës elektorale për 5
vjet, (më 18-04-1958). Më liruan nga burgu në 1974. Kishin ardhur të më merrnin
dy djemtë e mi, por me ta më lanë vetëm 10 minuta, sa për t’i lajmëruar se çohesha
i internuar në Selenicë të Vlorës. Me një makinë të M.P.B. më çuan në Tiranë.
Në këtë Ministri një oficer u përpoq të më mbushë mendjen që të merrja
vullnetarisht familjen në Selenicë. Refuzova duke theksuar se bashkimin e
familjes me mua e konsideroja si një masë të dytë kundra familjes time. Më çuan
në Elbasan dhe më lanë vetëm 4 orë me time shoqe dhe vajzën. Që aty drejt e në
internim në Selenicë. Djemtë më erdhën të nesërmen. Familjen ma internuan në
Dushk të Belshit në Prill 1976 dhe në maj më dërguan edhe mua atje. U mblodhëm
bashkë në tavolinë pas afro 20 vjetësh.
Janë të rrallë udhëheqësit e Partisë që të kenë folur
në emër të Partisë, të kenë popullarizuar Partinë dhe të kenë asgjësuar
personalitetin e tyre për të buisur atë të Partisë siç kam bërë unë. Por
objektivisht kjo i shërbeu kundërshtarëve të mi politikë në radhët e Partisë.
Duke mos patur asnjë prirje prepotence, asnjë
mbrapaqëllim kundra cilitdo dhe duke qenë prej natyre kundra intrigave, unë
isha një nga udhëheqsat e domosdoshëm për ata që zhvillonin luftën për pushtet
në krye të Partisë. Por kur kjo luftë mori fund unë u gjenda përpara fituesit,
objektivisht si mbeturinë anakronike e një periudhe të kapërcyer, në pritje të
rastit të volitshëm për t’u flakur jashtë udhëheqjes së Partisë. Dhe ky rast
erdhi kur Hrushovi, me deklaratën e tij të bujshme në Beograd, në vizitën e
parë, i hoqi petat lakrorit.
Lavdi Zotit – thoshte gjyshi im kur binte fjala për
shtetin – i kalova njëqind vjetët dhe nuk e pashë derën e Huqumetit as për mirë
e as për keq!
Mua, nipit të tij më takon të them: Lavdi Zotit! Të
gjitha regjimet shtetërore më kanë arrestuar për çështje politike.
Kush ishte Bedri Spahiu
Ka lindur më 13 korrik
1908, në lagjen “Palorto” të qytetit të Gjirokastrës. Gjatë fëmijërisë, gjendja
ekonomike e familjes së tij ishte shumë e rëndë. Babai i tij, Sinani, shkoi në
kurbet (në Turqi) me shpresë për t’u mëkëmbur. Gjatë kësaj kohe Bedri Spahiu
ishte në shkollën fillore dhe deri më 1923 mbaroi filloren me nota të
shkëlqyera. Në pamundësi ekonomike për të vazhduar ato klasa që i mbeteshin si
dhe gjimnazin, më 16 maj 1923 u nis për Izmir, ku ndodhej edhe babai, me
shpresë për të vazhduar shkollën. Mbaroi shkollën fillore italiane në Stamboll
dhe mori dëftesën e lirimit. Periudha e jetës së tij me idetë komuniste, siç e
ndan vetë, përbëhet nga tri faza, e para prej të cilave filloi në shtatorin e
1927-ës dhe mbaron në gusht 1931 (në shkollën e artilerisë). Në këtë fazë
aktiviteti i tij është propaganda komuniste në shkollë. Faza e dytë fillon në
gusht 1931 (në ushtrinë e Zogut) deri në tetor 1941. Kur u formua Shtabi i
Përgjithshëm, ai zgjidhet anëtar i këtij Shtabi. Në Berat u zgjodh anëtar i
Byrosë Politike dhe me këtë funksion ishte deri në 17 qershor 1955. Arrestohet
sapo kaloi derën e sallës ku bëhej plenumi i KQ të PPSH-së më 17 qershor 1955
dhe izolohet për pesë ditë në një shtëpi. Kjo erdhi si pasojë e luftës së tij
të gjatë kundër politikës së Enver Hoxhës. Mbas 15 ditësh, më 23 qershor 1955
internohet familjarisht në Elbasan. Më 1 qershor 1957, arrestohet dhe izolohet
në Kalanë e Kaninës në Vlorë, prej ku transferohet në 4 janar 1958 për Tiranë.
U dënua me 25 vjet. Në 6 tetor 1974 lirohet nga burgu dhe internohet drejt e në
Selenicë. Lirohet nga internimi më 10 maj 1990, ditën kur u shpërnda Komisioni
i Internim – Dëbimeve. Bedri Spahiu ka qenë prokuror në gjyqin special,
prokuror në gjyqin e Koçi Xoxes dhe sekretar i Agjitacion-Propagandës, pastaj
ministër i Arsimit dhe Kulturës deri në kohën e Plenumit të vitit 1955. Bedri
Spahiu vdiq më 11 janar 1998. Bedri Spahiu është i vetmi funksionar i lartë i
regjimit komunist që ka pranuar gabimet e veta gjatë kohës kur ishte prokuror
si dhe ka kërkuar ndjesë publike për të gjitha krimet e kryera nga regjimi komunist.
12 August 2016
Islami nuk është vetëm religjion, por është edhe ideologji politike-
“Islami nuk është vetëm religjion, por është edhe ideologji
politike. E keqja në Europë nuk janë bombat. E keqja ende nuk ka ardhur”
Unë i dënuari me vdekje nga fashizmi islamik, ju shpjegoj
tradhëtinë e madhe të Europës”.
Intervistë me Abdel-Samad, politolog egjiptian, nën eskortë në Gjermani. Libri i tij është ndaluar në Francë. “Intelektualët nuk duan t’i ndyejnë duart me islamin. Për duatrokitjet, duhet sulmuar Amerika dhe Izraeli”
I ofruan gjithçka që një djalë egjiptian mund të dëshironte:
spiritualizëm, kameratizëm, shoqëri, një qëllim. Në Gizë, Hamed Abdes-Samad u
fut për t’u bërë pjesë e Vëllazërisë Myslimane. I ati e kishte mësuar të
lëxonte Kuranin, por qe Vëllazëria ajo që ia shpjegoi sesi të përkthejë në
praktikë këto mësime. Kalimi i kohës më i preferuar i tij ishte që të marshonte
më Vëllazërinë gjatë manifestimeve, duke shpalosur flamurin e Profetit.
Abdel-Samad i refuzoi pas një dite në shkretëtirën egjiptiane. U dhanë të
gjithë “vëllezërve” nga një portokall pasi kishin ecur nën diell për orë të
tëra. I urdhëruan që ta qëronin. Qenë të lumtur që më së fundi kishin diçka për
të shuar etjen. Pastaj Vëllazëria i urdhëroi ata që ta groposnin frutin në rërë
dhe t’i hanin lëkurat. “Jam ndjerë krejtësisht i poshtëruar. Objektivi ishte që
të thyhej vullneti ynë. Kështu krijohen terroristët. E kam lënë Vëllazërinë
menjëherë më pas”.
Sot Abdel-Samad është 46 vjeç dhe jeton në Mynih të Bavarisë,
ku është martuar me një vajzë daneze dhe punon për Institutin e Historisë dhe
Kulturës Hebraike të Universitetit të Mynihut. Pas diplomimit, Abdel-Samad ka
punuar pranë UNESCO-s në Gjenevë, më pas ka hyrë në Departamentin e Studimeve
Islamike pranë Universitetit të Erfurtit, përpara se historiani Michael Brenner
t’i ofrionte një pozicion pranë Universitetit të Mynihut në vjeshtën e 2008.
Libri i parë i tij ka shkaktuar një tollovi të madhe në fshatin e lindjes së
Abdel-Samad, ku disa banorë kanë dashur t’ia djegin librin. Abdel-Samad kishte
pasur guximin që kishte hyrë dhe qe bërë pjesë e atyre që revista amerikane
“New Republic” i ka quajtur “ateistët e padukshëm”, të refuzuarit, heretikët,
blasfemët e botës islamike. Një tjetër zjarr, një zjarr i butë, sapo ka djegur
librin e ri të Abdel-Samad, “Der Islamische Faschismus: Eine Analyse”, i
shumëshitur në Gjermani, ku është botuar nga një botues si Droemer Knaur.
Shtëpia botuese franceze “Piranha” kishte blerë të drejtat për
ta përkthyer në frëngjisht veprën më të njohur të Abdel-Samad dhe kishte edhe
një datë daljeje në Amazon, 16 shtator. Por shtëpia botuese në momentin e
fundit ka bërë një prapakthehu. Jean-Marc Loubet, në krye të shtëpisë botuese,
ka njoftuar autorin se botimi i librit të tij për momentin është i paimagjinueshëm
në Francë për arsye sigurie, por edhe sepse mund “të çojë ujë në mullirin e të
djathtës ekstreme”. Për kritikat e tij ndaj islamit, Samad në Gjermani jeton
nën eskortë dhe mbi të ka një fetva për herezi, të nxjerrë nga disa imamë
egjiptianë.
“Shtëpia botuese Piranha kishte blerë të drejtat e librit, e
kishte përkthyer, ishte tashmë në Amazon kur ka vendosur t’ia ndalojë botimin”,
thotë Abdel-Samad në këtë intervistë për “Il Foglio”. “Dy vite më parë, pas
sulmit ndaj Charlie Hebdo, kishin vendosur t’i blinin të drejtat e librit. Pas
Nicës, qenë të gatshëm ta hidhnin në treg në shtator. Drejtori i shtëpisë
botuese i ka shkruar një email agjentes time gjermane, duke shpjeguar se kishin
pasur një mbledhje me krerët e shtëpisë botuese dhe se ekzistonte një rrezik
shumë i lartë për punonjësit në botimin e një titulli të tillë, se kishte
ndodhur Charlie Hebdo dhe se nuk mund të kishin edhe ata të njëjtin fund. Unë i
njoh mirë rreziqet që kalohen në të tilla raste, jetoj nën mbrojtjen e
policisë, marr kërcënime dhe sikur të kishin pasur vetëm frikë, do të kishte
qenë e kuptueshme. Një vit më parë kishin thënë “Jemi Charlie” dhe tani thonë
“Kemi frikë të jemi Charlie”. Por në pjesën e dytë të emailit ishte shkruar se
libri “do të çonte ujë në mullirin e të djathtës ekstreme”.
Është reagimi tipik i shantazhit moral të atij që nuk do që të
kritikohet islami. Është më i ndershëm reagimi i terroristëve islamikë që më
thonë: “Të vrasim po kritikove islamin”. Por ka edhe një taktikë tjetër nga ana
e myslimanëve që shantazhon në mënyrë emotive duke thënë: “Libri yt prek
ndjenjat tona”. Dhe kjo taktikë është adoptuar sot nga e majta në Europë. Në
qoftë se kritikon islamin, e gjen veten të rrethuar nga këto grupe. Është
hipokrizia e kulturës, sepse e kanë transformuar frikën në një mburrje”.
Rasti i Abdel-Samad nuk është sigurisht i pari. “The Jewel of
Medina”, romani i amerikanes Sherry Jones mbi jetën e gruas së tretë të
Muhamedit, është blerë dhe më pas është refuzuar nga shtëpia botuese “Random
House”, që i kishte paguar tashmë një paradhënie të majme autores dhe kishte
lançuar një fushatë promovuese ambicioze. Pastaj ndodhi rasti i Yale University
Press, që ka botuar librin e Jytte Klausen, “The Cartoons That Shook the
World”, kushtuar historisë së karikaturave daneze, por pa ia riprodhuar
karikaturat. “Kapitullimi i Yale University Press është episodi më i keq i
dorëzimit ndaj ekstremizmit religjioz mysliman që po përhapet në të gjithë
kulturën”, komentoi Christopher Hitchens. Në Gjermani shpërthen rasti i
Gabriele Brinkmann, romanciere e vlerësuar, që papritmas mbetet pa shtëpi
botuese. Në romanin e saj “Wem Ehre Gebuhrt” (Kujt i detyrohet nderi) kishte
disa pasazhe, që sipas avokatëve të shtëpisë botuese Droste, do të mund të
“irritonin komunitetin islamik gjerman” dhe ta ekspozonin botuesin “ndaj padive
dhe frikësimeve”.
Kështu që shkrimtares iu kërkua t’i censuronte pasazhet
delikate. Autorja ka refuzuar dhe ka humbur shtëpinë botuese. Brinkmann ka
komentuar: “Është një skandal për një botues që ta fusë bishtin midis shalëve
në këtë mënyrë. Bëhet fjalë për besnikëri preventive”. Duke shkuar akoma më
prapa, kemi rastin e Salman Rushdie dhe të “Vargjeve satanike” të tij. Shtëpia
botuese franceze Christian Bourgois refuzoi ta botojë pasi i kish blerë të
drejtat dhe të njëjtën gjë bëri botuesi gjerman Kiepenheuer, që u pendua që ia
kishte blerë të drejtat librit dhe zgjodhi që t’ia shesë një konsorciumi prej
50 botuesish në Gjermani, Austri e Zvicër, të grumbulluar nën siglën “UNCharta
Artikel 19”. Shumë shpejt edhe shoqata e botuesve anglezë zgjodhi që të mos
vihet në vijën e parë në aferën Rushdie. Ishte e vërtetë që një shkrimtar
britanik dhe botuesit britanikë të tij qenë nën kërcënime me vdekje, por
shoqata u deklarua e preokupuar që “të mos e rëndonte më kot një situatë
thellësisht të papëlqyer”. Një mesazh në dukje delikat, por që kishte shumë pak
ndershmëri. Oxford University Press vendosi kështu të marrë pjesë në Panairin e
Librit të Teheranit bashkë me dy shtëpi botuese amerikane, McGraw-Hill e John
Wiley, pavarësisht kërkesës së Viking Penguin, botues i Rushdie, për ta
bojkotuar evenimentin. Zgjodhën që të luftojnë censurën vrastare me dorëzimin,
të gatshëm që të sakrifikonin lirinë e shprehjes në altarin e “business as
usual”: shitja e librave ishte më e rëndësishme se kolegët e kërcënuar.
Kundërrevolucioni i Hitlerit dhe Islamit
Vijmë kështu në përmbajtjen e librit të Abdel-Samad që ka
prodhuar kaq shumë skandal. “Libri im është mbi religjionin, pasi krahasoj
islamin me fashizmin”, vazhdon më tej Hamed Samad. “Thonë se nuk mund ta vendos
një religjion të shekullit të VII-të me një ideologji të shekullit të XX-të.
Megjithatë, islami nuk është vetëm një religjion, por edhe një ideologji
politike, ashtu siç fashizmi ka qenë edhe një religjion politik. Kulti i
liderit, e vërteta absolute, kultura e vdekjes, martirët, populli i zgjedhur,
vetëm të cilit i jepet akses tek e vërteta: islami paraqet të njëjtat
karakteristika.
Islami influencon jetën e qindra million njerëzve, përfshi
jetën seksuale të tyre në dhomën e gjumit. Unë flas për islam dhe jo për
islamizëm, pasi i dyti buron nga i pari dhe ekziston qysh nga koha e Muhamedit.
Nazizmi ka racën ariane, islami ka ummanë, komunitetin e besimtarëve. Populli i
zgjedhur i islamit përforcohet nga një mision hyjnor: të bashkojë vendet dhe të
qeverisë botën. Është një mision i shenjtë. Për të dy, fashizmin dhe islamin,
vetë ideja e shpalljes luftë ndaj të pabesëve është e ngjashme: nuk lufton për
të jetuar, por jeton për të luftuar. Dhe ky është xhihadi, lufta e shenjtë, që
nuk ka të bëjë me kufij apo politikë, por është lufta që nuk përfundon kurrë.
Është një luftë e përjetshme për t’ju afruar Zotit. Pastaj është koncepti i
armikut: të jashtëm e brendshëm. Për fashizmin ishte Perëndimi dhe aelatët,
kurse të brendshëm qenë komunistët, hebrenjtë, opozitarët. Në islam, ai i
jashtëm është Perëndimi dhe Izraeli, ai i brendshëm janë laikët, kristianët,
apostatët. Të dy e çhumanizojnë armikun, armiku nuk mund të jetë human, është
asgjësimi total i armikut, askush nuk duhet të mbijetojë.
Në Kuran, të pabesët janë më keq se kafshët, hebrenjtë si
derra e majmunë, pisa, të ndyrë. Është e njëjta semantikë e nazistëve mbi
hebrenjtë. Nëse eliminon aspektin njerëzor të armikut, eliminon çdo simpati, jo
vetëm e vret, e përfundon, për ta zhdukur nga faqja e dheut. Hitleri e shihte
fundin e hebrenjve si shpëtimin e Gjermanisë. Po kështu, Muhamedi thotë se
hebrenjtë duhet të luftohen deri në fund, edhe prapa një guri. Është një hadith
i famshëm që ndodhet edhe në kartën themeltare të Hamasit. Është apokalipsi.
Është kjo që mësojnë fëmijët në shkollat e botës arabo – islamike. Është
vizioni i plotfuqishmërisë”.
Islamizmi ka lindur si në kohën e nazizmit
“Lufta e Parë Botërore i ka dhënë fund Perandorisë Gjermane,
asaj ruse dhe kalifatit. Nazizmi dhe fashizmi kanë dalë atëhere si komunizmi në
Rusi, ndërsa në islam lind Vëllazëria Myslimane, që ka si objektiv final
restaurimin e Kalifatit. Nga Meka në Raqqa, nga Muhamedi tek ISIS-i, është i
njëjti objektiv. Terrorizmi islamik terrorizon armiqtë, siç bënë Mussolini dhe Hitleri
me Këmishat e Zeza dhe SS-ët. Sulmet terroriste janë vetëm një strategji”.
Çfarë do islami radikal i sotëm?
“Në realitetet e tyre do ta çojë shoqërinë fillimisht tek
modernizmi, përpara individualizmit, lirisë së ndërgjegjes, të ndarjes së
pushteteve. Është një kundërrevolucion ndaj modernizmit dhe kulturës. Të gjithë
duhet të sakrifikojnë dhe të sakrifikohen për këtë qëllim. Për jashtë, islami
do të pushtojë botën, do të lajë hesapet me pjesën tjetër të botës sipas ligjit
të tij, ashtu siç bëri nazizmi”.
Largësia e elitave europiane
Abdel-Samad parashikon se përplasja e qytetërimeve, e shpallur
nga falangat radikale të islamit ndaj qytetërimit perëndimor, do të vijë duke u
intensifikuar.
“Në perspektivë nuk do të jetë e gëzueshme”, thotë intelektuali
egjiptian. “Sot ka 300 milion myslimanë nën 15 vjeç. Ky është fakt, jo profeci.
Rinia është nga ana e islamit. Është vetëm çështje kohe. Në 15 – 20 vjet,
fëmijët do të jenë bërë burra dhe shumë prej tyre, të lindur në shoqëri të
frustruara, të dështuara e të korruptuara, çfarë do të bëhen? Gjëja më e
tmerrshme nuk janë bombat e sotme, por ajo që do të ndodhë nesër. Jo gjithë
këta miliona do të jenë terroristë, por mjafton vetëm 1 milion. Midis 300
milion fëmijëve myslimanë, sikur vetëm 1 përqind prej tyre të radikalizohej,
prapseprapë do të nënkuptonte 3 milion njerëz. Në pikun e saj, al Qaeda kishte
7000 militantë. Maksimumi, Shteti Islamik ka 30000 persona dhe po terrorizon
gjithë botën”.
Pastaj janë milionat e myslimanëve që jetojnë në Europë.
“Pjesa më e madhe e tyre janë paqësorë. Por shumca është e
parëndësishme, nuk e frenon këtë fenomen të tmerrshëm në komunitetet e tyre. Në
Gjermani ka 1000 gjermanë që luftojnë për Shtetin islamik. Një terrorist i
vetëm në Nicë apo në Ansbah është në gjendje të terrorizojë miliona europianë.
Dhe radikalizimi po bëhet gjithnjë e më i fortë. Sa më shumë myslimanët
frekuentojnë programet e antiradikalizimit në Europë, aq më shumë
radikalizohen. Është e frikshme që po mësohemi me terrorizmin, presim vetëm
sulmin e radhës. New York, Madrid, Londër, Paris, Nicë, Bruksel, Mynih… Cili do
jetë i ardhshmi?”.
Nga ku lind urrejtja e këtyre bijve të rinj të Europës ndaj
vetvetes?
“Nuk refuzojnë mallrat e konsumit, por idenë që ndodhet prapa:
modernizmin. Nuk i braktisin kallashnikovët pse janë bërë të pabesë, por
shpirtin e modernizmit, lirinë, barazinë, këto i refuzojnë. Europa nuk u ka
ofruar emigrantëve një identitet dhe emigrantët nuk u kanë mundësuar fëmijëve
të tyre që të bëhen pjesë e shoqërisë që i ka mikpritur. Është ngritur një mur
nga prindërit përballë fëmijëve të tyre. Në Kuran është e shkruar që të mos
bëhesh mik me hebrenj dhe kristianë”.
Islamizimi total i Europës nuk do të ndodhë, do të ndodhë
diçka ndryshe.
“Numrat nuk janë shumë të mëdhenj, por myslimanët nuk janë
pjesë e të njëjtit bekgraund. Ka sunitë, shiitë, alavitë, kurdë, turq. Por
islamizimi i pjesës më të madhe të qyteteve europiane tashmë është realitet.
Londra, banlieue franceze, Malmoe, disa pjesë të Berlinit, shumë zona në
Hollandë. Vetëm në Europë ekziston ky realitet, si në Johanesburg e San Paolo
të Brazilit. Zonat e ndaluara. Getoja. Kur flas në Gjermani për integrimin,
përgjigjem: Për herë të parë rimerrni monopolin e dhunës, rijepjani shtetit. Do
t’i përdorin këto zona, ku koeficenti demografik është shumë i lartë, ku
welfare mendon për gjithçka, që të infektojnë pjesën tjetër të Europës. Shteti
social duhet të reformohet, nuk mund të marrësh benefitet sociale prej faktit
që ke fëmijë dhe të mos bësh asgjë. Këta njerëz nuk e kanë idenë se nga dalin
paratë për të jetuar. Kjo duhet të marrë fund. Nuk kanë asnjë mirënjohje për
shtetin që i ka mikpritur. Përkundrazi, provojnë gjithnjë e më shumë frustrim.
Jashtë gjejnë 3 zgjedhje: salafitët, të droguarit dhe tutorët.
Tensioni do të rritet me ardhjen e 1 milion emigrantëve vetëm në Gjermani.
Skenari është i tillë që askush nuk di çfarë të bëjë. Do të ketë më shumë
segregim e më shumë dhunë, do të rriten krimet e rregullta dhe terrorizmi
fetar. Për mua problem është se Europa i kushton gjithë kësaj që të vazhdojë në
një ndjenjë indifference, nga politikanët, nga e majta, me zemërimin e të
djathtës që mendon se vendet e tyre janë sekuestruar, kështu që mëria dhe
urrejtja transformohen në dhunë. Angela Merkel nuk ka bërë asgjë pas Këlnit,
Ansbahut, Mynihut. Ka dalë në televizion e ka thënë: “Gjithçka do të shkojë
mirë”. Pas sulmit ndaj Charlie Hebdo, politikanët francezë kanë shkuar të
vizitojnë një xhami, në vend që të vizitonin një të përjavshme satirike apo një
komunitet hebraik. Pas sulmit të ardhshëm të shkojnë e të takojnë viktimat.
Demokracia nuk mundet nga jashtë, por nga brenda, kur pushon së mbrojturi
vlerat e lirisë. Sot ka të njëjtën letargji. Është gënjeshtra e madhe që bëhet
klishe dhe që e përsërisim pas çdo sulmi: “Kjo nuk ka të bëjë aspak me
islamin””.
Abdel-Samad flet për një tradhëti në kuptimin e vërtetë të
fjalës, nga ana e elitave.
“Kjo tradhëti e elitave nuk është e re. Kur Rushdie botoi
“Vargjet satanike”, ai u braktis nga elitat kulturore europiane, që morën në
mbrojtje myslimanët dhe jo romanin. Kur Rushdie u ftua në Danimarkë, Irani
kërcënoi të mos blinte më djathë danez. Dhe Rushdie nuk shkeli në Danimarkë.
Është një përzierje oportunizmi dhe indiference. Kur Kurt Westergaard ka
pikturuar Muhamedin me bombën në çallmë, elitat kanë nisur të diskutojnë për
vlerat artistike të karikaturës. Islami politik është sfida më e madhe e
shekullit të XXI-të, por intelektualët europianë nuk duan të merren me të.
Është më lehtë të kritikohet Izraeli. Nuk është seksi të flasësh për islamin.
Gazetarët kritikojnë Amerikën për të siguruar duatrokitje. Për ta, kush jeton
nën eskortë pse ka kritikuar islamin nuk është interesant. Ndjej gjithmonë
tradhëtinë e këtyre intelektualëve, që preokupohen për ndjenjat e myslimanëve,
kurrë për të miat, të asaj që ka nënkuptuar për jetën time. Mund të kritikojmë
gjithçka, por jo islamin. Është shantazhi moral më i madh i kohës tonë”.
(nga Il Foglio)
31 July 2016
Kultura vllavrasese tek Otomanet - nga Fatma J. Kristo
KULTURA E VLLAVRASJES TEK OTOMANET
Pergatiti Fatma J. Kristo
Dy Fjale
Shkak per kete ekskursion ne otomanizem ishte argumenti i zvicerianit O. J. Schmitt per arsyen e fillimit te kryengritjes se Skenderbeut. Sipas tij kryengritja e Gjergj Kastriotit kunder turqve pati per shtyse fillimisht hakmarrjen ndaj sulltan Muratit II pasi ky i kishte vrare te atin, Gjon Kastriotin. Por me pare Skenderbeu, gjithmone sipas Schmitt, po per hakmarrje kishte organizuar vrasjen Alaedinit, princit te kurores, djalit te preferuar Muratit II, qe ishte vellai me i madh i Mehmetit II. Vrasja ishte kryer ne pranvere te vitit 1443 ne Amasia (Anadoll) nga nje nepunes i larte i oborrit, qe kishte mbytur ndersa flinin Alaedinin dhe dy djemte e tij te mitur ne moshen nen dy vjec. Nje argument tejet i sforcuar qe kulmon me frazen: ”Perzjerja e Skenderbeut ne kete veper eshte e sigurt, ajo e Mehmetit me shume gjase”. Eshte e veshtire qe gjate leximit te mos e perjetosh nje perfundim te tille si te panatyrshem, si nje kundersens.
Nga njera ane Skenderbeu qe kishte falur Moisi Golemin(te cilin Mehmeti II e ropi te gjalle kur i erdhi ne dore, qe kishte falur Hamza Kastriotin (i cili perfundoi pa lavdi sokakeve te Stambollit) te cilet e kishin tradhetuar dhe ngritur shpaten kunder tij dhe qe ishte ne te drejten e vet te hakmerrej ne menyren me te rrepte, a ishte e mundur pra qe te organizonte nje vrasje makabre me mbytje si ajo e vellait te Mehmetit dhe e dy femijve te tij te mitur. E vetmja vrasje brenda familjes qe me gjase i ngarkohet Skenderbeut eshte ajo e nje nipi te vet ne Rodon por dhe kjo ne beteje e siper dhe ne rrethana shume te veshtira per Skenderbeun. Kodi i hakmarrjes se shqiptareve eshte i eger por jo pervers. Nga ana tjeter krimi brenda familjes i njohur gjeresisht ne te gjitha perandorite mesjetare pra edhe ne ate otomane. Ishte ky pra shkaku, kjo permbysje e panatyrshme e rendit te fajesise, pandehma per Mehmetin dhe siguria e akuzes si kryekomplotist per Skenderbeun. Por eshte tjeter pershtypja, tjeter verifikimi. Historia e lexuar fillimisht si nje argetim nje dite te con pakundeshtueshmerisht ne nje pozite te atille ku ballafaqimi behet nevoje jetesore. Vetem pas kesaj nuk beson me se cdo gje qe fluturon hahet.
Ka te ngjare qe kembengulja e Schmitt per te provuar hipotezen e hakmarrjes (e vonoi publikimin e librit nje vit per kete arsye), lidhet me ate qe eshte i vetmi episod origjinal ne krejt vepren. Sepse tezat per Skenderbeun si nje hero mitik, jo historik qarkullonin prej vitesh ne Shqiperi. Schmitt nuk i ka zbuluar vete, por i ka kopjuar nga miqte e vet shqiptare. ”Mitin e Skendebeut” nuk e solli zviceriani, por e gjeti mes tyre. Merita e tij eshte qe e mbushi me lende si profesionist, por nuk ka te drejten t’i quaje origjinale, persa kohe ato ishin parashtruar prej kohesh nga bashkatdhetare tanet. Schmitt iu dha atyre nje seriozitet profesional duke vene ne dispozicion firmen e vet me autoritetin e nje historiani te huaj. Pare keshtu merr nje tingellim prej Kasandre nje pyetje e Zhejit ne nje emision televiziv per Klosin: Ti je perkthyes apo bashkeautor?!
Sidoqofte materiali i meposhtem, pavaresisht tezave te Schmitt, u nis si nje investigim per figuren e sulltan Mehmetit II,per te hetuar nese kishte ndonje prove apo qofte dhe interes qe Mehmeti II te komplotonte per te eliminuar te vellane e madh te paracaktuar nga i ati si sulltani i ardhshem. Pastaj siç ndodh rendom, duke mos i shpetuar dot joshjes, u shtri ne te gjithe hapesiren kohore te perendorise otomane. Prej ku rezulton qarte se perandoria osmane mbeshtetej ne pushtetin absolut te sulltanit dhe si rrjedhim vrasjet brenda familjes perandorake perbenin nje domosdoshmeri. Mehmeti II ishte jo vetem e thjesht nje sulltan i rradhes qe zbatonte moralin e vllavrasjes por dhe arkitekti kryesor i ketij ligji. Per te vllavrasja dhe vrasja ne pergjithesi ishte mbijetese personale e sovranit dhe akoma me tej mbijetese e perandorise. Dhe ai, nje vizionar, nuk mund t’u dorezohej emocioneve te njerezve te zakonshem. Per mbijetesen e perandorise vllavrasja per Mehmetin II nuk perbente me teper se nje akt teknik te pashmangshem.
Tek sovranet otomane vrasja brenda familjes per te siguruar pushtetin personal ishte nje kulture me rrenje te thella. Krime, qe miletet e perandorise osmane i pranonin normalisht ne shkembim te qetesise dhe evitimit te gjakderdhjes te luftes civile. Ishte pikerisht Mehmeti II, bashkekohesi i Skenderbeut, qe jo vetem e beri te tijen kete kulture moralisht, por i dha edhe forcen e ligjit.
Te dhenat e meposhtme jane qëmtuar duke shfrytezuar kryesisht:
L. Kinross-The ottoman centuries,
The rise and fall of Turkish Empire dhe
F. Babinger-Mehmed the Conqueror and his time.
***
Historia e otomaneve fillon me Ertoghrul, udheheqes i nje tribuje me rreth 400 kalores. Ne mesin e shekullit XIII duke u endur neper Azine eVogel rastisi ne afersi te nje beteje midis dy grupeve te panjohura. Me shpirtin e nje kavalieri vendosi te ndihmoje palen qe po humbiste dhe qe, per fatin e perandorise se ardhme, qelloi te ishte sulltani selxhuk Ala-ed-Din i Konias i cili mbas fitores e shperbleu duke i dhene nje ciflig prane Eskishehir ne perendim te rrafshit Anatolian.
Pronen e trashegoi i biri, Osman I, qe me 1290 kishte nje ushtri te vertete prej 4000 kaloresish. Osmani, me te cilin merr udhe dinastia e otomaneve, ushtroi nje pushtet absolut personal, qe do te mbetej nje vecori e patjetersueshme per gjithe sulltanet ne shekujt e ardhshem. Ai gjithashtu krijoi flamurin dhe shenjat e tjera te perandorise se ardhshme.
Osmani ia la trashegimine djalit te vogel Orkhan I, i cili i propozoi vellait te madh Al-ed-Din ta ndanin ne mes, por ky nuk pranoi. Orkhan atehere e emeroi vezir ku rezultoi fort i dobishem. Kjo marredhenie fisnike mes vellezerve ishte e para dhe e fundit ne perandorine otomane. Me tej marredheniet e pretendenteve per pushtet, pra midis vellezerve, eterve e bijve do te ishin vetem kriminale dhe te pergjakshme.
Pasardhesi, i biri Orkhanit, u quajt sulltan Murati I me te cilin fillon gjakderdhja brenda familjes.
Kur Kuntuz, i biri Muratit I dhe Andronicus, i biri perandorit bizantin John, bashkepunuan kunder eterve te tyre, Murat I i rrethoi ne Demotika (Thrake) dhe ndersa pasuesit e tyre bizantine i mbyti ne lumin Marica, te birin Kuntuz e verboi dhe me pas i preu koken. Ai u kerkoi prinderve te pasuesve myslymane te te birit te benin te njejten gje, te verbonin bijte e tyre dhe t’i vrisnin. Vetem dy prinder refuzuan, te cilet u vrane bashke me bijte e tyre. Sulltani i kerkoi edhe perandorit bizantin te ndeshkonte te birin dhe nipin rebelues me verbim, gje e cila u krye me uthull te nxehte, por qe rezultoi jo efektive sepse me kohe te ndeshkuarit rifituan shikimin.
Kur ne betejen e Kosoves 1389, Murati I u vra, i biri i tij me i rritur u shpall menjehere sulltani i ri, Bajazid I. Akti i tij i pare si Sovran, mbi trupin e pajete te te atit, ishte urdheri per te vrare te vellane me te vogel, Jakup, i cili, ashtu si dhe Bajazidi kishte marre pjese ne beteje si nje nga bashkekomandantet kryesore te ushtrise turke.
Jakupi u ekzekutua duke e mbytur me litarin qe sherbente si korde e harkut te shigjetahedhesit (bowstring), dhe qe do te ishte ketej e tutje menyra e preferuar e vrasjeve ne familjen perandorake. (Me kohe rregullat e vrasjes u kodifikuan dhe zbatoheshin ne menyre strikte. Per shembull ne rezidencen e sulltanit, ne sarajet Topkapi, kishte kamare ku vendoseshin kokat e prera te kundershtareve te sulltanit, por kur keto kokat te prera u perkisnin funksionareve te larte te perandorise, vendoseshin ne shtylla te posacme prej mermeri; kokat e kryevezireve mbusheshin me pambuk ardhur nga Egjypti, kurse per funksionare te rendeve me te ulta me rrecka; ne nje nga oborret e brendshme te Topkapi-se ishte ndertuar ‘shatervani ekzekutimit’, ku ekzekutoret shkonin detyrimisht te lanin duart pas vrasjes nga gjaku viktimes; me kohe per femijet e mitur qe ekzekutoheshin me mbytje litari u zevendesua me shami te holla mendafshi si nje mase humane; kishte nje ritual te respektuar per denimin e kryevezireve, ata thirreshin dhe kryebostaxhiu qe ishte njekohesisht edhe kryeekzekutori i jepte nje tas me sherbet, nese sherbeti ishte me ngjyre te kuqe, te gjakut, fatkeqi duhej te behej gati per ekzekutim te menjehershem; vezireve dhe funksinareve te tjere u pritej koka, por mbytja ishte e rezervuar vetem per antaret e familjes perandorake; grate shtatzana te haremit egzekutoheshin duke i futur ne thase dhe pastaj i hidhnin ne Bosfor, etj)
Me kete akt Bajazidi nisi nje praktike te vllavrasjes perandorake qe do te ishte me rrenje te perhershme ne historine e perandorise otomane. Argumenti i tij qendronte ne arsyen se eshte me ekonomike vllavrasja se sa revolta kunder pushtetit te sovranit.
Bajazidi e gjeti mbeshtetjen ne Kuran: “Shume shpesh, kur ata ia nisin revoltes, ata duhen eleminuar bashke me te; dhe nese ata nuk ikin larg prej teje dhe nese ofrojne paqe dhe te shtrengojne doren per te mos luftuar kunder teje, merri dhe vriti kudo qofte qe t’i gjesh”.
Qe nga ajo dite e v. 1389, pergjate gjithe historise se perandorise osmane, ne vigjilje te ndryshimit te Sovranit, gjithmone zbatohej kjo praktike e pandryshueshme cnjerezore, por qe siguronte parimin e mosndarjes se pushtetit dhe per pasoje egzistencen e panderprere te dinastise.
Me 1403 Bajazid I, i mundur nga Timur Çalamani, vdiq dhe te kater bijte e tij hyne ne nje lufte per pushtet qe zgjati tete vjet. Perandoria u nda me dysh midis dy vellezerve, Sulejman dhe Mehmed. Dy te tjeret, Musa dhe Isa u angazhuan gjithashtu. Musai arriti te vrase vellane e madh Sulejmanin, por me pas u vra nga vellai me i vogel Mehmet, i cili u kurorezua sulltan Mehmed I me 1413. Mehmeti I mbeteroi 8 vjet dhe rivendosi rregullin ne perandorine osmane. Pas vdekjes se tij pushteti i kaloi te birit Murat II. Pak pasi kishte marre fuqine Murati II mposhti ne nje beteje ne Anadoll vellane e vet me te vogel Mustafa, e kapi dhe e vari duke i dhene fund revoltes kunder pushtetit te vet.
Perandorine e trashegoi Mehmedi II. Ndoshta, meqe nena e tij kishte qene skllave dhe me gjasa e lindur e krishtere, Mehmedi, djali me i vogel i Muratit II, nuk ishte i preferuari i tij per trashegimine perandorake. Dy thjeshterit me te rritur te Mehmedit, Alaedin dhe Ahmed, vinin prej nenash turke islamike. I rritur kryesisht nga mendesha Mehmedi u dergua qysh kur ishte dy vjec ne Amasia, Anadoll, ku vellai vet Alaedin 14 vjecar sherbente si governator. Aty ne nje ambjent tipik myslyman ata edukoheshin por njekohesisht Murati II i mbante larg kryeqytetit si mase kujdesi kunder ndonje revolte te mundshme ndaj pushtetit te vet, nje mase sigurie kjo fort me humane se vllavrasja qe kishte nderfutur si praktike Bajazidi I dhe qe me pas po ky Mehmed II do t’i jepte forcen e ligjit.
Por vellezerit e Mehmedit, vdiqen parakohe. Ahmedi vdiq rreth moshes 10 vjece kur ishte governator ne Amasia, pasi Alaedini ishte tashme governor ne Magnezia. Mehmedi 6 vjecar u be governator ne vend te vellait te vdekur. Alaedini u gjend i mbytur ne shtrat ne rrethana misterioze sebashku me dy djemte e tij te vegjel me pak se dy vjec.
Kur ishte ne Magnezia, Mehmedi i ri e humbi mendjen pas nje skllaveje te quajtur Gjylbehar (Lulja e veres), qe pretendohet me origjine shqiptare apo ndofta greke. Ajo i solli ne jete nje djale, qe me pas do te sundonte si Bajazidi II. Por, i ati, Murati I e konsideroi te papershtatshme kete nuse kristiane per dinastine dhe kur Mehmedi arriti ne moshen 17 vjecare e martoi me te bijen e nje princi te fuqishem turkoman. Mehmedi duket kishte mbetur peng i dashurise se pare; ai kurre nuk u kujdes si bashkeshort per gruan legale, nuk pati femije me te dhe kur u zhvendos ne Konstandinopoje e la ne haremin e Adrianopojes (Edirne). Me pas ne jeten e tij fortesisht mashkullore asnje grua nuk luajti ndonje rol qofte dhe te rastesishem. Edhe Mara, njerka e tij, gruaja serbe e Muratit II, megjithese e respektoi deri ne fund nuk pati asnje ndikim mbi te.
Mehmedi mbeti trashegimtari i vetem dhe u korerezua sulltan Mehmedi II pas vdekjes se te jatit me 1451. Ne ceremonine e kurorezimit, ndersa e veja e Muratit II uronte Mehmedin, ne te njejten kohe me urdher te tij i merrej jetaduke e mbytur ne banje te birin e saj te mitur dhe njekohesisht vellain e Mehmedit. Mehmedi II ashtu si dhe stergjyshi vet Bajazidi I e inauguronte pushtetin e vet me nje vllavrasje. Por Mehmedi II do shkonte me tej se pasardhesi vet. Ai kodifikoi praktiken e vllavrasjes qe tashme kishte hedhur rrenje ne perandorine otomane. “ Per te miren e shtetit, ai bir i imi qe me ndihmen e Zotit do te trashegoje Perandorine, ligjerisht mund te vrase vellezerit e tij. Ky veprim ka miratimin e shumices se juristeve”- ky eshte formulimi qe ka lene sulltan Mehmedi II.
Vdekja e Mehmedit II me 1481 ne moshen 49 vjecare dyshohet te jete kurdisur nga i biri i vet Bajazid nepermjet mjekut persian te Mehmedit i cili i kishte dhene nje overdoze opiumi nderkohe qe sulltani kalonte nje krize koliti gjate marshimit ne krye te ushtrise drejt jugut te Anadollit
Mehmedi II, i mbiquajtur Pushtuesi,nje nga tre sulltanet me te lavdishem te perandorise ishte nje burre shteti i klasit te pare qe nuk ndalej perpara asnje krimi per te realizuar qellimin e vet. Tek Mehmedi II, shperfillja per jeten njerezore ishte proverbiale. . “Paqja eshte ne gojen e tij-shkruante Gibbon- por ne zemer ka vetem luften”.
Ja, me poshte disa episode te jetes se vet, nder te tjera, qe ilustrojne se me c’lehtesi e derdhte gjakun njerezor:
-Kur pregatitej te pushtonte Konstandinopojen (qe me pas do te quhej Istanbul, prej nje korruptimi te greqishtes “is tin poli”=per ne qytet), shpesh dilte ne te errur i maskuar si nje ushtar i thjeshte per te hetuar gjendjen shpirterore te ushtrise, dhe nese ndokush rastiste ta njihte, urdheronte te vritej aty per aty.
-Mbas pushtimit te kryeqytetit bizantin, Mehmedi II liroi nga burgu disa ish ministra bizantine, midis te cileve edhe Luka Notaras (Megadux), i cili mbahej mend se kishte thene “me mire turbani i sulltanit ne Kostandinopoje sesa kapelja e papes“ dhe e beri guvernator te kryeqytetit. Nje mbremje gjate nje banketi, per ta testuar sulltani i kerkoi t’i sillte te birin, nje djale i bukur 14 vjecar per te kaluar naten me te. Kur ky refuzoi, Mehmedi II urdheroi t’u pritej koka Notaras, te birit dhe dhendrit te tij. Ashtu u be dhe kokat e sapoprera kerkoi te vendosen para tij ne tavolinen e banketit
Mehmedi II aspironte te rigjalleronte perandorine bizantine nen pushtetin e vet dhe per kete qellim kishte vendosur te mos linte gjalle askend nga familjet mbreterore qe mund te behej mbret. Pasi kishte mbaruar pune me Paleologet ne Greqi iu kthye Komneneve, te cilet sundonin ne Trebizonde ne Detin e Zi. Perandori John IV Komnen u dorezua dhe Mehmedi II, sic i kishte premtuar, i vuri ne dispozicion nje anije qe transportoi ate se bashku me familjen mbreterore dhe gjithe thesarin ne Stamboll ku e sistemoi ne nje ndertese luksoze. Por pas nje fare kohe e masakroi gjithe familjen mbreterore, ish-perandorin vete, shtate djemte e tij, te vellane dhe nipin dhe urdheroi te mos varroseshin por te liheshin pre e qenve.
Me 1464 Stefani, mbreti i fundit i Bosnjes i rrethuar ne keshtjellen e Bobovacit pranoi te dorezohej me kusht qe t’i kursehej jeta, gje qe iu premtua nga Veziri i Madh qe komandonte ushtrine turke. Por Mehmedi II e shkeli premtimin, sic bente rregullisht, dhe sundimtarit bosnjak iu pre koka ne prezence te sulltanit dhe, sipas disa te dhenave, e vrau me doren e vet.
Mehmedi II kishte pasion kopshtarine qe e kishte mesuar ne Shkollen e Pallatit ku edukoheshin edhe jeniceret. Kultivonte vete lule dhe zarzavate dhe njehere ndodhi qe nje kastravec u rrit ne menyre te jashtzakonshme gje qe u be krenaria e tij. Por kur papritmas kastraveci gjigand u zhduk Mehmedi vrau me doren e tij nje nga kopshtaret e dyshuar, pastaj i hapi barkun me shpate ku i gjeti mbeturinat e kastravecit te ngrene.
Me 1479 ne sarajet e sulltanit qendroi per disa muaj piktori venecian Xhentile Belini i cili beri disa portrete te Mehmedit II. Kur Belini i tregoi nje pikture te tij ku paraqitej skena e prerjes se kokes te Gjon Pagezorit, Mehmedi e pelqeu pa mase dhe qendroi gjate duke e soditur. Me pas e kritikoi duke u bazuar ne pervojen e vet se qafa e njeriut mbas prerjes se kokes duket me e shkurter dhe me e kontraktuar se sa e kishte paraqitur ne pikturen e vet Belini.
Mehmedi II la dy djem Bajazidin dhe Xhemin. I pari u kurorezua sulltan Bajazid II kurse tjetri Xhem, qe ishte vellai vogel nderrmori revolta te vazhdueshme ushtarake por i humbi te gjitha derisa perfundoi ne duart e kryqetareve te Rodit te cilet e mbanin peng kundrejt nje pagese te Bajazidit (45 000 monedha ari ne vit). Pastaj ne France e Vatikan derisa perfundoi me shume gjasa i helmuar per vdekje ne Napoli. Me pare Bajazidi, qe ishte antiteza e te atit, i kishte propozuar te largohej ne Jeruzalem duke perfituar te ardhurat e provinces se Karamanise per veten e vet duke argumentuar se : “Perandoria eshte si nje grua qe s’mund ndahet midis rivaleve”
Favoriti i Bajazidit II ishte djali i dyte Ahmed, por nderkaq Selimi,djali me i vogel, me ndihmen edhe te te birit, sulltanit te ardhshem Sulejmani I i Madherishem, e detyroi te atin me force te abdikonte ne favor te tij. Bajazidi II kerkoi te terhiqej ne vendlindje, Demotika dhe rruges vdiq i helmuar me urdher te te birit qe tashme e kishte zevendesuar ne fronin e perandorise.
Sipas tradites tashme, Selim I Javuz sapo mori pushtetin, urdheroi vdekjen me mbytje te te dy vellezerve. Bile e thelloi me tej duke urdheruar gjithashtu mbytjen e pese niperve tashme mbetur jetime te moshes pese vjec e lart.
Selim I, nje sulltan me i pergjakshem se gjyshi vet Mehmed II, gjate karieres se tij egzekutoi shtate Kryevezire, aq sa u be tradite gjate mbreterimit te tij qe veziret te mbanin testamentin me vete. Kur njeri nga keta kryevezire e pyeti si me shaka se kur kishte ndermend ta vriste, Selimi I ja ktheu i qete: “Do te kisha vrare me kohe po s’kam gjetur akoma me cilin te te zevendesoj’’.
Me 1520 ne fron erdhi Sulejman I, i mbiquajtur ‘I Madherishmi’ prej perendimoreve.
Nuk derdhi gjak kur hypi ne fron sepse mesa duket i ati Selim I nuk i kishte lene asnje pretendent te gjalle. Por geni vrastar nuk i kishte munguar kurre. Nen shtytjen e konkubines se preferuar, nje ukrainase e njohur nen emrin Roxelana, ekzekutoi, Kryevezirin e vet qe ishte njekohesisht edhe shoku i vet me i aferm qe nga feminija. E ftoi per darke dhe e mbyti naten ne gjume.
Sulejmani I kishte kater djem, nga te cilet tre me Roxelanen apo “la Rose’ sic e quanin europianet. Por i preferuari i tij ishte Mustafa, me i madhi i bijve te tij lindur prej Gjylbehar, e preferuara e tij e meparshme turke. ‘La Rose’ e beri te dyshoje se Mustafai synonte t’i merrte fronin dhe Sulejmani I e thirri te paraqitej para tij ku nje grup memecesh te specializuar per pune te tilla e kapen dhe e mbyten. Ka mbetur e famshme pergjigja e Mustafait shokeve te tij, qe e keshilluan te mos paraqitej para te atit sepse do t’i merrte jeten: “Nese eshte e thene te humbas jeten, nuk mund te kete me mire se sa t’ia kthej mbrapsht atij qe me dha. ”
Kjo ngjarje tragjike pati shume jehone ne perandorine otomane por dhe ne Europe. Jeniçeret qe e admironin Mustafane e talentuar tentuan nje revolte qe nuk pati sukses. Kurse ne Europe sipas Cambridge Modern History u perjetua si nje nate turke e shen Bartolemeut. U shkruajten shume novela, pjese teatrale per sarajet magjike te sulltanit, per skllaven qe dominon pushtuesin e plotpushtetshem, vllavrasjen midis princave e deri tek nje simfoni e Hajdn-it (simfonia Nr. 63 ne C major) e cila, qekurse u kompozua me 1779 u mbiquajt Roxelana.
Edhe sot ne Turqi vrasja e princit Mustafa kujtohet si nje pike kthese tragjike per perandorine dhe vizitore bejne homazhe ne varrin e tij ne Bursa. Kureshtja eshte e gjalle edhe sot, ne amazon. com mund te blihet libri i Galina Yermolenko “ Roxolana ne literaruren europiane “ per $90.
Njeri nga tre djemte e mbetur, admirues i Mustafait, u semur dhe vdiq shpejt pas tij. Dy te tjeret e mbetur Selim dhe Bajazid urrenin njeri tjetrin dhe filluan te luftonin syresh. Selimi me ndihmen e atit, Sulejman I, doli fitues dhe Bajazid me 4 djemte e vet te mitur u strehua ne Persi. Shahut Persian iu kerkua nga Sulejmani I ta vriste ose ta dorezonte Bajazidin, por ky ndonse nen kercenim, hezitonte te shkelte rregullat e mikpritjes. Me ne fund u ra dakord qe Bajazidi te egzekutohej ne token persiane por nga vrases turq te derguar nga Sulejmani. Dhe ashtu u be, Bajazidi u mbyt. Me pas me urdher te Sulejmanit I u mbyten gjithashtu edhe kater djemte e tij. Po ashtu nje djale i peste ne Busra, vetem tre vjec u mbyt nga eunuku i specializuar i derguar nga sulltani.
Keshtu Sulejmani I i Madherishem i lau borxhin te atit Selim I duke i pastruar rrugen te birit Selim II drejt fronit nga te gjithe pretendentet e mundshem.
Me Sulejmanin I, shpesh i konsideruar si me i madhi i te gjithe sulltaneve, Perandoria otomane arriti kulmin e vet, e shtrire nga Mesdheu ne oqeanin Indian, nga muret e Vienes ne Gjirin Persik dhe gjithe bregdetin mesdhetar te Afrikes, e pasur, e fuqishme, e organizuar dhe funksionale shume here me mire se cdo shtet europiano- perendimor.
Perandoria Otomane nen Sulejmanin I
Por pas kesaj filloi renia e iniciuar ironikisht po nga Sulejmani Madherishem qe zgjodhi per pasuses Selim II i mbiquajtur Sarhoshi, nje natyre e degjeneruar pa asnje cilesi, bile sic eshte supozuar nuk ishte as biri natyral i Sulejmanit por i ndonje prej dashnoreve te nenes se tij sllave.
Dhe per kete figure thellesisht negative, padyshim sulltani me i dobet i gjithe kohrave, Sulltani me i madh i otomaneve kreu krimet me barbare te padegjuara me pare ne perandori te vrasjes se bijve e niperve te vet te mitur. Selimi II vdiq ashtu si pritej, i dehur rreshkiti ne banje duke perplasur koken e madhe ne mermerin e dyshemese.
Mehmed Sokollu, Veziri Madh, me origjine boshnjake, qe ne fakt kishte drejtuar perandorine me dore te forte gjate gjithe mbreterimit te Selim Sarhoshit, siguroi edhe kalimin e qete te pushtetit tek i biri Selimit, qe u kororezua Murati III. Sulltani i ri mbrriti naten ne Stamboll, urdhroi vrasjen e pese vellezerve te vet dhe ra te fleje meqe e kishte zene deti gjate udhetimit me anije nga Magnesia ne kryeqytet. Te nesermen fjalet e tij te para ishin: “Kam uri, me sillni per te ngrene. ”Ky sulltan kishte dy pasione: arin dhe grate. E zhvendosi krejt depoziten e arit te perandorise ne depoziten e vet personale dhe duke shkuar me dy-tre konkubina ne nate pati rreth 100 femije. Duke pasur obsesionin e parase filloi te merrte rushfet per emerimet e funksionareve duke u bere keshtu sulltani i pare i korruptuar dhe hapur rrugen korruptimit te perandorise qe do ta conte ate pak nga pak ne rrenim te plote.
Pas tij erdhi ne fron Mehmedi III, qe sapo mori fuqine urdheroi trupen e memeceve te mbyse te 19 vellezerit e vet.
Kjo ishte pergjakja me e madhe ne historine e perandorise otomane ne luften per pushtet brenda familjes mbreterore.Pastaj i varrosi me nderime te medha prane prinderve te tyre. Gjithashtu gjashte skllave te haremit qe ishin shtatzane me vellezerit e tij qe sapo ishin ekzekutuar u lidhen e u futen neper thase qe u hodhen ne Bosfor duke eleminuar keshtu pretendente te mundshem ne te ardhmen. Me vone Mehmed III vrau edhe te birin Mahmud sepse ky kishte patur pakujdesine t’i kerkonte te atit nje ushtri per te luftuar ne Anadoll dhe Mehmedi kishte dyshuar.
Me 1603 hypi ne fron i biri Mehmedit III, Ahmedi I qe ishte adoleshent dhe akoma pa u bere synet. Keshtu Ahmed I ishte i pari qe u be synet pasi ishte bere sulltan. Ahmedi nuk pati nevoje te vrase kend sepse vellai i vetem Mustafa ishte lunatik dhe turqit kishin nje nderim te shenjte per marrezine. Ahmedi I ishte nje sultan fare i ri dhe i dobet pre e intrigave te haremit te tij. Vdiq me 1617.
Pas vdekjes se Ahmedit I ulen ne fron vellane e tij te marre Mustafa I, por shpejt e zevendesuan me nipin e tij, te birin katermbedhjete vjecar te Ahmedit I, qe u kurorezua Osmani II.
Osmani II u rrezua nga jeniceret e pakenaqur qe per here te pare ne historine e osmaneve ngriten doren kunder sulltanit qe konsiderohej i shenjte. Jeniceret kerkuan qe sulltan te behej perseri Mustafai I, te cilin shkuan dhe e moren ne kullen ku e mbanin te izoluar. E ema, sulltana Valide (nena mbretereshe), e ngarkuar te komunikonte me te, per t’i dhene kurajo e thirri: Eja, Luani im!
Megjithate Jeniceret nuk guxuan ta vrasin Osmanin II, vetem e burgosen. Vrasja u krye po ate nate e urdheruar nga gjyshja e tij, sulltana valide, nena e Ahmedit I dhe Mustafait I, nepermjet Kryevezirit, i cili pas kerkeses se saj i coi veshin e prere te Osmanit II per t’u siguruar qe vrasja ishte kryer.
Keshtu pas vllavrasjes (fratricide), birvrasjes (filicide) ne perandorine osmane u shfaq me ne fund edhe mbretvrasja (regicide). Ironia eshte se viktime e pare e ketij modeli te ri vrasjeje u be nje sulltan 20 vjecar qe s’i kishte lyer duart me gjak.
Mustafai I qe mbreteroi per 15 muaj ne momente qartesie nxorri nje urdher per te ndeshkuar vrasesit e e Osmanit, por shpejt harronte dhe e kerkonte neper pallat duke qare. Perandoria ishte ne duart e sulltana Validese qe u tregua e paafte. Me ne fund Mustafait I iu kerkua te abdikonte (gje te cilen ai e priti me gezim) ne favor te te nipit, vellait te Osmanit II i cili u kurorezua Murad IV me 1623 ne moshen 14 vjecare. Per 10 vjet perandoria ishte ne dore te Sultana Valides, nenes se tij greke e quajtur Kasim. Kur Murati IV filloi te ushtroje pushtetin si sulltan ai rivendosi rregullin ne perandorine e korruptuar dhe ushtrine e pabindur ne menyre te pergjakshme dhe dore te hekurt. Nder te tjera per sa kohe mbreteroi ndaloi alkoholin ne te gjitha mejhanet e perandorise dhe duhanin e shpalli te paligjshem. Por ishte mizor aq sa mbeti legjende. Ne 5 vjet urdheroi ekzekutimin e 25,000 personave shume prej te cileve i vrau me doren e vet. Nder te tjere edhe Myftiun e Madh, qe ishte i pari nga kreret e larte te fese qe pesonte kete fat Sipas Evlija Celebiut, Murad IV ishte me i pergjakshmi i te gjithe sulltaneve otomane.
Urdheroi mbytjen e dy vellezrve te vet dhe kur ne moshen 28 vjec ne shtratin e vdekjes pas nje semundjeje te papritur dyjavore, urdheroi mbytjen e dhe te te vellait te fundit dhe te vetmit trashegimtar te osmaneve mbetur gjalle. Por Sulltana Valide e shpetoi viktimen, sulltanin e ardheshem Ibrahim I, duke i raportuar Murat IV se vrasja u krye. Ky, mosbesues kerkoi te shihte trupin e te vrarit dhe u ngrit nga shtrati por nuk mundi te beje me asnje hap dhe vdiq ne duart e myftiut.
Ibrahim I, qe hypi ne fron me 1640 ishte nje sultan i dobet, dhene pas qejfeve dhe peng i konkubineve te haremit. Te pakenaqur me udheheqjen e perandorise, jeniceret por edhe spahite dhe Myftiu i madh kerkuan qe sulltani Ibrahim te terhiqej nga froni. Perfaqesues te tyre binden me pare sulltana Validen pastaj edhe vete sulltan Ibrahimin qe pranoi te abdikonte ne favor te djalit 7 vjecar, Sulltan Mehmedi IV.
Ibrahimi I u burgos dhe me pas me vendim te perbashket te ushtrise dhe ulemes (klerit) u vendos te vritej dhe keshtu me 1648 u mbyt sipas zakonit duke shenuar rastin e dyte te regicide.
Perandorine e komanduan nje varg veziresh te jashtezakonshem, te gjithe te familjes Qyprili deri sa sulltani i ardhshem arriti moshen madhore. Ne saje te tyre despotizmi i sulltanit u zbut nga nje qeveri kolegjiale e kultivuar.
Mehmedi IV erdhi ne fron me 1648. Per 20 vjet perandorine e tij e komanduan me atributet e nje sulltani Mehmed Qyprili dhe pas tij i biri Ahmed dhe prej ketij momenti kohor qendra e drejtimit te perandorise nuk ishte me pallati sulltanit, por ai i Vezirit te madh. Mehmed IV ishte kaq i apasionuar pas gjuetise sa kur Veziri madh udhehiqte ushtrine ne lufte ai gjuante kafshe te egra. Ahmed Qypriliu risolli kohet e arta te Sulejmanit I por vdiq i ri, vetem 42 vjec, si pasoje e teprimit me alkoholin, i vetmi ves i tij. Sulltan Mehmed IV emeroi vezir te madh Kara Mustafane, nje i paafte si shtetar dhe gjeneral, por i obsesuar nga madheshtia; keshtu tentoi te pushtonte Vienen, ku humbi turpshem dhe Mehmedi IV e ekzekutoi.
Mbytja e Kara Mustafait
Veziri madh pasardhes Sulejmani humbi serish me hungarezet dhe ne Stamboll plasen kryengritjet qe cuan ne shfronezimin, por jo ekzekutimit te Mehmedit IV.
Me i madhi i dy vellezerve te tij u suall ne Stamboll dhe u kurorezua Sulejmani II. Ky zgjodhi Vezir te madh Mustafa Zade, vellane e Ahmed Qypriliut, i mbiquajtur Qypriliu III. Mustafa Zade e rigjalleroi perandorine, ripushtoi Beogradin e humbur nga Kara Mustafai, por u vra ne beteje ne Danub pasi kishte qendruar ne detyre rreth dy vjet. Edhe sulltani Sulejman II vdiq pas kater vjetesh mbreterim.
Vellai tjeter u kurorezua Sulltan Ahmed II, qe mbreteroi per 4 vjet te tjere ne nje perandori ku sundonte deshperimi. Disa fitore ne Egje ishin pak per te rifituar besimin. Ahmed II vdiq dhe ate e pasoi nipi i tij qe u kurorezua Mustafa II.
Mustafa II, i biri Mehmedit IV u tregua nje luftetar energjik. Por pa eksperience dhe shpejt u mund nga austriaket. Atehere ai zgjodhi per kryevezir nje tjeter Qyprili, Hussien, te birin e vellait me te madh te Qypriliut I, Mehmedit. Por kohet kishin ndryshuar. Ne paqen e bere me 1698 me shtetet europiane ne qytetin kroat Karlowitz, Turqia humbi pjese te rendesishme qe nuk i rimori me kurre. Me 1703 nje revolte e pergjithshme ne Stamboll me pjesemarrjen e jenicereve, klerit, tregtareve e qytetareve te thjeshte te pakenaqur coi ne abdikimin e Mustafait II ne favor te te vellait Ahmed III.
Gjate sundimit te Ahmed III, me 1718 me traktatin e paqes ne Passarowitz (Serbi) me Austrine, Turqia humbi krejt Hungarine, pjesen me te madhe te Serbise perfshire Beogradin dhe Semendria, nje pjese te madhe te Bosnjes e te Wallachia-s. Me Venetikun ne nje traktat te vecante Turqia rimori Morene kurse Venetiku mbajti Korfuzin, ishujt joniane dhe disa porte ne Dalmaci dhe Shqiperi. Ky ishte fundi i Venetikut si force politike ne Mesdhe.
Ahmed III mbreteroi pas kesaj per 12 vjet duke u marre me modernizimin e perandorise sipas shembellit te Perendimit.
Mahmud I (1730-1754). Mbahet mend per shtypjen e nje kryengritjeje te jenicereve dhe te nje fitoreje te rendesishme kunder Austrise dhe Rusise qe perfundoi me Traktatin e Beogradit. Keshilltar i tij ishte konti freng de Bonneval qe u konvertua ne islam nen emrin Humbaraci Ahmed Pasha
U pasua nga i vellai Osman III, fizikisht pothuaj nje gungac mbasi kishte qene i izoluar per shume vite ne Kafaz (nje suite apartamentesh brenda sarajeve Topkapi te sulltanit ku mbaheshin te izoluar anetare te familjes perandorake) sundoi per tre vjet me te njejten politike paqesore si i vellai. Ne vitin e fundit te mbreterimit te vet zgjodhi si Vezir te Mad, Rhagib Pashen, per nga aftesite i krahasueshem me Qyprilinjte. I ndershem, mendjehapur, shkolluar ne Europe per shkencat, admirues i Isak Njutonit.
Mustafa III pasoi Osmanin e III. Fillimisht kishte per K/vezir po ate Rhagib Pashe qe u perpoq te modernizonte vendin por me kujdes. Vetem pas vdekjes se tij me 1763 Mustafai III filloi te qeverise ne fakt perandorine. Ekzekutoi nje nga k/veziret per shkak te humbjes se luftes me ruset e Ekaterines Madhe. U mund nga ruset, vdiq me 1774.
Pasardhesi ne fron ishte Abdyl-Hamid I, qe ishte i vellai internuar per 43 vjet ne Kafaz. Me qellime te mira por i paafte t’i realizonnte. Lindi 22 femije, shumica vdiqen premature. Njeri prej tyre qe do te behej sultan Mahmud II besohet se kish gjak freng duke qene i biri i Aimee Dubucq de Rivery, qe frekuentonte shpesh haremin e sulltanit.
Mbas vdekjes se Abdyl Hamidit I me 1789 ne fron erdhi nipi i tij Selimi III. Ekzekutoi Vezirin e madh Hassan passi u mund dy here nga Suvorovi. Selimi III u perpoq fort te modernizonte perandorine sipas shembellit perendimor, sidomos Frances, por perfundimisht deshtoi per shkak te forcave konservatore ne ushtri, tek kleri dhe burokracia e korruptuar e shtetit. Reforma perendimore e Selimit III e quajtur Nizam-i Jedid (Rendi i Ri) u nderpre kur pas nje revolte ne Stamboll ulema (kleri) i mbeshtetur nga jeniceret dhe turma popullore kerkuan me nje fetva largimin e sultan Selimit III. Ky ia kaloi pushtetin kusheririt te vet Mustafa dhe tentoi te vethelmohej por sulltani i ardhshem Mustafa IV nuk e lejoi dhe Selimi III u terhoq ne pallatin burg.
Mustafa IV mbreteroi vetem disa muaj. Mustafa Bajraktari, perkrahes i Selimit III duke perfituar nga paqja me Rusine erdhi me nje ushtri te madhe prej Danubit te perbere kryesisht nga shqiptare dhe boshnjake dhe organizoi nje grusht shteti. Mustafai IV urdheroi menjehere vrasjen e Selimit III dhe vellait te tj Mahmud ne menyre qe te mbetej i vetmi trashegimtar osman i gjalle. Selimi III u vra por Mahmudi u fsheh prej nje skllavi te vet ne furrat e banjove ku e gjeten me ne fund ushtaret shqiptare te Mustafa Bajraktarit.
Mustafa IV u shfronesua dhe u vra dhe Mahmudi u shpall sulltan Mahmudi II. Mustafa bajraktari ushtroi detyren e Vezirit te Madh dhe vazhdoi te ndermarre reforma ne rrugen e Selimit III, midis te cilave edhe riorganizimin e jenicereve. M. Bajraktari mendoi nderkohe se gjendja ishte nen kontroll dhe e nisi ushtrine e vet prej shqiptaresh e boshnjakesh ne shtepi. Atehere kundershtaret i vune flaken pallatit ku banonte dhe Mustafa Bajraktari u dogj i gjalle. Me vdekjen e tij mori fund perpjekja reformuese e perandorise osmane.
Mahmudi II (1808-1839). Sulltan i suksesshem i rangut te Mehmed II, Sulejman I okupuar me modernizimin e brendshem te perandorise sipas shembullit te Selimit III megjithese i deshen shume vite, dy dekada, sepse kur mori fuqine ishte ende fort i ri. Ai, pasi asgjesoi jeniceret qe ishin pengesa kryesore, beri reforma te thella properendimore ne te gjitha fushat.
Me 1839 pas vdekjes se Mahmudit II erdhi ne fron i biri 16 vjecar Abdyl-Mexhidi I, i mbiquajtur sulltani me i sjellshem. Vdiq 1861. I influencuar fort nga Anglezet u perpoq per reforma qe u realizuan gjysmake. Lufta e Krimese mes Rusise dhe nga ana tjeter bllokut France-Angli-Turqi i ruajti kufijte e perandorise ne Danub. Kur s’kishte mbushur akoma 20 vjec kishte 8 femije ne tre vjet me gra te ndryshme te haremit imperial. Dekretoi Hatti-Humayun qe ligjeronte barazine midis subjekteve fetare. Vdiq me 1861 ne moshen 38 vjecare.
Me 1861 mbas vdekjes se Abdyl Mexhidit ne fron erdhi i vellai Abdyl Azizi I. I fuqishem fizikisht por i keqedukuar. I largoi grate e haremit te te vellait dhe krijoi per vete nje harem aq te madh sa duheshin 3000 eunuke ta mbanin. Ra nen ndikimin e reaksionareve dhe qeverisi si nje autokrat i papergjegjshem duke i kthyer reformat mbrapsht.
Ishte i pari sulltan qe doli jashte kufijve te perandorise pa ushtri kur me 1867 beri nje vizite ne Paris dhe Londer. Me 1876 u be ‘masakra bullgare’ te pakten me dijene e tij qe i kushtoi renien nga froni nepermjet nje grushti shteti pa gjak, si rezultat u terhoq ne jeten private dhe ne pushtet erdhi nipi i tij Murati V. Pak dite me pas, ne internim, Abdyl Azizi I kreu vetvrasje duke prere venat e kyceve te duarve. Ishte e para vetvrasje mbreterore, nje lloj i vecante vrasjeje, e cila plotesonte me ne fund spektrin e vrasjeve te perandorise otomane.
Murati V ishte teper i edukuar, inteligjent dhe i prirur fort ndaj kultures perendimore. Por Abdyl Azizi i trembur dhe xheloz nga reputacioni i te nipit e kishte syrgjynosur ne Kafazin e sarajeve ku djaloshi i privuar nga jeta ishte dhene pas pijes dhe kishte rene ne depresion. Ai e kishte pritur me frike propozimin per fronin e sulltanit dhe kur disa dite me vone xhaxhai i tij Avdyl Azizi kreu vetvrasjen dhe rastesisht nje minister u vra nga nje rebel, sulltani i ri ra me keq ne depresion. Sipas mjekeve duhej kohe te rimerrte veten. Atehere iu kerkua vellait te tij me te ri, Abdyl Hamidit qe te sherbente si regjent derisa i vellai, Sulltan Murati V te permiresohej nga kriza e rende nervore. Kjo praktike nuk kishte precedent ne perandorine osmane. Abdyl Hamidi refuzoi. Te mbetur pa rrugedalje Abdyl Hamidi me nje fetva te kryemyftiut u shpall sulltan me 1876 me kusht qe te shpallte kushtetuten gje qe ai e pranoi. Murati V pas tre muajsh mbreterim zbriti nga froni dhe jetoi deri ne dekaden e pare te shek XX i izoluar ne pallat.
Pasi hypi ne fron Abdyl-Hamid II u kthye gradualisht ne nje monark absolut sipas shembellit te stergjysherve te vet. Shpalli
kushtetuten por pas disa kohesh e abrogoi duke marre cdo pushtet ne duart e veta. Pjesa europiane e perandorise otomane u zvogelua gradualisht, duke i mbetur vetem Maqedonia dhe Shqiperia, per shkak te inaktivitetit te tij dhe vizionit se perandoria duhej te mbetej aziatike. Kreu masakren e Armenise, megjithese besohej se nena e vet ishte armene dhe ai kishte tipare armene per kete shkak e therrisnin Bedri (Peter ne armenisht). Me ne fund me 1909 pas nje revolte te ushtrise u detyrua te rishpalle kushtetuten te cilin fshehurazi kerkoi ta sabotonte duke ngritur ne revolte reaksionaret myslymane. Atehere e detyruan xhon turqit te hiqte dore nga froni.
Ishte despot, brutal dhe konservator ne kuptimin me te keq te fjales. U internua ne Adrianopoje.
Ne fron sollen te vellane Reshati I. Por forcat liberale e kufizuan ne maksimum pushtetin e sulltanit. Organi me i larte ishte ketej e tutje parlamenti te cilit sulltani i betohej kur merrte fuqine. Ai mbreteronte por nuk komandonte me shtetin. Autokracia e sulltaneve kishte marre fund njehere e pergjithmone.
Sulltani i fundit Mehmedi VI u shfronesua nga Mustafa Qemal Ataturku me 1923 kur u shpall republika turke.
Me sulltanin e XXXVI dhe te fundit vete Perandoria otomane mbas me teper se gjashte shekujsh perfundoi jeten e saj.

23 Nëntor 2010
Subscribe to:
Posts (Atom)