16 June 2015

Gani Xhafolli(1945-2015) poezi



GANI XHAFOLLI
(1945 -2015)

Xhafolli u lind në fshatin Drenovc afër Prishtinës në vitin 1945. Ai punoi në arsim: në Drenofc, Barilevë, në Lipjan dhe në Magure, si mësues. Në Radiotelevizionin e Prishtinës prej vitit 1979 ishte redaktor në programin për fëmijë. Në vitin 1990 pushtetarët e shtetit Jugosllav e largojnë me dhunë nga puna së bashku me 1340 punëtorë të RTP-së. Xhafolli ka të kryer Akademinë Pedagogjike në Prishtinë. Ka fituar shume çmime letrare. Ka vdekur më 16 qershor 2015.

Poezi nga Gani Xhafolli

ZEMREN E KAM PLOT OQEANE

UNË JAM gani xhafolli
Zemrën e kam plot dritare
zemrën e kam plot unaza
zemrën e kam plot oqeane
zemrën e kam plot ajër
e plot diell
e kam plot dete
e plot zogj
e kam plot rrugë
e plot pemë
e kam plot lule
e plot dashuri
e kam plot bletë
e plot këngë
nuk e kam
asnjë miligram
urrejtje

KAM FLUTURUAR
SHPESH

Erdhi koha të kthehem
në atdhe e t’u marr erë luleve
+ pemëve në degë
shtëpinë e kam parë shpesh
ëndërr
kam fluturuar mbi
pemë e mbi kroje
duart e gjyshes i kam
vizatuar çdo javë
do të pi ujë çdo orë
do të ha pemë të vendlindjes
çdo ditë
diellin do ta fotografoj
çdo mëngjes

DASHURIA U DUHET
TË GJITHA FAQEVE

Shumë bëhem nervoze
kur në mbrëmje
ndalet rryma
e librat mbesin në terr
nuk ka faj Luli që
nganjëherë i ha gishtat
zemra ime kërkon
sa më shumë këngë
JAM shumë e vogël
për nervozë
dashuria u duhet
faqeve e të gjitha luleve

NUK DI PSE GAFORRJA
EC MBRAPSHT

E kam pyetur gjyshin
më ka thënë NUK DI
e kam pyetur një vajzë
në Francë

PYETE LUMIN
në vendlindje e
kam pyetur një ditë
GAFORREN në
Danimarkë
nuk di pse iku prej meje
kur unë nuk jam polic

DIELLI SHKRUAN
PROZË NË FAQE

Kur e përqafojmë gjyshen
në mbrëmje
zgjohemi më të ëmbël
në mëngjes
e dielli shkruan prozë
në faqe
që mund të lexohet
vetëm me puthje
edhe hëna shkruan poezi
me buzë moderne

PJESHKAT I KA
ZËNË GJUMI

Pjeshkat në katund
i ka zënë gjumi
presin dorën time
të butë
nw ëndërr i lexojnë
vargjet prej rëre
gjethet këqyrin
mos po më shohin
në rrugë
u kujtohet kur isha
zog mëndafshi në degë
dhe ylber në mollë

JAM BËRË SI
LEJLEK I LODHUR

Kam kohë tepër pak
të shkruaj vjeshta
është ulur mbi flokët e mia
dhe u jep krejt ngjyrë
bryme

jam bërë si lejlek i lodhur

ENDE nuk e kam harruar
MOLLËN në Toplicë
të gjyshit e gjyshes

më kujtohen të gjitha
dyert me zog flamuri

JAM lodhur shumë
prej malit në mal
prej trenit në tren
më duket 1000 vjet i kam

DËSHIRË GJATË NJË
NATE KUR FLUTURA
ISHTE NË MËRGIM

Ah sikur ta kisha një kalë
të bardhë
një kalë të bardhë
që fluturon përmbi pyll
e përmbi fusha

ah sikur ta kisha një mollë
një mollë të artë
një mollë të artë
një mollë të artë të Çamërisë
ose të Shkodrës
do të isha nisur
drejt fluturës

DY JAVË KA QARË DEGA

Mos ua thyeni pemëve duart
sepse mërziten tepër gjethet
e nuk i merr gjumi
dhe qajnë në heshtje

edhe shiu nuk e ndjen
veten mirë

një qershi është ankuar
shumë
kur një djalë ia ka thyer
pesë gishta
dy javë ka qarë dega

DASHURIA ËSHTË
ME SHUMË ZEMRA

Dashuria është e ëmbël si molla
E përqafon një ylber të vogël
Kënaqesh
Dashuria është me shumë zemra
I duhet lumit
I duhet detit i thua MERRE
Me dashuri e hap derën
Kur vjen dikush dhe i qet kafe
Me dashuri zgjohesh
Në mëngjes për një përqafim
Të diellit
E katër përqafime të nënës
Dashuri është edhe kur mbyll
Derën kur shkëlqen hëna

ÇDO DITË
FLET ME DIELL

Kur erdhi Skënderbeu
Në Prishtinë
Motra lindi djalë
Emrin e mori Trim
Skënderbeu në KALË
Diçka i thoshte dielli
HIJE I KA SHPARA
KALI i këqyri retë
E kishte marrë malli
Për krejt Dardaninë
ENDE s;e merr Gjumi
As KALIN as Gjergjin
të flet me DIELLIN

DIKUR EDHE
TREGIMET PLAKEN

Sigurisht e keni parë
Peshku ha pa duar
Noton pa këmbë
Dimrit nuk di a nerth shumë
Dhe a ia di emrin botës
Edhe unë kam qenë peshk
Në barkun e nënës
Tash jam gjysh me mjekër
Edhe unë çuditem qysh i
Shkruaj vjershat e reja
E di: dikur edhe tregimet plaken
Pikëpyetjet a i lexon dikush
Plaket edhe banesa dikur
Plaket edhe nëna
Edhe makina e shkrimit
Dielli pikëpyetje a plaket

KUR FLUTUROJNË
BUZËQESHJET

E njoh një vajzë
I ka dy bylbyla
Në zemër
Këndojnë kur ajo
E vizaton diellin
Dhe mbjell lule

Këndojnë kur ajo
E shkruan fjalën
atdhe

këndojnë kur nëna lind djalë
dhe fluturojnë buzëqeshjet

DIÇKA MË KA DHËNË
NJË KËRMILL

Jam munduar shumë
Ta shkruaj një vjershë
Të verdhë në vjeshtë
I kam lutur të gjitha
Lulet të më ndihmojnë
Edhe lumin
Edhe hënën
Diçka më ka dhënë deti
Diçka më ka dhënë pylli
Diçka më ka dhënë kërmilli
Diçka një patë e egër
Diçka më ka dhënë
Një vetull e një vajze
Diçka një krah i një fluture
Diçka më ka dhënë
Një buzëqeshje xheloze

VJERSHAVE
U RRITET BUKURIA

Flokët i rriten Lises
dhëmbët i rriten Gentit
duart i rriten hënës
këmbët i rriten Yllit
e pëllumbave u rriten
krahët

plepave u rriten gjethet
dardhave u rritet bishti
mua më rriten vjershat
vjershave u rritet bukuria

KAM HARRUAR
SI DUKEJ SHTËPIA
E VJETËR

Kam harruar si dukej
shtëpia e vjetër
me dy dhoma e një kuzhinë
me pak lugë e tri dritare
do ta pyes Agim Devën
dhe tash e shoh pak
Shtëpinë e Re
nuk di a ka dritë mbi kulm
nuk di si duken pikturat
e mia në terr
dhe a mërziten
që nuk i shoh mirë
të martën do të shkoj
në spital
kam menduar se do të shihja
edhe pa dritare
nuk di si duket as liria
as fletorja e parë
e bukurshkrimit me një zog

LETËR
MOTRËS NË GJENEVË

E vogël ishe
kur të puthte era
kur të buzëqeshte
shiu
nën kumbulla dhe degë
fustanin e kishe
me ngjyra

e vogël ishe atëherë
kur u ke kënduar
gjetheve
dhe një cope buke
flamurin e ke vizatuar
tinëz në shuplakë

mos i harro ëndrrat
mos e harro nënën
as hijen tënde të vogël

MË KUJTOHET kënga JOTE:
ende ka shumë borë

Vepra të botuara:

1. TE PORTA E EDHAVE.
2. ZOG SHIU (poezi) 1979.
3. ËNDRRA NË SHUPLAKË (poezi) 1981.
4. ZOGJËT FLUTUROJNË MBI LULE (poezi) Tiranë,1984.
5. VJERSHEN S’E ZË GJUMI (poezi) 1985.
6. LULE MA JEP DORËN (poezi) Shkup,1986.
7. KROI THËRRET DALLËNDYSHET (poezi) 1987.
8. SHTËPIA ME KULM TEPOSHTË (roman) 1988.
9. PLESHTI HA ME DY LUGE (poezi) 1990.
10. KUQ E ZI (poezi) Cyrih, Zvicër,1990.
11. LEJLEK I SYRIT (poezi) Shkup, 1992.
12. PO (roman) Shkup, 1996 (i shpërblyer me çmimin e dytë).
13. TË DUA (roman i shpërblyer me çmimin e parë,1997).
14. NUSE NËN MOLLË (dramë) 1997.
15. GJEOMETRIA E SYRIT (poezi) 1999 ( e shpërblyer për veprën më të mirë nga LSHK ).
16. GISHTI IDIOT (poezi) 2000.
17. PRINCESHA E VOGËL (poezi) 2000.
18. SHTEPIA ME KULM TEPOSHTË (roman) Shkup, 1999 (ribotim) .
19. DIELLI ME TRI DRITARE (monografi letrare) 2000.
20. NË GOJË TE GJARPRIT (roman) 2000.

marrë nga botapress, Prishtinë

12 June 2015

Ben Blushi: Partia Socialiste nuk është më një parti…

Partia Socialiste nuk është më një parti…

Nga Ben BLUSHI

Shumë miq më kanë nisur urime për përvjetorin e Partisë Socialiste që është  sot më 12 qershor. Nuk i kam kthyer askujt përgjigje. Kam gjithë ditën që e mendoj në duhet apo jo të kthej përgjigje dhe meqë kam një dilemë, po e ndaj publikisht.

Eshtë apo jo Partia Socialiste një parti?
Unë them se Partia Socialiste ka qenë, por nuk është më një parti.
Partia Socialiste e Shqipërisë u riorganizua para 24 vitesh. Ajo trashëgoi strukturën dhe demografinë elektorale nga Partia e Punës, rishikoi programin, elitën e përfaqësimit si dhe qëndrimin stalinist për pluralizmin, për pronën, për tregun, për taksat dhe mbi të gjitha për Perendimin. Në një kuptim u zbut. Ose u zbut në të gjitha kuptimet. U qetësua dhe vendosi të mos shtetezojë me pronën e askujt, të njohë tregun e lirë dhe të antarësohet në strukturat evropiane duke ruajtur një politikë të kujdesshme me fqinjët. Rrugë tjetër nuk kishte. Shqiptarët e detyruan të zbutej duke i bërë një lëshim të madh që ndoshta ishte shumë dashamirës në krahasim me dëmin që ajo u kishte shkaktuar: e pranuan sërish në tregun e partive politike shqiptare. E lanë të zgjidhej. E bënë të votueshme.
Kur Shqiperia kishte më shumë se kurrë nevojë për demokraci ajo iu përshtat sistemit më mirë se kushdo tjetër dhe megjithëse nuk ishte partia më properëndimore në Shqipëri, ishte partia më demokratike e vendit. Për disa rrethana fatlume që lidhen me rrënimin moral dhe institucional të  vitit 1997, për shkak të deformimit të tregut primitiv shqiptar në treg piramidal, si dhe qëndrimit joperëndimor të Partisë Demokratike ndaj zgjedhjeve, ajo erdhi në pushtet. Një arsye tjetër që e favorizoi ishte konvencionalizmi politik që ka dominuar dhe dominon Shqipërinë prej gati 100 vitesh. Pra vota konvencionale kundër votës cilësore, që në Shqiperi do të thotë se, jugu voton më shumë për socialistët dhe veriu voton më shumë për demokratët, pavaresisht se si sillen ata. Gjithë këto rrethana e sollën në pushtet në vitin 1997.
Pushteti i dha mundësi të ndryshonte në disa raste elitat e veta, t’i rinovonte ato përmes administratës, herë me diplomaci, shumë herë me përplasje dhe shpeshherë me antagonizëm, gjë që çoi në çarjen e saj në vitin 2004, një nga arsyet për të cilën humbi pushtetin. Megjithëse për shkak të kundërshtive joprogramore, luftës së brendshme anarkike dhe ngathtësisë genetike, reformat që bëri ishin anemike, ajo mbeti një parti. Kur them këtë, kam parasysh kuptimin klasik që ka bota për partitë: pra një grup njerëzish që bashkohen rreth një programi dhe respektojnë rregullat që kanë përcaktuar vetë me vullnet të lirë. Partia Socialiste ishte një parti dhe duke respektuar statutin e vet, u përça si një parti që bën dy parti.
Kur e mendoj sot, besoj se ndarja e saj, megjithëse nuk ishte e shëndetshme ishte e pashmangshme. Demokracia fitoi ndonëse Partia Socialiste humbi. Llogaritë për Shqiperinë nuk i bëj dot ende, sepse është shumë shpejt, por si bestyt i demokracisë që jam, besoj se kur fiton demokracia ka fituar edhe vendi. Në çdo rast. Edhe sot.
Në vitin 2013, Partia Socialiste u rikthye në pushtet. Sot më shumë se një parti ajo është një adresë elektorale. Fiton zgjedhjet, siç i ka fituar dhe do t’i fitojë sërish, por jo si një parti. Si një adresë në fletën e votimit. Mes gjithë partive të  tjera të cilat edhe ato nuk bëjnë dallim prej saj,  ajo merr më shumë vota. Por fakti që merr më shumë vota se të  tjerët nuk e bën një parti. Ndoshta ky është një zhvillim i ri i demokracisë sonë krijuese, të  cilin nuk jam i gatshëm ta kuptoj dhe ta pranoj siç duhet. Pragmatistët që mendojnë ndryshe janë shtuar dhe kanë marrë në dorë fuqinë për të mos u numëruar. Ata nuk dihet sa janë megjithëse vendosin. Pra, vendosin se në parti nuk duhen numëruar ata që mendojnë se demokracia vlen, sepse sipas tyre ata që mendojnë se pushteti vlen më shumë se demokracia, janë gjithnjë më shumë. Dhe duhet të mbeten më shumë pa u numëruar.
Unë nuk mendoj kështu. Unë them se demokracia dhe jo pushteti i bën grupet parti, ndërsa ata thonë se pushteti i rrit partitë, nga grupe në turma, ndërsa demokracia që i ben turmat parti, i zvogëlon ato. Pragmatistët thonë se rëndësi kanë zgjedhjet dhe jo demokracia. Unë mendoj se mund t’i kemi të  dyja: edhe zgjedhjet edhe demokracinë. Mendoj se mund të jetoj më mirë në një vend që zbaton ligjin dhe në një parti që zbaton rregullat. Kështu fitorja shijon më shumë dhe nuk kthehet në një tirani pragmatiste.
Nëse Evropa do kishte sot parti që nuk zbatojnë asnjë rregull dhe nuk bëjnë zgjedhje, ndoshta do mendoja më mirë për pragmatistët. Ata mund të ishin evropianë të ditës dhe unë një evropian i rritur me kujtime. Por nuk është kështu. Kjo nuk po ndodh askund. Në këtë kuptim Partia Socialiste e Shqipërisë është sot partia më unike në Evropë. Ajo është e vetmja parti që nuk pranon zgjedhjet e brendëshme. Ky është një zhvillim shqiptar dhe ndoshta një pasurim i traditës evropiane të ndërtimit të partive. Eshtë njëlloj si të mbjellësh një pemë në garazhin e makinës. E ujit me naftë dhe e ajros me kondicionerin e makinës duke iu gëzuar faktit që kjo është e vetmja pemë e botës që jeton në garazh paçka se nuk bën lule. Sepse lulet duan ujë dhe ujin duhet ta marrësh jashtë garazhit.
Thënë këto duhet të përsëris me hidhërim se Partia Socialiste nuk zbaton më asnjë rregull. Atje askush nuk votohet, askush nuk zgjidhet, askush nuk mblidhet, askush nuk zgjedh dhe askush nuk mbledh. Partia Socialiste ka vetëm pushtet. Ajo ka drejtori por nuk ka votim, ka bashki por nuk ka zgjedhje, ka ministri por nuk mbledhje, ka qeveri por nuk ka demokraci.
A u përgjigjet të varfërve? Them se jo. Ata e votojnë për konvencion por në këmbim nuk marrin asnjë koncesion. Partia Socialiste për të  varfërit është një argëtim estetik. E shohin në televizor, si një serial, por nuk kanë të drejtë të ndryshojnë as skenarin dhe as personazhet e saj. Eshtë një serial që prodhon kënaqësi. Çdo pasdite. Eshtë partia e shtëpiakëve që merren me politikë. Asgjë më shumë. Ajo nuk u jep atyre as punë, as shpresë dhe as demokraci.
Nëse je i varfër nuk e përfaqëson dot më Partinë Socialiste. Nuk je dot deputet i saj, as kryetar bashkie, as kryetar i partisë në qytet, as kryetar në fshat dhe po aq të  vështirë e ke të punosh në administratën e saj. Partia Socialiste ka me të varfërit raportin që ka një  serial televiziv. Ajo prodhohet për ta, me kushtin që ata të  mos e ndryshojne atë. Të varfërit janë blerësit, por jo prodhuesit. Ata janë shikuesit, por jo regjisorët e saj. Ata janë luga, por jo ushqimi. Janë mjeti, por jo qëllimi. Jane vota, por jo pushteti. Ata nuk janë shteti, por mileti.
Sa për të pasurit, ata mund të hyjnë, të  dalin dhe të sponsorizojnë lirisht pushimin mes serive. Ata janë sponsor dhe personazhe kryesore të serialit. Nëse je i pasur mund të blesh kohën televizve tek seriali i Partisë Socialiste dhe të bëhesh deputet, kryetar bashkie, drejtor, inspektor, tatimor, ushqimor, pagator, rrogator, kurator dhe natyrisht donator. Të  pasurit janë seriali. Pushteti është ideali. Të varfërit janë materiali.
Ky serial material pa ideal, do të  vazhdojë edhe për shumë kohë. Ndoshta edhe për shumë vjet. Për sa kohë që Partia Socialiste nuk do respektojë asnjë program dhe asnjë statut ajo nuk do jetë më parti por vetëm një adresë elektorale. Një mundësi për të  votuar. Dhe një   shpresë për të duruar atë që duhet uruar.
Dhe nëse unë kam një urim për të  gjithë, urimi është ky: shpresoj që Partia Socialite të bëhet Parti.
Shqipëria do ta detyrojë megjithëse ajo nuk do. Dhe nuk mundet dot. Sot për sot.
(marrë nga Lapsi.al - June 12, 2015)

02 June 2015

Marina Cvetaeva / Poezi

Marina Cvetajeva me bashkshortin Sergei Efron i cili u ekzekutua me 16 gusht 1941 
MARINA CVETAEVA
8 tetor 1892-31 gusht 1941

Marina Ivanovna Cvetaeva e nisi jetën në Moskë më 1894 dhe vdiq, e vetëvarur me litarin e Pasternakut, në Ellabuga më 31 gusht 1941, 15 dite pas ekzekutimit te bashkshortit te saj Sergei Efron.

Po zvarrisen pas meje zinxhirët
të gjëmojnë së shpejti i pres,
Sa dëshirë kam, sa dëshirë,
qetësisht të mbyll sytë e të vdes!..
.

“Pastërnaku erdhi tek ajo për ta ndihmuar të rregullohej. Ai i solli një litar për të lidhur valixhen dhe bëri shaka se ai litar mbante gjithëçka, sikur edhe të varej me të... Më vonë i treguan Pastërnakut se Cvetaeva u var me atë litar dhe ai për një kohë të gjatë, nuk mundi t’ia falte vetes këtë shaka fatale “...

DIELLI

Dielli, i vetëm shëtit qytetet të gjithë,
dielli është imi, askujt nuk ia jap asnjë ditë.
Asnjë çast, një vështrim, një vegim apo orë,
le të vdesin qytetet mes natës, pa fund në dëborë...
Në pëllëmbë e shtrëngoj, mos vërtitet mbi mua e mbi fushë,
le të digjen dhe duar dhe zemër dhe buzë!
Le të mbetet mes natës pa fund rruzullimi,
unë askujt nuk ia jap, ky diell është imi!

E DI TË VËRTETËN

E di të vërtetën. Në djall të vërtetat e thata!
Njeriu me njerinë nuk duhet të vritet në jetë.
Shikoni po ngryset, shikoni, vjen nata
ç’po bëni dashnorë, strategë e poetë?

NË PESHËN E MJERIMIT TIM

Në peshën e mjerimit tim
ti sheh dhe hedh ndaj meje fjalë...
Je monument, jam fluturim,
je gur në vend, jam këngë e gjallë...
E di, se majin plot freski
një hiç e ka në tokë amshimi...
Por jam një zog në lartësi
dhe ligj më mbushet fluturimi...

NË ZEMËR

Në zemër: ferri dhe altari,
atje parajsa rri dhe turpi.
Kush është i ati?
Ndofta cari,
a, mbase cari dhe hajduti?

NE TË DY

Ne të dy si dy jehona shkojmë,
heshte ti, pas teje hesht dhe unë...
Ne të dy si dylli nuk durojmë
fati me pak zjarr na djeg pa zhurmë...
Dhe kjo ndjenjë, armikja jonë e mirë,
shpirtrat tanë i hedh në zjarr të gjallë,
ndaj të quhesh mik është e vështirë,
por dhe për armik nuk bëhet fjalë...
Buzëqeshja mbetet e helmuar,
pikëllimi: lodhje e përgjumur,
S’m’ë vjen keq për fjalën e shpenzuar,
më vjen keq për mallin tim të humbur...
Si anatomist ti më mësove,
një të keqe, helm me ëmbëlsirë...
Po, nëse nga vetja s’m’ë largove,
të të quaj mik e kam vështirë...

Shqipëroi: Dritëro Agolli

Vargjet nuk mund të jenë pa shtëpi/ Jevtushenko për Cvetajeva


 
VARGJET NUK MUND TË JENË PA SHTËPI

Shkruan: E. JEVTUSHENKO për poeten Marina Cvetaeva

"Marina Cvetajeva është faji ynë i papagueshëm, por dhe dashuria jonë e përjetshme. Poeti mund të jetë i pashtëpi, por kurrë vargjet e tij..."

Kur dalim prej barrës mëmësore, nis barrën me ne shtëpia. Ne ende nuk kemi lindur plotësisht, përderisa përplasim këmbë e duar në barkun e saj të drunjtë ose të gurtë, duke zgjatur doçkat tona ende të dobëta, por tashti të zëmëruara drejt daljes jashtë shtëpisë. Bashkë me ndjesinë e e strehës mbi kokë na lind dhe një forcë tërheqëse drejt derës. Ç’ka atje prapa? Gjersa mësojmë të ecim brenda shtëpisë, ne ende nuk jemi lindur. Kur na pengohen këmbët te gurët e avllisë, klithma jonë e parë është klithma e vërtetë e lindjes.. Karakteri provohet kur muret atërorë nuk na mbrojnë dot më. Shtytja jashtë shtëpisë nuk do të thotë aspak se e urren shtëpinë. Kjo shtytje është dëshira për ta provuar veten në luftën me botën e madhe e të panjohur, por një dëshirë si kjo ngrihet më lartë se një kërshëri e thjeshtë, është themeli i shpirtit kryengritës të njeriut, sepse shpirtit i rinë ngushtë të gjitha muret. Teza “Shtëpia ime, kalaja ime” është simbol i pafuqisë së njeriut. Shpirti është vetë një kala, nëse nuk gardhohet me kurfarë muresh. Pa respektin për shtëpinë nuk mund të quhesh njeri. Por s’quhesh njeri dhe as shkrimtar pa shtytjen jashtë shtëpisë. Jeta na rezervon shtëpi të tjera, që shtiren, madje, ndonjëherë atërore. Shtëpi që të thithin brenda, si moçali, shtëpi të ngjashme si djepi, që të venë në gjumë ndërgjegjen. Po njeriu i vërtetë, shkrimtari i vërtetë përpiqet mundimshëm për një konfort të vetëm: për konfortin e ashpër e tepër të varfër të lirisë.
Vallë nuk e deshi Ljev Tolstoi Jasnaja Polianën? Po kur ndjeu në shtëpinë e vet diçka mbërthyese, diçka pranguese, u vërsul nga dera, pas së cilës ishte e panjohura dhe liria, dhe sikur ta priste vdekja...
Xhek Londoni mundohej artistikisht të krijonte lirinë brenda “Shtëpisë së ujkut”, të ndërtuar prej tij në Luginën e Hënës, por a ka të ngjarë, ta ketë djegur vetë atë, duke ndjerë si e shtypnin muret e gurtë, i torturuar nga nostalgjia jo për shtëpinë por për pashtëpisinë e rinisë?
Nostalgjia për pashtëpisi nuk e fyen shtëpinë atërore, në të rreh dëshira për t’u shkrirë me njerëzit përreth, ku aq njerëz janë pa shtëpi, ku pa shtëpi janë drejtësia, ndërgjegjia, vëllazërimi, liria...
Aleksandër Blloku i ndillte vetë grushtat e fatit: “Më lini të vdes nën gardh si një qen!” Majakovski, duke hedhur poshtë i zëmëruar “paqllëkun e turpshëm”, thoshte krenarisht:

Mua rublat kurrë s’më mbajtën me hatër,
mjeshtrat e drurit mobilje s’më nisën asnjë.
Dhe përveç një këmishe të pastër,
jua them sinqerisht,
nuk dua asgjë!

Pashtëpisia superiore e shpirtit, që ngrihet kundër pashpirtësisë të mobiluar bukur, a nuk është kjo shtëpia atërore e artit? Pashtëpisia është një fatkeqësi njerëzore, por vetëm për sytë e enjtur nga dhjami, fatkeqësia është turp. Për këtë, me një pendim të dëlirë, ka thenë kështu Pastërnaku:

Dhe unë u prisha qyshkur koha të prishur mori
dhe fatkeqësinë e quajtën turp,
filistinët e ngërdheshur nga zori...

Një grua e madhe, ka të ngjarë, më e madhja e krejt grave që jetuan ndonjëherë në këtë botë, me një zëmërim të dëshpëruar, dëneste: “Çdo shtëpi m’është e kuaj, çdo tempull-bosh!...” Zëri i kësaj gruaje ëshgtë Marina Cvetajeva.
Më vonë, në mërgim, duke fërgëlluar nga malli për atdheun, e madje, duke u përpjekur të përqeshte këtë mall, Cvetajeva gulçon si “shtazë e plagosur”:
 
Mall për vendin?
Pallavër qyshkur e demaskuar!
Unë krejt njëlloj e kam,
si afër, si larg të jem, mjaft që e vetmuar...

Ajo, madje i kërcëllon dhëmbët hungërueshëm gjuhës së vetë amtare, të cilën aq shumë e adhuronte, të cilën aq mirë dinte ta mbrunte dhëmbshurisht e tërbimshëm me duart e veta punëtore, me duart e poçarit të fjalës:

S’më mashtron dhe gjuha amtare,
kushtrimi i saj kumtëror...
se kë takoj, s’më intereson fare
dhe a kupton a nuk kupton...

Më tek ndeshim sërish fjalët tashmë të cituara “shtpiurryese”: “Çdo shtëpi m’është e huaj, çdo tempull-bosh!”...
Pastaj vijon: “Me to, pa to s’më dhemb kaptina!”
Dhe befas, trilli tallës për mallin e atdheut këputet i pafuqishëm duke përfunduar me një psherëtimë gjeniale për nga thellësia, që përmbys krejt mesazhin e vjershës në tragjedinë shpirtcoptuese të dashurisë për atdheun:

Po nëse rrugës një kaçube’
fanitet, sidomos rjabina...

Pastaj e vazhdon me tre pika, ku ndjehet një pohim memec i fuqishëm dhe i pandërprerë në kohë dhe me një forcë dashurie për të cilën janë të paaftë njëmijë vjershëtorë të marrë së bashku, që shkruajnë jo me këto pika të mëdha. Çdonjëra prej tyre është si një pikë gjaku, por me fjalë të panumërta që thurrin vargëzime pseudopatriotike. Mos vallë dhe patriotizmi i flaktë është pikërisht gjithmonë i tillë: me pika dhe jo me fjalë boshe? Dhe, megjithatë, ja ku del dashuria për shtëpinë, po përmes heroizmit të pashtpisë. Një heroizëm i tillë është krejt jeta e Cvetajevës. Ajo edhe në shtëpinë e poezisë ruse, të ndarë në dhoma pritjeje, sallone, korridorë e kuzhina letrare, s’para ambjetohej mirë... Libërthin e saj të parë “Album mbretëror” e lëvduan bardë të tillë si Brjusov, Gumiljev që mbaheshin atëhere si ligjvënës të modeleve. Nga kjo Cvetajevë ende krejt e re, delte një erëmim alarmant prej zjarri që kërcënonte komoditetin e kësaj shtëpie, muret e saj të hollë, që mund të shpërthenin menjëherë në flakë.
Kurse poezia e Cvetajevës nuk mund të ishte as send i kësaj shtëpie dhe as dhomë e saj. Ajo ishte tufan që shpërthente brenda shtëpisë dhe ngatërronte krejt fletët e vjershave estetizante të kopjuara me shkrim kaligrafik...
Cvetajeva, pavarsisht nga jaka me dantella e gjimnazistes së parakohëshme, u shfaq në Shtëpinë e Poezisë si cigankë, si Mariullë e Pushkinit me të cilën donte të të krahasonte veten. Dhe Ciganëri do të thotë pashtëpisi triumfuese mbi jetën shtëpiake. Qysh në vargjet e parë të Cvetajevës ndihej një ashpërsi e një egërsi e panjohur gjer atëhere në poezinë femërore ruse e, për më tepër, e rrallë edhe për poetët burra.
Poezia e Ahmatovës ishte më femërore, me linja më të buta. Karakteri i Cvetajevës ishte një arrë e fortë, kishte një shpirt luftarak që të trembte, një agrisivitet ngacmues, shermadh. Me këtë shpirt luftarak Cvetajeva sikur donte të lante jargavitjen sentimentale të shumicës së poeziprodhesve të molisur, që mbushnin në atë kohë, me prodhimet e tyre të sheqerosura, faqet e revistave, duke rehabilituar vetë thelbin e karakterit të grave...
Nuk di asnjë poet tjetër në botë që do të shkruante aq shumë për ndarjen si Cvetajeva. Ajo kërkonte dinjitet në dashuri, ndërsa do të thoshte lamtumirë duke e mbytur me krenari klithmën e saj femërore brenda vetes dhe vetëm rrallë nuk e përmbante dot. Me krenarinë e saj të madhe Cvetajeva u hakmorr për gjithë “pakrenaritë” e grave, që e kishin humbur portretin e tyre para burrave. Për këtë asaj duhet t’i jenë mirënjohëse gratë e gjithë botës. Me forcën e saj krijuese Cvetajeva tregoi se çdo shpirt gruaje nuk është vetëm një qiri, një rrëke e kthjellët, e krijuar me qëllim që të pasqyrohet burri, por edhe zjarr që flakëron nga njëra shtëpi tek tjetra.
Tek Cvetajeva ka ngjyrime të spikatura filozofike si psh. “Është gjenial ai tren tek i cili të gjithë vonojnë”.... Zemra e poetit të vërtetë është shtëpia e pashtëpisisë. Poeti nuk ka frikë të futë brenda vetes vetëvetishmërinë dhe nuk ka frikë të bëhet copë-copë prej saj. Kështu ndodhi me Bllokun, kur ai la të hyjë brenda tij revolucionin dhe shkroi poemën gjeniale: “Të dymbëdhjetët”. Kështu ndodhte dhe me Cvetajevën, që futi brenda vetes vetëvetishmërinë e ndjenjave të saj personale dhe qytetare dhe që iu nënështrua vetëm spontanitetit. Por që vetvetishmëria e jetës të bëhet e tillë dhe në art nevojitet një disiplinë e rreptë profesionale. Vetvetishm,ërisë së Cvetajevës nuk i lejohet të urdhërojë në zanatin e saj, këtu zonjë është vetëm ajo. Marina Ivanova Cvetajeva është poetja profesioniste e shquar, që së bashku me Pastërnakun dhe Majakovskin, reformoi vjershërimin rus për shumë vjet të mëvonshëm. Një poete e mrekullueshme si Ahmatova që e admironte aq shumë Cvetajevën, ishte vetëm një bartëse e traditave, por jo përsëritëse e tyre dhe në këtë kuptim Cvetajeva qëndron më lart se Ahmatova. “Mua s’do më mjaftonin as 150 milion jetë” thoshte Cvetajeva. Fatëkeqësish edhe vetëm jeta e saj nuk i mjaftoi.
Sipas Pushkinit: Gjenia dhe keqbërja janë dy gjëra të papajtueshme”. Cvetajeva nuk ra asnjëherë në mëri politike. Ajo ishte poete tepër e madhe për të rënë aty. Kuptimi i saj për Revolucionin ishte i ndërlikuar, kontraditor. Këto kontradita pasqyronin synimet e pjesës së rëndësishme të inteligjencës ruse, që përshëndeti fillimisht rënien e regjimit carist, por pastaj iu largua Revolucionit për shkak të gjakut të derdhur në luftën civile.

“I bardhë ishte, i kuq u bë:
e skuqi gjaku...
I kuq ishte, i bardhë u bë:
e zbardhi vdekja...

Jo rastësisht Cvetaeva e pati aq të vështirë në emigracion sepse ajo nuk mori pjesë kurrë në mëritë politike dhe qëndroi mbi të gjith grupet dhe e gricnin ligjvënësit e atëhershëm të modave. Ata i nervozonte pavarsia e saj, jo vetëm politike por dhe artistike. Ata kapeshin pas së shkuarës, vargu i saj hidhej me zjarr në të ardhmen... Ndaj ai dukej i pashtëpi në botën e së shkuarës. Cvetajeva nuk mund të mos kthehej në Rusi. U kthye, jo vetëm se jashtë jetonte në një varfëri të tmerrshme, jo vetëm se çdo mjeshtër i madh i gjuhës nuk mund të jetojë jashtë gjuhës; jo vetëm se përbuzte botën mikroborgjeze që e rrethonte të damkosur prej saj në “Lexuesit e gazetave” apo “Në çarkun e minjve”, jo vetëm se e urrente fashizmin, kundër të cilit ajo shkruante aq mërishëm në çekisht. Si zor që Cvetajeva të shpresonte t’i gjente vetes “komoditetin shtëpiak”, ajo shtëpinë e kërkonte jo për vete, por për të birin dhe sidomos për fëmijët-vargje, nënë e së cilëve ishte vetë poetja. E dinte se shtëpia e vargjeve të saj ishte vetëm Rusia. Kthimi i Cvetajevës ishte akt prej mëme për vargjet e saj.
U kthye në Moskë më 18 qershor 1939, pas netëve të Shën Bartolemeut dhe vetëm në stacionin e trenit mësoi për arrestimin e së motrës Asi. Burri i saj Sergei Efron, të cilin qe betuar të mos e braktiste, qe i sëmurë nga dëshpërimi. Cvetajevën nuk e arrestuan, por e dënuan me indiferencë, me mosbotime, me varfëri... Në ditarin e vet ajo ka shkruar:
“ Rroj pa i treguar askujt... Së pari ndjesia e kuzhinës së huaj. Një vapë e çmendur, që nuk mbaj mend të tillë:çurgu i djersës dhe i lotëve në tas...” Takimi me Ana Ahmatovën, i arritur më në fund, e emocionoi, por sepse i zhgënjeu që të dyja: ishin tejet të ndryshme. Pasternaku përpiqej t’i ndihte Cvetajevës, por mardhëniet e tyre, dikur të afërta, nuk u përtërinë dot. Cvetajeva e ka pranuar në ditarin e vet: “S’kam te kush të mbështetem...” Më pas arrestuan vajzën e saj, Aljen dhe më në fund të shoqin. Ja nga se u thurr ajo nyjë që ajo e përdori për të varrur veten më vonë. Cvetajevën e vendosën në qytetin e gurtë Ellabuga, ku bëri dhe varjen.
Cvetajeva shkroi një lutje me kërkesën që ta ta punësonin pjatalarëse në mensën e shkrimtarëve në Çistopolje (vetë ajo nuk ishte anëtare e bashkimit të shkrimtarëve). Punë në Ellabuga nuk mundi të gjente. Në arkivën e shkrimtarëve të Tetarisë gjendet letra e saj e dëshëpëruar, ku ajo afronte shërbimet e saj për përkthime nga gjuha amtare në këmbim të të sapunit dhe të disa kaushëve me duhan. Por nuk mori përgjigje nga Bashkimi i Shkrimtarëve të tetarisë, që gati ishin të gjithë të arrestuar dhe atë e drejtonte një funksionar ekonomist. Sipas dëshisë të së zotërve të shtëpisë, ku Cvetajeva u strehua me të birin, atë e mbante mirë me ushqime një milice vendase së cilës Poetja e ndihmonte për larje rrobash.
Pasi humbi çdo shpresë, nuk e duroi dot më “detin e poshtërimeve” dhe u var në hajat (me litarin e Pastërnakut)...
Kam qenë në vitin 1970 në Ellabuga, ku Cvetajeva, ende nuk kishte gur-varri, por vetëm një dru me mbishkrimin: “Në këtë anë të varrit është e varrosur Marina Cvetajeva”. Unë shkrova atëhere poezinë: “Gozhda e Ellabugës”

Elbarozja Ellabuge, ti mend e mban
pas në amshim, atë qytetare,
teksa qante, pinte dhe pinte duhan
nga ai kaushi yt që të mbyt fare...
Zotit i lutej shpirtvrarë e molisur
që rroba për të larë t’i jepnin asaj,
ju lejomni Marina Ivanovna,
të rri pak aty ku ju jetuat pa faj...

Marina Cvetajeva është faji ynë i papagueshëm, por dhe dashuria jonë e përjetshme. Poeti mund të jetë i pashtëpi, por kurrë vargjet e tij...

E. Jevtushenko, 1990

31 May 2015

Po hap derën brenda teje – Henri Michaux


PO E HAP DERËN BRENDA TEJE
HENRI  MICHAUX

Henri Michaux ( 24 maj 1899 - 19 tetor 1984) është lindur ne Belgjike, poet, shkrimtar dhe piktor i cili ka shkruar në frëngjisht. Ai më vonë e mori shtetësinë franceze. Michaux është më i njohur për librat e tij ekzoterike shkruar në një stil shumë të arrirë, dhe veprat e tij  përfshijnë  poezi, shenime udhetimi, dhe kritika e artit. Michaux udhëtoi gjerësisht, duke provuar aftesite krijuese në disa fusha, dhe mori droga, kjo e fundit ndikon  në dy nga veprat e tij më intrigues. Në 1930-1931, Henri Michaux  ka vizituar Japoninë, Kinën dhe Indinë e me pas Ameriken dhe Brazilin.
Poezitë e tij janë "mesazhe nga hapësira e tij e brendshme." Kjo hapësirë ​​mund të transformohet nga droga si në mrekulli e mjerueshme ose vizion i tmerrshem, si në "Hapësira  ​​dhe Hijet" (në lëvizjet e errësirës) "Space of the Shadows" (in Darkness Moves), por "mesazhe" nga ajo janë gjithmonë aq të qartë dhe sa më konkret të jetë e mundur.
Henri Michaux ishte gjithashtu një artist piktor shumë origjinale.Muzeu i Artit Modern në Paris dhe Muzeu Guggenheim në Nju Jork, të dy kishin ekspoze të mëdha t e punës së tij në vitin 1978.
Në 1955 ai u bë  qytetar i Francës, dhe ka jetuar pjesën tjetër të jetës së tij atje së bashku me familjen e tij. Në vitin 1965 ai fitoi Çmimin Kombëtar të Letërsisë, që ai refuzoi të pranojë.

 Henri MICHAUX

Ndërhyrja

Në të shkuarën, kam pasur shumë respekt për natyrën. Qëndroja para gjërave dhe peizazheve dhe i lija të bënin ç’të donin.
Kjo ka marrë fund një herë e mirë. Tani do të ndërhyj.
Kështu pra, isha në Honfleur dhe po mërzitesha pa masë. Pastaj, me një të rënë të dorës, vura aty ca deve. Kjo nuk dukej dhe aq e përshtatshme. Punë e madhe, ishte ideja ime. Përveç kësaj, këtë gjë e bëra me kujdesin më të madh. Fillimisht, i sillja devetë në ditët më të zhurmshme, të shtunave, në pazar. Një bllokim trafiku i tmerrshëm ndodhte pas kësaj, dhe turistët thoshin: “Oh, çfarë ere e keqe! Sa të qelbur janë njerëzit këtu!”. Era e keqe pushtoi portin dhe maskoi edhe erën e karkalecave të detit. Njerëzit dilnin nga turma të mbuluar kokë e këmbë me pluhur dhe me qime të një zot e di se çfarë.
Kur vinte nata, duhej të ishit aty të dëgjonit trokamat e këmbeve të deveve teksa përpiqeshin të kalonin urat mbi kanal, ding! ding! ding! mbi çimento dhe hekur!
Pushtimi i deveve u realizua me rregull dhe në siguri të plotë.
Banorët e Honfleur-it mund ti shihje tashmë tek shikonin vëngër me atë vështrimin tipik të njerëzve që merren me devetë, kur inspektojnë karvanin për t’u siguruar që asgjë s’mungon dhe kështu të mund të vazhdojnë udhëtimin të sigurt; por mua m’u desh të largohesha nga Honfleur ditën e katërt.
Nisa gjithashtu një tren pasagjerësh. Treni u largua me shpejtësi nga Grand Place dhe u drejtua si shigjetë përpara pa e çarë kokën për ngarkesën; u lëshua drejt para, shpëtuar nga besimi.
Është për të ardhur keq që më duhet të largohem, por kam dyshimet e mia se qetësia nuk do të kthehet dhe aq shpejt në qytetin e vogël të peshkatarëve të midhjeve dhe karkalecave të detit.

 Thjeshtësi

Ajo që i ka munguar jetës time deri tani është thjeshtësia. Pak nga pak unë po filloj të ndryshoj.
Për shëmbull, së fundmi dal gjithmonë me shtratin tim me vete dhe kur një grua më pëlqen, e marr dhe bëj dashuri me të menjëherë.
Nëse ajo i ka veshët të mëdhenj dhe të shëmtuar, ose hundën, unë ia heq bashkë me rrobat dhe i vë poshtë shtratit, që ti marrë prapë kur të ikë; mbaj vetëm çfarë më pëlqen.
Nëse të përbrendshmet e saj do ishin më mirë po ti ndërroje, unë i nderroj menjëherë. Kjo është dhurata ime. Por nëse shoh një grua më të hijshme që kalon aty pari, unë i kërkoj ndjesë të parës dhe e bëj të zhduket sa hap e mbyll sytë.
Ata që më njohin thonë që unë jam i paaftë për të bërë çka  përshkrova më sipër, thonë që s’kam këllqe. Edhe unë kështu e mendoja dikur, po kjo ishte vetëm sepse atëherë nuk i bëja gjërat ashtu si më pëlqente.
Tani unë kaloj pasdite të mrekullueshme. (Në mëngjes punoj.)

Zbavitjet e një të sëmuri

Ndonjëherë, kur ndjehem ashtu kot fare, dhe jam vetëm në shtratin tim, e bëj dorën time të majtë të më bëjë temena. Dora ngrihet vetë mbi bërryl, kthehet nga unë dhe më përshëndet. Dora ime e majtë është shumë e dobësuar, dhe mban goxha distancë nga unë. Është dhe dembele, pale. Që ta bej të lëvizë, më duhet të sforcohem pak. Por sapo ka nisur të lëvizë, vazhdon pa ndalur, me një dëshirë të sinqertë  për të më kënaqur. E përkul kyçin e saj kaq mirë dhe është kaq e sjellshme, sa dhe një i tretë po të ishte aty ta shihte, do të prekej.

Poezi për Fuqinë

I. Unë po vozis

E mallkova ballin tënd, barkun, jetën tënde
Mallkova rrugët ku shkelën hapat e tu
Gjërat që preke me duar
Mallkova brendinë e ëndrrave të tua.

Të vura një pellg në sytë që më s’shikojnë
Një insekt në veshin tënd që më s’degjon
Një sfungjer në trurin tënd që më s’kupton.

Të ngriva në shpirtin e trupit tënd
Të ktheva në akull në thellësitë e jetës tënde
Ajri që thith të mbyt
Ajri qe thith ti është si ajër qilari
Është një ajër që e kanë shfryrë tashmë

Hijenat

Ky është një ajër që askush s’mund ta thithë.
Lëkura jote është e tëra e lagësht
Lëkura jote djersit ujërat e frikës së madhe
Sqetullat e tua kutërbojnë deri larg prej shpellës së nëndheshme.


Kafshët ngordhin në vend kur kalon ti
Qentë ulërijnë natën, me kokat drejtuar nga shtëpia jote
Nuk mund të arratisesh
Nuk mund të mbledhësh as fuqinë e një milingone në majën e këmbës tënde
Lodhja ta kthen trupin në një cung
Lodhja jote është një karvan i gjatë
Lodhja jote shtrihet deri në vendin e Nan
Lodhja jote është e pape\ërshkrueshme me fjalë.
Vetë goja jote të kafshon
Vetë thonjtë e tu të çjerrin
S’të përket më, gruaja jote
S’të përket më, vëllai yt
Shputën e kembës ia ka pickuar një gjarpër.

Dikush pështyu mbi pasardhësit e tu
Dikush pështyu buzëqeshjen e vajzës tënde të vogël
Dikush u kapardis duke pështyrë në pronat e tua

Bota ikën larg teje

Unë po vozis
Unë po vozis
Unë po vozis kundër jetës tënde
Unë po vozis
Unë shumohem në vozitës të panumërt
Që të vozis më me forcë kundër teje

Ti bie në mjegull
Ti ke mbetur pa frymë
Ti rraskapitesh me përpjekjen më të vogël

Unë vozis
Unë vozis
Unë vozis
Ti zvarritesh i dehur, lidhur pas bishtit të një mushke
Dehja si një çadër e stërmadhe që errëson qiellin
Dhe mbledh mizat
Dehje marramendëse e kanaleve semicirkulare
Fillesat e pavëna re të një hemiplegjie
Dehja nuk të lëshon më
Të shtrin në të majtë
Të shtrin në të djathtë
Të shtrin mbi kalldrëmin e rrugës
Unë vozis
Unë vozis
Unë po vozis kundër ditëve të tua

Ti hyn në shtëpinë e vuajtjes
Unë vozis
Unë vozis
Në një shami sysh të zezë janë shënuar veprimet e tua
Në syrin e madh e të bardhë të një kali me një sy e ardhmja jote rrokulliset

UNË PO VOZIS.

II. Përmes oqeaneve dhe shkretëtirës

Efikas si akti seksual me një vajzë të virgjër
Efikas
Eikas si mungesa e puseve në shkretëtirë
Efikas është veprimi im
Efikas

Efikas si tradhëtari që qëndron mënjanë me njerëzit e tij gati për të vrarë
Efikas si nata për të fshehur objekte
Efikas si dhia për të bërë fëmijë
Te veckël, të veckël, zemërthyer që në lindje
Efikas si nepërkë

Efikas si një thikë e mprehur për të plagosur
Si ndryshk dhe urinë për të plagosur më tej
Si dridhje, rënie, goditje për ta bërë më të gjerë
Efikas është veprimi im

Efikas si skërmitja e dhëmbëve që vërshon një oqean me urrejtje në gjoksin
E të përbuzurit, një oqean që s’do të thahet kurrë
Efikas si shkretëtira për të dehidratuar trupa dhe ashpërsuar shpirtra
Efikas si nofullat e një hijene për të mbllaçitur gjymtyrët e trupave të
Pambrojtur të të vdekurve

EFIKAS
Efikas është veprimi im

III. Të veproj, unë vij

Po hap derën brenda teje, po hyj
Të veproj,  unë vij
Jam këtu
Të t’mbroj
Ti nuk je më e braktisur
Ti nuk je më në vështiresi
Litarët e tyre janë zgjidhur, sikletet e tua kalojnë
Makthi që të la te drobitur s’është më
Unë po të mbaj me shpatullat e mia
Me mua ti hedh
Hapin e parë në shkallën e pafundme
Që të transporton
Që të ngre lart
Qe të përmbush

Unë të paqtoj

Po shpërhap pëlhura paqeje mbi ty
Po përkund fëmijën e ëndrrës tënde
Buroj

Buroj nga gjethet e çara rrathë  imazhesh  përqark gruas së frikësuar
Buroj nga dëbora e zbehtësisë së saj
Buroj nga frymëmarrja e saj…dhe zjarri ndizet sërish.


TË VEPROJ, UNË VIJ

Mendimet e tua për sulmet janë të mbrojtura
Mendimet e tua për dështimet, dobësitë
Forca ime është në trupin tënd, ka zënë vend aty
…dhe fytyra jote, shrrudhoset, rinohet
Sëmundja nuk të prek më
Frika të braktis


Paqja e qiejve
Paqja e lëndinave të lulëzuara
Paqja kthehet tek ti
Në emër të numrit më të lartë, unë po të ndih
Si një krater tymosës
Gjithë peshën e ngre prej supeve të tua të kërrusur
Këto koka të çuditshme rrotull teje
Vëzhguesit helmues të mjerimit të atij që është i dobët
Nuk mund të t’shohin më
Nuk ekzistojnë më

Një grumbull përforcimesh
Krejt mister nga thellësia
Si një zgjim nënujor
Si një këngë baritone
Unë vij
Kjo këngë të merr
Kjo këngë të ngre
Kjo këngë merr shpirt nga shumë burime
Kjo këngë ushqehet nga një Niagarë qetësie
Kjo këngë është e tëra për ty

Jo më vargonj
Jo më hije të errëta
Jo më frikë
Nuk ka asnjë gjurmë të tyre
Nuk ke nevojë për to
Atje ku pati dhimbje, ka pambuk
Atje ku pati plagë, janë mbyllur
Atje ku pati infeksion, ka gjak të ri
Atje ku pati drynë të mbyllur, ka det të hapur
Det që të mbart, dhe plotësia jote
E paprekur, si një vezë e fildishttë

Unë kam larë fytyrën e të ardhmes tënde.

Një shenjt

Kur po vërdallisesha nëpër trupin tim të mallkuar, mbërrita në një zonë ku pjesët e vetvetes ishin të pakta në numër dhe goxha larg nga njëra-tjetra, të jetoje atje, duhej të ishe një shenjt. Shumë kohë më parë, unë kisha dashur vërtet të isha një shenjt, por tani që sëmundja po më detyronte drejt shenjtërimit, unë e luftova dhe vazhdoj ta luftoj, dhe është e qartë qe nuk do të mbijetoj dot kështu.
Nëse do më ishte dhënë mundësia, mirë! Por të më detyrojnë me forcë-jo, këtë nuk e duroj dot.

Ulërima

Një thua i infektuar shkakton vuajtje të tmerrshme. Por, ajo që më bënte të vuaja më shumë ishte fakti që nuk mund të ulërija. Sepse isha në një hotel. Sapo kishte rënë nata dhe dhoma ime ishte midis dy te tjerave ku kishte njerëz që flinin.
Kështu që, mora një daulle të madhe nga kafka ime, një tunxh, dhe një instrument më me shumë rezonancë se një organo. Tani, duke perdorur fuqinë e jashtëzakonshme që më vinte nga temperatura e lartë, krijova një orkestër shurdhuese me instrumetat. Gjithçka dridhej nga vibrimet.
Pastaj, i sigurt më në fund që zëri im nuk do të degjohej në gjithë këtë zallamahi, fillova të ulërij, të ulërij për orë të tëra, dhe pak nga pak, arrita të ndjehem pak më mirë.


Nga Copëza dijeje

Sa më pak të urryeshëm do t’ishin njerëzit, poqese secili prej tyre nuk do të vishte një fytyrë.
.   .   .
Në moshën tetë vjeçare, akoma ëndërroja të më jepej statusi i bimës.
.   .   .
“Urdhëro brenda,” tha peshkaqeni, dhe e kullufiti. Peshkaqeni ishte njeri-ngrënës, por ishte një epokë mirësjelljeje.
.   .   .
Brenda shalqinit, rrihte një zemër.
.   .   .
Nuk mund ti shohësh presjet, mdis shtëpive, dhe kjo e bën leximin e tyre kaq të vështirë dhe ecjen në rrugë kaq rraskapitëse.
Fraza në qytet është e pafund. Por është magjepsëse, dhe fshatrat braktisen nga njerëz qe dikur ishin fermerë të fuqishëm dhe tani duan të shohin me sytë e tyre tekstin e admirueshëm për të cilin të gjithë po flasin, kaq i vështirë, shpesh i pamundur për tu ndjekur.
Kjo, megjithatë, është ajo çka përpiqen të bëjnë këta punëtorë kokëfortë, të ecin pa pushim,të merren me sëmundjet e kanaleve të kullimit dhe fasadave leproze teksa kalojnë andej pari, dhe kutpimi i pakapshëm,vazhdon tu shpëtojë, të dehur me varfëri dhe rraskapitje, ata enden para vitrinave të dyqaneve, duke humbur qëllimin me raste, por jo kërkimin…dhe ky është fundi per fshatin tonë të mirë!
.   .   .
Lulezim-kujdes! Në vend të kësaj, shkruaj për qarkun e shkurtër. 
.   .   .
Ëndërr me kalë: Kali, pasi hëngri karrocën që tërhiqte, sodit horizontin.
.   .   .
Veshët tek njerëzit nuk janë shumë të mbrojtur. Mesa duket, fqinjët nuk u përfshinë në plan.
.   .   .
Jeta ime: tërheq zvarrë një karrocë bebesh nën ujë. Ata që kanë lindur të lodhur, e dinë për çfarë e kam fjalën.
.   .   .
Pa kthyer përgjigje, tibetiani nxorri fyellin e tij stuhi-nxitës dhe ne u bëmë të gjithë qull nën dritën e vetëtimave.
.   .   .
Në Siam, përdorin bindjen e tigrit për të ndjekur instiktet e tij mizore me qëlim që ta joshin drejt një qingji që blegërin, mbi një gropë të thellë ku ai më pas do të japë shpirt, duke nxjerrë tym nga zemërimi që si budalla e la veten të zbulohej nga bastardë frikacakë kaq inferiorë ndaj tij ne çdo aspekt.
.   .   .
Jo gjithcka është e fortë te krokodili. Mushkëritë e tij janë sfungjerore, dhe ai ëndërron buzë ujit.
.   .   .
Gëlltit gozhdët, anija shkatërrohet dhe ujërat bëhen sërish të qeta.
.   .   .
Çdo shekull ka meshën e tij të madhe.  Çfarë është duke pritur ky shekull  që të organizojë një festë të madhe neverie?
.   .   .
Përçartjet e zogut nuk kanë asnjë interes për pemën.
.   .   .
Në pervojën time të konsiderueshme, thotë Sunyair, Universi është një gjë e madhe, e komplikuar dhe sipërfaqësore, i cili shfaqet në një pjesë të ditës, pothuajse gjithmonë e njëjta, dhe mesa duket, kaq mirë e ngulur në ato momente, sa quhet “realitet.”
Po, duket sikur ka lidhje logjike, por vetëm për pak kohë, dhe pastaj rrokulliset sërish në humnerën indiferente.
Duke qënë se është kështu, nuk kemi nevojë për shumë nxitje që të flemë si trungje.
Tundimi për të fjetur në shtratin e nënës dhe për të vrarë babain përbën kurthin e parë prej Sfinksi të jetës, të cilit ne duhet të jemi në gjendje ti përgjigjemi me trurin akoma teëpaformuar mirë- një kurth në të cilin  bien natyra të sëmura, që janë  të dënuar përgjithmonë të keqgjykojnë pengesat dhe te  mbivlerësojne kënaqesitë. Testi qe natyra na shfaq pabesisht do të ekzaminohet më vonë, por shenjat që ata do të jenë gjithmonë magjepsës është e dukshme tashmë: dhe në fakt, ja ku janë, pesëmbëdhjetë, njëzet vjet më vonë, të shqetësuar, me kokë të kthyer pas në vend që të shohin përpara, duke rrëfyer veten me mjerim para te huajve  zhbirues, duke u bërë preja e tyre e paralizuar, si fëmijë, si fëmijë- tama ashtu siç pritej.
.   .   .
Ai që fsheh të çmendurin brenda tij, vdes pa zë.
.   .   .
Në këtë shekull, fallusi po kthehet në dogmë.
.   .   .
Një kazan me mendime që i duket vetja njeri.
.   .   .
Edhe nëse është e vërtetë, është gënjeshtër.
.   .   .
Ai që këndon në kor, do ta degdisë vëllain e tij në burg kur ti kërkohet.
.   .   .
Ai që lë një gjurmë, lë një plagë.
.   .   .
Ai që ka flakur tutje demonët e tij, na mërzit për vdekje me ëngjëjt e tij.
.   .   .
Kur dikush shikon seminaristët- që së shpejti do të bëhen Doktorë në Teologji- tek luajnë duke gjujatur një top futbolli ,  priret të vëzhgojë se mesa duket është më e lehtë  peë tigrin të jetë plotësisht, dhe me dinjitet, një tigër, sesa për njeriun të jetë njeri.
.   .   .
Pas dyqind orë hetimi të pandërprerë, Bousset1 do të kishte rrëfyer që nuk besonte në Zot.
Kur ai deklaronte besimin e tij, ata duhej të ishin përgjigjur  ”Jo.” Kur ai ishte duke e deklaruar për të njëmijtën herë, ata duhet të kishin kërkuar “Më shumë! Më shumë!” dhe ta detyronin të recitonte sërish, nga e para, të gjithë historinë, pa ndaluar, çdo herë. Do ta kishin parë të shembej, të rrëfente, sapo të arrinin tek ajo shtrese\ë e vetes ku nuk mbetet më asnjë siguri.
Ai ishte me fat- bishopi kaq i sigurt në vetvete- që jetonte në një kohë kur nuk dinin të t’hetonin me imtësi. Ai përfitoi nga kjo dhe u përpëlit në të.
Ashtu si ne, gjithsesi, ai kishte nevojë te pushonte që ti vinin ide. Përndryshe, idetë do ti fluturonin nga koka, ashtu siç ndodh shpesh. Mendimet e vërteta, e keni parasysh? Nëse mund ti gjesh sërish, je për bukuri.
Por mund ta lexosh atë përsëri e përsëri, ai s’ia kishte fare idenë.
.  .  .
Zemra e një njeriu të ndjeshëm, vuan me tepri për të qënë në gjenjde të dashurojë.
.   .   .
Që të kuptojë, inteligjenca duhet të ndyjë duart. Mbi të gjitha, para se të ndyjë duart, duhet të lëndohet.
.   .   .
Gjithçka që s’është njerëzore rreth njeriut, e bën atë njeri. Sa më i madh numri i njerëzve në tokë, aq më i madh dëshpërimi.
.   .   .
Ai që fiton me plehra, fryhet shumë kollaj.
.   .   .
Një shkencetar do të çohet më kollaj të mbyllë një derë që përplaset vazhdimisht nga era, sesa të ndalojë një vrasje që po ndodh në dhomën ngjitur. Kjo, sepse ai e di çmimin e qetësisë, ai ia kushton jetën llogaritjeve dhe mendimit. Ata që janë përjetësisht të shpërqëndruar, le të merren me shpërqëndrime…
.   .   .
Mos u hiq si krenar. Të marrësh frymë ështeë të kesh bërë një lëshim tashmë. Të tjera lëshime do pasojnë, secili duke iu përshtatur tjetrit. Ja ku është një. Mjaft, le ti japim fund.
.   .   .
Jeta ime

Ti poi kën pa mua, jeta ime.
Ti rrokullisesh tutje.
Ndërsa unë pres akoma të bëj lëvizjen time.
Ti ke filluar betejën tashmë
Dhe mua më braktise rrugës.
Kurrë nuk të ndoqa pas, këtu qendroj.
Se ku ti pomë shpie, nuk e shoh dot qartë.
Atë fare pak çka dua, ti kurrë s’ma jep.
Për shkak të kësaj mungese, unë deshiroj
Kaq shumë gjëra, pothuajse gjithçka…
Për shkak të kësaj fare pak çka dua, e që ti kurrë s’ma jep.

Përktheu: Mirela Kapaj