25 August 2012

AHMET ZOGU - NJE BARBAR I PAQENDRUESHEM E BUKESHKALE - nga F.Konica

 AHMET ZOGU -  NJE BARBAR I PAQENDRUESHEM E BUKESHKALE - nga F.Konica
Rrëfimi i Faik Konicës për Ahmet Zogun
 

Të premten e zezë, më 7 prill 1939, ndërsa mbretëresha Geraldinë e Shqipërisë ishte e sëmurë në shtrat, pasi dy ditë më parë kishte lindur një djalë, fashistët pa asnjë provokim të dukshëm dhe pa shpallur luftë, pushtuan Shqipërinë, një vend të paarmatosur, pothuaj pesëdhjetë herë më të vogël sesa agresori.
Kjo bëmë e lavdishme ngjalli xhelozinë e mbretit Zog të Shqipërisë, i cili nga dëshira për të hyrë në garë me një heroizëm kaq të madh, ua mbathi me të shtënën e parë dhe i la atdhetarët shqiptarë të luftonin të vetëm kundër forcave me epërsi dërrmuese.
Përbuzja e botës së qytetëruar qe madje më e madhe se tmerri për agresorët fashistë, ndërsa sa për të kapërcyer ato momente në mënyrë të mëshirshme, ajo e përmbajti opinionin e saj për dezertorin shqiptar.
Ndodhi që në atë kohë unë isha përfaqësues diplomatik i Shqipërisë në Uashington, ku isha vendosur që më 1929 si i dërguar i vendit tim, për rilindjen e të cilit kisha punuar që në rini. Qeveria amerikane duke iu përmbajtur politikës së vet për të mos njohur ndryshimet tokësore të bëra me “metoda gangsterësh”, vijoi të më quante si përfaqësues ligjor të Shqipërisë. Për më tepër, ky vendim lidhur me gjendjen time u bë më i lehtë nga fakti se fashistët, në fillim duke e paraqitur veten në mënyrë mjaft të çuditshme si “çlirimtarë” të Shqipërisë dhe jo si dhunues të lirisë së saj, u kujdesën që të ngrinin një qeveri shqiptare të rreme, që e mbajti shërbimin diplomatik. Por italianët, të cilët në kundërshtim me vendin e tyre madhërisht të shquar në historinë e kulturës, disa herë na shfaqen më të zgjuar sesa inteligjentë dhe që gjithmonë kanë qenë të përmendur për padurimin e tyre, nuk mund ta mbanin më në këmbë një mashtrim që ishte i leverdishëm për prestigjin e tyre duke i hedhur një vello, sado të hollë, dhunës së tyre, kështu që nga mesi i korrikut qeveria – kukull e Tiranës mori urdhër të mbyllte legatat dhe konsullatat shqiptare jashtë shtetit. Njëkohësisht të dërguarit e vendeve të ndryshme, duke përfshirë edhe të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të vendosur në Tiranë, u informuan në mënyrë mjaft të papritur se statusi i tyre diplomatik nuk do të njihej këtej e tutje. Shumë shpejt pas kësaj, që të jemi të përpiktë më 24 korrik 1939, Sekretari i Shtetit më thirri në Departamentin e Shtetit dhe më njoftoi se, mbi bazat e reciprocitetit, ai ishte i detyruar ta quante se misioni im kishte marrë fund. Zoti Kordel Hall, i cili u bë edhe më i mirësjellshëm sesa ishte zakonisht, me sa duket e kuptoi habinë time të pashprehur për diskriminimin e dukshëm kundër Shqipërisë në krahasim me trajtimin që i ishte bërë Çekosllavakisë, i dërguari i së cilës vazhdonte të njihej si përfaqësues ligjor i kombit të vet. Zoti Kordel Hall më shpjegoi se ndryshimi në trajtim vinte për shkak se “ndryshimi i Çekosllavakisë ndodhi brenda një nate”, ndërsa në Shqipëri ndryshimi ishte bërë shkallë-shkallë. Unë nuk kam dyshim se ky shpjegim ka baza mjaft të shëndosha, por më duhet të pranoj se unë nuk arrita ta kuptoja. Megjithatë nuk e ndieja se kisha të drejtë të kërkoja shpjegime. Pasi dëgjova që në fillim pa e hapur gojën, e falënderova Sekretarin e Shtetit për shumë qëndrime të mirësjellshme gjatë misionit tim dhe u largova.
Është e tepërt ta them se isha i hidhëruar për gjithçka nënkuptonte ky epilog i trishtuar lidhur me të ardhmen e vendit tim, por njëkohësisht më duhet ta pranoj se pata një farë ndjenje të lehtësimit vetjak. Është e qartë se pozita e një njeriu, që pranohet si i dërguar i ligjshëm i një kombi dhe megjithatë nuk përfaqëson dot një qeveri reale, është e hapur për shumë gjëra të pakëndshme. Kjo më kujton një aktor të Shopenhauerit, i cili vijon të luajë pasi ka mbaruar shfaqja dhe është ulur perdja. E ndieja veten edhe më të çliruar megjithatë, sepse lidhja ime me Zogun ishte shkëputur përfundimisht.
Asnjëherë Zogu nuk ka qenë një sundimtar me të cilin mund të merreshe vesh, por në vitet e fundit ai ishte bërë i padurueshëm. Nga natyra ai kishte disa cilësi të shquara dhe në fillim kishte zotësinë t’i maskonte të metat që i kishte më të shumta, derisa një ditë suksesi në rritje e shtyu të hiqte maskën dhe doli siç ishte: një barbarë i paqëndrueshëm dhe bukëshkalë. Por edhe për ata që u pëlqen, edhe për ata që nuk u pëlqen, ai mbetet një karakter enigmatik interesant, një përzierje e papajtueshme kontradiktash, gjysmë hero e gjysmë karagjoz, i cili për shumë kohë do të tërheqë si mbledhësin e çudirave të historisë, edhe studiuesin e psikologjisë. Disa herë më kanë kërkuar të shkruaj një libër të shkurtër për këtë personazh kureshtar. Kam qenë në mëdyshje për shumë kohë, kryesisht sepse jam zënë prej disa vjetësh me planin për një histori të Shqipërisë, të mbështetur në kërkime të mundimshme, që përfshijnë studimin e dorëshkrimeve të pabotuara në bibliotekat e Evropës. Megjithatë, në çastet e çlodhjes, duke shfletuar faqet e ndonjë autori të kohës së Elizabetës siç bëj herë pas here, më duket se kam parë ndonjë fanepsje të Zogut në pjesën e Shekspirit për mbretin Xhon dhe Dogberrin ose në veprat e Marlout për Mortimenin e Ri dhe Çifutin e Maltës. Shkurt, Zogu që nuk më ka interesuar asnjëherë si sundimtar, më në fund më preku fantazinë si subjekt anatomie. Zaret u hodhën. E ndieja se duhej të shkruaja diçka për të.

Faik Konica