12 February 2017

🟣 Stina e mjekrrave të hajthshme - nga Kolec Traboini

STINA E MJEKRRAVE TË HAJTHSHME

Nga  KOLEC TRABOINI

Jemi mësuar që me mjekra të shohin figurat e shënjtorëve. Padyshim edhe në fytyrat e heronjëve të lashtësisë, të filosofëve e artistëve, në shtatoret që ka ruajtur dheu, pas rrënimeve që solli sa natyra po  aq vetë njeriu, gjejmë pra figura me mjekërr. Krishtin e Muhametin padyshim nuk mund ti përftyrojmë pa mjekërr. Kristianët ndërkohë që ruajtën shumëçka nga mësimet e Krishtit, apo simbolikat që lidhen me të, si ta zëmë zakoni i pirjes së verës, nuk u ruajt nga katolikët  mjekrra,  e mezi po  kemi aty këtu  ndonjë prift me mustaqe. Orthodoksët me pretendimin se vetëm ata janë kristianët e vertetë e të drejtë, e ruajtën mjekrrën si simbol. Kështu kudo që gjen priftërinj orthodoksë gjen dhe mjekrra, madje kreshnike.
Ndërkohë popullsia që i përkiste këtyre kontensioneve fetare kristiane  nuk u tundua të mjekërrzohej,  madje edhe ata që e kishin  e hoqën sepse kësisoj sillte një pastërti më të madhe dhe bukuri në paraqitje. Klerikët islam e ruajtën edhe ato si orthodoksët  simbolikën mjekërrore, dhe me një fanatizëm fetar u krijua një mikroklimë e tillë që mbajtja e mjekrrës të shprehte edhe përkushtimin e thellë deri në sakrificë  ndaj fesë,  shto mbajtjen e gjithçkaje të vjetër në mosndryshim përballë një bote që gjithnjë ndryshonte mënyrën e jetesës.
Kuptohet se Shqipëria këtë mjekërrzim të shfaqur si përkatësi fetare pas pavarësisë mund të ketë ruajtur aty këtu, por nën influencen e kulturës perëndimore ku shumica e shqiptarëve të rinj kryenin studimet, bëri që mjekrra sa vinte e humbiste terrenin në fytyrat e shqiptarëve. Kuptohet se me ateizmin e sistemit monist, anipse nuk e ndaloi mjekrrën me ligj, nuk u duken më mjekrrat në Shqipëri. Kjo ka edhe spjegimin tjetër veç asaj që u quajt shfaqje e huaj, ku kishin kohë shqiptarët të merreshin me përformimin e mjekrrave kur kishin aq shumë telashe e aq shumë pamundësira.
Por erdhi demokracia sado e kufizuar që lëshoi shumëçka në udhë të vet pa krye. Kësisoj u rishfaqën edhe mjekrrat,  paradoksalisht erdhën në një kohë që kishte shumë varfëri e  pisllëk dhe kësisoj të mjekërrzuar rishtazi nuk u panë for hijshëm nga popullsia. Të ishe emigrant e të mbaje mjekërr tregonte se ose nuk kishe një strehë, nuk kishe as mundësi të laheshe e  të rruheshe, ose ana tjetër imitoje artistët estravagantë perëndimorët të viteve 60-70 për të mos u dukur si një fshatar i provincave të humbura të Shqipërisë mbetur në izolim për pesëdhjet vjet. Por edhe kjo faze e dhjetvjeçarit të fundit të shekullit XX u krye e në fillimin e shekullit të ri nisi të bjerë interesi për mjekrrën si maskim apo si tendencë për tu shfaqur medemek europian i kulturuar, së pari se europianët e tejkaluan edhe vetë këtë mode, por edhe shqiptarët nisën ti kushtojnë më shumë  vemëndje pastërtisë aq më tepër se mjekrra nisi të marrë një simbolikë tjetër, atë të fanatizmit fetar orjental.
Shfaqja në këtë botë e Bin Ladenit dhe pasuesve të tij solli edhe erën e re të mjekërrzimit, tashmë jo si modë por si një unitet e manifestim fetar. Këtu nuk kishte më asnjë rëndësi a i kishe kushtet të mbaje mjekërr në aspektin se ajo kërkon pastërti, përkundrazi lihej me një rritje të lirë e pa asnjë rregull estetik, si punë shkurresh të egra. Ndryshe nga njerëzit e kulturës dhe të artit që nëse linin mjekërr bënin kujdes për të duke i lënë vend që të shprehin talentit e vet edhe berberët stilistë, këta të tjerët, që i përkisnin njerëzve që nuk kishin fare të bënin me kulturën, të jepnin përshtypjen se je përpara një pylli ku mund të rriteshin të gjitha llojet e bimëve e drurësh e askush nuk tregonte kujdes për të. Kush ka patur rastin të udhëtojë nëpër kësisoj pyjesh që u themi të virgjër, një lloj xhungle, gjithmonë është shoqëruar me një frikë drithëruese,  e spjegueshme kjo prej drojës se prej këtij pylli mund të shfaqej befasisht çdo lloj kafshe e egër dhe e rrezikëshme. Në fakt kësisoj edhe ka ndodhur e  jo vetëm në pyjet por edhe në shoqëritë njerëzore. Të drithëron e tmerron mendimi i kamikazhëve që shfaqen krejt ngjashëm me daljen e kafshëve të egra nga pylli dhe hedhin në erë avionë udhëtarësh, stacione trenash apo lokale publike pa patur mëshirë për njerëzit e pafajshëm.
Tashmë mjekrrat tek ne janë një realitet, ndoshta jo dominues e zotërues por kanë zënë të shfaqen e të fitojnë mjaft terren në përditshmëri. Ca thonë se për mbajtjen e mjekrrës dikush andej nga thellësia e Orjentit edhe të stimulon, të lidh një pension të vogël të paktën sa për të mbajtur frymën se ky shtet të lë të vdesësh urie. Pra paskemi në shoqërinë shqiptare edhe një kategori mjekërrzimesh për mbijetesë. Nuk ka pse tu themi “Pse?” këtyre njerëzve sakohë që shteti dhe instancat e pushtetit e politikës as që e vrasim mendjen se si ti zgjidhin problemet e papunësisë që është kryeproblemi vrastar i këtij vendi.
Ka edhe një grupim fetaresh islamikë të cilët mbledhur pas një sekti konservator e fanatik e manifestojnë mjekërrzimin duke e bërë sa më të pranishëm në shfaqjet publike me qëllim të përhapjes së itharëve të saj. Shumimin e mjekrrave publike ata e konsiderojnë një fitore që do të kurërozohet me islamizimin politik dhe me premisë marrjen e pushtetit. Ata janë programuar asisoj dhe janë në vazhdën e punës së vet, me një kushtëzim,  sa më e mjeruar të bëhet jeta e njerëzve aq më dominant do të jenë ata, radikalët fetarë. Megjithëse frikë e panik nuk ka pse të kemi, por gjithësesi mendjelehtësia e figurave të politikës e të pushtetit të cilët nuk bëjnë asnjë kujdes për njerëzit,  por i lënë ata në fatin e vet të mjerushëm, është një ndihmesë e madhe për shkarjen në ekstremizma të shumëllojshme.
Po a është çdo lloj mjekërrzimi shfaqje e mentalitetit fetar? Sigurish që jo.  Dhe padyshim që askush nuk ka ndërmënd të diskriminojë ata që e kanë mbjellë rasatin e mjekrrave në fytyrë të vet  sepse jetojmë në një vend të lirë,  por nuk është e drejtë dhe as e dobishme të jemi indiferent, të bëjmë sikur nuk shohim, të bëjmë sikur nuk ka probleme në këtë vend, dhe se edhe shfaqja e shumimi i mjekërrzimit nuk e ka një shkak e nuk e ka edhe një kosto, akoma më tepër  dhe një pasojë në balancat sociale në aspektin e larmisë së religjioneve në Shqipëri.
Përtej kësaj,  vihet se se ka edhe një mjekërrzim allasoj, pak më kontemporan që mund ti kenë nën ndikimin e disa artistëve me famë por ekstravagant. Dihet se një shoqëri foshnjore në zhvillimin e kulturës i shfaqet një mani kolektive, si një lloj majmunërie duke imituar gjithçka çfarë sheh në botën e zhvilluar. Thamë se disa të rinjë shqiptar, pas hapjes së Shqipërisë, nisën të imitojnë ato moda e modele që kishin parë në ekranet televizive e që për ta qe e ndaluar. U shfaqën mjekrrat artistike( artistike u thënshin) ca si Kardinali Rishelje, ca si Don Kishotë e ca të tjerë me mjekrra piktoreske alla Miguel de Cervantes Saavedra. Në të vërtetë këta u shfaqen si ilaritete sepse ajo kohë ishte e perënduar në modë. Kësisoj mjekërrzimi me tendenca të sforcuara deri në raskapitje për tu dukur modern, në të vërtetë tregonte diçka tjetër,  se sa anakronikë e démodé jemi. Gjithësesi këta lloj mjekrrash janë me shpenxime, madje shpenxojnë më shumë kohë e para se vetë gratë e tyre. Dhe ja ku i kemi edhe në parlament edhe në qeveri edhe në krye të insitucioneve mjekërrzimet  “artistike”.  Ca me humor thonë ( ndoshta zërat dalin nga opozita) se Kryemimistri, meqë i ka dobësi kategorinë e njerëzve me mjekrra të estetizuara skajshëm, kur hartonte listen e drejtuesve të institucioneve i binte ballit me dorë se nuk po gjente në Shqipëri njeri me mjekërr intelektuale të denjë ta zëmë për drejtor të Galerisë së Arteve. Pa ç’pa dhe e tërhoqi një emigrant shqiptar nga Franca. Tani në të vërtetë Galeria e Arteve Figurative,  ka një drejtor me një mjekërr të stilizuar pak si Vincent e pak si Paul Gauguin, e denjë për tu shfaqur si progres shqiptar në kulturën europiane. Por ama ekspozitën "PranverArt 5" e pamë në Muzeun Historik Kombëtar e jo në Galerinë e Arteve, çfarë tregon se mjekrrat institucionale  i kemi të bukura, progresive, por punët nuk i kemi po aq.
Por shkoni më tej e vini re me kujdes kush janë drejtuesit e institucioneve kryesore kulturore në Tiranë. Pas Galerise, kaloni tek Teatrin Kombëtar që është fare pranë. E njëjta zgjidh-zgjedhje… Aq ngushtë ka vajtur puna sa dalin fjalë hokatare se ka një inkursion të fshehtë të pozitës për ti marrë apo huazuar ndonjë  figurë mjekrrore opozitës për ta vënë në krye të ndonjë institucioni, e nuk është çudi të riciklohet edhe ndonjë mjekërr  mberthejcore. Ca thonë se Kryeministri edhe këshilltarët i zgjodhi me mjekrra artistike, por më tej edhe një këshilltar nga Kosova që piketoi ishte i stafit filosofik mjekrror, a thënë ndryshe, mjekrra më e hijshme e Prishtinës.
Kësisoj, që të rrimë shtrëmbër por të flasim drejtë, mjekrrat nuk i kemi vetëm tek Xhamia e Dine Hoxhës në rrugë të Kavajës apo dhe rreth xhamive të tjera, nëpër dyqanet e shumta “Hallall” që kanë zënë çdo skutë të Tiranës, të cilat e vënë në panik për ardhmërinë deputetin socialist Blushi, por i kemi edhe nëpër institucionet kryesore të kulturës.
Madje, hëmmmm…., në parlament, në krahun e majtë të deputetit socialist Blushi qëndron një mjekërr socialiste madhështore e denjë për tu bërë ministrore, por ideale do të ishte të bëhej edhe mjekërr presidenciale.
Mesa duken bathët në këtë provincën tonë habitore,  këto mjekrrat institucionale për të cilat tregohet përkujdesje qeveritare nuk ja zënë sytë askujt, madje as opozitës,  sepse shihen si mjekrra të hajthshme, të buta.
Botuar në gazeta SOT 24 prill 2014, f.17

10 February 2017

Epika blu e Edison Gjergos / nga Kolec Traboini

Edison Gjergo: Epika e yjeve të mëngjesit" 1971


EPIKA BLU E EDISON GJERGOS 

Edison Gjergo në artin figurativ shqiptar u shfaq si një meteor në errësirën e sistemit diktatorial, një novator i madh i cili guxoi që me talentin e vet të thyej kanonet e ngurta të real-socit. Nuk ja falen as atëherë e as sot dishepujt e komunizmit. Ky dimension i madh vazhdon të mbahet prej sherbestarëve mediokër në suazat e vogla të egoizmit post komunist. Ishte një piktor aq i madh, sa tragjizmi përtej individuales është kryekreje për artin shqiptar, sepse Edison Gjergo nuk arriti të jetonte kohën e lirisë së krijimit. Kush e di çfarë mrekullish do të realizonte ky artist origjinal e i pakrahasueshëm.

Nga KOLEC TRABOINI

Piktori Edison Gjergo [1939-1989]
"Epika e yjeve të mëngjesit" -  për një vepër oil në canvas, me dimensionet e telajos 179 x 119.5 cm, krijuar në vitin 1971  u dënua me burg  Edison Gjergo (1939 -1989). Siç dënohej e pushkatohej njeriu për fjalën ashtu dënohej edhe për ngjyrat.
 Ishte një urrejtje e egër ndaj këtij piktori prej atyre që mbanin skeptrin e pushtetit. U lëshuan me tërbim sikur Edison Gjergo të kish bërë një kundërrevolucion dhe u rrezikonte pushtetin që e  mbanin me dhunë. Në fakt ai kishte derdhur në telajo plot fantazi e frymëzim kurrgjë më shumë se një episod të luftës, por të parë krejt ndryshe e jashtë skemave të kohës.  Një fundnate e thellë, një rapsod  i tretur deri në asht me lahutë këndon një këngë epike për disa partizanë nën një sfond blu të qiellit ku ndrisnin yje të largët e të ftohtë. Gjithçka e mbajtur në tonet dominuese blu me disa  fraktura të telajos të kuqe të ndezur e të zezë.  Por luftën ata e donin të ndritur, farfuritëse, bubullitëse, ditën për diell, me partizanë viganë, me urra, me njerëz që hidheshin mbi topa, mbi tanke, që i prisnin plumbat me gjoks, gjithçka në eufori...
Megjithëse diktaturë ajo kohë  pas vitit 1970, ishte një gjëndje kërkimi prej krijuesve për të sjellë pikvështrime,  mjete stilistikore shprehëse e subjekte të reja në art. Edhe në letërsi me tregimtarët e rinj apo poetët ndodhte po ashtu.  Bilal Xhaferri kishte shkruar një tregim me temë të përafërt, por në të vërtetë tërë tregimet e Bilalit ishin impresionante. Të rinjtë e brezit tonë si të thuash i përpinin tregimet e tij në faqen letrare të gazetës “Zëri  i rinisë”.  Me arratisjen e tij gjithçka që kishte shkruar u ndalua dhe u dogj si “Lirishta e kuqe”  poezi si dhe romani “Krastakraus” për epokën e Skënderbeut. Ruaj në kujtesë që  pas arratisjes së Bilal Xhaferrit në vitin e parë të studimeve  universitare arrita të gjej librin me tregime “Tokë e lashtë, njerëz të rinj” të cilin ma dha bashkstudentja e degës së gazetarisë Zenepe Çekrezi- Luka. Për të qënë të sigurt se nuk  do të na diktonin e spiunonin e kishim grisur kopertinën dhe nuk gjëndej në asnjë cep të librit emri i Bilalit. Por atë libër të ndaluar e lexonim dhe e kalonim dorë në dorë  si ungjill arti.
Edison Gjergo:"Vajza e re" 1972
  Duhet pranuar se megjithë frikën që ekzistonte,  krijuesit përpiqeshin të dilnin nga korniza, veçanërisht të rinjtë, kam parasysh edhe dramaturgun e ri Shpëtim Gina (13.12.1951-15.08.1974) që e kisha bashkstudent në Universitet, me dramën e tij “Armiqtë”,  vënë në skenë nga Mihallaq Luarasi. Shpëtimin  e mbyti sigurimi  në Mamurras , në lumin Drojë, sepse e kishin konsideruar si dramaturg dekadent.  E kishin venë në shënjestër dhe arritën ta eleminojnë më 15 gusht 1974.  Edhe ai kish guxuar të bënte një art ndryshe prej skematizmit të kohës. Në burg do të përfundonte edhe liriku më  i ndjeshëm i kohës Frederik Rreshpja, të cilin e njihja nga afër dhe kishim punuar bashkë në Kombinatin e Drurit në Shkodër. Nën këto influenca e dëshira për të bërë diçka ndryshe mbaj mend në atë kohë të kem shkruar edhe vetë ndonjë tregim  si "Stina kur pikonin yjet" ca partizanë që ecnin nëpër natë me shoqen e plagosur që u vdes në agim, apo një tjetër  “Në mesnatë” me të njejtën frymë,  por të dy  këto tregime m’i refuzuan kur botova librin e parë me tregime "Petalet e bajames së hidhur”, 1973,  ndaj pashë ç'pashë i zhduka. Dëshira të tilla dhe tentativa për t’u shfaqur sa më origjinal ndjehej kudo tek autorët e rinj. Por kur u zhvilluan pleniumet  famëkeqe për letërsinë e artin  dhe për mbarë krijimtarinë artistike, të tmerruar  shumëkush hoqi dorë nga krijimtaria, sepse ishte si të ecje mbi mina, ose përndryshe duhej të ecnin në trasenë e sigurtë të shabllonizmit e skematikës së real-socit.
Edison Gjergo ishte nga ata që guxoi dhe tërë rrufetë ranë mbi të. U mallkua publikisht dhe u dënua fizikisht. Ishte tmerr të mendoje se e kishin dënuar me burg për një tabllo, që fundja ishte temë e luftës, ishte me partizanë. Por atyre u duheshin disa viktima në art dhe do t’i gjenin patjetër. Siç gjetën edhe Maks Velon. Siç burgosën e pushkatuan pa mëshirë plot të tjerë. 
Burgu e dërrmoi piktorin. Arriti te shihte një ekspozitë të pranverës në fundin e jetës së vet ku tashme piktorët kishin arritur disi të shpëtonin prej diktatit të plotë. Kishte më shumë lirshmëri ngjyrash në telajo. Ai pikërisht për këtë ishte dënuar, kish humbur vitet më të çmuara të krijimtarisë. Por gjithsësi ai nuk mund të paraqitej në ekspozita. U  mbyll në vetvete e ra në një dëshpërim të thellë.  Ndrroi jetë në vitin 1989 në moshën 50 vjeçare.  Gjithsesi kjo punë e tij, kjo epikë blu në telajo e Edison Gjergos i qëndroi kohës. Lumturisht nuk është prishur. Eshtë shumë impresionante. Një dimension që i thyente tërë rregullat real-socit, mirëpo edhe sot pas dy dekadash që është shëmbur diktatura, ndërkohë që pak flitet për Edison Gjergon, na del ndonjë piktor si i suksesshëm por edhe i pompuar me mbështetje politike, që na e shet sapunin për djathë duke thënë se natyrat e qeta me lulkat e tij punuar asokohe ishin një dizidencë kundër sistemit monist.
Në të vërtetë dizidenca ishte Edison Gjergo me tabllonë e tij “ Epika e yjeve të mëngjesit” që sot ka një vlerë të madhe. Pse jo dhe “Metalurgu” realizuar në 1971 që ka të njëjtën frymë e teknikë dhe mbajtur me të njëjtën tonalitet ngjyrash ku mbizotëron kuq e bluja e Gjergos. Kjo pikturë epike blu e ky stil i tij origjinal shprehte dëshirat e krijuesve për të thyer skematizmin e kohës, atë ngurtësi që shterpëzonte e ndrydhte talentet. Dhe e bëri atë me dinjitet e me një sakrificë të jashtzakonshme. 
Piktori Edison Gjergo ndërroi jetë shumë shpejt, një fat vërtet tragjik i një talenti të madh që nuk arriti ta gëzonte lirinë e çlirimin prej diktaturës e të korrte frytet e veprës së vet,  si fati i shumë artistëve e mjeshtërve të mëdhenj të telajos.

Edison Gjergo: Portret 90x80, bën pjesë në koleksionin privat familjar dhe nuk është ekspozuar asnjëhere.
Edison Gjergo: Metalurgu 1971

Gazeta Drita, nr.2 nentor 2014 f.9

09 February 2017

Komandant Teli dhe Flamuri në Haraçinë - nga Kolec Traboini



 
NJË AMANET QË S'E TRET DHEU

11 vjet më parë, me 7 gusht 2001 ra me tradhti prej segmenteve të Shtabit të UÇK-së në bashkpunim me policinë sllavo-maqedone , në një shtëpi të Gazi Babës kryetrimi i luftës së shqiptarëve në Iliriadë Komandant Teli -Lefter Koxhaj, bashkë me luftëtarët e njësitit të tij “Teli-69”, Ndriçim Koxhaj, Pajtim Roçi, Arben Bajrami e Abaz Beqiri. Edhe sot e kësaj dite kjo tradhti ka mbetur enigmë por veç një gjë është e deklaruar që tradhtia ka ardhur nga segmentet e Shtabit të cilët i sakrifikuan e tradhtuan djemt e masakruar nga frika se u dështonin bisedimet që atë kohë zhvilloheshin në Ohër, çfarë përfundoi me vrasjen e djemve natën në gjumë pasi i kishin helmuar dhe firmosjen e  Marrveshjes së Ohrit, cila më shumë se paqen gjysmake na kujton Tradhtinë e Madhe.
Komandant heroik Teli, ka mbetur i gjallë në mendjen e zemrën e shqiptarëve
atdhetarë që mendojnë e punojnë për Bashkimin Kombëtar. Lavdi të përjetshme djemve që luftuan për ideale të mëdha kombëtare. Ideali i tyre le të vlojë në zemrat e të gjithë brezave të sotëm e të së ardhmes. Atdheu është kudo ku flitet shqip, kudo u është derdhur gjak shqiptar, e kudo ku pushojnë eshtrat e të parëve tanë.
Ky është amanet që s'e tret dheu...
Këtu keni një episod të luftës së Komandant Telit në Haraçinë pjesë e një libri që po shkruhet.

K. Traboini, 6 gusht 2012



KOMANDANT TELI DHE FLAMURI NE HARAÇINE
 
Ngjarje e jetuar 
Nga KOLEC TRABOINI

Një Flamur dhe një Hero. Koha i solli të dy në Haraçinë në një nga betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Beteja e Haraçinës i bashkoi edhe heroin edhe flamurin në një simbolikë me dimensione kombëtare. Flamuri kishte një histori të gjatë nëpër kryeqytetet e Europës. Heroi asokohe ishte ende fëmijë, ndoshta jo më shumë se dhjetëvjeçar diku në fshatrat e Skraparit kur flamuri shqiptar me shqiponjën e zezë dykrenare kish nisur të valëvitej në demostratat e shqiptarëve nën thirrjet “Kosova Republikë”.
Në vitet `90 ndodhën shumë ngjarje që do të shkruhen në histori. Me ardhjen e lirisë në Kosovë, Flamurit i kishte ardhur koha të qëndronte në familjen Abazi në Haraçinë. Ishte Flamuri i familjes, i krenarisë së saj si një vatër me tradita shqiptare.
Pranvera e vitit 2001 erdhi me luftëra në trevat shqiptare në Maqedoni. Jo vetëm njerëzit por edhe flamuri si simbol i indentitetit kombëtar u përfshi në këtë luftë.
* * *
Në fillim në Haraçinë u shfaq Teli me njësitin e tij special për të vëzhguar e pastruar terrenin. Më pas erdhën trupa të tjerë të UÇK-së dhe Haraçina u shpall zonë e lirë.
Armiqtë u përpoqën disa herë ta merrnin Haraçinën duke përdorur tërë arsenalin e ushtrisë. U përdorën armët më moderne. Tanket dhe avionet u vërsulën si të çmendur mbi atë Haraçinë që për nga shkalla e rezistencës po krijonte një legjendë. Ministri i brendshëm, Lube Boshkovski kishte deklaruar se duhej t`i bënin gati një kafe që ta pinte triumfator kur të mbërrinte në Haraçinë. Por ky ministër kriminel nuk e piu dot kafenë në Haraçinë. Në vend të kafesë e pritën me plumba. Aq e madhe ishte rezistenca e luftëtarëve sa nuk bënin punë as tanket e avionet.
Në një nga ditët e luftimeve më të ashpra, Komandant Telit iu plagos luftëtari më trim në njësit, Arben Bajrami. Sulmet e armiqve ishin të furishme dhe rrezikohej të çahej mbrojtja. Për të shpëtuar situatën Komandant Hoxha i dha urdhër Telit që bashkë me njësitin e tij të bënte një tërheqje taktike për të ruajtur forcat, por ai nuk u tërhoq. Përgjigja e tij qe: - “Vetëm më sillni armatim se po mbaron. Nuk i lë armiqtë të kalojnë veç mbi trupin tim”. Dhe armatimi erdhi. Madje erdhën edhe disa forca të reja të freskëta nga njësiti Skënderbeu. Veç ta shihje atëherë komandant Telin. I ngulur aty në llogore ai luftonte si një luan. Shokët e tij e shihnin dhe nuk u besonin syve. Tek shihnin Telin që luftonte atyre ju mbushej shpirti me besim. Atje ku ishte komandanti kishte vetëm fitore. Ndërkohë që në frontin përballë duke e parë se nuk po përparonin asnjë pëllëmbë tokë në Haraçinë kishte nisur paniku. Të vrarët ishin të panumërt. Por as që mund t`i tërhiqnin trupat e të vrarëve sepse zjarri që lëshonte Teli dhe njësiti i tij ishte i tmerrshëm. Dhe erdhi një çast kur trupat sulmuese që kishin ardhur me aq pompozitet, sapo u përhap fjala se përballë në front kishin Komandant Telin, i thërritën me zë të lartë njëri-tjetrit “"Begaj begaj ide Zhica (Ikni, ikni se po vjen Teli").
Gjatë ditëve të luftimeve kishte dhe situatë armëpushimi për tërheqjen e të vrarëve. Por ishin të shumta edhe situatat e tensionuara kur predhat binin kamos si shi i metaltë. Kaq i furishëm ishte sulmi i forcave qeveritare sa dikush hapi fjalë paniku sikur luftëtarët e derrmuar kishin ngritur flamurin e bardhë për dorëzim. Komandant Teli atëherë doli përballë ushtarëve të vet e u tha "Jo, nuk jemi dorëzue e as dorëzohemi për të gjallë".
Komandant Teli kishte parë në shtabin e improvizuar në një shtëpi një flamur, pikërisht flamurin e familjes Abazi që kishte kaluar nëpër tërë Europën dhe në Luftën e Kosovës.
“Ky është territor i lirë. Këtu do të valëvitet flamuri ynë kombëtar.”- tha komandant Teli. Dhe urdhëroi komandantin e policise ushtarake të brigades 114 Jahi Vishticën, të ngrinte Flamurin e kuq me shqiponjë dykrenore. Dolën Jahi Vishtica, Xhezmi Nebiu dhe Baki Abazi dhe e vendosen flamurin. Gjatë gjithë ditëve të betejave ai flamur qëndroi në ballë të Haraçinës.
Armiqtë që ishin vendosur përballë e kishin halë në sy atë flamur dhe meqë nuk arrinin të çanin frontin e mbrojtjes së luftëtarëve të UÇK-së, menduan të përdornin ndonjë mënyrë djallëzore për t`ua ulur frymën luftarake. Nisën disa forca speciale me qëllim që ta rrëmbenin flamurin e kuq me shqiponjën e zezë, pastaj atë rrëmbim ta trumbetonin si një fitore, sikur shqiptarët ishin tërhequr në panik dhe kishin lënë jo vetëm të vrarë, por kishin braktisur edhe flamurin kombëtar.
Ne realizim të planit djallezor filluan të qëllonin me breshëri në distancë mbi flamurin. Qëlluan aq shumë e pandërprerje dhe prisnin që me t`u rrëzuar flamuri nga shtylla, të lëshonin forcat speciale për ta rrëmbyer. Një ushtar e njoftoi Komandant Telin se ç’ po ndodhte në hyrje të Haraçinës: - “Armiqtë po duan të na rrëmbejnë flamurin.”
Djemt ushtarë të UÇK-së u përpoqen disa herë por ishte e pamundur të afroheshe pranë shtyllës ku qe vendosur flamuri për shkak të breshërisë së plumbave të forcave qeveritare.
Por erdhi një çast që flamuri u shkëput dhe ra. Nderkohë Komandant Teli erdhi me një frymë në vendin ku po luftohej për një flamur. Pa edhe disa forca speciale në frontin përballë që nisën të përparonin drejt vendit ku kishte rënë flamuri. Atëherë ju tha luftëtarëve të vet ta mbështesnin. Filloi një zjarr në të dy krahët. Nuk kish më kohë të mendohej se çfarë duhej bërë. Nuk e pa të udhës të urdhëronte ndonjë nga djemtë të shkonte të merrte flamurin në mes të breshërive të vdekjes.
I pa shokët në sy. Kish një dashuri aq të madhe të Komandantit për ushtarët e vet. Jo ai nuk mund të sakrifikonte asnjërin prej tyre. Shpëtimi, ushtari i tij trim që kish luftuar në Kosovë dhe në Luginë të Preshevës ishte vetëm 21 vjeç, të tjerët po ashtu.
Si e vrojtoi terrenin me kujdes krejt papritur, me një shpejtësi e shkathtësi që vetëm ai mund ta bënte, Komandant Teli iu afrua shtyllës ku kish rënë flamuri. Shokët e njësitit nuk e reshtën zjarrin për të mos i lënë armiqtë të qëllonin mbi komandantin. Në këtë terren luftimi vdekja ishte e sigurt, por Komandant Teli nuk e kishte frikë vdekjen.
Përmes plumbave që vërshëllenin, me flamur mbështjellë pas gjoksit ai erdhi tek bashkluftëtarët. Kishte djem luftëtarë që ju mbushën sytë me lotë. E përqafonin komandantin e tyre dhe mendonin se ish njeri me flatra. Njeri që nuk e zë as plumbi pushkës dhe as predha e topit.
Forcat qeveritare përballë, kur e panë se flamuri tanimë ishte në duart e luftëtarëve të UÇK-së, reshtën së qëlluari. Ishte krejt i kotë harxhimi i municioneve.
Përpjekje për t`u marrë simbolin shqiptarëve kishte dështuar.
Tek e përqafonin komandantin e tyre ushtarëte njësitit vunë re se flamuri kishte marrë disa plumba. Armiqtë kishin dashur të vrisnin edhe Flamurin, por nuk mundën. As Haraçinën nuk e morën dot, as kafenë nuk arriti ta pinte në këtë vend ministri i brëndshem i shtetit.
Në Haraçinë valonte flamuri i lirisë, flamuri i shqiptarëve, simboi i shpirtit të tyre të pamposhtur.
Për të mos dalë të turpëruar në përpjekjen e tyre të dështuar armiqtë hapën fjalë me lajmin e rrejshëm se vetë shqiptarët e kishin ulur flamurin në Haraçinë dhe në vend të tij kishin vënë një flamur të bardhë kapitullimi. Mirëpo askush, madje as të huajt, nuk besonin që kjo të kish ndodhur. Tani që forcat luftarake shqiptare nga Haraçina e kishin fare afër Shkupin, u mor si një kërcënim serioz. Madje që andej komandanda e UÇK-së deklaroi se nëse nuk do të tërhiqeshin forcat qeveritare nga sulmet në Likovë e Mateç, do të bombardonin edhe aeroportin ku kishin zënë vend avionet luftarakë qeveritarë.
Nuk shkoi shumë dhe vëzhguesit e huaj vunë re se avionet luftarake qeveritare u ngritën e morën rrugën për në aeroportin e Ohrit, larg zonës së luftimeve. Por edhe trupat qeveritare u tërhoqen nga sulmet në zonen Likovë e Mateç, ku forcat e UÇK-së ishin nën presion e të rrezikuara. Ultimatumi i luftëtarëve shqiptare kish bërë efektin e vet në Shkup, por edhe qarqet diplomatike europiane u binden se shqiptarët në betejën e Haraçinës kishin triumfuar, duke gjunjëzuar shtetin megalloman që shpërfillte, shtypte dhe masakronte qytetarët e vet.
Të huajt bënë çfarë ishte e mundur për ta shpëtuar shtetin që po gremisej në luftën etnike dhe bënë presion mbi shqiptarët që të terhiqeshin nga Haraçina në shkëmbim të një armëpushimi të qëndrueshëm por që kurrë nuk u respektua nga forcat qeveritare.
* * *
Mbas luftës, Flamuri me shenja plumbash, që e mbrojti dhe e shpëtoi Komandant Teli, vazhdoi të qëndrojë në familjen Abazi në Haraçinën heroike, atje ku u zhvillua beteja më e lavdishme e shqiptarëve që tronditi themelet e një shteti megalloman.
Kur bëhen luftra vriten e plagosen luftëtarët, por vriten e plagosen dhe flamurët.  


© Copyright Traboini 2012 
Nuk lejohet ribotimi i këtij materiali letrar në median e shkruar apo elektronike.


Gazeta "Egnatia" - e harruar në Atdhe por e kujtojnë armiqtë


GAZETA "EGNATIA"
HARRUAR NE ATDHE POR E KUJTOJNE ARMIQTE

Edhe pas dy dekadave të krijimit të gazetës shqiptare  "Egnatia" me 10 prill 1993 në Athinë, qarqet shoveniste greke dhe këlyshet e tyre vorioepiriot vazhdojnë ta konsiderojnë botuesin e gazetës Kolec Traboini armik i Greqisë siç rezulton në një material të vitit 2010 që gjendet ne internet në sitet e shovenisteve që nuk heqin dorë nga ëndrra e çmendur për të pushtuar tokat shqiptare. Atbotë gazeta "Stohos" e ultrashovenistit grek Kapsalis, e shinjestronte emrin e K.Traboinit ndër ata që duheshin zhdukur, nje kercenim ky i hapur për eleminim fizik. Kaq shumë u ka djegur krijimi i gazetës "Egnatia" kësaj kategorie luftënxitësish që tani kanë dalë edhe me platfrma naziste e janë në parlamentin grek, sa ende e kujtojnë me armiqësi dhe me urrejtje deri në tërbim, ndërkohë qe tashmë nga ana jonë, në Atdhe kurrkush nuk e kujton dhe vlerëson një akt të tillë, të madh siç e vleresonte Martiri dhe Nderi i Shqiptarisë Aristidh Kola, pra krijimin e të parës gazetë dhe botimin e të parit libër në gjuhën shqipe në Greqi "Egnatia" dhe librin me krijime të emigrantëve shqiptarë "Balada e largësive". As nuk të fton njeri të flasësh për të, a ta kujtojnë ndërkohë që mbushet shtypi me fytyra kriminelësh të diktaturës dhe bëmat e tyre gjëmëzeza që ende të llahtarisin prej tmerrit.
Kjo kohë e marrë e këta nënpunës pa vizion e me mendje tek paratë, kjo media trushlkalë, na venë në paradokse të tilla:
Të kemi lumturinë e hidhur të na kujtojnë armiqtë.

KOLEC TRABOINI
Botues i gazetës “Egnatia

Kërthiza apo jatagani / satirë historike nga Kolec Traboini


KËRTHIZA APO JATAGANI
Përndryshe, Sula me poture e Aishja me dimi 
që e themeluan Tiranën picak në divan... 

Satirë historike nga KOLEC TRABOINI
 ________________

 

1. Themeluesi 
.
Duke parë zellin e madh, me të cilin po rimëkëmbet tërë historia, si dhe dalja e mjaft figurave të shuara e të harruara edhe ne po përpiqemi të sjellim një ndihmesë, në mbështetje të studimit të letërshkruesit Skënder Jasa, botuar në «K.J.» datë11.05.1994, mbi origjinën e Tiranës, rrënjët e saj historike që u lidhkan me bollëk dhe me fije të pazgjidheshme me trungun e perandorisë osmane dhe asnjë fije me Marin Barletin, jetëshkruesin e Gjergj Kastriotit, heroit të Shqiptarëve, që u vuri turqëve shtegun tek thana. E pra ky Barlet (Ah, të mos ishte prift!), e përmend i pari, në historinë e letërsinë e shkruar të Shqipërisë, emrin e Tiranës. Aferim e paç ymër të gjatë Skënder Efendi (Jasa), se kështu ti na e nderon vatanin. Për të mbeshtetur, që të mos çahet kazani në sy të botës, po të sjellim studimin tonë mbi të paharruarin themelues, të ndriturin Sulejman Pashë Kurrkushi, që me izën e vetë Sulltan Salepit të 13, hodhi themelet e një qyteti perandorak në zemër të Europës, për inat të kaurrve të gjithë botës.

2. Me kallam e me ferman 
.
Deri në çastin që marrim kallamin për të shkruar për vulehumburin Sulejman Pashë Kurrkushi, për Sulën pra, kurrkush nuk mori mundimin të hedhë një bishtuk dritë mbi këtë rrepirë të historisë sonë. Këto male (edhe kodra) e rritën Sulën me qumështin e zanave, më pas ai i mbështetur në traditën popullore, shumë sisëkishte për të pirë, por mbi të gjitha atij do ti pëlqente sisa e turkeshës Aishe... Por të mos ngutemi, të tatëpjetat e historisë janë të mundimëshme, prandaj i duhet rënë anës e pas anës. Termat e historiografisë së kalur ? Historinë e bën populli." apo të sotmit, “Historinë e bëjnë historianët”, nuk i marrin në konsideratë, po nisemi në bazë të parimit principial “ Historinë e kanë herë e do ta bejnë Sulejmanët”, Sulejmanët që nxorrën emrin e adashit të tyre nga greminat e historisë dhe e vunë, faqe me nder, në një shesh në ballë të Tiranës (diku pranë gropës së Hajdin Sejdisë). Kështu historianët vunë në vend nderin e vet dhe një ditë nëntori me shi të vitit 93, shpëtuan dhe të ziun Sulejman nga 300 vjet vetmi.

3. Kërkime në qorrsokak
.
 Heroi ynë Sulejmani në figuracionin popullor njihet me shprehjen poetike “Mu tek pusi i Sulejmanit”. Pra del se ka pasur pronë të tij të trashegueshme, për të cilat sot i takon të marrë letër me vlerë. Por, as pse ja vunë pusit emrin e tij, as hollësi të tjera biografike nuk dihen. As emri i babait, i nënës , as gjyshe, e sa për motër e vëlla nuk bëhet fjalë. Mirëpo, pikërisht në hapësirën që quhej Tiranë, diku pranë Saukut, gjendej dhe një kodër e vjetër që quhej Kodra e Kopilit. Duhet menduar, duhet hulumtuar, se, a kishte fare lidhje Kodra e Kopilit me Pusin e Sulejmanit. Sepse Sulës së shkretë, duke mos iu gjetur kurrkush afër si sfond historik, i mbeti veç onomati pashë, dhe me këtë emër në kurriz ngjiti të përpjetat e historisë plot lavdi.

4. Hani me dy porta
.
Të dhënat e padhëna thonë se Sula, para se të bëhej pashë, ishte një zabit azgan, dy metër i gjatë, e shkonte e vinte me araba pas atyre që mernin taksë e vergji për Sulltanin. Bëri punë të ndershme, mblodhi lira e mezhida me bollëk, mblodhi dhe djem për t’i çuar në Arabistan si jeniçer të Sulltanit. Kush s’e dëgjoi Sulën shkoi në degë të rrapit, kush e dëgjoi la kockat në Jemen. Zgjidh e merr!
Sulejmani bëri përpara deri në Oborr dhe një ditë u gdhi pasha. I vuri punët mbarë, mblodhi ushtri të madhe në Petrelë dhe me force zboi gjithë fshatarët nga Fush e Tiranës.     Ngriti fushimin ushtarak dhe aty ku sot është shatrivani i Tiranës, vendosi shtatoren e vet. Dy fjalë tha Sulejman Pasha, para asqerëve të vet:

      1. Këtu do të ngre një Han.
      2. Ky Han do të hyje në histori me emrin Hani i Sulejmanit.

Mori izën nga Sulltani, i cili bashkë me fermanin i çoi dhe dhjetë turkesha të ëmbla, të cilat ishin çengijet më të bukura të perandorisë, e që Sula i sistemoi në Hanin e vet me dy porta.

5. Sulejmani dhe divani 
 
Gjatë hulumtimeve në arkivat e oborrit perandorak ku gjenden spiunimet e Taksirat Qelepirxhiut, del ne pah fakti se, e para femër që u fut ne dhomën e posaçme të Sulës, në mes së cilës ishte vendosur një nargjyle dhe një divan, ishte Aishe Hanemi, turkeshe e ëmbël, kumbull fare, e cila pasi i tërboi tërë oficerët e gardës, u bë shkak të thereshin me bajoneta dhe eunukët që ruanin haremin e Sulltanit; ky i fundit megjithëse me dhimbje, e hoqi qafe, duke ia bërë peshqesh shërbëtorit besnik Sulejman Pashë Kurrkushit, që po hidhte themelet e një qyteti të ri perandorak në perëndim dhe kishte nevojë për femra pjellore. Kështu e keqja apo e mira (këtë historianët nuk e spjegojnë) mbeti në derën e Sulejmanit, i cili ra në një dashuri magjike pas tuleve të Aishesë. U ndez, u përvëlua, u shkretua. Historia botërore dhe vetë arti klasik njohin çiftëzime ideale, që nuk ndahen as në shtëpi, as në varr e as në histori. Qëllimi i studimit është që, duke zbuluar vlerat e kësaj dashurie dramatike, të bëhet e mundur që edhe emri i Aishesë të përjetësohet në historinë e Shqiperisë dhe një rruge, që del tek Sheshi i Sulejmanit, t’i vihet emri i saj. Kështu që, ashtu siç ishin bashkë në han e në divan, të jenë përjetësisht edhe në memorien e banorëve të kryeqytetit të arnautëve. Nga ana tjetër, do të bëhet e njohur në rrethet intelektuale, brenda e jashtë vendit, se ashtu si Eva e Adami u bënë krijues të njeriut, Aishja e Sulejmani u bënë krijues të një kryeqyteti.Nga pikpamja estetike dhe emocionale, krahas Evës e Adamit mitologjik, të Romeos e Zhuljetës romantike do të kemi dhe çiftëzimin e ri Sulejman e Aishe shqiptaro-osmanike.



6. Lavdia dhe krevati
.
Në fushë të historiografise dy çeshtje mbeten akoma pa u zgjidhur. E para, pse Sula e fsheh emrin e Aishesë, mos vallë për të mos ndarë peshën për krijimin e një qyteti, megjithëse ajo e shkretë e ndjente pothuaj çdo natë peshën e tij sa i thyheshin kockat. Merre me, mend, kur kënga popullore e Zall Bastarit thotë: “180 kile burrë, nga mendja s' u poqe kurrë”. Çeshtja e dytë specifike është karakteri i Sulës, si i trajtonte ai gratë e haremit, në mënyrë humane( këtu ata të Albanian Human Rights bëjnë shumë kujdes) d.m.th. nga cili parim nisej, nga ai socialist, mbani rradhë se ka për të gjithë, apo ai kapitalist, ujku i fortë çan gjithë kopenë. Kurrfarë konkluzioni historik nuk mund të definohet pa zgjidhur këtë enigmë të historisë.

7. Sula në bronx - Aishja në vargje
.
Kështu sheshit emri ju vu e historia u rishkrua. Por ideja e një skulptori të çmendur që bustin e Sulës derdhur në bronx ta vinin në mes të sheshit, u kundërshtua rreptë nga zyrtarët. Jo e madhe për zgjidhje kompozicionale,- Sula i derdhur në bronx në mes të sheshit, rri në kanape e thith nargjylen me vështrin të humbur diku... Ç 'janë këta heroj të pergjumur?! Kështu në mënyrë të vetvetishme u poq mendimi që përpara tij duhet vendosur busti i Aishesë në një vallëzim çengijesh. Kështu veshtrimi i Sulës do të ishte i motivuar, i menduar... Ah, moj Aishe, sa e bukur je, apo diçka tjetër.
U shkruan edhe vargjet që do t’i viheshin si diçiturë çiftëzimit skulptural.

Sulejman o xhan, o Sulejman
Aishe me ferexhe, o Aishe
E shkritë jetën që të dy në divan,
Mor, aman.
Tek mendonit e punonit për Atdhe.

Bërthama e kësaj filosofie erotike, që duke bërë dashuri ne i shërbejmë Atdheut, u duk si një zgjidhje racionale dhe për këtë ra dakort dhe presidenca.

8. Kërthiza dhe politika
.
Në  këtë konkluzion arriti ekipi i lartë studimor ku përfshiheshin historianë, funksionarë, poetë dhe bashkfshatarë të Sules, të cilët sugjeruan që Aishja të realizohej lakuriq nga kërthiza e sipër për të qenë shprehëse e epokës bashkëohore që po tejkalojmë... Por, kërthiza e Aishesë, ashtu siç u bë objekt sherri në haremin e sulltanit, shumë shpejt u bë si leshtë e Arianës, mollë sherri e dardhë grindjesh në opinionin publik, që shkallë- shkallë do të përhapej si epidemi e Kërthizës (shtypi thotë e Krizës). Grindje në rrugë, në shtëpitë, në shkollat, në ndërmarrjet që s'punojnë, në zyra politikanësh që merren me llogje, në zyra financierësh të korruptur, nënpunës që marrin rushfet, në kokat boshe të diplomatëve, apo të deputetëve, të cilëve iu shkon goja lëng nëpër seanca parlamentare kur kujtojnë kërthizën e ëmbël të turkesheës. E ka qarë në vargje edhe Dritëroi turkeshën. Pozita e Opozita janë në një nga betejat me të ashpra. Në qoftë se për probleme sociale a komunale mund të bien dakort, kur vjen puna tek kërthiza nuk lëshojnë pe, ngulin këmbë si mushka, madje duke kërcënuar me zgjedhje të reja. Njera palë, që Aishja të jetë lakuriq nga kërthiza e lart, tjetra - nga kërthiza e poshtë. Ndërkohë Sulejman Pash Kurrkushi nuk është dakort me asnjerën palë. Ai e do Aishenë, si nga kërthiza e lart ashtu edhe nga kërthiza e poshtë, krejt të zhveshur. Eshtë shumë modern në këtë anë Sula. Seksi është bota! Por kush ia var teneqenë atij. Ia mbyllën gojën shumë shpejt, duke i kujtuar se i dhanë më tepër se i takon, madje në kundershtim me ligjin për moskthimin e tokave...e kun e mes të Tiranës. Prandaj pa ç’pa Sula i shkretë, ngrysi vetullat e ra në mendime duke thithur nargjylen e tij. Ndërkohe mendonte: “Të mos ish kërthiza e ëmbël Aishes edhe emri im do të ishte shkuar e harruar!...” Për këtë u bind më tepër kur dëgjoi ca të rinj që lanë takim tek lokali i ri "Dea" por i thanë njeri tjetrit” Takohemi tek Kërthiza e Aishes”

9. Lavdi me panik nën sqetull
.
Kështu, ndërsa Sulejman Pash Kurrkushit po i kthenin krahët, peërdryshe, siç thanë gazetat, lavdia e Aishes ngjitet lart e më lart duke zënë faqet e para të gazetave me seks e pa seks që kanë pushtuar sot Sheshin e Sulejmanit. Madje në një mbledhje të redaksisë së gazetës “Eros”, botuesi i kishte thënë me zë të lartë kryeredaktorit: “Fotografinë lakuriq në faqen në faqen e parë me titull, “Aishe, seks -bombë!”
 Te gjitha këto copëza biografike të Aishesë na pelqejnë ne burrave (pula e tjetrit) , mirëpo ca lajme të fundit në Urën e Lanës po na trondisin. Një tubim grash e vajzash, që përfundoi në një grevë urie, doli me kërkesën “E duam Sulën të zhveshur”, “Duam seks si gjithë Europa”, e vuri opinionin gazetaresk në dilemë, ndeërsa Sulejman Pashë Kurrkushit i futi tmerr e frikë, sepse ec e mos u zhvish kur të urdhërojnë gratë. Dridhet Sula i shkretë e u thotë historianëve: “Ç’më bëtë! Ç’më bëtë! E çfarë me duhet mua lavdia bythjashtë në sy të botës?” Aq më keq kur në një buzëmbrëmje dëgjoi dy veta, veteranë të luftrave mesa dukej, qq i thonin njeri-tjetrit: “Kjo ndodh kur historia shkruhet me b...” ndërsa akoma më tej, një burrë që po hante akullore evropiane, ia ktheu të dyve: “Mos me çani... Sulën!”. Çfarë donte të thonte ai me atë fjalë? Ndërsa në mes të bulevardit, dy gra po flisin për një të tretë, që nxitonte e pispillosur: “Shkon me i ba fresk Aishes!”

10. Enigma e madhe
.
Çështjet "Kush ia vuri?", "Si ia vunë?" e "Pse ia vunë?", mendojmë se janë të kapercyera e nuk përbëjnë më interes historik. Përpara historianëve të vjetër e të rinj, -kopetentë e ipotente. Mbeten të shqyrtohen dy çeshtje, e para, Aishet apo Sulat e bëjnë historinë (Kërthiza apo Jatagani?) dhe e dyta(këtu ka shumë dilema historike), a është Kërthiza e Aishesë Qendra e Botës?! Ziejnë debatet, shkruajnë gazetat, grinden deputetët, por kurkush nuk merr mundimin të pyesë të zotin e punës, Sulën e shkretë, i cili  rri si qyqar i menduar tek sheshi, pranë Gropës së Ajdinit, thith nargjylen me vështrimin thellë në kërthizë! Por një zë i brendshëm vigjëlues i thotë: “Sulë, shtërngo ushkuret! Lavdia është Sidë!”.
Parashtresa është vetëm një pjesë e biografisë së Sulejman Pash Kurrkushit, sepse bëmat e Sulës janë aq të mëdha e aq të ndrituara, sa duhen dhe kapituj të tjerë, të cilat autori nuk do t’i lerë të humbasin nëpër skërkat e rrëpirat e historisë, por herë me bishtuk e herë me qiri, do t’i ndrisë, do t'i përshkruaj, e do t'i nxjerrë në dritë të diellit, faqe ( me nder) gjithë botës.

Nga libri ironik "Rapsodi ushtore", Kolec Traboini, Athinë 1995