Edison Gjergo: Epika e yjeve të mëngjesit" 1971 |
EPIKA
BLU E EDISON GJERGOS
Edison Gjergo në artin figurativ shqiptar u shfaq si një meteor në errësirën e sistemit diktatorial, një novator i madh i cili guxoi që me talentin e vet të thyej kanonet e ngurta të real-socit. Nuk ja falen as atëherë e as sot dishepujt e komunizmit. Ky dimension i madh vazhdon të mbahet prej sherbestarëve mediokër në suazat e vogla të egoizmit post komunist. Ishte një piktor aq i madh, sa tragjizmi përtej individuales është kryekreje për artin shqiptar, sepse Edison Gjergo nuk arriti të jetonte kohën e lirisë së krijimit. Kush e di çfarë mrekullish do të realizonte ky artist origjinal e i pakrahasueshëm.
Edison Gjergo në artin figurativ shqiptar u shfaq si një meteor në errësirën e sistemit diktatorial, një novator i madh i cili guxoi që me talentin e vet të thyej kanonet e ngurta të real-socit. Nuk ja falen as atëherë e as sot dishepujt e komunizmit. Ky dimension i madh vazhdon të mbahet prej sherbestarëve mediokër në suazat e vogla të egoizmit post komunist. Ishte një piktor aq i madh, sa tragjizmi përtej individuales është kryekreje për artin shqiptar, sepse Edison Gjergo nuk arriti të jetonte kohën e lirisë së krijimit. Kush e di çfarë mrekullish do të realizonte ky artist origjinal e i pakrahasueshëm.
Nga
KOLEC TRABOINI
Piktori Edison Gjergo [1939-1989] |
Ishte një urrejtje e egër ndaj këtij piktori
prej atyre që mbanin skeptrin e pushtetit. U lëshuan me tërbim sikur Edison
Gjergo të kish bërë një kundërrevolucion dhe u rrezikonte pushtetin që e mbanin me dhunë. Në fakt ai kishte derdhur në
telajo plot fantazi e frymëzim kurrgjë më shumë se një episod të luftës, por të
parë krejt ndryshe e jashtë skemave të kohës.
Një fundnate e thellë, një rapsod
i tretur deri në asht me lahutë këndon një këngë epike për disa
partizanë nën një sfond blu të qiellit ku ndrisnin yje të largët e të ftohtë.
Gjithçka e mbajtur në tonet dominuese blu me disa fraktura të telajos të kuqe të ndezur e të
zezë. Por luftën ata e donin të ndritur,
farfuritëse, bubullitëse, ditën për diell, me partizanë viganë, me urra, me
njerëz që hidheshin mbi topa, mbi tanke, që i prisnin plumbat me gjoks,
gjithçka në eufori...
Megjithëse
diktaturë ajo kohë pas vitit 1970, ishte
një gjëndje kërkimi prej krijuesve për të sjellë pikvështrime, mjete stilistikore shprehëse e subjekte të
reja në art. Edhe në letërsi me tregimtarët e rinj apo poetët ndodhte po
ashtu. Bilal Xhaferri kishte shkruar një
tregim me temë të përafërt, por në të vërtetë tërë tregimet e Bilalit ishin
impresionante. Të rinjtë e brezit tonë si të thuash i përpinin tregimet e tij
në faqen letrare të gazetës “Zëri i
rinisë”. Me arratisjen e tij gjithçka që
kishte shkruar u ndalua dhe u dogj si “Lirishta e kuqe” poezi si dhe romani “Krastakraus” për epokën
e Skënderbeut. Ruaj në kujtesë që pas
arratisjes së Bilal Xhaferrit në vitin e parë të studimeve universitare arrita të gjej librin me tregime
“Tokë e lashtë, njerëz të rinj” të cilin ma dha bashkstudentja e degës së
gazetarisë Zenepe Çekrezi- Luka. Për të qënë të sigurt se nuk do të na diktonin e spiunonin e kishim grisur
kopertinën dhe nuk gjëndej në asnjë cep të librit emri i Bilalit. Por atë libër
të ndaluar e lexonim dhe e kalonim dorë në dorë
si ungjill arti.
Edison Gjergo:"Vajza e re" 1972 |
Duhet pranuar se megjithë frikën që
ekzistonte, krijuesit përpiqeshin të
dilnin nga korniza, veçanërisht të rinjtë, kam parasysh edhe dramaturgun e ri
Shpëtim Gina (13.12.1951-15.08.1974) që e kisha bashkstudent në Universitet, me
dramën e tij “Armiqtë”, vënë në skenë
nga Mihallaq Luarasi. Shpëtimin e mbyti
sigurimi në Mamurras , në lumin Drojë,
sepse e kishin konsideruar si dramaturg dekadent. E kishin venë në shënjestër dhe arritën ta
eleminojnë më 15 gusht 1974. Edhe ai
kish guxuar të bënte një art ndryshe prej skematizmit të kohës. Në burg do të
përfundonte edhe liriku më i ndjeshëm i
kohës Frederik Rreshpja, të cilin e njihja nga afër dhe kishim punuar bashkë në
Kombinatin e Drurit në Shkodër. Nën këto influenca e dëshira për të bërë diçka
ndryshe mbaj mend në atë kohë të kem shkruar edhe vetë ndonjë tregim si "Stina kur pikonin yjet" ca
partizanë që ecnin nëpër natë me shoqen e plagosur që u vdes në agim, apo një
tjetër “Në mesnatë” me të njejtën frymë, por të dy
këto tregime m’i refuzuan kur botova librin e parë me tregime
"Petalet e bajames së hidhur”, 1973,
ndaj pashë ç'pashë i zhduka. Dëshira të tilla dhe tentativa për t’u
shfaqur sa më origjinal ndjehej kudo tek autorët e rinj. Por kur u zhvilluan
pleniumet famëkeqe për letërsinë e
artin dhe për mbarë krijimtarinë
artistike, të tmerruar shumëkush hoqi
dorë nga krijimtaria, sepse ishte si të ecje mbi mina, ose përndryshe duhej të
ecnin në trasenë e sigurtë të shabllonizmit e skematikës së real-socit.
Edison
Gjergo ishte nga ata që guxoi dhe tërë rrufetë ranë mbi të. U mallkua
publikisht dhe u dënua fizikisht. Ishte tmerr të mendoje se e kishin dënuar me
burg për një tabllo, që fundja ishte temë e luftës, ishte me partizanë. Por
atyre u duheshin disa viktima në art dhe do t’i gjenin patjetër. Siç gjetën
edhe Maks Velon. Siç burgosën e pushkatuan pa mëshirë plot të tjerë.
Burgu
e
dërrmoi piktorin. Arriti te shihte një ekspozitë të pranverës në fundin e
jetës së vet ku tashme piktorët kishin arritur disi të shpëtonin prej
diktatit të plotë. Kishte më shumë lirshmëri ngjyrash në telajo. Ai
pikërisht për këtë ishte dënuar, kish humbur vitet më të çmuara të
krijimtarisë. Por gjithsësi ai nuk mund të paraqitej në ekspozita. U
mbyll në vetvete e ra në një dëshpërim të thellë. Ndrroi jetë në vitin
1989 në moshën 50 vjeçare. Gjithsesi kjo punë e tij, kjo epikë blu në
telajo e Edison Gjergos i qëndroi kohës. Lumturisht nuk është prishur. Eshtë
shumë impresionante. Një dimension që i thyente tërë rregullat real-socit,
mirëpo edhe sot pas dy dekadash që është shëmbur diktatura, ndërkohë që pak
flitet për Edison Gjergon, na del ndonjë piktor si i suksesshëm por edhe i
pompuar me mbështetje politike, që na e shet sapunin për djathë duke thënë se
natyrat e qeta me lulkat e tij punuar asokohe ishin një dizidencë kundër
sistemit monist.
Në të
vërtetë dizidenca ishte Edison Gjergo me tabllonë e tij “ Epika e yjeve të
mëngjesit” që sot ka një vlerë të madhe. Pse jo dhe “Metalurgu” realizuar në
1971 që ka të njëjtën frymë e teknikë dhe mbajtur me të njëjtën tonalitet
ngjyrash ku mbizotëron kuq e bluja e Gjergos. Kjo pikturë epike blu e ky stil i
tij origjinal shprehte dëshirat e krijuesve për të thyer skematizmin e kohës,
atë ngurtësi që shterpëzonte e ndrydhte talentet. Dhe e bëri atë me dinjitet e
me një sakrificë të jashtzakonshme.
Piktori
Edison Gjergo ndërroi jetë shumë shpejt, një fat vërtet tragjik i një talenti
të madh që nuk arriti ta gëzonte lirinë e çlirimin prej diktaturës e të korrte
frytet e veprës së vet, si fati i shumë
artistëve e mjeshtërve të mëdhenj të telajos.
Edison Gjergo: Portret 90x80, bën pjesë në koleksionin privat familjar dhe nuk është ekspozuar asnjëhere. |
Edison Gjergo: Metalurgu 1971 Gazeta Drita, nr.2 nentor 2014 f.9 |