NANE SAVA
Nji Nanë... Njimijë Nana dhe Njiqind vitet e Shtetit Shqiptar...
(Nji Kangë që duhet me e këndue të gjithë bashkë)
Nga:
Jozef RADI
Nënë Sava 1995
|
Shteti shqiptar ka hy në kapërcyell të shekullit
dhe sigurisht nga maja e këtyne njiqind viteve të mbrrituna, ka mundsi me
soditë me qetësi, po edhe me krenari e dhimbje jo veç rrugën po krejt
përpjekjet e bame, jo veç luftat po edhe heronjtë, jo veç fitimtarët po edhe të
mundunit, jo veç arritjet po edhe praghumnerat, jo veç burrshtetasit po edhe
diktatorët, jo veç historigrryesit po edhe dinjitarët, jo veç ata me tituj e
grada po edhe ata ma të thjeshtët, që quhen Popull, e që me t'përditshmen e tyne rraskapitëse s'mbrrijnë kurrë me ba
as emën dhe as mbiemën të shquem...
Nji shtet njiqind vitesh, simbas mendjes sime,
duhej të ishte si nji plak i moçëm e i urtë që mat me kujdes në t'gjitha anët,
që i ndigjon vëmendshëm t'gjitha daullet, që s'shkumzon inati si nji
adoleshent: "Ku
rafsha mos u vrafsha!" dhe që nji pjesë t'mirë të punëve t'veta duhej t'i
kishte futë kahera nëpër hullitë e duhuna...
Sikur faji ndër ne t'kërkonte nji emën të vetëm
do ta kishim pasë krejt të lehtë me e gjetë atë, por problemi asht se faji ndër
ne edhe për mjaft kohë ka me mbetë kopil, e ne të gjithë së bashku në kor kem
me gjetë gjithfarë emna fajtorësh, duke harrue se ma e mira do të ishte të
merrte gjithkush nga pak faj, me pshtue jo veç nderin tonë edhe të këtij shteti
që kurrë s'po mbrrin me u ba si nji plak i urtë e me nda kuvend si burrat...
Nejse, a s'asht ma mirë me e lanë shtetin n'at
shejtninë e tij fatlume të shekullorit e ne me iu kthye atyne vogëlsinave të
mëdha që po i humbim përditë, dhe që po kujtohemi për to veç kur seleksioni
natyral na i shkul dhunshëm ato vlera dhe ata njerëz, për të cilët çdo monument
o piedestal sado madhështor do të ndehesh në vështërsi të mëdha përballë veprës
hyjnore të atyne ma heroikeve të këtij truelli e të këtyne maleve; të atyne që
me dhimbje e me sakrifica të pashkrueshme i dhanë nji emën dhe nji vlerë që
s'ka zot me e zhba dhe me e zhbi prej shpirtnave tonë: Nanat shqiptare
Në nder të gjithë atyne Nanave të kësaj toke,
të gjithë atyne grave që e shtynë dhe ende po e shtyjnë qerren e jetës
shqiptare me shpirt nëpër dhambë, kam nji emën të vetëm, nji emën të vetëm Nane që asht sot
pothuej motake me shtetin shqiptar, e që jeton për turpin tonë, sot e kësaj
dite atje n'ato kampet dikur skëterrë të internimeve dhe me qetsinë olimpike
të nji shenjtoreje e stocizmin madhështor të nji heroine, pret paasnji grahmë
lëvdate as lavdie, at udhëtimin e gjatë drejt përjetsisë…
E mora kët guxim sot, sepse nesër ka me qenë
vonë, tepër vonë e ndoshta flaka e atij kandili n'shpirtin e saj do t'jetë
shue; sepse s'asht njerzore me këndue nji requiem të dhimbshëm kur mundemi me
këndue nji simfoni! Po, po, nji simfoni heroike shqiptare, pa shumë zulme e
hove, pa shumë lajle e ojna, thjesht me e thanë me gjithë shpirt emnin e saj: Vojsava
Zguri - Kuqeshi, për të gjithë ne që e njohin prej vitesh thjesht: Nënë
Sava! Ose le të shtrembnohet paksa emni i saj dhe të bahet si nji flamur
i rreckosun vuejteve pafund: Nënë Savra!
Nënë Sava me tre fëmijet e saj dhe mbesen
|
Nënë Sava, mbrriti në kampin e Savrës aty nga
fundi i viteve pesëdhjetë, me të shtatë fëmijët e saj pesë djem e dy vajza. I
kishin përzënë prej Leskoviku dhe i hodhën nji mbramje si kafshë aty midis
barakave prej pupuliti. Grueja, fëmijën e fundit e kishte n'gji dhe të madhin
posa i kish kalue të njizetat. Ajo, s'la asnji nga fëmijtë me qa, po i mblodhi
të shtatë ashtu kokë më kokë, i dha secilit detyrën dhe u nis e vetme pa burrë,
në at kalvar pafund, që për dreq vazhdon ndaj saj edhe sot e kësaj dite... Pesë
djemtë e saj e morën baltën e Myzeqesë si të ishin eskavatore, dhe ajo që ishte
e frikshme për shumë nga bashkvuajtësit, për djemtë e saj dukesh si nji
lodër. A asht ndokush që e ka harrue Thanasin, Evgjeninë, Petraqin, Polikronin,
Sofon dhe të tjerët... S'ma merr mendja!
Po gjithkund ishte ajo Nënë Sava. E veshur krejt
në të zeza si kallogre... po që dinte edhe të qeshte... po ama fjala e saj,
thirrja e saj ishte ligj... e vendimi i saj ndoshta ishte edhe ma i rreptë se
vetë ligjet e diktaturës... e ndoshta ajo, diktatura që s'kishte frikë askënd
në botë, duhet të ketë pasë frikë prej nji grueje, prej nji Nane, prej nji Heroinë që pa frikë ia
kalonte çdo burri: Nënë Sava...
Dhe i martoi ajo grue vit mbas viti djemtë dhe
vajzat; dhe i priti ajo grue vit mbas viti nipat e mbesat dhe u mplak ajo zonjë
vit mbas viti, dhe ashtu në at vetminë e saj të zezë dhe solemne prej
patriarku, s'guxonin
nuse as djalë, vajzë as dhënder, nip as mbesë të vinte në diskutim fjalën e
saj...
Kjo asht ajo Nënë Sava, që në mars të
vitit që vjen, mbush plot njiqind vite, e bahet motake me Shtetin...
Nënë Sava me mbesen dhe stërmbesen gusht 2012
|
Gjithë gratë dhe shoqet që ndanin të njejtin fat
me të tashma i kanë ikë kësaj bote, po pakkujt i ka ra ndërmend me u kujtue për
To, me e ngritë sado
pak zanin kundër kësaj padrejtësie që rrin pip në kambë, e s'po na len me pa
larg ndër kohna, e me u kujtue se në fund të fundit të gjithë ne jemi vepër e
nji Nane Shqiptare e nji grueje që e ka
trembë rrezikun dhe të keqen me shembullin e saj, jemi të gjithë krijesa të nji
Nënë
Save...
Pse ajo s'ishte e vetme, ajo ishte vetëm nji
prej atyne Nanave,
emnat e të cilave jam përpjekë me ia grrye kujtesës dhe asaj dashnie që kam
ndje për gjithë dhimbjet dhe sakrificat e tyne sublime... Ato i rritën fëmijët
e tyne: pa burra, i martuan: pa burra, i rritën nipat e tyne: pa burra, dhe
nëse ky vend flet për burra, burra të vërtetë janë vetëm Nënë Savat që e ruejtën
dinjitetin dhe krenarinë e nji aristokracie shqiptare pa u ba zhele, pa guxue
kush me ua shkelë dinjitetin, pa pranue asnji kompromis me të keqen e madhe,
duke u dhanë fëmijve të tyne vërtet bukë ma pak, po nji shembull të pashkruem
ende... Pati edhe mjaft Nana
që i rritën fëmijët e tyne me burra në burg, e ndoqën fatin e tyne me trasta në
krahë, i veshën pantallonat e burrave me arrna ndër gjunjë të qepuna me fijet e
flokëve të tyne; e hoqën kafshatën e bukës prej goje për burrat dhe fëmijtë e
tyne, po gjithsesi hija e burrit ishte gjithkund aty rrotull... ndërsa për Nënë
Savën dhe simotrat e saj të maposhtme hija e burrit o kaherë ishte
tretë nën dhé, o prej kur s'mbahej mend kish marrë rrugët pakthim të ezileve...
Prandaj kët kangë heroike e këndoj me ju për nji
grue të vetme: mbas saj asht nji kor pafund me gra që unë jam mundue me i
përmendë emën për emën, plot 53 gra, që kanë mbajtë Gurin e Sizifit në nji kamp
të vetëm interrnimi: n'atë të Savrës! Po sa mija e mija gra ia
vunë shpatullat këtij kombi, atherë kur burrat e vërtetë i përtypte plumbi o
kurbeti i detyruem...
Lavdi kësaj Nane Shqiptare,
ku ende vezullon nji grimë drite e gjithë Nanave tona të ikuna me shpirt të trishtuem!
Le t'ia nisë kush të mundë kët emën dhe kët
kangë të shkulun prej së thelli Presidentit të Shtetit Shqiptar, Kryetares së
Parlamentit Shqiptar, Kryeministrit Shqiptar, që nesër mos të lodhen me e
kujtue mbas vdekjes, po në të gjallë ta nderojnë se e meriton kët grue për
gjithë simotrat e saj! "Nderi i Kombit",
pakkush e meriton si Ajo
dhe gjithë Ato Nana që ruejtën me
dinjitet emnin dhe nderin e krejt atyne familjeve të mëdha të cilave komunizmi
u përpoq me iu shkatrrue gjithçka...!
I kërkoj çdo lexuesi, me gjetë nji mënyrë, si
t'i duket atij ma e drejtë, me ia ba me dije Shtetit Shqiptar, që nëse dëshiron
me iu afrue me të vërtetë asaj moshe që meriton kjo festë:
100 Vjetori i Shtetit Shqiptar, bahet ma solemn,
dhe ma i vërtetë duke fillue bash prej emnit dhe moshës së kësaj Nane shqiptare: Nënë Savës!
Listë e ndërtueme veç me kujtesë të atyne 53 Nanave që i rritën pa
burra fëmijët e tyne në kampin e Savrës...
Vojsava Kuqeshi (nga Leskoviku)Caje Merlika (nga Kruja)Velide Çapa (nga Dukati i Vlorës)Vaje Kupi (nga Kruja)Ana Pervizi (nga Skuraj i Kurbinit)Xhina, Kune e Cube Mirakaj (nga Iballa e Pukës)Rukije e Sulltana Dine (nga Maqellara e Dibrës)Mrike e Marta Markagjoni (nga Oroshi i Mirditës)Hajrie Mulleti (nga Tirana)Vocërr Sherifja (Hoxha) (nga Tropoja)Kadife Matjani (Matjani i Lushnjes)Lekani Gjoka (nga Brezhdani i Përmetit)Gjylije Kolgjini (nga Kukësi)Hanife e Hava Alla (nga Zgoshti i Librazhdit)Hazize e Kadife Biçaku (nga Lenia e Librazhdit)Merushe Plaku (nga Çamëria)Vasfije e Tefta Dema (nga Homeshi i Dibrës)Dhemashqini Kokali (nga Aliko e Sarandës)Hatixhe Çeliku (nga Borja e Kuksit)Kafile, Hane e Dije Sina (nga Muhurri i Dibrës)Xhevrije e Xhevahire Spahiu (nga Kolesjani i Kukësit)Zengjine e Resmie Laholli (nga Vidohova e Korçës)Sheme e Ziqe Kaloshi (nga Peshkopia)Tushe e Dije Lamçe (nga Elbasani)Lefkothe Anastasi (nga Vllaho-Psillotere e Permetit)Nënat e Kullëve (Mirdash, Ali, Irfan, Gëzim) (nga Zemblaku i Devollit)Mrikë Gjergji (nga Malsia e Madhe)Nëna e Maçeve (Musa, Tomorr e Kujtim) (nga Tirana)Nëna e Kosta Guvellit (nga Dhivri i Sarandës)Zeqije Agolli (nga Peshkopia)Jorgjica Kënuti (nga Dropulli i Poshtëm)Bute Berisha (nga Tropoja)Aishe Neza (nga Tropoja)Kaliopi Peçi (Leshnicë e Sarandës)Xhemile Cani (nga Peshkopia)Ike Tola (nga Peshkopia)Vezire Taho (nga Starje e Ersekës)Feruze Brahamaj (nga Greshica - Mallakastër)Sabrete Asllani (nga Luftinja e Tepelenës)
V.O: Kam shënue edhe vendet prej nga vinin këto gra
me dëshmue se gjeografia e heroizmit të tyne prek çdo skutë të tokës
shqiptare...
Kërkoj ndjesë për ndonji pasaktësi, o për çdo
harresë që mund të ketë ndodhë veç prej kujtesës sime...
Për Gazeten elektronike "Ora e Shqypnise" derguar nga Fritz Radovani, Australi.