04 September 2012

In Memoriam Prof.dr. Adnan Kelliçi



IN MEMORIAM 
Vizita e fundit e mjekut të shquar, Prof. dr. Adnan Kelliçi



Nga Skifter KËLLIÇI Boston, SHBA 


Unë e marr me mend që ndokush që lexon titullin e këtij shkrimi, mund të mendojë: "Më mirë do të ishte që dikush tjetër të shkruante për këtë mjek me duar të arta, bisturia e të cilit me saktësinë milimetrike ka depërtuar në hundët, grykët dhe veshët e mijëra të sëmurëve, i cili u nda para disa ditësh nga jeta". Dhe nuk është se nuk ka shkruar. Mjafton një shkrim dinjitoz i pr.dr. Flamur Tartarit, përfshirë në një nga vëllimet që ai i ka kushtuar historisë së mjekësisë shqiptare. Por unë, e ndjeva për detyrë të shkruaja për të, jo si kushëriri i tij, por si njeri, si gazetar dhe si pacient i tij, ashtu si ata mijëra pacientët që përmenda më sipër.
Po sjell një shembull shumë domethënës: Nga fillimi i viteve '90-të, pra pas shembjes së komunizmit, Adnan Këlliçi u paraqit në zyrat e ambasadës amerikane. I ftuar nga një profesor i njohur amerikan, i duhej të merrte një vizë për të bërë, në Amerikë, veç takimeve profesionale, edhe një vizitë mjekësore për veten e tij.
Një i njohur shqiptar, që asokohe punonte në këtë ambasadë, më tregonte se diplomati amerikan, pasi shqyrtoi dokumentet e tij, ngriti kokën dhe me të drejtë, ose pa të drejtë, i kumtoi atij vendimin se ai nuk fitonte të drejtën e vizës për të udhëtuar në SHBA. Pasoi një heshtje e shkurtër, pas së cilës profesor Adnani, jo pa keqardhje, u bë gati të largohej.
Atëherë ndodhi e papritura: nëpunësi shqiptar pranë tij mori guximin dhe në çastin kur
diplomati amerikan po shkruante mbi dokumentet fjalën: jo, si ta pengonte, zgjati dorën mbi to dhe i tha me zë lutës: "Ju lutem, mos e bëni këtë: ky mjek ka shpëtuar sa e sa jetë të sëmurësh!".
Qe guxim i madh, që mund të merrej si cenim i dinjitetit të një përfaqësuesi të ambasadës së një shteti mik, si Amerika. Për më tepër, gjatë punës, në prani të një qytetari tjetër shqiptar!..
Por diplomati amerikan nuk u fye. Ai e kuptoi mirëfilli domethënien e këtij kumti. Siç duket, në ato çaste përfytyroi që pas këtij kirurgu qëndronin njëmend ata të sëmurë nga vise të ndryshme të vendit tonë, nga Berati, Kuçova, Skrapari, ku si mjek ai punoi që nga viti 1962 deri më 1969 pastaj sa e sa të tjerë edhe nga Korça e Vlora, nga Elbasani a Shkodra, nga Lushnja e Tropoja, që kishin ardhur në Spitalin e Tiranës për t'u kuruar, ose operuar prej tij. Deri në fund të vitit të kaluar, kur atë e gjunjëzoi dhe e mposhti një sëmundje e pashërueshme.
Pasoi vetëm një heshtje e shkurtër dhe diplomati amerikan, si të kuptonte se ishte nxituar në vendimin që kishte marrë, buzëqeshi, e vështroi doktor Adnanin me miradijë dhe ndër- roi mendim. "Udhë të mbarë profesor!", qenë fjalët e tij.
Larg atdheut, prej më shumë se 13 vjetësh, ndonëse nëpërm- jet Skype-t dhe telefonit qeshë në kontakt të vazhdueshëm me të dhe familjarët e tij, më vjen shumë keq që nuk munda t'i jem pranë Adnanit në çastet kur dha frymën e fundit.
Kur dy vjet më parë pati disa shqetësime që e detyruan të linte cigaren, gjatë bisedave telefonike më thoshte: "Sido që të jetë, do të vazhdoj punën në klinikë. Nuk e kam frikë vdekjen". Dhe e vazhdoi. E vazhdoi edhe kur kolegët e tij në Tiranë dhe në Toronto të Kandasë, ku jeton e bija, Evisi, me familjen e saj dhe ku u vizitua, i njoftuan fillimin e një sëmundjeje shumë të rëndë. Përsëri e shpërfilli vdekjen, vazhdoi vizitat në klinikën e tij në rrugën "Myslym Shyri".
Para disa muajsh i telefonova. Më foli me zë të shuar. Sëmundja e pamëshirshme po e vinte përposhtë. Por shpejt u këndell. "Pardje më ka bërë vizitë kolegu im, Sali Berisha, më tha. Ndenji goxha kohë me mua. Kujtuam vitet e punës sonë të pavijonet e Spitalit të Tiranës, në auditorët e Fakultetit të Mjekësisë, ku unë jepja leksione të otorinos dhe ai të kardiologjisë... U habit se si
mua nuk më ishte dhënë titulli "Mjeshtër i madh".
U habita dhe unë, kur në shtypin shqiptar në internet lexova se disa mjekëve tanë të shquar, më të rinj se Adnani, që në pranverë u ishte dhënë ky titull dhe atij, otorino i shquar për 52 vjet për çudi- jo.
Kur ula telefonin, ndërmenda Adnanin e vogël që me biçikletë, nga shtëpia e madhe e Këlliçëve, pranë fushës se futbollit në Shallvare, shkonte në Teknikumin Mjekësor, pastaj kur luanim tenis ai, im vëlla Luani dhe unë, që flitnim për ëndrrat tona, kur ai donte të bëhej i famshëm si doktor Zyma.
Ndërmenda ato vite kur së bashku me të punonim në Berat, mbrëmjet kur ai deri vonë nuk ndante nga duart revistat mjekësore në rusisht dhe anglisht, gjuhë që nisi ta mësonte që atje. Ndëmenda trokitjet në derën e kthinës sonë, kur fshatarë nga fshatrat më të largëta të Beratit, a Skraparit kërkonin që ai të vinte t'i vizitonte.
Ndërmenda babain e tij, Reshatin, publicistin atdhetar, që së bashku me Sejfulla Malëshovën, që vinte në vitet '50-të në shtëpinë tonë, i cili në vitet '20-të ëndërronte një Sh- qipëri demokratike, të ëmën, Bedon, për sa dekada mësuese e dashur e fëmijëve të fillores, që e nxitën Adnanin të realizon- te këtë ëndërr. Dhe ja para disa ditësh një e papritur. Presidiumi i Kuvendit të Shqipërisë i akordoi pr.dr. Adnan Këlliçit titullin: "Mjeshtër i madh". Në mungesë të tij, në këtë ceremoni ky titull i nderuar iu dha së shoqes, doktoreshës okuliste, Lavdi Këlliçi.
Mirëpo- "Mors ultima ratio", thonë latinët, (Vdekja është gjykimi i fundit). Para disa ditësh Zamiri, vëllai i tij i vogël, edhe ai i njohur si muzikolog dhe autor librash në këtë fushë, më njoftoi se Nani, ashtu siç e quanim ne shkurtimisht, kishte ndërruar jetë.
Familjarë, miq, shokë, kolegë, dyndën në shtëpitë e tij. Midis tyre, përsëri Kryeministri Sali Berisha. "Gjeti kohë që atë mëngjes pas vdekjes së Adnanit, më thoshte në telefon vëllai im Luani, që priste vizita, të vinte përsëri pas disa javësh, por këtë radhë për vizitën e fundit, të ngushëllimit. Dhe duke biseduar me Lavdinë, të shoqen e Adnanit, foli për të. Foli me dhembje për kolegun tij demokrat, e cilësoi humbjen e tij humbje të madhe për mjekësinë, së cilës ai i dha aq shumë me punën dhe veprën e tij", shtoi im vëlla.
Pastaj në ekran pashë pamje nga funerali i tij, arkëmortin, të vendosur në sallën e madhe të Fakultetit të Mjekësisë të UT- së, ku edhe ai dha kaq leksione për përgatitjen e mjekëve të rinj në fushën e otorinolarin- gologjisë, pashë dhe punonjës të pavijonit të tij në Spitalin e Tiranës, me të cilët punoi që nga viti 1969, që kishin ardhur t'i jepnin lamtumirën e fundit.
Pashë edhe pr.dr. Pjerin Radovanin, shefi i kësaj katedre, që edhe ai vlerësoi ndihmesën e madhe që dha pr.dr. Adnani, i cili vazhdoi traditën e nisur nga pr. Zyma, themeluesi i kësaj dege të mjekësisë në Shqipëri dhe të vazhduar nga kirurgët e tjerë të shquar pas tij- Anesti Bocka, Spase Trimcevi dhe të tjerë.
Dy vjet më parë, kur isha kthyer nga Bostoni në Tiranë dhe po prisja ta takoja Adnanin para klinikës së tij private, një mesoburrë që mbante për dore një vajzë të vogël, më pyeti:
- Edhe ju, doktor Adnanin prisni?
- Po, - iu përgjigja.
- Prej vitesh jam vizituar tek ai. Mjek i rrallë. Po sa i dashur me të sëmurët! Po si ua hiqte dhembjet!... Ndaj kam sjellë mbeskën time. Dhe kushdo tjetër nga të mitë, po të jetë i sëmurë nga hundët, veshët, a grykët, tek ai do t'u them të vijnë.
Dhe mbase këto ditë kështu mund të ketë ndodhur. Dhe ata do të kenë mbetur të trandur kur të kenë marrë vesh që doktor Adnani nuk ndodhet më midis nesh.
- Por na ka mbetur kujtimi i tij i paharruar, -do të thonë.
Dhe kjo nuk është pak.