NE VEND TE DOSJEVE - MONUMENTE
Dy fjalë për një Mur Kujtese dhe një Obelisk
ANTON ÇEFA
Anton Çefa, New Jersey USA |
Lexova
në “Illyria”një shkrim të Pandeli Majkos për një sugjerim të tijin që të ndërtohet
një Mur Kujtese, ku të gdhendeshin emrat e të gjithë atyre “që u vranë pse
mendonin ndryshe apo edhe pse luftuan që Shqipëria të ishte ndryshe”, siç thotë
shprehimisht ai.
Pandeli
Majko, për mendimin tim, është një nga personalitetet më të ekuilibruara të
politikës shqiptare që nga viti 1990 dhe këndej dhe më gëzoi pa masë ky
propozim i tij, vënia në jetë e të cilit do t’i shërbejë si një dëshmi e vyer
kujtesës historike kombëtare dhe do t’i ndihmojë breznive të ardhshme të
kuptojnë diçka nga ajo çfarë ka ndodhur në atdheun e tyre, të zdriten në
selitjen e një ideje dhe përfytyrimi historik sa më të qartë për atdheun, dhe të
orientohen në veprimtaritë e tyre atdhetare.
Aq
sa më gëzoi kjo ide, aq më erdhi i hidhur fakti që ai e ndjen veten “të dyzuar”
nëse i takon apo jo atij si komunist dhe bir komunistësh të bëjë një propozim të
tillë, sepse janë pikërisht ish-komunistët ata që duhet ta ndjejnë fajin e asaj
partie dhe të atij regjimi që shkaktoi atë tragjedi të përgjakshme vëllazërore
të pashembullt, dhe t’i kërkojnë falje për këtë asaj pjese të shoqërisë
shqiptare që e vranë, e burgosën, e torturuan dhe nuk i lejuan as të drejtën për
të patur një varr. Dhe t’i kërkojnë falje jo vetëm asaj, por edhe gjithë popullit
tonë.
Një
gjest vërtet i vonuar, shumë i vonuar, njëzet vjet i vonuar, por që ngjall
shpresë për një filtrim ndërgjegjeje, për një fisnikërim shpirtëror të fajtorëve.
Të
ishte bërë me kohë, që pas rënies së diktaturës, dhe në mënyrë masive, do ta
kishte qetësuar këtë segment të rëndësishëm të shoqërisë shqiptare, që përbën
substancën më fisnike të shpirtit shqiptar, do të ishte arritë pajtimi aq i
nevojshëm dhe vëllazërimi i popullit tonë, dhe historia jonë do të ishte
zhvilluar krejt ndryshe. Shkurt, nuk do të kishim kaluar nëpër këtë soj
“tranzicioni”, që na ka lënë më larg demokracisë se vendet e tjera të Lindjes,
dhe na ka krijuar këtë gjendje kaotike që po përjeton atdheu.
Një
gjest vërtet unik, por që na ngazëllen në mendimin që edhe të tjerë kolegë në
partinë e tij, që janë direkt përgjegjës për atë çka ndodhi, të solidarizohen
me propozimin e tij dhe , çka është më e rëndësishmja, të ndjejnë fajin dhe të kërkojnë
falje para popullit dhe Atdheut.
Edhe
nëse një propozim i tillë bëhet për oportunitet dhe përfitim politik, siç edhe
mund të interpretohet dhe është interpretuar, gjithsesi nuk i humb vlera aspak në
prizmin historik, sepse breznitë e ardhshme do të lexojnë tek ai Mur Kujtese
krimin e përbindshëm të diktaturës së kuqe, ndërsa synimet politike për të
cilat u ngrit do të zbehen me kalimin e kohës dhe do të harrohen fare.
Kam
mësuar gjithashtu se është projektuar nga kryeministri Berisha ndërtimi i një Obelisku
me të njëjtin qëllim, për t’i shërbyer kujtesës historike të Shqipërisë dhe të gjithë
kombit tonë.
Është
vërtet një veprim sa i fisëm e human aq edhe i nevojshëm ndërtimi i këtyre
monumenteve që do të dëshmojnë historinë kriminale të regjimit komunist dhe do
të pengojnë harresën. Por në këtë 100-vjetor të Shpalljes së Pavarësisë nuk
duhet të harrohet një çështje shumë më e rëndësishme se ngritja e monumenteve,
ajo që vendi ynë nuk ka demaskuar krimin komunist, imperativin numër një të
periudhës së pas rënies së diktaturës dhe vazhdon të jetojë e qetë në pajtim me
të. Me gjithë kërkesat e herëpasherëshme të Europës, ky problem është
anashkaluar, d. m. th, është sabotuar. Asnjë nuk ka shkuar para drejtësisë për
një gjë të tillë, përkundrazi, në jetën politike veprojnë edhe persona që janë
drejtpërdrejt përgjegjës për çfarë ka ndodhur.
Dosjet
nuk u hapën që të mos zbulohet e vërteta, e vërteta më e shëmtuar e një shoqërie,
ajo e krimit. U vranë shpirtërisht pikërisht ata të cilëve u kushtohen
monumentet, ata që iu kundërvunë regjimit diktatorial dhe u martirizuan për hir
të idealeve humane e atdhetare.
Në
këtë Përvjetor duhet të mendojmë më shumë se kurrë: cila do të jetë e ardhmja e
vendit tonë me gjendjen e krijuar? Një popull që ka frikë të zbulojë e të njohë
të vërtetën historike nuk mund të projektojë një të ardhme të sigurt. E pra, njohja
e së vërtetës historike është kusht sine qua non i ekzistencës së një kombi.