09 August 2014

Sejmenët e vrerosur të Kadaresë- nga Viktor Malaj

SEJMENËT E VREROSUR TE KADARESË

Nga VIKTOR MALAJ

 “Njerëzimi është racë e pakorrigjueshme. Mjafton t’iu japësh idhujt dhe gogolët dhe s’duan t’ia dinë për dallimet midis të drejtës dhe të gabuarës, të vërtetës dhe gënjeshtrës, të mirës dhe të keqes”.

                                       William Hazlitt

Një letër e hapur që shkrimtari dhe studiuesi Nasho Jorgaqi i dërgoi shkrimtarit Ismail Kadare para pak kohësh ngjalli shumë reagime në shtypin e përditshëm të Tiranës. Me përjashtime shumë të rralla, të gjithë opinionshprehësit iu shmangën thelbit të letrës dhe u pozicionuan në formacione luftarake, gjë që tregon se shtysa e dhënies së mendimeve të tyre nuk ishte arsyeja njerëzore dhe kultura intelektuale por pasionet dhe paragjykimet me të cilët e kalojnë jetën këta individë.
Me përjashtim të studiueses dhe kritikes letrare, zonjës Klara Kodra, z.Sokrat Habilaj si dhe shkrimtarit Visar Zhiti, shumica e reaguesve të tjerë as që u morën me përmbajtjen e letrës por nisën anatemimin e Jorgaqit dhe njerëzve të tjerë anonimë, duke i etiketuar si “pjesë e nomenklaturës komuniste”, “spiunë”, “sigurimsa”, “bolshevikë” etj., që kërkonin të hidhnin baltë mbi Kadarenë. Zonja Kodra bëri një analizë profesionale, që ne të tjerët e kemi më të vështirë ta realizojmë, por nuk shkoi më tutje, ndërsa zoti V. Zhiti tentoi të merrej me thelbin e çështjes por u tërhoq me kujdes, me sa duket për të mos e prishur me askënd. Mirëpo, e vërteta që nuk do t’i bjerë ndesh askujt nuk mund të jetë më e vërtetë e dobishme.
Shmangia nga thelbi i çështjes dhe etiketimi i njerëzve, me qëllim për t’i bërë të heshtin, ka kohë që është bërë mënyrë sjelljeje me publikun e një skuadroni akrepash intelektualë, të cilët karakterizohen sa nga intelektualizmi shterp, aq edhe nga një lloj perversiteti moral. Janë, përgjithësisht, një kategori personash, të cilët, si arritje të tyre më të madhe kanë prodhimin dhe  dhënien e diplomave universitare thuajse gjithë kokëboshëve dhe xhepplotëve të Shqipërisë ose janë individë që shërbejnë pa pushim dhe paguhen nga media shqiptare të korruptuara, të korruptueshme dhe korruptuese. Shërbejnë prej shumë vitesh duke përsëritur e ripërsëritur, pa ndërprerje, të gjithë termat e sotëm social-politikë, pa gjetur dhe ofruar kurrfarë zgjidhjesh për problemet më madhore që shqetësojnë shoqërinë shqiptare. Po t’i referohemi një thënieje popullore të përdorur në mbarë Shqipërinë, këta janë individë që paguhen duke punuar sipas parimit “Korr e mos lidh”. Mirëpo, janë individë shumë vigjilentë dhe të gatshëm të pickojnë e helmojnë cilindo që shpreh mendime dhe vlerësime të kundërta me të tyret. Duke mos qenë të aftë ta përballojnë debatin me argumente, ata kanë zgjedhur të shfaqen si modernë, perëndimorë, demokratë etj. dhe palën tjetër ta shpallin “komuniste”, “lindore”, “bizantine” etj. Në këtë mënyrë besojnë se të tjerët do të tërhiqen, të heshtin dhe këta do të jenë të vetëm, të përhershëm dhe fitimtarë në mejdanin e mendimit, duke vringëllirë shpatat e marrëzisë, ndërsa dëgjojnë me kënaqësi belbëzimet e të tremburve prej tyre, që, të strukur në një qoshe të debatit, luten pa pushim, “Zot, na shpëto nga maskarenjtë!”.
Në këtë skuadron, që përbëhet kryesisht nga individë të papersekutuar nga regjimi komunist, dallohen gazetarë të stilit Qypi, që ka një çerek shekulli që, me një fjalor të huazuar nga bordellot e kohës, nuk lë pa sulmuar askënd që nuk i pëlqen, e deri tek disa gazetarë apo studiues të tjerë që përpiqen të imponohen jo nëpërmjet dijes por shfryrjes së pasioneve. Është e sigurt se shumicën e tyre, po të ishte ende regjimi i para 1990-ës, do t’i shihnim duke u shtyrë në radhë për të marrë teserën e PPSH apo për të siguruar ndonjë vend në “nomenklaturën komuniste”. Ndërsa në gjithë këtë kohë passocialiste përpiqen të na bindin se qenia e dikurshme anëtar partie apo zyrtar i çfarëdo rangu në regjimin komunist paska qenë mëkat dhe, pse jo, edhe krim. Sipas tyre, gjithë këta individë nuk kanë sot të drejtë të shprehin mendimet e tyre. Që ta gëzosh këtë të drejtë, ose duhet të kesh qenë i persekutuar i atij regjimi, ose duhet të kesh qenë bari dhensh apo punëtor me kazmë. Këta pjesëtarë të skuadronit në fjalë nuk të fusin në burg, jo pse i pengon ndërgjegjja, por sepse nuk i lejojnë kushtet dhe rrethanat që ka krijuar koha e sotme. Në këto kushte, kanë zgjedhur të të burgosin fjalën tënde, në pamundësi të të burgosin trupin. Kjo është çfarë iu intereson atyre.
Në rastin e letrës së Jorgaqit për Kadarenë thelbi i çështjes qëndron nëse Kadare e ka shkruar romanin më të fundit në vitin 1958 apo tani vonë dhe e paraqet si arritje të rinisë së tij (ky fakt nuk cenon vlerat e veprës letrare të shkrimtarit por është domethënës për karakterin e tij), nëse është e vërtetë se në vitin 1958 Kadare e “kishte çuar kudo namin” e novelës së shokut të tij Nasho Jorgaqi kurse sot pohon se “Kur e kam lexuar… kam vënë duart në kokë. M’u duk një tmerr i vërtetë”. Gjithashtu, në thelbin e letrës së Jorgaqit bëjnë pjesë edhe vlerësimet e Kadaresë për metodën e realizmit socialist, që dikur argumentonte përparësitë e saj ndaj metodave të tjera ndërsa sot e konsideron si “art çnjerëzor” etj.
Shqytarët e vrerosur, që morën përsipër baltosjen e Jorgaqit dhe gjithë atyre që kanë vërejtje për Kadarenë, nuk u morën me asnjërin nga këto probleme. Disa prej tyre janë aq të pafytyrë saqë vetëm para dy vitesh u përpoqën ta bëjnë Kadarenë të heshtë rreth manipulimit të rezultatit të zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës duke përdorur të njëjtin fjalor me të cilin sulmojnë sot qortuesit e Kadaresë. Ka shumë vite që kjo kategori individësh, kur nuk të bëjnë dot të heshtësh, të rekomandojnë që librat e Kadaresë dhe disa libra të tjerë, të botuar para 1990, “duhen lexuar midis rreshtave”. Ata duan të na bindin se p.sh. fjalët “rrap madhështor” duhen lexuar si “ferrë e vyshkur” apo urimet “të rrojë shoku Enver sa malet me dëborë!” t’i lexojmë si “të rrojë sa dëbora në male (dihet se dëbora shkrin shpejt)” etj. Mirëpo disa shqiptarë “anadollakë” nuk pranojnë të lexojnë midis rreshtave ku ndodhet errësira e mbushur me gënjeshtra, por preferojnë të lexojnë vetë rreshtat ku ndodhet e vërteta e ndriçuar.
Në reagimet e tyre ndaj letrës në fjalë individët e lartpërmendur u përpoqën ta paraqesin qëndrimin e Jorgaqit si dashakeqës, si smirë, si dëshirë për t’u dukur (sepse po sulmonte Kadarenë, ndërsa mbrojtjen e Kadaresë nuk e konsiderojnë të tillë), si sulm i nomenklaturës komuniste që “s’ia fal Kadaresë antikomunizmin e sotëm”, si imitim i fletërrufeve të dikurshme etj. E vërteta është se N. Jorgaqi, jo vetëm në atë letër, por edhe në studimet e tij të mëparshme e ka pohuar disa herë vlerësimin e tij shumë të lartë për Kadarenë dhe veprën e tij letrare. Shqytarët e sipërpërmendur thonë se nuk duhet ndarë Kadareja si shkrimtar nga Kadareja si njeri dhe se “ai nuk mund të jetë një shkrimtar i madh dhe një njeri i vogël”. Ky pohim nuk qëndron, jo vetëm për Kadarenë, por për asnjë individ tjetër të kësaj bote. Aftësitë, prirjet dhe dhuntitë e shfaqura në veprimtarinë njerëzore janë një gjë dhe karakteri i njeriut është tjetër gjë. Ato ndërthuren dhe bashkëndikojnë por, në asnjë rrethanë, nuk mund të njësohen. Po të niseshim nga pohimi i tyre do të duhej që nobelisti norvegjez Knut Hamsun, i cili e cilësonte Hitlerin, vrasësin më të madh të njerëzimit, si “një profet i Ungjillit”, apo nobelisti serb Ivo Andriq, një armik konsekuent i çështjes shqiptare në Ballkan, të konsideroheshin edhe njerëz të mëdhenj dhe të mos kritikohen për asgjë.
Një pjesëtare halucinacionante e familjes së E. Hoxhës i konsideronte kritikat ndaj Kadaresë si sulm i mafies dhe i agjenturave, ndërsa disa adhurues pa kushte të tij apo kinse adhurues u shprehën se Kadare është “i shenjtë!”, është pjesë e Trinisë (kupto: trinisë së shenjtë biblike). Kuptohet qartë se cenimi (qoftë edhe në formën e kritikës) i tij do të përbënte sakrilegj.
Sa i përket kohës kur Kadare ka shkruar romanin e tij më të fundit, as kritikët dhe as idhujtarët e tij nuk mund ta vërtetojnë këtë fakt. Këto janë fakte që vërtetohen vetëm me ekspertiza specifike. Personalisht, si lexues i tij, ky fakt s’më intereson fare, përveçse kur është fjala për raportet e Kadares me të vërtetën.

Raportet e Ismail Kadaresë me të vërtetën

Nuk ka asnjë dyshim që I.Kadare është një shkrimtar i klasit të parë. Ismail Kadare mund ta kishte marrë dhe duhet ta marrë Çmimin Nobel për letërsinë. Ai e meriton këtë çmim jo pse ka qenë për dy dekada një komunist formal dhe as pse ka një çerek shekulli që shfaqet si antikomunist i çakërdisur dhe as pse është shqiptar. Kadare e meriton çmimin e lartpërmendur për shkak të dhuntive të tij superiore letrare të manifestuara në shumë libra të shkruar, të botuar dhe të përkthyer në disa gjuhë të huaja. Madje, të duket qesharake dhe cinike kur mendon se një çmim i tillë iu është dhënë dikur disa autorëve që qëndrojnë dukshëm poshtë Kadaresë.
Pas vitit 1990, disa individë shqiptarë e patën cilësuar Kadarenë si shërbëtor të regjimit komunist dhe ndihmës të tij, ndërsa disa të tjerë e patën cilësuar si armik dhe varrmihës të atij regjimi. E vërteta e madhe është se asnjëri nga këto pohime nuk është i vërtetë. Regjimi komunist nuk jetoi gati gjysmë shekulli në Shqipëri për shkak të ndihmës së Kadaresë dhe as ra në vitin 1990 për shkak se ndihmoi Kadareja me ikjen e tij. Ismail Kadare nuk iu ka borxh shqiptarëve që e pësuan nga regjimi i para 1990. Pohime të tilla burojnë ose nga dashakeqësia, ose nga mendjelehtësia. Kur ishim të rinj dhe studentë ne i pëlqenim shumicën e librave të Kadaresë për shkak të ndjesive artistike dhe estetike që na shkaktonin dhe jo pse ishte anëtar partie (ne, as e dinim këtë fakt dhe as ishim të interesuar për këtë) apo pse kishte shkruar edhe për Partinë dhe “shokun Enver”. Unë dhe disa shqiptarë të tjerë të thjeshtë dhe anonimë nuk kemi këtë konsideratë për letërsinë artistike të Kadaresë të pas 1990, jo pse ai bën përpjekje të stërmundimshme dhe të panevojshme të vetëparaqitet si antikomunist, por sepse kjo letërsi nuk e ka atë nivel artistik të librave të tij të dikurshëm dhe sepse në sprovat (esetë) e tij letrare Kadare dëshmon se ka shumë probleme me të vërtetën dhe etikën.
Shqytarët mjeranë të Kadaresë, duke u përpjekur ta paraqesin si hyjnor, kërkojnë nga të tjerët që ato që ka thënë apo thotë Kadare, të merren si postulate, të mos diskutohen, të mos vihen në dyshim dhe, aq më pak, të kundërshtohen. Ata duan që ne, shqiptarët e zakonshëm, për hir të cilësisë artistike të letërsisë kadareane, të pranojmë verbazi dhe të duartrokasim edhe atëherë kur Ismail Kadare nuk thotë të vërtetën, edhe atëherë kur ai trillon apo thotë gjëra që e bëjnë qesharak. Të mos jesh dyshues dhe, më së paku, kritik kur ndesh pohime të tilla të Kadaresë si: Letërsia nuk ka kurrfarë lidhjeje me jetën, se nga mënyra si lëviznin balerinat në teatrin kinez të viteve ’70 mund të kuptoje sa anëtarë të Byrosë Politike kineze do ta pësonin në javët në vazhdim, se Italia e pushtoi Shqipërinë në prill 1939 sepse Konti Çiano donte të shtinte në dorë Geraldinën, se udhëheqësit komunistë të regjimit të kaluar bënë çmos ta rrëzonin Skënderbeun por u rrëzuan prej tij dhe broçkulla të tjera si këto, do të thotë të mos kesh respekt as për veten dhe as për të vërtetën historike.
Adhuruesit pa kushte dhe rezerva të Kadaresë duan të na bindin se libra të tij si “Mosmarrëveshja” duhen konsideruar si “dhiatë e antropologjisë kombëtare”, mirëpo arsyeja e shëndoshë nuk mund të mos konstatojë se, në një pjesë jo të vogël të tij, ky libër është një lajthitje intelektuale. Përdorimi i fantazisë në çështje të historisë dhe moralit nuk mund të jetë produktiv si në krijimtarinë artistike.
Qysh nga viti 1990 Ismail Kadare ka bërë një përpjekje vigane, si askush tjetër jashtë fushës politike, për të bindur opinionin e brendshëm dhe të jashtëm se ai ka qenë armiku kryesor i regjimit komunist dhe në luftë të vazhdueshme me të. E filloi këtë me “arratisjen” nga Shqipëria atëherë kur nga regjimi komunist nuk rrezikohej as edhe një fshatar i thjeshtë, duke pretenduar më vonë se ikja e tij do i shërbente rënies së regjimit, e vazhdoi me paraqitjen e vetes në libra eseistikë sikur të ishte Prometeu i mitologjisë, dhe nuk pushoi kurrë së mohuari dhe anatemuari shumëçka që ishte krijuar në Shqipëri gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 20-të.
Në këtë kuadër janë edhe pohimet e tij rreth realizmit socialist në intervistën që paraprin botimin e librit “Mjegullat e Tiranës”. Në të, ndër të tjera, ai thotë: “Çështja e heroit pozitiv ka qenë e para që më ka dalë përpara në raportet e mija me realizmin socialist. Për t’i rënë shkurt, ishte shëmtia e parë që arrita të dalloj, pa ndihmën e askujt, përveç se të letërsisë… Nuk e kisha marrë me mend se do të vinte dita që mbi shpinën time të ndieja se ç’turp do të ishte të gjendeshe si hero pozitiv në një vepër të realizmit socialist… Personazhi qendror, d.m.th. unë vetë isha një student që më rrinte mendja ditë e natë se si pas mbarimit të studimeve, të shkoja ku të më dërgonte partia për t’i shërbyer popullit… Për herë të parë… unë kuptova se sa çnjerëzor mund të ishte ky art”.
Pohime të tilla të lënë pa mend, edhe sikur të ishin bërë nga një njeri i rëndomtë dhe jo më kur ato i bën njëri nga kontribuuesit më të mëdhenj të kulturës kombëtare. Është e sigurt se pohime të tilla nuk burojnë nga padija. Kur mendjet e mëdha udhëhiqen nga pasionet dhe interesat vetjake, jo rrallë, sjellin pasojat e stuhive dhe jo ato të diellit pranveror.
Bazuar në pohimet e mësipërme rezulton se metoda e realizmit socialist dhe, rrjedhimisht, edhe letërsia e krijuar sipas saj, janë të shëmtuara, të turpshme dhe çnjerëzore. Problemi bëhet akoma më i çuditshëm dhe i ndërlikuar kur vëren se shkrimtari ka ardhur në këtë konkluzion, kryesisht, duke pasur parasysh “heroin pozitiv”.
Që realizmi socialist ka pasur kufizimet e tij, herë të drejta dhe herë të padrejta, kjo nuk ka diskutim. Por, siç thotë me të drejtë kritikja Klara Kodra, e keqja më e madhe erdhi nga trysnia që organet partiake dhe shtetërore shqiptare ushtruan mbi shkrimtarët dhe artistët duke i degjeneruar parimet e kësaj metode deri në absurditet. Dihet se parimi kryesor i asaj metode ka qenë pasqyrimi me vërtetësi i jetës. Nga ana tjetër, “heroi pozitiv” i asaj letërsie ishte (ose, më saktë, duhej të ishte) individi që vë interesin e përgjithshëm mbi atë vetjak dhe që është i gatshëm të sakrifikojë për shoqërinë. Pikërisht, ky hero, i cili ishte i gatshëm “për t’i shërbyer popullit”, siç thotë Kadare, i jepte karakter çnjerëzor letërsisë (po sipas Kadaresë).
Ky pohim i pretendentit për Çmimin Nobel është shërbimi më i keq që mund t’i bëhej gjykimit mbi vetë autorin dhe veprën e tij. Shërbimi ndaj shoqërisë, sakrifikimi për njerëzimin është shtylla kurrizore e Doktrinës së Krishterë, nga e cila Perëndimi pretendon se udhëhiqet, ai Perëndim të cilin Kadare e glorifikon pareshtur dhe pohon se ne i përkasim dhe duhet t’i përkasim. Nënë Terezës iu dha Çmimi Nobel, pikërisht sepse sakrifikoi gjithë jetën e saj për njerëzimin (popullin), me motivacionin “Me punën e saj iu ka sjellë dinjitet të varfërve të kësaj bote…”. Kur letërsia dhe propaganda e regjimit komunist e vinte theksin tek ky lloj heroi pozitiv, Presidenti i SHBA, Xhon F. Kenedi i këshillonte amerikanët: “Mos pyesni se çfarë bën Amerika për ju por çfarë bëni ju për Amerikën”.
Nëse ka një element human (njerëzor) që përshkon artin e realizmit socialist, pavarësisht ekzagjerimeve nga ndërhyrjet e politikës, është pikërisht “heroi pozitiv”. Prania e këtij heroi, sipas Kadaresë, e bënte artin çnjerëzor. Sigurisht, në një kohë dhe shoqëri ku quhet art emisioni “Big Brother” dhe promovohen si “heronj” individë të zvetënuar si Kim Kardashianët apo ku një prapanicë e mbushur me  silikon për pesë orë çmohet më shumë se një kokë e mbushur me dije për 50 vjet, nuk mund të ketë vend për të tillë heronj pozitiv si ata që sakrifikojnë për shoqërinë. Jo më kot, njëri nga shqytarët e Kadaresë, që hiqet si filozof province, thoshte në shtyp se “Njeriu i mirë, ai që sakrifikohet për interesin e përgjithshëm është një kategori e mjerimit filozofik… Po, kapitalizmi i ka njerëzit e tij të mirë:Tek punëtorët socialë, klerikët, dhe po deshe prostitutat”.
Nëse ato që thotë Kadare për realizmin socialist janë të vërteta, atëherë lindin disa pyetje: Nëse arti i realizmit socialist ishte çnjerëzor, a duhet hedhur i gjithi në koshin e plehrave? Po kështu, të gjithë shkrimtarët e asaj kohe a duhen mohuar, harruar dhe madje, ndaluar (sepse gjërat çnjerëzore shkatërrojnë njerëzimin)? Vetë vepra letrare e Ismail Kadaresë a i përket realizmit socialist? Nëse po, si mundet një shkrimtar, që ka shkruar e botuar vepra letrare çnjerëzore, të pretendojë fitimin e Çmimit Nobel për letërsinë? Nëse veprat letrare të Kadaresë nuk i përkasin realizmit socialist, si mundi shkrimtari t’i shmangej kësaj metode letrare “çnjerëzore”, jo vetëm pa e pësuar nga shteti diktatorial, por, madje, duke pasur edhe poste politike e shtetërore (anëtar partie, nënkryetar i Frontit Demokratik, deputet i Kuvendit Popullor)? Kaq budallaqe ishin të gjitha strukturat e shtetit të diktaturës, sa ua hodhi një njeri i vetëm?
Ismail Kadare ua ka detyrim moral dhe intelektual të gjithë lexuesve të tij t’iu përgjigjet këtyre pyetjeve, dhe të tjerave si këto. Përndryshe, ne kemi të drejtë të besojmë se, me gjithë ekzagjerimet dhe deformimet, realizmi socialist ishte një metodë letrare humane (dhe jo çnjerëzore, siç thotë Kadare), se, në tërësi, librat e tij të para 1990 mbështeten në këtë metodë dhe se regjimi i kohës, me dashje, ka lejuar edhe shmangie, sado të vogla, nga zbatimi i kësaj metode.
Përfundimisht, unë besoj se e ardhmja i mbetet shkrimtarit Ismail Kadare, ndërsa me njeriun Kadare ajo nuk duhet të merret. Sepse, edhe në të ardhmen, njerëzimi do të ketë nevojë për Diogjenë që, me qiri të ndezur në dorë, të dalin ditën me diell nëpër rrugët e qyteteve, në kërkim të njeriut.

DITA 8 Gusht, 2014