09 January 2013

TE KEMBESH NOLIN ME ZOGUN

Fan Noli
 TE KEMBESH NOLIN ME ZOGUN

ÇAPAJEV GJOKUTAJ

Viti që porsa mbyllëm u karakterizua nga një ligjërim i ndezur mediatik për historinë dhe kombin. Asgjë për t’u çuditur, shënohej 100-vjetori i shtetit shqiptar, ndaj ligjërimi publik doemos do të kujtonte njerëzit dhe bëmat që shënojnë trasenë e hapur gjatë një shekulli.
Por jo rrallë përkujtimit ia zuri vendin instrumentalizimi, madje një instrumentalizim primitiv, që nuk bëhej për synime strategjike mbarëkombëtare, siç mund ta kërkonte një jubile i tillë, por shkonte në favor klanesh të ngushta dhe interesash afatshkurtra. Thënë me një aforizëm: u përdorën topat për të vrarë harabela.
Mjeti më i përdorur për të realizuar këtë lloj instrumentalizimi ishte simboli. Projektimi i personazheve historike si simbol të kujtojnë balsamosjen e shpendëve. Merret trupi, hiqen indet e buta, lihen vetëm eshtrat, pendët dhe lëkura dhe kjo formë e zbrazur mbushet me lëndë inerte. Edhe për kthimin e një figure historike në simbol ndiqet e njëjta teknologji. Merret një personazh, i hiqet përmbajtja dhe ruhet vetëm koraca e përbërë nga emri.
Ndryshimi është se në vend të lëndës inerte shtohet përmbajtje e re, e cila përcaktohet nga interesat e atij që e ndërton simbolin. Në se shpendi i balsamosur vepron mbi vizitorët nëpërmjet pamjes së jashtme dhe e fsheh vazhdimisht materien inerte, simboli historik vepron sa me emrin aq edhe me përmbajtjen e gatuar rishëm. Falë kësaj veçorie, simbole të tilla shërbejnë si lëndë e parë për të njohur jo personin historik mbi të cilin janë krijuar, por synimet e hapura apo të fshehura të atyre që i ndërtojnë. Si çelës për këtë lloj analize shërbejnë shmangiet nga e vërteta historike.
Simboli i Ahmet Zogut rezultoi një ndër më të përfolurit e rrjedhimisht më vepruesit e këtij qindvjetori. Emri i tij si rrallëkush tjetër ngjalli diskutime pro dhe kundra. Kjo nuk lidhej thjesht me të vërtetën se Zogu është themelues i shtetit modern shqiptar e në këtë jubile i takonte njeri nga vendet e kreut. Nuk lidhej as thjesht me dëshirën normale për ta rehabilituar pas një karikaturizimi total gjatë pesëdhjetë vjetëve komunistë. Të shumtën e herëve Zogu u përdor si instrument sa për legjitimim psikologjik aq edhe për kompaktësim elektoral.
Kulmi i përdorimit simbolik të Zogut arriti me inaugurimin e shtatores së tij, më 24 dhjetor në Tiranë. Mediat theksonin simbolikën e datës me tituj të tipit:Rikthimi i dytë i Zogut, Shtatorja e Mbretit do të zbulohet në ditën e triumfit të LegalitetitZogu monument në ditën e rrëzimit të Nolit etj.
Media opozitare nuk mënoi të sillte në vëmendje të publikut faktin se brenda dy dekadash kryeministri Berisha ka mbajtur dy qëndrime diametralisht të kundërta. Në qershor 1994 deklaronte se “dhjetori i vitit 1924 ishte një muaj i zi për shqiptarët dhe për Shqipërinë; rrëzimi i qeverisë së Nolit nga Ahmet Zogu, me mbështetjen e Serbisë, përbën njërën prej ngjarjeve më tragjike të historisë sonë kombëtare”. Pa u mbushur dy dekada gjykimi përmbyset fund e krye, “një grusht aventurierësh organizuan kundër Ahmet Zogut grushtin e shtetit; ai u rikthye, u zgjodh President i këtij vendi dhe më vonë Mbret i shqiptarëve”. Noli dhe shokët e tij nga “viganë liberatorë” më 1994-ën u transformuan në “një grusht aventurierësh” më 2012-ën, kurse Zogu nga sundimtar satrap bëhet mbartës legaliteti dhe zhvillues i vokacionit perëndimor të shqiptarëve.
Si Noli ashtu dhe Zogu janë personazhe që i takojnë historisë. Bëmat dhe kontributet e tyre janë mbyllur prej dekadash. Ndërkohë nuk ka pasur dhe as ka ndonjë zbulim faktesh e dokumentesh  që do ta rikompozonin përmbajtjen e tyre  historike. Me fjalë të tjera, si Noli ashtu dhe Zogu nuk kanë ndryshuar. Mbetet të ketë ndryshuar subjekti që i gjykon dhe i përdor si simbole, në këtë rast Berisha.
Nuk është vështirë të vësh re se në të dy fjalimet, si në atë të 1994-ës dhe në atë të 2012-ës, kemi një prirje të dukshme për ligjërim dikotomik, lartësohet deri në idol njëra palë dhe anatemohet e demonizohet tjetra. Kështu Zogu më 2012 na shfaqet politikan i kulluar, që “jetoi dhe vdiq si një antifashist i vendosur i Shqipërisë dhe Europës”. Kush e njeh sadopak historinë e viteve ‘20-‘30, nuk e vë në dyshim se në raport me fashizmin Zogu rezulton deledash. Natyrisht që vdiq si antifashist, por një pjesë të mirë të jetës, madje pjesën kulmore të jetës politike aktive, pati për sponsor Musolinin dhe de facto i lidhi fatet e Shqipërisë me fashizmin italian.
Idealizimi i një personi historik shërben zakonisht si hapi i parë për të përgatitur identifikimin psikologjik me të. Me fjalë të tjera, zgjidhet një person historik, kthehet në simbol duke e idealizuar dhe pastaj ligjëruesi identifikon me të ose veten ose grupin që synon të ndikojë a të dominojë. Prirja për identifikimin Berisha – Zogu bie më açiknë sy në një tjetër shmangie nga realiteti historik. Ndër meritat që Berisha numëroi për Zogun këtë dhjetor, krahas kontributeve të pranuara gjerë si krijimi i shtetit, reformat properëndimore, vendosje qetësie e rendi etj., i atribuoi edhe zhvillimin e zgjedhjeve të para pluraliste në vend. Kush e njeh historinë e asaj kohe e di se Zogu njihet më shumë si varrmihës i zgjedhjeve pluraliste sesa si themelues i tyre. Zgjedhjet e marsit 1921 dhe ato të dhjetorit 1923, që sidokudo ishin pluraliste, nuk janë meritë e Zogut, por e klasës politike të kohës. Kur ky u forcua dhe mori në dorë tërësisht frerët e vendit, pra kur u bë president dhe më pas mbret, partitë politike, dhe bashkë me to edhe pluralizmi, u bënë kujtim i të kaluarës.
Kuptohet se shmangia “zhvilloi zgjedhjet e para pluraliste në vend” nuk përputhet me të vërtetën historike; më shumë sesa Zogut, i takon lëvizjes së dhjetorit dhe Berishës si udhëheqës i saj. Pra ky pohim s’është veçse një atribut fals që del në ligjërim si pasojë e identifikimit që Berisha, vetëdijshëm apo pavetëdijshëm, bën me Zogun. Këndej edhe loja e simboleve që përmbante inaugurimi i shtatores: dhjetor 1924 vs dhjetor 1990, legalist vs dhjetorist, triumf i legalitetit vs rikthimi i 2005-ës, grushti nolian i shtetit vs grushtshteti komunist i ‘97-ës etj. etj.
Prirja për identifikim psikologjik bie më tepër në sy në fjalimin e qershorit 1994. Në atë kohë Berisha dhe Partia Demokratike sa kishin rrëzuar diktaturën, ndaj identifikimi bëhej me vigan liberatorët që kryesonte Noli, kurse diktatura projektohej te Zogu; ardhja e tij në pushtet perceptohej si “ngricat e mëdha të dhjetorit që ngrinë ëndrrën e madhe të demokracisë shqiptare”, ëndërr që posa e kishin risjellë në jetë Berisha dhe demokratët.
Do të shkelnim në viset e spekulimit nëse identifikime të tilla do t’i analizonim me instrumente frojdianë, duke i parë si dukuri të subkoshiencës, si mekanizma mbrojtës që dëshmojnë pasiguri, ankthe etj. etj. Në këtë rast, më frytdhënëse dhe, shoqërisht më të dobishme, rezultojnë instrumentet që përdor Keneth Burke për analizën e identifikimit.
Njerëzit, sipas Burke, e përdorin ligjërimin jo aq për të përcjellë informacion nga një mëndje te tjetra, sesa për të krijuar marrëdhënie njerëzore. Vendosur në këtë kontekst, identifikimi nxit ndërveprimin, duke inkurajuar bashkim dhe ndarje, bashkëveprim dhe përplasje, caktim kufijsh mes “nesh” dhe “atyre”. Si i tillë identifikimi është mjet nga më efikasët për forcimin e kohezionit social, për unifikimin e grupit etj.
Në këtë funksion, pra për të rritur kohezionin e elektoratit të vet, duket se i ka përdorur edhe Berisha të dy identifikimet kontraverse: një herë me Nolin e herë tjetër me Zogun. Identifikimi në këto raste përcaktohet edhe nga pëlqimet, aspiratat dhe vlerat që synon grupi. Në vitet ’90 elektorati i PD-së shtrihej kryesisht në qytetet e mëdha të vendit, kapte pjesën më progresive të shoqërisë. Jo vetëm kaq, por edhe Berisha dhe elita politike e këtij grupimi ishin politikanë fare të rinj, por intelektualë të formuar. Të gjithë këta faktorë bënin që Noli, njëri prej intelektualëve më të shquar të kombit, të shfaqej tejet ngashënjyes për elektoratin qytetar dhe, ca më shumë për elitat e PD-së.
Sot një pjesë e mirë e votave të PD-së vjen nga fshati dhe zonat rurale. Ky elektorat pëlqen modele kulturore të strukturuara mbi vlera patriarkale si forca, autoriteti, dominimi i mashkullit etj. Vetëkuptohet se ky grup mund të identifikohet lehtë me Zogun, monarkun, autoritetin, por zor se ka ndonjë shtysë psikologjike të identifikohet me intelektualë të kalibrit të Nolit që, edhe nëse i simpatizon, i percepton si yjet, të shndritshëm por të paarritshëm. Nuk po shtjellojmë këtu tendencën e votimit veriu djathtas – jugu majtas, origjinën veriore të Zogut dhe prirjen ende të fortë për t’u identifikuar mbi elemente krahinore.
Noli dhe Zogu janë simbole që kur i pranëvë krijojnë një dikotomi  polivalente. Kjo jo thjesht nga fakti se gjatë një periudhe të jetës së tyre kryesuan dy grupime antagoniste, që për të marrë pushtetin përdorën dhe armët. Noli e dëshmoi veten si shtetar aventurier e mediokër, kurse Zogu – si një ndër shtetarët më të shquar të historisë sonë. Noli kalëron nëpër kohë me një karvan tejet të pasur veprash intelektuale, Zogu është tejet i vobektë në prodhimtari intelektuale, edhe fjalimet e tij më të mira ruajnë vetëm vlerë historike dhe janë larg thesareve të kulturës kombëtare po aq sa hardhuca nga dinosaurët.
Siç shihet Noli dhe Zogu më shumë se e kundërshtojnë njeri-tjetrin, kontrastojnë. Prirja, që simbolet e tyre të strukturohen në alternativën përjashtuese ose… ose…, nuk buron nga realiteti historik, por nga synime të ditës. Kështu mund të shpjegohet pse simbolet e tyre mbeten materie e pëlqyer për demagogji politike, sidomos sot kur politika synon kompaktësim taborësh mbi ndarjen luftarake ne-ata. Fatkeqësisht kjo psikologji taborësh do të na shoqërojë sa kohë që politika shqiptare do të synojë që të unifikojë elektoratet jo me programe dhe alternativa zhvillimi, por mbi bazë përkatësish historike, shpesh imagjinare.
Gjithsesi, projektimi i historisë si imagjinatë dhe fantazi të sjell ndër mend sojliun e Mançës, duke vërtetuar edhe një herë se Noli, më shumë sesa një përvojë historike, mbetet një faktor aktiv, që ndërvepron me ne të gjallët mes rreshtave të Skënderbeut dhe Bethovenit, Shekspirit dhe Kajamit, apo qoftë edhe me aliteracionin: triumfon legaliteti dhe laneti, që jo një herë na u nëpërmend gjatë vitit që posa përcollëm.