11 April 2014

Mbi debatin Fatos Lubonja-Henri Çili- nga Kastriot Myftaraj


 TENTAKULAT E OKTAPODIT KORRUPTIV*
Mbi debatin Fatos Lubonja-Henri Çili

Shkruar nga KASTRIOT MYFTARAJ

Debati i fundit i Fatos Lubonjës me Henri Çilin është nga ato ngjarje që duhet ta ndriçojnë mendjen e lexuesve dhe të teleshikuesve, mbi të vërtetën e atyre njerëzve të cilët janë bërë kulte në ekrane dhe në faqen e parë të gazetave. Debati nisi me shkrimin e Lubonjës “Çili si paralajmërues i falimentimit të sistemit”, që u botua në gazetën “Panorama”, në 9 prill 2014. Në këtë shkrim, Lubonja merr shkas nga një intervistë e Çilit, në të cilën ky thotë se, meqënëse në Shqipëri shtypi nuk është një veprimtari fitimprurëse, ai do të kalojë, sa i përket veprimtarive te tij botuese, nga pozita e biznismenit në atë të donatorit, pra të filantropit, duke e bërë gazetën dhe revistën “Mapo” botim të një OJF-je, që është Fondacioni për Liri Ekonomike. Lubonja (këtu po e parafrazoj përmbledhtas mendimin e tij) i kërkon Çilit që në veprimtarinë e tij si biznismen të jetë koherent me idetë e tij si gazetar dhe publicist. Çili biznismen, thotë Lubonja, me veprimin e tij ka pohuar dështimin e një modeli ekonomik të kapitalizmit liberal që deri më sot Çili gazetar dhe publicist e ka mbrojtur me të madhe. Prandaj, thotë Lubonja, Çili biznismen kishte detyrim që të shpallte falimentimin zyrtarisht, dhe pastaj ta niste punën nga e para, në mënyrën tjetër, por tashmë Çili gazetar dhe publicist duhet të mbronte modelin ekonomik të cilin e kishte kundërshtuar deri më sot.
Këtu Lubonja e merr si të mirëqenë atë se Çili ka vërtet ide, te të cilat beson fuqishëm dhe të cilat do të duhej t’ i rishqyrtonte seriozisht me rastin e këtij ndryshimi në veprimtarinë e tij si biznismen. Në të vërtetë Lubonja e di shumë mirë se sa seriozisht e ka Çili këtë punën e ideve të tij. Nëse Lubonja donte t’ i ndriçonte lexuesit e tij ai duhet ta kishte nisur shkrimin me pyetjen se kur na u bë ky Henri Çili biznismen, jo ta merrte si të mirëqenë faktin që ai është “gazetar, botues dhe biznesmen njëherësh”, siç thotë Lubonja në shkrim. Nëse Lubonja do të provojë t’ i përgjigjet kësaj pyetjeje në vazhdim të debatit, atëherë, po të shprehem me fjalët e tij nga shkrimi i sipërpërmendur, kjo: “ndihmon goxha për të zbërthyer sistemin që së fundi e kam cilësuar ‘oktapod me shumë tentakula’, duke vënë gishtin edhe mbi mediat e bizneset që kemi ndërtuar”.
Henri Çili u bë biznismen pas ardhjes së Sali Berishës në pushtet, në 2005. E gjithë karriera e Henri Çilit si biznismen është ndërtuar krejtësisht në vitet 2005-2013, pra në kohën kur Sali Berisha ishte Kryeministër. Me të ardhur Sali Berisha në pushtet, i dha Henri Çilit një licencë për universitet privat. Në kohën që Sali Berisha ishte Kryeministër, Henri Çili u bë botues i gazetës “Mapo”, revistës “Mapo”, si dhe krijoi një shtëpi botuese private. Gjithashtu, në këtë periudhë Henri Çili mori në zotërim një fshat turistik luksoz, në Durrës, me vlerë 12 milion euro, nga banka “Credins”, e cila ishte shumë e afërt me Familjen Berisha, në kohën që kjo ishte në pushtet. Gjithashtu, Çili mori nga kjo bankë një kredi prej gjashtë milion euro për të bërë investime në Universitetin privat të tij. Por mund të jetë një koincidencë që Henri Çili u bë biznismen në kohën që Berisha ishte Kryeministër, mund të thotë dikush. Por ka dhe një koincidencë tjetër, që gjatë kësaj kohe Henri Çili ka qenë, nuk mund ta quaj ndryshe, shërbëtor mediatik i Sali Berishës. Në zgjedhjet vendore të vitit 2011, Henri Çili u bë propagandisti kryesor i kandidatit të PD-së për kryetar bashkie të Tiranës, Lulzim Basha, duke krijuan “Iniciativën për Tiranën” me 31 “intelektualë”. Merret vesh, Henri Çili biznismen është krijesë e Qeverisë së PD. Një tjetër koincidencë, punët e zotit Henri Çili si biznismen, shkonin mirë sa kohë ishte Berisha Kryeministër. Tani që Berisha u largua nga pushteti nisën problemet edhe për biznismenin Henri Çili, ra dominoja e parë e bizniseve të tij. Të tjerat do ta pasojnë atë.
Lubonja në shkrimin e tij i thotë Çilit vetëm njërën gjysmë të kësaj që unë kam thënë më lart, i thotë vetëm atë se qëndrimi i gazetës së Çilit ka qenë pro Berishës kur ky ka qenë në pushtet. Ajo që nuk thotë Lubonja është se Berisha e bëri Çilin botues dhe biznismen pikërisht që të mbante një qëndrim të tillë. Dhe Çili sot është i detyruar që të bëjë manovra, duke u bërë donator i bizniseve të veta, të transformuara në veprimtari OJF-sh, pikërisht sepse tashmë ai ka humbur Dontatorin e tij të madh, Sali Berishën.
Lubonja, ndonëse i ka dhënë Çilit një goditje të rëndë, të cilën ky e ka përjetuar keq, siç duket nga përgjigjia e tij, nuk donte megjithatë që ta godiste kaq rëndë sa ç’ thashë unë më lart, se pastaj Henri Çili mund t’ i përgjigjej duke i thënë se edhe Lubonja u bë biznisimen herën e parë kur Berisha ishte në pushtet, në vitet 1992-1997. Se kjo është e përbashkëta e Lubonjës dhe Çilit, ata janë bërë biznisimenë kur Berisha ka qenë në pushtet. Ashtu si në rastin e Henri Çilit me Berishën e vitit 2005, edhe Fatos Lubonja kishte marrëdhënie të mira me Berishën e vitit 1992. Vetëm më pas Lubonja u bë armik i betuar i Berishës. Kur qeveria e PD dha letrat me vlerë për ish-të burgosurit politikë, Lubonja ishte njëri nga ata që përfitoi nga një skemë e krijuar nga SHIK-u i Gazidedes për të marrë vlerën e plotë në lekë të letrave me vlerë. Në atë kohë, u nxorr një shitje nga shteti një hotel në Gjirokastër me letra me vlerë, dhe blerësve iu tha se ata duhet t’ i paguanin vlerën e plotë në lekë Fatos Lubonjës dhe dikujt tjetër, nëse donin që ta merrnin hotelin. Kështu Fatos Lubonja mori 23 mijë dollarë, të cilët në atë kohë (1994) kishin vlerë shumë më të madhe se sot. Me këto para Fatos Lubonja u bë ortak në biznis me një kushëririn e tij nga nëna, që erdhi në Shqipëri nga Zelanda e Re. Këtë histori Lubonja e përshkruan paksa edhe në librin e tij autobiografik “Nëntëdhjetëeshta”, ku thotë për vetveten se: “Po merrej me synopsisin e një romani që mendonte ta titullonte Vapori me sheqer. Romani ishte ndërtuar mbi historinë e një piramide të vogël financiare që kishte hapur një kushëriri i tij. Rënia e saj kishte ndodhur më herët se të tjerat, pa bujën që bënte ato ditë rënia e të mëdhave… Përshkrimi i shtëpisë së Lulit dhe i ardhjes së tij në Tiranë pas 44 vjetësh… Kështu e gjeti Luli në vitin 1990, shtëpinë e babait që e kishte lënë më 1947 kur ishte arratisur nga Shqipëria… E priti gjithë fisi si të ishte një perëndi… Flitej se suksesin e parë në biznes e kishte pasur në Zelandën e Re, por tashmë tregtia e tij ishte shtrirë në të gjithë botën”. (Fatos Lubonja, “Nëntëdhjetëeshtata”, Shtëpia botuese “Marin Barleti”, Tiranë 2010, f. 11-12)
Ky Luli për të cilin flet Fatosi është Lulzim Pogoni, i cili u arratis nga Shqipëria në 1947, ose më saktë u legjendua arratisja e tij nga Sigurimi i Shtetit që të dërgohej për të krijuar bazën e Sigurimit të Shtetit në Zelandën e Re. Në Zelandën e Re, u dërguan nga Shqipëria persona të legjenduar si të arratisur, siç thuhej në gjuhën e Sigurimit të Shtetit për të arratisurit e rrejshëm, të cilët qenë të pajisur me shumë para për të blerë prona të patundshme, ferma, hotele, restorante, dyqane etj., të cilat do t’ i shërbenin Sigurimit të Shtetit. Këtu ishte dhe çelësi i suksesit në tregti të Lulzim Pogonit. Me të ardhur në Shqipëri, në 1991, Lulzim Pogoni shkoi të takonte… Ramiz Alinë. Fatosi shkruan në librin e përmendur më lart: “Lulin e priti edhe vetë Presidenti i fundit komunist, Ramiz Alia… E dha edhe televizioni lajmin e takimit të tij me Presidentin”. (Fatos Lubonja, “Nëntëdhjetëeshtata”, Shtëpia botuese “Marin Barleti”, Tiranë 2010, f. 11-12)
Kur Lubonja përmend firmën piramidale të krijuar në Shqipëri nga kushëriri i tij, Luli, nuk thotë se viktima të kësaj skeme mashtruese financiare u bënë shumë ish-të burgosur politikë, të njohur të Lubonjës, të cilët i vendosën ato para që morën në këtë skemë mashtruese, të bindur nga Fatosi. Por një ditë Luli u zhduk nga Shqipëria, së bashku me paratë, dhe bashkë me të u zhdukën edhe ëndrrat e Fatosit se do të bëhej milioner në dollarë, apo miliarder në lekë, siç i pëlqente t’ u thoshte kushëriri i tij Luli, kreditorëve të tij.
Kështu mbaroi aventura e Fatos Lubonjës në biznis. Shqipëria nuk ka sot një biznismen të madh me emrin Fatos Lubonja, se këtë e mashtroi kushëriri i tij aventurier, dhe se vetë Fatosi nuk ishte njeri i aftë për të bërë biznis. Berisha, nga ana e tij, bëri për Lubonjën dikur, atë që bëri për Çilin më pas, të dy i ndihmoi të nisin biznisin.
Lubonja, më tutje në shkrimin e tij thotë se biznismenët të cilët kanë krijuar media private në Shqipërinë e pas vitit 1990 iu përkasin katër fushave: firmave piramidale industrisë së ndërtimit, universiteteve private dhe industrisë së drogë. Të katërta këto veprimtari Lubonja i quan si shumë dëmprurëse për Shqipërinë gjatë këtij çerekshekulli. Është interesante se me së paku dy nga këto katër veprimtari është marrë pronari i gazetës “Panorama” ku shkruan Fatos Lubonja. Do të ishte interesante që Lubonja të na thoshte se si e shikon ai gazetën “Panorama”, ku publikon shkrimet e tij, dhe Tv Klan, nga ku ai iu flet teleshikuesve, nga pikëpamja e në të cilën i drejtohet Çilit: “Pra është e kotë që Çili të na flasë për idealizma donatorësh. Të gjithë e dimë, sikurse e di edhe ai, se në sistemin tonë mediat (si dhe korrupsioni kuptohet) janë leva kryesore që lidhin biznisin me pushtetin politik, i cili, nën shtysën e tyre, në vend se të punojë për interesin public, punon për të lëruar arën e interesave të pronarëve të mediave”.
Por do të ishte me interes që Lubonja, pasi na ka portretizuar Çilin si manjat të medias, të na bëjë dhe një portret të pronarit të gazetës “Panorama”, Irfan Hysenbelliut, se ky ka qenë para Çilit në këtë lojë, dhe është një “oktapod” shumë më i madh se Çili. Ky Irfan Hysenbelliu zemërohet shumë kur ia “prekin produktin”, siç më tha mua kur para disa ditësh erdhi dhe u ul i paftuar në tryezën ku po drekoja me disa miq të mi e nisi të më fliste me ton kërcënues mbi ato që kisha shkruar kundër tij, duke e portretizuar si oligark. Por nëse produkti i këtij Irfanit është birra, produkti i Henri Çilit ka të bëjë me Universitetin e tij privat, për të cilin Lubonja në shkrim i thotë se duhet ta shpallë të falimentuar. Tani, me logjikën e Lubonjës, a nuk duhet t’ i them edhe unë këtij oligarkut, se meqënëse në website të gazetës “Panorama”, pranë kokës së Lubonjës, në çdo fotografi të vendosur mbi shkrimet e tij, ka tre shishe birrë të një marke që nuk më kujtohet emri, “Potomi”, a diçka e tillë, atëherë duhet të shpallë falimentimin e këtij biznisi, se birra e tij nuk është gjë tjetër veçse, sipas fjalorit të Lubonjës, lëngu errësues, që lëshon “oktapodi” për të fshehur punët e tij oktapodiane. Dhe kjo çështja është edhe më e komplikuar se një nga fjalët e para që të thotë oligarku Hysenbelliu, ashtu si dhe kryeqehajatori i tij, është se: “Në dhjetë vjetorin e gazetës na erdhi ambasadori amerikan!” Kështu prania e këtij ambasadori u përdorka si licencë për të bërë kërcënime. Me oligarkë të tillë që mburren se i ka thënë “kurvë që të kanë bërë ministre se pranon të shkërdhehesh me ushtarët” një ministreje të qeverisë së sotme, është e kotë që t’ i drejtohesh shtetit, që nuk mbron dot dinjitetin e zyrtarëve të vet. Shteti le të rrijë mënjanë si spektator me sytë e mbyllur ligjërisht. Se në këtë shtet ku oligarkët mbajnë ushtri private kriminelësh me rrogë, të cilën ua paguajnë nga kreditë e marra nga bankat, falë mundësive që kanë krijaur për kolateral, duke marrë pasuri publike, do të ishte një zgjidhje e arsyeshme që të inicoheshin aksione civile ku si shpërblim për pjesëmarrësit të vihet pasuria e oligarkëve. Kjo është mënyra e vetme që shoqëria të shpëtojë nga oligarkët. Nejse.
Henri Çili iu përgjigj dje Lubonjës me shkrimin me titull “Lubonja, aleati ynë për ndërtimin e kapitalizmit”, ku e godet Lubonjën në “Thembrën e Akilit” të tij: “Inkoherenca e parë është fakti që gjithë ditën kritikon sistemin kapitalist, sipërmarrësit, botuesit, biznesin e medias, i akuzon ata për lloj-lloj, dhe e bën këtë nga pozitat dhe platformat e sipërmarrjeve private. Paguhesh me honorare mjaft të mira të këtij sistemi dhe nuk besoj se mjaftohesh duke vetëkomunikuar herë pas here, që je dhe ti gjysmë pjesë me një këmbë brenda këtij sistemi. Në qoftë se do koherencë në lidhje me këtë sistem të ftoj të braktisësh plotësisht të gjitha mjetet që të vë në dispozicion kapitali, për të kritikuar kapitalin, të braktisësh dhe honoraret përkatëse të atyre strukturave të kapitalizmit shqiptar, ku paguhesh për të përhapur dhe shprehur lirisht mendimet e tua kundër kapitalizmit. Dhe në këtë kuptim m’ u kujtua një shprehje e një mikut tonë të vjetër të përbashkët: ‘ti Fatos, një biletë nuk ke paguar me paratë e tua, të gjitha me paratë e kapitalit, dhe gjithë ditën shan kapitalin”.
Këtu Henri Çili i thotë Lubonjës pikërisht atë gjë të cilën e kam thënë unë disa herë kohët e fundit, dhe që mund të përmblidhet në titullin e shkrimit tim “Fatos Lubonja hedh valle në gojën e Oktapodit për të cilin flet, i akomoduar në tentakulën e tij”. Atje ku Henri Çili shkruan “Kapitali” më lart, duhet lexuar në fakt “Oktapodi”, me gjuhën e Lubonjës. E përkthyer në gjuhën e Lubonjës, Çili i ka thënë atij: “Inkoherenca e parë është fakti që gjithë ditën kritikon sistemin-Oktapod, sipërmarrësit, botuesit, biznesin e medias, i akuzon ata për lloj-lloj, dhe e bën këtë nga pozitat dhe platformat e Oktapodit. Paguhesh me honorare mjaft të mira të këtij Oktapodi dhe nuk besoj se mjaftohesh duke vetëkomunikuar herë pas here, që je dhe ti gjysmë i kapur nga tentakula e këtij Oktapodi. Në qoftë se do koherencë në lidhje me këtë sistem të ftoj të braktisësh plotësisht të gjitha mjetet që të vë në dispozicion Oktapodi, për të kritikuar Oktapodin, të braktisësh dhe honoraret përkatëse të atyre strukturave të Oktapodit, ku paguhesh për të përhapur dhe shprehur lirisht mendimet e tua kundër Oktapodit. Dhe në këtë kuptim m’ u kujtua një shprehje e një mikut tonë të vjetër të përbashkët: ‘ti Fatos, një biletë nuk ke paguar me paratë e tua, të gjitha me paratë e Oktapodit, dhe gjithë ditën shan Oktapodit”.
Kritika e Çilit është e saktë. Është ajo që kam thënë unë disa ditë më parë, se nëse Lubonja do të ishte koherent atëherë ai do t’ i publikonte shkrimet e tij vetëm në rrjetet sociale, ose në website të tij. Por Lubonja do të kishte vepruar kështu siç thotë Çili, në rast se Lubonja do t’ i kishte seriozisht idetë e veta. Lubonja nuk i ka përnjimend idetë e veta. Ato janë mënyra që ka gjetur Lubonja për të jetuar pasiqë dështoi si biznismen. Nëse “Oktapodi” për të cilin flet Lubonja do të kishte ndjerë dhimbje nga goditjet e Lubonjës, atëherë nuk do të kishte pritur që të vendoste Lubonja të largohej vetë, por do ta kishte flakur tutje Lubonjën dhe nuk do t’ i bënte aq shumë vend në shtypin dhe studiot televizive të tij. Por “Oktapodi” nuk dihet aspak i bezdisur seriozisht nga Lubonja. Prandaj Lubonjën e mbajnë në gazetë dhe në studiot televizive për të diskredituar kritikën ndaj Sistemit-Oktapod që është ndërtuar në Shqipëri. Prandaj, Çili me të drejtë i thotë Lubonjës me ironi nga pozita e oligarkut të sistemit: “Fatos, je aleati ynë më i mirë në forcimin e kapitalizmit dhe legjitimimin e tij, për mënyrën aq arqiomarksiste që kritikon tregun, sektorin privat dhe kapitalizmin në Shqipëri”.
Kjo duhet lexuar kështu: “Fatos, jemi bashkë tentakula të Oktapodit, secili në mënyrën e vet, dhe të dy jemi të interesuar për shëndetin e Oktapodit dhe legjitimimin e tij, prandaj mos e tepro, duke kafshuar mishin e mishit tënd oktapodor, se pot ë nisim të gjithë të bëjmë kështu, atëherë do të bëjmë vetëvrasje të përbashkët”
Përgjigja e Lubonjës për Çilin, e publikuar sot në gazetën “Panorama” ishte mjerane. Lubonja iu përgjigj Çilit duke botuar me një shënim të shkurtër të tij parathënien për botimin shqip të shkruar nga një autor Italian, me rastin e botimit në Shqipëri të librit të tij. Lubonja, as që nuk e cek kritikën që i ka bërë Çili. Ndonëse Lubonja thotë se kjo është vetëm përgjigjia e tij e parë për Çilin, dhe se debate do të vazhdojë, Lubonja qartësisht ka treguar se ai i trembet ballafaqimit me Çilin në fushëbetejën që e zgjodhi vetë./Kastriot Myftaraj

Titulli është i editorit të "Ora e Shqypnisë"