31 January 2014

Kryengritja e Dukagjinit 1926 dhe varja e deputetit Demokrat Dom Gjon Gazulli

Kryengritja e Dukagjinit 1926 dhe varja e deputetit Demokrat Dom Gjon Gazulli

Nga Azis Gjergji



Në kohën kur Presidenti і Shqipërisë, Ahmet Zogu, po e thellonte bashkëpunimin me regjimin fashist të Benito Musolinit, emigrantët shqiptarë në Itali kishin krijuar organizatën nacional-demokrate “Bashkimi Kombëtar”. Themeluesit e saj ishin personalitete të dalluara në jetën politike të shtetit shqiptar, si Sotir Peci, Ali Këlcyra, Kasëm Qafëzezi, Rexhep Mitrovica, Sejfi Vllamasi, Shefqet Korça, Bahri Omari, Xhemal Bushati, Angjelin Suma, Hysni Peja etj. Anëtarë të organizatës “Bashkimi Kombëtar” ishin edhe të arratisurit politikë të strehuar në Korfuz, si Sulejman Delvina, Spiro Koleka, Rasim Babameto, Koço Tasi, Ismail e Teki Tatzati, si dhe grupi i oficerëve te arratisur. Në Vjenë, po ashtu, emigrantët politikë nacionalistë e demokratë shqiptarë, si Fan Noli, dr. Mihal Turtulli, Qazim Koculi, Omer Nishani, Stavro Vinjau, Ahmet Dakli, Kolë Tromara etj., kishin ngritur “Komitetin Nacional Revolucionar” (KONARE).
 Përgatitje për shpërthimin e një kryengritjeje të përgjithshme antizogiste në Shqipëri po bëheshin edhe në qytetin dalmat të Zarës (Kroaci) nga nacionalistët demokratë Hasan Prishtina, Mustafa Kruja, dom Loro Caka, Mark Raka, Lazër Shantoja etj. Më 4 gusht 1926, nënprefekti i Malësisë së Madhe, M. Sokoli, i kërkoi MPB dërgimin urgjent të një kompanie këmbësorie, pasi ishte informuar se “partia opozitare i ishte afruar kufirit për të mësye”. Po atë ditë, komandanti i zonës së Veriut, kolonel Muharrem Bajraktari, kishte alarmuar Komandën e Përgjithshme të Xhandarmërisë me informacionin e tij mbi nisjen e kapitenit fanolist Mark Raka me 40 veta të armatosur nga Podgorica për në Kuç, në vendin e quajtur Bukoviç dhe se oficerët nolistë Ndok Gjeloshi, Lek Marashi, Dodë Nikolla, Pjetër Haxhia e nënoficer Ridvan Ohri po ngrinin çetat e tyre të armatosura në Dukagjin.
Më 7 gusht, nënprefekt Sokoli do t'i dërgonte MPB dy telegrame shifër me njoftimet alarmante se Mark Raka e Luigj Shantoja kishin hyrë me një kompani kryengritësish në territoret e Hotit e Grudës, kurse dom Loro Caka, Lazër Shantoja e Luk Luka ishin afruar në Kuç e Triepsh për t’u futur në Kelmend e Dukagjin. Sipas Sokolit, “partia kundërshtare ishte mbledhur te kisha e Tuzit për të mësye kufinin, kurse 400 veta të tjerë po përgatiteshin për të marshue drejt Vermoshit”.
Sipas një raporti të nënprefektit të Dukagjinit, qysh në muajt gusht e shtator të atij viti, oficerët nolistë Vas Kiri e Dodë Nikolla dhe çetat e tyre kishin filluar të bënin “propagandë kundër qeverisë së Presidentit Ahmet Zogu dhe po përpiqeshin të rekrutonin malësorë të pakënaqur nëpër çeta”. Më 12 shtator 1926, gazeta “Shqipëri e Re” shkruante se çetat e Kirit e të Nikollës kishin “20 muaj” që po i bënin ballë “regjimit tradhtar të Ahmet Zogut”.
Ndërkohë, Ahmet Zogu iu përgjigj përgatitjeve të kundërshtarëve demokratë me goditje të përqendruara politike, diplomatike e ushtarake. Qysh në qershor 1926, qeveria shqiptare nënshkroi me qeveritë greke e jugosllave një varg marrëveshjesh tregtare, ujore e konsullore. Në këtë kuadër, qeveria jugosllave njoftoi legatën e saj në Tiranë se të gjithë të arratisurit politikë shqiptarë që ishin afruar në kufirin me Shqipërinë, do të kapeshin dhe do të internoheshin në thellësi të Jugosllavisë. Pas ndërrimit të qeverive në Greqi, MPB e Shqipërisë i bëri me dije komandës së xhandar-mërisë në zonën e Jugut që të rriste vigjilencën dhe, po të diktonte ndonjë lëvizje emigrantësh politikë shqiptarë në kufirin grek, të njoftonte menjëherë1.
Në fund të gushtit 1926, Zogu takoi personalisht ministrin e jashtëzakonshëm e fuqiplotë të Italisë fashiste në Shqipëri, Pompeo Aloisin, dhe i shprehu gatishmërinë për nënshkrimin e një pakti politik “të miqësisë e sigurimit politik e ushtarak” midis Italisë dhe Shqipërisë. Bisedimet konkrete në mes Ahmet Zogut dhe Pompeo Aloisit mbi nënshkrimin e paktit u shoqëruan me kërkesa financiare për mbushjen e arkës së boshatisur të shtetit dhe armatimin e ushtrisë nga ana e Kryetarit të Republikës dhe Kryeministrit të Shqipërisë. Në fillim të nëntorit 1926, shuma e kërkuar nga Zogu qe pesëmbëdhjetë milionë lireta. Dëshmitarët e ngjarjes thonë se Musolini kishte reaguar ashpër ndaj grykësisë së Ahmet Zogut, por më pas ishte bindur t’i paguante partnerit të tij dhjetë milionë lireta, me kusht që në këtë shumë të përfshiheshin edhe “bakshishet” e pjesëmarrësve në përpunimin e marrëveshjes. Më në fund, kur Pompeo Aloisi e siguroi Musolinin se “nënshkrimi i Paktit ishte çështje ditësh”, ai ra dakord t’i dërgonte Zogut 5 milionë lireta dhe të depozitonte një shumë shtesë prej 200 mijë franga ari në Bankën Kombëtare të Shqipërisë. Këto shifra përputhen edhe me deklaratën e një zyrtari të lartë të administratës së Zogut, botuar në gazetën “Liria Kombëtare” më 13 prill 1927, sipas të cilit, Kryetari i Republikës dhe Kryeministri i Shqipërisë, Ahmet Zogu, ishte paguar për dekretimin e “Paktit të Parë të Miqësisë dhe Sigurimit” të 27 nëntorit 1926 me “shumën e 15 milionë liretave”2.
 Ndërkohë, shtypi qeveritar shpërtheu një fushatë të gjerë kërcënimesh e frikësimesh për të gjithë krerët e organizatave demokratike në mërgim. “Fletorja Zyrtare” botoi në datat 13, 14 dhe 31 tetor 1926 të gjitha vendimet që Gjyqi Special Politik i Tiranës kishte marrë kundër “organizatorëve të një kryengritjeje të përgjithshme kundër jetës së Shkëlqesisë së Tij, Kryetarit të Republikës dhe prishjen e qetësisë në vend”. Ndër ta, Shefqet Korça, Ismail Tatzati, Mustafa Kruja, Kasëm Qafëzezi, Sejfi Vllamasi e Qazim Koculi u dënuan “me vdekje në mungesë”; Aziz Çami e Mustafa Maksuti “me 101 vjet burg”; Ibrahim Dedej, Xhemal Kondi, Bahri Omari e Qazim Mulleti “me 25 vjet burg”; Hysni Peja, Rexhep Mitrovica, Sheh Karbunara, Kolë Tromara, Lano Borshi e Andon Sadedini “me 15 vjet burg” etj. Gjyqi Politik do të dënonte me afate të ndryshme burgimi edhe të amnistuarit politikë Beqir Gjylbegu, Beqo Zagorçani, Avdul Kuçi, Agathokli Xhitomi, Ahmet Lepenica, Hysni Lepenica, Ahmet Demi, Halo Kuçi etj.3
Ahmet Zogu arriti të shkëpuste pothuajse të gjitha lidhjet e kundërshtarëve të regjimit të tij brenda vendit dhe udhëheqësve të arratisur demokratë e liberalë. Të vetmen ngjarje që Ahmet Zogu nuk mundi ta parandalonte, qe Kryengritja e Dukagjinit, e cila shpërtheu më 20 nëntor 1926. Organizatori i forcave kryengritëse në Dukagjin, dom Loro Caka, kishte dërguar qysh në muajin shtator 1926, oficerin nolist Spiro Kosova te kolegu i tij dom Aleksandër Dredhaj në Shkodër, me porosi që gjithë priftërinjtë e atij qarku ( ndër të cilët gjendej edhe deputeti dom Gjon Gazulli) të mobilizoheshin në kryengritjen e përgjithshme antizogiste që po përgatitej. Në fillim të nëntorit 1926, disa ish-oficerë të tjerë kishin hyrë në krahinat e Pukës. Vetë dom Loro Caka e kishte kaluar kufirin shqiptaro-jugosllav në pyllin e Traboinit më 10 nëntor 1926. Duke kaluar nga Veleçiku nëpër pyjet e Kelmendit e të Bogës, ishte takuar me komandantët e njohur të çetave komite, oficerët nolistë Vas Kiri e Ndok Gjeloshi. Më 11 nëntor 1926, dom Loro Caka, toger Pjetër Haxhia, nëntoger Dodë Nikolla e aspiranti Ridvan Ohri i dërguan Mustafa Krujës, njërit prej frymëzuesve e organizatorëve të krye-ngritjes së përgjithshme, letrën e mëposhtme:
“Dimni ia mërrini. Ju po na thoni se tash për tash gjendja s’asht e favorshme për nji kryengritje. Ju i matni punët thellë: me politikë e diplomatië. Na aqë thellë s’kuptojmë. Ça marrim vesht e shohim na, populli këtu asht gati me kapë pushkën e me dekë për lirinë e vet. Durimi i asht mbarue. Me ne a pa ne ka për t’ia krisë. Më tjetër anë disa prej jush po ndërrojnë kondita me Ahmet Zogun për nji pajtim. Pra posë durimit tash mungon edhe besimi… Ne dashi shpëtimin e atdheut, bani edhe ju tjerët atë që t’ju vijë prej dore! Kur nji popull gatohet me dekun për liri edhe pa i pri kush, përgjegjësia u rrin atyne që në vend me vrapue në krye të tij e me ecë përpara kundra tradhtorëve e tiranëve, ka dy vjet që hahen për karrikat e ardhshme4”.
Kështu, më 20 nëntor 1926, 200 malësorë dukagjinas të armatosur, të udhëhequr nga prifti dom Loro Caka, togerët Pjetër Haxhia, Vas Kiri e Dodë Nikolla si dhe aspiranti Ridvan Ohri, shtinë në dorë qendrën e nënprefekturës dhe rrethkomandën e xhandarmërisë në Dukagjin dhe nisën marshimin drejt qytetit të Shkodrës. Në rrugë e sipër, me kryengritësit u bashkuan edhe bajraku i Shalës me Lulash Prelën në krye, bajraku i Shoshit nën komandën e Lulash Gjeloshit dhe 30 xhandarë të komanduar nga nëntoger Mark Sadiku. Numri i kryengritësve, sipas dëshmive gojore, arriti në 700–800 veta, ndërsa dokumentet zyrtare flasin për 1000 veta, nga të cilët vetëm 400 ishin të armatosur. Tek Ura e Mesit dhe Kodrat e Boksit, kryengritësve iu desh të zhvillonin luftime të ashpra me forcat qeveritare, derisa në mëngjesin e 21 nëntorit 1926 arritën që të merrnin Urën e Mesit, e konsideruar si porta lindore e qytetit të Shkodrës. Po atë ditë, 40 kryengritës pukjanë, nën komandën e oficerit Spiro Kosova, morën në dorë kontrollin e krejt krahinës së Iballës, ndërsa oficeri Kolë Bibë Mirakaj, në krye të 150 pushkëve, rrethoi qytetin e Pukës. Titullarët e nënprefekturës së Dukagjinit, të prefekturës së Shkodrës dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme raportuan se “kryengritësit kishin qëllim të rrëzonin regjimin e Shkëlqesisë së Tij, Ahmet Zogu dhe kthimin në pushtet të një qeverie demokratike".
Por përballë 1200 kryengritësve gjysmë të armatosur, Komandanti і Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Ahmet Zogu do të dërgonte rreth 12.000 xhandarë, ushtarë e mercenarë të furnizuar me para e armatime të bollshme. Në krye të operacioneve ndëshkuese do të viheshin ministri i Punëve të Brendshme, Musa Juka, dhe komandanti i përgjithshëm i Xhandarmërisë, nënkolonel Xhemal Aranitasi. Të ndodhur në pakicë, të paorganizuar e të izoluzar, kryengritësit e Urës së Mesit dhe të Pukës u detyruan të tërhiqeshin me humbje të mëdha drejt luginës së Kirit, Qafës së Agrit, luginës së Nikaj-Merturit dhe Qafës së Pejës. Ata gjetën bukë e strehë në gjirin e bashkatdhetarëve të tyre në Gjakovë, Pejë, Plavë, Guci etj. Çetat mercenare të mobilizuara nga Ahmet Zogu do të kryenin në fshatrat kryengritëse krime nga më të padëgjuarat deri atëherë në historinë e Shqipërisë. Konsulli italian i Durrësit, ndër të tjera, do të shkruante në ditarin e tij politik:
“Pothuajse gjithkund, mercenarët kanë grabitur ose ngrënë bagëtinë; atë që nuk e merrnin dot me vete e vrisnin... Në disa krahina, si Shala e Nikaj, shtëpitë janë shkatërruar në shumicë dhe një pjesë e popullsisë është gjysmë e zhveshur...”
Gazeta “Liria Kombëtare” e datës 22 dhjetor 1926, në rubrikën “Lajme nga Shqipëria”, njoftoi publikun: “Varje, djegie dhe plaçkitje… Barbarizmat e panumërta që mercenarët e Zogut kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë në Malësitë e Shkodrës janë të patregueshme. Në Dukagjin, Nikaj, Mërtur e në shumë krahina të Pukës nuk shifen veçse mijra shtëpi të djegura, njerëz të pafajshëm që vriten rrugës dhe plaçkitjet që nuk kanë shembull në jetën tone kombëtare5”.
Gjyqi Politik u transferua nga Tirana në Shkodër dhe vetëm ditën e parë, më 20 dhjetor 1926, shqyrtoi dosjet e 153 pjesëmarrësve në kryengritje, ndërkohë që Gjyqi Hetues përgatiti dosjet e 140 të arrestuarve të tjerë. Numri i të burgosurve arriti në 700 veta, ndërsa i të dënuarve me afate të ndryshme burgimi kapi shifrën 222 veta. Gjyqi Politik e vazhdoi punën në Shkodër deri në mesin e muajit mars 1927, duke dënuar 30 udhëheqës të kryengritjes me vdekje, nga të cilët 15 veta në “mungesë”. Ndër të dënuarit me vdekje ishin edhe dy priftërinj, të cilët e kishin pranuar krenarë pjesëmarrjen e tyre në kryengritje, por Zogu u detyrua t’ua ulte dënimin për shkak të ndërhyrjes së Vatikanit dhe të për-faqësive europiane në Shqipëri. Megjithatë, gjyqi special politik i Shkodrës dënoi me varje në litar dhe ekzekutoi fshehtësisht deputetin demokrat dom Gjon Gazulli6.
Historiani amerikan Bernd Fischer, ndër të tjera, thotë: “Shkëndija, drejtimi dhe krejt rrjedha e kryengritjes së vitit 1926 erdhi prej vetë shqiptarëve dhe kjo vërtetohet prej faktit se në këtë moment as Roma e as Beogradi nuk dëshironin rënien e Zogut”. Përfundimi i Bernd Fischer përkon me pohimet e politikanit Mustafa Kruja, i cili kishte dijeni të plotë mbi fillimin dhe fundin tragjik të Kryengritjes së Dukagjinit. Në artikullin e botuar në gjithë faqen e parë të gazetës “Liria Kombëtare”, më 22 dhjetor 1926, me titull: “Lëvizja e Shkodrës në dritën e fakteve”, Mustafa Kruja, ndër të tjera, dëshmon:
“Kurrkush ma mirë se Koço Tasi e un’ s’ka qenë në rrjedhë të fak-teve të lëvizjes së Shkodrës, posë atyne që e gatitën dhe e banë. Letrat që kam në dorë prej krenvet të lëvizjes e krejt lajmet e mia dësh-mojnë në mënyrën ma absolute se:
1. Ky grup patriotësh të kulluët s’ka qenë n’asnji mënyrë i shtymë a i inkurajuem për një lëvizje prej qeveriës së Beligradit. Përkundras ka pasun pengim prej gjithfarësh prej sosh…
2. Kryengritësit s’kanë pasun asnji dinar prej Beligradit!
3. Kryengritësit s’kanë pasun asnji pushkë e asnji fishek të huej; posë ça kanë pasë mundun me mëshehë prej regimit tradhtuer për t’a përdorë kundra tij nga ato që kanë qenë në vend.
4. Lufta e tyne ka qenë një veprim dishprimi thjesht patriotike, kombëtare e antifeudale7”.
Tragjedia e Kryengritjes së Dukagjinit është pasqyruar edhe në rapsoditë popullore:

Ça po folet n’ket Shqipni?
Shtat’ barakt’ u ban’ fani;
s’u ka met kurgja në shpi;
u kan’ marr’ lop’, u kan’ marr dhi,
i kan’ marr’ haps të tan për shpi,
shum’ na i voren djelt të ri!
…Kur ka shku sahati tetë,
i kan’ marr’ hapsit e shkretë;
kur ka shku sahati nandë,
i ka çel’ drita vjerr’ të tanë,
shum’ berishs, ma shum’ shaljanë…8

Ndërsa çetat mercenare zogiste digjnin e masakronin familje të tëra të malësorëve kryengritës në Shqipërinë e Veriut, në Tiranë përfaqësuesi i qeverisë së Zogut, Iljaz bej Vrioni, dhe ministri fuqiplotë i Italisë së Benito Musolinit, baroni Pompeo Alois, më 27 nëntor 1926 do të nënshkruanin Paktin pesëvjeçar të “Miqësisë e të Sigurimit”. Kryetari i Republikës dhe Kryeministri i Shqipërisë, Ahmet Zogu, e ratifikoi Paktin më 9 dhjetor 1926, duke e vënë Shqipërinë de facto nën protektoratin e Italisë fashiste të Benito Musolinit9.

Shënimet:

1. Mentar Belegu, artikulli "Mbi lëvizjen e Dukagjinit në nëntor të vitit 1926, botuar në revistën “Studime historike”, 1971, nr. 1, f. 61–65 ( AQSH. Fondi 252, viti 1926, dosja 6/1, dok. 154, 219, 232345, 19 korrik 1926); gazeta “Shqipëri e Re”, Konstancë, nr. 280, 12 shtator 1926; B. Fischer, Mbreti Zog…, f. 123 (sipas Cassels, Musolinis Early Dilomacy, f. 320 dhe Zamboni, Musolinis Expansionspoli-tik, f. LXXIII); T. Frashëri, Ali Këlcyra…, f. 95 (shën. 36); Historia e popullit shqiptar..., vëll. III, (2007), , f. 277–279.
2. Fischer, Mbreti Zog…, f. 110–111 (G. Zamboni, Mussolinis Expan-sionspolitik, f. 10, 16); “Liria Kombëtare”, Gjenevë, nr. 54, 13 prill 1927, f. 1; O. Pearson, Albania and king Zog, f. 280–283; P. Milo, Shqipëria dhe Jugosllavia…, f. 398 (P. Pastorelli Italia e Alba-nia..., f. 336–337); A. Cici, Marrëdhëniet shqiptaro–italiane…, f. 110.
3. AQSH. Fondi: Gjyqi Politik (157), viti 1926, dosja 40, fl. 1–3; "Fletorja zyrtare", nr. 181, 13 tetor; nr. 182, 14 tetor, nr. 187, 31 tetor 1926; “Shqipëri e Re”, Konstancë, nr. 283, 3 tetor 1926; “Liria Kombëtare”, Gjenevë, nr. 29, 13 tetor, nr. 31, 27 tetor 1926; “Idealisti”, nr. 8, 1 tetor 1926; J. Swire, Shqipëria..., f. 370; T. Frashëri, Ali Këlcyra…, f. 85.
4. “Liria Kombëtare”, Gjenevë, nr. 39, 22 dhjetor 1926; M. Belegu, "Mbi lëvizjen e Dukagjinit...", f. 63–64, 68.
5. M. Belegu, "Mbi lëvizjen e Dukagjinit...", f. 64–65, 67–70 (AQSH. Fondi 252, viti 1926, dosja 5/І dhe 5/II, relacion 14.11.1926 dhe tel. 20/21.11.1926; dosja 6, tel. 24.11.1926; fondi “Legata Italiane”, dosja 6, fl. 18: ditari i Dom Lazër Shantojës); fondi “Legata Italiane”, dosja 6, fl. 1: letër e ministrit të jashtëzakonshëm e fuqiplotë të Italisënë Shqipëri, Pompeo Aloisi dërguar MPJ të Italisë, 5 janar 1927; gazeta “Liria Kombëtare”, Gjenevë, nr. 39, 22 dhjetor 1926.; nr. 51, 23 mars 1927; B. Fischer, Mbreti Zog…, f. 124; O. Pearson, Albania and king Zog, f. 262-63.
6. Gazeta “Liria Kombëtare”, Gjenevë, nr. 51, 23 mars 1927; M. Belegu, "Mbi lëvizjen e Dukagjinit...", f. 73; B. Fischer, Mbreti Zog…, f. 125.
7. B. Fischer, Mbreti Zog…, f. 124; Mustafa Kruja, Lëvizja e Shkodrës në dritën e fakteve, botuar në gazetën “Liria Kombëtare”, Gjenevë, nr. 39, 22 dhjetor 1926, f. 1.
8. Epika Historike, vëll. 3, Akademia e Shkencave (Instituti i Foklo-rit), Tiranë, 1990, f. 626–627 (AIKP. Nr. 439: “Çka ka Mesi si po piskat”, A2, Blliçë, 1953 (vëll. 3, f. 338; Vermosh, 1953, vëll. 6, f. 107–109; Plan, 1953, vëll. 8, f. 437); f. 630, Nr. 441: Shtat’ bajrakt na u ban fani (AIKP. Q. Haxhihasani, Curraj i Epër-Tropojë, 1952, vëll. 24, f. 139; Kabash-Pukë, 1956, vëll. 17, f. 120; Mërtur i Gurit, 1956, vëll. 17, f. 270; A2, Kushaj, 1953, vëll. 4, f. 51; K. Shtjefni, Kuzhne, Mirditë, 1963, vëll. 6, f. 73. Fjalor: fani (turq. shkretim); haps (turq. të burgosur).
9. J. Swire, Shqipëria…, f. 375; Historia e Shqipërisë (1965), f. 577–578; B. Fischer, Mbreti Zog…, f. 111–112; O. Pearson, Albania and king Zog, f. 263; Historia e popullit shqiptar (2007), vëll. III, f. 264–265.

http://oraeshqypnise.blogspot.com/