Erjon Veliaj djali i paligjeruar i Presidentit Iranian Ahmadinejad
Nga
Kastriot Myftaraj
Erion
Veliaj, në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, kur debatohej për çështjen
“Pango” shprehu pikëpamjen se edhe pse përgjimi është dhunim i privatësisë nga
ana ligjore, ai (Erioni), kur është fjala për interesa publike, e pranon këtë
shkelje të ligjit, se siç tha Erioni, me një buzëqeshje ironike, një frazë të
manualeve sorosiane të imazhit: “Po nuk shkele ligjin, nuk merr Çmimin
Pulitzer”. Edhe unë jam me pikëpamjen e politikanit të ri Veliaj dhe shpresoj
që Erioni ta shikojë në këtë sens edhe një investigim të pritshëm për atë, se
cili është fëmija ilegal që ka në Shqipëri Presidenti aktual iranian,
Ahmadinejad. Në website të opozitës iraniane jashtë vendit, është dhënë lajmi
se Presidenti Ahmadinejad, i cili e ka vizituar Shqipërinë në kohën e regjimit
komunist, në vitin 1979, pas Revolucionit Islamik në Iran, ka në Shqipëri një
fëmijë ilegal që është bërë një figurë e shquar politike në Shqipëri. Sa e
vërtetë është kjo gjë nuk dihet, por duhet investiguar. Të dhënat e websiteve
të opozitës iraniane jashtë vendit, duhen marrë po aq të vërteta sa ç’ u morën
të dhënat e disa websiteve të huaja në rastin e Damir Fazlliç, i cili mbi bazën
e të dhënave me një prejardhje të tillë u shpall serbo-boshnjak dhe nipi i ish-
shefit të shërbimit sekret të Serbisë, Stanisiç. Pra, precedenti ekziston dhe
duhet ndjekur edhe në rastin e websiteve iraniane. Të dhënat që jepen në
websitet e opozitës iraniane nuk duken apriori të pabesueshme se dihet se
regjimi komunist shqiptar kishte marrëdhënie të mira me regjimin islamik që
erdhi në fuqi në Iran pas revolucionit të vitit 1979. Në këtë kuadër midis
Shqipërisë dhe Iranit ka pasur shkëmbime të dendura delegacionesh të
ndërsjella. Në këtë kuadër, edhe Presidenti i tashëm iranian, Ahmadinexhad ka
vizituar Shqipërinë në vitin 1979, sipas atyre që thuhen në muajin mars.
Ahmadinexhad ka qenë në qytete të ndryshme të Shqipërisë, në Tiranë, Durrës,
Berat. Ai sipas të dhënave ka kryer në Shqipëri dhe stërvitje ushtarake, siç
bënin shumë të huaj në Shqipëri në atë kohë. Gjëja e veçantë në rastin e
Ahmadinexhad është se ai ka qenë stërvitur edhe nga një oficere shqiptare
femër. Nuk mund të mos ndihet krenar njeriu gjithsesi, kur një femër shqiptare
ka stërvitur një njeri si Ahmedinexhad, i cili pavarësisht nga të tjerat, nuk
mund të mohohet se është një burrë trim. Kjo femër shqiptare të shëmbëllen me
një amazonë, një Shqiponjë. Sigurisht që ekzistenca e një fëmije të Presidentit
iranian në Shqipëri, është një gjë që e justifikon një investigim, duke dhunuar
dhe privatësinë e këtij iraniano-shqiptari enigmatik, aq më tepër që supozohet
që ai të jetë dhe një figurë e njohur politike në Shqipëri. Në botë investigime
të tilla janë të njohura dhe janë bërë deri edhe ndaj personaliteteve të tilla
politike si Tony Blair, për të cilin u zbulua se nuk ishte i biri natyral i
prindërve të tij, porse ata e kishin gjetur pasi qe braktisur nga prindërit e
tij natyralë, një çift aktorësh shëtitës. Blair më pas e pranoi edhe vetë këtë
gjë. Pse të mos e ndiqte shembullin e tij edhe politikani misterioz shqiptar,
aq më tepër që tash Ahmadinexhad po jep shenja se kërkon të bashkëpunojë me
Perëndimin dhe veçanërisht me SHBA. Për të filluar investigimin, unë kam
siguruar një libër për Ahmadinexhadin të botuar në Britaninë e Madhe, ku ka
shumë fotografi të kohës së rinisë të Ahmedinaxhadit, kur ai qe 30 vjeç, aq sa
ç’ është sot djali i tij i supozuar në Shqipëri. Në investigimin tim unë do të
veproj si një dishepull i Erion Veliajt, duke dhunuar privatësinë për interesa
publike. Metoda që kam zgjedhur është që të krahasoj fotografinë e politikanëve
të rinj shqiptarë, të moshës 30 vjeç, me atë të Presidentit Ahmadinexhad. Më
pas do t’ ia le publikut të gjykojë se kush është i biri i Ahmadinexhad. Ai
politikan që do të rezultojë se i ngjan Ahmadinexhadit, ka të drejtën që të
japë shpjegime para se të bëhen deduksione të mëtejshme, mbi bazën e fakteve që
nuk është vendi të përmenden në këtë shkrim. Kjo metodë nuk është më pak e
vlefshme sa edhe përgjimi i “Fiks fare”, madje është më serioze, se ngjashmëria
fotografike mund të trukohet, ashtu si audioregjistrimet, derisa është fjala
për krahasimin e fotografie që gjendet në një libër të botuar nga një shtëpi
botuese shume serioze në Britaninë e Madhe ku Erion Veliaj pretendon se ka
marrë një master (apo mos duhet të themi është bërë master) dhe fotografisë së
një personi që është aktiv në politikën shqiptare sot. E mira do të ishte që në
këtë investigim të angazhohej dhe Erion Veliaj se ai, me lidhjet që ka jashtë
vendit, ku prezantohet veç të tjerave edhe si gazetar, mund të fitojë Çmimin
“Pulitzer”. Unë, me një altruizëm të sinqertë profesional, do t’ ia kaloja të
gjitha të dhënat që kam, në mënyrë që ai ta vazhdonte investigimin. Se ku
dihet, mund të ndodhë që djali ilegal i Ahmadinexhad të jetë në partinë e Berishës,
dhe kjo do ta rritë shumë kreditin e Erion Veliajt tek e majta. Por, përtej
ironisë, tash që jemi me përshtypjet e emisioneve të Aida Shtinos dhe Rudina
Magjistarit, ku ka pasur edhe disa raste ku janë takuar fëmijë me baballarët e
tyre që nuk i njihnin, nuk është çudi që kulmi i këtyre emisioneve të jetë
takimi i një politikani shqiptar me Presidentin iranian. Sigurisht që
Presidenti iranian, i cili në atë kohë ishte një djalë i ri, nuk ka pse të ketë
ndonjë embarracim për këtë aventurë rinore, se gjëra të tilla ndodhin në këtë
moshë në çdo vend të botës. Kjo histori nuk e cënon dinjitetin e tij.
Përndryshe kjo histori ndoshta cënon reputacionin e djalit të tij shqiptar, por
supozohet që ai të jetë aq i emancipuar nga paragjykimet, sa të krijojë një standard
të ri emancipimi në shoqërinë shqiptare.
9
Prill, 2015