Nga
Ben BLUSHI
Ka
një pyetje që nuk mund ta shmangim më. Kush e dëmton më shumë Shqipërinë?
Shqiptarët apo partitë? Kush është përgjegjës për varfërinë, për skamjen dhe
rrënimin? Votuesit apo qeveritë? Kush e ka ndëshkuar më shumë vendin?
Ata
që marrin vendime pasi votohen, apo ata që nuk marrin asnjë vendim pasi
votojnë? Kush, pra, na ka ndëshkuar më shumë me papërgjegjshmëri, me deformim,
me mjerim, me harrim dhe poshtërim? Shqiptarët thonë qeveritë. Dhe partitë.
Çështja
është se për shkak të izolimit, mjerimit, varfërimit të gjatë, qeveritë dhe
partitë janë shfajësuar se nuk kanë pasur buxhet, nuk ka pasur kohë, nuk kanë
pasur mundësitë, aftësitë dhe njerëzit e duhur për të marrë vendimet më të
mira, që shtojnë mirëqenien dhe e bëjnë Shqipërinë më të jetueshme.
Shumë
njerëz më thonë se unë vetë jam pjesë e kësaj klase që nuk ka marrë vendimet e
duhura, nuk ka bërë reformat e pritshme dhe prandaj nuk duhet të flas.
I
mirëkuptoj të gjithë dhe habitem se si kanë kaq pak paragjykime për mua dhe
gjithë shokët e klasës sime politike. Nëse do e kishin në dorë, jam i bindur që
do na kishin hedhur të gjithëve në det. Me sa duket, këtë mundësi nuk e kanë
dhe prandaj i janë drejtuar vetë detit. Dhe kurbetit. Po ikin. Duke na lënë
vetëm. Ata po refuzojnë të merren me ne dhe prandaj ne kemi filluar të merremi
me veten.
Ndoshta
edhe unë nuk bëj përjashtim. Megjithatë, nuk është kjo çështja. Të paktën sot.
Çështja është se çfarë vendimesh marrin qeveritë. Kur ato janë të dëmshme dhe
kur janë të pamundura? Ka shumë vendime që janë të pamundura. Pa dyshim.
Edhe
për qeverinë gjermane ka vendime të pamundura. Pyetja është a duhet të jenë
gjithmonë të moralshme vendimet e qeverive? Unë them se po. Në çdo rast.
Vendimet
e partive dhe të qeverive mund të jenë gjithmonë të moralshme, sepse morali
është gratis. Pagat kërkojnë buxhet. Morali jo. Pensionet e larta kërkojnë
para. Morali nuk do. Investimet duan financim. Morali nuk ka nevojë të
financohet. Fushatat duan sponsorizim. Morali nuk sponsorizohet. Morali i
shoqërive edukohet. Jo vetëm nga qeveritë, por kryesisht nga ato. Qeveritë kanë
në dorë të japin shembuj që i shkojnë për shtat moralit dhe e kthejnë atë në
normë që nuk negociohet. Dhe nuk ndryshohet me ardhjen e partive në pushtet.
Qeveritë ikin, morali mbetet.
Moralin
mund ta kesh edhe kur je i varfër, edhe kur s’ke lekë, edhe kur je hollë, edhe
kur s’ke shkollë, edhe kur s’ke punë, edhe kur s’ke shtëpi, edhe kur s’ke
pjatë,edhe kur s’ke gotë, edhe kur s’ke votë. Morali është i shtrenjtë dhe kur
është i lirë.
Vendimet
e moralshme i bëjnë qeveritë e varfra të duken të pranueshme. Dhe shpresa lind
nga morali më shumë se nga pasuria.
Pa
u zgjatur, dua të ndaj një rast, i cili e vë në dyshim standardin e Rilindjes,
për të cilin ka kohë që shkruaj dhe flas.
Bëhet
fjalë për zgjedhjen e kandidatit të Rilindjes në Kukës. Për të gjithë ata që
nuk e dinë, kandidati i Rilindjes atje është kryetari aktual i Bashkisë, i
zgjedhur dy herë si përfaqësues i PD së qytetit. Quhet Hasan Halilaj.
Që
Hasani kërkon të bëhet për herë të tretë kandidat dhe kryetar i Bashkisë së
Kukësit, kjo për mua s’përbën asnjë problem. Duke mos qenë banor i Kukësit, nuk
e njoh bilancin e punës së tij dhe nuk dua ta paragjykoj. Për çka do them më
poshtë, bilanci nuk ka asnjë rëndësi, megjithëse mendoj se nëse puna e tij do
kishte qenë e suksesshme, ai nuk do kishte arsye të ndërronte parti. Nuk do
kishte, pra, nevojë të kalonte nga PD tek Rilindja.
Duke
thënë se nuk dua të gjykoj Hasan Halilajn si person, megjithëse kurrë nuk do të
bëja atë që po bën ai, pikëpyetja ime nuk është për Hasanin, por për ata që e
zgjodhën.
Pse
e zgjodhi Rilindja, Hasanin? Se ishte i zoti? Se ishte demokrat? Se ishte
kryetar bashkie? Se kishte vota? Se kishte miq? Se kishte para? Se kishte
punuar shumë mirë? Se ishte i pavarur? Se ishte përpjekur gjithë këto vite për
të ndryshuar qeverinë e Partisë Demokratike me kontributin e tij si kryetar i
Bashkisë së Partisë Demokratike?
Pse
e zgjodhën Hasanin, pra? A nuk kishte socialistë në Kukës? A nuk kishte
progresistë? A nuk kishte opozitarë në Kukës? A nuk kishte vajza dhe djem të
tjerë që besojnë se ka mundësi të ndershme të bësh karrierë? A nuk kishte aty
shumë veta që me meritë duhet të vijnë një ditë në pushtet? A nuk kishte burra
dhe gra që besojnë se Kukësi mund dhe duhet të ndryshojë duke u qeverisur ndryshe?
A ishte një model qeverisja e Hasanit?
Nuk
besoj. Edhe nëse Hasani ishte një kryetar i shkëlqyer, ai ishte një demokrat.
Një njeri, partia e të cilit u ndëshkua me votë dy vjet më parë. Pse u zgjodh
Hasani nga Rilindja, pra?
Kush
më bind se Rilindja nuk kishte zgjedhje tjetër, përveç Hasanit? Për çfarë arsye
Hasani ishte the only only? I vetmi dhe vetëm i vetmi Hasan?
Ja
pse. Sepse Rilindja ka humbur gjatë rrugës të gjitha virtytet, që e sollën në
pushtet. Për të qenë pjesë e Rilindjes nuk është e domosdoshme të kesh besuar
tek zgjedhjet, nuk është e udhës të kesh votuar për ndryshimin e qeverisë, nuk
është e thënë të jesh socialist, nuk është kusht të jesh i majtë, nuk është e
nevojshme të kesh besuar tek ndryshimi i vendit, mjafton të jesh Hasan. Të jesh
pa din dhe pa iman. Pa sedër dhe pa nam. Pa kusur dhe pa plan. Pa kurajë, pa
guxim dhe pa nishan.
Por
zgjidhja e Hasanit në Kukës nuk është vetëm kaq. Ajo është sa keq dhe sakaq.
Ajo është hasanizimi i politikës. Është hasanizimi i Rilindjes. Është hasanizimi
i Shqipërisë.
Hasanizim
do të thotë të kalosh nga një parti në tjetrën pa pasur asnjë besim as tek
partia e vjetër dhe as tek partia e re. Hasanizim do të thotë të jesh gjithnjë
në pushtet. Hasanizim do të thotë të mos besosh në asgjë. Në asnjë vend dhe
asnjë qytet. Hasanizim do të thotë që gjithçka mundet dhe gjithçka duhet,
pavarësisht se a mundet. Hasanizim do të thotë të mos kesh as dje, as sot dhe
as nesër. Hasanizim do të thotë që kurrë të mos vish, por të presësh dhe të
rrish. Hasanizim do të thotë që partitë nuk kanë asnjë dallim dhe qeveritë, kur
ndërrohen, nuk sjellin asnjë ndryshim. Hasanizim do të thotë harrim. Amnezi dhe
vazhdim.
Dhe
Shqipërinë nuk po e hasanizon Hasani, por fatkeqësisht po e hasanizon Rilindja.
Forca që erdhi në pushtet për të ndryshuar Shqipërinë. Padurimin për mirëqenie,
skamjen dhe urinë.
Ky,
pra, është fundi i shpresave për çdo njeri në Kukës. Të votosh PD merr Hasanin.
Të votosh Rilindjen merr Hasanin. Prapë. Ta mbyllësh në kutinë e votimit e hap.
Të ikësh nga qyteti të kap. Të ikësh nga Shqipëria me vrap.
Të
votosh hasanizohesh një herë. Të mos votosh hasanizohesh dy herë. Rrugë tjetër
nuk ke. Dhe nuk duhet të kesh. Hasan të mos jesh, askush s’të desh. Je i mbetur
dhe i tretur përdhe. Je jetim, je fatkeq, je dreq. Je i mjerë, je i vrarë, je i
tallur, i kallur dhe i dhjerë. Të mos jesh Hasan nuk është nder. Të mos jesh
Hasan je guhak, je spurdhjak, je kot, je lot, s’je as nesër as sot, s’je dot.
Të mos jesh Hasan je trap, sepse Rilindja me Hasanin e mbyll dhe me Hasanin e
hap.
Ky
është standardi i Rilinjdes. Kjo është forca e saj. Ky është kuti, kutia, arma,
fisheku dhe baruti. Kjo është furia, fuqia, uria, oreksi dhe vuxhuti.
MAPO 5 maj 2015
MAPO 5 maj 2015