- përkitazi me manipulimet historike-
Nga
KOLEC PALOK TRABOINI
A ka
shkak që sot në kushtet e një lirie optimale të jemi ende skllevër të mentalitetit
të kaluar që historinë mund ta kullandrisin si e sa të duam. Kushte nuk ka
natyrisht, por mesa duket njeriu e ka më të lehtë të ndryshojë botën se sa
vetveten. Ne e kthyem këtë shoqëri në mjedis të lirë demokratik, po a u kthyem
vetë në demokratë të lirë në mendësi. Kjo është për t’u parë.
Nuk e
dimë si e pse, por historiani Romeo Gurakuqi në studimet e veta shkruan se hotjanët
e paskan patur krye katragjyshin e vet një sllav, e se prej këtij sllavi e
paskan prejardhjen historike si fis. Mirë kur nuk thotë se dhënia e Hotit Malit
të Zi me vendimet e Londrës 1913 na qënka e motivuar me shkakun e atij gjyshi
fantazmagorik. Lexoni çfarë thotë ky historian:
“Hoti e ka prejardhjen nga një farë Lazer
Keçi, me babë sllav, i ikur nga Piperi prej përndjekjes së turqve. Hoti
megjithatë, si emër gjeografik, njihet në fakte që nga Mesjeta.”
-
Referenca: Romeo Gurakuqi, “Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës e vitit 1911”, monografi, 2002,
Shkodër, (në faqen 11, fusnota nr. 6).
Ky
është një deformim i dyfishtë e më i shëmtuari që mund t’i bëhet historisë së
një vendi, të një populli a të një krahine duke shitur të pavërtetat si të
vërteta.
Kushdo
që është me origjinë nga Hoti apo që jeton ende në Hot të vjetër apo të ri, e
di mirëfilli gojëdhanën e origjinës së vet. Por veç gojëdhënave, kushdo që merr
përsipër të shkruajë, kërkon edhe materiale të tjera historike apo arkivore.
Dëshmitë
më të hershme për banorët e Hotit janë aty rreth vitit 1330. Ndërsa diku në mes
1356 dhe 1362 pas pushtimit të Shkodrës nga Balsha I, shumica e njerëzve
indigjenë të Hotit e braktisën zonën e Malësisë dhe u vendosën në fushat e
Plavës dhe Limaj (afër Pejës, në Kosovë). Pas kësaj lëvizjeje, popullsia e mbetur
në Hot ishte vetëm rreth shtatë shtëpive. Shfaqja e Otomanëve në Ballkan solli
presione mbi popullsitë vendase në veri të Dalmacisë, të cilat nisën të zhvendoseshin
më në jug. Pas pushtimit turk të Hercegovinës në 1476, të Arbërisë në 1478 dhe
dorëzimin të Shkodrës nga ana e venedikasve në 1479, sipas rrëfimeve gojore në
Hot, një njeri i quajtur Keqa Preka dhe bijtë e tij u zhvendosën nga zonat
veriore në Hercegovinë drejt jugut. Njëri prej bijve, Lazër Keqi u vendos në
malin buzë liqenit të Shkodrës ku gjetën një popullsi që fliste të njëjtën
gjuhë si të tyren, pra gjuhën shqipe të gegnishtes. Dhe aty u vendosën banorët
e rinj të Hotit që janë edhe sot e kësaj dite.
Pse
historiani na e nxjerr këtë shpërngulje nga Piperi, një hapësirë tjetër
gjeografike? Mos vallë për ta nxjerrë sllave? Krejt e gabuar edhe kjo përpjekje
sepse Piperi është formuar nga një shqiptar arbëror, Pipër Keqi biri tjetër i
Keqa Prekës, i cili u vendos në atë vend që sot mban emrin e tij Pipër. Të
gjithë këta fise ishin katolike pa asnjë lidhje me sllavët çfarë vërteton të
kundërtën e asaj që shkruan historiani Romeo Gurakuqi, pra se banorët e sotëm
të Pipërit janë shqiptarët e vjetër, të një fisi e vëllezër gjaku me hotianët,
por ndryshe prej tyre nën presionin e fiseve sllave u konvertuan në ortodoks
dhe humbën etnitetin.
Po pse
historiani në fjalë nuk merr në konsideratë faktin se popullsia që po rrudhej
në shekullin e 15-të ishte shqiptare, kur dihet se shqiptarët jetonin në tërë
bregun Dalmat dhe ajo pjesë që mbeti, me përjashtim të Raguzës-Zarës në Kroacinë
katolike, më vonë u shkombëtarizua, kanë humbur gjuhën dhe fenë, por në
kujtesën e largët mbetën gjithnjë shqiptarë. Edhe vetë Mark Milani,
kryeministri i Malit të Zi, në dejet e veta kishte gjak shqiptar, anipse
konsiderohet “shqiptarvrasësi”. Nuk është aspak e besueshme që një popullsi
tipike luftarake si Hoti, krenare për shqiptarinë e vet, që për pesë shekuj nuk
ndërroi etnitet e as fe, të paskësh rrënjë historike si popull sllav. Nuk e
dimë se ku i merr këto të dhëna Romeo Gurakuqi, por dimë se kjo është fyerja më
e madhe që i është bërë Hotit e hotianëve, që Fishta i madh me “Lahutën e
Malcisë” i vuri në piedestalin e kombit shqiptar, Ndre Mjeda po ashtu.
Si
është e mundur që kur mblidheshin krerët e shtatë Malësive ia linin kryet e
vendit një burri prej Hoti, kur ata qenkan një pjellë sllave. E përsëris: nuk
është e mundur, as mëndja më e sëmurë nuk mund ta shpërfytyrojë Hotin në këtë
mënyrë, duke e prekur në palcën e vet të shqiptarizmit. Masakrat që sllavët
kanë bërë mbi Hotin kanë qenë të panumërta. A e dinë historianët tanë se pse
hotianët në shekullin e 19-të vunë në krye rubat e zeza? Pikërisht prej
masakrave që u bënë sllavët mbi djemtë e Hotit. Kujtojmë veç një emër vendi ku
ekzekutuan rreth 100 burra të Hotit, ai është Samoborri - një emër gjaku në
histori.
* *
*
Duke
qënë vetë një pinjoll i njërit prej atyre që bënë luftën për pavarësi, që morën
pjesë në kryengritjen e vitit 1911-1912 në Malësi të Madhe, duke qënë pra i biri i
atij që mësuesi Gjush Sheldia në shënimet e tij e cilëson “Mësuesi Palok Traboini ka qënë sekretar i Ded Gjo Lulit” gjatë
kryengritjes së vitit 1911, gjithmonë i kam ndjekur me shumë vëmendje botimet
historike, qofshin këto libra, artikuj, dokumenta të botuara, aq më tepër se në
rastin tim e vërteta kombëtare lidhet pazgjidhshmërisht me të vërtetën
familjare. Në këto kërkime të mia pasionante kam mundur të njihem me veteranë
që i kanë bërë luftrat për pavarësi, por edhe me historianë që shkruajnë mbi
to. Rasti më ka sjellë gjithashtu të njihem në Amerikë edhe me Gjergj
Nikprelën, që ka botuar ndoshta studimin më të plotë e më të mirë për
kryengritjen e vitit 1911, kjo falë faktit se ka arritur të shfrytëzojë mirë
arkivën e shtetit malazez, çfarë përbën një prurje të re në studimet historike.
Edhe në atë libër, veç aspektit të përgjithshëm, dokumentave origjinale që
sjell, kam gjetur në disa vende përmendjen e emrit të tim Ati, Palokë Traboini,
si një prej njerëzve më aktiv në kryengritje, emri i të cilit lidhet me një nga
çastet më kulmore që shënohet edhe në historinë kombëtare - ngritjen e Flamurit
në Deçiq, më 6 prill 1911. Fakte të tilla mbi veprimtarinë e Palokë Traboinit
në kryengritje, si flamurtar, mësues, publicist e poet e gjejmë tek shumë
autorë duke përfshirë edhe dëshmi veteranësh kombëtare apo dhe në fototekën
Marubi, i cili në një fotografi ku kanë dalë një grup malësorësh kryengritës,
ndër të cilët Palokë Traboini, Mirash Luca, Gjok Prela e tjere, ka shënuar “Disa nga luftëtarët e Deçiqit”. Nuk
besoj se gjëndet dokument më autentik. Gjithashtu figura e këtij luftëtarit të
Deçiqit, Palok Traboini, gjëndet edhe tek Petraq
Pepo, “Lufta për çlirim kombëtar 1878-1912-kujtime veteranësh”, Tiranë 1962
f.446; At Donat Kurti, “Hylli i Dritës” nr.11, 1937, f.523; Gjush Sheldia,
“Arsimtarë të vjetër të Shkodrës e në rrethe”, dorëshkrim, 3 qershor 1959;
Gazmend Shpuza, “Në prag të pavarësisë”, New York 2000; Gjergj Nikprelaj,
“Kryengritja e Malësisë e vitit 1911”, New York 2004, f. 123; Hamit Boriçi,
“Reflekse në publicistikën e Palokë Traboinit” 2006; Fran Camaj, “Ded Gjo Luli
në poemën “Lufta e maleve” e Palokë Traboinit’, Konferencë përkujtimore Tuz
2005; Gjovalin Shkurtaj, “Ne bijtë e xhubletës” 2006; Prenk Gruda, “Mësuesi i
parë nga Hoti i Burrave kreshnikë”, ditar 25 prill 1940; Shkrime e kujtime nga
Pjetër Pali, Andrea Skanjeti, Mikel Prenushi, Palokë Prel Vuçetaj, Prenkë Uli,
Gjergj Gjokë Shabani e tjerë.
Anipse
përballë gjithë këtyre dëshmive që tregojnë se cili ishte flamuri i Deçiqit, si
erdhi e kush e solli atë flamur, në shkrimet e tij historiani Romeo Gurakuqi vazhdon
ta trajtojë historinë sipas disa skemave të vjetra të mohimit të së vërtetës
historike. Madje arrin deri atje sa nxjerr se flamurin që ka sjellë prej Vjene
përmes Dalmacisë Palokë Traboini e që ia ka dorëzue Ded Gjo Lulit, pra flamuri
që u ngrit më 6 prill 1911 në Deçiq, ta konsiderojë sikur ta kenë punue
terzinjtë e Krajl Nikollës të Malit të Zi.
Le ta
citojmë historianin:
“…. u njoftua nga Cetina se Gjon Gjo’ Kola,
terzibashi i Krajl Nikollës me punëtorët e vet, Kolë Jozën, Rrok Pultin dhe
Gegë Gurakuqin, ishin duke qëndisur një flamur të tillë shumë të çmueshëm.
Flamuri, pasi u ruajt për disa ditë në shtëpinë e Zef Jak Dajçit, duke u
shpëtuar ndjekjeve të autoriteteve malazeze, kaloi në duart e anëtarëve të
Komitetit të Podgoricës” .
Pasi
konstaton këtë, që nuk përjashtohet mundësia të jetë dëshmi e vërtetë në
vetvete, menjëherë shkruan për ngritjen e flamurit në Deçiq, çfarë çdo lexues
duke i
besuar autorit nënkupton sikur ky flamur i terzibashëve të Krajl Nikollës është
ngritur në Deçiq. Një sofizëm i gjallë historik.
Ne nuk
e dimë se pse historian Romeo Gurakuqi e sposton vëmendjen nga Flamuri i
vërtetë e na çon në një tjetër drejtim. Ndoshta se ndër terzibashët e Krajl
Nikollës ka qenë edhe një farë Gegë Gurakuqi, ndoshta gjysh-stërgjyshi i tij e
ky po don ta fusë në histori në mënyrë të sforcuar duke shmangur protagonistët
e vërtetë të aktit të pashembëllt në histori - ngritja e flamurit në Deçiq.
Atëherë
le të ndalemi së pari duke e vëzhguar atë fla-mur që quhet prej gjithkujt -
Flamuri i Ded Gjo Lulit e jo i terzibashve të krajl Nikollës të Malit të Zi. Ai
flamur sipas dëshmive të hotianëve, por edhe dokumentave historike, ishte
krijuar në zemër të Europës me një porosi të veçantë. Kola, i biri i Ded Gjo
Lulit, kohë para se të fillonte kryengritja, kishte shkuar në Austri i dërguar
nga ati për të kërkuar ndihma e armatim në rast të një kryengritje. Atje është
takuar me Alardo Kastriotin, spanjoll, pretendent si vazhdues i gjakut të
Kastriotëve e që ka bërë një punë të madhe për përhapjen e idesë së
shqiptarizmës në qendrat europiane. Dikush mund ta ketë konsideruar aventurier,
Konica në fillim e kishte mik për kokë e më pas e braktisi, gjithsesi
porosi-pagesa për flamurin është bërë prej Alardo Kastriotit si dhuratë për
malësorët.
Ded Gjo
Luli kishte plot flamuj që mbaheshin në një shtëpi që quhej magaze në Skoraq të
Hotit në shtëpi të Preç Prekës, siç dëshmonte veterani Zef Marash Daka me 25 maj 1962, por donte një flamur
që të ishte i punuar atje ku punoheshin tërë simbolet e shteteve e mbretërive,
pra sipas thënieve të malësorëve veteranë të kryengritjes “tu date me shej mes tanë kombeve të Europës”.
Që këtu
kuptohet mënçuria e atij plaku të urtë kreshnik. Deda kishte dashtë me pritë të
vinte flamuri e masandej të fillonte kryengritja. Por flamuri s’po vinte dhe
kryengritja u nis. Pas dy-tre ditësh ka ardhë lajmi se flamuri i porositun
ishte nisur nga puntoria e Vjenës për në Malësi, por dileni e priteni. Ded Gjo
Luli ka nisur për ta pritur në Dalmaci sekretarin e vet, mësuesin Palokë
Traboini që kishte lënë shkollën në Prizren e ishte rreshtuar në rradhët e
kryengritësve dhe dinte disa gjuhë të huaja. Palokë Traboini e ka sjellë në Hot
dhe ia ka dorëzue Ded Gjo Lulit. Po në të vërtetë ai ka sjellë tre flamuj. Ja
si shkruhet në librin e studiuesit Petraq Pepo botuar në vitin 1962:
“Palok Traboini në 1911 kishte kthye prej
Austrisë e tre flamujt që kishte pru prej andej i kishte nda kështu: njënin Ded
Gjo Lulit, tjetrin Ujkës së Grudës e të tretin Prel Lucës së Trieshit.”( Profesor Petraq Pepos "Lufta për çlirim kombëtar në
vitet 1878-1912", Tiranë 1962, faqe
446-447).
Historiani
Romeo Gurakuqi as nuk e shtron çështjen se cili është flamuri që u ngrit në
Deçiq, çfarë është historia e tij, por e kapërcen dhe gjithçka kuptohet sikur
flamuri i terzibashëve të Krajl Nikollës qënka ai që populli e quan “Flamuri i Ded Gjo Lulit”. Kushdo që ka
sy të mprehtë di të dallojë se flamuri që është fotografuar nga Marubi nuk
është një flamur i bërë nga terzijtë e krajlit të Malit të Zi, nuk është
artizanal, por i fabrikuar, madje dhe shtiza është e derdhur bashkë me zogjtë
metalikë të larë me ar, që i rrinin flamurit në shtizë.
Mendoj
se nuk është mungesa e vëmendjes, e aftësisë për ta përcaktuar atë flamur, por
dëshira për ta anashkaluar të vërtetën e për të na afruar çasje të pavërteta.
Nëse
donte ky historian të gjente burimin e vërtetë të këtij flamuri, shumë mirë
mund të lexonte dëshmitë e veteranëve, por edhe poemën historike me afro 1700
vargje, që vetë Palokë Traboini pat shkruar pas kryengritjes, kur ishte mësues
i gjuhës shqipe në Prizren në fund të vitit 1911.
Tue krisë pushka shpat e n' shpat
gjimojnë malet lak e n' lak
nji djalë Hotit vjen prej larg
pa pikë frymë prej Dallmacis,
Dedë Gjo Luli ku e kish nisë
me pru flamurin e Shqipnis.
(Ky
djalë Hoti ishte vetë autori P.Traboini, shënimi im K.T.)
N'log të Kishsë kur djali a kapë
dy flamurë n' erë ka hapë,
dy flamurë kuq e zi
qindisë n' ar për bukuri.
Aty at-herë Kolë Dedë Gjo Luli
njenin flamur n' bli e nguli
prej të gjithve me u soditë.
pala-pala tue valvitë.
N' kambë u çuen në shej nderimit
të tanë djelt e Traboinit;
kërset pushka prej gëzimit,
gjithkah hapet brohorija:
“Rrnoftë flamuri e rrnoftë Shqipnija,
orën çuet e ka Malsija!”
Dedë Gjo Luli u çue n' kambë,
tjetrin flamur ja u ka dhanë
djelve t' Hotit e u ka thanë:
“Çonju tash, djelt e mi,
me deke sot për flamuri
se i erdh dita ksaj Shqipni.
Në Deçiq ja u due n' ket dite
flamurin n' majë me e ngritë.
...................................................
Shpejt u lshuene djelt petrita
e s' ba, drue, dhetë dekika
n' kulm Deçiqit me iu njitë
ku flamurin e kanë ngritë
tue këndue e pushkë tue qitë
prej gazmendit t' asaj ditë.
Të mos
harrojmë se ai që i shkruante këto vargje ka qënë vetë luftëtari që e ka sjellë
atë flamur përmes Dalmacisë siç e thotë në kapitullin e fundit të poemës, e jo
përmes kthinave të sarajeve të Krajl Nikollës që na sugjeron historiani Romeo
Gurakuqi. Nuk e dimë nëse ka dijeni historiani në fjalë se për këtë akt heroik
me flamur, sekretarin e Ded Gjo Lulit, Palok Traboini, veteranët e kryengritjes
1911 banorë të Hotit të Ri e kanë propozuar për ta dekoruar në vitin 1962, 13
vjet pas vdekjes, propozim që ka shkuar në Kuvendin Popullor por diktatura ja
mohoi, dhe mjerisht në kohë të demokracisë në vend që të vlerësohet,
anashkalohet e mohohet pikërisht nga historianët dhe pastaj per rrjedhim edhe
nga shteti.
* *
*
Jo më
shumë se disa ditë më parë, një historian malazez po fliste në kanalin
televiziv TV 5 Monde dhe pyetjes së gazetarit francez se nga çfarë popullsie
përbëhet aktualisht Mali i Zi, ai ju përgjigj: “Gjysma e popullsisë është
sllave e gjysma otomane”. Mohoi faktin se atje ka shqiptarë. Sikur ky historian
malazez të kishte lexuar librin e Romeo Gurakuqit “Kryengritja e Malësisë së
Mbishkodrës 1911” padyshim do ta citonte duke thënë se këtë e pohojnë edhe vetë
historianët shqiptarë.
Eshtë
krejt e natyrshme që gatimi i historisë në atë mënyrë që flamurin e Deçiqit e
paskan punuar terzibashët e Krajl Nikollës, apo që fisi i Hotit na paska qenë
as më pak e as më shumë, por pjellë e një burri sllav, të jenë aq të
mirëpritura në qarqet akademike të pansllavizmit agresiv, të cilët urrejnë e
mohojnë çdo gjë shqiptare dhe kërkojnë motivime sado të pabesueshme për dominim
historik.
Ah,
këto lajthitje historianësh, po na nxjerrin pa taban!
Shënim: Autori i shkrimit është biri i mësuesit
kryengritës Palok Traboini-Gojçaj, i cili i ngarkuar nga Ded Gjo Luli, përmes
Dalmacisë solli në Hot flamurin që ishte punuar në Vjenë posaçërisht për Kryengritjen
e Malësise së Madhe, flamur i cili është ngritur në Deçiq më 6 prill 1911.
Nga libri me esé “Zhgënjimi i Ambasadorit Amerikan”, Kolec
Traboini, Pantheon Books, Tiranë
2011, f. 73-82
--------> PALOK TRABOINI BLOG:
http://paloktraboini.blogspot.com/
Romeo Gurakuqi, “Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës e vitit 1911”, monografi, 2002, Shkodër, (në faqen 11, fusnota nr. 6). |
--------> PALOK TRABOINI BLOG:
http://paloktraboini.blogspot.com/