Artan Santo 1956-2014 |
Nga Kastriot MYFTARAJ
Vrasja e bankierit Artan Santo është nga ato ngjarje për të cilat dy opinionistët e famshëm, Mero Baze dhe Fatos Lubonja, të cilët kanë një mendim për të shprehur për gjithçka të rëndësishme që ndodh në vend, duhej pritur që të shkruanin së paku nga një artikull. Dhe meqënëse Baze dhe Lubonja reagojnë shpejt ndaj ngjarjeve të tilla, duhej pritur që artikulli i tyre të ishte botuar të nesërmen e vrasjes së Santos. Meqënëse kjo ngjarje ndodhi në mëngjesin e së enjtes, Baze dhe Lubonja kishin shumë kohë gjatë ditës për të shkruar artikullin e tyre, që duhej ta kishim parë të nesërmen në gazetat ku shkruajnë ata, “Tema” dhe “Panorama”. Por as të nesërmen dhe as të pasnesërmen, pra sot, dy analistët e mëdhenj nuk u ndjenë, a thua se nuk kishin mësuar gjë.
Mero Baze për vite të tëra, në kohën që Berisha ishte Kryeministër, e ka shigjetuar Artan Santon dhe bankën e tij në editorialet e tij në gazetën “Tema” dhe në rubrikën satirike politike “Antena brenda familjes”. Meroja e quante Bankën “Credins” si banka e familjes Berisha, dhe Santon si bankierin e familjes kryeministrore. Sipas Meros, kjo bankë kishte privilegje të posaçme nga Qeveria “Berisha”, për shkak se një nga aksionerët dhe drejtuesit e bankës ishte burri i mbesës së gruas së Kryeministrit Berisha. Në të vërtetë Elvana Hana, që përfolej nga Meroja nuk ishte mbesa e Liri Berishës, se babai i saj quhet Astrit Hana dhe nuk është vëllai i Lirisë, gjithashtu edhe nëna e Elvanës nuk është motra e Lirisë se është vajza e Kamberit nga Gramshi, ndërsa Liria është vajza e Rexhepit nga Vuthaj, që është një fshat shqiptar në Mal të Zi. Por, gjithsesi Meroja kishte të drejtë kur thoshte se Banka Credins kishte fituar privilegje të mëdha nga Qeveria “Berisha”, duke siguruar qindra milionë euro të ardhura në sajë të këtyre privilegjeve. Berisha abuzoi me pushtetin duke privilegjuar këtë bankë.
Për këtë gjë unë nuk kam ndryshuar mendje, por duket se ka ndryshuar mendje Mero Baze. Se befasisht, një ditë, sulmet e Meros kundër Santos dhe Bankës “Credins” u ndërprenë. Në gazetën e Meros u shfaq reklama e Bankës “Credins”. Meroja nuk e gjeti të nevojshme që t’ ju shpjegonte lexuesve se çfarë kishte ndodhur. Por ishte e qartë se Meroja ishte shitur duke marrë një shpërblim të mirë në euro nga Banka “Credins” U fol për 200 mijë euro në dorë dhe për një shumë mujore me të cilat në fakt u ble heshtja e Meros. Që kjo gjë ishte një marrëveshje personale mes Bazes dhe Santos kjo u kuptua nga fakti që reklama e Bankës “Credins” u zhduk nga faqja online e gazetës “Tema” pak orë pas vrasjes së Santos. Merret vesh, Meroja edhe këtë herë kishte vepruar sipas instinktit të tij të cubit, i cili mbulon fytyrën me çorape dhe u vendos gjoba njerëzve. Meroja me kokën e mbuluar me çorape qëndron denjësisht në skuadrën e vrasësve të Santos, përkrah dy kriminelëve me helmeta të zeza.
Nëse nënshkrimi i Meros nuk do të gjendej në shumë karta të Santos, ai nuk do të rrinte dot pa bërë një editorial plot helm ku të aludonte se në vrasjen e Santos kishte dorë Sali Berisha, dhe këtë ta “provonte” me faktin se burri i mbesës së gruas së Berishës, e zëvendësoi Santon e vrarë në postin e drejtorit të përgjithshëm të bankës. Në të vërtetë, siç kam thënë, zonja Korkuti-Hana nuk është mbesa e Liri Berishës (ndonëse ka lidhje gjaku me të) dhe tashmë as Santo dhe as Maltin Korkuti nuk zotëronin më aq aksione sa të mund të kontrollonin bankën nga posti i drejtorit të përgjithshëm. Të tjerë ishin aksionerët mazhoritarë. Por, meqënëse për Meron nuk ka rëndësi e vërteta, mbetet pyetja se përse heshti Mero Baze për vrasjen e Santos dhe nuk e përdori këtë ngjarje sipas stilit të tij. Meroja nuk mund të rrinte pa aluduar se në vrasjen e Santos kishin dorë bosët e drogës së Lazaratit, për të cilët Meroja do të thoshte se pastronin paratë te kjo bankë. Edhe në këtë rast Meroja, i cili gënjen trashë, nuk do të shqetësohej për atë se sa njerëz e besonin gënjeshtrën e tij. Se pastrimi i parave të drogës është një proces i ndërlikuar dhe paratë nuk kanalizohen drejtpërdrejt nga trafikantët te bankat por kalojnë më parë në filtra të tjerë. Por gënjeshtrat e Meros i drejtohen përgjithësisht shumicës injorante të popullsisë dhe kanë si qëllim që të bëjnë efekt vetëm te njerëzit që nuk kanë as kategoritë minimale intelektuale për të gjykuar mbi raportin mes “analizave” të Meros dhe realitetit.
Atëherë përse heshti Mero Baze? Një nga arsyet se përse ka ka ndodhur kështu është se Meroja Baze ishte një nga njerëzit që kishte marrë përsipër të ndërmjetësonte midis Santos dhe Kryeministrit Rama për një problem që kishte Banka Credins dhe që pa ndihmën e Kryeministrit mund të kishte çuar fare mirë në fundin e kësaj banke. Se qysh e si u bë kjo punë, me Kryeministrin Rama që i tha një fjalë Ministrit të Financave, ky është një detaj që nuk ka rëndësi këtu. Por ky është celësi që shpjegon marrëdhënien e re që kishte krijuar Santo me Kryeministrin Rama si dy “çuna Tirona” dhe nëse Prokuroria e Përgjithshme nuk i kërkon këto dokumente në Ministrinë e Financave dhe në Bankën e Shqipërisë, as që ka për të hyrë në shtegun e zbulimit të së vërtetës së vrasjes së Santos. Mero Baze ishte implikuar kohët e fundit aq shumë me Santon, saqë Berisha nuk mungoi që të bënte një aluzion publik se Mero ishte shitur te Santo.
Berisha nuk kishte iluzione, se me daljen e PD-së në opozitë, Santo do të mbështeste PD-në me televizionet dhe gazetën e tij, nga të cilët pjesën më të madhe Santo nuk i kishte nën kontroll efektiv, për shkak të konfliktit me ortakun e tij, i cili ia kishte uzurpuar ato. Berisha e dinte se Santo ishte i detyruar që të përpiqej të bënte marrëveshje me Edi Ramën, për hir të bizniseve të tij. Berisha dhe Santo patën një bashkëpunim me interes të ndërsjelltë, sa kohë që Berisha ishte Kryeministër. Më pas rrugët e tyre ndaheshin. Santo kishte bashkëpunuar me Kryeministrin Berisha, jo thjesht me Sali Berishën. Por, pasi Santo të afrohej me Edi Ramën, Berisha do të kishte të drejtë që ta përdorte politikisht këtë gjë, duke e akuzuar Ramën se tashmë njeriu dhe banka, që PS i përdori si lëndë të parë për akuza ndaj tij (Berishës) kur ky ishte në pushtet, tashmë qenë në oborrin e Kryeministrit Rama. Santo nuk mërzitej nga kjo gjë, e merrte me sportivitet.
Por arsyeja kryesore për të cilën Baze heshti për vrasjen e Santos është një tjetër. Mero Baze është një akuzator medial me licencë. Ai dje akuzonte me lejën e Sali Berishës, sot me lejën e Edi Ramës. Kështu që Baze nuk mund ta akzuonte Berishën për vrasjen e Santos veçse me lejën e Edi Ramës. Dhe Edi Rama nuk mund t’ ia jepte Bazes këtë leje se kjo do të shkaktonte shkallëzimin e debatit, do të thotë Berisha do të bënte akuza drejtpërdrejt ndaj Ramës për çështjen “Santo”. Tashmë që Berisha nuk e ka më Meron në shërbim të tij si akuzator special medial, e ka marrë përsipër vetë edhe këtë rol, dhe duket se kjo gjë e argëton shumë ish-Kryeministrin.
Përse për vrasjen e Santos heshti edhe Fatos Lubonja, moralisti i madh? Pse nuk pamë as dje dhe as pardje një artikull të Lubonjës në gazetën “Panorama” për këtë çështje? Në këtë rast vlen shprehja: “Qeni nuk kafshon dorën e atij që e ushqen”. Gazeta “Panorama” ku shkruan Lubonja është pronë e Irfan Hysenbelliut, i cili ka qenë partner në biznis me Santon. Të dy, Santo dhe Hysenbelliu kishin në bashkëpronësi kompaninë mediale “Fokus” (Tv News 24, “Gazeta Shqiptare”, “Balkanweb”), si dhe Universitetin “Luarasi”. Pas vdekjes së Santos, Irfani zbuloi befas se ka pasur një afeksion të madh për ish-ortakun e tij Santo, ndonëse me të kishte pasur një konflikt të madh, prej një viti, dhe vëllai i Irfanit, që është administrator i kompanisë kishte urdhëruar rojet që të mos e lejonin Santon të shkelte në zyrat e kompanisë dhe në selinë e Tv News 24. Irfani me këtë rast tha publikisht se nuk e besonte dot që ka vdekur ortaku i tij. Edhe Lubonja, ndan të njëjtën ndjeshmëri me pronarin e gazetës, dhe nuk e beson dot se Santo ka vdekur. Prandaj Lubonja nuk mund të shkruajë ende për vdekjen e Santos. Kur Irfani të besojë se Santo ka vdekur, këtë gjë do t’ ia tregojë Lubonjës dhe atëherë pritet që ky i fundit të shkruajë artikullin e vet moralizues për vdekjen e Santos.
Kastriot Myftaraj/28 qershor 2014