Unë i dënuari me vdekje nga fashizmi islamik, ju shpjegoj
tradhëtinë e madhe të Europës”.
Intervistë me Abdel-Samad, politolog egjiptian, nën eskortë në Gjermani. Libri i tij është ndaluar në Francë. “Intelektualët nuk duan t’i ndyejnë duart me islamin. Për duatrokitjet, duhet sulmuar Amerika dhe Izraeli”
I ofruan gjithçka që një djalë egjiptian mund të dëshironte:
spiritualizëm, kameratizëm, shoqëri, një qëllim. Në Gizë, Hamed Abdes-Samad u
fut për t’u bërë pjesë e Vëllazërisë Myslimane. I ati e kishte mësuar të
lëxonte Kuranin, por qe Vëllazëria ajo që ia shpjegoi sesi të përkthejë në
praktikë këto mësime. Kalimi i kohës më i preferuar i tij ishte që të marshonte
më Vëllazërinë gjatë manifestimeve, duke shpalosur flamurin e Profetit.
Abdel-Samad i refuzoi pas një dite në shkretëtirën egjiptiane. U dhanë të
gjithë “vëllezërve” nga një portokall pasi kishin ecur nën diell për orë të
tëra. I urdhëruan që ta qëronin. Qenë të lumtur që më së fundi kishin diçka për
të shuar etjen. Pastaj Vëllazëria i urdhëroi ata që ta groposnin frutin në rërë
dhe t’i hanin lëkurat. “Jam ndjerë krejtësisht i poshtëruar. Objektivi ishte që
të thyhej vullneti ynë. Kështu krijohen terroristët. E kam lënë Vëllazërinë
menjëherë më pas”.
Sot Abdel-Samad është 46 vjeç dhe jeton në Mynih të Bavarisë,
ku është martuar me një vajzë daneze dhe punon për Institutin e Historisë dhe
Kulturës Hebraike të Universitetit të Mynihut. Pas diplomimit, Abdel-Samad ka
punuar pranë UNESCO-s në Gjenevë, më pas ka hyrë në Departamentin e Studimeve
Islamike pranë Universitetit të Erfurtit, përpara se historiani Michael Brenner
t’i ofrionte një pozicion pranë Universitetit të Mynihut në vjeshtën e 2008.
Libri i parë i tij ka shkaktuar një tollovi të madhe në fshatin e lindjes së
Abdel-Samad, ku disa banorë kanë dashur t’ia djegin librin. Abdel-Samad kishte
pasur guximin që kishte hyrë dhe qe bërë pjesë e atyre që revista amerikane
“New Republic” i ka quajtur “ateistët e padukshëm”, të refuzuarit, heretikët,
blasfemët e botës islamike. Një tjetër zjarr, një zjarr i butë, sapo ka djegur
librin e ri të Abdel-Samad, “Der Islamische Faschismus: Eine Analyse”, i
shumëshitur në Gjermani, ku është botuar nga një botues si Droemer Knaur.
Shtëpia botuese franceze “Piranha” kishte blerë të drejtat për
ta përkthyer në frëngjisht veprën më të njohur të Abdel-Samad dhe kishte edhe
një datë daljeje në Amazon, 16 shtator. Por shtëpia botuese në momentin e
fundit ka bërë një prapakthehu. Jean-Marc Loubet, në krye të shtëpisë botuese,
ka njoftuar autorin se botimi i librit të tij për momentin është i paimagjinueshëm
në Francë për arsye sigurie, por edhe sepse mund “të çojë ujë në mullirin e të
djathtës ekstreme”. Për kritikat e tij ndaj islamit, Samad në Gjermani jeton
nën eskortë dhe mbi të ka një fetva për herezi, të nxjerrë nga disa imamë
egjiptianë.
“Shtëpia botuese Piranha kishte blerë të drejtat e librit, e
kishte përkthyer, ishte tashmë në Amazon kur ka vendosur t’ia ndalojë botimin”,
thotë Abdel-Samad në këtë intervistë për “Il Foglio”. “Dy vite më parë, pas
sulmit ndaj Charlie Hebdo, kishin vendosur t’i blinin të drejtat e librit. Pas
Nicës, qenë të gatshëm ta hidhnin në treg në shtator. Drejtori i shtëpisë
botuese i ka shkruar një email agjentes time gjermane, duke shpjeguar se kishin
pasur një mbledhje me krerët e shtëpisë botuese dhe se ekzistonte një rrezik
shumë i lartë për punonjësit në botimin e një titulli të tillë, se kishte
ndodhur Charlie Hebdo dhe se nuk mund të kishin edhe ata të njëjtin fund. Unë i
njoh mirë rreziqet që kalohen në të tilla raste, jetoj nën mbrojtjen e
policisë, marr kërcënime dhe sikur të kishin pasur vetëm frikë, do të kishte
qenë e kuptueshme. Një vit më parë kishin thënë “Jemi Charlie” dhe tani thonë
“Kemi frikë të jemi Charlie”. Por në pjesën e dytë të emailit ishte shkruar se
libri “do të çonte ujë në mullirin e të djathtës ekstreme”.
Është reagimi tipik i shantazhit moral të atij që nuk do që të
kritikohet islami. Është më i ndershëm reagimi i terroristëve islamikë që më
thonë: “Të vrasim po kritikove islamin”. Por ka edhe një taktikë tjetër nga ana
e myslimanëve që shantazhon në mënyrë emotive duke thënë: “Libri yt prek
ndjenjat tona”. Dhe kjo taktikë është adoptuar sot nga e majta në Europë. Në
qoftë se kritikon islamin, e gjen veten të rrethuar nga këto grupe. Është
hipokrizia e kulturës, sepse e kanë transformuar frikën në një mburrje”.
Rasti i Abdel-Samad nuk është sigurisht i pari. “The Jewel of
Medina”, romani i amerikanes Sherry Jones mbi jetën e gruas së tretë të
Muhamedit, është blerë dhe më pas është refuzuar nga shtëpia botuese “Random
House”, që i kishte paguar tashmë një paradhënie të majme autores dhe kishte
lançuar një fushatë promovuese ambicioze. Pastaj ndodhi rasti i Yale University
Press, që ka botuar librin e Jytte Klausen, “The Cartoons That Shook the
World”, kushtuar historisë së karikaturave daneze, por pa ia riprodhuar
karikaturat. “Kapitullimi i Yale University Press është episodi më i keq i
dorëzimit ndaj ekstremizmit religjioz mysliman që po përhapet në të gjithë
kulturën”, komentoi Christopher Hitchens. Në Gjermani shpërthen rasti i
Gabriele Brinkmann, romanciere e vlerësuar, që papritmas mbetet pa shtëpi
botuese. Në romanin e saj “Wem Ehre Gebuhrt” (Kujt i detyrohet nderi) kishte
disa pasazhe, që sipas avokatëve të shtëpisë botuese Droste, do të mund të
“irritonin komunitetin islamik gjerman” dhe ta ekspozonin botuesin “ndaj padive
dhe frikësimeve”.
Kështu që shkrimtares iu kërkua t’i censuronte pasazhet
delikate. Autorja ka refuzuar dhe ka humbur shtëpinë botuese. Brinkmann ka
komentuar: “Është një skandal për një botues që ta fusë bishtin midis shalëve
në këtë mënyrë. Bëhet fjalë për besnikëri preventive”. Duke shkuar akoma më
prapa, kemi rastin e Salman Rushdie dhe të “Vargjeve satanike” të tij. Shtëpia
botuese franceze Christian Bourgois refuzoi ta botojë pasi i kish blerë të
drejtat dhe të njëjtën gjë bëri botuesi gjerman Kiepenheuer, që u pendua që ia
kishte blerë të drejtat librit dhe zgjodhi që t’ia shesë një konsorciumi prej
50 botuesish në Gjermani, Austri e Zvicër, të grumbulluar nën siglën “UNCharta
Artikel 19”. Shumë shpejt edhe shoqata e botuesve anglezë zgjodhi që të mos
vihet në vijën e parë në aferën Rushdie. Ishte e vërtetë që një shkrimtar
britanik dhe botuesit britanikë të tij qenë nën kërcënime me vdekje, por
shoqata u deklarua e preokupuar që “të mos e rëndonte më kot një situatë
thellësisht të papëlqyer”. Një mesazh në dukje delikat, por që kishte shumë pak
ndershmëri. Oxford University Press vendosi kështu të marrë pjesë në Panairin e
Librit të Teheranit bashkë me dy shtëpi botuese amerikane, McGraw-Hill e John
Wiley, pavarësisht kërkesës së Viking Penguin, botues i Rushdie, për ta
bojkotuar evenimentin. Zgjodhën që të luftojnë censurën vrastare me dorëzimin,
të gatshëm që të sakrifikonin lirinë e shprehjes në altarin e “business as
usual”: shitja e librave ishte më e rëndësishme se kolegët e kërcënuar.
Kundërrevolucioni i Hitlerit dhe Islamit
Vijmë kështu në përmbajtjen e librit të Abdel-Samad që ka
prodhuar kaq shumë skandal. “Libri im është mbi religjionin, pasi krahasoj
islamin me fashizmin”, vazhdon më tej Hamed Samad. “Thonë se nuk mund ta vendos
një religjion të shekullit të VII-të me një ideologji të shekullit të XX-të.
Megjithatë, islami nuk është vetëm një religjion, por edhe një ideologji
politike, ashtu siç fashizmi ka qenë edhe një religjion politik. Kulti i
liderit, e vërteta absolute, kultura e vdekjes, martirët, populli i zgjedhur,
vetëm të cilit i jepet akses tek e vërteta: islami paraqet të njëjtat
karakteristika.
Islami influencon jetën e qindra million njerëzve, përfshi
jetën seksuale të tyre në dhomën e gjumit. Unë flas për islam dhe jo për
islamizëm, pasi i dyti buron nga i pari dhe ekziston qysh nga koha e Muhamedit.
Nazizmi ka racën ariane, islami ka ummanë, komunitetin e besimtarëve. Populli i
zgjedhur i islamit përforcohet nga një mision hyjnor: të bashkojë vendet dhe të
qeverisë botën. Është një mision i shenjtë. Për të dy, fashizmin dhe islamin,
vetë ideja e shpalljes luftë ndaj të pabesëve është e ngjashme: nuk lufton për
të jetuar, por jeton për të luftuar. Dhe ky është xhihadi, lufta e shenjtë, që
nuk ka të bëjë me kufij apo politikë, por është lufta që nuk përfundon kurrë.
Është një luftë e përjetshme për t’ju afruar Zotit. Pastaj është koncepti i
armikut: të jashtëm e brendshëm. Për fashizmin ishte Perëndimi dhe aelatët,
kurse të brendshëm qenë komunistët, hebrenjtë, opozitarët. Në islam, ai i
jashtëm është Perëndimi dhe Izraeli, ai i brendshëm janë laikët, kristianët,
apostatët. Të dy e çhumanizojnë armikun, armiku nuk mund të jetë human, është
asgjësimi total i armikut, askush nuk duhet të mbijetojë.
Në Kuran, të pabesët janë më keq se kafshët, hebrenjtë si
derra e majmunë, pisa, të ndyrë. Është e njëjta semantikë e nazistëve mbi
hebrenjtë. Nëse eliminon aspektin njerëzor të armikut, eliminon çdo simpati, jo
vetëm e vret, e përfundon, për ta zhdukur nga faqja e dheut. Hitleri e shihte
fundin e hebrenjve si shpëtimin e Gjermanisë. Po kështu, Muhamedi thotë se
hebrenjtë duhet të luftohen deri në fund, edhe prapa një guri. Është një hadith
i famshëm që ndodhet edhe në kartën themeltare të Hamasit. Është apokalipsi.
Është kjo që mësojnë fëmijët në shkollat e botës arabo – islamike. Është
vizioni i plotfuqishmërisë”.
Islamizmi ka lindur si në kohën e nazizmit
“Lufta e Parë Botërore i ka dhënë fund Perandorisë Gjermane,
asaj ruse dhe kalifatit. Nazizmi dhe fashizmi kanë dalë atëhere si komunizmi në
Rusi, ndërsa në islam lind Vëllazëria Myslimane, që ka si objektiv final
restaurimin e Kalifatit. Nga Meka në Raqqa, nga Muhamedi tek ISIS-i, është i
njëjti objektiv. Terrorizmi islamik terrorizon armiqtë, siç bënë Mussolini dhe Hitleri
me Këmishat e Zeza dhe SS-ët. Sulmet terroriste janë vetëm një strategji”.
Çfarë do islami radikal i sotëm?
“Në realitetet e tyre do ta çojë shoqërinë fillimisht tek
modernizmi, përpara individualizmit, lirisë së ndërgjegjes, të ndarjes së
pushteteve. Është një kundërrevolucion ndaj modernizmit dhe kulturës. Të gjithë
duhet të sakrifikojnë dhe të sakrifikohen për këtë qëllim. Për jashtë, islami
do të pushtojë botën, do të lajë hesapet me pjesën tjetër të botës sipas ligjit
të tij, ashtu siç bëri nazizmi”.
Largësia e elitave europiane
Abdel-Samad parashikon se përplasja e qytetërimeve, e shpallur
nga falangat radikale të islamit ndaj qytetërimit perëndimor, do të vijë duke u
intensifikuar.
“Në perspektivë nuk do të jetë e gëzueshme”, thotë intelektuali
egjiptian. “Sot ka 300 milion myslimanë nën 15 vjeç. Ky është fakt, jo profeci.
Rinia është nga ana e islamit. Është vetëm çështje kohe. Në 15 – 20 vjet,
fëmijët do të jenë bërë burra dhe shumë prej tyre, të lindur në shoqëri të
frustruara, të dështuara e të korruptuara, çfarë do të bëhen? Gjëja më e
tmerrshme nuk janë bombat e sotme, por ajo që do të ndodhë nesër. Jo gjithë
këta miliona do të jenë terroristë, por mjafton vetëm 1 milion. Midis 300
milion fëmijëve myslimanë, sikur vetëm 1 përqind prej tyre të radikalizohej,
prapseprapë do të nënkuptonte 3 milion njerëz. Në pikun e saj, al Qaeda kishte
7000 militantë. Maksimumi, Shteti Islamik ka 30000 persona dhe po terrorizon
gjithë botën”.
Pastaj janë milionat e myslimanëve që jetojnë në Europë.
“Pjesa më e madhe e tyre janë paqësorë. Por shumca është e
parëndësishme, nuk e frenon këtë fenomen të tmerrshëm në komunitetet e tyre. Në
Gjermani ka 1000 gjermanë që luftojnë për Shtetin islamik. Një terrorist i
vetëm në Nicë apo në Ansbah është në gjendje të terrorizojë miliona europianë.
Dhe radikalizimi po bëhet gjithnjë e më i fortë. Sa më shumë myslimanët
frekuentojnë programet e antiradikalizimit në Europë, aq më shumë
radikalizohen. Është e frikshme që po mësohemi me terrorizmin, presim vetëm
sulmin e radhës. New York, Madrid, Londër, Paris, Nicë, Bruksel, Mynih… Cili do
jetë i ardhshmi?”.
Nga ku lind urrejtja e këtyre bijve të rinj të Europës ndaj
vetvetes?
“Nuk refuzojnë mallrat e konsumit, por idenë që ndodhet prapa:
modernizmin. Nuk i braktisin kallashnikovët pse janë bërë të pabesë, por
shpirtin e modernizmit, lirinë, barazinë, këto i refuzojnë. Europa nuk u ka
ofruar emigrantëve një identitet dhe emigrantët nuk u kanë mundësuar fëmijëve
të tyre që të bëhen pjesë e shoqërisë që i ka mikpritur. Është ngritur një mur
nga prindërit përballë fëmijëve të tyre. Në Kuran është e shkruar që të mos
bëhesh mik me hebrenj dhe kristianë”.
Islamizimi total i Europës nuk do të ndodhë, do të ndodhë
diçka ndryshe.
“Numrat nuk janë shumë të mëdhenj, por myslimanët nuk janë
pjesë e të njëjtit bekgraund. Ka sunitë, shiitë, alavitë, kurdë, turq. Por
islamizimi i pjesës më të madhe të qyteteve europiane tashmë është realitet.
Londra, banlieue franceze, Malmoe, disa pjesë të Berlinit, shumë zona në
Hollandë. Vetëm në Europë ekziston ky realitet, si në Johanesburg e San Paolo
të Brazilit. Zonat e ndaluara. Getoja. Kur flas në Gjermani për integrimin,
përgjigjem: Për herë të parë rimerrni monopolin e dhunës, rijepjani shtetit. Do
t’i përdorin këto zona, ku koeficenti demografik është shumë i lartë, ku
welfare mendon për gjithçka, që të infektojnë pjesën tjetër të Europës. Shteti
social duhet të reformohet, nuk mund të marrësh benefitet sociale prej faktit
që ke fëmijë dhe të mos bësh asgjë. Këta njerëz nuk e kanë idenë se nga dalin
paratë për të jetuar. Kjo duhet të marrë fund. Nuk kanë asnjë mirënjohje për
shtetin që i ka mikpritur. Përkundrazi, provojnë gjithnjë e më shumë frustrim.
Jashtë gjejnë 3 zgjedhje: salafitët, të droguarit dhe tutorët.
Tensioni do të rritet me ardhjen e 1 milion emigrantëve vetëm në Gjermani.
Skenari është i tillë që askush nuk di çfarë të bëjë. Do të ketë më shumë
segregim e më shumë dhunë, do të rriten krimet e rregullta dhe terrorizmi
fetar. Për mua problem është se Europa i kushton gjithë kësaj që të vazhdojë në
një ndjenjë indifference, nga politikanët, nga e majta, me zemërimin e të
djathtës që mendon se vendet e tyre janë sekuestruar, kështu që mëria dhe
urrejtja transformohen në dhunë. Angela Merkel nuk ka bërë asgjë pas Këlnit,
Ansbahut, Mynihut. Ka dalë në televizion e ka thënë: “Gjithçka do të shkojë
mirë”. Pas sulmit ndaj Charlie Hebdo, politikanët francezë kanë shkuar të
vizitojnë një xhami, në vend që të vizitonin një të përjavshme satirike apo një
komunitet hebraik. Pas sulmit të ardhshëm të shkojnë e të takojnë viktimat.
Demokracia nuk mundet nga jashtë, por nga brenda, kur pushon së mbrojturi
vlerat e lirisë. Sot ka të njëjtën letargji. Është gënjeshtra e madhe që bëhet
klishe dhe që e përsërisim pas çdo sulmi: “Kjo nuk ka të bëjë aspak me
islamin””.
Abdel-Samad flet për një tradhëti në kuptimin e vërtetë të
fjalës, nga ana e elitave.
“Kjo tradhëti e elitave nuk është e re. Kur Rushdie botoi
“Vargjet satanike”, ai u braktis nga elitat kulturore europiane, që morën në
mbrojtje myslimanët dhe jo romanin. Kur Rushdie u ftua në Danimarkë, Irani
kërcënoi të mos blinte më djathë danez. Dhe Rushdie nuk shkeli në Danimarkë.
Është një përzierje oportunizmi dhe indiference. Kur Kurt Westergaard ka
pikturuar Muhamedin me bombën në çallmë, elitat kanë nisur të diskutojnë për
vlerat artistike të karikaturës. Islami politik është sfida më e madhe e
shekullit të XXI-të, por intelektualët europianë nuk duan të merren me të.
Është më lehtë të kritikohet Izraeli. Nuk është seksi të flasësh për islamin.
Gazetarët kritikojnë Amerikën për të siguruar duatrokitje. Për ta, kush jeton
nën eskortë pse ka kritikuar islamin nuk është interesant. Ndjej gjithmonë
tradhëtinë e këtyre intelektualëve, që preokupohen për ndjenjat e myslimanëve,
kurrë për të miat, të asaj që ka nënkuptuar për jetën time. Mund të kritikojmë
gjithçka, por jo islamin. Është shantazhi moral më i madh i kohës tonë”.
(nga Il Foglio)