29 April 2012

ZOGU DHE HAJNAT E TJERE TE SHQIPERISE


Nga Fritz RADOVANI:

FALEMINDERËS,  ZOTNI  BERND  J.  FISCHER !..
Në prag të 100 vjetorit Pavarsisë…

           
Në parathanjen e librit të vet „Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri“ i botuem në Tiranë në vitin 2004, z. Fischer shkruen: „Kur ky liber u botua për herë të parë në vitin 1984, këndvështrimi që i bëhej në të mbretit Zog konsiderohej politikisht i papranueshëm për regjimin komunist të Enver Hoxhës.” Sigurisht, as vetë z. Fischer nuk do të kenë mbërrijtë me marrë me mend se „Shqipnia nga shiu kishte rá në breshen…“
            Asht fat i madh që studjuesit e huej kanë shkrue per né, mbasi fjala e tyne ka ba të pakundershtueshem gjithmonë edhe mendimin e vetё “shqiptarëve”, flas për shqiptarët e “pashkollë”, jo per “dr.prof. e akademikët” me “shkolla të nalta partie e universitete”...
            Asht me u çuditë se ku i marrin të huejt ato fakte e dokumenta per né, kur shumë nga ngjarjet e shkrueme prej tyne, na nuk i kemi të dokumentueme as në “histori”.
            Si i di z. Bernd J. Fisher në Santa Barbara, Kaliforni të ShBA, këta fakte:
            “Në fund të vitit 1934, baronesha Janko, të cilen shtypi i huaj tani e trajtonte si një “Lupesku shqiptare”, u dergua në Vjenë, ku thuhej se Mbreti i kishte blerë një pallat të vogel që i kishte kushtuar atij rreth njëzet e gjashtë mijë (26.000) sterlina.” (fq. 269)
            “Ndihmësi personal kryesor i Zogut, A.Krosi, e perdori poziten e tij politike për të mbushur përherë e më tepër xhepat e tij tashmë të fryrë.”(fq. 173) (Theksimet janё tё FR)
            “Nisur nga fakti që në momentin e hyrjes së Zogut në Angli nuk u kryen veprime  të kontrollit financiar, çeshtja e sasisë së të hollave që solli Zogu nga Shqipëria u bë subjekt i një spekullimi të konsiderueshëm. Një studjues i pasluftës thotë se Zogu u largua nga Shqipëria me një qyp të madh me rubinë dhe smeraldë si dhe me një pjesë të rezervës së arit të Bankës së Shtetit, që kapte shumën prej 10 miljon dollarësh. Shqiptarët kundershtarë të Zogut që ndodheshin në Londer (përveç suitës së mbretit, në Angli kishte gjithsej gjashtë shqiptarë të tjerë), deklaronin se Zogu zotëronte një deri në kater miljon sterlina...Geraldina kujton se mbreti u largua nga Shqipëria me njëqind qese me monedha ari, të cilat i kishte marrë prej italianëve...Kjo sasi të hollash tërhoqi vëmendjen e Thesarit Britanik në shtator të vitit 1940, kur një prej njerëzve të Zogut, Sotir Martini, kërkoi të dinte nëse Foreign Office-i mund të krijonte mundësinë për transportimin në Kanada të shtatë arkave me parà. Me sa duket Mbreti kish filluar të shqetësohej për sigurimin e pasurisë së tij. Leja u refuzua dhe kjo masë ari nuk u trasportua kurrë, por duket se kjo shumë i ka krijuar disa shqetësime për disa kohë Thesarit Britanik... Qazim Kastrati, i cili, me sa duket i nxitur prej Mbretit, argumentonte se anglezët do të bënin një gabim të rëndë në rast se do të largonin Zogun... Kastrati nënvizonte se Zogu kishte mjaft kredi në pikëpamje të marrëdhënieve me qeverinë turke dhe vendet e botës islamike, si i vetmi mbret mysliman i një vendi europian...”(fq. 309).
            Njohja zyrtare britanike  e qeverisë së Hoxhës në nëntor të vitit 1945 e bindi Zogun për t’u larguar nga Anglia, dhe ai njoftoi menjëherë Ryan-in se mbreti Faruk i Egjiptit, i cili ishte me origjinë shqiptare, i kishte dhënë atij siguri të plotë se do të ishte i mirëpritur në Kajro. Zogu po kthehej rishtazi në boten e tij, pasi pavarësisht prej përpjekjeve të shumta për t’u identifikuar me Perëndimin e për t’u bërë monark perëndimorë, rrënjet e tij mbeteshin në Lindje.” (fq. 317).
           
            “Qytetari i mesëm shqiptar nuk ishte më pak i ndershëm se çdo qytetar tjetër ballkanas, por menjëherë sapo i ngarkohej  një post zyrtar, shumicës  së shqiptarëve të kohës së Zogut u dukej se ata ishin të veshur me këte pushtet me të drejtën për të vjedhur arken e shtetit. Sidoqoftë, duhet nënvizuar se të paktë ishin ata nëpunës që arrinin të kuptonin se me këtë veprim ata dëmtonin kryesisht Shqipërinë, pasi korrupsioni ishte një praktikë e pranuar gjërësisht. Ndërgjegjësimi social në Shqipëri ishte diçka tepër e rrallë” (fq. 173) – Ja pra, që në vitin 1925 qeveritarët njenimbastjetrit, tue fillue nga Ahmet Zogu, Enver Hoxha, Ramiz Alia dhe trashigimtarët e tyne mbas vitit 1991...vjedhin arken e shtetit shqiptar, jo pse nuk ngopen tue vjedhë, po kjo... “na qenka trashigimi”...
                                                                                                                                                   
            “Dhe populli vazhdoi të vuante nën zgjedhën e burokratëve të pakorrigjueshëm otomanë.” (fq. 319)
            Kështu shkruen në Kaliforni 28 vjet ma parë z. Bernd J. Fischer...
            Duhet shtue se populli nёn atё zgjedhё vazhdon edhe sot...
            Faleminderës i nderuem zotni Fischer!

            Melbourne, Prill 2012.

25 March 2012

AT MARTIN GJOKA Simfoni ® TRABOINI FILM

KADARE: "U BERE EDHE TI BILAL TE FLASESH..".



 

 

 

 

 

Debati mes dy shkrimtarëve, Kadare: U bëre dhe ti Bilal të flasësh!…

Shkrimtari kritikon Kadarenë për romanin “Dasma”, persekutohet nga regjimi komunist

Një ndër figurat më të shquara të letrave shqipe është Bilal Xhaferri. Ai njihet si një antikomunist, që ka dalë hapur kundër regjimit. Është një personazh shumë i rrallë dhe i veçantë për llojin e tij. Për këtë njeri është folur shumë pak në Shqipëri, por fama e tij është e njohur edhe përtej kufijve të Sipërisë. Për të folur për këtë figurë të shquar të letrave shqipe në studion e Nebil Çikës, në emisionin “Rrno për me tregue”, ka qenë i ftuar Shefki Hysa, kryetari i shoqatës “Bilal Xhaferri”, publicist dhe shkrimtar i njohur. Gjithashtu Namik Mane, shkrimtar, njeri i afërt me Bilal Xhaferrin.

- Normalisht nuk mjafton koha jonë për të folur për një figure si Bilal Xhaferri. Për ti dhënë opinionit publik atë çka përfaqëson ky njeri, kjo figurë e letrave shqipe, e popullit shiqtar. Vjen nga një familje e madhe, nga një familje nacionaliste jo vetëm në Çamëri, por dhe më gjer. Mund të na thoni diçka më tepër për këtë familje, si një qendër e lëvizjes kombëtare shqiptare?
Shefki Hysa – Dihet që Bila Xhaferri ishte nip i Hasan Tufinës. Një dijetar i shquar, me të cilin është krenuar jo vetëm Shqipëria, por dhe perandoria turke. Ka qenë rektori i parë i Universitetit të Stambollit. Familja e tij ka qenë një nga familjet më të persekutuara në kohën e komunizmit. Babai i Bilal Xhaferrit u pushkatua nga regjimi komunist. Ai ishte kundër qëndrimeve të forcave greke, kundër dhunës që ato ushtronin me në krye Napolin Zervën. Para vitit 1922 janë edhe pjesë si Çamëria, duke filluar me Konispolin, Markatin, pa u shtrirë deri në Krumovë, që u sulmuan nga forcat greke. Kjo është arsyeja pse ishte një familje kaq e madhe nacionaliste. Ndaj prej këtij qëndrim antishovinist grek partizanët grekë u kërkuan partizanëve shqiptar që të arrestonin babain e Bilal Xhaferrit dhe ta pushkatonin. Partizanët zbatuan këtë lloj urdhri të fshehtë dhe e dënuan pa gjyq. Kjo ka qenë një nga aktet më kriminale të komunistëve shqiptarë. I ati i Bilalit i ndihmonte trupat nacionaliste me ndihma monetare dhe me strehim. Madje, ai ka ndihmuar edhe njerëzit e varfër grekë që ishin në krahinat e Çamërisë. Fakti që ai ishte nacionalist e bënte atë kriminel nga komunistët.

- Zoti Mane, sa ndihej krenar Bilali për origjinën e tij. Ju keni qenë edhe mik i afërt i tij?
Namik Mane – Ai ndihej shumë krenar për këtë origjinë. Në të gjitha shkrimet e tij ai ka vënë emrin e babait të tij. Ai emrin e ka Bilal Hoxha dhe në shkrimet e tij vuri emrin Bilal Xhaferri.

- A dihej kjo në rrethet letrare ose në rrethet politike?
Namik Mane – Natyrisht që dihej origjina e tij. Unë di një rast. Dhimitër Fullani ka qenë zv.drejtor i ndërmarrjes botuese dhe i kanë thënë Bilalit për një vjershë. Për vjershën që flet për betejën e Torviollit, ku thuhet se një djalë pas betejës del dhe kërkon trupin e babit të tij. Ata i kanë thënë që mos të e shkruante këtë vjershë, pasi e dinin që ai fliste për varrin e babait të tij. Por as sot e kësaj dite nuk dihet se ku është trupi i babait të tij. Por ishte talenti i Bilalit që u bë një vesh shurdh dhe një sy qorr. Ai e ka ngritur në piedestal emrin e babait të tij.
- Përveç kësaj historie për babain dhe familjen e tij nga inserti që pamë pak më parë vumë re se ai ka pasur një jetë të vështirë. Që në moshë të vogël e futën në punë, i vunë pengesa për tu arsimuar…
Namik Mane – Bilali ngeli vetëm me gjyshin e tij të verbër. Ai ishte pa sy. Bashkë me gjyshin ai kishte edhe tri motra më të vogla. Në moshën 12-vjeçare ai shkon në Sarandë dhe punon si korrier. Ai bëri një shkollë njëvjeçare për gjeometër. Veprat e tij ai i ka shkruar nëpër vendet që ka punuar. Në një vjershë që ai ka shkruar në fermë thuhet “tërë verës prashita me shat, / tërë verës diellin e mbajta mbi kurriz”. Që në vjershat e para u dallua talenti i tij i madh për të shkruar poezi, megjithëse pati një jetë shumë të vështirë.
- Në dokumentet e partisë komuniste, në dokumentet e lidhjes së shkrimtarëve që unë kam gjetur, thuhet që ai ka pasur një jetë shumë të vështirë, që nuk e lanë të shkollohet. Sa ndikonte kjo në formimin e tij, në krijimtarinë e tij?
Namik Mane- Vështirësitë që u dalin talenteve, i japin ushqim. Ai shkruante me një formë tepër artistike. Atij i ngarkuan një herë të bënte një reportazh për klasën punëtore. Kur e bëri, ia dha Vath Koreshit që ta lexonte, pasi ai ia kishte lënë si detyrë. Ai ka qenë një nga reportazhet më të bukura të asaj kohe.

- Si u zbulua si talent Bilali? Është një pyetje për të dy ju zotërinj.
Namik Mane – Bilal Xhaferri shkruante shkrimet e tij dhe i çonte për botim nëpër gazeta dhe revista të kohës. Asnjë nuk e njihte atë personalisht për shkrimet që kishte shkruar. Kur iu botua romani “Rrugë dhe fate” në 1963, u bë i njohur talenti i tij për letrat. Gjithsesi, nuk duhet harruar që ai gjithë kohës ka qenë rrugëve. Nuk ka pasur një vend të caktuar që të qëndronte dhe ti përkushtohej talentit të tij. Kur ai erdhi në Durrës, punonte në Shijak. Në një mbledhje të shkrimtarëve në atë kohë vjen Dashnor Mamaqi dhe thotë se “në rrethin e Shijakut është një shkrimtar shumë më i talentuar se ju”. E kishte fjalën për Bilalin.

Shefki Hysa – Në strukturën e komunistëve ka pasur edhe njerëz shumë të mirë, që ishin të detyruar të qëndronin në ato struktura. Një ndër ta është edhe shkrimtari i talentuar Vath Koreshi. Ky ka qenë i pari person që ka botuar poezitë e Bilal Xhaferrit. Një nga kritikët tanë të kohës së komunizmit, Dalan Shapllo, ka ndikuar shumë për ngritjen e figurës së Bilal Xhaferrit. Por më së shumti ai u ngrit nga talenti i tij i madh për letërsinë. Krijimtarinë e tij filluan ta pëlqejnë menjëherë edhe njerëzit e komunizmit. Miti i Bilal Xhaferrit u krijua nëpërmjet djersës së tij. Ai shkonte nëpër redaksi shumë rrallë për të dërguar shkrimet e tij dhe njerëzit habiteshin me shkrimet e tij. Kur prezantohej me krerët e redaksive të asaj kohe, ata habiteshin. Thoshin “si ka mundësi që një njeri me kaq pak klasë shkollë të shkruaj kaq bukur”. U dukej një lloj absurdi dhe iu imponua që ata të pranonin krijimtarinë e tij. Gjithashtu Bilali iu shmang me shumë zgjuarsi censurës komuniste. Ai evokonte lavdinë e kohës së shkuar.
 

- Edhe në ato pak shkrime që i janë botuar Bilal Xhaferrit vihet re një lloj krijimtarie ndryshe nga shkrimet tjera të asaj kohe, nuk e kuptonin personat e censurës së komunizmit këtë ndryshim?
Shefki Hysa – Njerëzit e komunizmit e dinin shumë mirë origjinën e tij, por nuk i bënë asgjë. Kjo pasi ai i imponoi nëpërmjet talentit letrar që edhe ta pëlqenin krijimtarinë e tij. Gjithashtu ai nuk e kishte shfaqur disidencën e tij hapur. Nëpërmjet një kamuflazhi figurativ që ai përdorte në veprat e tij, nuk u dallua direkt disidenca e tij. Revokimi që u bënte figurave të lashtësisë, siç bëri me Skënderbeun, ishte e pranueshme edhe për komunizmin. Por ai e bëri në një formë tjetër, në një formë shumë më të pranueshme edhe për njerëzit e thjeshtë. Ai u thoshte njerëzve të thjeshtë se stërgjyshërit tani ishin shumë më ndryshe se komisarët komunistë.

- Shefki, kjo lloj dashamirësie ka zgjatur shumë pak. Rreth katër vjet. Mehmet Shehu i ka çuar një letër diktatorit Enver Hoxhës për Bilal Xhaferrin. Pra, siç shihet, me Bilal Xhaferrin janë marrë edhe majat më të larta të diktaturës, kryeministri dhe vetë diktatori. Në letër thuhet “biri i një çami që ne e kemi pushkatuar”. Duket një lloj cinizmi, sikur nuk kishte të bënte me një shqiptar. Duket si një racizëm. Sa ka ndikuar origjina çame në persekutimin e tij?
Letër nga Mehmet Shehu
Shoku Enver,
Më ranë në dorë këto dy materiale, të cilat po jua dërgoj që ti lexoni, po patët kohë.
1. Një “artikull” me titull “Luftëtarë artizanë të artit”, shkruar nga Qani Çollaku (i vëllai i Reshit Çollakut) dërguar redaksisë së “Zërit të popullit” për botim.
2. Një material “Diskutim mbi romanin “Dasma”, që është diskutimi i Bilal Xhaferrit në mbledhjen që u organizoi këto ditë Lidhja e Shkrimtarëve për të marrë në shqyrtim romanin e Ismail Kadaresë me titull “Dasma”.
“Artikulli” i Qani Çollakut është një sulm i egër, i shfrenuar dhe i hapët kundër vijës së Partisë në art e letërsi dhe kundër vetë Partisë. Qani Çollaku është armik i njohur i Partisë. Ka qenë mësues, është demaskuar e hequr nga puna si mësues në Berat, por tash na qenka prapë mësues në Pogradec! Thuhet se ka hedhur votën kundër Frontit në zgjedhjet e fundit. Mendoj që, duke përdorur këtë material, të mbledhim mësuesit e Pogradecit, ta demaskojmë gjer në fund dhe ta çojmë në gjyq (me dyer të mbyllura), sepse me këtë material i ha gjer 15 vjet burg, ose ta internojmë në fermën e Lushnjës, ku të punojë me kazmë. Është jashtëzakonisht i poshtër!
“Diskutimi” i Bilal Xhaferit është gjithashtu një sulm kundër Partisë, por i tërthortë – godet egër dhe në mënyrë të poshtër Ismail Kadarenë drejtpërdrejt dhe nëpërmjet tij godet rëndë dhe vijën e Partisë në art e letërsi. Ky “shkrimtar” është i biri i një çami, të cilin ne e kemi pushkatuar si kriminel lufte, ka bërë shkollë vetëm 7-vjeçaren a të mesmen, pastaj organet tona nuk e kanë lejuar të vazhdonte më tej studimet dhe tash punon si punëtor krahu në fermën e Sukthit. Ka talent si shkrimtar, ka studiuar vetë dhe gjuhë të huaja, shkruan shumë, i ka dërguar Lidhjes së Shkrimtarëve shumë shkrime, por nuk i janë botuar, si bir armiku dhe sepse shkrimet e tij kanë përmbajtje armiqësore. Më kanë thënë se i kanë botuar një roman dhe e kanë popullarizuar bile dhe me fletë volante në stadium në një lojë futbolli dhe se Dhimitër Shuteriqi e paska propozuar për tu futur në Lidhjen e Shkrimtarëve, ku u shqyrtua romani i Ismail Kadaresë. Është enigmë: ai dihej se ishte bir armiku dhe vetë me qëndrim të poshtër, por ja që mori pjesë në diskutim para qindra intelektualëve dhe foli kundër vijës së Partisë! Në atë mbledhje ndodhej edhe Thoma Deliana, Fadil Paçrami e të tjerë, dhe Fadili, Dhimitri e shumë të tjerë e goditën si provokator. Por fakti është që ai mundi të fliste. Kush e pruri në mbledhje? Nuk dihet! Dihet që dhe Qamil Buxheli “ka punuar” për shumë kohë në Sukth.
Është interesant se si Qani Çollaku, ashtu dhe Bilal Xhaferi, megjithëse njëri në Pogradec e tjetri në Sukth, në ato që shkruajnë të dy u referohen: Majakovskit, Kafkës dhe Heminguejit. Mejtoj që çështjen e Bilal Xhaferit ta çojmë gjer në fund për të gjetur dhe shokët e tij midis Lidhjes së Shkrimtarëve, pastaj ta demaskojmë si duhet po në atë mbledhje ku ka folur e ta internojmë.
më 8.4.1968
Mehmeti
- Kjo është një letër e shkruar nga Mehmet Shehu 36 vjet më parë kundër dy shkrimtarëve: njëri Qani Çollaku dhe tjetri Bilal Xhaferri, që kanë kritikuar rëndë veprën e Ismail Kadaresë “Dasma”. Letra i drejtohet Enver Hoxhës dhe në fund të saj kërkohet demaskimi dhe internimi i Bilal Xhaferrit.
Namik Mane – Një nga arsyet se pse ai u persekutua është origjina e tij çame. Goditja e parë që i erdhi atij ishte bllokimi i veprave për Çamërinë. Pas kësaj edhe redaksitë filluan të botojnë gjithnjë e më pak veprat e tij. Vetë “Balada çame” është një lloj rizgjimi i çështjes çame. Nuk është vetëm vepër poetike, por dhe historike.

Shefki Hysa – Poezia “Balada Çame” ishte një ndër kryeveprat e Bilalit. Me botimin e kësaj vepre ai zgjoi zilinë dhe censurën keqdashëse të regjimit komunist. E gjithë lufta që ai pati me komunistët filloi me botimin e librit “Lirishta e kuqe”. Ky libër kishte poezi shumë të mira, por nuk e kishin frymën e partisë komuniste. Është diçka tepër komike. Përpara se ti botohej libri, iu kërkua nga redaksia si parakusht që ti botohej një poezi për komunizmin, për Partinë. Në atë kohë Bilali e bëri një poezi dhe iu botua libri. Po kur shkoi në Komitetin Qendror, iu mohua e drejta për të qarkulluar librin. Kjo sepse, pasi botohej një libër, merrej leja që ai të qarkullonte nëpër biblioteka.

- Do të kalojmë në një çështje tjetër. Flasim për romanin “Dasma” të Ismail Kadaresë. Ky roman pati një kritik të fortë nga ana e Bilal Xhaferrit, kritikë profesionale. Por ky roman u kthye në fatkeqësi të Bilal Xhaferrit.
Namik Mane – Romani i Ismail Kadares bëri jehonë shumë të madhe në gazeta dhe radio. U tha se do të dilte një libër për klasën punëtore. Ishte bërë shumë propagandë për këtë libër. Unë me Bilalin e lexuam këtë roman, por ai pati guximin ti dilte kundër këtij romani.
- A diskutuat me Bilalin se çfarë do të thoshte ai për këtë vepër?
Namik Mane – Bilal Xhaferrit nuk i bënë ftesë. Ai ishte anëtar i lidhjes. Ai merr ftesën e një poeti të kohës dhe ikën e bën një diskutim të romanit. Kur u kthye, më tha se nuk kishte ndonjë gjë me Ismail Kadarenë personalisht, por vepra e tij ishte me të meta. Mbas Bilalit e kritikoi edhe një student veprën Kadaresë.
- Nga biseda që keni bërë me Bilalin, ju ka thënë se kush e sulmoi atë? Si u zhvillua ajo mbledhje?
Namik Mane – Unë nuk mund të them asgjë se çfarë ka ndodhur në mbledhjen e Lidhjes së Shkrimtarëve. Unë mund të flas për atë që ka ndodhur pas saj, pasi nuk kam qenë atje.
- Çfarë ju tha Bilali për mbledhjen, si e perceptoi ai atë?
Namik Mane – Ai prapë ishte shumë koshient për atë që kishte thënë. Më shumë keq i kishte ardhur kur i kishte folur keq dhe Ismalil Kadareja. “U bërë dhe ti Bilal të çohesh dhe të flasësh!” – i kishte thënë Kadareja. Ai nuk kishte asgjë personale me Ismailin, por me veprën e tij. Për faktin që kishte bërë shumë bujë ky libër, nuk u prit mirë nga organet e komunizmit kjo kritikë. Pas asaj mbledhjeje filluan ta kontrollojnë Bilalin në çdo hap që bënte. Nuk kaloi as një muaj dhe atë e sollën në Hamallaj, ku isha dhe unë.
Shefki Hysa – Bilali mbajti një qëndrim parimor. Bota e brendshme e tij nuk mund ta pranonte një vepër të tillë, ku gruaja shqiptare dilte pa dinjitet. Ndërsa Bilali kishte mendim tjetër për gruan shqiptare. Për atë gruaja shqiptare ishte shëmbëlltyrë e Norës së Kelmendit, e Teutës, mbretëreshës ilire. Të gjitha këto heroina shqiptare ishin pasqyrimi i gruas shqiptare për Bilalin. Pasqyrimi që i kishte bërë Ismail Kadareja nuk mund të pranohej kurrsesi nga Bilali.
- Një shkrimtar vlerësohet nga vepra e tij. Në këtë rast Bilali dhe kushdo tjetër gjykoi se kjo vepër e këtij shkrimtari ishte e dobët. Pra, vlerësohet ky guxim që pati Bilali për të folur kundër një ikone të realizmit socialist, siç thoshte edhe Mehmet Shehu te letra. Pra, siç e thotë Mehmet Shehu, “duke goditur Ismail Kadarenë ka goditur vijën e Partisë”. Si vazhdoi më vonë historia e Bilalit?
Namik Mane – Që mbas asaj dite Bilali merret dhe internohet. U bë një mbledhje e Lidhjes së Shkrimtarëve në Durrës dhe Rita Marko e kritikon ashpër Bilalin. Ai përjashtohet automatikisht nga Lidhja. Ai i tha se ishte një pseudoshkrimtar. Atëherë Bilali nxori shpatullën e tij dhe i tregoj shenjat që i ishin krijuar duke mbajtur shinat në kurriz. “Unë ditën mbaj shinat në kurriz dhe natën shkruaj. Si mund të jem një pseudoshkrimtar?” – i tha Bilali. I gjithë propozimi që ishte bërë në letrën e Mehemet Shehut u realizua në mbledhjen që u zhvillua në Durrës nga Rita Marko.
-Diskreditimi që iu bë në atë mbledhje u bë nga kjo kritikë apo iu gjet ndonjë material tjetër?
Namik Mane – Në atë mbledhje u ngrit Rita Marko dhe e kritikoj hapur Bilalin vetëm për veprën e Kadaresë. Madje, kritikoi edhe drejtorin e ndërmarrjes ku punonte Bilali, pasi e mbante mirë atë. Drejtori ishte një shkrimtar i ri dhe i pëlqenin shkrimet e Bilalit. Ishte një lexues i veprave të tij.
- A përndiqej nga Sigurimi i Shtetit gjatë kohës së internimit?
Namik Mane – Bilali punonte nëpër fusha duke prashitur rrushin. Atë e dënuan më 1000 lekë dhe i mbanin çdo muaj nga 100 lekë. Por në atë kohë një shumë e tillë parash ishte shumë e madhe. Këtë gjobë ia vunë me pretekstin se ai nuk kishte dorëzuar shtëpinë ku kishte banuar më parë. Kjo ishte një absurditet, pasi atë e internuan dhe nuk i lanë kohë që të bënte të tilla procedura.
- Mendoni se jeta e Bilalit ishte e rrezikuar seriozisht nga këta armiq që i kishin vënë pas? Ndonjë rrezik që e detyroi të arratisej jashtë vendit?
Namik Mana – Bilali e dinte shumë mirë që përndiqej nga Sigurimi i Shtetit. Të gjithë e dinin atë kohë se, kur të vihej Sigurimi nga pas, çdo gjë mund të ndodhte. Kur ishin të internuar në Hamallaj, Bilali takon një grua, që ishte mësuese në Sukth. Atë e kishte caktuar Sigurimi që të përgjonte Bilalin. Ajo i thotë vetë Bilalit se e kishin caktuar për ta përgjuar.
- Ishte ndonjë presion që i bënin apo ndonjë provokim?
Namik Mane – Ishte një provokim që i bënin Bilalit që të shikonin se çfarë qëndrimi do të mbante ai. Edhe arratisja e tij është kurdisur nga vetë ai dhe ne personat që kishte afër.
- Si është arratisur Bilal Xhaferri?
Namik Mane – Përpara se të arratisej, ai bëri një fejesë me një vajzë në Sarandë. Mbasi u fejua, erdhi në Durrës për të punuar. Punoi disa kohë dhe më pas iku me pretekstin se do të martohej me vajzën që ishte fejuar në Sarandë. Ai shkoi në degën e Durrësit që të merrte leje se do të martohej, pasi, kur internoheshe në atë kohë, nuk lejohej që të lëvizje nga vendi që ishe i internuar.
- Ju e dinit që Bilali do të arratisej?
Namik Mane – E dinim shumë mirë, madje ne kontribuuam në para që ai të arratisej jashtë vendit. Kishte njohur një person, që i kishte garantuar se do ta dërgonte në Greqi.
- Shefki, ju keni qenë në Konispol në kohën kur ai ka ikur në Greqi. Keni studiuar edhe jetën e Bilal Xhaferrit. Si është arratisur ai në atë kohë, kur kufijtë ishin të stërkontorlluar?
Shefqi Hysa – Ai ishte shumë i vendosur për tu larguar nga Shqipëria. Nuk mund të rrinte, pasi e dinte që do ta arrestonin. Ai sajon një fejesë. Madje mori pjesë edhe në një festë që u organizua në Sarandë dhe bëri të ditur se do të martohej. Të nesërmen, pasi mbaroi festa, iku në vendlindjen e tij. Shkoi në Janier, në kufi me Greqinë. Në këtë zonë kufiri ishte më pak i kontrolluar, pasi presupozohej se ishte një zonë besnike e Partisë dhe nuk do të largohej as një njeri. Bilali, duke qenë i zonës aty, e njihte mirë rrugën për tu arratisur. Kështu së bashku me kunatin u arratisën për në Greqi. Në kufi ai la një letër, e cila është gjetur edhe te dosja e tij. Në të thuhej se largohej nga Shqipëria pasi sistemi komunist ishte shumë i papranueshëm dhe diskriminues. Pasi kaloi kufirin, ai ndenji në Janinë për gjashtë muaj në kamp internimi.

- Shumë e dhimbshme kjo histori! Një çam që ikën në Greqinë e asaj kohe, disa vjet mbasi kishte ndodhur masakra e shovinizmit grek!
Shefki Hysa – Pikërisht këtu ndodh edhe tragjedia më e madhe e jetës së Bilal Xhaferrit. Kur largohet nga atdheu, merr një qëndrim tjetër. Po të shohësh ciklin e botimeve që ka shkruar në Janinë, shihet një hije trishtimi. Ai e dinte se, po të bëhej me dije nga forcat greke se cili ishte, do të përfundonte më keq se në Shqipëri. Ndaj ai shkon në zyrat e OKB-së në Greqi dhe kërkon që të largohet në SHBA. Për gjashtë muaj ai ikën dhe shkon në SHBA.

- Shefki, ju ishit një ndër organizatorët kryesorë për sjelljen e eshtrave të Bilal Xhaferrit në atdhe së bashku me presidentin e asaj kohe, Sali Berisha. Është një amanet i mbajtur i Bialit kthimi në atdhe. Si e kujtoni këtë ngjarje?
Shefki Hysa – Në radhë të parë është për tu falënderuar ish-presidenti Berisha dhe Pjetër Arbnori për kontributin që dhanë për kthimin e eshtrave në atdhe. Duke qenë një disident, ndihmoi jashtëzakonisht shumë për këtë përmbushje. Duke qenë anëtar i parlamentit, ai u përkushtua shumë për gjetjen e fondeve.
- Jemi në kohë demokracie. Figura e Bilal Xhaferrit duket e vakët në librat shkollorë dhe në medie. Mendoni se përplasja që pati me Ismail Kadarenë pengon në promovimin e tij si shkrimtar në letërsinë shqipe sot?
Namik Mane – Nuk besoj se është kjo. E para, Bilal Xhaferri është çam, por nuk i përket Çamërisë, po të gjithë Shqipërisë. Nuk mund të them se në çfarë pozicioni mund ta vesh atë.
- Për çarsye nuk e pranojnë sot Bilal Xhaferrin si shkrimtar të talentuar?
Shefki Hysa – Janë disa arsye. E para është se vazhdon trashëgimia komuniste e letërsisë. Janë disa ikona të komunizmit që e mbajnë veten e tyre në piedestale dhe nuk e lejojnë Bilalin që të ngrihet në piedestal. Në qoftë se do të bëjmë një krahasim të letërsisë së Bilal Xhaferrit me letërsinë ekzistuese, do të shohim se ndryshon si nata me ditën. Është shumë më e pasur letërsia e Bilal Xhaferrit. Është një letërsi tejet brilante, që shkon direkt e në zemër, që pëlqehet shumë nga lexuesi.

- Namik, në kontekstin historik a vazhdon ende persekutimi i Bilil Xhaferrit?
Namik Mane – Po. Në Kosovë vlerësohet shumë herë më tepër figura e Bilal Xhaferrit sesa në Shqipëri.
Shefki Hysa – Vazhdon pasi në letërsinë shqiptare ekziston vetëm një poezi të tij. Vetëm “Balada çame”, ekziston në tërë tekstet e letërsisë shqipe. Madje, as në orët letrare nuk përmendet figura e tij.

- Zoti Shefki, ju si kryetar i shoqatës a keni bërë ndonjë përpjekje për ta futur figurën e tij në tekstet e letërsisë shqipe?
Shefki Hysa – Disa herë zyrtarisht jemi marrë me Ministrinë e Kulturës dhe Arsimit për të futur disa shkrime të Bilal Xhaferrit në librat shkollorë. Na kanë dhënë një përgjigje pozitive, por është zvarritur shumë. Mund të them se kështu po ndodh me Kasem Trebeshinën, Pjetër Arbnorin etj.

Siç e ka thënë edhe vetë Bilali, ai është shkrimtari i njohur i të panjohurve.
Namik Mane – Bilali është një shkrimtar çam. Figura e tij po vlerësohet më shumë në Kosovë sesa në Shqipëri. Kjo për arsye se kanë pasur të njëjtin fat.

08 February 2012

NOLI, KONICA DHE WILSONI - nga Anton Çefa



NOLI, KONICA DHE WILSONI

Nga ANTON ÇEFA

“S’ ka dyshim se më gëzohet zemra kur mësoj për ndjenjat e bukura që ushqejnë kundrejt meje në Shqipëri . . . . Kujtoj se çdo takim me të tilla kombe na sqaron më së miri pikëpamjen tonë përmbi rastet dhe përgjegjësinë tonë kombëtare.” – Woodrow Wilson


“Wilsoni bëri më tepër se çdo njeri për indipendencën e Shqipërisë” – Fan Noli


“Gjithë shqiptarët duhet t’i ngrenë Wilsonit një monument të pavdekur
në zemrat e tyre.” – Faik Konica



Me hyrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Luftë, udhëheqësit e "Vatrës" erdhën në përfundimin se fitorja kaloi nga Forcat e Boshtit, tek të cilat kishin shpresuar deri atëherë në zgjidhjen e çështjes shqiptare, në anën e Forcave Aleate (Antantës). Në mënyrë të veçantë, atyre ua ngrohi zemrat qenia në krye të këtij shteti të madh e presidentit Woodrow Wilson që "predikonte me gjithë zellin e një profeti biblik nevojën për një kod moral në politikën ndërkombëtare" 1).
Wilsoni qe përpjekur me ngulm ta mbante vendin e tij jashtë konfliktit dhe të zbatonte planet e tij reformiste, por me provokimet e herëpashershme të Gjermanisë dhe, sidomos, kur ajo fundosi katër anije amerikane, ai i kërkoi Kongresit t'i shpallte luftë asaj. 2).
Në fjalimin e tij historik para Kongresit Amerikan, më 2 prill 1917, ai deklaroi se "lufta qe bërë e paevitueshme, në emër të ruajtjes së paqes dhe demokracisë në botë. . . Ne nuk kemi asnjë dëshirë për pushtim apo dominim . . . nuk është gjë e lehtë të udhëheqësh këtë popull të madh e paqedashës në luftë. . . . Por e drejta është më e çmueshme se paqja dhe ne duhet të luftojmë për ato gjëra që janë të shtrenjta për ne . . . . Sot ka ardhur dita që Amerika të derdhë gjakun për parimet të cilat i dhanë jetën, lumturinë dhe paqen që ajo ruan . . . . Zoti e ndihmoftë!"3).
Më 8 janar 1918, Wilsoni propozoi "14 Pikat" e tij të njohura si bazë të bisedimeve për paqen. "Si njëri nga katër udhëheqësit e Konferencës së Paqes, ai luftoi burrërisht për të kontrolluar lakminë e vendeve fituese dhe u përpoq për të vendosur drejtësi për të gjitha kombet." 4).
"14 Pikat", ndër të tjera, kërkonin që: politika e jashtme e një shoqërie demokratike të mbështetej në baza të shëndosha morale; zgjidhja e konflikteve të bëhej nëpërmjet marrëveshjeve të hapura, drejtësisë dhe vetëvendosjes së popujve; të kufizoheshin armatimet në maksimum dhe të përdoreshin ato thjesht për sigurimin e brendshëm; lundrimet e lira në detra të hapura.
Një nga arritjet më të mëdha në planin 14 Pikësh ishte formimi i Lidhjes së Kombeve. Në pikën e fundit të planit të Wilsonit për paqën, thuhej: "Një shoqatë e përgjithshme e kombeve duhet formuar . . . me qëllimin e sigurimit të garancive të ndërsjellta të pavarësisë politike dhe integritetit territorial të shteteve të mëdha e të vogla" 5).
Ai arriti t'i bindë shtetet fituese të pranojnë formimin e Lidhjes së Kombeve, të parën organizatë të madhe ndërkombëtare, tek e cila ai varte shpresën e një paqeje të qëndrueshme; por u zhgënjye thellësisht, kur, pasi u kthye në Amerikë, Senati - armik i tij - nuk e ratifikoi Traktatin.
Në këtë dokument përmendeshin zgjidhjet konkrete të shteteve të veçanta si Rusisë, Belgjikës, Francës, Italisë, Austro-Hungarisë, Turqisë, Polonisë. Në pikën 11 (po e japim të plotë në referencat) (6), flitej për shtetet e Ballkanit, por nuk përmendej Shqipëria.

* * *
"Deklaratat e Wilsonit rreth 'luftës për t'i dhënë fund luftës' dhe 'e drejta e vetëvendosjes së kombeve' u ngjalli shpresat popujve të shtypur për drejtësi në vendimet e bisedimeve për paqen. Vatra u bë një avokat militant i kauzës së aleatëve. Anëtarët e saj nënshkruan huat për luftën dhe I Përndritshmi Fan Noli vizitoi kampet ushtarake në Massachusetts, duke u mbajtur fjalime të zjarrta të rinjve guximtarë (është fjala për ushtarët shqiptaro-amerikanë, - sqarimi im, A. Ç)" 7).
Ja si shkruan Qerim Panariti: "Me hyrjen e Amerikës në luftë në Prill 1917, shpresat për çlirimin e Shqipërisë nga okupatorët u shtuan, po me zgjerimin e shpresave për shpëtimin e Shqipërisë, u zgjerua dhe aktiviteti i Nolit. Nolit tani s'i zinin këmbët dhe detyrat kishëtare s'mund t'i neglexhonte, Vatrën s'mund ta neverite. Personi i Nolit, oratori më i shënuar i racës Shqiptare n'Amerikë, u detyrua të bredhë nëpër kampet e rekrutimit ku ndodheshin djem Shqiptarë duke i këshilluar se hyrja e Amerikës në luftë do të shpëtonjë Shqipërinë dhe botën nga tirania militariste e autokrative monarqike të Evropës Qëndrale." 8).
Në përpjekje për të ruajtur pavarësinë e Shqipërisë, të mohuar nga Anglia, Franca, Italia, udhëheqësit e "Vatrës" i joshi kërkesa e Presidentit për vetëvendosjen e popujve dhe ndalimin e traktateve të fshehta.
Më 4 korrik 1918, në pelegrinazhin e organizuar nga presidenti Wilson në Mount Vernon, vendi historkik ku ësh të varrosur presidenti i Parë i Amerikës, George Washington, "Vatra" dërgoi Nolin, kryetarin e saj, për të përfaqësuar Shqipërinë. Në këtë mision, Nolit iu dha rasti të shtrojë shkurtazi problemin e Shqipërisë. Pas takimit që pati me Wilsonin, ai i dërgoi Komisionit Qëndror të "Vatrës" nga Washingtoni këtë mesazh: "Udhëtimi im këtu triumfoi. Fola dy herë me PresidentinWilson, i cili më dha shpresa të mëdha . . ." 9).
Takimin e tij me Wilsonin, Noli ka për ta kujtuar me admirim e mirënjohje të thellë e vlerësim të lartë në disa raste. Në Fjalimin e tij drejtuar ushtarëve amerikanë me prejardhje shqiptare në Camp Devens, më 8 shtator 1918, ndër të tjera, ai tha: "Ne i kemi sytë nga Amerika për mëkëmbjen e pavarësisë shqiptare. Duke gjykuar nga rrjedha e zhvillimit të ngjarjeve në fushën e betejës, tani nuk ka asnjë dyshim që kjo luftë do të përfundojë me fitoren e Amerikës, që do të jetë një triumf për demokracinë botërore dhe kushtet e palës do të diktohen brenda territorit gjerman nga një arbitër botëror, që e do drejtësinë, siç është presidenti Wilson." 10).
Po në këtë fjalim, duke bërë fjalë për takimin me Wilsonin, shkruan: "Kam patur nderin në një rast historik ta takoj këtë njeri të madh që tani është bërë orakulli i njerëzve të vuajtur. Ishte Dita e Pavarësisë, kur përfaqëusesit e të gjitha grupeve nacionale në Amerikë ishin ftuar nga presidenti Wilson për ta shoqëruar si miqtë e tij të huaj në jahtin Mayflover gjatë pelegrinazhit në Malin Vernon. Gjatë kthimit unë si lutës i përulur iu afrova dhe i thashë ta shpëtonte këtë racë heroike dhe të pashpresë, dhe t'i kthejë asaj bukën e jetës, lirinë. Dhe përgjigjja e tij fisnike ishte: 'Unë do të kem një zë (votë) në Kongresin e ardhshëm të Paqes dhe atë do ta përdor në favor të Shqipërisë". Dhe shton: "Unë nuk kam nevojë t'ua tregoj sa i fortë është ai zë dhe se çfarë vëmendje të respektueshme dhe të bindshme ka ai në gjithë botën, i shtyrë nga drejtësia dhe i përkrahur nga
miqtë e fuqishëm amerikanë, më të fuqishëmit që bota ka parë ndonjëherë." 11). Po në këtë Fjalim, duke folur për Wilsonin, thotë: "Wilsoni është i sigurt se do të fitojë e do të zërë vend në histori si Linkolni për humanizmin dhe si çlirimtar i të gjithë kombeve të mëdhenj dhe të vegjël. Kur do të shpallet paqja, Shqipëria do të rifitojë pavarësinë."
Në mbrojtje të çështjes shqiptare, Noli, udhëheqësit e tjerë të "Vatrës" dhe personalitete amerikane, miq të Shqipërisë, botuan, në këtë periudhë, shkrime në "Dielli" dhe në revistën "The Adriatic Review". Revista "Adriatic Review" u botua në Boston në gjuhën angleze, në vitet 1918-1919. Ajo i dërgohej zyrtarëve të lartë të qeverisë amerikane dhe personaliteteve tjera të shquara amerikane. 12). Në një nga numrat e kësaj reviste, u botua një memorandum, dërguar presidentit Wilson, më 27 nëntor 1918, në kohën kur Aleatët po planifikonin rishtas copëtimin e Shqipërisë. Memorandumi u firmos nga këta klerikë ortodoksë shqiptarë: At Fan S. Noli, At Naum Cere, At Marko Kondili, At Damiani, At Pando Sinica dhe At Vangjel Camçe, 13). Mbasi jepet një historik i shkurtër i copëtimit të Shqipërisë, etj., në këtë dokument thuhet: "Shqiptarët shpresonin që Amerika dhe Aleatët do ta ndihmonin me zemërgjerësi
Shqipërinë të rimëkëmbej, duke zgjidhur çështjen ballkanike në baza të forta, duke shpëtuar një racë të lashtë e mjaft premtuese nga zhdukja dhe skllavërimi, e duke i dhënë asaj vendin që i takon midis kombeve të qytetëruara të botës, vend për të cilin u zhvilluan betejat më të ashpra e më të gjata në shekuj."14). Stili i memorandumit është dëshmi e qartë e dorës së Nolit.
Noli dhe vatranët e konsideronin Wilsonin si të vetmin përkrahës në radhët e aleatëve fitues të luftës dhe kishin bindje të plotë që ai do ta mbronte Shqipërinë në Versajë. Edhe pse Wilsoni në "14 Pikat" nuk e kishte përmendur Shqipërinë, ata, vlerësonin frymën e propozimeve të Presidentit Amerikan, i cili në fund të Fjalës së tij, mbasi parashtroi planin për paqën botërore, pati theksuar: "Një parim evident përshkon gjithë programin që unë kam paraqitur. Është parimi i drejtësisë për të gjithë popujt e shtetet dhe e drejta e tyre për të jetuar në marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin, qofshin të fortë a të dobët" 15). Në shkrimin "Peshkop Noli dhe bashkësia shqiptare në SHBA", Peter R. Prifti ka shkruar: "I impresionuar thellë nga idealizmi i Wilsonit, Noli u bë një përkrahës i pasionuar i demokracisë wilsoniane. Drejtësia ndërkombëtare, vëllazërimi njerëzor, simpatia për të dobëtit,
paqja botërore qenë idealet dhe vlerat që Noli dhe shqiptarët e Amerikës i bënë të tyret dhe u përpoqën të jëtojnë në përputhje me to." 16).
Vlërësimi i lartë i Nolit për Wilsonin shkëlqen në mënyrë të veçantë në Panegjerikun që ai mbajti në Kuvendin Themeltar të Shqipërisë, më 11 shkurt 1924, me rastin e vdekjes së presidentit Wilson. 17). "Amerika dhe tërë bota vajtuan këto ditë vdekjen e Wodrov Wilsonit, të njëzetetetit President të Shteteve të Bashkuar. Pranë Amerikës merr pjesë në këtë zi edhe Shqipëria e cila qanë në fytyrën e amerikanit të madh, idealistin bujar dhe mbrojtësin e tij më të fortë." Mbasi vë në dukje të mirat ekonomike e politike që ka pasur Shqipëria prej shqiptarëve të mërguar atje dhe prej vetë shtetit amerikan, ai thotë: "Dhe kur themi Amerika, na kujtohet një emër, se të gjitha këto kanë ngjarë, kur nga Shtëpia e Bardhë e Washingtonit, administronte Shtetet e Bashkuara i shkëlqyeri dhe i shumëvuajturi President Wilson."
Spikat, në Fjalimin e Nolit, idealizmi i Wilson-it dhe i vetë Amerikës."Veç titullit 'Amerikan', Wilsoni ka për mirënjohjen tonë edhe një titull tjetër, atë të idealistit dhe të profetit të vëllazërimit ndërkombëtar dhe të paqes së përbotshme. Presidenti Wilson ishte idealist se ishte amerikan. Ata që kujtojnë se Ameriaka është vendi ku njerëzia kujdesen vetëm për të bërë dollarë, nuk e njohin Amerikën aspak. Fakti që një idealist si Wilsoni u zgjodh dy herë President, arrin për të provuar thezën tonë."
Më pas me penelata të shpejta, në këtë panegjerik, që është një nga perlat më të çmuara oratorike të Nolit dhe gjithë oratorisë shqiptare, ai na jep mjedisin familjar e shoqëror ku u rrit e u formësua karakteri i Presidentit: "Wilsoni u rrit në kishë, në një rrethim fetar me ungjillin në dorë, i predistinuar apostull i një ideali kristianik e njerëzor", dhe më poshtë: "në çdo gjest e në çdo fjalë çfaqej njeriu mistik i iluminuar, i dërguar prej Përendisë për një mision të shenjtë. Pranë një karakteri të çelniktë kishte mirësinë e Shën Françeskut."
Duke cituar nga Fjalimi i Nolit, është vështirë të nxjerrësh citate të shkëputura për të dhënë vlerësimin e tij për Presidentin, sepse të trazon tundimi për ta përfshirë tërë fjalimin. Një tundim disi i veçantë të shtyn të mendosh dhe të bësh paralelizma mes idealistit tonë të madh, Nolit, dhe idealistit të madh amerikan, Wilsonit (A nuk qe edhe Noli një "apostull i një ideali kristian e njerëzor" e po aq edhe kombëtar?) Ngjan se kur flet për Wilsonin, Noli mediton për veten e vet, që, si Presidenti Amerikan, "Fuqinë e qeverisë e kërkoi dhe e fitoi si një qëllim, jo si një mjet për apostullatën e tij."
Wilsoni u përpoq t'u detyrojë të dy palëve, fituesve dhe të mundurve, një paqe të drejtë të bazuar në idealet e tij, të përvijuar në "Katërmbëdhjetë Pikat", "Po në Versailles, thotë Noli, Wilsoni u ndodh si Danieli në shpellën e luanëve … Aleatët kujtonin se tërë programi idealistik i Wilsonit s'ishte veç një propagandë hipokrite për të gënjyer opinionin e përbotshëm". Dhe vazhdon, duke përgjithësuar fatin e idealistëve, gjithnjë sikur mediton per veten e tij: "Se kjo është tragjedia e të gjithë idealistëve, që bota kujtojnë se idealizma është vetëm një maskë për të fshehur qëllime egoistike dhe materialiste të pavjelura."
Drama e Wilsonit bëhët më e rëndë, kur kthehet në atdhe, sepse "dhe atë copkë të fitorjes që mundi të çkëputë nga thonjtë e luanëve të Versailles tani vendi i tij do t'ia rrëmbente nga duart … Senati Amerikan refuzoi të ratifikojë Paqen e Versailles, të kryesuar prej Paktit të Lidhjes së Kombeve . . . Dhe Evropa vazhdoi luftën nën maskën e paqes". "Partizanllëku i vërbër më shumë se çdo faktor tjetër e shkatërroi Lidhjen e Kombëve." 18), ka shkruar historiani amerikan Thomas A. Bailey, duke komentuar mosmiratimin e vendimeve të Versajës nga Senati.
Rishtas, por me detaje më të hollësishme, edhe në këtë Fjalim, ai rikujton takimin me Wilsonin në Washington, duke e cilësuar atë "kalorës të kohëve të kaluara në një kohë tragjike". "Atëherë iu afrova - dhe i bëra një apel në emër të kombit tonë fatzi, dhe përgjigjen e tij bujare e mbanj mend sikur po e dëgjonj sot … Dhe e mbajti fjalën. Në janar 1920, një erë zije dhe dëshpërimi kish rënë në të gjitha anët e vendit tonë, i cili qe si i vdekur në agoni. Projektet e copëtimit të Shqipërisë, redaktuar prej Aliatëve, ishin njohur dhe pritej vetëm një firmë që të bëhej fakt definiti. Firma që mungonte ishte ajo e Presidentit Wilson, firmë që nuk u vu në atë projekt aq të padrejtë. Presidenti Wilson, jo vetëm që nuk vuri firmën, po u përgjigj dhe me dy nota, në të cilat mpronte të drejtën e Shqipërisë së vogël për vetëqeverim, dy nota që janë dy nga xhevahirët më të ndritshëm të
karrierës së tij të shkëlqyer. Ato nota ndaluan copëtimin e Shqipërisë dhe na dhanë rasje të marrim frymë e të gatitim lirinë e Shqipërisë që gëzojmë sot. Që Prefekturat jugore nuk u invaduan para se të caktoheshin kufiret, kanë një shkak dhe shkaku është Presidenti Wilson."
Noli e rikujton Wilsonin, gjithashtu, në Gjenevë, kur Shqipëria, e përfaqësuar prej tij, u pranua në Lidhjen e Kombeve dhe pavarësia e vendit tonë u njoh zyrtarisht: "Ndjeva një lëmsh mallëngjimi në grykë dhe më rrotullonte në kokë një emër, që ka fituar mirënjohjen e gjithë zemrave shqiptare, emri i Presidentit Wilson."
Duke na dhënë me ngjyra të gjalla vdekjen e Presidentit Amerikan, Noli e vazhdon fjalimin me vlerësimet e panumërta për Wlsonin, duke e quajtur atë: "profeti bujar i paqes njerëzore, ati spiritual i Lidhjes së Kombeve, titani dhe kalorësi idealist". Dhe më poshtë: "Fara e idealit që mbolli do të rrojë e gjallë sa kohë ka zemra njerëzore në botë"; dhe më pas, duke iu drejtuar Kuvendit Themeltar në emër të tij dhe të shokëve të tij idealistë demokratë, Noli e tradhton veten kur thotë: "Lufta jonë s'ka qenë e kotë (është fjala këtu për luftën për demokraci gjatë viteve 1920-1923; shënimi im, A. Ç). Se atje ku ka varre si yti, atje ka jetë e ngjallje".
Sikurse idealistët e mëdhenj, ëndërrimtarë dhe fisnikë, në vizionet e të cilëve ravijëzohet profecia e një të ardhmeje më të ndritur, Noli e përfundon panegjerikun e tij për Wilsonin dhe Amerikën: "Amerika, ajo nënë bujare që i ka dhënë botës Wilsonin, ka për të lindur edhe të tjerë kalorës si ay, kalorës të cilët të kenë sqytin e tyre kryefjalën e Virgjilit: "Regere parvos, debellare superbas" (Të mbrosh të vegjëlit, të mposhtësh kryelartët), të cilët mprojnë të vegjëlit dhe përunjin kryelartët, kalorës të cilët të vazhdojnë dhe të mbarojnë veprën e paqes, e vëllazërimit, e mirëdashjes ndërkombëtare." Dhe vërtet, Amerika, në ditët më të vështira për kombin tonë, kur barabaria serbe e etur për gjak u përpoq të zhdukë nga faqja e dheut një pjësë të gjakut tonë, e lindi kalorësin e madh Bill Klinton që "të mbarojë veprën e paqes, të vëllazërimit e të mirëdashjes
ndërkombëtare". Dhe, po ashtu, ajo lindi George W. Bushin, i cili në vizitën më 10 qershor 2007, në Tiranë, deklaroi qëndrimin amerikan: "Kosova do të bëhët e pavarur." Dhe, në emër të Amerikës, e njohu Pvarësinë e saj të shpallur më 17 shkurt të këtij viti.


* * *

Po, nga ledhet e fortesës së "Vatrës" qe edhe një tjetër shqiptar i madh që falënderoi Amerikën dhe presidentin Wilson për të mirat që blatuan për vendin dhe popullin tonë dhe vlerësoi lart idealet e tyre. Ai qe Faik Konica. "Jemi bindur se çdo shqiptar di dhe kupton - shkroi ai - se ç'borç të madh i kemi Wilsonit. Në qoftë se ka ndonjë shqiptar që s'merr vesh se shpëtimi dhe liria e vendit (të) tij i detyrohet kryesisht Wilsonit, ai nuk është njeri dhe duhet të kemi mëshirë për verbësinë dhe errësirën që i ka mbuluar trutë". Dhe më poshtë: "Shqipëria ishte dënuar me vdekje, dënimi do të zbatohej doemos, asnjë rreze shprese s'ndritte gjëkundi. Po e papritura ngjau, dhe kjo e papritur erdhi nga qëndrimi i Woodrow Wilsonit . . . Ndërgjegja e drejtësisë njohu përsëri zërin e madh, dhe u drodh nga gëzimi; se Wilsoni duke mbrojtur Shqipërinë nuk e mbronte një popull të vetëm, por mbronte gjithë popujt,
e mbronte parimin" 19).
Kur vdiq presidenti Wilson, ai shkroi: "Gjithë shqiptarët duhet t'i ngrenë Wilsonit një monument të pavdekur në zemrat e tyre. Edhe po t'ish i vogël për të tjerët, Wilsoni duhet t'ish i madh për Shqipëtarët". 20).
Për ta përjetësuar emrin e këtij mbrojtësi të madh të atdheut tonë, Konica, në cilësinë e kryetarit të "Vatrës", i propozoi, me anën e një kabllogrami, Kuvendit Themeltar në Tiranë që emri i Presidentit Ameriakn të regjistrohet në toponiminë shqiptare. Ja telegrami i Konicës:
"Ju lutem të shtroni një proponim për kqyrjen mirëdashëse të deputetëve pa ndryshim partie: Me vdekjen e ish-presidentit Wilson u çduk mbrojtësi i popujve të vegjël dhe shpëtimtar' i Shqipërisë. Proponimi im është t'i jepet emëri Wilsonville ose Shën Gjergjit ose Sarandës. Juaji me respekt: (Nënshkruar) Faik Konitza.
Përgjigjja Konicës i erdhi më 11 gusht 1924: "Me vendim ministerial, Shën Gjini u pagëzua Wilson" (Nënshkruar) Noli. 21). Dihet që në periudhën e diktaturës komuniste u zhduk nga harta e Shqipërisë emni i këtij Presidenti të lavdishëm.
Konica nderoi Mikun e Madh të Shqipërisë, duke nderuar kështu veten, "Vatrën" dhe gjithë kombin tonë. Disa ditë pas vdekjes së Wilsonit, pikërisht më 12 mars 1924, ai i dërgoi zonjës së nderuar të ish-Presidentit, Edith Bollin Galt Wilson, një kurorë të bukur prej njëqind trëndafilash, 50 të kuqe e 50 të bardha, të lidhur me një kordelë me ngjyrat e flamurit të Shqipërisë, ku qe shkruar me dorë: From the Albanian Federation Vatra, Boston, Massachussets". 22). Veç kësaj, Konica i dërgoi zonjës së nderuar Wilson telegramin: "Jepmëni leje, Zonjë, të bëhem me respekt dragoman i hidhërimit të thellë e të kthiellët që ndjejnë Shqipëtarët, të cilët te personi i Presidentit të madh, burrit tuaj, kanë humbur mbrojtësin e të drejtave të tyre, një mik mirëdashës e të fuqishëm në orët më të zeza të rrezikut e të brengjeve." 23).
Mirënjohja e popullit tonë për presidentin ëWlson dhe Amerikën, falëlënderimi dhe nderimi gjetën pasqyrim edhe në një këngë popullore të thjeshtë e të bukur, "Këngë për Madhërinë e Tij Wilsonin". Për popullin tonë kënga është vlerësimi më i lartë, që ai i jep një njeriu për bëmat e tij të shquara, është një lapidar përjetësimi. Ja disa vargje të kësaj kënge:

Thërresim 'Rroftë Amerika'
Madhëri e Tij Wilsoni,
Me katërmbëdhjetë pika,
I thotë Evropës qëndroni!"

"Një profesori amerikan, të quajtur Elmer J. Jones, - shkruan Jup Kastrati në biografinë e tij për Konicën - i bie puna të vizitojë vendin tonë. Në fshatin ku kalon, dëgjon një këngë për Wilsonin. Ia përkthejnë dhe ky ia dërgon Presidentit amerikan. Atëherë ky i fundit shfaq mirënjohjen e vet me letrën që po riprodhojmë poshtë:

"Vashington D.C. 26th January 1922

I dashur z. Profesor Jones,
Ju falënderoj sinqerisht për letrën tuaj dhe për përmbajtjen e saj. S' ka dyshim se më gëzohet zemra kur mësoj për ndjenjat e bukura që ushqejnë kundrejt meje në Shqipëri. Duket se do të keni pasur një eksperiencë plot interes. Kujtoj se çdo takim me të tilla kombe ma sqaron më së miri pikëpamjen tonë përmbi rastet dhe përgjegjësitë tona kombëtare.

Me urime të përzemërta,

(Nënshkruar) Woodrow Wilson. 24).

Referenca dhe shënime

1). University of Knowlledge, "Great Leaders", Edited by Franklin J. Meine, Ph. B., M. A. and Harris Gaylord Warren, Ph. D., p. 379.
2). "The New Webster's International Encyclopedia", Edition published by Trident Press International, Fl., 1998, p. 1188
3). Albana Mëlyshi Lifshin, "Udhëtim në Historinë Amerikane", "Dita", Tiranë, 2003, f. 225).
4). "Great Leaders", p. 383.
5). Arthur S. Link "The Papers of Woodrow Wilson, vol. 45, 1984, p. 536.
6). Arthur S. Link. "14 Pikat", Pika XI - "Rumania, Serbia dhe Mali i Zi duhet të zbrazen (nga forcat e huaja ushtarake - shënimi im, A. Ç), t'u rikthehen territoret e tyre; Serbisë t'i jepet dalje e lirë dhe e sigurt në det, dhe marrëdhëniet e disa shteteve ballkanike me njëri-tjetrin të përcaktohen nga negociatat miqësore, në vijat kufitare të vendosura historikisht, dhe, gjithashtu, t'u jepen garancitë ndërkombëtare për pavarësi ekonomike e politike dhe integritet tokësor për disa shtete ballkanike sipas kombësisë."
7). The Albanian Struggle in the Old =orld and Ne+" - Compiled and +written by members of The Federal =riters' Project of The =orks Progress Administration of Massachusetts, The =riter, INC. publishers, Boston, 1939, p.58.
8). Qerim Panariti, Fan S. Noli, Albumi II", botuar në Boston, Massachusetts, 1966, f. 67
9). Idem, ibidem, f. 68.
10). Arthur S. Link, vepër e cituar.
10). 'Noli: 'Shqipëria i ka borxh Amerikës, përgatitur nga E. Alliu, gazeta "Illyria", dt. 31 janar-3 shkurt, 2003", f. 24.
11). Po aty.
12). Shih "The Albanian Struggle in the Old World . . .", p. 59-60.
13). Refat Xh. Gurrazezi: "Historia e Federatës 'Vatra", Shtëpia botuese Globus R., Tiranë, 2006, f. 93-94.
14). "Noli: "Shqipëria i ka borxh Amerikës", "Illyria", 31 janar -3 shkurt 2003.
15). Arthur S. Link "The Papers of Woodrow Wilson, vol. 45, 1984, 536.
16). Peter R. Prifti "Land of Albanians: A Crossroads of Pain and Pride", Tiranw, "Horizont", 2001, p. 229.
17). Fan S. Noli, "W Wilson", në"Portrete dhe skica", Mbledhur dhe përgatitur nga dr. Nasho Jorgaqi, Shtëpia Botuese Enciklopedike, Tiranë, 1995, f.123-129. Të gjitha citimet nga ky fjalim janë marrë nga ky botim.
18). Thomas A. Bailey "Woodroow Wilson and The Great Betrayal", Published 1963 by Quadrangle Paperback, p. 38. Për këtë problem, po në këtë vepër, f. 187, lexojmë: "Prokurori i përgjithshëm i Amerikës në kohën e Wilson-it, Thomas G. Gregory, ka thënë: "Lidhja u hodh poshtë në SHBA jo pse ajo qe Lidhja e Kombeve, por sepse ajo qe Lidhja e Wilson-it, dhe sepse udhëheqësi i madh qe rrëzuar dhe nuk kishte asnjë tjetër që mund ta përdorte shpatën e tij të fuqishme".
19). Muin Çami, "Jehona e vdekjes së Uodrou Uilsonit në mjedisin shqiptar", Studime historike, Tiranë 2004, f. 35.
20). Prof. Dr. Jup Kastrati, "Faik Konica" (monografi), Gjonlekaj Publishing, New York, f. 173.
21). Idem, f. 174-175.
22). Idem, ibidem.
23). Idem, ibidem.
24). Idem, ibidem.

04 February 2012

HAJDUTI I THESARIT AHMET ZOGU



Thesari i Ahmet Zogut, e vërteta e floririt që mbreti mori me vete pas arratisë


Ministria e Punëve të Brendshme kishte përhapur fjalë se Zogu kishte ndërmend të vishte opingat dhe ta organizonte qëndresën e shqiptarëve nga vendlindja e tij, Mati. Por kolonel Faik Quku shprehet: “Mbreti Zog nuk ishte ma nji djalë i ri malsor që jetonte në malet e Matit, me nji gjendje financiare modeste. Ai kishte zbritë në qytet, ishte ba mbret e diktator dhe shumë i pasun, gjana që ai nuk donte me i rrezikue. Tash ai ishte i preokupuem, kryesisht, për personin e tij, familjen dhe pasuninë.”(1)

Në të vërtetë, Ahmet Zogu ishte përgatitur me kohë për largimin e tij drejt Anglisë, pasi në “Lloyds Bank” të Londrës kishte depozituar miliona franga ari. Ish-konsulli i Barit, Vjenës e Londrës, Çatin Saraçi, dëshmon se transportuesi kryesor i parave të Zogut jashtë Shqipërisë kishte qenë tutori i tij, Lalë Krosi: “I pajisur me pasaportë diplomatike, laisser-passer dhe dokumente ekstra, tutori i moshuar i Zogut largohej nga vendi me kamionë të ngarkuar me valutë, i ndihmuar e i shoqëruar nga roja të armatosura për të mbërritur në destinacion shëndosh e mirë. Këto udhëtime kryheshin rregullisht kurdoherë që Zogu kishte hedhur nënshkrimin mbi ndonjë akt të ri tradhtie. Rruga më e rëndomtë ishte ajo nga Durrësi në Bari dhe prej andej drejt e në Gjenevë, në Zvicër. Në çastin që paratë ndodheshin të sigurta në një bankë të huaj, atëherë përcilleshin urdhra me shkrim për t’i transferuar paratë në një vend tjetër edhe më të sigurt se i pari – për rrjedhojë, pjesa më e madhe e këtyre parave gjendet në “Lloyds Bank” të Londrës. Unë vetë, me dorën time, kam shkruar një sërë urdhrash të kësaj natyre, si dhe i kam ardhur në ndihmë tutorit të moshuar, analfabet, për të mbërritur në kufi me Zvicrën. Sa herë që kryheshin transaksionet bankare të Zogut, ai kurrë nuk e zinte ngoje shumën; unë isha i detyruar ta lija bosh hapësirën e caktuar për të vendosur shumën e parave, e cila plotësohej prej tij, pak para se të postohej.” (2)

Dikur, në një bisedë intime që Zogu kishte bërë me senatorin Eqrem bej Vlora, ishte shprehur: “Ju, me siguri e dini fjalën e urtë turke që thotë: ‘Në Turqi ruaj kokën, në Rumani gruan dhe në Shqipëri pasurinë!’ Këtu nuk bëhet fjalë se çfarë duhet apo mundet të ndryshojë nesër; këtu lipsen siguruar sa më shpejt paratë që mund t’i humbësh shumë shpejt dhe pastaj të presësh se çfarë të sjell e ardhmja”. Dhe ai kishte plotësisht të drejtë me këtë parim, të cilin e ndoqi me këmbëngulje gjatë tërë kohës së qeverisjes së tij në Shqipëri. Kur ai u detyrua të ikte nga marshimi i trupave të Mussolinit (prill 1939), ai ishte Beu i vetëm që largohej nga vendi me bindjen disi ngushëlluese se po merrte me vete një thesar tingëllues prej 250.000 apo 300.000 stërlina ar dhe se armiqve u kishte lënë vetëm keqardhjen që nuk u kishte rënë në dorë as vetë, as paratë e tij.” (3)

Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kardell Hall (Cordell Hull), do ta pyeste ambasadorin e Mbretërisë Shqiptare në Uashington, Faik Konicën, sa ishte borxhi i Shqipërisë ndaj Italisë fashiste. Konica do t’i përgjigjej se borxhi kishte kapur shifrën e 30 milionë dollarëve amerikanë, të harxhuar kryesisht për ndërtimin e rrugëve strategjike në drejtim të Jugosllavisë. Për pyetjen e dytë të sekretarit Hall mbi qëllimet e pushtimit fashist italian të Shqipërisë, Konica do të shprehte mendimin se Italia fashiste, në bashkëpunim me Gjermaninë naziste, do ta përdorte Shqipërinë si pedanë për t’u hedhur në drejtim të Greqisë e Turqisë.(4)
Për më tej, biografi Jason Tomes shkruan: “Foreign Office zbuloi se mbreti kishte të paktën 50 mijë paund në monedha ari dhe 2 milion dollarë në Chase Manhatan Bank (SHBA), me përqindjet e të cilave ai mund të shpenzonte deri në 12 mijë paund në vit... Zogistët thonin se ishin siguruar nga shitja e pyjeve në Mat. Praktikisht të gjithë të tjerët, përfshi këtu edhe zyrtarët e tjerë zogistë, dyshonin për këtë, pasi dihej se ai kishte marrë ryshfete italiane, duke futur në xhep përqindje të tëra parash.... Kufijtë e vetpasurimit të tij ndaleshin vetëm përpara pengesave të rastit. Gjatë qeverisjes së tij 14-vjeçare, të ardhurat buxhetore llogariteshin rreth 1-2 milion paund në vit, ndërsa kreditë italiane në përgjithësi kishin qenë 8 milion paund.” (5)

Mbreti Zog nuk u mjaftua me milionat e depozituar me kohë në bankat e huaja, por mori edhe shufrat e fundit të arit që gjeti në thesarin e shtetit. Sipas një relacioni të hartuar më 6 qershor 1939 nga drejtori i Thesarit, Kel Naraçi, në pasditen e datës 6 prill 1939, me linjë telefonike, ai ishte urdhëruar nga kryeministri Kostaq Kotta që t’i jepte togerit të gardës së mbretit Selim Gjoçi të gjithë sasinë e floririt që gjendej në kasafortën e Thesarit. Shufrat dhe kallëpet e floririt që togeri Selim Gjoçi, mori në Thesarin e degës së Bankës Kombëtare të Shqipërisë në Tiranë, gjendeshin në “Llogarinë relative të pafrytshme metal-ar në roje”, e çelur në datën 23 tetor 1937, për llogari të Oborrit Mbretëror.(6)

Deri më datën 6 shkurt 1939, në këtë llogari ishin futur herë pas here shufra floriri me vlerën e 643 535 fr. ari, e barabartë me 209 kg. ar, të përfituara në doganat e vendit nga kursi i këmbimit të floririt me kartëmonedhat. Nga shuma e përgjithshme kishin dalë 200 mijë franga ari që ishin shpenzuar për ceremoninë e martesës së Mbretit Zog dhe kremtimet e 10-vjetorit të Shpalljes së Monarkisë. Kështu, në kasafortën e thesarit gjëndeshin 183 kg. flori, sasi e barabartë me 566.975 fr. ari dhe e gjithë shuma iu dorëzua pa ndonjë dokument Mbretit Zog në shtëpinë e kryeministrit Koço Kotta. (7)

Në lidhje me arkat e mbushura me florinjtë e thesarit të Mbretërisë së falimentuar Shqiptare, kolonel Faik Quku rrëfen se Zogu “kishte me vedi nji kamion me 18 arka flori, ministrat dhe nji numër të madh oficerash. Në këtë udhtim shoqnohej prej gardës së tij, deri në Qafë Kërrabë, kufini në mes Tiranës dhe Elbasanit. Përtej Elbasanit u shoqnue vetëm prej 200 gardistëve. Gjithë kolona përbahej prej 45 makinave, të udhëhequn prej disa kamionave me ushtarë të gardës. Familjen bashkë me dy motrat, mbreti i kishte nisë nji ditë ma parë për në Greqi. Më 7 prill në mbrëmje kishin mbërritë në Follorinë. Mbreti kishte mendue me kalue natën në Korçë, ku kishte dërgue për me studiue gjendjen. Ky e lajmon se masat ishin të eksitueme dhe, bile, ai vetë mezi kishte shpëtue. Prandaj si vend ishte i rre-zikshëm për banim e kalim. Për këtë arsye, Mbreti e kalon natën në Zemblak, nji fshat afër qytetit të Korçës, në shtëpi të agallarëve.Të nesërmen, më 8 prill, paradreke, tue kalue në mes të britmave Juha! Turp! dhe pështymave të popullit të Bilishtit, qi ishin gru-mbullue në të dy anët e rrugës, kolona mbretnore mbërrini në Kapshticë, në kufinin grek...” (8)

Historiani austriak Hurbert Neuwirth shkruan: “Zogu”, mbreti Zog, i shfuqizuar, u largua nga foleja e tij shqiptare me 50 mijë dollar ar. Dy milion dollarë të tjerë i kishte depozituar që më parë në “Chase National Bank. Si përfundim, siç shkruan edhe biografi Jason Tomes: Ai udhëtonte gjithnjë me nëntë a dhjetë kasaforta jashtëzakonisht të rënda e të mëdha, të cilat mbaheshin në ruajtje të vazhdueshme. Ato përmbanin shufra ari të cilat u bënë legjendë në shtypin e kohës, aq sa asnjëherë Zogu nuk përmendej, veç për valixhet misteri-oze, të cilat thuhej se përmbanin thesarë të mëdhenj, duke përfshirë edhe gurët e çmuar të kurorës mbretërore, që vlenin më tepër se 1 milion paund. Raportet e llogarive të bankave franceze e zvicerane përforcuan dyshimet e përhapura se ai ishte një milioner në stërlina. Disa madje e llogarisnin pasurinë e tij nga 4 deri në 6 milion paund. Komenti i tij: “Unë do të doja të isha aq i pasur sa kritikët e mi thonë që jam”. Mbreti Zog pranoi se kishte marrë 36 mijë paund nga fondi publik i thesarit shqiptar më 1939, duke u justifikuar: “Më mirë që i mora unë sesa t’i lija në dorë të Musolinit...” (9)
HAZIS GJERGJI - Gazeta Shqiptare

__________________

Referencat

(1)(F. Quku, Qëndresa shqiptare..., vëll. I, f. 90).

(2) (Ç. Saraçi, Zogu i shqiptarëve, vep. e përm., f. 60–61).

(3) (Eqrem bej Vlora, Kujtime... 1885-1925, Tiranë, Shtepia e Librit dhe komunikimit, f. 548).

(4) (Haris Silajxhiq, Shqipëria dhe SHBA në arkivat e Uashingtonit, Tiranë: Dituria, 1999, f. 215).
(5) (J. Tomes, King Zog of Albania..., f. 241–242)

(6)(AQSH. Fondi Ministria e Financave, vitit 1939, dosja 364: relacioni i K. Naraçit për ministrin e Financave, Fejzi Alizoti, nr. 73/1 res, 6 qershor 1939).

(7)(Iljaz Fishta, Ndërhyrja e kapitalit të huaj... (1936–1939), Tiranë, 1989, f. 119; Kastriot Dervishi, Historia e shtetit shqiptar, 1912-2005, vëll. I, Tiranë, Botimet 55, f. 408–409).

(8)( F. Quku, Qëndresa shqiptare..., vëll. I, f. 110).

(9)(Hurbert Neuwirth, Qëndresë dhe bashkëpunim në Shqipëri (1939–1944), përkthyer nga Afrim Koçi, Tiranë: Instituti i Dialogut dhe Komunikimit, 2006, f. 15 (A-4, 23.6.1939, Bernard Tönnes, Sonderfall Albanien, München, 1980. f. 427); J. Tomes, King Zog of Albania..., p. 241 (“News Review”, 12 mars 1942; “Daily Sketch”, 17 mars 1942; “The Times”, 28 maj 1943);