25 March 2012

KADARE: "U BERE EDHE TI BILAL TE FLASESH..".



 

 

 

 

 

Debati mes dy shkrimtarëve, Kadare: U bëre dhe ti Bilal të flasësh!…

Shkrimtari kritikon Kadarenë për romanin “Dasma”, persekutohet nga regjimi komunist

Një ndër figurat më të shquara të letrave shqipe është Bilal Xhaferri. Ai njihet si një antikomunist, që ka dalë hapur kundër regjimit. Është një personazh shumë i rrallë dhe i veçantë për llojin e tij. Për këtë njeri është folur shumë pak në Shqipëri, por fama e tij është e njohur edhe përtej kufijve të Sipërisë. Për të folur për këtë figurë të shquar të letrave shqipe në studion e Nebil Çikës, në emisionin “Rrno për me tregue”, ka qenë i ftuar Shefki Hysa, kryetari i shoqatës “Bilal Xhaferri”, publicist dhe shkrimtar i njohur. Gjithashtu Namik Mane, shkrimtar, njeri i afërt me Bilal Xhaferrin.

- Normalisht nuk mjafton koha jonë për të folur për një figure si Bilal Xhaferri. Për ti dhënë opinionit publik atë çka përfaqëson ky njeri, kjo figurë e letrave shqipe, e popullit shiqtar. Vjen nga një familje e madhe, nga një familje nacionaliste jo vetëm në Çamëri, por dhe më gjer. Mund të na thoni diçka më tepër për këtë familje, si një qendër e lëvizjes kombëtare shqiptare?
Shefki Hysa – Dihet që Bila Xhaferri ishte nip i Hasan Tufinës. Një dijetar i shquar, me të cilin është krenuar jo vetëm Shqipëria, por dhe perandoria turke. Ka qenë rektori i parë i Universitetit të Stambollit. Familja e tij ka qenë një nga familjet më të persekutuara në kohën e komunizmit. Babai i Bilal Xhaferrit u pushkatua nga regjimi komunist. Ai ishte kundër qëndrimeve të forcave greke, kundër dhunës që ato ushtronin me në krye Napolin Zervën. Para vitit 1922 janë edhe pjesë si Çamëria, duke filluar me Konispolin, Markatin, pa u shtrirë deri në Krumovë, që u sulmuan nga forcat greke. Kjo është arsyeja pse ishte një familje kaq e madhe nacionaliste. Ndaj prej këtij qëndrim antishovinist grek partizanët grekë u kërkuan partizanëve shqiptar që të arrestonin babain e Bilal Xhaferrit dhe ta pushkatonin. Partizanët zbatuan këtë lloj urdhri të fshehtë dhe e dënuan pa gjyq. Kjo ka qenë një nga aktet më kriminale të komunistëve shqiptarë. I ati i Bilalit i ndihmonte trupat nacionaliste me ndihma monetare dhe me strehim. Madje, ai ka ndihmuar edhe njerëzit e varfër grekë që ishin në krahinat e Çamërisë. Fakti që ai ishte nacionalist e bënte atë kriminel nga komunistët.

- Zoti Mane, sa ndihej krenar Bilali për origjinën e tij. Ju keni qenë edhe mik i afërt i tij?
Namik Mane – Ai ndihej shumë krenar për këtë origjinë. Në të gjitha shkrimet e tij ai ka vënë emrin e babait të tij. Ai emrin e ka Bilal Hoxha dhe në shkrimet e tij vuri emrin Bilal Xhaferri.

- A dihej kjo në rrethet letrare ose në rrethet politike?
Namik Mane – Natyrisht që dihej origjina e tij. Unë di një rast. Dhimitër Fullani ka qenë zv.drejtor i ndërmarrjes botuese dhe i kanë thënë Bilalit për një vjershë. Për vjershën që flet për betejën e Torviollit, ku thuhet se një djalë pas betejës del dhe kërkon trupin e babit të tij. Ata i kanë thënë që mos të e shkruante këtë vjershë, pasi e dinin që ai fliste për varrin e babait të tij. Por as sot e kësaj dite nuk dihet se ku është trupi i babait të tij. Por ishte talenti i Bilalit që u bë një vesh shurdh dhe një sy qorr. Ai e ka ngritur në piedestal emrin e babait të tij.
- Përveç kësaj historie për babain dhe familjen e tij nga inserti që pamë pak më parë vumë re se ai ka pasur një jetë të vështirë. Që në moshë të vogël e futën në punë, i vunë pengesa për tu arsimuar…
Namik Mane – Bilali ngeli vetëm me gjyshin e tij të verbër. Ai ishte pa sy. Bashkë me gjyshin ai kishte edhe tri motra më të vogla. Në moshën 12-vjeçare ai shkon në Sarandë dhe punon si korrier. Ai bëri një shkollë njëvjeçare për gjeometër. Veprat e tij ai i ka shkruar nëpër vendet që ka punuar. Në një vjershë që ai ka shkruar në fermë thuhet “tërë verës prashita me shat, / tërë verës diellin e mbajta mbi kurriz”. Që në vjershat e para u dallua talenti i tij i madh për të shkruar poezi, megjithëse pati një jetë shumë të vështirë.
- Në dokumentet e partisë komuniste, në dokumentet e lidhjes së shkrimtarëve që unë kam gjetur, thuhet që ai ka pasur një jetë shumë të vështirë, që nuk e lanë të shkollohet. Sa ndikonte kjo në formimin e tij, në krijimtarinë e tij?
Namik Mane- Vështirësitë që u dalin talenteve, i japin ushqim. Ai shkruante me një formë tepër artistike. Atij i ngarkuan një herë të bënte një reportazh për klasën punëtore. Kur e bëri, ia dha Vath Koreshit që ta lexonte, pasi ai ia kishte lënë si detyrë. Ai ka qenë një nga reportazhet më të bukura të asaj kohe.

- Si u zbulua si talent Bilali? Është një pyetje për të dy ju zotërinj.
Namik Mane – Bilal Xhaferri shkruante shkrimet e tij dhe i çonte për botim nëpër gazeta dhe revista të kohës. Asnjë nuk e njihte atë personalisht për shkrimet që kishte shkruar. Kur iu botua romani “Rrugë dhe fate” në 1963, u bë i njohur talenti i tij për letrat. Gjithsesi, nuk duhet harruar që ai gjithë kohës ka qenë rrugëve. Nuk ka pasur një vend të caktuar që të qëndronte dhe ti përkushtohej talentit të tij. Kur ai erdhi në Durrës, punonte në Shijak. Në një mbledhje të shkrimtarëve në atë kohë vjen Dashnor Mamaqi dhe thotë se “në rrethin e Shijakut është një shkrimtar shumë më i talentuar se ju”. E kishte fjalën për Bilalin.

Shefki Hysa – Në strukturën e komunistëve ka pasur edhe njerëz shumë të mirë, që ishin të detyruar të qëndronin në ato struktura. Një ndër ta është edhe shkrimtari i talentuar Vath Koreshi. Ky ka qenë i pari person që ka botuar poezitë e Bilal Xhaferrit. Një nga kritikët tanë të kohës së komunizmit, Dalan Shapllo, ka ndikuar shumë për ngritjen e figurës së Bilal Xhaferrit. Por më së shumti ai u ngrit nga talenti i tij i madh për letërsinë. Krijimtarinë e tij filluan ta pëlqejnë menjëherë edhe njerëzit e komunizmit. Miti i Bilal Xhaferrit u krijua nëpërmjet djersës së tij. Ai shkonte nëpër redaksi shumë rrallë për të dërguar shkrimet e tij dhe njerëzit habiteshin me shkrimet e tij. Kur prezantohej me krerët e redaksive të asaj kohe, ata habiteshin. Thoshin “si ka mundësi që një njeri me kaq pak klasë shkollë të shkruaj kaq bukur”. U dukej një lloj absurdi dhe iu imponua që ata të pranonin krijimtarinë e tij. Gjithashtu Bilali iu shmang me shumë zgjuarsi censurës komuniste. Ai evokonte lavdinë e kohës së shkuar.
 

- Edhe në ato pak shkrime që i janë botuar Bilal Xhaferrit vihet re një lloj krijimtarie ndryshe nga shkrimet tjera të asaj kohe, nuk e kuptonin personat e censurës së komunizmit këtë ndryshim?
Shefki Hysa – Njerëzit e komunizmit e dinin shumë mirë origjinën e tij, por nuk i bënë asgjë. Kjo pasi ai i imponoi nëpërmjet talentit letrar që edhe ta pëlqenin krijimtarinë e tij. Gjithashtu ai nuk e kishte shfaqur disidencën e tij hapur. Nëpërmjet një kamuflazhi figurativ që ai përdorte në veprat e tij, nuk u dallua direkt disidenca e tij. Revokimi që u bënte figurave të lashtësisë, siç bëri me Skënderbeun, ishte e pranueshme edhe për komunizmin. Por ai e bëri në një formë tjetër, në një formë shumë më të pranueshme edhe për njerëzit e thjeshtë. Ai u thoshte njerëzve të thjeshtë se stërgjyshërit tani ishin shumë më ndryshe se komisarët komunistë.

- Shefki, kjo lloj dashamirësie ka zgjatur shumë pak. Rreth katër vjet. Mehmet Shehu i ka çuar një letër diktatorit Enver Hoxhës për Bilal Xhaferrin. Pra, siç shihet, me Bilal Xhaferrin janë marrë edhe majat më të larta të diktaturës, kryeministri dhe vetë diktatori. Në letër thuhet “biri i një çami që ne e kemi pushkatuar”. Duket një lloj cinizmi, sikur nuk kishte të bënte me një shqiptar. Duket si një racizëm. Sa ka ndikuar origjina çame në persekutimin e tij?
Letër nga Mehmet Shehu
Shoku Enver,
Më ranë në dorë këto dy materiale, të cilat po jua dërgoj që ti lexoni, po patët kohë.
1. Një “artikull” me titull “Luftëtarë artizanë të artit”, shkruar nga Qani Çollaku (i vëllai i Reshit Çollakut) dërguar redaksisë së “Zërit të popullit” për botim.
2. Një material “Diskutim mbi romanin “Dasma”, që është diskutimi i Bilal Xhaferrit në mbledhjen që u organizoi këto ditë Lidhja e Shkrimtarëve për të marrë në shqyrtim romanin e Ismail Kadaresë me titull “Dasma”.
“Artikulli” i Qani Çollakut është një sulm i egër, i shfrenuar dhe i hapët kundër vijës së Partisë në art e letërsi dhe kundër vetë Partisë. Qani Çollaku është armik i njohur i Partisë. Ka qenë mësues, është demaskuar e hequr nga puna si mësues në Berat, por tash na qenka prapë mësues në Pogradec! Thuhet se ka hedhur votën kundër Frontit në zgjedhjet e fundit. Mendoj që, duke përdorur këtë material, të mbledhim mësuesit e Pogradecit, ta demaskojmë gjer në fund dhe ta çojmë në gjyq (me dyer të mbyllura), sepse me këtë material i ha gjer 15 vjet burg, ose ta internojmë në fermën e Lushnjës, ku të punojë me kazmë. Është jashtëzakonisht i poshtër!
“Diskutimi” i Bilal Xhaferit është gjithashtu një sulm kundër Partisë, por i tërthortë – godet egër dhe në mënyrë të poshtër Ismail Kadarenë drejtpërdrejt dhe nëpërmjet tij godet rëndë dhe vijën e Partisë në art e letërsi. Ky “shkrimtar” është i biri i një çami, të cilin ne e kemi pushkatuar si kriminel lufte, ka bërë shkollë vetëm 7-vjeçaren a të mesmen, pastaj organet tona nuk e kanë lejuar të vazhdonte më tej studimet dhe tash punon si punëtor krahu në fermën e Sukthit. Ka talent si shkrimtar, ka studiuar vetë dhe gjuhë të huaja, shkruan shumë, i ka dërguar Lidhjes së Shkrimtarëve shumë shkrime, por nuk i janë botuar, si bir armiku dhe sepse shkrimet e tij kanë përmbajtje armiqësore. Më kanë thënë se i kanë botuar një roman dhe e kanë popullarizuar bile dhe me fletë volante në stadium në një lojë futbolli dhe se Dhimitër Shuteriqi e paska propozuar për tu futur në Lidhjen e Shkrimtarëve, ku u shqyrtua romani i Ismail Kadaresë. Është enigmë: ai dihej se ishte bir armiku dhe vetë me qëndrim të poshtër, por ja që mori pjesë në diskutim para qindra intelektualëve dhe foli kundër vijës së Partisë! Në atë mbledhje ndodhej edhe Thoma Deliana, Fadil Paçrami e të tjerë, dhe Fadili, Dhimitri e shumë të tjerë e goditën si provokator. Por fakti është që ai mundi të fliste. Kush e pruri në mbledhje? Nuk dihet! Dihet që dhe Qamil Buxheli “ka punuar” për shumë kohë në Sukth.
Është interesant se si Qani Çollaku, ashtu dhe Bilal Xhaferi, megjithëse njëri në Pogradec e tjetri në Sukth, në ato që shkruajnë të dy u referohen: Majakovskit, Kafkës dhe Heminguejit. Mejtoj që çështjen e Bilal Xhaferit ta çojmë gjer në fund për të gjetur dhe shokët e tij midis Lidhjes së Shkrimtarëve, pastaj ta demaskojmë si duhet po në atë mbledhje ku ka folur e ta internojmë.
më 8.4.1968
Mehmeti
- Kjo është një letër e shkruar nga Mehmet Shehu 36 vjet më parë kundër dy shkrimtarëve: njëri Qani Çollaku dhe tjetri Bilal Xhaferri, që kanë kritikuar rëndë veprën e Ismail Kadaresë “Dasma”. Letra i drejtohet Enver Hoxhës dhe në fund të saj kërkohet demaskimi dhe internimi i Bilal Xhaferrit.
Namik Mane – Një nga arsyet se pse ai u persekutua është origjina e tij çame. Goditja e parë që i erdhi atij ishte bllokimi i veprave për Çamërinë. Pas kësaj edhe redaksitë filluan të botojnë gjithnjë e më pak veprat e tij. Vetë “Balada çame” është një lloj rizgjimi i çështjes çame. Nuk është vetëm vepër poetike, por dhe historike.

Shefki Hysa – Poezia “Balada Çame” ishte një ndër kryeveprat e Bilalit. Me botimin e kësaj vepre ai zgjoi zilinë dhe censurën keqdashëse të regjimit komunist. E gjithë lufta që ai pati me komunistët filloi me botimin e librit “Lirishta e kuqe”. Ky libër kishte poezi shumë të mira, por nuk e kishin frymën e partisë komuniste. Është diçka tepër komike. Përpara se ti botohej libri, iu kërkua nga redaksia si parakusht që ti botohej një poezi për komunizmin, për Partinë. Në atë kohë Bilali e bëri një poezi dhe iu botua libri. Po kur shkoi në Komitetin Qendror, iu mohua e drejta për të qarkulluar librin. Kjo sepse, pasi botohej një libër, merrej leja që ai të qarkullonte nëpër biblioteka.

- Do të kalojmë në një çështje tjetër. Flasim për romanin “Dasma” të Ismail Kadaresë. Ky roman pati një kritik të fortë nga ana e Bilal Xhaferrit, kritikë profesionale. Por ky roman u kthye në fatkeqësi të Bilal Xhaferrit.
Namik Mane – Romani i Ismail Kadares bëri jehonë shumë të madhe në gazeta dhe radio. U tha se do të dilte një libër për klasën punëtore. Ishte bërë shumë propagandë për këtë libër. Unë me Bilalin e lexuam këtë roman, por ai pati guximin ti dilte kundër këtij romani.
- A diskutuat me Bilalin se çfarë do të thoshte ai për këtë vepër?
Namik Mane – Bilal Xhaferrit nuk i bënë ftesë. Ai ishte anëtar i lidhjes. Ai merr ftesën e një poeti të kohës dhe ikën e bën një diskutim të romanit. Kur u kthye, më tha se nuk kishte ndonjë gjë me Ismail Kadarenë personalisht, por vepra e tij ishte me të meta. Mbas Bilalit e kritikoi edhe një student veprën Kadaresë.
- Nga biseda që keni bërë me Bilalin, ju ka thënë se kush e sulmoi atë? Si u zhvillua ajo mbledhje?
Namik Mane – Unë nuk mund të them asgjë se çfarë ka ndodhur në mbledhjen e Lidhjes së Shkrimtarëve. Unë mund të flas për atë që ka ndodhur pas saj, pasi nuk kam qenë atje.
- Çfarë ju tha Bilali për mbledhjen, si e perceptoi ai atë?
Namik Mane – Ai prapë ishte shumë koshient për atë që kishte thënë. Më shumë keq i kishte ardhur kur i kishte folur keq dhe Ismalil Kadareja. “U bërë dhe ti Bilal të çohesh dhe të flasësh!” – i kishte thënë Kadareja. Ai nuk kishte asgjë personale me Ismailin, por me veprën e tij. Për faktin që kishte bërë shumë bujë ky libër, nuk u prit mirë nga organet e komunizmit kjo kritikë. Pas asaj mbledhjeje filluan ta kontrollojnë Bilalin në çdo hap që bënte. Nuk kaloi as një muaj dhe atë e sollën në Hamallaj, ku isha dhe unë.
Shefki Hysa – Bilali mbajti një qëndrim parimor. Bota e brendshme e tij nuk mund ta pranonte një vepër të tillë, ku gruaja shqiptare dilte pa dinjitet. Ndërsa Bilali kishte mendim tjetër për gruan shqiptare. Për atë gruaja shqiptare ishte shëmbëlltyrë e Norës së Kelmendit, e Teutës, mbretëreshës ilire. Të gjitha këto heroina shqiptare ishin pasqyrimi i gruas shqiptare për Bilalin. Pasqyrimi që i kishte bërë Ismail Kadareja nuk mund të pranohej kurrsesi nga Bilali.
- Një shkrimtar vlerësohet nga vepra e tij. Në këtë rast Bilali dhe kushdo tjetër gjykoi se kjo vepër e këtij shkrimtari ishte e dobët. Pra, vlerësohet ky guxim që pati Bilali për të folur kundër një ikone të realizmit socialist, siç thoshte edhe Mehmet Shehu te letra. Pra, siç e thotë Mehmet Shehu, “duke goditur Ismail Kadarenë ka goditur vijën e Partisë”. Si vazhdoi më vonë historia e Bilalit?
Namik Mane – Që mbas asaj dite Bilali merret dhe internohet. U bë një mbledhje e Lidhjes së Shkrimtarëve në Durrës dhe Rita Marko e kritikon ashpër Bilalin. Ai përjashtohet automatikisht nga Lidhja. Ai i tha se ishte një pseudoshkrimtar. Atëherë Bilali nxori shpatullën e tij dhe i tregoj shenjat që i ishin krijuar duke mbajtur shinat në kurriz. “Unë ditën mbaj shinat në kurriz dhe natën shkruaj. Si mund të jem një pseudoshkrimtar?” – i tha Bilali. I gjithë propozimi që ishte bërë në letrën e Mehemet Shehut u realizua në mbledhjen që u zhvillua në Durrës nga Rita Marko.
-Diskreditimi që iu bë në atë mbledhje u bë nga kjo kritikë apo iu gjet ndonjë material tjetër?
Namik Mane – Në atë mbledhje u ngrit Rita Marko dhe e kritikoj hapur Bilalin vetëm për veprën e Kadaresë. Madje, kritikoi edhe drejtorin e ndërmarrjes ku punonte Bilali, pasi e mbante mirë atë. Drejtori ishte një shkrimtar i ri dhe i pëlqenin shkrimet e Bilalit. Ishte një lexues i veprave të tij.
- A përndiqej nga Sigurimi i Shtetit gjatë kohës së internimit?
Namik Mane – Bilali punonte nëpër fusha duke prashitur rrushin. Atë e dënuan më 1000 lekë dhe i mbanin çdo muaj nga 100 lekë. Por në atë kohë një shumë e tillë parash ishte shumë e madhe. Këtë gjobë ia vunë me pretekstin se ai nuk kishte dorëzuar shtëpinë ku kishte banuar më parë. Kjo ishte një absurditet, pasi atë e internuan dhe nuk i lanë kohë që të bënte të tilla procedura.
- Mendoni se jeta e Bilalit ishte e rrezikuar seriozisht nga këta armiq që i kishin vënë pas? Ndonjë rrezik që e detyroi të arratisej jashtë vendit?
Namik Mana – Bilali e dinte shumë mirë që përndiqej nga Sigurimi i Shtetit. Të gjithë e dinin atë kohë se, kur të vihej Sigurimi nga pas, çdo gjë mund të ndodhte. Kur ishin të internuar në Hamallaj, Bilali takon një grua, që ishte mësuese në Sukth. Atë e kishte caktuar Sigurimi që të përgjonte Bilalin. Ajo i thotë vetë Bilalit se e kishin caktuar për ta përgjuar.
- Ishte ndonjë presion që i bënin apo ndonjë provokim?
Namik Mane – Ishte një provokim që i bënin Bilalit që të shikonin se çfarë qëndrimi do të mbante ai. Edhe arratisja e tij është kurdisur nga vetë ai dhe ne personat që kishte afër.
- Si është arratisur Bilal Xhaferri?
Namik Mane – Përpara se të arratisej, ai bëri një fejesë me një vajzë në Sarandë. Mbasi u fejua, erdhi në Durrës për të punuar. Punoi disa kohë dhe më pas iku me pretekstin se do të martohej me vajzën që ishte fejuar në Sarandë. Ai shkoi në degën e Durrësit që të merrte leje se do të martohej, pasi, kur internoheshe në atë kohë, nuk lejohej që të lëvizje nga vendi që ishe i internuar.
- Ju e dinit që Bilali do të arratisej?
Namik Mane – E dinim shumë mirë, madje ne kontribuuam në para që ai të arratisej jashtë vendit. Kishte njohur një person, që i kishte garantuar se do ta dërgonte në Greqi.
- Shefki, ju keni qenë në Konispol në kohën kur ai ka ikur në Greqi. Keni studiuar edhe jetën e Bilal Xhaferrit. Si është arratisur ai në atë kohë, kur kufijtë ishin të stërkontorlluar?
Shefqi Hysa – Ai ishte shumë i vendosur për tu larguar nga Shqipëria. Nuk mund të rrinte, pasi e dinte që do ta arrestonin. Ai sajon një fejesë. Madje mori pjesë edhe në një festë që u organizua në Sarandë dhe bëri të ditur se do të martohej. Të nesërmen, pasi mbaroi festa, iku në vendlindjen e tij. Shkoi në Janier, në kufi me Greqinë. Në këtë zonë kufiri ishte më pak i kontrolluar, pasi presupozohej se ishte një zonë besnike e Partisë dhe nuk do të largohej as një njeri. Bilali, duke qenë i zonës aty, e njihte mirë rrugën për tu arratisur. Kështu së bashku me kunatin u arratisën për në Greqi. Në kufi ai la një letër, e cila është gjetur edhe te dosja e tij. Në të thuhej se largohej nga Shqipëria pasi sistemi komunist ishte shumë i papranueshëm dhe diskriminues. Pasi kaloi kufirin, ai ndenji në Janinë për gjashtë muaj në kamp internimi.

- Shumë e dhimbshme kjo histori! Një çam që ikën në Greqinë e asaj kohe, disa vjet mbasi kishte ndodhur masakra e shovinizmit grek!
Shefki Hysa – Pikërisht këtu ndodh edhe tragjedia më e madhe e jetës së Bilal Xhaferrit. Kur largohet nga atdheu, merr një qëndrim tjetër. Po të shohësh ciklin e botimeve që ka shkruar në Janinë, shihet një hije trishtimi. Ai e dinte se, po të bëhej me dije nga forcat greke se cili ishte, do të përfundonte më keq se në Shqipëri. Ndaj ai shkon në zyrat e OKB-së në Greqi dhe kërkon që të largohet në SHBA. Për gjashtë muaj ai ikën dhe shkon në SHBA.

- Shefki, ju ishit një ndër organizatorët kryesorë për sjelljen e eshtrave të Bilal Xhaferrit në atdhe së bashku me presidentin e asaj kohe, Sali Berisha. Është një amanet i mbajtur i Bialit kthimi në atdhe. Si e kujtoni këtë ngjarje?
Shefki Hysa – Në radhë të parë është për tu falënderuar ish-presidenti Berisha dhe Pjetër Arbnori për kontributin që dhanë për kthimin e eshtrave në atdhe. Duke qenë një disident, ndihmoi jashtëzakonisht shumë për këtë përmbushje. Duke qenë anëtar i parlamentit, ai u përkushtua shumë për gjetjen e fondeve.
- Jemi në kohë demokracie. Figura e Bilal Xhaferrit duket e vakët në librat shkollorë dhe në medie. Mendoni se përplasja që pati me Ismail Kadarenë pengon në promovimin e tij si shkrimtar në letërsinë shqipe sot?
Namik Mane – Nuk besoj se është kjo. E para, Bilal Xhaferri është çam, por nuk i përket Çamërisë, po të gjithë Shqipërisë. Nuk mund të them se në çfarë pozicioni mund ta vesh atë.
- Për çarsye nuk e pranojnë sot Bilal Xhaferrin si shkrimtar të talentuar?
Shefki Hysa – Janë disa arsye. E para është se vazhdon trashëgimia komuniste e letërsisë. Janë disa ikona të komunizmit që e mbajnë veten e tyre në piedestale dhe nuk e lejojnë Bilalin që të ngrihet në piedestal. Në qoftë se do të bëjmë një krahasim të letërsisë së Bilal Xhaferrit me letërsinë ekzistuese, do të shohim se ndryshon si nata me ditën. Është shumë më e pasur letërsia e Bilal Xhaferrit. Është një letërsi tejet brilante, që shkon direkt e në zemër, që pëlqehet shumë nga lexuesi.

- Namik, në kontekstin historik a vazhdon ende persekutimi i Bilil Xhaferrit?
Namik Mane – Po. Në Kosovë vlerësohet shumë herë më tepër figura e Bilal Xhaferrit sesa në Shqipëri.
Shefki Hysa – Vazhdon pasi në letërsinë shqiptare ekziston vetëm një poezi të tij. Vetëm “Balada çame”, ekziston në tërë tekstet e letërsisë shqipe. Madje, as në orët letrare nuk përmendet figura e tij.

- Zoti Shefki, ju si kryetar i shoqatës a keni bërë ndonjë përpjekje për ta futur figurën e tij në tekstet e letërsisë shqipe?
Shefki Hysa – Disa herë zyrtarisht jemi marrë me Ministrinë e Kulturës dhe Arsimit për të futur disa shkrime të Bilal Xhaferrit në librat shkollorë. Na kanë dhënë një përgjigje pozitive, por është zvarritur shumë. Mund të them se kështu po ndodh me Kasem Trebeshinën, Pjetër Arbnorin etj.

Siç e ka thënë edhe vetë Bilali, ai është shkrimtari i njohur i të panjohurve.
Namik Mane – Bilali është një shkrimtar çam. Figura e tij po vlerësohet më shumë në Kosovë sesa në Shqipëri. Kjo për arsye se kanë pasur të njëjtin fat.