04 February 2012

HAJDUTI I THESARIT AHMET ZOGU



Thesari i Ahmet Zogut, e vërteta e floririt që mbreti mori me vete pas arratisë


Ministria e Punëve të Brendshme kishte përhapur fjalë se Zogu kishte ndërmend të vishte opingat dhe ta organizonte qëndresën e shqiptarëve nga vendlindja e tij, Mati. Por kolonel Faik Quku shprehet: “Mbreti Zog nuk ishte ma nji djalë i ri malsor që jetonte në malet e Matit, me nji gjendje financiare modeste. Ai kishte zbritë në qytet, ishte ba mbret e diktator dhe shumë i pasun, gjana që ai nuk donte me i rrezikue. Tash ai ishte i preokupuem, kryesisht, për personin e tij, familjen dhe pasuninë.”(1)

Në të vërtetë, Ahmet Zogu ishte përgatitur me kohë për largimin e tij drejt Anglisë, pasi në “Lloyds Bank” të Londrës kishte depozituar miliona franga ari. Ish-konsulli i Barit, Vjenës e Londrës, Çatin Saraçi, dëshmon se transportuesi kryesor i parave të Zogut jashtë Shqipërisë kishte qenë tutori i tij, Lalë Krosi: “I pajisur me pasaportë diplomatike, laisser-passer dhe dokumente ekstra, tutori i moshuar i Zogut largohej nga vendi me kamionë të ngarkuar me valutë, i ndihmuar e i shoqëruar nga roja të armatosura për të mbërritur në destinacion shëndosh e mirë. Këto udhëtime kryheshin rregullisht kurdoherë që Zogu kishte hedhur nënshkrimin mbi ndonjë akt të ri tradhtie. Rruga më e rëndomtë ishte ajo nga Durrësi në Bari dhe prej andej drejt e në Gjenevë, në Zvicër. Në çastin që paratë ndodheshin të sigurta në një bankë të huaj, atëherë përcilleshin urdhra me shkrim për t’i transferuar paratë në një vend tjetër edhe më të sigurt se i pari – për rrjedhojë, pjesa më e madhe e këtyre parave gjendet në “Lloyds Bank” të Londrës. Unë vetë, me dorën time, kam shkruar një sërë urdhrash të kësaj natyre, si dhe i kam ardhur në ndihmë tutorit të moshuar, analfabet, për të mbërritur në kufi me Zvicrën. Sa herë që kryheshin transaksionet bankare të Zogut, ai kurrë nuk e zinte ngoje shumën; unë isha i detyruar ta lija bosh hapësirën e caktuar për të vendosur shumën e parave, e cila plotësohej prej tij, pak para se të postohej.” (2)

Dikur, në një bisedë intime që Zogu kishte bërë me senatorin Eqrem bej Vlora, ishte shprehur: “Ju, me siguri e dini fjalën e urtë turke që thotë: ‘Në Turqi ruaj kokën, në Rumani gruan dhe në Shqipëri pasurinë!’ Këtu nuk bëhet fjalë se çfarë duhet apo mundet të ndryshojë nesër; këtu lipsen siguruar sa më shpejt paratë që mund t’i humbësh shumë shpejt dhe pastaj të presësh se çfarë të sjell e ardhmja”. Dhe ai kishte plotësisht të drejtë me këtë parim, të cilin e ndoqi me këmbëngulje gjatë tërë kohës së qeverisjes së tij në Shqipëri. Kur ai u detyrua të ikte nga marshimi i trupave të Mussolinit (prill 1939), ai ishte Beu i vetëm që largohej nga vendi me bindjen disi ngushëlluese se po merrte me vete një thesar tingëllues prej 250.000 apo 300.000 stërlina ar dhe se armiqve u kishte lënë vetëm keqardhjen që nuk u kishte rënë në dorë as vetë, as paratë e tij.” (3)

Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kardell Hall (Cordell Hull), do ta pyeste ambasadorin e Mbretërisë Shqiptare në Uashington, Faik Konicën, sa ishte borxhi i Shqipërisë ndaj Italisë fashiste. Konica do t’i përgjigjej se borxhi kishte kapur shifrën e 30 milionë dollarëve amerikanë, të harxhuar kryesisht për ndërtimin e rrugëve strategjike në drejtim të Jugosllavisë. Për pyetjen e dytë të sekretarit Hall mbi qëllimet e pushtimit fashist italian të Shqipërisë, Konica do të shprehte mendimin se Italia fashiste, në bashkëpunim me Gjermaninë naziste, do ta përdorte Shqipërinë si pedanë për t’u hedhur në drejtim të Greqisë e Turqisë.(4)
Për më tej, biografi Jason Tomes shkruan: “Foreign Office zbuloi se mbreti kishte të paktën 50 mijë paund në monedha ari dhe 2 milion dollarë në Chase Manhatan Bank (SHBA), me përqindjet e të cilave ai mund të shpenzonte deri në 12 mijë paund në vit... Zogistët thonin se ishin siguruar nga shitja e pyjeve në Mat. Praktikisht të gjithë të tjerët, përfshi këtu edhe zyrtarët e tjerë zogistë, dyshonin për këtë, pasi dihej se ai kishte marrë ryshfete italiane, duke futur në xhep përqindje të tëra parash.... Kufijtë e vetpasurimit të tij ndaleshin vetëm përpara pengesave të rastit. Gjatë qeverisjes së tij 14-vjeçare, të ardhurat buxhetore llogariteshin rreth 1-2 milion paund në vit, ndërsa kreditë italiane në përgjithësi kishin qenë 8 milion paund.” (5)

Mbreti Zog nuk u mjaftua me milionat e depozituar me kohë në bankat e huaja, por mori edhe shufrat e fundit të arit që gjeti në thesarin e shtetit. Sipas një relacioni të hartuar më 6 qershor 1939 nga drejtori i Thesarit, Kel Naraçi, në pasditen e datës 6 prill 1939, me linjë telefonike, ai ishte urdhëruar nga kryeministri Kostaq Kotta që t’i jepte togerit të gardës së mbretit Selim Gjoçi të gjithë sasinë e floririt që gjendej në kasafortën e Thesarit. Shufrat dhe kallëpet e floririt që togeri Selim Gjoçi, mori në Thesarin e degës së Bankës Kombëtare të Shqipërisë në Tiranë, gjendeshin në “Llogarinë relative të pafrytshme metal-ar në roje”, e çelur në datën 23 tetor 1937, për llogari të Oborrit Mbretëror.(6)

Deri më datën 6 shkurt 1939, në këtë llogari ishin futur herë pas here shufra floriri me vlerën e 643 535 fr. ari, e barabartë me 209 kg. ar, të përfituara në doganat e vendit nga kursi i këmbimit të floririt me kartëmonedhat. Nga shuma e përgjithshme kishin dalë 200 mijë franga ari që ishin shpenzuar për ceremoninë e martesës së Mbretit Zog dhe kremtimet e 10-vjetorit të Shpalljes së Monarkisë. Kështu, në kasafortën e thesarit gjëndeshin 183 kg. flori, sasi e barabartë me 566.975 fr. ari dhe e gjithë shuma iu dorëzua pa ndonjë dokument Mbretit Zog në shtëpinë e kryeministrit Koço Kotta. (7)

Në lidhje me arkat e mbushura me florinjtë e thesarit të Mbretërisë së falimentuar Shqiptare, kolonel Faik Quku rrëfen se Zogu “kishte me vedi nji kamion me 18 arka flori, ministrat dhe nji numër të madh oficerash. Në këtë udhtim shoqnohej prej gardës së tij, deri në Qafë Kërrabë, kufini në mes Tiranës dhe Elbasanit. Përtej Elbasanit u shoqnue vetëm prej 200 gardistëve. Gjithë kolona përbahej prej 45 makinave, të udhëhequn prej disa kamionave me ushtarë të gardës. Familjen bashkë me dy motrat, mbreti i kishte nisë nji ditë ma parë për në Greqi. Më 7 prill në mbrëmje kishin mbërritë në Follorinë. Mbreti kishte mendue me kalue natën në Korçë, ku kishte dërgue për me studiue gjendjen. Ky e lajmon se masat ishin të eksitueme dhe, bile, ai vetë mezi kishte shpëtue. Prandaj si vend ishte i rre-zikshëm për banim e kalim. Për këtë arsye, Mbreti e kalon natën në Zemblak, nji fshat afër qytetit të Korçës, në shtëpi të agallarëve.Të nesërmen, më 8 prill, paradreke, tue kalue në mes të britmave Juha! Turp! dhe pështymave të popullit të Bilishtit, qi ishin gru-mbullue në të dy anët e rrugës, kolona mbretnore mbërrini në Kapshticë, në kufinin grek...” (8)

Historiani austriak Hurbert Neuwirth shkruan: “Zogu”, mbreti Zog, i shfuqizuar, u largua nga foleja e tij shqiptare me 50 mijë dollar ar. Dy milion dollarë të tjerë i kishte depozituar që më parë në “Chase National Bank. Si përfundim, siç shkruan edhe biografi Jason Tomes: Ai udhëtonte gjithnjë me nëntë a dhjetë kasaforta jashtëzakonisht të rënda e të mëdha, të cilat mbaheshin në ruajtje të vazhdueshme. Ato përmbanin shufra ari të cilat u bënë legjendë në shtypin e kohës, aq sa asnjëherë Zogu nuk përmendej, veç për valixhet misteri-oze, të cilat thuhej se përmbanin thesarë të mëdhenj, duke përfshirë edhe gurët e çmuar të kurorës mbretërore, që vlenin më tepër se 1 milion paund. Raportet e llogarive të bankave franceze e zvicerane përforcuan dyshimet e përhapura se ai ishte një milioner në stërlina. Disa madje e llogarisnin pasurinë e tij nga 4 deri në 6 milion paund. Komenti i tij: “Unë do të doja të isha aq i pasur sa kritikët e mi thonë që jam”. Mbreti Zog pranoi se kishte marrë 36 mijë paund nga fondi publik i thesarit shqiptar më 1939, duke u justifikuar: “Më mirë që i mora unë sesa t’i lija në dorë të Musolinit...” (9)
HAZIS GJERGJI - Gazeta Shqiptare

__________________

Referencat

(1)(F. Quku, Qëndresa shqiptare..., vëll. I, f. 90).

(2) (Ç. Saraçi, Zogu i shqiptarëve, vep. e përm., f. 60–61).

(3) (Eqrem bej Vlora, Kujtime... 1885-1925, Tiranë, Shtepia e Librit dhe komunikimit, f. 548).

(4) (Haris Silajxhiq, Shqipëria dhe SHBA në arkivat e Uashingtonit, Tiranë: Dituria, 1999, f. 215).
(5) (J. Tomes, King Zog of Albania..., f. 241–242)

(6)(AQSH. Fondi Ministria e Financave, vitit 1939, dosja 364: relacioni i K. Naraçit për ministrin e Financave, Fejzi Alizoti, nr. 73/1 res, 6 qershor 1939).

(7)(Iljaz Fishta, Ndërhyrja e kapitalit të huaj... (1936–1939), Tiranë, 1989, f. 119; Kastriot Dervishi, Historia e shtetit shqiptar, 1912-2005, vëll. I, Tiranë, Botimet 55, f. 408–409).

(8)( F. Quku, Qëndresa shqiptare..., vëll. I, f. 110).

(9)(Hurbert Neuwirth, Qëndresë dhe bashkëpunim në Shqipëri (1939–1944), përkthyer nga Afrim Koçi, Tiranë: Instituti i Dialogut dhe Komunikimit, 2006, f. 15 (A-4, 23.6.1939, Bernard Tönnes, Sonderfall Albanien, München, 1980. f. 427); J. Tomes, King Zog of Albania..., p. 241 (“News Review”, 12 mars 1942; “Daily Sketch”, 17 mars 1942; “The Times”, 28 maj 1943);