22 July 2014

Nga dosjet hetimore të priftërinjeve katolikë

Posta e Shqypnisë
Photo by: Traboini Studio
PERSEKUTIMI I KATOLIKËVE - PYETJET NGA SIGURIMI I SHTETIT NË VITIN '46

Në historinë e kombit shqiptar, Kisha Katolike ka luajtur një rol të rëndësishëm dhe shpeshherë shumë të çmuar. Fatkeqësisht, raporti që ndërtoi pushteti komunist në Shqipëri me besimin në tërësi, solli si pasojë një valë represioni të paparë ndaj klerikëve të të gjitha besimeve në vendin tonë, veçanërisht ndaj udhëheqësve shpirtërorë të besimtarëve katolikë. Sipas përcaktimit që bën Imzot Rrok Mirdita, "pavarësisht nga forca vigane me të cilën kisha ka bartur peshën e kulturës kombëtare, pavarësisht nga drita e papërballueshme që ajo ka hedhur mbi hijet e historisë sonë të vjetër e të re, pavarësisht nga shpirti i flijimit që e ka shoqëruar orë e çast jetën e saj në vendin tonë, madje pikërisht për këto arsye, kundër Kishës Katolike në Shqipëri janë lëshuar shumë rrebeshe, e njëri ndër më të tmerrshmit ka qenë ai komunist, që bashkë me procesin e zhdukjes fizike të katolikëve më në zë, vuri në skenë edhe procesin e shtrembërimit të historisë mbi marrëdhëniet e Kishës Katolike me Shqipërinë".

Siç dihet, në gusht të vitit 1945, Partia Komuniste ndërmori një numër masash për të kufizuar veprimtarinë e fesë dhe ndikimin e saj në popull. Kjo i acaroi marrëdhëniet midis qeverisë dhe institucioneve fetare, veçanërisht me ato katolike. Në këto kushte, me angazhimin e priftërinjve Giovanni Fausti, Padër Daniel Dajani, Padër Gjon Shllaku etj., në Gjimnazin Jezuit dhe në Seminarin Françeskan në Shkodër u krijuan respektivisht grupi "Bashkimi Shqiptar" dhe grupi "Demokristian".

Në nëntor 1945, ato u bashkuan në një organizatë të vetme "Bashkimin Shqiptar". Siç ishte përcaktuar në programin e saj, kjo organizatë synonte që ta çlironte Shqipërinë nga diktatura komuniste. Në janar 1946, organizata u zbulua nga strukturat e Sigurimit të Shtetit. Pasi u arrestuan, anëtarët e saj dolën para gjyqit në shkurt 1946. Tetë veta prej tyre u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan më 4 mars 1946. Disa muaj më pas, do të fillonte vala e dytë e goditjeve ndaj përfaqësuesve të klerit katolik në Shkodër. Një nga dosjet që paraqet këtë tragjedi, të ndodhur në periudhën shtator 1946-janar 1948 do ta publikojmë në vijim të këtij dossieri për lexuesin e "Gazeta Shqiptare". Nëpërmjet dokumenteve arkivore që do të publikohen, lexuesi do të njihet me procesin hetimor-gjyqësor në ngarkim të Padër Çiril Canit, Padër Mark Harapit, Padër Frano Kirit, Padër Filip Mazrekut, Padër Agostin Ashikut dhe Dom Pjetër Grudës. Përveç njohjes me mekanizmin e hetimit, gjykimit dhe dënimit të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë me rrezikshmëri të lartë për sistemin komunist, lexuesi do të marrë dijeni edhe për mjaft fakte me interes për historinë dhe kulturën tonë, sidomos për marrëdhëniet e autoriteteve osmane, austro-hungareze, të qeverisë së Zogut, të pushtetit fashist, nazist dhe veçanërisht atij komunist me Kishën Katolike, fakte që sillen nëpërmjet pohimeve të vetë klerikëve të dënuar nga diktatura. Theksojmë se një pjesë e konsiderueshme e fakteve publikohen për herë të parë. Gjithsesi, duhet konsideruar fakti se ata që patën fatin tragjik të kalonin në seancat hetimore të Sigurimit të Shtetit u është dashur të përballojnë një kalvar të paimagjinueshëm vuajtjesh dhe torturash nga më çnjerëzoret.

I.
Paradokset gjyqësore të arrestimit të klerikëve katolikë


Paradoksi dhe paligjshmëria e veprimit të organeve të diktaturës në Shqipëri, në vitet e para të instalimit të pushtetit komunist duket edhe në urdhrat e ndalimit për të pandehurit. Prokurori publik i Prefekturës së Shkodrës, Hys Zaja, më 21 shtator 1946, do të firmoste letër-ndalimin e përhershëm dhe mbylljen në burgun e Shkodrës, për një kohë të pacaktuar për Padër Çiril Canin, i cili pandehej për deliktin e "dobësimit të mbrojtjes kombëtare" të kryer në vazhdimësi, që parashikohej nga neni 7, paragrafi II, i ligjit nr. 368, datë 5 dhjetor 1946, i publikuar në Gazetën Zyrtare nr. 113, datë 15 dhjetor 1946. Pra, prokuroi Zaja do firmoste letër-ndalimin më 21 shtator 1946, bazuar në akuzën që do të parashikohej në ligjin që do të miratohej 76 ditë më pas (më 5 dhjetor 1946) dhe që do të zbardhej në Fletoren Zyrtare pas 90 ditësh (më 19 dhjetor 1946).
Me të njëjtën akuzë dhe bazuar në të njëjtin ligj do të arrestoheshin: Dom Pjetër Gruda, më 13 shtator 1946; Padër Filip Mazreku, më 28 shtator 1946; Padër Mark Harapin, më 5 nëntor 1946. Kurse për Padër Frano Kirin, prokurori Hys Zaja do të firmoste letër-ndalimi të përkohshme, më 19 dhjetor 1946.


Në vijim, po japim pjesë nga procesverbalet e pyetjes së këtyre klerikëve në zyrat e Seksionit të Sigurimit të Shtetit në Shkodër. Sqarojmë se në procesverbal nuk pasqyrohen pyetjet e drejtuara nga oficeri pyetës, por vetëm përgjigjet e personit që merrej si i pandehur.


Procesverbali i pyetjes së
Padër Mark Harapit

Më 12 dhjetor 1946, në zyrën e Seksionit të Sigurimit të Shtetit, në Shkodër, nga kapiten i parë Nesti Kopali, në prani të sekretarit Qako Prokopi, u muar në pyetje Mark Harapi, 58 vjeç, i biri i të ndjerit Loro dhe i të ndjerës Luçije, me profesion nënfamullitar e profesor teologjie në ish-Seminarin Jezuit, i pamartuar, i padënuar ndonjëherë, i cili deklaroi sa vijon:
Jam arrestuar nga organet e Sigurimit të Shtetit qysh më pesë nëntor 1946. Besoj se Seksioni në fjalë më ka arrestue për çështje dyshimi.
Kam qenë dhe jam gjithnjë kundër komunizmit ateist. Për këtë ju kam folur nxënësve në mësim, në Seminar, qysh në vitin 1939, se Zoti ekziston dhe se po të mohohet Zoti, mohohet morali e njëkohësisht zhvishet shoqëria njerëzore. Bile kam pas thënë atëherë se shoqëria pa moral është si shtëpija pa çimento. Se ka komunista ateistë në Shqipëri më kanë thënë malësorët e Malësisë së Madhe. Gabimin e këtyre komunistave e urrej, por personin jo.
Ardhja e Italisë më ka gjetë në Shkodër. Mua për veten time më ka ardhë keq dhe s'kam dalë prej shtëpije, por kleri në përgjithësi e ka pritë mirë. Bile disa u kanë dalë para trupave italiane, në shenjë nderimi. Nga ata që kanë shkuar më kujtohet vetëm Padër Antoni. Atë ditë të gjitha kishat u ranë kambanave në shenjë feste me urdhër të të parëve. D.m.th. famullit me urdhër t'Ipeshkvit (Thaçi), fretërit me urdhër të Provinçialit (më duket Padër Çiprian Nikës), dhe jezuitët me urdhër të Rektorit (Padër Chiezës).
Unë (Padër Mark Harapi) në vitin 1941 kam përkthyer nga italishtja një qarkore të ardhur nga Papa Piu i XI, e cila flet rreth komunizmit duke thënë se ai (komunizmi) është kundër fesë, kundër moralit etj. Gjatë okupacionit gjerman, kam pasë lidhje shkencore (botanike) me oficerin gjerman Mangrof. Nuk kemi biseduar me të për çështje politike.
Përhapja e frymës së LNÇ gjatë okupacionit ka qenë e ndaluar në Seminar. Kur xhakoni Gjon Shllaku u diktua se kishte trakte të lëvizjes, iu ndalua menjëherë.
Është e vërtetë se Arqipeshkvi Thaçi më ka mbajtë afër vedit, por më ka pyet vetëm për teologji morale. Për këtë ai më pat shënuar edhe nji zyrë si Arqipeshkvi.
Për Padër Antonin, që ishte në Kir të Dukagjinit, unë në fillim s'e kam ditë, por më vonë e kam marrë vesh n'oborr të shkollës nga një fëmijë që s'mi kujtohet emri. Fëmija e kishte dëgjuar në shtëpi të vet, ndërsa familja e tij e kishte marrë vesh nga nji katundar prej Shoshi. Atëherë unë shkova te Padër Çiprian Nika, në kuvend të fretënve, dhe e pyeta nëse dinte gjë. Ai m'u përgjegj se po. Bile më tha se i çojshin edhe harxhe vazhdimisht. Padër Çiprani më tha se këtë çështje e din edhe Padër Mati Prenushi.
Në dimër të vitit të kaluar (1945), mora nji letër nga Padër Antoni me anë të zotit të shtëpisë që e mbante. Në letër më thoshte: "Jam tue u lujtë mendsh. Lutjunu zotit për mua". Letra nuk kishte nënshkrim. Mandej unë iu përgjigja duke i shkruar një letër po me atë katundar: "Mos u mërzit. Bëj uzdajë më zotin. Të fala", dhe emrin s'e vuna. Frano Kiri më pat thënë në Kuvend të Gjuhadollit se në famulli të Kirit ndodhej edhe Lef Nosi. Mirëpo ishte mërzitë aty, dhe ra poshtë. Padër Franua e dinte, mbasi në kohën që ata (Lefi e Padër Antoni) ishin në famulli, ky ishte vetë famullitar aty.
Traktet e organizatës "Bashkimi Shqiptar", që u zbuluan vitin e kaluar i kam kënduar njâ dy herë. Ato m'i ka prurë o Fratel Ljarja, o Fratel Gjekaj, o Fratel Gjoni, mbasi ata i merrnin ke dera.

Për lëvizjen e Llesh Marashit nuk kam dijtë, vetëm Arqipeshkvi Thaçi më pat thënë: "Shkrelësit janë mërzitë, e duan të bëjnë një punë". Mandej, mbrapa ndjeva prej popullit se kishin fjalë që t'i binte [pushtetit komunist] dhe Hasan Isufi e të tjerë këndej.
Luftës Nacionalçlirimtare gjatë okupacionit nuk i kam bërë asnji dâm vetëm duke mâ paraqitur si antifetare e kam urryer, d.m.th. në parim kam qenë kundër saj. Prandaj atëherë jam interesuar shumë të pyes, sidomos njerëz që vijshin nga Tirana, nëse Lëvizja në Toskëni ishte një lëvizje komuniste apo jo. Mirëpo nuk kisha pasë ndonjë përgjigje të preme. Veçse dikush më thoshte kështu e dikush ashtu. Prandaj, opinioni i jem karshi Lëvizjes ka qenë i errët deri në ditët që doli Statuti i Republikës Popullore, i cili e garantoj lirinë fetare me ligj.
Projekt - Statutit para se të kthehesh në Statut i kam bërë një seri kritikash, të cilat shënohen edhe në kopjen që më është gjetë. Një herë unë e kam studiuar mbas dëshirës së Delegatit (Frano Gjinit) dhe kam arritë në përfundim se fuqija nuk është në dorë të popullit, sikurse shprehet nga Projekt - Statuti, por në dorë të Partisë Komuniste. Duke krijuar këtë opinion, unë kam thënë se artikulli 2 i Projekt - Statutit shkon në kundërshtim me të parin që thotë se "i gjithë pushteti buron nga populli dhe i takon popullit" - ndërsa pushtetit është Partia - dhe derisa Partia nuk gëzon përkrahjen e të gjithë popullit, do të thotë se jo i gjithë populli përfaqësohet në këtë pushtet.
I kam bërë vërejtje gjithashtu artikullit 5, ku thotë "mjetet e prodhimit përbehen prej pasurisë së përbashkët". Unë mendoj se në këtë rast do t'ishte mirë që mjetet e prodhimit të përbëheshin prej pasurive private dhe shteti të kishte të drejtë të vinte një taksë t'arsyeshme. Gjithashtu, nuk e kam konsideruar me vend që pyjet, kullotat, tokat, ujnat etj. që kanë zot të deklarohen pronë e përbashkët e popullit.
N'artikullin 6 kam bërë vërejtje dhe kam thënë që iniciativa private nuk duhet të jetë nën kontroll të shtetit, por përkundrazi ajo të përkrahet prej shtetit etj., sepse prej mosqenies private vjen mosqenia e përgjithshme.
Përsa i përket reformës agrare, mua nuk më është dukur e mirë që t'u merret toka disave dhe t'u jepet të tjerëve. Unë me këtë rast kam dëshirue me iu marrë toka vetëm atyre që e kan grabitë, ndërsa të tjerët që i kanë pasë me tapina s'duhet t'u prekeshin. Edhe marrjen e tokës kishës nuk e kemi quajtur me vend.
Për punëtorin nuk kam dëshiruar që të fitojë liri të plotë, vetëm pronari t'i paguajë rrogë të plotë. Në qoftë se ai (pronari) s'e bën këtë, atëherë duhet të ndërhyjë shteti. Njëkohësisht nuk kam kundërshtuar që edhe punëtori po të mundej të bëhej pronar.
Për fetarët është një gjë e padrejtë që të merren ushtar. Bile edhe një herë në kohë t'Italisë kanë dashtë me na i marrë xhakojtë ushtarë, por ne e bâm çështje dhe mbeti.
Ushtrimit të fesë mendoj se duhej t'i jepej garanci më e madhe në Statut. Si p.sh. ku thuhet "Shteti është i ndam nga kisha" duhet të shtohej "por shteti nuk është ateist".
Statuti thotë se ka liri shtypi, mirëpo neve sot s'kemi aspak shtyp. Kështu që këtu duket se na është cenuar kjo liri.
N'artikullin 28 të Statutit, pushteti i sotëm e cenon përsëri kishën, mbasi aty thuhet: "Kisha s'ka të drejtë të mbajë shkolla", ndërsa këtë të drejtë kishës ia ka njoftë deri Gjykatorja Ndërkombëtare e Hagës.
Të gjitha këto kritika i kam bâ Projekt - Statutit para se të kthehej në Statut, ndërsa mbrapa nuk kam folë ndonjë fjalë.
Në kishë kam predikuar disa herë edhe këto kohët e fundit kundër materializmit që sulmon fenë dhe jam munduar gjithnjë t'u provoj besimtarëve se Zoti ekziston, por nuk më kujtohet të kem drejtuar ndonjëherë fjalë kundër pushtetit.
Për lëvizjen e Postribës para se të bëhej nuk kam ditë gjë, ndërsa mbrapa më ka dhanë disa hollësina Dom Nikoll Deda. Ky erdhi në Çelë, nja një javë mbas ngjarjes dhe u ndodha vetëm unë aty. Dom Nikoll Deda më tha se nga ana e Zadrimës kishte ardhë me sulmue drejt Tepës Llesh Gjonmarkaj. Mirëpo u afrua deri në fushë dhe e la, mbasi i ati (Gjon Marka Gjoni që është n'Itali) e kishte lajmëruar që pa të çue fjalë unë, mos bân gjâ. Dom Nikolla më tha se kishte ndie që Llesh Gjonmarkaj kishte radio transmetuese që merresh vesh me të atin. Mandej Dom Nikolla më shpjegoi që programi ishte që t'i binte [pushtetit komunist] Jup Kazazi brenda në Shkodër, Lleshi nga Zadrima dhe Postriba nga ana e saj. Mirëpo marrëveshja s'qe e mirë dhe s'u bë gjë e organizuar.
Gjithashtu, në Çelë më ka thënë Dom Mark Hasi me Dom Ernest Çobën se Jup Kazazi vrau veten prej dëshpërimit që nuk u ngritën gjindja në Shkodër. Nga kjo e kuptova se paska qenë fjala dhe për këtu.
Është e vërtetë që në një pretk më 18 maj 1945, për tre herë në Shkodër (një herë në Kishë të Madhe, një herë në kapele të Çelës, dhe një herë në Seminar) kam thënë se "ç'do mbretëri shkon e vjen, po ajo e Krishtit është e pandërrueshme". Me këtë kam dashtë të forcoj besimin se feja jonë është e pavdekshme.
Me Dom Mark Hasin kam diskutuar shumë herë rreth ngjarjeve të ndryshme politike, e sidomos rreth Konferencës së Paqes. Ne dëgjojshim radion dhe flitshim se s'po ndreqet gjë.
Di se Monsinjor Frano Gjini i ka dërguar nji letër Vatikanit ku e lajmëronte se xhakojtë kanë vepruar kundër pushtetit dhe se Seminari është në rrezik. Letrën ma këndoj vetë në zyrë të tij. Sesi e dërgoj nuk e di dhe as nëse ju përgjigjën më.
Së bashku me Padër Mati Prenushin kemi qenë një herë n'Arqipeshkvi dhe biseduam aty me Monsinjor Thaçin për çështje të shtypit (shtypin katolik), mbasi atëherë kishte ardhur urdhër nga pushteti që ai duhej të mbyllej dhe ne e shtruam si do të veprojmë, por vendosëm që të mos i përgjigjshim fare pushtetit.
Edhe për punë të Padër Antonit jemi këshilluar me Padër Mati Prenushin. Padër Antoni me çoi fjalë me anë të zotit të shtëpisë se donte të dorëzohej. Unë shkova dhe e pyeta Padër Neotean dhe ai u përgjegj se është shpejt.
Edhe me Dom Tom Lacën kemi dëgjue shpesh radion dhe kemi diskutuar mbi çështje politike, por s'kemi vepruar gjë.


PYETJA E DOM MARK HASIT

Në vijim të procesit të hetuesisë, për problemet e pohuara nga Padër Mark Harapi, kapiten i parë Nesti Kopali mori në pyetje Dom Mark Hasi i cili deponoi:
- Atë mëngjes që u bë ngjarja e Postribës, duke kthyer prej kishe, gjeta në Çelë duke pirë kafe Padër Mark Harapin dhe e pyeta: - Si ngjau kjo? Ai mu përgjegj: - Paçin faqen e zezë Shkodra etj., që e tradhtuan Postribën. Pastaj shtoj Padër Mark Harapi: - Unë e kam ditë prej dy ditësh që do të bëhej.
Në lidhje me çfarë deklaronte Dom Mark Hasa, Padër Mark Harapi do depononte:
- Nuk më bie ndërmend nëse e kam takuar në mëngjezin e ngjarjes Dom Mark Hasin, ndërsa për sa deklaron ai se gjoja e kam thënë "që e kam ditë qysh prej ditësh", "paçin faqen e zezë" etj., kjo s'është e vërtetë.

Procesverbali i pyetjes së
Padër AGOSTIN ASHIKUT

Më 28 nëntor 1947, në Zyrën e Seksionit të Sigurimit të Shtetit në Shkodër, para hetuesit të sigurimit Pjerin Kçirës, u muar në pyetje Padër Agostin Ashiku, i biri i Zefit dhe i Çis, 42 vjeç, nga Shkodra, shtresë e ulët qytetare, i pamartuar, i padënuar më parë, meshtar i urdhërit Françeskan të Shkodrës, i cili deklaroi:
Në vitin 1942 kam hyrë në shkollën e parë të jezuitëve, ku kam bërë edhe të dytën. Tri të fundit i kam kryer në shkollën fillore të françeskanëve. Në klasën e parë gjimnaz që e fillova në liceun e fretënve u shkrova xhakua dhe nga kjo kohë kam vazhduar në këtë urdhër, deri në vitin 1948, ku kreva gjimnazin. Në vitin 1928, nga kuvendi i françeskanëve u dërgova në Itali për studimet e meshtarisë, në Milano e më vonë në Sargjeno (Arleo). Në vitin 1932 jam kthyer në Shqipëri si meshtar. Me mbarimin e këtij viti, përsëri kam shkuar në Itali ku jam regjistruar në kuvendin françeskan të Firences mbi studimet e literaturës klasike. Këtu kam ndejtë deri në vitin 1936 dhe përsëri jam kthyer në Shqipëri si profesor në gjimnazin françesakan.
Ardhjen e fashizmit në Shqipëri nuk e kam pritë mirë sepse e kam konsideruar si okupacion. Nuk di të jetë subvencionuar ndonjëherë kuvendi françeskan nga Italia fashiste. Por di se kemi pasë përkrahje në çdo pikëpamje, ushqim etj.
Në vitin 1940 unë jam caktuar drejtor i Shoqërisë Antoniane. Në këtë kohë arrita të grumbulloj rininë katolike, meqë ishin shkatërruar që me ikjen e Padër Lek Lulit. Unë në fillim mblodha nja 45 veta, ndër të cilët ishin Injac Toni, Luigj Toni, Lec Fishta etj. Kemi zhvilluar aktivitete fetare si dhe argëtime për të rinjtë antonian. Nuk di që të jenë zhvilluar aktivitete politike nga anëtarët e rinisë antoniane. Di veç se, dy muaj mbasi unë kam dorëzuar funksionin tim si drejtor i Shoqërisë Antoniane, Padër Gjon Shllaku pat nxjerrë jashtë të gjitha anëtarët e shoqërisë, mbasi aty kishte lindë organizata e Ballit Kombëtar me Injac Tonin, Luigj Tonin, Lec Fishten, Ndue Shllakun e të tjerë si këta që më vonë ishin nxjerrë në qarkoren e Ballit për rininë. Padër Gjoni ishte antifashist dhe në fakt ai me organizimin e Shoqërisë Antoniane mblodhi edhe një herë ata të rinj që ishin me Ballin e tash janë shumë mirë të njohur si... Gjekën, Lec Fishtën etj. Di që më vonë Padër Gjoni mblodhi edhe të rinjtë e shoqërisë Rozafat dhe bashkoi të gjithë elementat jo në moshën rinore. Është e vërtetë se në krye të këtyre ishte Luigj Mjeda.
Qëllimi kryesor për grumbullimin e rinisë dhe të mbledhjeve në shoqërinë Antoniane ose edhe në shoqëritë e tjera është bâ me qëllim që të mos bâjshin pjesë në politikë, por të kqyrshin mâ tepër nevojat dhe detyrat fetare që i takon një shekullari. Është e vërtetë se në këtë mënyrë i është sjellë dâm dhe humbje Luftës Nacionalçlirimtare për mosmarrjen pjesë të një seri qytetarësh katolikë në revolucionin popullor. Nga ana tjetër, agjitacioni i klerit në përgjithësi ishte në dâmin e kauzës së çlirimit të Shqipërisë dhe një anshmërie që mbajtën shumë qytetarë shkodranë në këtë vepër. Po nga këto shoqëri fetare dolën elementa për organizatat e Ballit dhe veçanërisht nga ajo e Veprimit Katolik.
Unë kam qenë edhe drejtor i Gjimnazit Françeskan nga gjysma e vitit 1941 deri në qershor 1944. Është e vërtetë se për rininë studenteske të Gjimnazit Françeskan kemi pasë urdhërue me bâ disa tekste të edukatës morale, ku u kemi mësue edukatën fashiste në bazë të tekstit. Unë në të vërtetë këtë e kam pasë sabotue, se nuk më pëlqente. Rinia është edukuar në klasat e tjera prej Padër Gjon Shllakut me frymën fashiste. Shkaku ishte se neve financoheshim nga Italia fashiste. E di se na kanë paguar për një vit dy mijë e pesëqind franga ari.
Unë kam pasë formuar edhe një shoqëri që quhej enkeristike, anëtarët e së cilës mund të ishin prej 8 - 12 vjeç, me një qëllim vetëm fetar.
Unë kam qenë nga viti 1944 deri në ditën që më arrestuan si këshilltar i ngushtë i Kuvendit Françeskan. Këshilli kishte detyrë nevojat e jashtme dhe të mbrendshme të Kuvendit, të ekonomisë etj. Unë si këshilltar nuk kam pasë dijeni mbi armët e fshehura në kuvend, por kur janë gjetë unë i kam parë dhe jam çuditë.
Nuk është e vërtetë se unë kam pasë lidhje me Gjovalin Zezën e të tjerë anëtarë të Bashkimit Shqiptar. Nuk jam takuar me ata dhe as që kam pasë dijeni për një të tillë organizatë.

PERSEKUTIMI I KLERIT KATOLIK - MERREN NË PYETJE
AT FRANO KIRI DHE AT ÇIRIL CANI

Procesverbali i pyetjes së Padër Frano Kirit

Më 30 nëntor 1947, në zyrën e seksionit të Sigurimit të Shtetit, në Shkodër, nga oficeri i këtij seksioni aspirant Ali Xhunga, u muar në pyetje i pandehuri Padër Frano Kiri, i biri i të ndjerit Tom dhe i Gjystes, 47 vjeç, lindur në lagjen 'Rus' dhe banues në Kuvendin Françeskan (Arra e Madhe) Shkodër, me kombësi dhe nënshtetësi shqiptare, i pamartuar, i padënuar ndonjëherë, i cili deklaroi sa vijon:
Në vitin 1912 kam mbaruar pesë klasë shkollë fillore, në vitin 1920 kam mbaruar Gjimnazin Françeskan Shkodër, në vitin 1924 kam krye edhe shkollën e lartë për Mitologji e Filozofi në Romë dhe jam kthye në Shqipëri me detyrë meshtar, ku kam shërbye si profesor matematike në Gjimnazin Françeskan deri më 1941. Gjatë vitit 1938 deri më 1941 kam qenë edhe si profesor i Normales sigmatinë. Nga viti 1941 deri më 1944 kam shkue famullitar në Kir. Më 1945 kam qenë i sëmurë në Tiranë pa detyrë. Nga 1945 deri në ditën e arrestimit (14 dhjetor 1946) kam qëndrue në Kuvendin Françeskan të Arrës së Madhe, në Shkodër, pa detyrë.
Kur kam qenë nxënës në Gjimnazin Françeskan, kam pasë profesor Padër Ambas Marlaskaj, i cili në mësime e sipër na ka rrënjos dashurin për Gjermaninë dhe anglezët, e cila simpathi ka ekzistue deri më fund.
Kur u ktheva nga Italia, Padër Marlaskajn e gjeta drejtor të gjimnazit, e këtu bisedojsha edhe mâ hapët nga kur isha nxënës, i cili më fliste ngaherë për gjermanët tuj i paraqitë si popull të zot nga shpirti, mendimi etj. Kështu që mua m'u rrënjos dashurija për ta. Këtë simpathi për gjermanët jam mundue ta fus edhe ndër nxënës, kur kam qenë profesor.
Me politikë jam marrë qysh më 1924, ku kam simpathizue opozitën, për të cilën edhe kam punue duke bâ shokë që të votojshin në favor të saj, në marrëveshje me Luigj Gurakuqin, Bajram Currin etj.
Mbasi opozita humbi dhe fitoi Zogu, kleri po të thuash në përgjithësi ka qenë kundra tij e sidomos kur Zogu mbylli shkollat, të cilat u mbyllën për tri vjet (1933 - 1936). Mbas një kërkese që u bë në Lidhjen e Kombeve, e cila ndërhyni pranë qeverisë, shkollat u çelën përsëri, me gjithë se një pjesë e klerit qëndronte kundra Zogut.
Kleri katolik, para 1918-ës, ka simpathizue Austro- Hungarezët, mbasi këtej mvareshin financiarisht dhe merrshin drejtime prej andej si politike etj. Mbas vitit 1918 e këndej, kanë simpathizue Italinë mbasi këtu mësojshin në shkolla, na jepej ndihmë në të holla e shumë të tjera, të cilën e bânte me të vetmin qëllim politik për të ngallur simpathinë e saj në Shqipëri, ashtu sikundër është bâ që pjesa ma e madhe e klerit t'a simpathizojnë dhe t'a ndihmojnë në veprimet e saja në Shqipëri.
Veprimi im fillon që në vitin 1933, në të cilën kohë, me mbylljen e shkollave kam themelue Shoqërinë Antoniane me urdhër të Arqipeshkvit të Shkodrës Imzot Mjedës, e cila u formue me të vetmin qëllim për t'u dhânë rinisë nji edukatë fetare. Në këtë kohë, në mos u gabofsha, është formuar edhe Shoqëria Dom Bosko me iniciativën e Padër Pjetër Meshkallës. Të dyja këto shoqëri kanë pasë për qëllim me e rritë rininë me një edukatë fetare për të qenë më afër klerit dhe t'i përdorte për nevojat e tij.
Më kujtohet se në vitin 1936, me urdhër të Papës u formue Veprimi Katolik nëpërmjet delegatit apostolik dhe ky në marrëveshje me Arqipeshkvin Thaçi formoj veprimin në të gjithë Shqipërinë.
Qysh në fillim u ngrit Rrethi i Zojës Dhimbshme (vajzat) dhe Rrethi i Veprimit Katolik (djemtë) etj. Në këtë kohë Arqipeshkvi Thaçi bani një mbledhje ku thirri të gjithë drejtuesat e shoqërive të ndryshme si p.sh. Dom Mikelin, Bumçin, Vinçens Prendushin, delegatin e Papës Nigrit etj. Mbas kësaj mbledhjeje, të gjitha shoqëritë u futen në Veprimin Katolik simbas urdhrit të Papës, vetëm se nuk u shkrinë në të, por qëndronin në këmbë si shoqëri dhe punonin si mbas nji direktive të veprimit katolik.
Di se Dom Mikel Koliqi ka qenë drejtor i Veprimit Katolik për qarkun e Shkodrës e kshtu çdo ipeshkvi në Shqipëri ka pasë një të ngarkuar si drejtor të Veprimit Katolik si p.sh. Durrësi, Lezha, Dukagjini, Mirdita, Zadrima, por që nuk di të përcaktoj emrat e tyre se kush ka qenë drejtor. Për të gjitha këto ka qenë Arqipeshkvi Thaçi, nga i cili mvareshin të gjithë.
Drejtuesat e shoqërive bënin mbledhje të ndryshme, ku bisedonin mbi mbarëvajtjen e Veprimit Katolik, merrshin udhëzime që të luftonin komunizmin dhe raportonin çdo të metë.
Veprimi Katolik figurën e jashtme e paraqiste shoqëri fetare, por në të vërtetë ka qenë një organizatë politike që është formuar më të vetmin qëllim për të luftuar komunizmin në Shqipëri si dhe çdo rrymë që ishte në kundërshtim me doktrinën katolike, mandej kishte për qëllim grumbullimin e të gjithë katolikve që të nxirrshin delegatët e tyre në parlament për të kërkuar të drejtat e tyre (katolike) nga çdo regjim që do të vinte në Shqipëri.
Kleri ka simpathizue fashizmin qysh mâ parë, ku në një mënyrë ose tjetër e kanë ngjallur këtë simpathi edhe në popull, e mandej qe përgatitë terreni në mënyrë indirekte për ardhjen e fashizmit.
Kjo vinte mâ tepër nga Veprimi Katolik që bënte një punë në këtë drejtim, mandej qeveria italiane na ka ndihmuar me të holla, si p.sh. ndihma me të holla për shkollat klerike, profesorët italian, librat që tërhiqeshin me anën e konsullatës etj., të cilat kanë influencuar në vendin tonë.
Marrëdhënie me konsullatën italiane kan pasur At Gjergj Fishta (vdekur), Padër Pal Doda (burg), Padër Bernardin Palaj, Padër Çiprian Nika, Padër Anton Harapi etj., por se çfarë marrëdhënie e se si i kanë mbajtur këto nuk di ta shpjegoj.
Veprimi Katolik vrullin mâ të madhë e mori në vitin 1937 dhe 1938, ku në atë kohë pranojshin të merrshin pjesë të gjithë populli pa përjashtim, mbasi në këtë kohë janë ngritur edhe shoqëri të tjera si Zonja e Dhimshe etj., që vareshin nga Veprimi Katolik.
Ardhjen e fashizmit në Shqipëri e kam pritë me keqardhje, mbasi unë edhe mâ parë nuk e kam simpathizue si shokët e tjerë klerikë. Mbas ardhjes së fashizmit, kleri ka pasë një miqësi edhe mâ të ngushtë, për të cilën ka ndihmuar me shtyp ku ngrenin në qiell fashizmin dhe ulnin poshtë komunizmin.
Me daljen në shesh të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, kleri katolik ka mbajtë një qëndrim armiqësor kundra saj dhe është mundue me çdo mënyrë të ndaloj përhapjen e saj, mbasi dihej se në të bënte pjesë edhe Partia Komuniste të cilën e kishte luftuar qysh mâ parë, për arsye se e quajshin antife dhe në kundërshtim me doktrinën katolike. Në këtë kohë kam qenë famullitarë në Kir, Dukagjin, të cilën (LNÇ) e kam luftuar si të pafe etj., por si luftëtar kundra të huajit i kam admirue.
Me daljen në skenë të Ballit Kombëtar, Legalitetit, Nacional Indipendentëve kleri katolik i ka furnizuar dhe ka punuar me to, si p.sh. Dom Zef Shestani me Ballin Kombëtar, Padër Lek Luli me Legalitetin e shumë të tjerë që kanë dalë publikisht. Në këtë kohë Veprimi Katolik ka punuar edhe mâ tepër dhe shumë anëtarë të saj kanë marrë pjesë në tri partitë e sipërme, duke luftuar edhe mâ mirë LNÇ me pjesëmarrjen në këto parti.
Në vitin 1941, kam marrë pjesë në mbledhjen e ipeshkëve ku merrshin pjesë delegati apostolik Nigris, Monsinjor Thaçi, Imzot Volaj, Dom Mikeli, dy jezuitë italian, Dom Tom Laca e ndonjë tjetër që s'më kujtohet. Këtu u shtrue çështja e presidentave të shoqërive të ndryshme që banin pjesë në Veprimin Katolik, se cilës shoqëri i takon parija në funksion fetar.
Di se fashizmi, që në ditët e para që erdhi në Shqipëri, i ka dhânë shuma të mëdha në të holla klerit katolik, të cilat i jepte nëpërmjet delegatit Nigris. Këto të holla, pasi i merrte në dorëzim, ipeshkvi ua shpërndante famullitarëve.

Fashizmi edhe para se të vinte në Shqipëri i ka dhënë ndihma në të holla klerit, përveç atyre që ishin të përvitshme. Këto të holla ua jepte konsullata disa priftërinjve për kishat si p.sh. Padër Bernardin Palajt, Padër Gjergj Fishtës etj. Fashizmi, qysh para ardhjes, kishte çelur spitale, shkolla industriale, instruktora etj., të cilat ngriheshin në Çelë nga Veprimi Katolik; prandaj këta shtrojshin që fashizmi në qarkun tonë të mos luftohej, si me ardhjen e tij, ashtu edhe më vonë kur luftohej në të gjithë Shqipërinë, ngaqë ishte bâ në masë mendimi për t'u koordinue se ishin katolikë duke mos mendue se ishte një okupacion.
Në pranverën e vitit 1943, në Dukagjin ka ardhur Pjetër Daragjati, i cili ka mbledhë bajraktarët e Shalës dhe të Shoshit për të mbledhë vullnetarë në ato bajraqe. Ai regjistroi një numër prej tre - katërqind vetash, tuj u caktue edhe rrogë, armatim etj., dhe i shpërndau nëpër shtëpijat e tyre dhe kur të shihej nevoja, me anën e bajraktarëve të tyre, të mblidheshin menjëherë. Pjetër Daragjati në këtë kohë nuk u ka folur për asnjë parti, përveç se u thoshte se duhet të organizohemi për qetësin e vendit dhe për kurrë kundra komunizmit. Në këtë kohë, bajraktarët vendosën që në të gjithë Dukagjinin të mos qaset brenda asnjë parti për të mos hy grindja në mes njëri-tjetrit.
Në shtator të vitit 1943, jam ulë në Shkodër e këtu jam takue me Padër Anton Harapin, i cili më tha se duhet të interesohesh me bajraktarët që t'u çelet rruga ballistave në Dukagjin. Kështu që kur u ktheva u mora vesh me to, por në këtë kohë ka ardhur edhe i biri i Sulço Begut me disa ballista në Cukal, i cili ka bisedue vetë me Lulash Gjeloshin. Pas bisedës u kthye i biri i Sulços, e mbas pak kohe Dukagjini filloj të shkruaj ballista në Shkodër. Kështu që u prish vendimi që kishte marrë Dukagjini për mos të qasur [forca] me përjashtim të partive që vazhdoj të mos i qasi deri në fund që erdhi me luftë.
Në korrik të vitit 1944, kam qenë në Tiranë e këtu kanë ardhur dy vetë prej Dukagjinit, Vat Gjoni e Mark Sadiku, të cilët m'u lutën për t'u nxjerrë municion nga gjermanët. Atëherë unë u mora vesh me Padër Anton Harapin, i cili më dha nji letër për komandën gjermane për të tërhequr njëzet arka me fishekë, nga të cilat nëntë do t'i merrte Lik Marashi dhe një e mora unë të cilën ua shpërndava fshatarëve të Kirit.
Unë kam punuar kundra Lëvizjes NÇ si individ, por punë të organizueme nuk kam bâ kurrë dhe nuk është e vërtetë se në Dukagjin jam dërgue me mision nga kleri për të organizue popullin kundra Lëvizjes NÇ.
Çlirimin e Shqipërisë kombëtarisht e kam pritë mirë, por si regjim e kam pritë keq, mbasi dihej se ishte një parti komuniste brenda.
Padër Gjon Shllaku më ka thënë në tetor të vitit 1945 se ka ardhur një autoritet i lartë nga Tirana, i cili ka folur për votimet e lira, prandaj duhet të formojmë Demokristianen. Unë në këtë rast i thashë mos u pengo me këtë punë dhe u ndamë e nuk biseduem asnjëherë, deri sa u arrestova.
Pak ditë para zgjedhjeve, ka ardhur Gjelosh Luli me një nga Tirana që s'ia di emrin. E lamë në Kuvend të Arrës së Madhe me u takue me mue. Ai më foli për Bashkimin Shqiptar e mandej më tregoi se e kanë zgjedhur kryetar të saj, si dhe një ose dy mbledhje që kishin bâ në Seminarin Jezuit me disa xhokojë si p.sh. me Mark Çunin, Gjon Shllakun etj. Mbas këtyre fjalëve i thashë se duhet të largohesh se do të të diktojë qeveria e do marrësh veten më qafë.
Me Gjenarin Topallin dhe Ndrek Kakariqin kam bisedue mbi Demokristianen në Shqipëri e që të përdoret për kundra zgjedhjevet. Atëherë unë u thashë se kjo nuk bëhet, por vetëm ideja duhet të vazhdoj, mbasi është e mirë.
Në tetor 1945 kam shkue tek ipeshkvi Monsinjor Thaçi ku kemi bisedue rreth Demokristianes, i cili nuk më dha pëlqimin as po dhe as jo.
Simbas mendimit t'em, Demokristiania është pjella e Veprimit Katolik, mbasi Veprimi Katolik s'mund të paraqitej haptas si parti politike prandej u formue Demokristiania.
I arratisuri Mark Mala më ka shkrue dy herë dhe unë i jam përgjigj letrave të tij. Letrat m'i ka dërgue në Shkodër me një djalë nga Dukagjini që nuk ia di emrin.
Në letra më ankohej se ishte tuj hjekë keq, e mandej më pyeste në se kishte ndonjë lajm të ri. Në këtë rast, unë i kam shkrue rreth Konferencës së Paqes si dhe për atë të U.N.O.S. Mandej i kam shkrue që mos të dëshpërohet, se kush e di si sillet puna dhe e kam porositë të mos merrte në qafë popullin etj. I kam dërguar katërqind franga shqiptare, në Berat, mbasi këtu qëndronin në internim.
Me anën e malësorit që thashë më lartë, Markut i kam dërgue një pallto të madhe dhe as di t'i kem dhënë ndonjë ndihmë tjetër, si Markut ashtu dhe familjes së tij. Nuk është e vërtetë që unë t'i kam shkrue Markut që të qëndronte në mal dhe të organizonte shokë të tjerë, po ashtu nuk është e vërtetë t'u kam dërguar ndihma të arratisurve të tjerë, siç akuzohem.
Për lëvizjen e Postribës nuk kam ditë gjë përveç se, kur kanë ra pushkët, kam marrë vesh dhe as di të jetë organizue një punë e tillë mbas daljes në shesh të organizatës Bashkimi Shqiptar.

Procesverbali i marrjes në pyetje të
Padër ÇIRIL CANIT

Më 27 shkurt 1947, në Zyrën e Seksionit të Sigurimit të Shtetit, Shkodër, në pranin e kapiten Zoi Shkurti, duke qenë pranë edhe sekretari i këtij seksioni Fadil Rexhepi, u muar në pyetje Padër Çiril Cani, i të ndjerëve Pashko dhe Lules, i datëlindjes 1875, lindur në Shkodër e banues në atë kohë në Bajzë të Kastratit, të nënprefekturës së Koplikut, lagjia Ivanaj, banues i përhershëm në Shkodër, i mvarun nga Provinçeliati, nënshtetësi dhe kombësi shqiptare, shtresë e mesme, me profesion prift, i pamartuar e pa fëmijë, i cili deklaroi:
Në vitin 1890, së bashku me njëzet xhakojë të tjerë kemi shkuar në Bosnje të Austrisë, në qytetin Kreshevicë, për të studiuar. Mbas 15 vjetëve jam kthye në Shqipëri, ku kam ardhun në Shkodër dhe kam gjetun si okupator në vendin tonë Turqinë. Në shkollë, përveç mësimeve të përditshme, na kanë edukuar dhe frymëzuar se si të propagandonim e të ngrinim popullin në luftë kundra okupatorit. Për këtë gjë profesorët na binin si shembull se filan frat ka luftuar kundër Turqisë dhe âsht vrarë në luftë e sipër si patriot dhe të tjera.
Me ardhjen në Shkodër u emërova nga Provinçeliati si frat në Prevezë dhe mâ vonë në Dukagjin. Në Dukagjin kam ndenjur deri në vitin 1912. Gjatë kësaj kohë në këtë krahinë kam bâ propagandë në popull për t'u ngritur në luftë kundër zaptuesit që ishte n'atë kohë (Turqija). Kështu që më para se të ngrihej flamuri në Shkodër, unë me iniciativën time kam ngritur flamurin e Shqipërisë mbi kishën e Shalës.
Në vitin 1908, âsht bâ konstitucioni në Turqi d.m.th rrëzimi i Sulltan Abdyl Hamitit dhe në kâmbë të tij hypi nji tjetër. Më hypjen e tij vendit t'onë ju vunë shumë kondita të rënda. Për këtë arsye unë së bashku me popullin e Shalës dhe të gjithë Dukagjinit ia nisëm pushkës kundra forcave ushtarake të Turqisë. Lufta është bërë në Qafë të Agrit, në Qafë të Ndërmanjes në Majat e Shalës dhe në Qafë të Sterziqes; ndër këto vende âsht nisë pushka. Në këtë luftim forcat t'ona dolën fitues dhe hynë në Shkodër. Mirëpo forca të tjera të Turqisë erdhën përsëri në vendin t'onë dhe bënë që neve të dorëzonim armët. Bash në këtë kohë më ka thirrë në Shkodër Pashaj. Më parë se të shkojshim me u paraqitë, i pari i jonë (Ipeshkvi) u muer vesh me Konsullatën Austriake që ky të ndërhynte dhe të bisedonte me Pashën. Kështu që kur ynë kur kam shkuar me u prezantue, Pasha më tërhoqi vërejtje për punën e keqe që kisha bâ kundra Turqisë dhe më këshilloi që mos të përsëritsha mâ të tilla gabime.
Në vitin 1913, mbas ikjes së Turqisë, Mali i Zi sulmoi Dukagjinin. Unë (Padër Çiril Cani) mobilizova popullin në luftë kundra forcave të Malit Zi. Për këtë herë forcat malazeze u thyen dhe nji pjesë e tyre u zunë rob nga forcat t'ona. Mbas pak kohe, forcat të tjera malazeze sulmuen për herën e dytë Dukagjinin. Në këtë kohë jemi gjetun të papërgatitur dhe s'mundëm t'i përballonim dot forcat malazeze. Unë (Padër Çirili), si një nga prijsat e popullit, në atë kohë jam ilegalizuar dhe kam ndenjun për shtatë muaj i fshehur në Berishë. Mirëpo një komandant i Malit të Zi më ka çuar lajm që të dorëzohesha mbasi isha në besë të tij dhe se nuk do të më pushkatonin. Jam dorëzuar dhe së bashku me komandantin kemi shkuar drejt e tek prefekti në Shkodër, i cili ishte malazez. Si u prezantova me të, më këshilloi se s'kisha bâ mirë qi kisha ngritun popullin kundra forcave malazeze. Në mbarim të bisedës, prefekti më tha se po deshe ti, neve po të bâjmë si qeveritarin t'onë në Dukagjin, mirëpo unë këtë gjâ se pranova. Mbas kësaj ngjarje, s'kam shkuar në Dukagjin për arsye se kisha frikë se mos më vrisnin në befasi, por kam ndejtun në Shkodër.


Me ardhjen e Zogut në fuqi, Arqipeshkvi Monsinjor Serreqi ishte në lidhje të plotë me qeverin e Zogut dhe kishin biseduar me të që një nga pjesëtarët e kishës katolike të merrte pjesë në punën që do të bënte Zogu. Për këtë arsye Monsinjor Serreqi më thërret në Kuvend dhe më ngarkon si nënkomandat të forcave të Shkodrës. Si komandant ishte Rexhep Shazi (Shala), kurse Sylçe Begu, Muharrem Kazazi dhe Man Hoti ishin si anëtar të Komandës. Unë gjatë kësaj kohe kam propagandua në të gjithë Malësinë e Shkodrës që të bënin fli të gjithë pasunin dhe mâ në fund dhe jetën për të mirën e vatanit. Me këtë propagandë që kam bâ në ato vende, kam bâ që e gjithë Malësija të dalin me armë dhe të bashkohen me forcat tona që ishin në luftë kundra Malit të Zi. Lufta ka vazhduar për gjashtë muaj rresht dhe malazezët u thyen dhe neve shkuem deri në piramidat e kufinit t'onë.
Gjatë kësaj kohe ka ardhur për të vizituar frontin Ahmet Zogu së bashku me gjithë suitën e tij. Në mbarim të luftës më ka ardhur grada kapiten, e cila m'u dha në bazë të punës që kisha bâ.
Në vitin 1924, Zogu iku dhe erdhi opozita. Unë jam bashkuar me qeverinë e Fan Nolit, mbasi shokët e mi si Luigj Gurakuqi, Rexhep Shazi (Shala), Gaspër Mirashi, u bënë pjesëtarë të qeverisë. Në këtë kohë, forcat zogiste të ndihmuara nga Jugosllavët kanë sulmuar qeverinë e opozitës dhe mbas një luftimi të shkëputur morën qeverinë. Me ardhjen e qeverisë së Zogut, unë jam arrestuar dhe futur në burg për disa ditë. Jam burgosë nji herë tjetër në kohën kur Dukagjini sulmoi Shkodrën (kryengritja e Dukagjinit 1926). Në këtë kohë kam ndejë gati pesë muaj në burg dhe mâ vonë jam liruar.
Si jam liruar, kam ardhun në Shkodër dhe jam emëruar si Frat në Rubik të Mirditës. Bash në këtë kohë, në Rubik vjen Konti Çianua për të vizituar dhe kontrolluar punën që bëhej aty. Ky ndejti vetëm nji ditë dhe në këtë ditë kanë ardhur mjaft katundarë për t'i bâ vizita. Mbas tij ka ardhur dhe Jakomoni, i cili ishte si kryetar i Legatës italiane në Shqipëri. Punëtorët, teknikët dhe specialistët italian që punonin aty kanë buejt në qelën tonë për dy vjet rrjesht. Për këto na paguenin në vit si qira pesëqind franga shqiptare.
Gjatë kësaj kohe italianët kanë bërë propagandë fashiste në Rubik, duke propaganduar në popull se Italia fashiste është nji regjim për popullin dhe juve kini për të parë të mirën e tyre atëherë kur juve të bashkoheni me neve, do t'ju ndreqim urat, rrugët dhe të tjera.
Me ardhjen e forcave italiane në Shqipëri, unë Padër Çiril Cani jam ndodhur në Lezhë, ku kam pa se populli po përgatitej për të shkuar të luftonte kundra forcave italiane. Kam propaganduar dhe vetë që populli të mos kursehej për këtë punë, mbasi ata na vinin si zaptuesa në vendin tonë dhe jo me të mirë. Gjatë kësaj kohe jam marrë vetëm me punët e kishës dhe nuk jam përzier me politikë.


Me ardhjen e gjermanëve dhe me ikjen e italianëve nuk jam përzier, por kam ndejtur indiferent. Në këtë kohë (në kohën e gjermanëve) Padër Anton Harapi, Provinçial i Françeskanëve u emërua Regjent. Unë di se për këtë punë Padër Antoni ka marrun leje njëherë të Provinçiali Padër Çiprian Nika, i cili ishte i pari i Fretënve në Shqipni. Ky, Padër Çiprian Nika, është marrë vesh me Papën në Romë për punën e Padër Anton Harapit dhe se përgjigja nga Roma ka ardhuar që Padër Antoni të merrte përsipër Regjencën dhe të bënte pjesë në qeverin e atëhershme që ishte nën gjermanë.
Në kohën e gjermanëve, atëherë kur forcat partizane po shtypeshin për rreth vendit t'onë, i kam shkruar Provinçialit Padër Çipirian Nikës se çfarë qëndrimi duhet me mbajtë tash që komunistat po vijnë në vendin tonë. Ai nuk më është përgjigjë me letër, por kur kam shkuar në Kuvend, kam biseduar dhe më ka thënë se një herë duhet me ndejtë në punën t'onë dhe mos me u përzie.
Me Dom Lazër Shantojen jam njohur dhe kam biseduar shumë herë çështjen e Shqipërisë dhe ai thoshte se Shqipëria do të bahet e madhe me shqiptarët si dhe me ndihmën e italianëve. Dom Lazri ka pasun shumë të shkuar me Padër Anton Harapin, Padër Gjon Shllakun, Monsinjor Volen, Monsinjor Thaçin dhe me të tjerë.
Kur partizanët hynë në Shqipëri, unë me thanë të drejtën nuk e kam dashtë mbasi e urreja Partinë Komuniste, mbasi kjo parti është kundra fesë, kundra familjes dhe kundra zakoneve. Kur populli vinte dhe kërkonte ndonji skjarim nga unë për komunistat, unë jam përgjigjur tekstualisht siç kam thënë mâ sipër.
Përsa i përket kryengritjes së janarit të vitit 1945, që kryesohej nga Llesh Marashi, nuk di gjâ, por kam marrë vesh vetëm atë natë që forcat e Lleshit po përgatiteshin për të marrë Koplikun dhe mâ vonë Shkodrën. Në këtë përleshje, me sa di unë, janë vrarë pesë vetë, ndër këta dy partizanë, njëri nga këta është vrarë në derë të kishës. Forcat e Lleshit hynë në Koplik dhe si pushtuan Komandën e Koplikut kanë dashtë të hyjnë në Shkodër, por forcat partizane që erdhën nga Shkodra, sulmuan dhe thyen forcat e tij.
Elementë të pakënaqun në Kastrat dhe që unë kam biseduar me ta janë Gjon Martini, Kol Lleshi (që të dy të pushkatuar), Gjok Toma, Mark Luca, Tom Lika, Mirash Paloka dhe Gac Çuni, mësues nga Shkodra. Me Gac Çunin që ishte mësues në Kastrat kam biseduar më tepër se me të tjerët. Me këtë kam biseduar se qeveria e sotshme po na merr tokat, po na ndërron fenë dhe zakonet tona, po na i burgos dhe po na i pushkaton kot priftërinjtë duke mos patur faje, po na e mbyll Kuvendin, shkollat etj. Për të gjitha këto unë isha i pakënaqun, si dhe Gaci. Gac Çuni, në bisedë e sipër, më tha se në mal kam të arratisur dajën tim (Gjergj Vatën), me të cilin ishte në marrëveshje dhe i kishte dërguar letër. Kur Gac Çuni ishte në Shkodër dhe u vonue për ca ditë, unë (Padër Çirili) i kam çuar xhevap me Gjek Marashin nga Kastrati që të takohesha me të dhe të na njoftonte nëse kishte xhevap nga i arratisuri Gjergj Vata. Ai i ka thânë "thuaj Padër Çirilit se s'kam marrë xhevap nga daja".
I kam thanë Gac Çunit, në bisedat që kam bërë me të, se po të isha i ri do të kisha dalë në mal, mbasi jam mërzitë shumë nga Çun Jonuzi, sepse ai më ka sulmue shumë herë si sabotator i punës së pushtetit etj.

PERSEKUTIMI I KLERIT KATOLIK, FILIP MAZREKU - VËLLAIN MA
 VRANË KOMUNISTËT

Procesverbali i pyetjes së
Padër FILIP MAZRREKUT

Më 11 nëntor 1946, në Seksionin e Sigurimit të Shtetit, në Shkodër, nga kapiten i parë Nesti Kopali u muar në pyetje Padër Filip Mazreku, 33 vjeç, i biri i Pjetrit dhe i Maries, lindur në Selanik e banues në Shkodër, me profesion prift, që kishte mbaruar universitet për muzikë, i pamartuar, i padënuar ndonjëherë, i cili deklaroi:
Jam arrestuar më 28 shtator 1946 nga organet e Mbrojtjes së Popullit me akuzë se kam treguar aktivitet reaksionar. Kjo i avitet deri diku të vërtetës, mbasi unë kam qenë i pakënaqun nga pushteti, jo vetëm pse një vëlla më është ekzekutuar nga partizanët, por edhe pse të gjithë priftërinjtë katolikë mbanin qëndrim armiqësor karshi këtij pushteti.
Kam ardhur në Shkodër nga Greqia qysh më 1915 me gjithë familje. Me origjinë jam kosovar, por në Selanik im atë ishte nëpunës. Në Shkodër kemi pasë dajën. Katër vëllezër morën degën ushtarake, ndër të cilët dy kanë qenë kapitena në ushtri dhe dy të tjerë oficerë kuesture. Këta të fundit ndodhen në burg të dënuar me nga 20 vjet burg, ndërsa njëri nga të parët është ekzekutuar nga partizanët me rastin e çlirimit të Tiranës.
Unë kam qëndruar gjithmonë në Shkodër, përveç 4 vite që kam dalë jashtë me studime. Edukata ime në shkollë ka qenë filogjermane, mbasi edhe shumë prej profesorëve i kam pasë me të tillë simpathi të madhe për Gjermaninë.
Në vitin 1937, kam kryer studimet dhe kam ardhë në Kuvend si drejtor i "Scola Contrusa" (grupi i muzikës).
Ardhjen e Italisë e kan ditë disa fretën si Padër Gjon Shllaku e të tjerë, 6 muaj para, ndërsa disa prej nesh e morën vesh ditën e premte, kur pamë duke qarkullue aeroplanat italianë. Këtë ditë kishim dalë në oborr. Me këtë rast Padër Anton Harapi, Padër Pal Dodaj, vetë Arqipeshkvi Thaçi me veturën e tij kanë dalë te Ura e Bunës me i pritë e bekue italianët. Veç këtyre i kanë pritë me nderime italianët edhe prefekti me disa autoritete të tjerë, ndërsa populli ka ndejtë larg.
Pastaj arqipeshkvi Monsinjor Prenushi, Frati i Mirditës Frano Gjini, Ipeshkvi i Zadrimës Volaj, Padër Çiprian Nika - Rektor i jezuitëve, Padër Pal Dodaj, Padër Mati Prenushi etj. kanë shkuar njëherë në prefekturë dhe pastaj në Luogotenencë (Tiranë) për t'i mirëseardhur autoritetet italiane.
Padër Pal Dodaj, Padër Anton Harapi dhe Padër Çiprian Nika kanë pasë marrëdhënie të ngushta me Melonin qysh para ardhjes s'Italisë. Ata e kishin sjellë Melonin shumë herë në Kuvend e bile ai ka pasë dalë edhe në fotografi me fretër. Jakomoni ka qënë vetëm ndër Jezuitë, dhe besoj të ketë pasë marrëdhënie politike me ta.
Qysh prej ardhjes s'Italisë e këndej kan qenë në Sekretari të Provinçies Padër Ivshi Rroli, Padër Antonin Fishta, Padër Doord Pici, Padër Viktor Volaj dhe tash së fundi Padër Pal Dodaj. Këta kanë pasë gjithë sekretarinë dhe ç'do letër që hynte e dilte kontrollohej prej tyre.
Shifrat mbi subvencionimet që kemi marrë nga Italia nuk i di, di vetëm se këto i janë dhënë klerit katolik të Shkodrës për qëllime propagandistike. Në bazë të kësaj marrëveshje midis krerëve tonë me Romën, e gjithë politika dhe puna jonë prirej nga ajo e Italisë. Kështu që jo vetëm ndër shkollat t'ona flitej italisht, mësohej kjo gjuhë, lavdërohej sistemi i regjimit fashist, veprat njerëzit etj., por ishin krijuar kondita që tërhiqej edhe populli (shoqëritë fetare) dhe me anë të propagandës së vogël etj. bëhej që simpathija për Italinë të mbizotëronte në krejt zonën t'onë.
Librat para ardhjes s'Italisë i kemi marrë në konsullatë këtu. Me ardhjen e Italisë s'kemi marrë më libra por pare. Këto i merrte Padër Agostin Ashiku, Lec Harapi (nëpunës i konsullatës). Tesha meshe kemi marrë gjithashtu n'Itali, pastaj ndihma për xhakonjtë, për famullitarë, për gjimnaz etj. Këto i ka tërheqë vazhdimisht Padër Pal Dodaj, Padër Mati Prenushi e Padër Çiprian Nika.
Shoqëritë fetare janë themeluar këtu në Shkodër qysh më 1933. Këto u themeluan për të mbledhë rinin afër vetit, mbasi n'atë kohë Mirash Ivanaj (ministër i Arsimit) na i mbylli shkollat. Iniciativën e krijimit të tyre e mori Padër Frano Kiri (përsa i përket fretënve - Antoniane), mandej u krijuan edhe të tjera ndër Jezuitë si ajo e Dom Bosko etj. Me politikë këto shoqëri janë marë qysh më 1942.
Për të marrë pjesë në politikë anëtarët e kishës kanë qenë të ndaluar nga feja, mirëpo më vonë u hoq ky urdhër dhe të gjithë anëtarët u lanë të lirë të veprojnë, simbas dëshirës së tyre. Njëkohësisht shumë krerë të Kuvendit si Padër Gjon Shllaku, Padër Anton Harapi etj., jo vetëm që bashkëpunuan hapur me okupatorët, por u hodhën në sulm kundër LNÇ.
Mbaj mend se një vit para çlirimit Padër Gjerai i urdhëruar nga Padër Antoni shkoi në Prekal e në Koplik për të ngritë popullin kundër lëvizjes. Ka bërë mbledhje krerësh e parish dhe u ka folë. Ka qenë me të edhe një farë Pjetër Gjoka. Pastaj e pasuan këtë edhe klerikë të tjerë. Shumë të tillë si Padër Lek Luli, Dom Lazer Shantoja e të tjerë që përmenda ishin hedhë n'aktivitet edhe më përpara. Ishte çështja se interesat t'ona lidheshin ngushtë me të gjithë krerë të tjerë si edhe me ato t'okupatorit, prandaj na duhej patjetër t'i mbronim. Për këtë ne bashkohemi me Ballin dhe në rrethin e Sh'Profetit ngrihet nji degë e kësaj organizate nën drejtimin e Dom Zef Shestanit. Kjo ka shpërndarë trakte dhe ka ndihmuar shumë që rinia katolike të shkëputet nga Lëvizja. Ndërsa ne të tjerët kemi bërë që nga populli i sektorit katolik të marin pjesë fare pak, për të mos thënë hiç në Lëvizje.
Për qëndrimin t'onë karshi partive të ndryshme famullitarët një herë kanë pasë pyetë Padër Antonin në Kuvend, por ai u ishte përgjigjë "si t'ua marrin mendja". Po për këtë gjë u mblodhën një herë para çlirimit gjithë krenët e klerit n'Arqipeshkvi (Rektori i Jezuitëve, Provinçiali etj.), por edhe këta n'atë përfundim arritën dhe ia lanë seicilit klerikal të punojë simbas mundësive që t'u paraqiten.
Në kohën që erdhi Mark Gjonmarkaj këtu, Padër Dioniz Maka e Padër Dod Pepa janë ulë nga Dukagjini me 300 - 400 malësorë në Shkodër për të luftuar kundër LNÇ mirëpo, meqë puna ishte e shkatërruar, malësorët ikën dhe i lanë. Eprorët e këtyne dy famullitarëve nuk ju thanë asgjë, si duket u ka pëlqye. Po në këtë kohë, Padër Antoni me krerët e tjerë të Shkodrës bëjnë mbledhje në Kino Rozafat e gjetkë dhe mundohen të krijojnë ushtri; gjithë tregtarët dhe të pasurit u këshilluan të japin para për mbajtjen e vullnetarëve, por nuk zgjati puna dhe s'u bë gjë edhe në këtë drejtim.
Me çlirimin, ne kemi vazhduar të qëndrojmë të izoluar për një kohë, por pastaj jemi hapë përsëri duke e konsideruar këtë pushtet si komunist e jemi deklaruar për çdo rast që pati me elementë të pakënaqur e organizata antipushtet. Unë vetë kam qenë pak i idhnuem me persekutimin e vëllezërve, prandaj shpesh kam hapë parulla. Një herë dëgjova nga Padër Gjon Shllaku që kishte ardhë prej Tirane, se englezët po japin pare për të bërë popullin për veti dhe këto parulla i hapa edhe jashtë. Me Padër Gjonin kam kërkuar shpesh të bashkëpunoj, por meqë unë kisha të bëja me fëmijë ai frikësohej se mos më shpëtonte ndonjë fjalë dhe nuk më hapesh fort.
Rreth datës 28 nëntor 1945, ka qenë një herë në Liceun tim Zef Mirdita. Ai më la të kuptoja se atë natë do të shpërndanin trakte. Nuk më tha direkt, mbasi kishte edhe fëmijë të tjerë aty. Po në këtë kohë më ka ardhë dy herë me radhë kapiten Riza Kuçi dhe kërkonte ta vija në lidhje me ilegalët e sidomos me Llesh Marashin, mirëpo unë i thashë se me Lleshin s'mundem e me Pashuk Bibën po. Me Pashukun mund ta vija në lidhje sepse mua më vinte nga Puka një farë Pjetër Preçi, me të cilin kam rënë në lidhje përherë, por në gusht të 1945 ky më erdhi një ditë tek kisha e Berishës (mbasi isha famullitar aty) dhe më propozoj të shkoja me të. Donte të më prezantonte me Pashuk Bibën dhe t'ilegalizohesha edhe unë. Mirëpo unë s'munda të arratisesha. Një ditë Pjetër Preçi më kërkoi një palë pantollona ushtarake, unë ia premtova dhe ai iku. Mbas katër - pesë ditësh erdhi përsëri me një letër të Pashuk Bibës dhe me katër napolona flori. Këto i dërgonte Pashuku që t'i gjeja një palë rroba ushtarake dhe një ma falte mua. Unë u tremba dhe nuk ja mbajta. Po këtë datë erdhi në qelë një vëlla i Pjetër Preçit që ishte ushtar në Shkodër dhe më tha se ushtarët janë demoralizuar. Këtë parullë e kam përhapë. Po ashtu kam hapë parulla se Çun Jonuzi do të dezertojë me katër oficera të tjerë.
Në Berishë kam ndejtë dy muaj dhe pastaj zbrita në qytet përsëri. Kur erdha në Shkodër, ishin arrestuar dhe ekzekutuar Fausti, Dajani etj. Një ditë, një fëmijë (Gjon Kapedani), i cili banon në shtëpi të Papavramit, më bie një letër. Letra ishte me germa dhe ma përshkruante Dajani se si jetonin në burg. Letra gjindet akoma tek At Donat Kurti, të cilit ia dhashë me e ruajtë kur u transferova për në Hot.
Padër Donat Kurtit ia kam kallzuar të gjitha çështjet që më kanë ndodhë mua, si atë të Riza Kuçit etj. Kishte qejf që të bashkëpunoja unë kundër pushtetit, por duke me konsideruar si më të vogël nuk ka bashkëpunuar me mua. Mund të ketë bashkëpunuar me shokë të tij më të mëdhenj.
Kur u ktheva prej Puke, qëndrova këtu në Shkodër për gati gjashtë muaj, pastaj u hodha në Lezhë në famullin katolike t'atij qyteti. Prej aty kam dalë disa herë edhe nëpër katunde për pretk, si p.sh. n'Ishull të Lezhës, në mal të Rrencit e Berdicë. Për predikimet që bëra n'Ishull të Lezhës jam thirrë në Lezhë nga autoritetet e pushtetit dhe më është tërheqë vërejtja. Në këtë pretk unë fola mbi ndihmën e të krishterëve, për fenë etj., mbas meje foli një i Frontit dhe ai qëlloj pretkun tem. Si duket e keqkuptoj, sikur unë nxita ndamjen midis kristianëve e myslimanëve.
Në një pretk që kam mbajtë në qendër (Lezhë) duke kopjuar prej nji libri kam thënë: Jezu Krishti mblodhi dishepujt e tij në mal të Galilesë dhe i këshillon të predikojnë fenë e tij në të katër anët e botës etj. Edhe këtu u ngrit një nëpunës i dyqanit të shtetit dhe më sulmoj mua duke thënë se [predikimet] janë reaksionare, se rrej popullin etj. Këtë pretk e bëra në ora 9 dhe n'ora 11 të drekës, por në një ditë.
Po në Lezhë ka ardhë nji herë Padër Pal Dodaj. Ai na tha që së shpejti do të vinte një delegat amerikan për të prurë n'ujdi qeverin me klerin. Aty u takua me një sekretar të Nënprefekturës dhe ka biseduar në lug të kishës për më se një orë e gjysmë.
Padër Pal Doda nuk di me ç'mision ka ardhë, por ai donte të shkonte deri në Rubik për t'u takuar me Padër Benardin Palaj e Padër Rrok Gurashin. Mirëpo nuk i dhanë letërnjoftim në Lezhë dhe i trembur u kthye dhe ka fjetë në kuvend te Padër Serafin Koda.
Padër Palaj ka pasë relacione të shpeshta para çlirimit me Gjon Marka Gjonin. Në shtëpi të tij ka shkuar shpesh dhe i kanë shkruar letra shoqi - shoqit. Me këto letra ka pasë mbushë nji çantë dhe kur bëheshin kontrollime disa i ka shkye, disa i ka djegë e disa i ka akoma. Miqësi ka pasë edhe me Dan Hasanin.
Nga Lezha jam transferuar për në Hot, mbasi aty vendi kishte mbetë vakant, meqë Padër Gas-për Suma u transferua, pse ky kishte rënë në sy fort dhe donte të largohej. Ky u tremb, mbasi aty në Hot pati mbaj-të disa kohë kriminelin Gjysh Pistullin. Gjyshi është në Jugosllavi.
Me të shkuar në Hot, zura vend në shtëpi të bajraktarit Kadri Delisë (vëlla i Mul Delisë). Atë natë ishim në shtëpi të Kadrisë dy të panjohur, por mua po më dukesh se qenë ish-oficera. Kadrija ka pasë të shkuar dhe takohesh shpesh me Lulash Ucin (Brigje - Hot) me Gjeto Prekën (Kushe - Hot), me Mëhill Zefir (Brigje - Hot), me Mark Lekën (Stak - Hot). Të Lulashi vinte shpesh edhe nji djalë nga Jugosllavija, nuk dij përse. Lulashi ka pasë në shtëpi edhe një Pal ... nga Gurëzi (Milot). Ky ka ndejtë disa ditë këtu, sepse mori vesht që u bën vrasje në Gurës dhe pati frikë të shkonte. Lulash Uci ka shkuar shpesh edhe n'at anë kufirit me katundarin Bukoviq te një farë kapitani. S'dihet përse.
Me Kolë Maçin jam parë te Mark Leku (Stakë) rastësisht. Ky më kërkoi ndonjë gazetë dhe pastaj më tha se kishte marë vesh në Jugosllavi, kur kish qënë nji herë, se aleatët do të prishen [me Frontin NÇ] dhe se kjo qeveri se ka të gjatë. Me Kolë Maçin jam takuar edhe një herë në shtëpi të tij. Aty ishte një memec, i cili me shenja dore donte të shprehej keq karshi pushtetit.
Me Zef Lukën (Brigje - Hotit) kam rënë shumë herë në bisedime. Ky ka qënë marshall dhe tash është i pakënaqun. Më ka prurë shumë lajme të cilat i ndiente nga i vëllaj që e kishte këshilltar. Pastaj më thoshte se ushtarët po shkojshin në front të Greqisë dhe ishte enthuziast për luftën që do të fillonte. Në mendime të tij kam qënë edhe unë dhe i kam thënë se komunizmi ne Shqipëri është njësoj si ai i Rusis, shkatërrimtar.
Duke ardhë prej Hoti në Koplik së bashku me Gjelosh Prelën, kryetar i këshillit Kushë, ky i fundit më tregoi se Kadri Bajraktari është kapë mbasi ka pasë lidhje me një pasanik Gjylbegu ..., këtu në Shkodër.
Zef Luka e Kol Smaili më patën thënë se, porsa të plaste lufta, Hoti do të hidhej në kryengritje. Zefi ka pasë lidhje me Kadri Delin, dhe Kadrija duhet të jetë kryetar.
Padër Çiril Canin e kam vizituar tri herë në Bajzë. Aty kemi qarë hallin se si do të vejë puna jonë. Ai thoshte se po ndejti kjo qeveri, ne se kemi të gjatë. Kjo thoshte ai është një qeveri horash.
Me Padër Benedikt Demën kemi vënë në lojë dhe jemi munduar të diskretitojmë një person të Frontit, i cili doli një ditë të mbante një konferencë në lug të kishës. Edhe me Padër Benediktin kemi biseduar vazhdimisht kundër pushtetit, por ndonjë lidhje t'organizuar s'kemi pasë. Në kohën që bëhej gjyqi kundër grupit të Bashkimi Shqiptar, n'odë të radios u kam thënë se duhet të punojmë edhe ne një organizatë Antikomuniste.
Gjithashtu, unë me xhakonin Zef Pllumi n'atë kohë kemi pasë rregullue n'oborr të fretënve një autoparlant msheftas, të cilin e lidhsha me fol për tel të radios dhe ajo e transmetonte fjalën brenda në fretën. Këtu u flitshim dhe u jepshim shpresa fretënve brenda, të cilët nuk e kuptojshin dredhinë t'onë dhe kujtojshin se ishin stacione të huaja. Ligjëratat i punonte Zef Pllumi dhe ai i ka edhe tashti ato të redaktuara.
Shok të ngushtë kam pasë Padër Agostin Ashikun, me të cilin kam jetuar së bashku dhe gjithë ç'kam ditë unë ia kam treguar edhe atij. Ne kemi thënë se fëmija me këtë qeveri prishen.
Me rastin e vdekjes s'Arqipeshkvit u ndodha në Lezhë. Më ka ardhë një telegram nga Prek Jakova, i cili më thoshte të nisesh urgjentisht në Shkodër për të kënduar nji meshë me korin që kishim pasë. Ne mbledhjen e korit e kemi pasë të ndaluar dhe unë nuk desha, por Dom Mark Hasi tha "e mar vetë përsipër" dhe e mblodhën. Unë porosita studentët e liceut të mos shkojnë në shkollë dhe ata ikën nga liceu pa urdhën të drejtorit. Iniciator nga nxënësit ka qenë Tish Daja.
Anëtarët e shoqërive të ndryshme, sidomos t'asaj Antoniane, i ka mbajtë afër vetit Padër Aleks Bagli dhe i ka grumbulluar në grupe. Kishte për qëllim që shoqëritë të mbeteshin të gjalla.
Me Padër Antonin, kur ishte i arratisur në mal, ka mbajtë korrespondenca të rregullta Padër Mati Prenushi e Padër Çiprian Nikaj. E kam dëgjuar vetë Padër Matin që tha "e kam keq edhe vetë", kur u kap Padër Antoni. Këtë na e ka thënë një herë mbas buke.
Te Padër Çiprian Nika ka ardhë një katundar prej Shoshi, i cili kishte thënë se partizanët kanë shkuar të kapin disa bajraktarë dhe populli është ngritë në këmbë. Edhe për këtë më ka treguar vetë Çipriani.
Padër Mëhill Mirajt i ka ardhë aty nga nëntori i 1945-ës, për tri herë me radhë, një katundar prej katundit Selcë të Malësis së Madhe. Me këta ka pasë lidhje, kur ishte famullitar në Selcë. I ka pasë mbledhë në Lug të Kishës katundarët dhe u ka folur për bashkimin kundër këtij pushteti. Për këtë më ka thënë mua se, po të jetë gjë këtu në Shkodër, unë e kam gati Malësinë e Madhe, sidomos Kelmendin.
Padër Karl Serreqi (i burgosun), famullitar në Rajë (Dukagjin), ka pasë takime me ilegalë të Pashuk Bibës.
Shtoj se të gjithë klerikët, kush me fjalë, kush me sabotime të tjera e kush me takime me ilegalë kanë veprue kundër pushtetit.

Në një seancë tjetër pyetjeje,
Padër FILIP MAZREKU  do deklaronte:

Ishte në kohën e votimeve, ku ne fretënit të gjithë së bashku ishim mbledhë në dhomë të stufës. Rastësisht na foli Padër Gjoni, i cili na tha se këto ditë është shkruar nji momerandum dhe iu dorëzua një englezi nga një Kurti, o Kolë, i Nino Kurti, kur do të delte në nevojë. Momerandumi kërkonte që të mos njiheshin votimet nga aleatët. Në këtë çështje ka pasë gisht edhe Gjergj Kokoshi.
Për sa i përket votimeve, ne të rinjtë kemi votue fshehtas të moçmëve, mbasi ata jo vetëm që nuk votonin vetë, por na udhëzonin edhe neve që të veprojmë kështu. Nuk ka votue Padër Mati Prenushi, Padër Pal Dodaj, Padër Pashko Bardhi, Padër Çiprian Nika, Padër Donat Kurti, Padër Frano Kiri.
Ne të rinjtë na mblodhi Padër Gjoni dhe na këshilloi ta hidhshim kundër, kështu që unë votën time e hodha në kasën kundërshtare. Për çështjen e votimeve është bërë edhe një mbledhje e madhe në Arqipeshkvi. Merrnin pjesë Monsinjor Thaçi, Padër Mati Prenushi, Rektori i Jezuitëve, Monsinjor Volaj, Frano Gjini. Këta vendosën që ta lënë të lirë seicilin të vepronte si të donte, për të shkarkuar përgjegjësinë, por nga ana tjetër futën njerëz dhe bënë që gjithë xhakojtë të votojnë kundra.
Një i quajtur Luigj Marku, lagjia Rus, më ka thënë mua po me rastin e votimeve se tri të katërtat e lagjes jemi bashkue me votue kundër. Unë për vete i kam nxitë shumë të rinjtë të bëjnë po këtë gjë.
Kolë Kiri (i burgosun) e Padër Frano Kiri e kanë përcjellë Padër Antonin kur u arratis deri në Kir. Kanë zënë vend nji herë në famulli të Kirit, ku ishte famullitar Padër Ludovik Kiri dhe ndërsa Padër Antoni ndodhej aty ka shkuar një oficer me disa ushtarë për kontroll, mirëpo Padër Ludoviku i rrejti ushtarët e i futi në një dhomë tjetër, pastaj e nxori n'anë tjetër Padër Antonin ku shkoi edhe Lef Masi (Nosi).
Mbas do kohësh Lef Masi (Nosi) vendosi të kthehet në vend të vetë dhe drejtohet për në Lezhë te Padër Sarafin Koda. Ky i fundit e ka pritë mirë, e ka mbajtë disa ditë në sanë, pastaj e ka çuar në shtëpi të shërbëtores së vetë Mrikë ... Qandej e ka kapërcyer në trap të lumit Drin, te Ura e Lezhës.

Nga studimi i Veli Haklaj

Mehmet Shehu mbron Ismail Kadarenë dhe kërcënon Bilal Xhaferrin


MEHMET SHEHU MBRON KADARENE E SULMON BILAL XHAFERRIN

 Kjo është një letër e shkruar nga kryeministri Mehmet Shehu 36 vjet më parë kundër dy shkrimtarëve: njëri Qani Çollaku dhe tjetri Bilal Xhaferri, që kanë kritikuar rëndë veprën e Ismail Kadaresë “Dasma”. Letra i drejtohet Enver Hoxhës dhe në fund të saj kërkohet demaskimi, denimi ose internimi i Bilal Xhaferrit dhe Qani Çollakut.
 Shoku Enver,

Më ranë në dorë këto dy materiale, të cilat po jua dërgoj që ti lexoni, po patët kohë.

1. Një “artikull” me titull “Luftëtarë artizanë të artit”, shkruar nga Qani Çollaku (i vëllai i Reshit Çollakut) dërguar redaksisë së “Zërit të popullit” për botim.

2. Një material “Diskutim mbi romanin “Dasma”, që është diskutimi i Bilal Xhaferrit në mbledhjen që u organizoi këto ditë Lidhja e Shkrimtarëve për të marrë në shqyrtim romanin e Ismail Kadaresë me titull “Dasma”.

“Artikulli” i Qani Çollakut është një sulm i egër, i shfrenuar dhe i hapët kundër vijës së Partisë në art e letërsi dhe kundër vetë Partisë. Qani Çollaku është armik i njohur i Partisë. Ka qenë mësues, është demaskuar e hequr nga puna si mësues në Berat, por tash na qenka prapë mësues në Pogradec! Thuhet se ka hedhur votën kundër Frontit në zgjedhjet e fundit. Mendoj që, duke përdorur këtë material, të mbledhim mësuesit e Pogradecit, ta demaskojmë gjer në fund dhe ta çojmë në gjyq (me dyer të mbyllura), sepse me këtë material i ha gjer 15 vjet burg, ose ta internojmë në fermën e Lushnjës, ku të punojë me kazmë. Është jashtëzakonisht i poshtër!

“Diskutimi” i Bilal Xhaferit është gjithashtu një sulm kundër Partisë, por i tërthortë – godet egër dhe në mënyrë të poshtër Ismail Kadarenë drejtpërdrejt dhe nëpërmjet tij godet rëndë dhe vijën e Partisë në art e letërsi. Ky “shkrimtar” është i biri i një çami, të cilin ne e kemi pushkatuar si kriminel lufte, ka bërë shkollë vetëm 7-vjeçaren a të mesmen, pastaj organet tona nuk e kanë lejuar të vazhdonte më tej studimet dhe tash punon si punëtor krahu në fermën e Sukthit. Ka talent si shkrimtar, ka studiuar vetë dhe gjuhë të huaja, shkruan shumë, i ka dërguar Lidhjes së Shkrimtarëve shumë shkrime, por nuk i janë botuar, si bir armiku dhe sepse shkrimet e tij kanë përmbajtje armiqësore. Më kanë thënë se i kanë botuar një roman dhe e kanë popullarizuar bile dhe me fletë volante në stadium në një lojë futbolli dhe se Dhimitër Shuteriqi e paska propozuar për tu futur në Lidhjen e Shkrimtarëve, ku u shqyrtua romani i Ismail Kadaresë. Është enigmë: ai dihej se ishte bir armiku dhe vetë me qëndrim të poshtër, por ja që mori pjesë në diskutim para qindra intelektualëve dhe foli kundër vijës së Partisë! Në atë mbledhje ndodhej edhe Thoma Deliana, Fadil Paçrami e të tjerë, dhe Fadili, Dhimitri e shumë të tjerë e goditën si provokator. Por fakti është që ai mundi të fliste. Kush e pruri në mbledhje? Nuk dihet! Dihet që dhe Qamil Buxheli “ka punuar” për shumë kohë në Sukth.

Është interesant se si Qani Çollaku, ashtu dhe Bilal Xhaferi, megjithëse njëri në Pogradec e tjetri në Sukth, në ato që shkruajnë të dy u referohen: Majakovskit, Kafkës dhe Heminguejit. Mejtoj që çështjen e Bilal Xhaferit ta çojmë gjer në fund për të gjetur dhe shokët e tij midis Lidhjes së Shkrimtarëve, pastaj ta demaskojmë si duhet po në atë mbledhje ku ka folur e ta internojmë.

më 8.4.1968

Mehmeti
( Mehmet Shehu)

20 July 2014

Selman Riza dhe Eqerem Çabej- nga Nasho Jorgaqi

Nasho Jorgaqi rrëfen marrdhëniet mes dy kolegëve gjuhëtarëve SELMAN RIZA dhe EQEREM ÇABEJ

Jorgaqi dëshmon "duelin" e gjuhëtarëve

Nuk e kam dëgjuar Selman Rizën qoftë dhe një herë të flasë kundër Çabejt, të merret me jetën e tij personale. Bile më kujtohet ato ditë kur Çabej ndërroi jetë në Itali dhe e sollën në atdhe, ai doli në Rinas dhe e priti. Profesor Riza ishte i pikëlluar dhe do ta cilësonte vdekjen e tij të parakohshme një humbje të pazëvendësueshme për shkencën e kulturën shqiptare.


Nasho Jorgaqi

Sa herë ndodhesha para tij ose e shikoja nga larg, tregohesha i vëmendshëm dhe ngaherë do të vija re të njëjtën figurë: hijerëndë e vështrimrreptë, i heshtur e serioz, që kish diçka prej malësori e në të njëjtën kohë prej hijes së mjeshtrit. Nuk di pse mendoja atëherë se përpara këtij njeriu ne më të rinjtë nuk kish si të ndjeheshim ndryshe veç si nxënësit para profesorit. Kuptohet që një natyrë e tillë vijonte të ma bënte të vështirë kontaktin.

Por ja që erdhi një rast, që më dha mundësinë ta shihja e ta dëgjoja nga afër profesorin.
U ndodha në diskutimin e disertacionit, që mbronte profesor Eqrem Çabej në një mbledhje të sektorit të gjuhësisë. Qenë aty elita e gjuhëtarëve tanë të kohës, si dhe albanologu polak Vaclav Çimokovski, nxënës i N. Joklit, autor i disa studimeve serioze të shqipes. Ai ndodhej aty si oponent i disertacionit. Diskutimi vijoi i qetë e serioz, me një vlerësim të lartë shkencor për punën e Çabejt, por aty nga mesi u ngrit të flasë profesor Riza. Kjo tërhoqi menjëherë vëmendjen time, por jo vetëm. Sytë e të gjithëve u drejtuan nga ai. Profesori ishte përgatitur me shkrim dhe lexonte me një ton të prerë. U bë një heshtje e thellë dhe kjo më shtyu ndërkohë të mendoja për peshën e mendimit të profesor Rizës. Kisha parandjenjën se do të prishej ajo qetësi gati solemne. Dhe nuk u gabova. Riza që në fillim iu kundërvu mendimit të përgjithshëm e, çka ishte më e rëndësishme, disa prej tezave të disertacionit të Çabejt dhe oponencës së Çimokovskit. Kishte ide dhe teza shkencore fare të ndryshme dhe këto përpiqej t’i mbështeste në argumente të vetat. Fliste me një zë që tingëllonte i rreptë, i bindur për ato që parashtronte, pa asnjë kompleks para autoritetit të Çabejt. U krijua një atmosferë e nderë, paksa nervoze, aq sa filluan pëshpërimat e pastaj kundërshtimet me zë të lartë. Në fakt, debati u përqendrua mes Rizës dhe Çabejt, që erdhi gjithnjë duke u nxehur. I pari sulmonte, ndërsa i dyti mbrohej, por me mirësjelljen dhe qetësinë e tij të njohur. Do të ndërhynin të tjerët, sidomos Çimokovski, që të ulej toni i rreptë i debatit, por nuk ishte e lehtë. Fjalët kundërshtuese të Rizës vinin si një përrua malor, që nuk kishin të ndalur deri sa ai sosi gjithë ç’kish për të thënë. Mbledhja sikur u çorodit. Çështjet që diskutoheshin qenë të vështira, përfshinin probleme nga fusha të specializuara të gjuhësisë, me koncepte e terminologji të panjohura, të paktën për ne që ishim të fushave jashtëgjuhësore. Ndaj nuk mund të them se kush kishte të drejtë dhe për këtë arsye nuk mora anësi. Por ajo që më ka mbetur në kujtesë është përshtypja që më bëri shpirti kritik i profesor Rizës, burrëria e tij intelektuale, aq e rrallë atëherë, vendosmëria në ato që thoshte dhe argumentet që sillte. Një kundërvënie e hapur ndaj Çabejt, autoritetit të padiskutueshëm të gjuhësisë sonë, i cili, me gjithë rezervat zyrtare, kish filluar të kthehej në një mit në opinionin e gjerë. Kjo do të më habiste dhe do të më bënte të çmoja kurajën e Selman Rizës, duke arsyetuar se debati shkencor, sado i ashpër, është i dobishëm dhe i domosdoshëm, sidomos kur zhvillohet në nivele të larta, siç qe ai mes dy dijetarëve tanë të nderuar.
Pas kësaj ngjarjeje, që nuk kaloi pa jehonë në rrethet akademike, dëshira ime për t’u afruar me prof. Rizën u shtua. U bë një personazh gati enigmatik jo vetëm për qëndrimin e tij në distancë me të tjerët, por akoma më shumë për atë çka përfaqësonte si intelektual me integritet....

...Raportet e Rizës me Çabejn përbëjnë një kapitull më vete, që nuk më takojnë ndofta mua t’i evokoj. Së pari, se miku im nuk e kish zakon t’i përfliste ato në biseda; së dyti, se unë nuk i kam njohur nga afër marrëdhëniet e tyre, pasi s’kam punuar me ta; dhe, së treti, këto raporte janë komplekse dhe i takojnë një sfere shkencore. Në të vërtetë, siç e kam përshkruar dhe më sipër, vetëm një herë jam ballafaquar me raportet e tyre dhe ajo ngjarje më dha të kuptoja se ata ishin kolegë, por jo miq, dhe në fakt këtë do ta tregonte koha. Ashtu si për shumëkënd, edhe për mua ata ishin dhe mbeten personalitete të spikatura të gjuhësisë shqiptare. Nuk dua të vë në këtë mes shenjë barazimi, sepse secili ka vlerat dhe meritat e veta. S’ka dyshim se ata ishin gjuhëtarë dhe intelektualë të një formati jo të zakonshëm, me kontribute të dalluara, që lanë gjurmë të pashlyera. Duke i përqasur me njëri-tjetrin nuk mund të mos vesh re përngjasimet dhe ndryshimet midis tyre. Me një vit diferencë nga shoku-shoku, ata i takonin një brezi që vinin nga dy krahina të skajshme të trojeve shqiptare, Çabej nga Gjirokastra, Riza nga Gjakova. I pari rridhte nga një familje qytetare e kamur, i dyti nga një familje e thjeshtë, me prejardhje malësore. Ishin rritur dhe brumosur në një frymë dhe mjedis atdhetar të ngjashëm, po me mentalitete të ndryshme. Çabej, me një fëmini e rini pa telashe, Riza, i mbetur jetim, e kaloi këtë moshë në jetimore. Të dy shquheshin për zgjuarsi, qenë njerëz me interesa e synime intelektuale, të vullnetshëm e të zellshëm, punëtorë të palodhur, me shpirt kërkues e ambiciozë. Gjatë shkollimit morën formim akademik nga shkolla evropiane të largëta nga njëra-tjetra. Njëri do të vinte nga bota gjermanike, tjetri nga ajo frankofone. Çabej do të formohej në Grac e Vjenë të Austrisë, në qendra me tradita në studimet albanologjike, nxënës i K. Paçit, N. Joklit, kurse Riza do të studionte në Tuluzë të Francës, në një shkollë po aq serioze e me kërkesa të larta shkencore, duke u diplomuar për filologji dhe drejtësi, por që dallonte për nga konceptet dhe metodat e studimit të botës akademike gjermanike. Kështu, Çabej do të merrte një formim etnogjuhësor serioz, siç do të merrte një formim serioz e me themel edhe Riza në fushën e gjuhësisë. Nga veprat që shkruan, del që i pari do të ishte etnolog, i specializuar në lëmin e gjuhësisë krahasuese indoeuropiane dhe albanologji, ndërsa i dyti ishte dhe mbeti kryesisht morfolog, duke ia kushtuar jetën kryesisht problemeve të mirëfillta të kësaj fushe të gjuhës shqipe. Riza, veç të tjerash, zotëronte rreth 12 gjuhë të gjalla e të vdekura. Pra, kish në profilet e tyre gjera të përbashkëta, por dhe diferenca, të cilat do të shfaqeshin në veprimtarinë e tyre shkencore.
     Nga ana tjetër, duke i vënë përballë këto dy figura të gjuhësisë shqiptare, nuk mund të mos konstatosh natyrat dhe karakteret e tyre të ndryshme. S’ka dyshim që të dy qenë njerëz me integritet të lartë moral, të drejtë e të ndershëm, kërkues e studiues të përkushtuar. Prof Riza, ishte punëtor i jashtëzakonshëm, aq sa një herë më tha: “Unë nuk jam talent, por punë”. Por dallonin nga natyra. Çabej ishte natyrë e butë, fjalëmbël e fjalëpakë, përgjithësisht i heshtur, me ndjesi artistike, kurse Riza vinte natyrë paksa e ashpër, tipik malësor, i hapur e i drejtpërdrejtë, i vëmendshëm për të dëgjuar, por i gatshëm për të kundërshtuar, i prirur nga mendimi ndryshe. Por këta dy intelektualë, duke punuar në lëmenj të përbashkët apo të përafërt, në të njëjtin mjedis ku studioheshin dhe ballafaqoheshin probleme shkencore, do të kishin dhe momente afrimi e bashkëpunimi, përveçse dhe momente kundërshtimi, përplasje mendimesh, polemika, siç kam dëgjuar nga kolegët e tyre. Nga kjo pikëpamje, Riza ishte gati i papërballueshëm, i paepur, polemizues i rrallë, gjithnjë, si të thuash, në ofensivë. Të dy qenë këmbëngulës dhe seriozë në mbrojtje të tezave dhe të mendimeve të veta dhe në këto raste tregonin nivelin e tyre jo të zakontë, por secili brenda natyrës së tij: Çabej në dukje i qetë, i përmbajtur, pa e ngritur zërin, ndërsa Riza tërë nerv, shpërthyes, me zë të lartë, i hapur, pa rezerva. Kam përshtypjen se që të dy nuk ishin ziliqarë dhe ambiciozë ndaj njëri-tjetrit. Debatet e tyre zhvilloheshin në një truall shkencor dhe nga pozita shkencore. Jo rrallë këto debate mes tyre i nxisnin edhe drejtuesit e Institutit, duke u dhënë për oponencë vepra të njëri-tjetrit. Në këto raste Çabej nuk tregohej plotësisht i hapur, i linte mendimet të nënkuptoheshin, ndjehej njëlloj shpërfilljeje, kurse Riza ishte aq transparent e i drejtpërdrejtë sa lexohej qartë në mendimet dhe arsyetimet e veta. Është e çuditshme, por e vërtetë, që Çabej në asnjë nga veprat e tij nuk e citonte ose nuk iu referohej punimeve shkencore të Rizës. Me siguri kjo e prekte sedrën e këtij të fundit, por, kur binte fjala për Çabejn, miku im nuk mbaj mend që ta shprehte këtë qejfmbetje. Ai kishte burrëri dhe nuk e ulte veten në nivelin e pakënaqësive të rëndomta. Aq më tepër që e dinte se një i tretë në marrëdhëniet e tyre i hidhte benzinë zjarrit. Nuk e kam dëgjuar qoftë dhe një herë të flasë kundër Çabejt, të merret me jetën e tij personale. Bile më kujtohet ato ditë kur Çabej ndërroi jetë në Itali dhe e sollën në atdhe, ai doli në Rinas dhe e priti. Profesor Riza ishte i pikëlluar dhe do ta cilësonte vdekjen e tij të parakohshme një humbje të pazëvendësueshme për shkencën e kulturën shqiptare.
     Në kohën kur ata ishin gjallë, por dhe tani kur kthehem pas dhe i kujtoj, nuk ka si të mos ndjej keqardhje që këta dy burra të shquar qenë dhe mbetën deri në fund kolegë të denjë për njëri-tjetrin, por nuk arritën kurrë të bëhen miq. E, megjithatë, kjo është normale dhe si e tillë, njerëzore.

 2011 Rilindasit-Shqip.com

Nasho Jorgaqi, letër e hapur shkrimtarit Ismail Kadare

NASHO JORGAQI, LETËR E HAPUR SHKRIMTARIT ISMAIL KADARE

Ora e Shqypnise

Nasho Jorgaqi, letër e hapur shkrimtarit Ismail Kadare

Ora e Shqypnise
Nasho Jorgaqi
Tani, pas kaq viteve, ti miku im i dikurshëm, pa pritur e pa kujtuar, merresh me këtë vepër anonimisht, pra, pa përmendur as titullin e as emrin e autorit, jo për të treguar të vërtetën ashtu siç është, po për ta shtrembëruar në mënyrë flagrante në dobi të veprës tënde. Pra, nuk ka në këtë mes asnjë qëllim dashamirës, përkundrazi, mungesë totale respekti dhe një vetëmburrje vanitoze
 Ismail, unë që po të shkruaj jam ai i paemri, ashtu siç më cilëson ti në intervistën që i paraprin romanit tënd “Mjegullat e Tiranës”: “Një letrar i kohës, dashamirës dhe i njohuri im”. E çuditshme dhe njëherësh fyese, pasi etika më elementare e kërkonte ta përmendje hapur emrin tim dhe të veprës sime, me të cilën merresh gjatë intervistës.
Është e drejta jote, sigurisht, që në vitet e pleqërisë t’i tregosh publikut të sotëm mendimet dhe qendrimet antisocialiste apo antikomuniste që paske mbajtur e shprehur në fushën e letërsisë qysh në rininë tënde; një e drejtë që ti e ke ushtruar jo rrallë në dekadat e tranzicionit. E pra, herë pas here i je kthyer e rikthyer të kaluarës tënde të hershme jo thjesht për ta evokuar, po për ta sqaruar, për ta korrigjuar e pse jo edhe për ta ndryshuar. E ke bërë këtë si askush nga shkrimtarët e brezit tonë, përmes librave të kujtimeve, intervistave pa fund dhe takimeve me lexuesit. Për më tepër, madje, këtë punë e ke bërë dhe e bën me pasion e zell të veçantë, herë-herë me mllef e gjithë idhtësi, me një subjektivizëm deri në romanizimin dhe mistifikimin e ngjarjeve, të personazheve e të situatave. Dikush mund të thotë që kjo i lejohet një shkrimtari të madh siç je ti në të vërtetë, por ama jo deri aty sa të cënohet rëndë e vërteta, sepse, siç thotë një fjalë e urtë , “E kaluara as blihet e as shitet dot”. Shkova gjatë me të kaluarën, pasi prej andej vijnë edhe shqetësimet e problemet që lidhen me marrëdhëniet tona, për të cilat do të flas më poshtë.
Fjala është për novelën time “Dashuria e Mimozës”, librin tim të parë, që u shkrua e u botua në kohën e miqësisë sonë të hershme. Siç e di, me këtë vepër unë fillova të merrem pas mbarimit të studimeve, pasi deri atëherë kisha shkruar vetëm tregime. Ndjeja ndërkaq nevojën për të shkruar prozë të gjatë dhe për këtë pata madje dhe nxitjen tënde. Ishte fjala për një novelë kushtuar kryesisht dashurisë, një temë që në vitet 50 nuk ishte e rekomandueshme, ndaj dhe nuk qe botuar ndonjë vepër e tillë. Vepra ime sigurisht që nuk do t’i kushtohej tërësisht dashurisë, por do të kishte dhe një sfond shoqëror: në themel të saj do të vihej kontradikta dhe lufta mes dashurisë së brezit të ri dhe koncepteve e praktikave mikroborgjeze të familjeve tradicionale shqiptare. Jeta e brezit tonë asokohe na ofronte plot raste dhe material me vlerë për trajtimin realist të temës. Ndërkaq, për hir të së vërtetës, koha e novelës sime përkoi edhe me disa shqetësime të miat sentimentale, por akoma më shumë me historinë sa të bukur aq edhe të dhimbshme të dashurisë tënde rinore, që unë do ta ndiqja nga afër si miku yt konfident. Kështu, në novelën time dashur pa dashur, por më shumë me dëshirën tënde, do të përfshihej dhe ndonjë detaj apo rrethanë nga ç’ndodhte me ty. Dashuria jote, për fat të keq, dështoi dhe ti e përjetove shumë rëndë aq sa në librin “Endërrimet” këtë situatë do të ma shprehje me dedikimin që më bëje: “Nashos, në kujtim të ditëve kur doli ky liber, që duket se e pati zili dashurinë dhe e dëboi…Ismail Kadare, Tiranë, nëntor 1957”.
Fatmirësisht, pas asaj që të ndodhi, ti ike për studime në Moskë dhe atje u përpoqe të shkëputeshe shpirtërisht. Ndërkaq, që andej do ta ndiqje fatin e novelës sime me një përkujdes vëllazëror teksa në një nga letrat e tua më porosisje: “Përpiqu ta shkruash me një stil të kohës, duke flakur gjithë rutinën e brezit të vjetër. Më shkruaj gjerë ku je me punën dhe më dërgo ndonjë pasazh interesant”. Në një letër tjetër më thoje: “Presim botimin e novelës tënde me padurim. Namin e saj e kam çuar kudo”. Kurse pas disa muajsh më shkruaje: “U gëzova që e mbarove novelën. Jepe sa më parë në shtyp… Ta botosh pa u trembur hiç…”. Më tej, në letrat që pasuan, do të më gëzoje kur më flisje edhe për krijimtarinë tënde: “Kohët e fundit po më tërheq proza” dhe shtoje: “Unë shkrova një roman, “Qyteti pa reklama” (nuk është temë dashurie). Do ta botoj porsa të vij në Shqipëri…”.
Nuk po shkoj më tej me lidhjet tona letrare të kohës së Moskës, që edhe sot i  kujtoj me nostalgji, si dëshmi të bukura të miqësisë sonë. Por nuk mund t’i harroj marrëdhëniet tona aq të ngushta kur jetonim në Tiranë, sidomos vitin e fundit të studimeve të tua, dhe kohën kur unë kisha filluar nga puna në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Ti atëhere ishe në kulmin e sukseseve letrare me vjershat lirike që botoje në shtyp, të cilati përmblodhe pastaj në vëllimin “Ëndërrime”. Ky u bë libri i ditës, i shoqëruar nga fjalët më të mira të kritikës dhe të lexuesit. Bota letrare dhe opinioni e pranonte dhe e afirmonte njëzëri talentin tënd poetik aq origjinal dhe perspektivën që të priste.E merr me mend gëzimin tim për çka ndodhte me ty, siç e kujtoj edhe unë natyrën tënde të çuditshme, që nuk shprehje kurrfarë entuziazmi, përvec një buzëqeshjeje të lehtë.
Por pikërisht në këtë kohë mbaj mend që më dhe të lexoja një a dy fletore shkolle, ku kishe shkruar emrin tënd dhe, nën titullin që s’e mbaj mend, fjalën “roman”. E lexova brenda një nate. Ishte historia e një pirati që kthehej në vendlindje pas udhëtimesh të gjata plot peripecira. Dorëshkrimi, ç’është e vërteta, nuk më la ndonjë përshtypje. Ishte një sprovë pa ndonjë vlerë letrare dhe, kur ta ktheva, kujtoj që të thashë: “Mos u ngatërro me prozën, kur fusha jote e suksesit është poezia”. S’di ç’më the, por u tregove indiferent, krejt brenda natyrës tënde.
Ka kaluar prej atëherë mbi gjysmë shekulli kur, pa pritur e pa kujtuar, ti boton së fundmi romanin “Mjegullat e Tiranës”, shoqëruar me një intervistë ku thua se titulli fillestar i kësaj vepre paska qenë “Dashuria nr.2”. Nga shënimi në faqen e fundit të veprës del se e ke mbaruar në pranverën e vitit 1958, kur akoma nuk kishe shkuar për studime në Moskë, pasi letrën tënde të parë prej andej e kam marrë më 20 shtator 1958. Pra, siç del nga data, vepra qenka shkruar në Tiranë pikërisht kur unë shkruaja novelën “Dashuria e Mimozës”. Nuk e fsheh që për mua kjo ishte një çudi e madhe, që ngre pikëpyetje jo pa rëndësi për marrëdhëniet tona të atëhershme aq miqësore. Pyes: si është e mundur që me ato lidhje aq të ngushta që kishim, kur e vinim në dijeni njëri-tjetrin për shumçka të rëndësishme që krijonim, ti paske shkruar një roman, për më tepër me një temë të përbashkët me novelën time, dhe nuk më ke thënë asgjë, qoftë edhe formalisht? Si është e mundur që nuk je hapur as atëherë e as më vonë në bisedat tona pa fund përgjatë disa dekadash miqësie?
Të them sinqerisht, duke arsyetuar nga shumë pikëpamje, më rezulton që romani të mos jetë shkruar në vitin 1958, sepse nga pranvera deri në vjeshtë të atij viti kur ti shkove për studime, mund të më kishe thënë diçka. Ndërkaq e dija se në ditët dhe netët e stuhishme të dashurisë tënde ke mbajtur ditar, çka e pohon edhe në intervistë. Këto shënime të ditarit, me sa duket, të kanë shërbyer shumë vite më vonë për të shkruar romanin. Them “vite më vonë” se, me aq sa t’i njihja unë nga afër mendimet, ti akoma nuk kishe shkuar deri në mohimin e parimeve bazë të realizmit socialist. Ishim akoma në vitet 50, kur ato parime s’ishin kthyer ende në “pranga” për letërsinë tonë. Madje, për hir të së vërtetës, me gjithë kufizimet e padëshiruara dhe autocensurën tonë, ekzistonte herë-herë një atmosferë, në mos entuziaste, së paku me një farë lirie të mjaftueshme për të krijuar vepra me vlera artistike, ashtu siç e dëshmojnë krijimet më të mira të kohës. Në mes tyre do të rendisja edhe vjershat e poemat e tua më të goditura të vëllimit “Ëndërrime” (1957), të frymëzuara nga idetë e kohës, siç qenë poema “Sekretari”, “Lenini”, “Motive partizane” apo lirika politike “Koha e partisë” etj., të shkruara plot ndjenja, me një zë origjinal e spontanitet, larg retorikës dhe skemave të shumicës së vjershave të kohës. Ishte kjo kohë për të cilën ti pretendon se ke shkruar romanin, ndërkohë që sot shprehesh se “në vitet pesëdhjetë letërsia shqipe ishte në ditët më të zeza të saj…Kjo ngjante aq e mjerë sa të vinte turp të ishe shkrimtar…zotëronte një thatësirë e papërfytyrueshme…shkurt, asgjë njerëzore nuk ndihej në faqet e saj…”.
Sigurisht që letërsia e re nuk mund të përfaqësohej me vepra të shquara që në dekadën e parë të saj, por vepra me vlerë u krijuan. Mjaft të kujtojmë romanin “Hasta la vista” të Petro Markos, novelat e Jakov Xoxës, tregimet e Dhimitër Shuteriqit, poezitë e tua, të Driteroit, të Fatos Arapit, Dhori Qirjazit apo dramat e Kolë Jakovës etj. Pra, kishte jetë letrare, pavarësisht nga kufizimet dhe vështirësitë ideoburokratike, që sillnin skarco, skematizëm, politizim të skajshëm. Në këto rrethana krijonim unë e ti, gjithë brezi ynë, duke u frymëzuar nga idetë dhe realiteti i kohës, pa iu kundërvënë, përkundrazi, duke i mbështetur. Por kishteedhe pak zëra të guximshëm, ku në radhë të parë qëndroje ti si një zë emancipues për letërsinë tonë dhe shembëlltyrë për ne shokët e tu. Gjuha jote metaforike ishte çelësi për të hyrë në botën e ideve të avancuara përmes vargut tënd.
Ditarët e mi dhe kujtesa imeruajnë e dëshmojnë edhe episode se si shkëmbenim mendime unë e ti jo vetëm për ato që shkruanim, por edhe për çështje teorike që shtronte teoria e realizmit socialist. Një herë kemi biseduar për çështjen e tipikes në art, që propaganda e ngatërroi keq me politikën; ose për faktin që nuk ishim dakord me mendimin që shprehej në mbledhjet e Lidhjes e në shtyp për heroin pozitivqë nuk duhet të kishte të meta, ndërkohë që jeta dëshmonte të kundërtën. Nga ana tjetër, ne kishim pakënaqësi dhe rezerva që, edhe pas vdekjes së Stalinit, kur në vendet e Lindjes po shkrinin akujt, letërsia jonë kishte një frymëmarrje të kufizuar dhe i mungonin lidhjet me rrjedhat e letërsisë botërore. Letrat që më dërgoje nga Moska sillnin informacione për jetën letrare të atjeshme, për librat dhe dukuritë e reja letrare dhe artistike, për leksionetinteresante që ndiqje në Institutin “Gorki” etj.
U zgjata pak, por desha të dëshmoja se gjatë miqësisë sonë të ngushtë të asaj kohe nuk kemi shfaqur qëndrime antisocialiste e, për më tepër, nuk kemi folur kundër letërsisë së realizmit socialist dhe metodës së saj. Përkundrazi, edhe pse mund të kishim ndonjë rezervë apo pakënaqësi, ndjeheshim “brenda” saj. Madje ty, si shkrimtar “solist” i letërsisë sonë, të ngarkohej here pas here detyra të merrje në mbrojtje dhe të shkruaje artikuj në shtyp. Nga gjithë sa ke botuar për këto probleme, nuk harroj artikullin e gjatë “Arti i madh i revolucionit” botuar në “Zërin e popullit”, ku përpiqeshe  të argumentoje prioritetet e kësaj metode në krahasim me metodat e tjera artistike. Shkruaje se kjo metodë, e mbështetur në parimet e materializmit dialektik dhe historik, ka arritur t’i pasqyrojë gjerësisht dhe objektivisht ngjarjet dhe figurat e mëdha të historisë.
Të them të drejtën, për shumë nga mendimet dhe veprat e tua të mëvonshme, unë të mirëkuptoj. Është në natyrën e artistit, aq më tepër të një shkrimtari të madh si ti, që me kalimin e kohës të evoluojë në mendimet, pikëpamjet dhe qendrimet në varësi të kushteve social-historike, të rritjes e të pjekurisë, të përvojës dhe mësimeve të jetës. Nuk e kam fjalën, pra, për korpusin kryesor të jetës e krijimtarisë tënde, por për një segment të saj që lidhet  me fillimet e tua letrare e për të cilën u bë shkas kjo letër. Siç del nga intervista jote bashkangjitur romanit, “Mjegullat e Tiranës” qenka krijuar nga ti si një sprovë në moshën 22-vjeçare për të treguar se si mund të krijohet një vepër e lirë, e shkëputur nga dogmat e realizmit socialist, dhe se si kjo mund t’i kundërvihet një vepre të realizmit socialist (?!) që kish shkruar një miku yt i ngushtë, siç isha unë asokohe. Unë e besoj se e ke bërë këtë sprovë, por jo në atë kohë, po në vitet e nëvonshme, ndoshta dhe para pak vitesh, pas shpalljesh botërisht të vendimit se nuk do të shkruaje më letërsi artistike. Ka qenë kjo kohë kur të kanë tunduar kujtimet dhe ditaret e rinisë së hershme për të shkruar një vepër të mistifikuar. Them kështu se, pasi e lexova romanin, gjëja e parë që mendova ishte se kjo vepër nuk i takon asaj kohe që pretendon ti. Qëllimi yt është t’i tregosh lexuesit të sotëm se ti, qysh në hapat e para letrarë, nuk e pranoje realizmin socialist dhe ja ku është vepra që e dëshmon, “Dashuria nr.2” e viteve 50, paçka se poezia jote tregonte të kundërtën.
Guxoj të të them se vënia e dy veprave kundër njëra-tjetrës nuk është e ndershme e lëre pastaj miqësore. Pavarësisht nga përgjasimi i temës dhe vende-vende i subjektit, idetë dhe qendrimet tona si autorë nuk janë njësoj. Njësoj nuk janë as karakteret e protagonistëve, idetë dhe morali që përcjell njëra vepër nga ato që përcjell tjetra. Unë, siç e them dhe më lart, shtroj e shtjelloj një problem social nëpërmjet fatit të një dashurie të pastër e të sinqertë, që prindërit me konceptet e tyre mikroborgjeze e bëjnë të dështojë. Kurse romani yt përshkruan historinë e një dashurie pasionante, e prirur nga aventura, ku zotërojnë skenat erotike, me një protagonist siç është Bardhyli, egoist dhe cinik, që mendon vetëm për kënaqësitë fizike të një dashurie kalimtare, ndryshe nga ëndrra për martesë e Emës. E vetmja gjë e bukur e dashurisë, pra, edhe e kësaj dashurie, për Bardhylin artist janë kujtimet që ai do t’i lërë Emës si dhuratë pas ndarjes së tyre. Martesa është përrallë. Kësisoj, sipas teje, ka vepruar Peçorini i Lermontovit apo dhe personazhe të tjerë të Turgenievit, Eseninit, De Radës. Për një artist janë të huaja romantika e sentimentalizmi, virgjëria e një femre, dhe kjo e dallon romanin nga parimet dhe skema e socrealizmit.
Pavarësisht nga këto konstatime, nuk mund të mos i çmoj vlerat e veprës, të cilën e lexova me interes dhe jo pa kënaqësi. “Mjegullat e Tiranës” është një vepër erotike, me situata joshëse, që përshkohet nga nota të thella sensuale, me ide origjinale, me një gjuhë të bukur e të individualizuar, me një dialog të shkathët e me sens mase. Pra, kemi të bëjmë me një vepër me nivel të lartë artistik, që dëshmon për një pjekuri profesionale. Tëgjitha këto flasin qartë se ti këtë roman nuk e ke shkruar në vitet 50, në të rite tënd. Mjafton ta krahasosh dhe me romanin “Qyteti pa reklama”, që realisht është shkruar në ato vite, që të kuptosh e të ndjesh ndryshimin dhe disnivelin ideo-artistik.
Novela ime, vepër e viteve 50, ishte libri im i parë, shkruar në një moshë të re, me një përvojë jete e krijimtarie të kufizuar, me psikologjinë e kohës që jetoja. Megjithatë, lexuesi i asaj kohe e pëlqeu, u josh veçanërisht nga tema e dashurisë, aq rrallë e trajtuar gjerësisht në letërsinë shqipe të kohës. Siç e di dhe ti, ajo u mirëprit, sidomos nga rinia,  dhe pati jehonë në masën e gjerë (letra, takime, diskutime). Ndërsa shtypi, në qoftë se të kujtohet, e bëri objekt kritike. Më kritikoi për sentimentalizëm, një shfaqje e huaj për letërsinë shqipe të realizmit socialist. Ai e quajti të dënueshme zgjidhjen negative të konfliktit, që ëndrra e dy të rinjve nuk u realizua, që “e vjetra e mundi të renë” etj. Nga presioni i opinionit, sidoqoftë, vepra nuk u hoq nga qarkullimi. Pra, libri e kaloi me sukses provën dhe unë ndjeva atëherë kënaqësinë e botimit të parë, por edhe ballafaqimin me publikun e kritikën.
Fakti është se shumë vite më vonë (1976) “Dashurinë e Mimozës, pasi e redaktova rishtas, pa e ndryshuar aspak përmbajtjen,e dërgova për botim dhe ajo u miratua pa ndonjë problem. Mbase të kujtohet gëzimi im kur të tregova botimin e ri, por ky gëzim nuk zgjati shumë, sepse pas një jave më thirrën në Komitetin Qendror të Partisë dhe, si më kritikuan, më kërkuan që ta ndryshoja fundin e novelës me arsyetimin që “në shoqërinë socialiste të gjitha ëndrrat e rinisë realizohen”, kurse unë i kisha bërë heronjtë që të ndaheshin. U quajt gabim ideologjik. Kurse unë nuk pranova ta ndryshoja, pasi novela ishte ndërtuar në një mënyrë të tillë që me një zgjidhje negative të jepej një mesazh pozitiv. Atëherë u vendos që libri të shkonte në karton dhe të 8000 kopjet u zhdukën kështu nga qarkullimi, ndërsa botimi i parë kaloi në rezervatin e bibliotekave publike.
Tani, pas kaq viteve, ti miku im i dikurshëm, pa pritur e pa kujtuar, merresh me këtë vepër anonimisht, pra, pa përmendur as titullin e as emrin e autorit, jo për të treguar të vërtetën ashtu siç është, po për ta shtrembëruar në mënyrë flagrante në dobi të veprës tënde. Pra, nuk ka në këtë mes asnjë qëllim dashamirës, përkundrazi, mungesë totale respekti dhe një vetëmburrje vanitoze. Ballafaqimi tendencioz i dy veprave nga ana jote kërkon t’u tregojë lexuesve të brezit të sotëm se sa i zoti e largpamës paske qenë ti atëherë, kur me intuitën e një rioshi arrije të kapërceje barrierat e letërsisë socrealiste e të ideologjisë së rreptë të kohës dhe mbërrije të shkruaje një vepër krejt të lirë e të shpenguar nga ky realitet. Një gjë që miku yt s’e bënte dot jo vetëm se nuk e kishte talentin tënd, por edhe pse ishte i indoktrinuar. Kjo bëri që, kur e lexovenovelën time, siç thua në intervistë, ke vënë duart në kokë dhe je tmerruar (?!). Nuk di ç’emër t’i vë kësaj që ti bën në një moshë të nderuar si kjo që ke sot dhe në atë lartësi që të ka ngritur talenti yt i çmuar botërisht.
Kur shkrova “Dashurinë e Mimozës”, unë isha thjesht një shkrimtar i ri, i formuar me idealet humane që më shkonin për zemër dhe pa ndonjë prirje për tëdalë nga koha që jetoja. Në këtë frymë e ngrita veprën time dhe i jetësova personazhet, siç ishte vetë jeta shqiptare. Nuk bëra asnjë përpjekje të qëllimshme për t’i trajtuar si heronj pozitivë apo negativë e as të përmendja qoftë edhe një herë direktivat e Partisë dhe mësimet e udhëheqësit. Jo se nuk doja, por s’ma kërkonte vepra ashtu si e kisha konceptuar. Në qoftë se Luani doli një djalë me karakter, i zgjuar, i ndershëm e i sinqertë, këtë nuk e sajova unë, por kështu ekzistonte në jetë si dhe plot të tjerë. Nuk di se ç’gjë të veçantë bëri ai që që ty të paska tronditur kur edhe në veprat e tua ka me dhjetëra personazhe të tilla. Po ta bëja një hero siç e paragjykon ti, ai, bie fjala, do ta rrëmbente Mimozën dhe kështu do t’i jepej veprës një zgjidhje e dëshiruar për kohën e politizuar. Përkundrazi, ai s’bëri asgjë të tillë, e pranoi ndarjen, i vuri gur zemrës dhe e mbylli këtë histori.
Një zgjidhje e tillë negative e konfliktit të novelës, siç e di dhe ti, do të më kushtonte. Do të kritikohesha publikisht në shtyp, në letrat dhe takimet me lexuesit, që do ta quanin novelën një vepër që nuk i takonte realizmit socialist. Ky cilësim as atëhere e as tani nuk është se më ka dhënë ndonjë kënaqësi. Ti e quan realizmin socialist një herezi e një tmerr, kurse unë nuk shkoj deri aty. Një metodë e tillë, megjithë kufizimet e difektet, krijoi vepra normale, bile dhe kryevepra në letërsinë botërore, por dhe plot skarco kur u trazua keq me të politika, duke shkelur mbi mendimet shkencore të Engelsit për dëmet e pallogaritshme që i sjell politika artit dhe letërsisë.
Gjykuar edhe nga pozitat e sotme, “Dashuria e Mimozës nuk është vepër e realizmit socialist dhe është fare e kuptueshme që një gjë të tillë nuk e kam bërë në mënyrë të qëllimshme. Pas përmbysjeve social-politike të fillimit të v.90, “Dashuria e Mimozës” ka njohur 4 ribotime dhe një botim në gjuhën italiane nga një shtëpi botuese në Lecce. Ajo është pritur mirë jo vetëm nga publiku, por edhe nga kritika. Gjykimin objektiv për veprën në kushtet e reja e jep edhe studjuesi Aurel Plasari në një artikull të botuar në revistën “Klan” (21 mars 1999). Ai argumenton se vepra nuk ka të bëjë fare me realizmin socialist: “E përgojuar, e përsyshur, “Dashuria e Mimozës” e Nasho Jorgaqit më në fund ribotohet. Në të vërtetë, lexuesi i sotëm nuk mund të mos vërë re se “Dashuria e Mimozës”, në ndryshim nga pirgu i madh i romaneve të realizmit socialist, është një vepër e ndërtuar mbi trekëndëshin tanimë klasik për letërsinë e përbotshme. Mbi atë trekëndësh që realizmi socialist i ruhej si djallit. As thjesht “naiviteti”, as thjesht “çiltërsia”, por pikërisht ndërtimi i një skeme origjinale mbi këtë trekëndësh e ka bërë novelën e Nasho Jorgaqit që t’i bëjë ballë kohës… Prej botimit të parë më 1960-n, kanë kaluar katër dhjetëvjeçarë. Libri është po ai. Por, qoftë dhe dyzet vjetët e kaluara mjaftojnë që ai të lexohet “ndryshe”. Sepse shumë ujëra kanë rrjedhur nën urën e letërsisë shqipe. “Lana” e realizmit socialist ka shterrur në mënyrë qesharake. Vëllime të tëra të rënda me tirazhe 20-mijëshe e me kopertina të trasha prehen nën pluhurin e harresës. Libri “i vjetër” iNasho Jorgaqit vjen çuditërisht “i ri”…gjithmonë aktual”.
Për ty kjo e vërtetë, që “Dashuria e Mimozës”, edhe pas disa dekadash, i ruan vlerat edhe sot, nuk ka ndonjë rëndësi. Rëndësi ka fakti që, edhe duke qendruar sot në majën e Olimpit, ti mund ta përdorësh pragmatisht novelën time për të ngritur sadopak vlerat e vetes. Tek e fundit, ia vlen barra qeranë të mistifikosh qoftë edhe një moment nga e kaluara e largët për të dëshmuar me një vepër konkrete se ti nuk ishe ashtu si të njihnim në mendimet dhe shkrimet e tua, por dikush krejt tjetër. Paskëshe qenë katërcipërisht ky i sotmi, një antisocialist apo, më saktë, një antikomunist i lindur. Por, për fat të keq, harron se kryeveprat e tua janë të frymëzuara dhe i janë kushtuar një epoke që ti e përbalt dhe e mohon. Sinqerisht që është e vështirë t’i karakterizosh të gjitha këto me një emër të vetëm.

korrik 2014

05 July 2014

Memorial Αριστείδη П. Koλλia 8 Ιουλίου, 2014 - Εθνικό Ιστορικό Μουσείο, Τίρανα

Memorial Αριστείδη П. Koλλia 8 Ιουλίου, 2014 - Εθνικό Ιστορικό Μουσείο, Τίρανα


 PËRKUJTIMORE PËR ARISTIDH KOLËN
8 Korrik 2014 - Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë
Memorial Αριστείδη П. Koλλia
8 Ιουλίου, 2014 - Εθνικό Ιστορικό Μουσείο, Τίρανα

Ημέρα 70 επέτειο γέννησης του μεγάλου Αρβανίτες Αριστείδη
П. Koλλia (1944-2000), από 8 Ιούλη 2014 στις 11:00 π.μ. διοργανώνεται στο Εθνικό Ιστορικό Μουσείο τιμά τη μνήμη των ερευνητών αξέχαστες ηγέτες, των οποίων το έργο κάνει το όνομά του αθάνατος.
Η εκδήλωση διοργανώνεται από το Εθνικό Ιστορικό Μουσείο και καλούνται μελετητές, ιστορικούς, πανεπιστημιακούς, δημοσιογράφους και τους φίλους του
Αριστείδη П. Koλλia, Αλβανών μεταναστών στην Ελλάδα, που είχαν την τύχη να γνωρίσουν από κοντά. Στην περίπτωση αυτή, δημοσίευσε το βιβλίο "Αριστείδης Koλλia " Pantheon Books έκδοση του 2014.

Κ.Ρ. Traboini
5 Ιουλίου 2014

traboini@yahoo.com

Ditën e 70 vjetorit të lindjes së Arvanitasit të madh Aristidh Kola (1944-2000), me 8 korrik 2014 ora 11:00 para dite në Muzeun Historik Kombëtar organizohet përkujtimi i udhëheqësit e studiuesit të paharruar, vepra e të cilit e bën emrin e tij të pavdekshëm.
Veprimtaria organizohet nga Muzeu Historik Kombëtar dhe janë të ftuar studiues, historianë, akademikë, gazetarë dhe miq të Aristidh Kolës, shqiptarë emigrantë në Greqi që patën fatin ta njohin nga afër. Me kete rast botohet libri "Aristidh Kola" botim i Pantheon Books 2014.

k.p. traboini
5 korrik 2014
traboini@yahoo.com