Maks Velo: Pse jam antiverior e antimysliman
-Ju duket se keni padurim ndaj bedenave, miteve, Kanunit,
ndërkohë që flisni për vlerat e pazëvendësueshme të trashëgimisë. A mos e
keni fjalën për një trashëgimi vetëm të krishterë e posaçërisht
ortodokse, pra kishat e ritit bizantin, ikonat e afresket? A mos jeni
për një Shqipëri paraosmane? A nuk është kjo e pamundur?
Kështu si e bëni Ju pyetjen, sigurisht është e pamundur. Kur një
njëri numëron pasurinë e fillon nga ato më me vlerë, në fillim
diamantet, pastaj florinjte, pastaj eurot dhe në fund leket. Pasuria e
një kombi merr në konsiderate në radhë të parë ato me të çmuarat.
Kodikët e shekullit 6 dhe 9-të, Epitafi i Gllavenicës, ikonat ( mbi 5000
– je) dhe afresket (ndër to edhe ato të Rubikut ). Nëse këto janë
Ortodokse për mua ka pak rëndësi, këto janë sikurse janë katër B–të e
mëdhenj Budi, Buzuku, Bardhi dhe Bogdani.
Këto vepra që përmenda janë prodhim i Bizantit Ballkanik, atelietë
ishin lëvizëse nëpër manastire. Piktorët ikonografë lëviznin në gjithë
siujdhesën. Sot janë një baze për të bashkuar gjithë Ballkanin
Perëndimor drejt Europës. Por mos harrojmë MARUBIN e madh dhe shumë të
çuditshëm për nga moderniteti. Kanuni është një nga Opuset më madhore të
Drejtësisë Mesjetare, është një nga kodet bazë të drejtësisë botërore.
Është klasifikimi dhe kodifikimi i jetës se kaluar. Por duhet të mbetej
një Opus shkencor. Kur aplikohet sot në Veri, tregojmë se nuk kapërcejmë
dot Mesjetën. Ne po bisedojmë për Trashëgiminë, dhe nuk zgjidhen dot
kohët, epokat, territoret, por vlerat. Onufri është në kohën osmane, por
ka një iluminim perëndimor.
Mitet janë ëndrrat e popujve, pa to nuk deshifrohet dot historia.
BEDENAT? Kemi Kalanë e Shkodrës, të Lezhës, të Krujës, atë të Beratit dhe atë të Gjirokastrës.
Janë të dëmtuara dhe kur shkon sikur do të ikësh sa më parë, nuk po arrijmë dot t’i bëjmë të lakmuara.
E jeni antigeg ju, zoti Velo?
Jam antiverior, jo antigeg. Kur isha i vogël, në Korçë afër shtëpisë
ish një dyqan kinkalerish, i Geges, quhej. Pronari ish një plak i urtë, i
dashur, zemërgjerë, kështu do mbesin në përfytyrimin tim Gegët. Si
shegët me një lëng të kuq brenda dhe të bukura për të pikturuar natyra
të qeta. Shega ndofta edhe përfaqëson gegërinë. Vazhdoj të vizatoj prej
50 vitesh gratë me xhubleta, është ajo që më lidh direkt me kohët
homerike. Tani vijmë në Veriu. Fushë-Kruja, a e pe si stafi sigurues i
presidentit Bush i hoqi orën nga dora, nga frika se mos ia vidhnin
fushëkrujasit?
Laçi? Janë rrezuar ose dëmtuar 36 shtylla të tensionit të lartë, si
është e mundur? Vrasjet, edhe ditën e zgjedhjeve të 23 Qershorit të
kaluar? Bëj një listë sa kriminelë ka Laçi, Fushëkuqja, Lezha,
Shëngjini, Rrësheni, Bajram Curri etj., etj. Shkodra kish 10 vrasje në
6-mujorin e parë, asnjë në Korçë. Kriminelë kombëtarë dhe ndërkombëtarë.
Sa nga Veriu janë në burgjet shqiptare dhe të huaja? Veriu është bërë
tmerri i Europës.
Dukagjini kish mbjellë 115.000 rrënjë kanabis, gjuajti edhe policinë
dhe dëmtoi helikopterin. Kukësi nuk paguan energjinë elektrike, e
paguajmë ne për ta. Në Lurë kanë prerë gjithë pyllin. Tropoja ka mbi 150
vrasje, kanë vjedhur edhe një bankë në Angli. Vumë një verior, Berishën
dhe na shkatërroi me themel.
Dy janë treguesit kryesorë. Krimi dhe dëshira për punë. Ky bën edhe
bilancin. Pastaj më drejto pyetjen mua. Tani po ju drejtoj unë një
pyetje: sa janë veriorët, gegë?
Po antimysliman?
Po, jam antimysliman. Jam prej 500 vitesh. Kam qenë luftëtar krahas
Skënderbeut dhe jam vrarë nga hordhitë osmane. Islami nuk ka ardhur si
fe apostolike, paqësore në tokat e Arbërisë. Islami është fe që është
përhapur me dhunë. Islamin e sollën Hordhitë osmane. E shënova me H të
madhe se ato ishin hordhi të padëgjuara. Europa kish dëgjuar për
hordhitë e cingis Hanit, po ishin më të dëgjuar. Këta donin të
gjunjëzonin kontinentin e vjetër, kulturën më të përparuar. Dëmi i tyre
është kolosal. Dhe veçanërisht i yni. Osmanët për 500 vjet vetëm na
shkatërruan dhe shkretuan. Prandaj jemi sot kështu që nuk po e marrim
dot veten. Islami edhe sot është e vetmja fe e dhunës. Nga Afganistani
në Libi. Gjithë ajo hapësirë nuk gjen dot paqe. Dhe po tmerron botën.
Xhihadistët kosovarë na kanë poshtëruar si asnjë tjetër me Skënderbeun
monstër. Këtë nuk ua fal dot kurrë. Kanë 500 vjet që e urrejnë Heroin
tonë. Por nuk do të ngrihen kurrë dot mbi të. Nuk do të ndajnë kurrë dot
prej tij. Sepse ai është garancia që na bashkon me Europën, me
krishterimin. Prandaj ata duan ta presin këtë lidhje. Ata urrejnë dhe
fyejnë Nënë Terezën, që është shenjtorja jonë, filozofja më e madhe që
ka nxjerrë Ballkani. Ata duan shkatërrimin e çdo trashëgimie të
krishtere. Po mos ishin ata, Shqipja nuk do të ish një nga 5 gjuhët (e
vetmja gjuhë e një populli të vogël) në përkthimin e deklaratës për
formimin e Kalifatit. Nuk ka fyerje më të madhe për ne dhe për Shqipen.
Ata pretendojnë se Shqipëria është pjesë e Kalifatit.
Lavdërim Muhaxhiri, ish-mysliman kosovar, edhe 120 xhihadistët e
tjerë nga Kosova. Edhe ata në Maqedoni dhe në Shqipëri. Islami më tremb
se në mënyrë të papritur ka kthime mbrapsht në zona të errëta tmerri dhe
mizorish të padëgjuara. Asnjëherë nuk i dihet se ç’sjell.
Islami nuk të jep asnjë garanci. Unë dua dhe vlerësoj fetë paqësore. Kur Islami të bëhet i tillë, nuk do jem më anti-mysliman.
Ju e trajtoni kryeministrin Rama, apo mikun tuaj Edi Rama, si
shpëtimtar, por të mos harrojmë se shpëtimin e qytetit nga kioskëzimi e
pasoi me betonizimin. 1900 leje ndërtimi në 10 vjet janë dhënë nga Rama
kryetar Bashkie, sipas opozitës. Por edhe pa fjalën e saj, ‘Komuna e
Parisit’ për shembull, është pasqyrë e këtij dorëlëshimi në kaos…
Nuk duhet të jenë 1900. Me sa di unë janë afro 360, flas për objektet
kryesore. Megjithatë ka një pjesë të vërtetë në ato që shkruhen. Por Ju
nuk merrni parasysh dy gjëra: të tëra rregullat e shkruara e të
pashkruara për administrimin e territorit dhe për Tiranen në veçanti
ishin formuluar gjate viteve 1993 – 2000. Ish shumë vështirë të ndaloje
mendimin që u ngulit se kam një tokë, dua leje ndërtimi. E quanin
zhvillim të pronës. Sepse kjo ish mënyra e re e dembellëkut anadollak.
Jetoj me tokën. Është sanksionuar edhe në Kushtetutë. Dhe Rama bëri
lëshime, që nuk duhej t’i kish bërë. Tirana dhe Shqipëria është shumë e
vështirë për t’u qeverisur. Se e para ish mafia dhe jo parlamenti që
caktoi ligjet e veta. Kur them mafia nënkuptoj të gjithë ne. Një popull
që nuk do punën, do me patjetër shkeljen e çdo ligji. Po Rama ka kohë që
edhe ato që ka bërë gabim t’i korrigjojë. Këtë presim të gjithë.
Çfarë ju trishton më shumë në Shqipëri sa i takon profilit të saj arkitektonik? Çfarë është një gjë që nuk mund të zhbëhet më?
Janë dy. Kaosi urban dhe mungesa e çdo sensi estetik. Kjo e dyta
është më e rëndësishme: SENSI ESTETIK. Po nuk pate një intuitë estetike
je i marrë fund. Kjo vjen me një edukim mijëvjeçar. Ne, fatkeqësisht nuk
e patëm. Osmanët nuk e kishin. Të gjithë popujt orientalë nuk e kanë.
Ky është dëmi më i madh që pësuam në 500 vjet nga pushtimi osman.
Asgjësimi i nervit estetik. Pa të nuk bën dot asgjë: as qeveri, as
shtet, as qytet, as katund, as rrugë, as pyje, as lumenj, as ujqër, as
arinj. Në Europë edhe arinjtë kanë sens estetik. Sensi estetik është
ekuilibër, është vetërregullim, është frenim, është vajtje intuitive
drejt se bukures, është respekt, është adhurim. Neve kjo na mungon. Jemi
kaotikë, egërshanë, pushtues pa mëshirë, vetëshkatërrues. Nuk mund të
bëjmë dot asnjë fshat, asnjë qytet, palë pastaj një shtet për të qenë.
A e keni parë projektin e ri të qendrës së Korçës dhe a jeni
dakord me të, apo rreshtoheni me disa arkitektë nga Diaspora me origjinë
nga Korça, të cilët botuan një letër të hapur te MAPO kundër këtij
plani?
Nënshkruesit e protestës kishin parasysh vetëm një objekt që po
ngrihet në sheshin para Teatrit dhe jo gjithë projektin. Unë kam botuar
disa artikuj për këtë temë. Ndërtimi i atij objekti është i paligjshëm
sepse Juria Ndërkombëtare, pranoi projektin, por duke specifikuar që ky
objekt të mos ndërtohet. Bashkia ka bërë shkelje. 20 metra larg tij
është Hotel Grand–i, në katin e 8 të të cilit gati në të njëjtën lartësi
mund të bëhet një kafe panoramike. Ashensorët janë dhe jam ngjitur disa
herë. Është e njëjta pikë panoramike me atë që po ndërtohet. Përse
duhej ky dublim? Në kohën kur bërtasin se nuk kemi fonde dhe duhen
kursime, ato qindra miliona mund të ishin shpenzuar për të mbaruar
Muzeun e Artit Mesjetar.
Çfarë duhet bërë me trashëgiminë e socrealizmit në pikturë e skulpturë?
Duhet ruajtur me shumë kujdes. Ka shumë vepra nga një prodhimtari e
bollshme. Ajo kohë nuk përsëritet më. Duhen mirëmbajtur sidomos ato që
janë jashtë në natyrë: mozaikët dhe skulpturat. Po ashtu edhe piktura
dhe grafika që janë nëpër muzeume dhe koleksione private. Këto ditë çova
në shtyp një Album GRAFIKA E REALIZMIT SOCIALIST në SHQIPËRI. Besoj se
del deri në fund të muajit. Është një botim enciklopedik, me 149 autorë
dhe 970 vepra, vizatime, gravura dhe pllakatet. Është një punë
22-vjeçare, gravurën e parë e futa në dosje në vitin 1992. Aty shihet
puna kolosale që kanë bërë artistët, aftësitë profesionale, pavarësisht
shtrëngimeve dhe disiplinës partiake. E përmenda këtë për t’Ju thënë se
personalisht jam munduar që kjo trashëgimi të ruhet dhe mirëmbahet.
Vetëm atëherë mund të studiohet dhe interpretohet.
A ekziston shoqëria civilë në Shqipëri? Në kuptimin e një
trupi që i dhemb çfarë ndodh me vendin, jo një lukuni OJQ-sh që shqyhen
mes vedi për fonde, që me sa duket përfundojnë në një humnerë të
paditur?
Jo, nuk ekziston. Ekzistojnë disa gazetarë që herë mbas here ngrenë
probleme që shqetësojnë shoqërinë shqiptare, por kjo jep pak rezultat
sepse pushteti nuk i përfill. OJQ–ve u dhemb vetëm vetja e tyre, atë
“dhembkën” për vendin e kanë maskim. Ne si popull kemi të zhvilluar në
maksimum lojën teatrale, maskimin, hipokrizinë. Kështu janë të gjithë.
Pse OJQ-të do ishin ndryshe? Gjoja si të preokupuar ranë në copat e
majme të programeve europiane. Punojnë kur formulojnë ato programet e
kërkimit të fondeve dhe sa vijnë paret në bankë, mendojnë për herën
tjetër. të lodhur zhduken në ca ishuj të vetmuar. Problemet që nuk
zgjidhen kur ata i dinë mirë: jevgjit, fëmijët e rrugëve, homoseksualët,
dhe kondicionet e burgjeve.
Meqë europianët përloten shpejt, ata i kanë të gatshme skenat
mëshirëplota. Por po të besh një listë të ojeqevistëve e të shohësh
apartamentet, vilat, bizhutë dhe pasuritë bankare, kupton se ata dhe ato
janë gati të hanë edhe një tavë me mish njeriu pa iu bërë syri terr,
por ama OJQ-të nuk i lëshojnë.
Një prej librave tuaj me, le të themi ‘shqetësime
arkitektonike’, titullohet “Betonizimi i demokracisë”. Si do ta
krahasonit këtë me betonizimin e lirisë në komunizëm, domethënë me
mijëra bunkerë e vendstrehime të përhapura në gjithë trupin e vendit nga
diktatura e Hoxhës?
Duket sikur njëra dhe tjetra nuk kanë lidhje, domethënë “ betonizimi i
lirisë në komunizëm” dhe “betonizimi territorit në demokraci” nuk kanë
lidhje. Është e kundërta. Janë të lidhura si sëmundjet në trupin e një
njeriu. Betonizimi i lirisë është skleroza që solli betonizimin e
demokracisë. Se nuk mund të kesh demokraci kur liria që sjell ajo
shkatërron gjënë më të rëndësishme për një shtet, TERRITORIN. Bunkerët e
Hoxhës janë asgjë në krahasim me dëmin e vilave të fshatarëve që nuk
duan të quhen fshatarë); dhe pallatet e qytetarëve që duan të rrinë
gjithë ditën në kafe. Mbaj mend njëherë Berishën që po fliste i
entuziastmuar se kish parë gjithë ato ndërtime fshatarësh gjatë një
rrugëtimi. Nuk kuptonte Berisha se aty ish vdekja e shtetit, se ndërtimi
mund të transformohet në shkatërrim. Sepse ata fshatarë duhet të
jetojnë nëpër fshatra të grumbulluara (dhe jo veç e veç) dhe të
ndërtojnë banesa me tipologji fshatare një ose dykatëshe sikurse bëjnë
fshataret e Francës, Spanjës, Holandës, Anglisë…kështu foli edhe në
Sarandë, kur Saranda është shembulli më i tmerrshëm i dhunimit të një
dhurate të natyrës.
A mund të kishte një jetë të dytë për bunkerët, dmth a mund
të rifunksionalizoheshin si diçka tjetër, apo ‘privatizimi’ i tyre qe i
drejtë?
Po, mund të kish. Si dekor, si memorie. Francezët i ruajnë gjithë
bunkerët e Luftës së Parë Botërore në Normandi. Konservimi i memories
është një nga prioritetet e popujve të qytetëruar europianë. Duhet të
ish bërë një rikonjicion dhe përveç atyre që pengonin qarkullimin,
bunkerët e tjerë duhet të ishin ruajtur. Më vinte keq kur shihja që i
shkërmoqnin për skrap, për t’iu marrë hekurin. Vendstrehimet janë
ruajtur më mirë. Më kryesoret janë ky i Bllokut, i Gjirokastrës, i
Gramshit. Ato po mund të rivitalizohen.
A mund të jeni dakord me atë se ç’u ndërtua në periudhën e
Zogut, koha e dëshmoi si më të sigurtën, më estetiken dhe më
oksidentalen? Si përplaset kjo me narrativën që komunizmi desh të
nguliste rreth Zogut (nuk di pse mendoj se edhe ju do ta keni
përvetësuar një të tillë edhe pse jeni antikomunist) si oriental,
satrap, prapanik e të tjera si këto?
Po, por kjo vinte se ishin ndërtimet e para pas një letargjie
anadollake. U ndërtuan kryesisht me projekte austriake dhe italiane, ose
nga arkitektë shqiptarë që kishin studiuar aty. Kish hapësirë, pastaj
mos harroni se Shqipëria nuk ish as 1.000.000 banorë. Me e çuditshmja
ish se Zogu donte të bënte mbretëri mbi një katrahurë orientalotribale
mesjetarooksidentale-feudale. Mbretëritë kërkojnë popuj homogjenë. Ne
nuk ishim dhe nuk jemi të tillë. Prandaj dhe mbretëria nuk pati jetë të
gjatë. Po Mbretit Zog nuk ia mohoj ato që i ka bërë mirë.
Çfarë na ka mbetur me vlerë arkitektonike nga koha e Hoxhës?
Na ka mbetur Kinostudioja, që tani e restauruar bukur, shkëlqen sikur
është Pallati i Dimrit. Pastaj kemi Hyrjen e Kombinatit, edhe pallatet e
Lanës që duhen restauruar, Fakulteti Filologjik që po pastrohet, Muzeun
Historik dhe Pallatin e Kongreseve, si dhe “Mihal Durin”, po duhet
ruajtur edhe stacioni i Radios me antenën në Kashar. Pastaj kemi sheshin
“komunist” në Librazhd që u dëmtua nga hoteli i lartë që u ndërtua aty,
kemi Ersekën e padëmtuar, qendrën e Përmetit, klubin e Maliqit dhe të
Orikumit, Hotel Turizmi në Gjirokastër. Përmenda vetëm disa.
A mund të veçoni një numër ngrehinash në Tiranën e
tranzicionit, që janë estetikisht të bukura dhe kanë njëfarë etike në
raport me qytetin dhe njerëzit?
Po përmend Qendrën ABA, Rogner-in, Sheraton-in; Kulla e re e Belgëve,
(që Rama thotë është një nga 10 grataçelat më të bukura në botë), Ura
mbi Lanë e Belgëve, Fakulteti i Arkitekturës në Universitetin EPOKA,
Aeroporti NËNË TEREZA, TEG-u etj.
Nëse do t’i rifunksionalizonit uzinat, fabrikat, kombinatet e
kohës së socializmit shqiptar, çfarë do të bënit me to: jo vetëm në
kuptimin e biznesit, por sidomos të hapësirës publike apo urbane? Çfarë
do të bënit me qytezat e lindura pas ardhjes në pushtet të komunistëve,
domethënë me avanpostet ‘industriale’ të socializmit?
Fabrikat, uzinat, kombinatet kanë disa karakteristika dhe veçori që
të japin mundësi t’i përdoresh për shumë funksione. Sepse ato kanë
hapësira të mëdha, kanë lartësi dhe kanë dritë.
Kjo pyetje ka qenë shtruar për urbanistët dhe arkitektët edhe në
vende të tjera europiane, si në Francë, Angli, Gjermani. Ata ndoqën
politikën e konservimit të disave për të ruajtur tipologjinë dhe
adaptimit të shumicës me funksione industriale ose publike. Po marr një
shembull: Uzina e Instrumenteve të Precizionit në Korçë ishte një vepër e
përkryer si nga ana e arkitekturës, po ashtu edhe e konstruksionit.
Kish hapësira pafund, lartësi të shteteve, e realizuar me materialet më
të mira dhe me kualitet të lartë. Atje mund të ish bërë pazari, po ashtu
mund të ish futur stacioni i autobusëve dhe taksive. Mund të ishin
adoptuar edhe salla ekspozitash. U prish e tëra për qëllime abuzive.
Shembull i mirë në Tiranë është Profarma. Duhen shpëtuar ato që kanë
mbetur, pastaj duhen studiuar dhe adoptuar.
A jeni fatalist, a mendoni se kemi humbur gjithçka sa i takon pikëpamjes urbane apo arkitektonike?
Po, jam fatalist. I vetëm realitet i vërtetë në Shqipëri është
fataliteti. Këtë ma ka mësuar jeta e dhimbshme që kam kaluar. Kjo gjë që
ka ndodhur me ne nuk ka ndodhur në asnjë vend, në asnjë kohë, me asnjë
popull. Të shkatërrosh territorin në këtë shkallë me anën e ndërtimit.
Janë shumë që duhen prishur nga Shkodra në Konispol. Janë mbi 400.000.
Janë tërë qytetet kryesore: Tirana, Durrësi, Vlora, Saranda, Kruja,
Librazhdi, Prrenjasi, Shëngjini. Janë qindra mijëra gjatë arterieve
kryesore rrugore. A mund të jem optimist?
Çfarë duhet bërë me Piramidën?
Piramidën e prishi një regjisor teatri, atëherë ish këshilltari i një
ministri kulture. Nuk ka më të rrezikshëm se artistët kur ngatërrojnë
disiplinat. Atij i dukej se teatri ish gjëja më e rëndësishme në
Shqipëri. Janë harxhuar fonde për ta prishur kur ajo ish mirë e bukur.
Kish nevoje vetëm për një riparim sepse futej ujë dhe pikonte në salla
poshtë. Por nga funksioni ish perfekt, ish polifunksionale. Tani duhet
caktuar një grup pune për ta sjellë në gjendjen e parë. Kjo mund të
bëhet. Ne për fantazira shkatërruese jemi shumë të aftë.
Çfarë duhet bërë me magazinat apo ndërtesat karabina në
përdorim fragmentar që shtrihen në dy krahët e rrugës që të çon në
Kinostudio dhe Porcelan?
Sigurisht, kështu apriori nuk mund të sugjeroj gjë. Duhen studiuar me
kujdes, por ajo zonë ka një traditë artizanati dhe stacionesh
televizive, mund të përmblidhen edhe redaksi gazetash, shtëpi botuese,
shtypshkronja.
Çfarë mund të bëhet me Krujën që qyteti të rivitalizohet, të
rishpiket sepse duket se po vdes edhe si qendër urbane edhe si pikë
turistike?
Nuk është e vështirë të japësh mendime për Krujën apo për qytete apo
fshatra të tjera turistike, janë me dhjetëra. Do përmendja edhe Ersekën,
Leskovikun, Tepelenën, Delvinën, Vithkuqin etj., etj. Vështirësia
qëndron në zbatimin e tyre. Janë disa faktorë që japin dënimin ME
HARRESË. Ky është ndryshimi i modës së të jetuarit. Që të mbash një
qytet si Kruja në këmbë, do popull me ndjenja dhe etika të një shteti të
pasur. Nuk i kemi as njërën dhe as tjetrën. Nuk jemi aq patriotë sa
hiqemi.
A mund të jepni një ide për funksionalizimin e pikave që janë
gjithandej në vendin tonë, dhe ku janë zhvilluar episode të mëdha e
tragjike gjatë Antikitetit? Për shembull, janë disa beteja mes Çezarit e
Pompeut që nga Shkëmbi i Kavajës e deri në Llogara. A mund të
riinskenohet diçka në favor të historisë, trashëgimisë dhe turizmit?
Po është e njëjta pyetje si për Krujën. Të gjithë kur nisen për udhë,
mendojnë ku do të pushojnë dhe ku do të hanë. Asnjëri nuk interesohet
se çfarë ka ndodhur në këtë hapësirë gjatë historisë. Pastaj ka edhe të
tjerë që duan të ndërrojnë historinë. Ne bëjmë një luftë të padukshme,
të fshehtë, se nuk jemi popull homogjen. Të njëjtin fakt dy komunitete e
interpretojnë ndryshe. Kjo i vështirëson të gjitha, edhe udhëtimin.
Pastaj duhet të shpëtosh edhe kokën, se ata 3 studentët çekë që donin
këtë gjë, të njihnin malet, i vranë në Veri.
Na thoni një këshillë urbanistike që i keni dhënë kryeministrit Rama dhe ai ju ka premtuar se do ta realizojë?
Unë këshillat i kam dhënë me shkrime. Janë mbi 80 artikuj në 20 vjet.
Rama i lexonte të gjitha dhe më ka kontaktuar shpesh. Urdhrat e Ramës
për ndërtimet pa leje kanë edhe një kontributin tim të vogël aty. Rama
është një njëri që di të vlerësojë dhe respektojë çdo njeri që punon,
sidomos ata që janë idealistë dhe profesionin e duan vërtet.
06/shtator/2014 nga