E PSE JO NJË SHTET?
Nga Ismet HAJRULLAHU
E pse jo dy? Po sa? Një! E pse jo një? Po sa? Dy! Zakonisht ndejave pranë zjarrit të vatrës, netëve të mërzitshme e të plogështa të dimrit, është luajtur kungulleshkash me fëmijët. Ditëve të fundit disa analistë në Kosovë, të cilëve moti u ka kaluar dhe puberteti, të paktën ai fiziologjik, kanë filluar të luajnë kungulleshkash me çështjen kombëtare! Përmes shtypit ditor, me do artikuj që shpesh u përngjajnë shkrimeve seminarike, kanë marrë një nismë, disi të vështirë dhe po hyjnë në sallë provimesh me koncepte të papërtypura mirë. E për rrjedhojë bëjnë dhe autogol! Për të mos u zgjatur, shkas për këtë shkrim dhe për kundërpërgjigjen time, njëkohësisht, u bënë artikujt e B. Shalës, “E pse jo dy shtete?” (Zëri, 13 prill, 2010) dhe të H. Matoshit “Bashkimi me Shqipërinë” (Koha Ditore, 14 dhe 15 prill, 2010).
Të dy analistët kanë marrë përsipër të na e mbushin mendjen se ekzistenca e dy shteteve
shqiptare apo mosbashkimi me Shqipërinë, është për të mirën e shqiptarëve!
Argumentet e sjella nga ana e tyre për ta mbështetur tezën e mësipërme, fillojnë qe nga loja e kungulleshkës dhe deri te teori të ndryshme për shtetin dhe për kombin, por qe kanë prodhuar më shume konfuzitet se sa i kanë ofruar vetes dhe lexuesit qartësi dhe rrugëzgjidhje të çështjes në fjalë.
Thjesht e kemi pranuar ekzistencën e dy shteteve si zgjidhje për t’i dhënë fund sundimit të shovinizmit serb dhe për mbrojtjen e dinjitetit dhe të të drejtave themelore të mohuara të shqiptarëve në Kosovë. E kemi pranuar zgjidhjen e ofruar se nuk na është lejuar më shumë. Dhe së fundi, e kemi pranuar zgjidhjen e dy shteteve se nuk ka ndonjë vullnet politik, as kësaj ane dhe as asaj ane të kufirit për ndonjë debat a diskutim mbarëpopullor për një bashkim të mundshëm.
Ideja se ekzistenca e dy shteteve është interes jetik dhe strategjik i kombit shqiptar i sjellë nga analisti Shala, në mungesë të shtjellimit të argumentit nga ana e tij, na shtyn të mendojmë se me të njëjtën logjik ekzistenca e dy Gjermanive do të ishte sa jetike, aq dhe strategjike: Dy kombe gjermane në BE, dy kombe gjermane në OKB, dy kombe gjermane në NATO, dy kombe gjermane në FMN, dy kombe gjermane në OSBE, dy kombe gjermane në OTB, dy kombe gjermane në... Po me sa duket gjermanët vendosën t’i zhbëjnë e t’i shpërfillin këto interesa jetike se kishin vendosur ta “zvogëlonin” sferën e influencës përmes ribashkimit dhe kishin vendosur, sipas logjikës suaj dhe argumentit teorik që sillni për shtetin-komb, preferuan të ndjekin modele “marksiste-leniniste” të shtet-formimit dhe të zgjidhjes së çështjes kombëtare!
Bashkimi i dy Gjermanive, Z. Shala, ishte rezultat jo i dëshirës së komunitetit ndërkombëtar e në mënyrë të veçantë e fituesve të luftës së Dytë Botërore, Britanisë, Rusisë (ish-Bashkimi Sovjetik) dhe Francës, (me përjashtim të SHBA-së, e cila ishte mbështetësja kryesore e ribashkimit). Të tri ishin kundër, madje Britania, përmes znj. Thatcher, ishte kundërshtarja më e flaktë e bashkimit të dy “kombeve”. Argumenti i znj. Thatcher ishte se një Gjermani e bashkuar do të ishte më e fuqishme dhe do t’i prishte balancat e krijuara, do ta dominonte politikën evropiane ekonomikisht dhe në forma të tjera. Natyrisht, Gjermania përbën një shtet të fuqishëm, por nuk ka prishur balanca, përkundrazi vazhdon te kontribuojë në BE e në NATO, nuk ka shenja të revanshizmit ose të militarizimit. Mbi të gjitha, të mos harrojmë, ribashkimi i Gjermanisë shënoi fillimin dhe aktin e zgjerimit të BE-së përmes anëtarësimit të shteteve ish-komuniste. E pra, thënë hapur, siç juve s’ju pëlqen të flisni në shkrimin tuaj, zgjidhja njëherë e mirë e çështjes shqiptare do të kontribuonte në forcimin e paqes dhe të stabilizimit në Ballkan! Sa për argumentet e ofruara nga z. Matoshi, si fillim një këshillë, që gjithë kjo punë studimore e teorive të kombit, ndonëse e prezantuar vetëm nëpërmjet teorive, që ju shkojnë për shtat, te mos ju shkojë kot mundi, bëni ndonjë bibliografi e ua ofroni studentëve të shkencave politike, për të mos humbur kohë duke rrëmuar bibliotekat! Së dyti, z. Matoshi, ata që nuk mendojnë si ju dhe ndajnë të njëjtin opinion për mosbashkim me Shqipërinë, si fillim bëni mirë të hiqni dorë nga kategorizimet dhe emërtimet “komuniste” e “nacionaliste”, se atëherë ne duhet t’ju quajmë: tradhtarë! Një emërtim dhe një karakterizim, natyrisht i pabazë për figurën tuaj, nga se unë mendoj se ju njoh si patriot!
Së treti, se ne mbështetësit e teorisë së kombit-shtet, duke ju cituar ju “sillemi si kalamaj mbi kalin e Skënderbeut, duke kërkuar rrënjët e kombit si mit mesjetar, madje dhe në prehistori” është larg së vërtetës. Dhe meqë vetë na e keni servirur, nuk do të ishte keq që politikanë, analistë, e studiues, në radhë te parë të mësonin diçka e ndoshta pse jo të vepronin në fushën e diplomacisë, nga aleancat dhe aftësitë për të lidhur të tilla, nga heroi ynë kombëtar. Historia e kombit, me një ose dy shtete, ose dhe pa shtete, nuk fillon me mua, me ju dhe me z. Shala, as me klasën politike të së sotmes. Po fillon me ato rrënjët e përbuzura nga ana juaj, të cilat ju na i ktheni në koncepte mitike apo prehistorike nga pikëpamja kohore.
Në se një pjesë jona jetuaka në mitologji dhe në prehistori, mendoj se ju dhe z. Shala jetoni në një botë iluzive e deluzionare, teksa e shihni ekzistencën e dy shteteve si të vetmen mënyrë për ekzistencën dhe prosperitetin e kombit!
Infopress, 4 maj 2010