12 August 2015

Gjeneza e "Himnit të Flamurit" nga Ramadan Sokoli

Gjeneza e "Himnit të Flamurit"

 RAMADAN SOKOLI
[14 June 1920 - 12 March 2008]


Dihet se "Himnin e Flamurit" e ka kompozuar Ciprion Porumbesku (1853 - 1883) nga Moldavia në gjysmën e dytë të shekullit XIX, kur po studionte në konservatorin e Vienës. Atje, në kryeqytetin e ish-perandorisë austro-hungareze u këndua nga një grup koral i studentëve të shoqatës Rumani June (Rumani e Re) Himni "Pe-al nestin steag", himn që ushtroi një ndikim të madh gjatë përpjekjeve të popullit rumun për pavarësi dhe që më vonë u bë himn kombëtar i tyre. (Pas çlirimit, rumunët e zëvendësuan me një himn të ri).
Po të kërkojmë burimin e motivit të këtij himni, mund të gjendet shumë më larg. Siç do të shihet më poshtë, motivi i këtij himni i ka prindët ndër disa balada kolorsiake të hershme, ndër disa këngë të punës si dhe ndër disa këngë patriotike të traditës gjermane. Gjendet gjithashtu në disa këngë punëtorësh të traditës çekosllavake. Dëshmitë më të hershme për këtë motiv janë hasur në traditat gjermane. Së pari, në një baladë epike të shekullit XVI me titull "Es spielt ein Ritter und einer Magd" (Shembull muzikor Nr.1)
Të njëjtin fillim anakruzik me shkapërcim në kuarte, të njëjtin arpezh tonesh në kuintakordin e tonikës që vjen si një këngë apo si himn, motiv të cilin në këto përmasa mund ta gjejmë në vepra madhore sinfonike. Rëndom një motiv i huaj mund të shfrytëzohet me dashje, por si citat, anasjelltas rastis rëndom që një autor pa dashje, e si të thuash pa vetëdije, përsërit diçka të krijuar nga tjetërkush. Ndërkohë për shkak të lajthitjeve të kujtesës pandeh se ka krijuar diçka të re.
Ramadan Sokoli në moshë të re
Ka edhe raste ku nuk çalon kujtesa, por ndërgjegja e vetë autorit që ngatërron me dashje krijimtarinë e mirëfilltë me punën e kopsistit (fjala krijimtari këtu nuk ka ndonjë vështrim metafizik të shpikjes nga hiçi). Askush nuk lind i ditur, por mëson diku në ndonjë shkollë ose nga ndonjë mjeshtër, duke përfituar nga përvoja si dhe duke pësuar pak a shumë ndikimin e tyre. Elementët e ndikimit të shkollës ose të mjedisit të huaj përligjen deri diku në punimet e autorëve të rinj, por ndërmjet imitimit dhe krijimtarisë së mirëfilltë ka një shkallëzim të gjërë që shkon nga stili origjinal deri tek ajo dobësi që quhet "plagjiaturë". Sesi duhet kunduar rasti në fjalët ndikim i mjedisit të studimeve apo përvetësim i pjesshëm, imitim i vetëdijshëm, reminishencë e rëndomtë, apo diçka tjetër, sikush le ta gjykojë ashtu si t'i duket më e arsyeshme. Gjithsesi Himni i Flamurit kompozuar nga Ciprian Porumbesku qëndron si kompozim, pavarësisht se ndërtimi i gjymtyrës kryesore që përbën gjysmën e temës së parë, është pothuajse i njëjtë me motivin steriotip të atyre këngëve të hershme gjermane që u cekën më lart, dhe se pikërisht nga kjo temë e huazuar zë fill shtjellimi i këtij himni.
 
Përpjekjet e rilindasve për të shkruar një himn shqiptar

Përpjekje për të shkruar një himn shqiptar ka patur edhe nga poetë dhe muzikantë patriotë, që gjatë Rilindjes Kombëtare iu digjej zemra dhe shpirti që kombi ynë i stërlashtë të kishte shtetin e vet dhe gjithçka që rrjedh prej tij, si flamurin, himnin kombëtar. Pra, simbolet e një shteti.
Nga këto vjersha, me pathos po citojmë njërën prej tyre që është:

O flamur i Shqipërisë,
Ti je ndera e gjaku i jonë
Sot u ngrite në Vlorë
Udhërëfyes i trimërisë
Mbi ty Shqipja hapi fletët
U bashkua me ty Shqipëria
Qoft'e lirë si ti përjetë
E madhnoftë Perëndia
Sytë si dielli të lëshojnë rreze
Shqipninë anembanë shiqoje
Prej Tivari e te Preveza
Shpejt hap krahët e mbroji
Shqipe ngreje djelmëninë
T'ipet zani e kushtrimi
Se anmiqtë e Shqipërisë
E shkelnë, burra ku ini!
Merr Flamurin ndër thonj shqipe
Gjithë trimije të vrullojë
Përmbi male, brigje hype
Kufinit jashtë armiqtë dëbo!

Këtë vjershë e muzikoi Thanas Floqi, i cili në jetëshrkimin e tij ka shënuar se asokohe e këndonin përditë në Vlorë dhe më poshtë ka shprehur keqardhjen që "s'e përdorëm për himnin e flamurit tonë". Shtojmë se, ndërkohë për këtë flamur janë përshtatur e janë përhapur edhe këngë të tjera, por asnjëra syresh nuk arriti të zgjidhej si himn kombëtar i miratuar me dekret shtetëror. Përshembull, shih a) Hil Mosi: (Libër këngësh botuar në Vlorë më 1925 f. 80), gjithashtu Gaqo Avrazi dhe Zoi Xoxa, me pëlqimin e Këshillit të Ministrisë, së atëhershme e cila vuri në dispozicion shumën e çmimit, shpalli një konkurs së pari, për tekstin e një himni të ri, duke ftuar për pjesëmarrje (kundrejt një shpërblimi prej 2000 franga ari për fituesin) të gjithë shkrimtarë shqiptarë.
"Lidhja e "Himnit të Flamurit" me një çmim tingëllues të hollash është një frymëzim i pafat"
Më poshtë do të shihet përse u shpall ky konkurs i njëanshëm (vetëm për tekstin) kur dihet se ky himn sa në tekst aq edhe në muzikë nuk është origjinal shqiptar. Rev/"Java", vël. I, 24 prill 1937. "Shumëkush e gjeti të pavend shpalljen e atij konkursi dhe filloi të kritikohej mendimi i komisionit qoftë në biseda të lira andej-këndej qoftë nëpërmjet letrave në redaksitë e gazetave dhe të revistave. Ndësa shtypi i asohershëm në fillim u rezervua të shkruante: "rreth kësaj pike delikate".
Së pari, guxoi të shfaqte mendimin haptazi revista "Përpjekja shqiptare", e cila në numrin 7 të vitit 1927 f.24. nxorri këtë shënim: "Duhet të pohohet se lidhja e Himnit të Flamurit me një çmim tingëllues të hollash është një frymëzim i pafat. Nuk na e merr mendja se do të gjendet sot një poet shqiptar që të pranojë të shpërblehet me një çmim franga ari për një vepër të tij që do të caktohet si Himni i Flamurit.
Ky parashikim i redaksisë së asaj reviste nuk u vërtetua, siç do të shihet më poshtë. Sodoqoftë redaksia e revistës së lartpërmendur shfaqte mendimin se Himni i Flamurit nuk mund të ndryshohet, sepse Himni i Flamurit ashtu siç është sot, u bë pronë e kombit. "Iu fut në gjak". Ky himn, i brymosur me ndjenjën patriotike dhe intelektualëve të pragut të Pavarësisë, krijoi kushte dhe rethana historike, duke u ngjizur me këtë frymë patriotike. Prandaj, kështu siç ish sipas tyre i përgjigjej më fort kushteve historike të vendit tonë, kur nevojitej si asnjëherë tjetër bashkimi kombëtar.

Mbi flamurin tonë është shkruar bashkim
Poeti Dr.Lasgush Poradeci, në artikujt e tij, ballafaqoi poezinë e Bersanit (të përkthyer nga vetë ai në gjuhën shqipe), me përshtatjen e Asdrenit.

Mbi flamurin tonë

(Zaharia Borsan)

Mbi flamurin tonë është shkruar bashkim

Bashkim në vetëdije dhe në ndjenja,
Dhe nënë hijen e tij të madhërishme
Do përballim çdo goditje.
Në luftën e rëndë trembet ai
Që vetë është i arratisur
Po ne të bashkuar në çdo kohë
Do jemi, do jemi mundës.
E armatosën dorën tonë
Që të mbrojmë një vend të shtrenjtë
E drejta jonë është zotëronjëse
Dhe qëllimi jonë i shenjtë.
Dhe në librin e përjetësisë shkruan
Se shumë kombe do humbasin
Po Rumania jonë e shtrenjtë
Përjetë, përjetë do lulëzojë
Ja edhe teksti i mëposhtëm sipas Asdrenit


Rreth flamurit të përbashkuar

(Asdren)

Rreth flamurit të përbashkuar

Me një dëshirë e një qëllim
Të gjithë atij duk'iu betuar
Të lidhim besën për shpëtim.
Prej lufte veç ay largohet
Që është lindur tradhëtar
Kush është burrë nuk frikohet
Por vdes, por vdes, si një dëshmor.
Në dorë armët, do t'i mbajmë
Të mbrojmë atdhenë në çdo kënd.
Të drejtat tona ne si ndajmë
Këtu armiqtë s'kanë vend.
Se zoti vetë tha me gojë
Që kombe shuhen përmbi dhe.
Po Shqipëria do të rrojë
Për të, për të luftojmë ne….

 
Përpjekjet për një himn origjinal, me ngjyra kombëtare


Gjatë historisë së himnit tonë, ka patur vazhdimisht ide dhe mendime të intelektualëve, që për hir të krenarisë kombëtare, kanë shfaqur vazhdimisht ide për ta patur himnin tonë origjinal, me ngjyra kombëtare dhe të mbështetur në motivet e traditës sonë kombëtare me tekst dhe muzikë. Kjo kërkesë e natyrshme, por dhe e domosdoshme u bë objekt diskutimesh në kuadër të 25-vjetorit të pavarësisë, në vitin 1937. Për këtë arsye, u ngrit një juri, e cila, pasi shqyrtoi vjershat e 76 pjesëmarrësve, zgjodhi vetëm dy syresh, të cilat ia paraqiti Komisionit Qendror. Anëtarët e këtij komisioni u zunë ngushtë, sepse nuk po dinin për cilën nga ato dy poezi të vendosnin. Siç shkruante me këtë rast gazeta e Korçës (12 gusht 1937) për njërën syresh u shprehën se ishte "një chef d'oeuvre sublime, majestouz", kurse tjetra ishte popullore. E para, kishte fantazi sublime extraordinaire", por ishte shumë e vështirë për veshin e popullit, në vend që tjetra ishte në një gjuhë që mund t'i pëlqejë vulgut, por nuk e dhanë definitivisht mendimin e tyre.

Nuk po zgjatemi me prapaskenat dhe me dallaveret e këtij konkursi, për të cilat nuk heshti as shtypi i asokohshëm (shih Gazeta e Korçës, datë 1 shtator 1937), por po kufizohemi të vëmë në dukje, se pasi u zgjodh, më në fund vjersha e nënshkruar me pseudonimin "Osua i ri" (Beqir Çela), mbetej për të menduar për muzikën e saj. Për këtë qëllim pritej që të vinte një kompozitor i ftuar enkas nga Italia. Me të drejtë redaksitë e disa revistave të lënduara në sedrën kombëtare, u acaruan dhe shpërthyen me një sërë artikujsh interesantë nga kjo pikëpamje. Ja për shembull, se çka shkruante "Gazeta e Korçës" më datën 19 gusht të vitit 1937: "Komisioni për kremtimin e 28 Nëntorit po bën një padrejtësi të madhe ndaj kompozitorëve tanë. Marrim vesh me hidhërim se melodia, muzika, do t'i besohet një të huaji. A nuk është turp që iu japim një shuplakë kaq të fortë kompozitorëve tanë? Dhe ata të gjorët se meritojnë, se megjithë shpërfilljet dhe dekurajimet prapëseprapë janë munduar të përhapin muzikën ndër ne, t'i japin vendit tonë një faktor qytetërimi. Të paktën, më thosh një mik, të bëjmë një konkurs internacional dhe të pranojmë dhe kompozitorët tanë në atë konkurs, për një këngë apo një himn, por edhe një vepër madhore me përmasa sinfonike. Këto krijime u ekzekutuan gjatë një mbrëmjeje nga orkestra frymore e kryeqytetit.
Pra, ndryshe nga sa thuhet në një enciklopedi të huaj, u ekzekutuan nga një kor vashash shqiptare në prani të vetë autorit (shih Enciklopedia della Musica-Rizzilo Ricordi Milano 1972 vëll. IV. Fq. 130.) Ekzekutimi u bë në sallën e Bashkisë në prani të komisionit të katër himneve të kompozuara nga konkurentët Luigj Filaj (1898-1978), Kristo Kono (1907-1991) Pjetër Dungu (1907-1989) dhe E.A.Mario (pseudonimi i poetit dhe kompozitorit italian Xhovani Gaeto 1884-1961, autor këngësh shumë të përhapura asokohe nëpër Itali, ndër të cilat spikat veçanërisht ("Legjenda del Pive" kompozuar më 1918) i ardhur enkas nga Italia. Siç parashikohej konkursin e fitoi ky i fundit. Një faksimile e himnit të zgjedhur u botua asokohe në gazetën "Drita" dhe në revistën "Java" Nr.28 të vitit 1937, ku pranë firmës së kompozitorit si për ironi është shënuar qartë edhe data e vitit fashist (E.A. Mario, Tirana 11-octobre, 1937. XV). As me këtë rast nuk heshti "Gazeta e Korçës, e cila shkruante: "Siç duket Himni i Flamurit u pranua nga qeveria dhe pritet të dalë urdhëri përkatës për t'i detyruar shqiptarët ta pranojnë himnin kombëtar. Himni i vjetër që simbolizonte vetëamëshimin për lirinë e atdheut quhet i papërshtatshëm! U bë mirë ose jo, do të gjykojë historia. Neve sot nga shtyllat e kësaj gazete urojmë që shembulli i ndërrimit të himnit kombëtar të mos përsëritet dendur"… Me këtë rast nuk mungoi ndonjë kritikë e butë në drejtim të himnit fitues (shih Luigj Fitaj: Dy fjalë mbi Himnin e ri në revistën "Java" më 31 tetor 1937.

"Himni Kombëtar i Flamurit të bashkuar dhe gjeneza e tij", sipas Poradecit

Pothuajse pesë vjet më vonë, domethënë gjatë vitit 1942, poeti ynë Lasgush Poradeci (ish-sekretar i përgjithshëm i kolonisë shqiptare të Bukureshtit botoi në 14 numra të fletores "Tomorri" artikullin me titull: "Himni Kombëtar i Flamurit të bashkuar dhe gjeneza e tij". Përmes këtij artikulli, ai tregonte me ç'kritere e sajoi Asdreni himnin e lartpërmendur pas shpalljes së Hyrrijetit, domethënë më 1908. Ky atdhetar i shquar mbajti me atë rast një fjalim të gjatë dhe nxorri vjershën të frymëzuar të cituar më sipër.
Polemikat për himnin e flamurit në shtypin e kohës vazhduan. Sidomos në numrat e gazetës "Java", e cila në numrin 21 (gusht 1937) shkruante për këtë çështje: "Një herë bëhet himni. Prandaj ne jemi të mendimit të mos e ndryshojmë se historia nuk ndryshohet"… Dhe në numrin 23 të po atij viti nën titullimn: "A duhet ndryshuar Himni i Flamurit" shtonte: "Eshtë e vërtetë se himni i sotshëm i flamurit tonë është një kopjim i një himni të huaj. Por a thua se kjo formon një asrye të fortë për zëvendësimin e tij?" Pra edhe redaksia e kësaj reviste e shihte si të panevojshëm zëvendësimin e Himnit të Flamurit, sepse "ky himn ka udhëhequr sa e sa ëndrra dhe entuziazmuar shpirtëra", sepse ka ringjallë kujtime përpjekjesh që përbëjnë një burim për atdhedashurinë, sepse ka rrënjë të thellë në zemrat shqiptare dhe këto zemra do të ndjejnë dhimbjen më të madhe kur të lëndohen e të shkulen ato rrënjë". Gjithashtu e një mendjeje me redaksinë e revistës së lartpërmendur ishte edhe Gazeta "Korça", e cila në numrin e 12 gushtit të vitit 1937 shkruante se…është gabim ndërrimi i Himnit të Flamurit me tjetër të ri, i cili disi i mirë qoftë kurr nuk mund të ngjallë atë entuziazëm të flaktë patriotik të të parit. Po kjo gazetë, në numrin e 23 gushtit të atij viti shkruante: "Himni ynë i vjetër i flamurit duhet të mbetet si kujtim historik dhe si simbol i luftërave për liri. Asnjë himn tjetër nuk mund ta zërë vendin e tij, duke hyrë në shpirtin e popullit, si ka hyrë marshi "Rreth flamurit"… Dhe do të jetë gabim i madh që kjo këngë e bukur patriotike, e cila që prej 30 vjetësh po entuziazmon zemrat e shqiptarëve të zëvendësohet zyrtarisht me një himn të ri". Për më tepër Gazeta e "Korçës", në numrin e 1 shtatorit të atij viti botoi një artikull të gjatë prej 5 shtyllat nën titullin: "Si varroset një himn që këndohej me një burrëri në kohërat e robërisë dhe të gjakut e vendin e tij e zë një tjetër i thurrur në kohë paqeje". Ndër shtyllat e kësaj gazete u botuan edhe këto fjalë të një veterani. "Himni i Flamurit të mos ndërrohet pse ai u thurr në kohën e robërisë kur gjaku shqiptar vlonte për liri, kur populli shqiptar zuri të ndjejë kombësi, njëjësi e vëllazërim". Është me interes të ndalemi e të shoshisim disa ide dhe pikëpamje që u parashtruan edhe aso kohe në shtypin e vitit 1937.

Pak histori nga formimi i himneve të huaja

Dihet se himnet kombëtare janë si të thuash përfaqësimi poetiko - muzikor i popujve përkatës, ashtu siç janë stemat dhe flamujt përfaqësimi i tyre figurativ. Në përgjithësi, gjeneza dhe përhapja e tyre lidhet me ndonjë ngjarje historike të shënuar për jetën e kombit, por ndonëse disa syresh kanë lindur në rrethana lëvizjesh politiko-shoqërore të rëndësishëm, krahas himneve origjinale të kompozuara qëllimisht në rrethana të përcaktuara nuk mungojnë himnet e përqafuar më vonë të huazuar nga vende të ndryshme. Mjafton të përmendim si shembull, në Francë, më 1817 ka patur edhe raste përshtatjesh të tilla si himni i Rusisë cariste kompozuar mbi fjalët e dy strofave të shkruara nga autorë të ndryshëm konkretisht më parë u shkrua strofa e dytë nga P.Cajkovski më 1814 dhe pastaj 20 vjet më vonë, u shkrua strofa e parë nga Aleks Lëoft (1799-1870) me urdhërin e Car Nikollës së parë. Këtë himn e nxorri jashtë përdorimit Revolucioni i Tetorit më 1917. Vjersha e himnit grek ka qenë shkruar më 1823, ndërsa muzika e tij u kompozua pas afro 20 vjetësh nga Nikolaes Manxaras. Mund të përmendim shumë himne kombëtare të kompozuar nga autorë të huaj, për shembull himni zyrtar i Spanjës, i cili u zëvendësua pas vitit 1931, ka qenë kompozuar nga një autor anonim gjerman, ndërsa himnin e SHBA e ka kompozuar një autor anglez. Përveç këtyre mund të përmendim himnin e Bolivisë, kompozuar më 1845 nga italiani Bente Vincenti. Dikur Egjipti pat përshtatur si himn një marsh instrumental të kompozuar më 1871.
Ndër shembuj të njohur mund të përmendin rastin e himnit kombëtar hungarez, i cili dikur zëvendësoi marshin e Rakocit, pas një konkursi të shpallur më 1842 e të fituar nga kompozimi i Franc Erkilit (1810-1893). Theksojmë se edhe ky kompozim ka qenë zëvendësuar fill pas dy vjetësh nga një tjetër himn i zgjedhur nëpërmjet një konkursi zyrtar. Disa himne kundruar nga pikëpamja e hijëshisq së tyre nuk paraqesin vlera të mëdha artistike, madje mund të mos kenë shumë vlera as si krijimtari origjinale. I tillë është rasti i himnit polak kompozuar nga Kuprinski, duke shkëmbyer një nga ariet e operas frenge "Le secret" të Y.P.Solie (1796). I tillë është gjithashtu rasti i himnit kombëtar portugez kompozuar më 1822 nga Don Pedro I. Theksojmë se ngrehina e këtij himni shtjellohet porsi ariet e vjetra italiane ku për më tepër dallohet një frazë e tërë (Viva, viva, viva e Rey) krejt e njëjtë me atë të himnit kombëtar grek.
Në miratimin dhe në vlerësimin e disa himneve, kanë ndërhyrë edhe faktorë subjektivë, madje nganjëherë në mënyrë vendimtare. Rëndom vetë efekti i tyre emocionues kushtëzohet më fort nga rrethanat se sa nga cilësitë përkatëse. Sidoqoftë dihet se shumë himne kombëtare kanë ushtruar ndikime të rëndësishme si në kohë paqeje ashtu edhe në kohë lufte. Bukur e pat thënë Viktor Hygo se, "gjysma e fitoreve franceze i detyrohet Marsejezës". Me të drejtë mallëngjehen veteranët, luftëtarët e një ideali kur dëgjojnë këngët që dikur këndoheshin në rrethana përpjekjesh historike, sepse ato këngë u kujtojnë ditët e betejave e të flijimeve për liri, u kujtojnë çastet e gëzueshme të fitoreve, sepse në ato këngë gjejnë vetveten dhe shokët e luftës. Edhe tek ne, është e kuptueshme lidhja e disa veteranëve me Himin e Flamurit që i bashkonte "me një dëshirë, me një qëllim". Ky himn që lidhet me rrethana historike aq të rëndësishme për vendin tonë, ashtu si sa e sa këngë patriotike të huazuara pa qenë si një armë e fortë politike.
Sosëm, pothuajse në mbarim të "ekskursionit" rreth historikut të himnit tonë të flamurit, meqenëse ky historik vijon ende. Prej vitit 1956 e këtej, tri herë është shpallur konkurs për një himn të ri, meqë vetë sedra kombëtare kërkon që mospërfaqësohemi me një krijim të huazuar. Mjerisht nuk u zgjodh asnjëri nga konkuruesit e shumtë, sepse kërkohej e pritej diçka më e goditur. Në këtë dështim ndikuan padyshim edhe ngatërresat e prapaskenat partiake të zgjedhës komuniste. Sidoqoftë, nëse ndërkohë shpata e Liktorit dhe ylli pesëcepësh u hoqën nga flamuri ynë si simbole të huazuara, vallë a duhet të pranojmë një himn kombëtar tërësisht të huazuar? Urojmë që botimi i këtij shkrimi të shërbejë si nxitje për një himn të ri të kalitur në kullën e zjarrit të përvojës sonë. Që të jetë zëri kushtrimor i zemrës së popullit tonë e që të përshkohet nga afshi i kësaj zemre të madhe. Shkurt, të jetë i gatuar me intonacione kombëtare që të prekë ndjenjat e dëgjuesve shqiptarë.
Edhe gjashtë vjet na ndajnë nga 100-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë. Do kisha shumë dëshirë dhe uroj që në këtë përvjetor të 100, kombi ynë të ketë himnin e tij me poezi dhe muzikë shqiptare.

2006