Deputetë shqiptarë të lidhur me mafian ruse dhe trafikun e drogës - Raporti sekret i OSBE:
Raporti i dytë i OSBE-së i publikuar në media flet për lidhje të
deputetëve shqiptarë me mafian ruse dhe trafikun e drogës e krime të
ndryshme.
Shumë prej këtyre informacioneve nuk kanë burim median pavarësisht se
OSBE këmbëngul se raporti është për informacion të brendshëm për ato që
qarkullojnë nëpër media.
Nga 31 deputetët biznesmenë të palarmentit shqiptar, të përmendur në
raportin konfidencial të OSBE, mjaft prej tyre thuhet se e kanë ndërtuar
pasurinë e tyre mbi aktivitete të dyshimta apo nga burime po të
dyshimta ose të panjohura. Ata dyshohet se janë të përfshirë në trafiqe
të paligjshme apo aktivitete të krimit të organizuar.
Raporti konfidencial i OSBE (Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim
në Europë), që lapsi.al po e boton ekskluzivisht, flet me emra konkretë
për deputetë e politikanë të të gjitha niveleve dhe të gjitha partive
politike që dyshohen për lidhje kriminale deri tek grupet mafioze në
vend dhe jashtë tij.
Ajo çfarë raportohet në këtë raport të hartuar nga njësia për çështje
politike dhe publike e OSBE, është bazuar tek burimet e hapura, si
internet apo gazetat dhe në disa raste në komunikimin direkt me njerëz
të afërt me deputetët, politikanët në përgjithësi dhe persona që kanë
akses në informacione të klasifikuara “Top Secret”.
Janë të dhëna që tregojnë se si deputetët e politikanët “tentojnë të
ivestojnë në biznese fitimprurëse dhe të vështira për t’u gjurmuar, si
ndërtimi, arsimi, industria minerare, hidrocentralet, shërbim
shëndetësor, media apo pasuri të patundshme”.
Se si ata, “për të shmangur hetimet, pjesën më të madhe të të
ardhurave kalojnë përmes filtrave të pastrimit të parave dhe i
regjistrojnë në emrat e të afërmve apo bashkëpunëtorëve të ngushtë”.
Në pjesën e publikuar një ditë parë, raporti evidentonte rastin e
kryeministrit Edi Rama, për të cilin thuhej se ka një pasuri prej afro
200 milionë eurosh, të cilën e ka investuar në kompani offshore në SHBA
përmes vëllait të tij, Olsit.
“Pastrimi i parave -thuhet në raport- është një aktivitet shumë
fitimprurës dhe për vite me radhë Shqipëria ka qenë një parajsë për
krimin ndërkombëtar në këtë drejtim”.
Shumë nga biznesmenët e lidhur me aktivitete të paligjshme, krimin e
trafiqet, kanë hyrë në politikë për të mbrojtur investimet e tyre, për
të shtuar pasurinë duke përdorur pozicionin e tyre dhe për të marrë
tendera publikë.
Ka një grup tjetër biznesmenësh të politikës, të cilët kanë ndjekur
rrugën e kundërt. Ata janë bërë biznesmenë përmes aktivitetesh të
fshehta, duke përfituar nga pozitat e tyre apo nga abuzimi me detyrën.
Është një zinxhir biznesmenësh, politikanësh e kriminelësh që
investojnë për politikën për të ruajtur apo për të shtuar të ardhurat e
tyre dhe hyjnë në politikë për të gjetur strehë.
Si shembull i kësaj, në raportin konfidencial të OSBE thuhet se, një
burim pranë deputetit socialist Sadri Abazi ka pranuar se ai investoi
800 mijë euro në fushatën elektorale të PS në Dibër dhe i dha Partisë
Socialiste 500 mijë euro të tjera që të gjente një vend të sigurtë në
listën e kandidatëve për deputetë të vitit 2009. Dokumenti i OSBE e nis
pikërisht me këtë deputet, një prej më të pasurve në Partinë Socialiste
dhe me lidhje të forta me drejtuesit e saj. Por ai flet edhe për dyshime
se një prej deputetëve më të fuqishëm të Partisë Socialiste është i
lidhur me mafian ruse.
Sadri Abazi (PS): Aktivitetet kryesore të Abazit
janë ne ndërtim, turizëm dhe prodhimin e duraluminit xhamit. Ai është
pronar i Kompanise Usluga, një distributor kryesor i xhamit,
duraluminit, materialeve të ndërtimit dhe hidroizolimit, investimit dhe
zhvillimit të pasurive, arredimit e pronar i agjencive imobiliare dhe
aktiviteteve te asiciuara. Ai pretendon se ka diplomë të IRU nga
Akademia e Gjenevës, e cila në të vertete është një institut trajnimi
(Unioni Ndërkombetar i Transportit Rrugor). Lidhjet e tij të forta me
liderët e PS i kanë siguruar mbrojtje dhe fshehje të aktiviteteve
kriminale të kompanive te tij. I krakterizuar nga një arrogancë ekstreme
dhe një tendencë për shantazh, ai është gjothnjë nën shoqërinë e
vëllëzërve të tij, te cilet janë shumë agresivë. Pasuria e tij
përllogaritet në rreth 100 milionë euro.
Anastas Angjeli (PS): Pronar i Universitetit
Mesdhetar. Babai i tij është me origjinë greke dhe karriera e tij
politike është sponsorizuar nga lobi grek prej vitit 1992. I përfshirë
në aktivitete ekonomike me greqinë, thuhet se ai ka qenë i përfshirë në
kontrabandën e naftës Greqi-Shqipëri-Jugosllavi në vitet 90. Ai ka qenë
një prej sponsorve kryesorë të marrëveshjes mes Greqisë dhe Shqipërisë, e
cila i garantoi një kompanie greke monopolin e depozitave te naftës në
portin e Durrësit.
Agron Çela (LSI): Pronar i klubit të futbollit
Vllaznia dhe ndërtues, tregtar karburantesh dhe pronar
restorantesh. Thuhet se ka qenë një prej bosëve të kontrabandës së
naftës me ish-Jugosllavinë.
Tom Doshi (PS): Ai mendohet se ëahtë një ndër
njerëzit më te pasur të PS-së dhe si sponsori kryesor i fushatave
elektorale të PS, agresiv dhe i dhunshëm (ai është përmendur në Raportin
e Departamentit të Shtetit të SHBA për goditjen e një gazetari në hotel
Sheraton). Burimi i vërtetë i pasurisë se Doshit është i lidhur me
trafikun e drogës, zhvatje dhe kontrabandën e naftës me
ish-Jugosllavinë. Ka qenë i persekutuar gjatë diktaturës komuniste. Ka
lidhje të forta me krerë të mafias në Shqipëri. Aktualisht thuhet se ai
është pas disa kompanive të importit të barnave dhe ka aksione në më
shumë se një spital privat. Sipas deklarimit të pasurisë në ILDKPI në
2010 ai përfitoi 4 milionë dollarë nga shitja e një kompanie
farmaceutike. Të ardhurat i investoi më pas në pasuri të patundshme në
Australi (ai ka nënshtetësi australiane), në blerjen e aksioneve në një
kompani të tregtimit të naftës dhe të antibiotikëve. Sipas një
kabllogrami të Ëikileaks të vitit 2009, Doshi ka një pasuri të deklaruar
ne më shumë se 15 milionë euro dhe dyshohet për trafik droge.
Agron Duka (PR): Ish-Ministër i Bujqesisë me biznese
në fushën e prodhimeve ushqimore, ndërtim dhe eksport-import. Dyshohet
për evazion fiskal me shmangien e taksave në vlerën e rreth 30 milionë
eurove. Thuhet se ka lidhje të forta me grupe kriminale ne Shijak,
Durrës e Vlorë.
Mark Frroku (PKD): Në 2013 Frroku deklaroi 1.4
milionë euro të ardhura nga shitja e aksioneve të një kompanie
bastesh. Media belge raportoi në janar 2014 se Frroku ishte akuzuar për
vrasje dhe i dënuar me 10 vjet burg. Thuhet se Frroku ishte i lidhur me
shfrytëzimin e prostitucionit, trafikimin e qenieve njerëzore dhe
trafikun e drogës. Vëllai i tij, Arben Frroku, u akuzua nga autoritetet
shqiptare për vrasjen e një oficeri të policisë. Hetimet po vazhdojnë,
por fakti që identiteti i dëshmitarit kryesor u zbulua ndonëse ishte
dëshmitar i mbrojtur, mund të jetë një dëshmi për lidhjet e forta të
familjes Frroku. Në vitin 2013 media raportoi se Frroku i dërgoi një
mesazh Jozefina Topallit deputetes së PD dhe ish-Kryetares së
Parlamentit, sepse ajo e akuzoi atë për lidhje me krimin e organizuar
dhe zbuloi se ai ishte i dënuar me 10 vjet burg.
Pirro Kapurani (LSI): I përfshirë në industrinë
fasone dhe atë të ndërtimit dhe është pronari i hotelit më të madh në
Korçë. Thuhet se ai milionat e para i bëri nga tregtia e paligjshme e
arit.
Roland Keta (PD): Një nga bosët lokalë të minierave
në Bulqizë. Keta shfrytëzoi mundësitë që i jepte posti i tij si Kryetar i
Bashkisë së Bulqizës dhe kryetar i degës së PD-së për të marrë licensa
të shumta, një pjesë të së cilave ai ua shiti kompanive të treta. Thuhet
se ai është lidhur me grupe kriminale lokale dhe kombëtare, pasi
industria e minierave, sidomos për sipërmarrjet e vogla, është një
biznes në rrezik që kërkon “mbrojtje” nga dhe ndaj kriminelëve apo
grupeve kriminale.
Koço Kokëdhima (PS): Një biznesmen nga qyteti i
Fierit, me aktivitete kryesisht në Tiranë, ai është i fokusuar në
ndërtim, media, telekomuniacion dhe tregtim të produkteve ushqimore.
Supozohet se në mënyrë të dyshimtë privatizoi frigoriferin shtetëror në
Durrës me çmime qesharake. Ai është pronar i gazetës Shekulli dhe i një
televizioni privat. Lidhjet e supozuara me aktivitete kriminale janë
kryesisht të lidhura me lejet e ndërtimit, pastrimin e parave dhe
pasuritë e paluajtshme. Flitet për lidhje të dyshimta me interesa,
biznese dhe mafian ruse.
Arben Ndoka (PS): Ka qenë i akuzuar për shfrytëzim
prostitucioni, pengmarrje dhe trafik droge në Itali dhe i dënuar me 7
vjet burg në Itali. Deklarata e pasurisë në 2012 përfshin dy apartamente
me vlerë rreth 200 mijë euro secili, pasuri të patundshme në Lezhë (60
mijë euro plus 70 mijë euro truall) dhe një skaf me vlerë 20 mijë euro.
Gramoz Ruçi (PS): Sekretar i Përgjithshëm i PS,
flitet për lidhje të vjetra me trafikantë droge dhe krimin e organizuar.
Ruçit i është ndaluar hyrja në SHBA prej vitit 2005, për shkak të
mospasjes së drejtë për të marrë vizë.
Ylli Shehu (PR): Shehu thuhet se pagoi 200 mijë euro
për të qenë i pari në listën e Partisë Republikane si kandiat për
deputet në Tiranë, përveç kontributit të tij për “shpenzimet
elektorale”. Shehu nuk ka të shkuar në politikë. Ai ka studiuar për
drejtësi (2006-2011) në Universitetin Kristal dhe në 2009-përpara se të
mbaronte studimet (sipas CV-së së tij të publikuar në faqen e
parlamentit)-ai nisi të punonte si ekspert ligjor në Prefekturën e
Kukësit. Përveç një video të transmetuar në emisionin Fiks Fare ku Shehu
mezi lexonte një deklaratë gjysmë faqje, nuk ka informacione të tjera
rreth tij apo babait të tij, Vesel Shehut, në internet. Origjina dhe
shtimi i pasurisë së Ylli Shehut është e panjohur, ndonëse Vesel Shehu,
bazuar në informacione të marra në Kukës, thuhet se ka qenë i përfshirë
në kontrabandën e duhanit me Kosovën dhe Malin e Zi.
Paulin Sterkaj (PS): Një ish-mundës profesionit me
pak ose aspak edukim formal. Ai ka qenë pjesë e PD dhe u akuzua nga një
mik për vrasjen e një politikani në Shkodër, disa vite më parë. Sterkaj
pretendon të këtë interesa biznesi në hidrokarbure, restorante dhe
ndërtim, por shumë pak dihet mbi aktivitetet e tij.
Astrit Veliaj (PD): Pasuria e Veliajt vlerësohet në
rreth 50 milionë euro. Deklarimi i pasurisë në 2012: 36 pasuri të
patundshme të blear mes 2003 dhe 2013 (me vlerë të pazbuluar) dhe 26
apartamente me vlerë rreth 3.9 milionë euro; 1 332 metër katrorë tokë në
Tiranë me vlerë rreth 1.8 milionë euro: 747 metër katrorë tokë dhe një
ndërtesë 1 264 metër katrorë në Tiranë (dhuratë nga një person i
panjohur, vlera e përcaktuar), borxhe të dhëna 7 personave (4.4 milionë
dollar). Edhe pse ka qenë mekanik përpara vitit 1990 ai u bë një
biznesmen i suksesshëm në tregti dhe shërbime (1990-1995) dhe ndërtues
(1995-2000). Nga viti 200 ai ka qenë president i Universitetit UFO dhe
Klinikës Dentare UFo. Thuhet se Argita Berisha e Fatmir Mediu (kryetari i
PR) kanë aksione në bizneset e Veliajt.
Fidel Ylli (PS): Ai është një ish-truprojë dhe nip i
një zyrtari të lartë të Partisë së Punës së Shqipërisë. Dyshohet se
nisi të bëjë para nga kazinotë dhe aktivitete ilegale të lidhura me
mafian bullgare. Ai ka në pronësi grupin “House of Arts”, me vlerë rreth
5 milioën euro, grup që përfshin një restorant, dy bare, një stacion
radioje dhe një kompani sigurie. Thuhet se ka aksione në disa kompani
ndërtimi, por nuk e ka pranuar kurrë publikisht.
Në mbyllje të raportit thuhet se “është thuajse e gjithëpranueshme se
shumë deputetë që parqiten si “biznesmenë” janë në fakt fort të dyshuar
se kanë lidhje me krimin e organizuar. Këta individë janë tani në
Parament, kanë imunitet dhe janë përgjegjës për të hartuar dhe miratuar
ligjet që do ta çojnë Shqipërinë përpara në rrugën e integrimit
Euro-Atlantik. Sjellja e sëmurë, me gjasë kriminale, e disa deputetëve
shqiptarë është shqetësuese dhe nuk është shenjë e mirë për zhvillimet
demokratike. Ka një pikëpamje të përgjithshme në Shqipëri se të gjitha
partitë kanë deputetë të lidhur me krimin e organizuar dhe pranojnë para
nga krimi i organizuar. Ky është një fenomen shumë shqetësues që ne dhe
komuniteti ndërkombëtar duhet ta adresojmë në të ardhmen. Një pikë
shprese, gjithësesi, është fakti se disa deputetë kanë filluar të
kuptojnë se Shqipëria nuk duhet të ketë karaktere të tillë të pëfaqësuar
në parlament. Se sa kohë do të duhet për t’i shkulur këta rufjanë nga
pushteti, kjo është një pyetje tjetër. Tek e fundit, paraja është gjaku i
politikës, dhe në një vend të varfër pa transparencë të financimeve të
fushatave elektorale, kriminelët janë një burim i lehtë për fondet e
fushatave.”
OSBE e ka pranuar ekzistencën e këtij raporti të hartuar rreth një
vit më parë, por duke sqaruar se ai nuk përbën një qëndrim zyrtar të
saj. Megjithatë, ai përbën padyshim një nga platformat mbi të cilat prej
disa muajsh tashmë, ka nisur beteja për dekriminalizimin e politikës në
Shqipëri. Angazhimi i madh i ndërkombëtarëve, krahas presionit të
opozitës shqiptare, merr shkas edhe nga këto të dhëna tronidtëse që
implikojnë emra të njohur të politikës dhe biznesmenëve politikanë. Data
e raportit përkon me fillimin e kësaj beteje për pastrim, e cila mori
një hov edhe më të madh pas ardhjes në Tiranë të ambasadorit të SHBA,
Donald Lu.
12 shtator 2015
12 shtator 2015