DAMJANË E SULLTANË
Shkruan: Prof. dr. Aurel Plasari
Sulltan
Sulejmani II (1502- 1566), të cilin po orvaten në mënyrë trashamane
t’ua paraqesin shqiptarëve si “rindërtues” monumentesh kulture – në
kuptimin e rivënies në vend të gurëve në një kështjellë fort më të moçme
të rrënuar prej tij ose prej paraardhësve të tij në fushatat për të
shtypur e nënshtruar arbërit dhe Arbërinë – ky sulltan pra ka lënë në
histori dëshmi të atyre që në gjuhën e sotme do të quheshin “krime
kundër njerëzimit”. Në gjuhën e dikurshme quheshin më thjesht: rrënime,
plaçkitje, masakra etj. Sulltanë të tillë rezultuan të gatshëm ta
shndërronin Arbërinë në një grumbull gërmadhash të zhytura në gjak për
t’u shpallur mandej “rindërtues” të po atyre gërmadhave. Për sa i ndodhi
kalasë së Lezhës, për shembull, kanë treguar vetë kronikanë dhe
historianë osmanë të fushatës së Mehmetit II në Arbëri më 1478.
Tursun-beu: “ata [turqit] fortifikuan kështjellën e Zhabjakut e të
Drishtit, ndërsa fortesës së Leshit i vunë zjarrin dhe e rrënuan”.
Bitlisiu: “Mbasi kaluan në dorën e shërbëtorëve të sulltanit të tria
fortesat, e Leshit, e Zhabjakut dhe e Drishtit, fortesa e Leshit, meqë
kështu e donte puna, u rrënua….”. Ibn Kemal-pashazade: “Kryengritësit që
gjendeshin brenda kështjellës së Leshit dhe kufomat [e të vrarëve] u
dogjën krejtësisht; tymi i tyre pushtoi horizontin dhe ngjeu kupën e
qiellit. Ajo u shndërrua në pirgje dheu”. Pllaka lavdëruese e Sulejmanit
mund edhe ta ketë vendin atje, në kalanë e rindërtuar. Por atëherë do
të duhet të hapen librat e të lexohet diçka për bëmat e këtij sulltani, –
për shembull se çfarë e ka lidhur atë me historinë e Arbërisë, –
sidomos për ata zotërinj lexues që nuk njohin as burimet osmane dhe as
ato perëndimore, në pjesë të mëdha të botuara edhe në shqipe. Po kështu
do të duheshin lexuar edhe bë- mat e sulltan Bajazitit II gjatë
fushatës së tij ndëshkimore të 1492-shit në Arbëri nëse nesër-pasnesër
ndonjë kryeministri mund t’ia ketë ënda ta qesë nga Muzeu i Arkeologjisë
ku ruhet pallën e sulltan Bajazitit II dhe ta varë në mysafirhane, në
mos po ta ngjeshë në brez me dëshirën e mirë për të “magjepsur” me të
partnerët europianë. Në historitë e ndryshme të Perandorisë osmane
Sulejmani II ka zënë vendin e “Ligjvënësit”, duke iu përshkruar dhe
analizuar ky atribut si merita më e madhe e tij, krahas të tjerash
merita më të vogla “perandorake”. Ndërkaq ai nuk nderohet dhe as
përkujtohet në vendet ku derdhi gjak popujsh dhe u regjistrua në
kujtesën historike të atyre popujve për rrënime, plaç- kitje, masakra
etj. Nuk kam informacion në nderohet a përkujtohet ai në Turqinë e
sotme, ndonëse nuk përjashtohet gjasa që elemente të traditës tiranike
sulltanore të funksionojnë ende si joshje për regjime jodemokratike.
Fjala vjen: aftësia e veçantë e Sulejmanit II për të zbuluar dhe
ndëshkuar “armiq të brendshëm”. Të quajturat procese gjyqësore të tyre –
ia numërojnë ndër meritat modernizuese këtij sulltani “Ligjvënës” –
afërmendsh që kryheshin pa praninë e të pandehurve dhe pa kurrfarë
mbrojtjeje. Si prova të kryerjes së detyrës të ndëshkimit të “armiqve
të brendshëm” në oborrin e Sulejmanit II dorëzoheshin mesatarisht 40-50
koka të prera në një ditë të vetme: lexohet ky numër, për shembull, në
Historinë (1560) e frëngut Guillaume Postel, i cili mbahet për një nga
mendjet më të hapura të shek. XV në marrëdhënie me turqit, njohës i mirë
i legjislacioneve e i gjuhëve orientale etj. Diplomati Postel pati më
se një herë të hyra e të dala në oborrin e Sulejmanit II duke u bërë
kështu një dëshmitar sypamës. Në krye të një ekspedite ndëshkimore
kundër arbërve, në vitin e Hegjires 943 (1537 me kalendarin tonë)
Sulejmani II erdhi vetë në Arbëri. Ka historianë perëndimorë që për
objektiv parësor të ekspeditës së atij viti dinë thjesht “pushtimin e
Italisë”, pra njëfarë përsëritjeje të ekspeditës së vitit 1480-1481 që
nuk e pati çuar dot deri në fund i gjyshi, Bajaziti II i pallës së
Muzeut tonë. Kronikat anonime osmane e dëftojnë ndryshe objektivin e
kësaj ekspedite: “Sulltan Sulejmani doli nga Stambolli në ditën e shtatë
të muajit Zilhixhe të vitit të sipërpërmendur [943] dhe, me qëllim që
të kryente një fushatë kundër vendit të arbërve [“Arnavud-ili”],
mbërriti në Vlorë. Këtu mbërritën me anijet Hajredin pasha dhe Lutfi
pasha dhe aty ata u takuan”.
Ky Hajredin është i famshmi
Barbarossa, i emëruar nga Sulejmani II “kapudan i detrave”. Me gjasë qe
arbër, – “de Natione Albanese” e ka saktësuar Benedetto Ramberti në
Libri Tre delle Cose de’ Turchi (bot. 1543), – por i bërë “osman”. Një
arbër i bërë “osman” ishte edhe veziri Lutfi pasha, i emëruar për atë
ekspeditë si komandant i flotës. Bënte pjesë në strategjinë luftarake të
sulltanëve që në ekspeditat ndëshkimore kundër arbërve të përdornin
kardashllarët e tyre ish-arbër.
(“Kardashllarë” bën nga
turqishtja shumësi i fjalës “kardash”: vëlla, e cila në shqipen e
hershme nuk ka hyrë me kuptimin konkret, por “si ledhatim” për shokun,
mikun, dashamirin, siç e ka saktësuar Dizdari te Fjalor i orientalizmave
në gjuhën shqipe.) Këta ish-arbër përdoreshin rëndom në ushtritë e
sulltanëve si fanatikë të egër kundër ish-vëllezërve të tyre, madje edhe
kundër ish-prindërve të mbetur “kaurë”. Ish-arbër i bërë “osman” ishte
edhe veziri i madh Ajaz pasha, i cili gjithashtu e shoqëronte Sulejmanin
II në Arbëri gjatë asaj ekspedite ndëshkimore, siç e ka përshkruar
historiani osman i gjysmës së parë të shek. XVII Sollakzade: “Në fund të
muajit Muharrem të vitit 944 [9 korrik 1537] Sulltani mbërriti në
Elbasan. Mbas kësaj zbriti në fushën e Vlorës, vilajeti i së cilës u
pushtua krejtësisht dhe iu shtua vendeve të Perandorisë islame falë
përpjekjeve, këmbënguljes dhe vullnetit të vezirit të madh Ajaz pasha, i
cili ishte një arbër i rritur në tokën e Vlorës”. Po ajo Kronikë tregon
edhe sesi flota osmane plaçkiti, dogji dhe rrënoi edhe Korfuzin dhe
“disa ishuj të tjerë” përkundrejt bregut arbër, sado që banorë të të
dyja brigjeve, korfjotë dhe himarjotë, qëndruan dhe luftuan. Dhe nuk
mund të ishte ndryshe. Në ikje osmanët i mbushën anijet e veta me robër,
të cilët i çuan në Stamboll, ku lëshuan thirrjen për shitjen e tyre
“për tre florinj, për dy dhe për një”, siç i ka saktësuar deri edhe
çmimet Kronika. “Do të të vras, por për të mirën tënde”, i thoshte Don
Karlosit xhelati i tragjedisë së Schiller-it. Nuk dihet nëse, në atë
rast, turqit e Sulejmanit II u kanë thënë viktimave në fjalë: “Po ju
shesim si skllevër, por për të mirën tuaj”. Te kronikani Ramazan-zade
Mehmet Çelebi, i njohur si Nishanxhi, lexohet edhe “ndëshkimi” i arbërve
të “vilajetit të Vlorës”: “Meqenëse malet e Vlorës ishin gjithmonë
kurthe dhe vende strehimi të kryengritësve dhe meqenëse këta arbër
kokëfortë bënin zullume […] u dërgua kundër tyre ushtria, e cila i
ndëshkoi ata”. Dëftime për plaçkitjet, rrënimet, masakrat etj. të
ekspeditës ndëshkimore të Sulejmanit II në Arbëri gjenden të
regjistruara sidomos në një varg historianësh perëndimorë edhe të kohës,
edhe të shek. XVII. Historiografi i Francës Gilbert Saulnier du
Verdier, për shembull, e ka dhënë sak në Shkurtoren e historisë së tij
objektivin e parë të ekspeditës ndëshkimore të vitit 1537: “Ai
[Sulejmani II] nxori 200.000 luftëtarë në fushatë dhe sulmoi kryesisht
të gjitha ato vende që ende zotëronte në Arbëri”. Edhe në Shtojcën nga
Thomas Artus Sieur D’Embry për Historinë e turqve të Halkokondilit
(1612) është pohuar objektivi i ekspeditës ndëshkimore të 1537-s
pothuajse si te Kronikat anonime osmane: “Ai [Sulejmani II] erdhi në
krahinën e himarjotëve ose arbërve, të cilëve donte t’u bënte luftë dhe
të pushtonte atë pjesë që mbetej nga ajo krahinë”. Në Memoriet historike
të kalorësit Giovanni Sagredo (1672) gjendet përshkrimi se si, gjatë
ekspeditës ndëshkimore të Sulejmanit II, turqit e plaç- kitën territorin
dhe e dogjën duke e bërë hi: “depredarono et incenerirono il
territorio…”.
Edhe Paolo Giovio e ka regjistruar ekspeditën
ndëshkimore të Sulejmanit II në Arbëri në Historinë e tij (1555), ku ka
shënuar edhe se si, mbas rrënimit dhe masakrës së Korfuzit, turqit e
Sulejmanit II iu kthyen Butrintit. Aty, si bënë robër të gjithë banorët,
e plaçkitën qytetin dhe e rrënuan në mënyrë mizore: “la terra fu
crudelmente saccheggiata e disfatta…”. Njoftime më të hollësishme për
ekspeditën e Sulejmanit II në Arbëri ka dhënë Andrea Marmora, kronikan
dhe historian korfjot, në Historinë e tij të vitit 1672. Korfjoti jo
vetëm i ka njohur mirë vendet e ngjarjeve, por duket të ketë pasur për
duarsh edhe burime më të bollshme lidhur me to. Andrea Marmora:
“Sulejmani qëndroi në krahinën e himarjotëve disa ditë, me dëshirë që
t’i shkatërronte ata popuj, të cilët u sillnin dëme të vazhdueshme
vasalëve të tij aty përreth […]. Sulejmani dha urdhër që Ajaz pasha me
komandantin e jeniçerëve të venin për t’i nxjerrë nga foletë e shpellave
të tyre ato bisha, siç i quante ai, dhe të bënin mbi ta një të tillë
kërdi aq sa të mos mbetej tjetër nga ajo farë njerëzish veç kujtimit që
qenë shkatërruar”. Te këta autorë përshkruhet dhe një situatë që
kronikanët ose historianët osmanë në shërbim të sulltanëve – ata e
kishin për detyrë të ngrinin në qiell çdo “padishah” të radhës – e kanë
mbuluar me heshtje. Është fjala për qëndresën dhe luftën e himarjotëve
dhe arbërve në përgjithësi, atyre që Sulejmani i Pllakës i quante
“bisha”, për t’u bërë ballë ushtrive turke në atë ekspeditë. Sagredo ka
treguar se si himarjotë dhe korfjotë qëndruan dhe luftuan duke bërë
kërdi të madhe mbi armiqtë: “con non piccola strage degl’ inimici”.
Cesare
Campana në Shkurtoren historike të tij (1597) ka shënuar në mënyrë edhe
më sintetike që Sulejmani II në Arbëri pësoi shumë dëme prej
himarjotëve: “…in Albania, dove da Cimeriotti ricevè molti danni”. Deri
edhe një funksionar të rëndësishëm të kampit të Sulltanit, një terxhuman
ose përkthyes zyrtar të tij të quajtur Jonuz bej, himarjotët e zunë
rob, kurse turqit e shpurës së tij “i shkuan në teh të shpatës”. Pa
dyshim që Andrea Marmora është historiani i cili, në mënyrë të veçantë, e
ka përshkruar qëndresën dhe luftën e arbërve të Himarës gjatë
ekspeditës ndëshkimore të Sulejmanit II: “Por ndodhi e kundërta e asaj
që ai [Sulejmani II] ëndërronte, sepse ata njerëz fort të shkathët, duke
i sulmuar armiqtë herë brinjazi, herë përballë, herë në bisht, herë
duke u tërhequr, herë duke u rënë ndesh skuadrave të mëdha të kalorësisë
[turke], pa pësuar shumë humbje në radhët e veta, vranë në mënyrë të
mjerueshme më shumë se 8.000 syresh dhe i detyruan të tjerët të
tërhiqeshin me të katra, të tmerruar për fatin e zi të shokëve të tyre”.
Ndërkaq te ky historian gjenden edhe njoftimet për një akt që fshik
kufijtë e heroizmit të himarjotëve dhe që ishte plani për ta goditur
ushtrinë turke në zemrën e saj: “të vrisnin vetë Sulejmanin brenda
shatorres dhe në mesin e rojave të veta”. Detyrën e mori përsipër
Damjani, “një nga kapedanët e zotërimit himarjot”, me sa kuptohet një
nga ata trima sykokërr tipikë të atyre anëve. Natën e Shën Jakut, që i
bie më 25 korrik 1537, himarjotët e vunë planin në veprim. Por, me
gjithë organizimin “jashtëzakonisht të mençur” të planit, kapedan
Damjani i afruar fushimit të Sulltanit ngjalli dyshime tek Ajaz pasha.
Isharbëri i bërë “osman” e ndaloi dhe ia doli të zbulonte planin e
himarjotëve. Kapedan Damjani u dënua “me një vdekje shumë mizore”, ka
shënuar Marmora. Ngjarja e kapedan Damjanit është treguar, në variante
me hollësi të ndryshme, edhe nga autorë të tjerë, si i përmenduri Thomas
Artus në Shtojcën për Historinë e Halkokondilit (1612). Simbas letrave
të një Ogier Ghiselin de Busbecq, ambasador i perandorit Karl V në
oborrin e Sulejmanit mes viteve 1555-1562, kapedan Damjani u pat shtënë
në dhé për së gjalli. Përfundimin e vet për këtë ngjarje pak të njohur
në historinë e Arbërisë historiani korfjot e ka përmbledhur si vijon:
“Kështu u shua ajo jetë që meritonte një përjetësi dhe, në një çast të
vetëm, u shkatërrua ai mekanizëm që do të mund ta bënte të pavdekshëm
emrin e himarjotëve në shekujt e ardhshëm”. Themeluesi në
historiografinë shqiptare i diplomatikës – disiplinës së studimit të
dokumentit – Injac Zamputi, që u përkujdes të përmblidhte e të botonte
burimet edhe për këto ngjarje, nuk ka qenë pajtuar me përfundimin e
historianit korfjot. Përfundimi i Andrea Marmora-s afërmendsh që mban
vulën e kohës, të shekullit XVII, duke e lidhur suksesin e luftës kundër
pushtimit turk me vrasjen e një sulltani, vinte re Zamputi në një
shënim të vetin, për të përfunduar: “Historia i bëri të pavdekshëm
himarjotët dhe emrin e tyre edhe pse nuk qe vrarë me këtë rast
sulltani”.
Ndodhitë me himarjotë e me heronj si Damjani
mundet të zënë fort pak vend në historinë e Perandorisë osmane. Mundet
edhe të mos zënë fare vend. Por ne të sotmit nuk mund të shtiremi si
marsianë, kinse nuk jemi qenie politike, por thjesht ashikë
antikuariati. Në ballafaqime të këtilla nuk ka se si të mos lexohet edhe
një tjetër anë e faqeve të historisë: ajo që ka të bëjë me qëndrimin e
sotëm ndaj dukurisë sa historike aq edhe politike të ndeshjes së njeriut
të lirë me tiraninë. Termi i moçëm tirani u rishfaq gjatë Rilindjes
evropiane posaçërisht nëpër relacionet e ambasadorëve venedikas në
oborrin e sulltanëve në orvatje e sipër për të përshkruar “regjimin
sulltanor”. I pari regjistrim i termit haset në relacionin e ambasadorit
Bernardo Navagero të vitit 1553, pra në vitet kur sundonte pikërisht
Sulejmani II. Navagero dhe mbas tij të tjerë diplomatë synonin ta
përkufizonin pushtetin njëpersonal, të konceptuar prej tyre si “fodullëk
madhështor i të Parit”. Vinin nga një Republikë aristokratike dhe, për
këndin e tyre të vështrimit, në vendet e pushtuara nga sulltanët qe
çrrënjosur aristokracia tradicionale, ndërsa ngrihej artificialisht në
vend të saj fundërria e shoqërisë duke e reduktuar dalëngadalë vetë
shoqërinë në një nivel të përgjithshëm robërie. “Republikë skllevërish”,
e përcaktonte më 1585 ambasadori Morosini duke mos gjetur term me të
përshtatshëm. Funksionarët, të lartë a të ulët, ngriheshin në detyra
prej vetë të Parit dhe, edhe kur mund të mbërrinin majën e veziratit,
mund të rrëzoheshin poshtë përdhunshëm po prej vetë të Parit. “Gjendja e
tyre e mirëfilltë është tirania, dhuna edhe uzurpimi”, e përshkruante
situatën e regjimit sulltanor ambasadori Lorenzo Bernardo më 1592, në
kuptimin e një pushteti të marrë vetëm falë forcës dhe të mbajtur po
vetëm falë forcës. Arbitrariteti në vjeljen e taksave dhe vënia e
gjobave pa logjikë e pa arsye e bënte diplomatin Donà ta cilësonte
regjimin sulltanor si “guvernë e mosarsyeshme”: “irragionevole governo”.
Në një regjim të tillë të gjithë, përfshi edhe familjen e të Parit,
jetonin si në një “mbretëri të frikës”, ngase sulltani ishte zot sa i
pasurive të tyre, aq edhe i jetëve të tyre. Janë të shumtë shembujt nga
sundimi i Sulejmanit II që përmenden në relacionet e diplomatëve
venedikas. Falë historisë së tij ata kanë analizuar deri edhe ushtrimin e
tiranisë, për hir të pushtetit, brenda familjes. Njëri nga bijtë e
Sulejmanit II, Mustafa, si pati mundur persët, kthente fitimtar në
kryeqytet ku përshëndetej nga ushtria me brohoritje të jashtëzakonshme.
“Të jashtëzakonshme”, sepse Sulejmani II gjykoi se me të tilla
brohoritje nuk qe përshëndetur as ai vetë. Duke mos e duruar këtë lavdi
të të birit, dha urdhrin që princi të mbytej, kurse kufoma e tij të
ekspozohej para asaj ushtrie që sapo e kishte brohoritur. Ndërkohë
kasneci thërriste: “Nuk duhet të ketë veçse një Zot në qiell dhe një
sulltan në tokë, Sulejmani!” Dy ditë më vonë Sulejmani II helmonte edhe
të birin tjetër. Përse? Sepse e kishte parë të lotonte për vdekjen e të
vëllait. Të tretin, që ua mbathi këmbëve dhe u strehua te persët, ia
doli ta fuste në dorë dhe atij ia hoqi kokën. Kurseu vetëm Selimin,
ngaqë përndryshe nuk do të kishte se kujt t’ia linte trashëgim
pushtetin. Po këta diplomatët venedikas a mos qenë burra më të mirë, do
të pyesë ndonjë lexues nga ata që mendojnë se natën të gjithë maçokët
janë të murrmë. Republika e Venedikut mund të ishte shtet “kapitalist”,
në kuptimin e sotëm të termit, por nuk ishte fuqi “imperialiste”, për
ata që ia dinë kuptimin konceptit imperium. Dhe sidomos nuk ishte një
tirani. Kreu i saj jo vetëm që zgjidhej nëpërmjet procedurash tejmase të
koklavitura, por kishte imunitet po aq sa qytetarët e të tjerë të
Republikës. Dogjën Marin Faliero, të dyshuar për tradhti të interesave
të Republikës, Këshilli i të Dhjetëve e mori përnjëherësh në hetim, e
gjykoi dhe e dënoi me vdekje. Ekzekutimi i tij në shkallët e Pallatit
Dukal, në praninë e qytetarëve të mbledhur në sheshin e Shën Markut,
shijohet sot në një tablo madhështore të Delacroix-së (1827). Dhe, sado
që dogja plak iu dhëmbys zotit Lord Byron në tragjedi ose zotit
Donizzetti në opera, te salla e portreteve të dogjëve në Pallatin Dukal
ai edhe sot ekspozohet siç e i ka takuar nga historia: aty ku vjen radha
kronologjike e portretit të tij është varur një pece e zezë me
mbishkrimin “Këtu dukej të ishte vendi i Marin Falieros kokëprerë për
krimin e tradhtisë”. Të lexosh këto dhe plot tjera – nga njëra anë për
himarjotët luftëtarë me kapedan Damjanin e tyre që ende s’ka vdekur i
tëri, nga një anë tjetër për Sulejmanin e Pllakës me kardashllarët e tij
– nuk ka se si të mos pranosh që leximi i historisë është i
mrekullueshëm jo ngaqë të bën të paanshëm. Përkundrazi. As ngaqë të bën
indiferent ndaj personazheve të saj të ndryshëm. Përkundrazi. Leximi i
historisë të bën që disa personazhe t’i dashurosh, ndërsa disa të tjerë
t’i neveritësh.
(Gazeta Panorma 04.10.2015 )