Martiri i Atdheut Dom Gjon Gàzulli –
I varur prej Ahmet Zogut 5.03.1927
“… fatosat që desin nuk kanë ç’ të bajnë në nji vend që i harron e i përbuzë”. - At Gjon Shllaku
Shkruar nga DANIEL GÁZULLI
Një hymje e deturueme. Historianë
e politikanë, pikërisht me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, po
flasin për nevojen e rishikimit të figurës së “mbretit”. Për t’u ardhë
në “ndihmë”, para shkrimit për një prej veprave të tij “të lavdishme”,
mendova ta ilustroj me këte faqosje:
“LAVDIA” E MBRETIT AHMET ZOGU I –rë…
NIPI SI DAJA…
Mbas vrasjes së atdhetarit opozitar,
demokratit të madh Luigj Gurakuqi, të idhullit të rinisë shqiptare e
liridashësit të zjarrtë Avni Rrustemi, të Plakut të Maleve, Lisit të
paepun të Kosovës, Bajram Curri, nga mbeturinat antikombtare osmane,
rradha e eleminimit fizik i kishte ardhë deputetit të Opozitës,
atdhetarit Dom Gjon Gàzulli, të cilit anadollaku Ahmet Zogolli i
zgjodhi, si prift katolik që ishte, mënyrën ma “spaciale” dhe ma
çnjerëzore: “varjen”.
Kujtuen shqiptarët se mbas Ditës së
Madhe të 28 Nandorit 1912 nuk do të provonin ma shëmtime e masakrime si
ato të turqëve. Po jo, çibanët që la mbrapa otomani, feudalët e
agallarët atavikë, shartue shpirtin me urrejtje aziatike ndaj të
krishtenëve, edhe pse bashkatdhetarë të tyne, shikonin po të njejtat
andërra të kobshme:
“Me ambasadorin anglez Ahmet Zogu në
1927 u ankue për klerikët katolikë: “Ah sa shumë do të dëshroja t’i
varja ashtu siç e meritojnë”…E që të kënaqte kërkesen e mbrendshme për
t’i varë, ai çoi në trekambësh një klerik…( Dom Gjon Gàzullin). ” (Bernd Fischer - Re Zog e la lotta per stabilità in Albania, Monographs dell’Europa orientale, Boulder, 1984.)
Ky ishte Ahmet Zogolli i Matit, që
dënonte me tre vjet burg atentatorin e tij Beqir Valteri, ndërsa çonte
në litar meshtarin dom Gjon Gàzulli, pa i provue asnjë faj, nëse faj nuk
do të konsiderohen:
- Të duesh Atdheun deri në flijim për të;
- Të flijohesh për liri e drejtësi të popullit tand;
- Të shkrihesh për përparimin e tij;
- Të kesh miq toskë e gegë, të krishtenë e muslimanë, e me të gjithë tok të luftojsh për një Shqipni Etnike.
Ndoshta këto vepra për disa janë faje
edhe sot, pse, ndërsa dom Gjoni nëmos tjetër e ka një varr, i vëllaj,
gjuhëtari i shquem dom Nikollë Gàzulli, pushkatue pa gjyq me 02 shkurt
1946, nuk dihet as ku i ka eshtnat, ashtu si nuk dihet ku kanë eshtnat
shumë e shumë klerikë e atdhetarë të mirëfilltë masakrue prej bandës
serbo-komuniste në vitet 1944-1946.
Varja e dom Gjon Gàzullit erdhi mbas
marrëveshejs famëkeqe Pashiq/Ahmet Zogolli, kurse vrasja e gjuhëtarit
dom Nikollë Gàzulli mbas marrëveshjes Tito/Enver Hoxha për ta kthye
Shqipninë në republikë të shtatë të Jugosllavisë. Dy vëllazen, dy
viktima të asit tradhëtar Tiranë/Beograd.
(Në foto: Gjuhëtari dom Nikollë Gàzulli me atdhetarin legjendar Prekë Cali, të dy të pushkatuem nga diktatura komuniste).
Ahmet Zogolli nuk e ndërpreu asnjëherë
luftën kundër Klerit Katolik. Jo rastësisht ipeshkvijtë i drejtoheshin
më 1933 (kur i patën zanë “dritën” shkollat katolike) se, “Na jemi këtu prej dymijë vjetësh; katolikë atëherë edhe sot, shqiptarë atëherë shqiptarë edhe sot”.
Gjoni leu në Dajç të Sapës (Zadrimë) me
26 Mars 1893. Mësimet e para i bani në shkollën e fshatit, që e kishte
çelë dom Ndre Mjeda.
Si vijoi të mesmën në Shkodër, studimet e matejshme i ndoq në Itali dhe Austri, ku ishte edhe vëllaj tjetër, Nikolla.
Ai u Shugurue Meshtar me 4 Gusht 1919 në
vendlindje, në Dajç. Mbas një shërbimi të shkurtë në Gjadër të Lezhës, e
çuen në Qelëz të Pukës.
Tue pa trazimet e Atdheut, ai u angazhue
përkrah Luigj Gurakuqit, Avni Rrustemit, Fan Nolit, Bajram Currit, At
Gjergj Fishtës, At Anton Harapit, Hasan Prishtinës, në atë krah që asht
quejtë në histori “opozita”, pse i ishte kundërvu “popullores” së Ahmet
Zogut, dhe në zgjedhjet politike të vitit 1923 dom Gjoni u zgjodh
deputet.
Kurse “Popullorja” ishte e përbame prej mbetjeve ma të përçudnueme të Stambollit, ashtu si i ka pikturue At Fishta, “Ky babën gjaks, gjyshin katil, stërgjyshin mizuer … hasëm të kulturës …”; ata
nuk përfaqësonin asnjë interes të popullit shqiptar, po një interes të
ngushtë bejlerësh që donin me ruejtë ato previlegje që i kishin sigurue
tue i shërbue pushtuesit otoman, kryesisht në një rreth nepotik: Ahmet
Zogu, nipi i Esat Pashë Toptanit, dhandrri i Shefqet Verlacit, kunati i
Ceno bej Kryeziut, një qerthull mehmurësh anadollakë, të shitun te serbi
deri në ditën e vdekjes.
Ndërkohë, tue qenë meshtar në Qelëz,
meshtari-deputet Dom Gjon Gazulli kreu atë akt që për kohën ishte një
veprim revolucionar i pashembullt: Hapi në qelë (shtëpinë ku banonte
vetë, ashtu si banë edhe shumë klerikë të tjerë) shkollën e parë mikse
në botë. Po po, në botë. Asht diçka e vështirë për
brezin e ri me kuptue disa gjana, por edhe në Europën e përparueme
shkollat mikse (djelm e vajza bashkë) janë çelë për herë të parë mbas
Luftës së Dytë Botnore, në Francë më 1948, kurse në Itali katër vjet ma
vonë, më 1952. Kurse ai, prift, hapi në qelë shkollë mikse me djelm e vajza bashkë, të krishtenë e muslimanë bashkë.
Jo rastësisht një ndër votuesit e tij
kryesorë, pse zgjedhjet në atë kohë baheshin me përfaqësim, ka qenë
Myftiu i Hasit. Kur Musa Juka iu drejtue Myftiut: “Po ti, si nuk pate turp e votove për priftin?!”, Myftiu, pa prishë terezinë, iu gjegj i qetë: “Nuk votova për priftin, po për atë që po na mëson përditë çka do me thanë Shqipni, çka do me thanë Atdhe”.
Vrasja e Avni Rrustemit çoi në trazimet e
qershorit 1924 dhe ramjen e “popullores”. Zogolli u strehue në Beograd.
Diçka duhet t’u thotë kjo atyne që kanë vesh me dëgjue e sy me pa:
Mjaft të lexoni marrëveshjen ma sipër në mes Pashiçit dhe Zogollit. Dhe
prej atje, me paret e Serbisë dhe ruset e bardhë të Wrangelit “rimori”
Tiranën”. Vallë as këto fakte historike që i ka në dorë një Europë mbarë
mbi tradhëtinë e Zogollit historianët tanë nuk i dinë?!
Dom Gjoni nuk u largue kur në Shqipni u
rikthye Zogu me hordhitë serbe e bjellogardistët. Nuk iku as atëherë kur
Zogu i vrau miqtë e tij ma të mirë, Luigj Gurakuqin e Bajram Currin.
Atë, mbasi iu desht të përballej në krye
të pukjanëve të Qelzës me boshibozukët e Pëllumb Lleshit, që shkonin
tue gjuejtë kudo ndeshnin Kryqat e tue vra edhe pukjanët e pafaj tek
ktheheshin me bagëti a prej mullinit, në shkurt 1926 e transferuen dhe e
çuen në Koman. E puna e parë që bani sa u vendue atje ishte me hapë
edhe aty një shkollë.
Ahmet Zogu, para se me i shprehë
dëshiren e zjarrë ambasadorit anglez me varë klerin katolik, po zbatonte
politikën e tokës së djegun ndër krahinat e krishtena të Mirditës,
Pukës, Zadrimës, Dukagjinit, Malësisë së Madhe me andërren e fshehtë që
të ishte jo sundimtar i Shqipnisë, po i Arnautistanit anadollak. E për
të realizue këte, duheshin zhdukë, ose ma e pakta, të mundoheshin, sa
t’i detyronin me lëshue vendin, katolikët e maleve, kurrë të shtruem nga
pushtuesit e tiranët, pse si thotë Imzot Noli, “Vetëm Malësorët e Veriut mbetën Katholikë me armë në dorë…”.
Kështu, në verën e vitit 1926, Zogu i
kishte dhanë letër të bardhë një katili si Ismajl Osmani, që shkretoi
fshatrat e Pukës me njerëz e me pasuni. E njejta gja po ndodhte prej
Fanit në Dukagjin. Ajo që asht quejtë Kryengritja e Veriut kundër
Zogollit, në të vërtetë nuk ka qenë tjetër veçse mbrojtje e lirisë e
deri e egzistencës fizike nga masakrat mbi popullin e pambrojtun të
barbarit diktator të Matit.
Postkomandanti i Pukës Dedë Sadrija
kishte marrë urdhnin drejtpërdrejt nga Zogolli: Të digjet Puka, sikur
edhe për shtatë vjet atje të mos mbijë ma bar! Kështu kishte ba dikur
edhe Turqia! Ahmet Zogolli po u dëshmonte shqiptarëve si ishte nip “i
dejë” i Esat Pashë Toptanit!
Dom Gjon Gàzulli, në pamundësi me ndejë
ma në Koman, pse rrezikohej jeta e tij, u strehue në Kalivare. I thanë
të largohej nga Shqipnia, nëse donte të shpëtonte kryet. Po jo: Ai nuk
do ta linte kurrë truellin amtar! Ai, në luftë me Nënprefektin anadollak
të Pukës për çashtje të shkollës që mbante në Koman, Ai, që ishte i
mbuluem me nder prej Hasit në Zadrimë, tashti ishte rrethue prej çakejsh
e nuk mund të kthehej ma as deri në famullì. E Zogolli nxitoi t’i
thurte të gjitha kurthet: së pari, një hoxhë fanatik, që rrejti një
njeri qyqan e mendjeshterpë tue e nxitë t’i bante një padi; sekreatri i
Prefekturës Ismaijl Axhemi (me origjinë turke), nënprefekti Abedin
Sakiqi, komandanti i rajonit Rexhep Aliaj – të gjithë të angazhuem me
provue “fajsinë” e tij.
Dom Gjon Gàzulli, dom Nikollë Gàzulli, dom Lekë Dredha u arrestuen në Kalivare me 28 dhjetor 1926.
Gjyqi, një ndër farsat ma të
neveritëshme të Zogollit, akuzoi Dom Gjonin dhe shokët e tij se: 1)
kishte organizue kryengritjen; 2) kishte shpërnda armë ndër male; 3)
kishte pre telin e telefonit. Po po, e akuzuen se kishte pré telin e
telefonit!
Vendimi i gjyqit:
Dom Gjon Gàzulli, dënim me vdekje, varje në litar.
Dom Nikollë Gàzulli, me burg të
përjetshëm …. (Mbas 4 vjetësh burg në Kala të Gjirokastres, me
ndërhymjen e intelektualëve ma të shquem të kohës, e liruen. Sa duel
prej burgut, iu dogj qela (shtëpia e banimit) “aksidentalisht” bashkë me
dorëshkrimet. A nuk i ishte djegë 15 vjet ma parë biblioteka e pasun
edhe të Madhit Imzot Kaçorri?! Haxhi Qamilët, që dogjën shërbëtorin,
qelën e bibliotekën e Imzot Kaçorrit, nuk i kanë mungue kurrë Shqipnisë.
Arsyeja e vërtetë: të masakroheshin
priftënit, ashtu si ishin masakrue për pesë shekuj nga etnit e tij
shpirtnorë, osmanët. Por jo si klerikë, pse atëherë do të mbeteshin
Martirë të fesë, por si politikanë.
Ja pra: “Sa dëshirë do të kisha me i varë… “
Pjesa e pashkrueme e atij vendimi gjyqi
kishte ma shumë randësi se dënimi me varje i Dom Gjon Gàzullit. Me atë
varje barbare Zogolli u thonte të gjithëve: Ose rrini urtë, ose të
gjithë në litar si prifti!
Ja një fragmente nga intervista dhanë të
revistës gjermane “Korrespondez des Priestergebetsve” nga oficeri i
ngarkuem me varjen e Dom Gjonit, Xhemal Dibra:
“Ishte ora 11 para mesnate. Udhët e
Shkodrës ishin ende të rrahuna prej njerëzish, pse ishte Bajram. Dhash
urdhën të thirrej famullitari Gàzulli n’oborr, pse donte me folë me të
Ipeshkvi. Gazulli zbriti poshtë. E kuptoj çfarë do të ndodhte. Një
françeskan me Sakramend ndej para tij (At Martin Gjoka, shënim im).
… Françeskani kishte mbetë pa gojë. Famullitarit Gàzulli nuk i ndrroi
aspak ngjyra e fytyrës. …… Ai i kapi dorën Atit e i tha: “Pater Martin,
tash ke me më rrëfye”. Ati iu lut ushtarëve të mbledhun për rreth me u
largue. Mbasi na nuk u larguem, Ati i tha: – “Dom Gjon, rrëfeju, pra,
latinisht a italisht”. – “Jo, Pater, i përgjigjet Gàzulli, të mbramin
rrëfim due me e ba në gjuhë të Nanës”. E kështu ai u rrëfye në sy tanë.
Na, Muhamedanët, pak marrim vesht kësi sendesh, por mëkat nuk dëgjuem
prej gojës së tij. Mandej i dha Ati një bukë të hollë, të bardhë, e
rrumbullakët, që e kapërdini me një përshpirtnì të madhe. Ai u dukte se
po shndritte krejt fytyret. Tash u çil dera e burgut, e u nisëm.
Ushtarët ishin para, mbrapa e në të dy anët, ma shumë se kurrë. Në
mjedis ishte Ai dhe Ati. Gjithë udhën u luten të dy me za të naltë, por
unë muejta me vu ore se zani i Atit dridhej, nësa zani i famullitarit
tingëllonte i qetë e i qartë. Një trimni kaq të madhe kurrë s’e pash në
jetë time.
Kishim arrijtë te vendi i vdekjes, në Fushë të Druve. Aty ishte shtylla e vdekjes.
Magjypi ishte gati me litar në dorë. Një
dritë elektrike e shndritte thektas famullitarin në fytyrë. Ai nuk
dridhej aspak. Edhe mue më kishte kapë frika. Mue më ishte dashtë me
përcjellë edhe të tjerë te ky vend i mjerë, por tash ishte tjetër. Unë
kisha gati si nji frikë para qetësisë së këtij prifti. Ai ishte me të
këputme i pafaj. Këte e dijshim të gjithë. Por, urdhni! Unë, sikur asht
zakoni, i lash fjalën e lirë. Por ma mirë mos ta kisha ba këte gja! Ai
nisi me folë me një za aq të fortë, e me fjalë të drejta e që të
këputshin zemrën, sa që mue përnjimend më kapi frika. E ta kisha lanë me
shkue gjatë me fjalë, kishte muejtë të gjithëve me na ba me u kthye
prej vetit. Mue më duhej me mendue për përgjegjësinë teme. E i thash
shkurt: Zotni, s’duem me ndje predke! Foli fjalët e mbrame. Mjaft!
Atëherë ai çoi zanin edhe ma e tha: Vetë po vdes i pafaj. Rroftë Krishti, Mbreti ynë! Rrënoftë Shqipnia dhe Shqiptarët e vërtetë”.
Na ishim të gjithë të përmalluem fort.
Lexova vendimin e dekës. I qe veshë një këmishë e bardhë. Magjypi ia
vuni vjekcën e konopit në fyt e i hoq shkambin nën kambë. Ai ishte i
vdekun! – Kështu foli kapiteni.
Ishte dita e 5 marsit 1927.”
Katër orë mbas varjes, Zogolli, kjo mbeturinë me djallëzi orientale, dërgoi një telegram ku gjoja i falte jetën.
Nuk e di nëse ishte Shejt apo jo. Di po, se edhe sot mbas 85 vjetësh Varri i tij në “Rrëmaji” në Shkodër asht qendër pelegrinazhi e Shqiptarëve e se Ai ishte Atdhetar, aq sa në gjyq pat lanë atë thanjen e tij lapidare: “I vetmi faj që i njoh vetes, asht se e kam dashtë Atdheun deri në flijim për të”.
Pat shkrue më 1942 At Gjon Shllaku për Bajram Currin, Luigj Gurakuqin dhe Dom Gjon Gàzullin: “Fatosa të vramë dy herë, nji herë kur i mbyten, dhe nji herë kur i lanë në harresë”.
Po jo, nuk do të harrojë populli i
Shkodrës, i krishten apo musliman qoftë. Do të jetë gjithmonë dikush që
do të çojë lule tek ai varr, dikush që do të ndezë një qiri, dikush që
do t’i drejtohet në heshtje: Dom Gjon, lutu për ne, se përsëri sot po
vazhdojmë me ju vra. Nuk po dijmë çka bajmë, Dom Gjon, po rivrasim të
vramët e po vritemi edhe mes të gjallëve !…
Këshillime:
At Gjergj Fishta – Trazimet e qershorit 1924 (Hylli i Dritës, Nr. 5, 6, 1924)
At Gjon Shllaku – Të vramë dy herë …. (Hylli i Dritës, 1942)
At Konrad Gjolaj –Çinarët, 1996
Dom Nikollë Gazulli – Fjalori toponomastik (Gazullorët), Hylli i Dritës, 1941
Fritz Radovani – Një monument në dhé
La Croix, 28.06.1933