MOIKOM ZEQO
Titulli i mësipërm ngjan (duket) bizar, paradoksal dhe tejet sfidues. E them që në fillim se jam plotësisht i vetëdijshëm se ky titullqëllimisht është intrigues, d.m.th, kërkon të ngrejë në reliev diçka që nuk shkon, diçka që është një marrëzi, konceptual edhe juridik. Le të më lejohet një shpjegim i përkorë. Kushtetuta e përcakton saktësisht dhe pa asnjë ekuivok
se rendi shtetëror yni emërtohet
si Republika e Shqipërisë. Ky emërtim është substancialisht juridik. Nuk
është një titullaturë virtuale, as e rastit, por as edhe e kotë. Është
një titullaturë kushtetuese fund e krye. Është substancë e
patjetërsueshme. Por ç’do të thotë Republikë e Shqipërisë? A duhet t’i
përmbahemi dhe të jemi në harmoni të plotë dhe në thelb me këtë
titullaturë? A duhet ta respektojmë apo në mënyrë subjektive dhe të
marrëzishme ta mohojmë? Nëse ky është një realitet kushtetues dhe
thelbësor, cili ka të drejtë nga ne qytetarët e kësaj Republike të bëjë
lodra groteske me emërtimin fuqiplotë dhe historik të Republikës së
Shqipërisë? Ky është problemi që duhet të shtrojmë. Një problem i
thekshëm, por edhe universal. Një problem i vetëdijes dhe kulturës tonë
etatiste. Ç’do të thotë Republikë e Shqipërisë? Së pari, fjala Republikë
anulon, rrëzon, mohon emërtimin Monarki. Republika dhe Monarkia, janë
dy gjëra që nuk përputhen, janë dy koncepte juridike që mohojnë
pambarimisht njëra-tjetrën. Titullatura e shtetit ka rëndësi përcaktuese
dhe të pamohueshme. Titullatura e shtetit ka gjithmonë një histori
kronologjike. Kështu ka ndodhur në histori për të gjitha shtetet e
Europës dhe të botës. Këtë nuk e mohon dot askush, përveç njerëzve të
marrë dhe të pandërgjegjshëm. Me këtë rast dua të them urbi et orbi se
titullatura e shtetit shqiptar të kohës së Ahmet Zogut juridikisht u
quajt për 15 vjet si Mbretëria Shqiptare deri më 7 prill 1939. Ahmet
Zogu u vetëshpall Mbret i Shqipërisë. Emërtimi Mbret i Shqipërisë është
çështje e titullaturës që parakupton një njohje ndërkombëtare. Është e
qartë që vetëshpallja e Ahmet Zogut si Mbret i Shqipërisë nuk e pati
juridikisht miratimin e subjekteve ndërkombëtare që kanë të drejtën e
njohjes së kësaj titullature. Kjo është arsyeja që Qeveria Britanike në
të gjitha dokumentet e saj mbas vitit 1939 e ka përcaktuar Ahmet Zogun
me fjalët zyrtare “self made king”. Pra, i vetëshpallur Mbret. Por kjo
pikë nuk paraqet ndonjë interes shumë të madh. Ajo që është më e
rëndësishme është fakti i pamohueshëm se mbas çlirimit të vendit, në
bazë të një akti juridik, të pashfuqizuar ende edhe sot, Shqipëria u
shpall Republikë më 11 janar 1946. Ky emërtim substancial gjithashtu,
çoftë edhe për karakterin e tij formal (përtej çdo aspekti ideologjik,
por në fund të fundit edhe politik) nuk është tjetërsuar dhe nuk është
vënë në pikëpyetje me qëllim për t’u shfuqizuar apo për t’u eliminuar.
Është pikërisht ky fakt historik që i mbijeton edhe sot në aspektin
formal juridik deri në Kushtetutën aktuale, e cila emërton Shqipërinë si
Republikë. Emërtimi Republikë është anulimi i plotë dhe pa asnjë
mëdyshje i emërtimit Monarki ,ose Mbretëri. Këtë gjë nuk e kemi bërë
vetëm ne shqiptarët. Shtete me tradita monarkike të gjata si Italia dhe
Greqia juridikisht u shpallën dhe janë edhe sot Republika e Italisë dhe
Republika e Greqisë. Të mos harrojmë se ky realitet juridik është
kushtetues. Republikë do të thotë që qytetarët janë njëkohësisht dhe
taksapaguesit e Qeverisë së Republikës. Por shikoni se çfarë ndodh në
Shqipëri? Qeveria shqiptare ndërmerr nisma dhe paguan fatura të mëdha
për të bërë mauzoleun e Mbretit të vetëshpallur Zog si dhe statujat
kushtuar atij. Si mund të justifikohen këto fatura të paguara nga
taksapaguesit e Republikës? I kam studiuar me kujdes ngjarjet që kanë
ndodhur në Itali dhe Greqi. Edhe aty ka patur zhvendosje të eshtrave të
monarkëve, krijime të mauzoleve apo edhe të statujave të pjesëtarëve të
familjeve monarkike, por vetëm në rrafshin e shpenzimeve të bëra nga
vetë familjet dhe pinjojtë monarkikë, apo edhe të fondacioneve që lidhen
me to. Në asnjë rast Republika Italiane nuk ka shpenzuar për familjen
monarkike Savoja. Në asnjë rast Republika Greke nuk ka paguar fatura për
familjen e tyre mbretërore. Në Shqipëri ndodh marrëzishëm ndryshe. Pse
ndodh kështu? Dhe pse duhet të ndodhte kështu? Përcaktimi që zë në
histori dhe në politikë emri i Ahmet Zogut nuk është aspak një çështje
qeveritare, por është një subjekt i historisë shkencore të mirëfilltë.
Në asnjë vend të botës nuk ndodh që një shtet i quajtur Republikë të
ketë një mëtim dhe përkushtim kaq të madh ndaj Monarkut. Është e
pakuptueshme dhe jashtë sensit të historisë një gjë e tillë. Në mënyrë
të veçantë është jashtë çdo vlerësimi dhe detyrimi kushtetues. Është
jashtë çdo logjike që në pritjen e dhënë nga Presidenti i Republikës me
rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, ai që deri dje quhej Pallati i
Brigadave, tani emërohet (jashtë çdo ligji dhe përcaktimi juridik të
miratuar) si Pallati Mbretëror. Është e vërtetë që mbreti Zog aty donte
të ndërtonte pallatin e tij, por ai mbeti përgjysmë dhe vetëm në kohën e
Jakomonit u përfundua. Nëse e përfundoi Jakomoni, pse mos ta quajmë për
shkak të vërtetësisë historike formale si Pallati i Jakomonit? Ja ku të
çon grotesku dhe marrëzia! Shikoni dhe përvojat e tjera ndërkombëtare
të vendeve fqinje si Bullgaria dhe Rumania që kanë qenë monarkike. Ato
nuk kanë vepruar aspak siç kanë vepruar në Shqipëri. Atëherë, përse jemi
jashtë rregullit juridik? Kujt i hyn në punë kjo gjë? Sepse në
kundërshtim të plotë me titullin e mësipërm të shkrimit tim të shtruar
në formën e një pyetjeje, përgjigja është e qartë: Shqipëria nuk është
Monarki, por është Republikë. Nuk është as edhe hibrid i Monarkisë dhe
Republikës. Dhe ky është një produkt i pashmangshëm dhe emancipues
historik. Politikanët tanë, kushdo qofshin ata, të djathtë apo të majtë,
janë të detyruar nga Kushtetuta ta respektojnë pafundësisht këtë gjë!