Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë...
At Gegë LUMAJ O.F.M.
(15 Tetor 1904 – 18 Nandor 1990)
|
At Gegë
Lumaj ka lé në fshatin Plan të Dukagjinit me 15 Tetor 1904. Mësimet e mesme i
mori në Lice të Françeskanëve të Shkodres, ndersa të naltat i ka perfundue në
Romë...Vazhdoi Akademinë e Arteve per pikturë në Siena t’ Italisë, dhe u laurue
atje.
Shugurohet
meshtar në vitin 1931. Filloi me sherbye në Malësi të Shoshit derisa shkoi së fundi
në një nga qendrat atdhetare të Veriut, në Iballe të Pukës, ku u arrestue nga
sllavokomunistët e Enver Hoxhës, kur po thonte Meshë, me 17 Janar 1945. U dënue
me 28 Gusht 1945, mbas tetë muejsh tortura me një grup klerikësh që asnjeni nuk
dinte me tregue per shka u “akuzuen” kur perfunduen dënimet nder kampe
shfarosje...
Asht Kleriku i Parë Katolik Shqiptar,
që fillon Kalvarin e Gjenocidit komunist të viteve 1944 – 1991... dhe e mbyllë
até me 18 Nandor 1990, po në Plan të Dukagjinit...
Kohen ma të gjatë nder burgje e ka
kalue në Burgun e Burrelit...
Ishte “trim i çartun”, i matun dhe i
heshtun si Burrat e motit t’ atyne Bjeshkëve.
Nuk kishte ma të voglën kreni për
punët e mëdha që kryente në famullinë e Tij. Dallohej si trim. Në gjyq asht në
bankën e të akuzuemve me At Dioniz Maken dhe At Giacomo Gardin S.J., edhe ky, i
arrëstuem në Shkodër ndër ato ditë. At Dionizi më tregonte aty nga viti 1994,
se gjyqi po zhvillohej i rrebtë mbasi mendohëj nga Sigurimi me hjedhë “thëmelet”
e një “Partisë Demokristjane”, që as nuk i kishin ndigjue zanin se asht formue
në Shqipni. Flitëj për vitët 1943-44. At Gega vazhdonte me mohue para gjyqit
akuzat false në drejtim të tij nga hetuesi Ali Xhunga. At Gardini, në krahun
tjetër nuk pranonte se ka ardhë në Shqipni për qëllime spijunazhi ndërsa, At
Dionizi, qëndronte në të tijën, se nuk asht marrë kurrë me politikë. Njëfarë
Nuri Llazanit, agjent i Sigurimit komunist, akuzon At Gegën, se ky i kishte
ndjekë me kalë kur Nuriu ishte kenë me një grup partizanësh... At Gega mohon
tue kërkue dëshmitarë tjerë që janë kenë me té, mbasi ishte i sigurt se ngjarja
nuk asht e vërtetë, por asht trillim i Nuriut. Nuriu, jo vetëm, ngulë kambë se
asht ashtu si thotë ai, por edhe kërkon nga trupi gjykues që At Gega, me shokët
e tij në bankën e të akuzuemve, të marrin dënimin ma të randë.
At Gega, aty për aty çohët në kambë
dhe, u thotë: “Po më vjen marre mue sësi nji turk Shkodrët akuzon në rrenë nji
klerik katolik, pa kenë kurrgja e vërtetë!”.
Fadil Kapisyzi që do të dëshmonte për
At Dionizin, e zbutë “dëshminë” e tij, tue pasë frikë se edhe ai po merr një
përgjegje si Nuriu, prej At Dionizit.
Kjo thanje e At Gegës, më tregonte At
Dionizi, u ba shkak që na me marrë dënime të lehta, mbasi fjala e At Gegës mori
dheun.
At Gega arrëstohet më 17 janar 1945,
lirohët në mars të 1962.
* * *
E njoha në vitin 1966, kur pata hapë
një ekpozitë pikture personale. Erdhi si vizitor me At Aleks Baqlin, dhe mbasi
më la dhe një pershtypje modeste të veten, mbas pak ditësh erdhi me pi një kafe
urimi tek shtëpia. Ishte hera e parë që kam dëgjue një prift tue folë me detaje
per artin... dhe ishte prap hera e fundit që mbas pak muejsh do të zhdukeshin
perfundimisht gjurmët e mbetuna pa u shkatrrue mbas vitit 1944, prap nga
pushtuesit sllavokomunistë e anadollakë në permbytjen perfundimtare të Shkodres,
që do të zbulonin fëtyren e tyne prej terroristësh me 6 Shkurt 1967...
Asht prap i Pari Klerik që u arrestue
në “Revolucionin Kultural” të vitit 1967, kur u thirr me u demaskue në
Istitutin Pedagogjik të Shkodres, në mars të atij viti...
At Gega ishte i bindun se do t’
arrestohet, po nuk iu tremb syni fare...
Me arrestimin e dytë At Gega, në vitin
1967 në “Revolucionin Kultural”, prap akuzohët për “Partinë Demokristjane”. Ai
deklaron në hetuesi dhe në gjyq: “U kam thanë në vitin 1945 hetuesëve Ali
Xhunga me shokë, dhe prap tashti në 1967 Elham Gjikës dhe Dhimiter Shkodranit,
si edhe shokëve që kanë mendue se nuk asht keq me pasë në Shqipni një Parti
Demokristjane, mbasi mund të lidhemi me vendët e Evropës Perëndimore sot nëpërmjet
të kësaj partie, duhët me pasë shumë kujdes dhe mos me e formue kurrë këtë parti,
mbasi barra ka me i ra Klerit Katolik. Ka 20 e sa vjet që vazhdoni me akuzue
Klerin, pa kenë kurrkund partia, po ba me pas kenë shka paskeni dashtë me ba
ndër né, ju kështu, edhe po na qitni fare!?” (Dosja 2291 Arkivi M.M.Tiranë).
I pathyeshem deri diten e vdekjes!
Arrëstohet
në vitin 1967 dhe lirohët në vitin 1977.
Ka vdekë
në vitin 1990, i rrethuem nga dashnija e pakufi e kushrinjve të Tij, ndër malët
e egra e shumë të dashtuna të Alpëve, prej të cilave At Gega, trashigoi karakterin
e fortë burrnor e trim të Tij.
* * *
At Gegë Lumaj, një Françeskan i
vertetë, filloi i pari Golgoten Shqiptare, dhe deri në vitin 1977 ishte vetem
pesë vite pa pranga, hekura rrethues dhe polic...Bashkë me permbytjen në
zjarrin e luftës civile në Shkoder, filloi dhe lufta kunder Klerit Katolik
Shqiptar, një luftë e pashembullt në Historinë e Shqipnisë, e cila shumë shpejtë
merr percaktimin e saktë: “Gjenocid komunist” i zbatuem nga sllavo anadollakët
tanë.
Në gjysen e dytë të
Shekullit XX (1944 – 1991), komunizmi në Shqipni ishte urrejtja sllave
shekullore antishqiptare, që ushtroi Gjenocidin kunder Klerit Katolik Shqiptar,
inteligjencës dhe Atdhetarëve tanë, me anën e një grupi anadollak tradhëtarë e
antishqiptarë të shitun tek ata!
Melbourne, Shkurt 2014.