05 July 2012

PJETER BUDI: Leter Romes


PASQYRA E TE RREFYEMIT
PJETER BUDI

- Leter ne Rome me 15 t'Shtatorit 1621 -

Une Pjeter Budi, Ipeshkv i Sapes e i Sardes, shume i pervujtshmi sherbetor, po i shkruaj te Nderueshmes Zotenise Sate me e bere me dite plotesisht mi sende te provinces se Shqiperise, atdheut tim, e pike se pari po e filloj me i deftue arsyen e te ardhunit tem ne kete ane; mandej kam me e dhane dhe shkrimin e tokes e Papa me projtim te vet e me pak ndihme ka me e mujte e me pushtue, me ndihme te Zotit, jo vetem Shqipenine, por edhe te tane Maqedonine e viset e tjera te Turkut: gjithe kjo pune do te behet msheftas e shpej tuj e majte rruget qe zotni Kalor Bertuci i ka deftue Papes, fort te pershndritshmit Kardinalit Ludovizit e zotenise sate shume te pershdritshmes te shenjuemun prej Shejtenise se Tij ne kete cashtje.
Une kam le ne Gur te Bardhe, qytetth te Shqiperise prej deres se mocme Budi te Maqedonise, e qysh i ri kam ndenje gati gjithmone ne sherbim te disa Ipeshkvive te vendit tone prej te cilave kam nxene keto pak letra deri ne vjete '21, perse atehere qeshe bere meshtar e dergue me te shpejt ne Province te Serbise; nder ata popouj katolike ndenja 12 vjet deri ne Sinode te mbrame te provinces qe kje mbajte prej Imzot Tome Orsinit, Arqipeshkv i Tivarit ku me pelqimin e prifterise mbare e te atyne popujve, kjeshe bere Ipeshkv i gjimbarshem per Serbi, masandej nje tjeter here ne vizite te Imzot Bicit, ndjekesit te Arqipeshkvit te permendur, kjeshe miratuar ne ate zyre. Ne kte vend kam ndejte 17 vjet dhe sa kam mujte u mundova me i ndihmue, me i forcue ata popuj e ata meshtare me kujdes te madh, me pasqyra te pershpirtshme e me libra te devocem qi shkrova ne gjuhe te tyre, si per ata te Serbise edhe per te Shqiperise, sikunder duket edhe sot nder ato vise. Kjeshe lute shume e shume here prej parise se atyne popujve te Shqipenise, e sidomos prej dy myslimaneve kreshnike te gjakut tem, te cilet jane te pare nder gjithe ato vende, qe te vishin ne keto ane me u pjeke me te permendunin kalorin Bertuci. Kalor Bertuci eshte provaniku i gjithmbarshem per ata popuj te krishtene si ne Mbreterine e Bosnjes, si te Shqipenise.
Bashke me kete zotni kjeshe porositur me ja thene deshiren Papes, ose ndonje Princit te krishtere. Kah mendoshe me tjeter ane demin e madh qe heq feja prej do rregulltareve te atyre viseve, e prej deshires qe kam me e lajmerue Lumnine e Tij mbi keto pune qe t'ju gjejme mjekim, u nisa vullnetnisht ne vjete 1616 me ardhe te kroi i hinit dhe i mishrires. Sa mrrina ketu (ne Rome), u orvata me shume te lutura me ia ba te ditura keto pune Papa Palit V. Kesaj here s'mujta me krye gja pse s'gjeta kalors Bertucin, i cili aso kohe ishte derguem ne Madhnine Mbreterore Gjermani shi per keto pune e pse une s'jam i perpjekum ne sendet te Romes as s'me duel me gjete ndonje mik tjeter ku me u peshtete.
 Provina e Shqipenise gjindet kufitare me Maqedonine, kah perendimi ka detin Adriatik, kah lindja ka Greket, kah veriu ka Serbet dhe Bullgaret. Asht e sundueme mbare prej Turkut e nder do vende me te poshtra dhe me mizore sa s'ka. Kjo province ka ne vedi 14 ipeshkvi qe mjerisht tash sa vjet jane pa bari, jashte dioqezes se Stefanensit dhe Albanensit e te dy te tjereve qe tash vone kjene ba sikurse une, e nje tjeter franceskan per Dioqezen e Leshit.

Keta popuj tuj pase shku shume mote pa sundim te shpirtit kane rene ne nje padije kaq te madhe sa shume nder ta leshojne fene katolike, disa i peshteten shkjenimit, disa muhametizmit, sidomos nj'ata qe gjithmone e ma teper se te tjeret jane nen mizorite osmane; e ata qe s'jane te shtypun prej Turkut jetojne krishtenisht, sikunder kelmedasit, te cilet banojne nder male permbi liqen te Shkodres. Keta jane nja 60 luftetare te rrepte dhe trima te qitun, qe Turku s'ka mujte kurre me i pushtue, as pagese s'ka mujte me nxjerre prej tyne, e nate e dite rrine me arme ne dore kundra ketij armikut. Keshtu edhe popujt e Kucit e te Peperit beselidhunit e tyre bashke me ata te Markoviqit, qi jane 6000 luftetare te forte, pos shume popujvete tjere te viseve ne rrethe te Shkodres, te cilet flakerojne me e pa nje dite lirimin e vet.
 Ne anen tjeter kah Kruja jane Dukagjinasit qe tash 30 vjet i kane dale doret Turkut, nja 6000 luftetare te gjithe me armet e veta. Jane trima te qitun e te rrepte sa s'ka e fort te rrahur ne sende te luftes: jetojne nder male mbi Leshin, ndermjet Shkodres dhe Krujes, e deri sot i kane sjelle deme te medhaja fort Turkut me pre te padame, me rrenime keshtjellash e tokash. Gjithmone kane dale mujsa nder lyfrta kundra Turkut armikut te tyre ma te parit. E te tane keta popuj qe
permendem sypri, jane te krishteme e te kushtuem me zemer ne Kishen Romake. Gjinden kah kufijte e Maqedonise e te Bullgarise popuj te tjere qe thirren viset e Skenderbeut, due me thane Mati, Benda, Kurbini,Tamadea, Cermenika, te rreshtuar nder male te Krujes e te Elbasanit. Sado qe pak te perziem ne muslimane, e shuma e tyne eshte e krishtene. Jane luftetare te rrepte si ata te paret, e te ndezum me pa nje dite plamurin e ndonje princi te krishtere qi t'ju ndihmoje ndopak e te bashkohet me ta kunder Turkut me e qite jashte sikunder keta popuj shpresonin atehere qe markezi Santa Kroce mori Durresin.
 Ne ate kohe keta pupuj menduan se do te perparonte si vetetima, me nje nate erdhen me armet e veta deri ne buze te detit. Ne nesre Turku i diktoi e ua bleu mendimin qe kishin por tuj pa gjitha ata burra te pergatitun per lufte s'guxoi me me i nguce e me i fye, madje Turku vrapoi mos ta rrethonin shqiptaret.
I permenduri markez nuk u ndal nder ato vise shume dite, e pra dhe Dukagjinajt u larguen andej tuj prite ndonje rast tjeter me e kry deshiren e vet. Kur keta
popuj kane me pa flamurin e ndonje Princi ngrehun ne ndonje kala paranike te Shqipnise kane per t'u cue ne kambe nja 30000 shqiptare, burra luftet e te rrepte.
 Kreshniket e atyne popujve jane ma shume te gjakut tem, e miq zemre, si edhe muslimanat e pare nder ato vise, te cilet e kane zbulue zemren e vet. Me ate pari e kena shestue menyren ma te kollajshme me shti ne dore kalanat ma te parat te atyre vendeve, njashtu si e din bukur mire kalor Bertuci. Ky pra tuj kene miku
jone ma i besueshmi, si bashkatdhetar qi ashte e fort i rrahun ne tana sendet qi lypen per kryemen e kesaj pune, e din menyren dhe kohen ma te mire per t'ia nise. Une pra tuj e dite se ky zotini ia ka shti ne vesh Papes e Zotnise Sate fort te shnderritshmes te tana keto fjale, s'ka cka shtoj; atij pra mbi kete pune me gjithe
ata popuj pi i peshtetem.
 Per me ndjek pra shestimin tem po i diftoj Zotnise Sate se kur u nisa prej atyre vendeve fort e fort m'u luten ata kreshnike popujsh si te krishtene si muslimane, sic thac para, qe domosdo t'ia kallzojshe Papes o ndoj Princi tjeter kete deshire qe kane, qi te nxehen me ardhe ne projtim te tyne e me i ndihmue me ushtare e me sende te tjera per lufte, sado qe per shujtime te jetes vendi ka plotni e s'ka nevoje per kurrgja. Nevoja e tyne eshte per nje Princ qe t'u behet krah me gjind, sidomos me prijsa luftet e me xhebehane; nder te tjera mastojne vete me i ba balle Turkut. Qe ate dite e sot kane kaluar tri vjet qe keta popuj s'kane pase prej ketej kurrfare lajmi mbi kete cashtje, prandaj me kane derguar nje bujar Kol Leka te Ipeshkvise se Sapes. Ky eshte fort i marrun ne qytet te Shkodres e Leshit e asht i lidhun me bese ne popuj te Kelmendit e te Dukagjinit, sikur ka me ndi Zotnija Jote prej tij.
 Jane edhe do popuj te tjere nder reth te Shkodres, Drivasti, Pjeterspani, Paletini, Sapa, Sarda, Leshi, Kruja, Ishmi, Precja, Androniki, Elbasani e shume e shume vende te tjera, e keshtjella popuj te panjohun, te tane te krishtene sado qi pak te perziem me muslimane. Te tane jane te armatosur e kapen deri ne 8000 luftetare.
Jo vec te krishtenet po edhe muslimanet ma te paret flakerojne prej deshires me i kepute nje dite hekurat e rande te Turkut, perse s'munden me e barte mizorine otomane e te tane kane qit mendimin, a me deke me arme ne dore a me dale prej atij mjerimit.
Prandaj kush kupton cfare vendesh e cfare burrash ka Shqipenia e sa kollaj mundet njeriu me ua hanger zemren e sa lehtas mund te pushtohen kalanat e para te Turkut, me te vertete s'kishte me bjerre asnje grime kohe per me krye keto vepra te medha. Do te dihet edhe se pushtuesi i kalanave te Shqipenise, per nji here del sundues i Maqedonise, i Bullgarise, i Serbise edhe i Greqise.
 Rrenimi i Turkut vjen kur t'i hiqet Shqipenia, pse Turke nuk mundet me pase dame me te medhaja prej kerkujt sa prej anes sone e kjo merret vesh prej shume arsyenash: ma pse kalanat qi kane per t'u marre prej te krishteneve jane te papushtueshme e munden me u mbajte me pak vete... Keto kalana kane me u marre ne nje kohe qe te ndermjetesosh nja nje muaj deri sa te forcohen e te mbushen me sendet e nevojshme te luftes.
Keto kalanat jane aq afer bregut te detit sa me nje dite e me nje nate mund t'u vihet ndihma e jone. Mos me ardh Turku neper det me i mesye do t'i vije prej se larget, edhe ne ardhte neper det s'kane me pase limane ku te sdrypin gjindjen e vet pse te tana ato kane kene te marrun e te zanun prej nesh. Edhe per toke Turku
nuk ka me mujte me ardhe, pse grykat e maleve nder kufi te Greqise e te Shqipnise jane aq te veshtina e te ngushta sa me mujte fort kollaj njeqind vete me u pergjigj e m'u qindrue dhjete mije vetve. Shqipnia eshte vendi i majme e i mbushun me gjith
cka lypet per jetese, ka ajer kaq te bute e te shendoshe sa s'gjindet mi faqe te dheut..., ka vise te kendhsme me gjithfare gjojet, me vena fort te zgjedhshme, me vaj e grune te pashoq, me frymore te panjehun, plot me luma e prozhme e liqeje me gjithfare peshku; shkurt per mbrenda e per jashta e gjithkund duket si Parajse toket...

Me shndet e jete
I zotnis s'at fort t'shndritshmes
N'Rrome me 15 t'Shtatorit 1621
i pervuejtshme Sherbtuer

PJETER BUDI
Ipeshkvi i Sapes e i Sardes




ANA E FRIKËSHME E FUTJES NË BE- nga Riza Lahi

Riza Lahi
RIZA LAHI
               
                              ANA E FRIKËSHME E FUTJES NË BE


E cila qënka kjo anë e frikëshme krahas të mirave të mëdha e të padiskutuehsme të futjes në BE?
Popujt e vegjël kanë këtë rrezik potencial – goditjen e rëndë apo dhe humbjen e identitetit të tyre kombëtar.
Këtë tezë nuk është se e kemi zbuluar ne të parët; këtë e dijnë apo e hamendësojnë të gjithë, por te ne në Shqiëri, siç duket pak kush e ka në referencë.
Shtylla të identitetit kombëtar janë, së pari gjuha. Nga 3.5 milion fjalë që përmban bagazhi I leksikut tonë, a janë në monoritet të theksuar fjalët origjinale të  shqipes? Unë ende nuk dua ta besoj shifrën 700 – 800 fjalë gjithsej, siç e kam lexuar në një statistikë.Latinizmat , sllavizmat dhe turqizmat e kanë bëre të veten gjatë shekujve. Alarmin e dhimbshëm e pat dhënë 5 shekuj më parë një prift – Gjon Buzuku, kur shkruan për gjuhën tonë që “po bdaret e po bastardhohet”.
Leksiku i shqipes është goditur rëndë gjatë globalizmit romak dhe ottoman. Por këta lloje globalizmi, nuk mundën ta mposhtnin kurrë, ta merrnin qoftë edhe kullë nga morfologjia, sintaksa dhe ndërtimi i fjalive të gjuhës sonë kaq të vjetër dhe , me siguri që ka qënë edhe po aq e pasur.
Alarmin atëherë e dha një shkrimtar – Buzuku.
Shkrimtarët shqiptarë të ditëve të sotme po shkojnë drejt shfarosjes, duke I lënë vëndin një kategorie tjetër pasionantësh për të shkruar, për të derdhur hallet e dertet e veta , që kunderejt prarave, mund të botojnë çfardo dhe sapo të kenë derdhur të hollat në numurin përkatës të llogarisë.
Si të shujanë pasionet edhe kjo kategori, do të vijnë të tjerë, që do të pyesin se përse ishin kaq budallej paraardhësit e tyre që merrnin para borxh për të botuar një libër apo e bënin faqen shollë, dhe mandej e dhuronin andej – këndej.
Kjo që po shkruajmë nuk del nga shpirti I një Kasandre. A nuk e kemi parë se brima e fundit e kavallit në këngët tona, deri edhe në festivalet kombëtare, janë tekstet? E kush don të dijë më për këtë? Kam shtangur sytë kur mora vesh se kishte 500 000 klikime një “këngë” me fjalë nga më banalet të përfshira në “lirikën” e këngës.
Mjafton vetëm ky tregues për të treguar shijet e çoroditura me të cilën po ushqehen brezi i ri i “evropianëve”.
Shkrimtarët profesionistë që ka kultivuar me mundim populli ynë nuk I përkrah askush, nuk kanë para për një kafe dhe u kërkohet që të humbasin sovranitetin e  tyre me gjithfarë formash. Sot ai lloj shkrimtari si Jakov Xoxa, etj, që zhbirilonte në leksikun e shqipes si një urith I palodhur, nuk egziston më.
Dakord, shqiptarët kanë jetuar edhe pa shkrimtarë; fare pa libra apo vetëm me përkthime, siç po bëhet sot. Po , anë tjetër e këtij identiteti që ne themi se është në rrezik – dhe këtu duam të ndalemi kësaj radhe – është  folklori.
     Mendojmë se sociologët e fundshekullit njëzet, duket se kanë patur krejtësisht të drejtë kur parashikonin se, pas përfundimit të “luftës së ftohtë”, konfliktet në rruzullin tonë kanë për të qënë në kryeisht në drejtimin nacional dhe në atë fetar.
Duam të cekim vetëm për pak se, te ne nuk është kujtuar askush se kemi një burim të mrekullueshmë turizmi që nuk e ka askush në tër rruzullin. Shumë misonarë fetarë që kanë ardhur ten e kanë deklaruar se pjesa tjetër e botës ka mundësi të mësojë nga populli shqiptar për tolerancën mes të trija feve ; feve që shprehen me për tolerancë dhe butësi dhe që janë nga më agresivet dhe që kanë treguar kthetrat e veta mesjetare sa e sa herë kudnër kundërshtarëve të vet. Epra , këta tre fe shkojnë për mrekulli në Shqipëri, megjithëse u përpoqën shumë për ta shkatërruar këtë ekuilibër. Le ta lëmë për një herë tjetër këtë temë. Të vazhdojmë për konfliktet nacionale.
Vetëm një i verbër nuk i shikon se si janë në rritje këta konflikte. Do të thonim se konfliktet me armë janë njëra nga format e shmuta të shfaqjes së nacinalizmave . Këta lloj konfliktesh të përgjakura tanimë , si të thuash, janë vënë në zap, por të tjerat, kanë arrdhur duke u rritur.
Ishim me ansamblin “Shqiponjat” në “Gazi Baba” të Shkupit dhe pamë me adhurim se si stafi maqedon dhe ai shqiptar që qëndronin praë nesh, i përngjisnin një zemre të vetme. Mrekulli! Në atë vënd para ca kohësh ka pasë plumba dhe gjak për motive nacionale.Edhe partitë në këtë vënd janë të karakterit nacional.
Nuk u interesuam për VMRPDPME, por shumë që pyetëm, na thanë se dy partitë shqiptare , e Thaçit, dhe e Ahmetit, asqë bëhet fjalë, të kenë ndonjë antar maqedon.
Mirëpo veprat e mrekullueshme skulpturore , madhështore, të mahnitëshme nga arti, kushtuar Filipit të Dytë, luftëtarëve të asaj periudhe dhe njërit prej strategëve më të mëdhej që ka nxjerrë njerëzimi, njeriut që ka emrin e monedhës së shqiptarëve, Aleksadrit të Madh nuk ishin ngritur kot.
Edhe shqiptarët kishin nxituar të vinin shtatoren e Skënderbeut, që, ç’është e drejta, stononte nga përmasat e veprave të sipërpërmendura.
Këta vepra me kushedi se sa shumë harzhe, janë ndërtuar këtë një dy vitet e fundit. Dhe kjo flet për furinë nacionalsite që gëlon edhe në këtë vënd të vogël dhe me probleme.
Por,  një nga treguesit më të fortë të ndjenjav nacionaliste nëpër Evropë, janë përkujdesja shumë në rritje ndaj folklorit dhe shkrimtarëve vendas. Për shkrimtarët vëndas që në Shqipëri e kanë gjëndjen “ ibreti mu sibret”, kemi folur sa na ka zënë goja lesh. Shteti shqiptar gjen para për të ruajtur paqen me ushtarët e vet në disa vënde të botës, por 5 lekë të qelbura për të mbajtur gazetën 106 vjeçare, më të vjetrën, gazetën e shkrimtarëve dhe artistëve “Drita”, nuk I gjeti dot; për turpin dhe pafytyrësinë e tij dhe të klasës së tij politike!
 E…na mbetet te folklori. Në mënyrën më të pastër dhe të drjetpërdrejtë atje paraqitet identiteti, bota shpirtërore , psikologjia, ndjenja e së bukurës…gjithëçka shqiptare kur ne po këmbëngulim të futemi në gjithpërfshirjen e BE.
Kudo ku kemi qënë me “Shqiponjat”, me ansamblin “Kaltërsia” apo “Beslidhja gorare”, kemi parë se vëndet mikpritëse kanë bërë dhe bëjnë të gjitha përpjekjet për të organizuar sa më mirë festivalet folklorike që i bëjnë “ndërkombëtare”. Ne këtu në Shqipëri na dridhet zëmra të organizojmë ndonjë të tillë festival. Ja, sapo u bë festivali ndërkombëtar i CIOFF Albania në Përmet. Me përpjekje të jashtëzakonëshme të presidentit shqiptar Niko Mihali, ja, u realizua dhe sivjet, por me fonde thuajse të mjera dhe pa madhështinë e festivaleve paraardhëse.
Pavarësisht se ky lloj aktiviteti tanimë ka përmasate  një institucioni.
Kudo ku kemi qënë , bashkitë vëndase, kanë qënë të mobilizuara në tërësinë e  tyre për festivalet e folkut në zonën e tyre. Asqë bëhet fjalë që kryetari I bashkisë, prefekti, gjenerali ushtarak I zonës ( Në Turqi) të mos presin përfaqësuesit e folklorit të vëndeve mysafire, të shkëmbejnë dhurata, etj. Po te n e?
Megallomania a, mbase injoranca e kryetarëve të bashkisë është kaq turpësisht evidente, saqë asnjëri prej tyre – dorën në zemër nëse ndonjëri e ka bërë e nuk e di unë – nuk merr mundimin të vejë t’u japë dorën artistëve që vejnë apo kthehen nga jashtë atdheut ku prezantojnë anën nga më qënësoret të identitetit tonë kombëtar ( që e rrezikon gjithmonë globalizmi). Kthehen fëmijët shqiptarë apo dhe artistë të rritur nga aksh vënd, ku kanë marrë vënd nderi, e nuk e lëviz b…as edhe një funksionar I dorës së tretë të një minibashkie të vijë e t’i takojë, sa për “më ka çue nana me la gojën”, , pavarësiht se atje ku kanë qënë, ata kanë takuar dhe I ka spërkatur me levandën e zyrës, kryebashkiaku I një qyteti me 400 mijë banorësh, psh.
Ansamblet folklorike janë thuajse të gjitha private dhe , fëmiëjt atje, janë kryeisht prej familjeve të varfëra apo drejt mesatares.
Çfar i prishet, ta zëmë, kryebashkiakut të Kryeqytetit, ta vërë në rend të ditës të takojë edhe këta burra dhe gra që po konsolidojnë me sa munden atë pjesë të identitetit tonë kombëtar? Të krenohet kur ata paraqiten mirë? Të bëjë një foto me ta? Po kryebashkiakut të Kamzës, a nuk do t’ I shkonin punët akoma më mirë, sikur të kishte më shumë marëdhënie me drejtuesit e ansamblit të madh folkloric “Kaltërsia”të qëndërs së tij tanimë me 100 banorë, shumica, ardhacakë?
Morëm këta dy shëmbuj nga Tirana, thejsht, për mungesë informacioni për më tej.
  Nëse paqeruajtësit shqiptarë , me paratë e taksapaguesëve shqiptarë venë të kryejnë misone jashtë atdheut për ruajtjen e paqes globale dhe  priten e përcillen me nderim, përse nuk ngjet një gjë sado e përafërt me ansamblet e folkut shqiptar, që, për më tepër, në asnjë rast nuk ka ngjarë të kenë cënuar fondin e shtetit?
Para disa vitesh isha në pozitën e përkthyesit  në një seminar të CIOFF tok me z Niko Mihali. Presidentja italiane e CIOFF atje na tha se edhe ata kishin në Itali costume të bukura folklorike, psh, tha ajo, në Kalabri dhe na la të kuptonim  për pasuritë e mëdha folklorike që ka Shqipëria , sadoqë shumica e tyre paraqitet , shtoi më pas me cinizëm, me cilësi mesatare e poshtë. Sigurisht që kishte të drejtë.
Mirëpo…në Alatri të Italisë, kur ishim para dy viteve me “Shqiponjat”, që drejtohet nga ish piloti I mbrojtjes kombëtare shqiptare Eqerem Tuga, në një festival ndërkombëtar folku atje, organizuar nga CIOFF vëndas, ne ndeshëm në një këngë…së paku 350 vjeçare. Ishte tipike napolitane, e gëzuar, e qeshur dhe ngjyrangjyra, por, edhe vetë këngëtari që e prezantoi atë, nuk i kuptonte disa fjalë. Ato ishin në një italishte shumë të vjetër. Vallë nga cili synduk I popullit komshi Italian kishte dalë ajo perlë ?
Dhe e kujtuam sërish bisedën me  presidenten e CIOFF Italian.
Ne shqiptarët duke hyrë në BE nuk kemi përse të mbajmë kryet ulur, por lart.
Le të hyjmë në BE jo duke u krenuar për shtresën e politikanëve e as të parallinjve.
Vështirë të krenohemi më edhe me mendimtarët e shkrimtarët.
Ne duhet të hyjmë dhe do të hyjmë duke mbajtur të shkruar me gërma të mëdha në ballin tonë   folklorin e pasur  dhe tolerancën fetare

                              Botuar te “Tirana Observer” 4.07.2012

TAKIM ME ELIZA DUSHKUN...


TAKIM ME ELIZA DUSHKUN…

Aktorja e njohur shqiptaro-amerikane përgatit një film për 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë
Aktorja Eliza Dushku me Skifter Këlliçin
 Nga Skifter Këllici
 Boston ,SHBA,

    Jo rrallë unë  gruaja ime,Natasha, ish-gazetare në Radio Tirana,dhe djali im,Maldi,muzikant, diplomuar në kolegjin e famshëm  Berlki ne Boston, fundjavën e kalojmë së bashku me shqiptarë të tjerë në   kafe-restorantin “Alba”,të biznesmenit shkodran Leonard Keka,i njohur si dashamirës i artit,kulturës dhe sportit,që ndodhet në Kuinci,qytet pranë Bostonit.
    Kështu vepruam edhe këto ditë.Por këtë radhë ata të dy më kishin përgatitur një të papritur shumë të këndshme… Sapo u ngjitëm në katin e dytë,në terracë,ku kishte plot njerëz, ndër të cilët më shumë shqiptarë dhe shqiptaro-amerikanë,u ndodha përballë një vajze të këndshme shtatlartë ,rreth të tridhjetave, të rrethuar nga disa fotoreporterë.Në cast m’u duk  fytyrë e njohur dhe pastaj nga mënyra se si  fliste, si buzëqeshte, u kujtova se ndodhesha para aktores së njohur amerikane me origjinë shqiptare,Eliza Dushku.
    Gjatë atyre muajve isha rrekur të gjeja në google të pakten një adresë të saj, një numër telefoni dhe ja ajo, si e rënë nga qielli ,ndodhej jo shumë larg meje.Nuhatja prej gazetari më bëri të përgatitesha që të gjeja rastin sa më të parë për të sulmuar  “këtë gjah të rrallë”,por nuk qe nevoja, sepse si djali ashtu edhe gruaja, pasi iu afruan asaj, i bënë shenjë nga unë…
    Ja pra e papritura e kësaj fundjave:takimi me Eliza Dushkun pas njoftimit të saj nëpër rrjete interneti se ajo përgatitej të realizonte një film dokumentar kushtuar Shqipërisë me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë.
   Atëherë i befasuar iu drejtova, i shtrëngova dorën dhe ashtu sic kisha përfytyruar,iu luta që, meqënëse isha jo vetëm gazetar ,por edhe shkrimtar,të më kushtonte disa minuta.Ajo pranoi me kënaqësi.
    Dhe këtu filloi pjesa e dytë e kësaj të papriture: Nga një cante e bukur kartoni gruaja nxori  tri kopje te romanev të mia të botuara vitet e fundit:”Dashuri e gdhendur në shkëmb” me temë ilire, mbi motivet e nje tregimi të mahnitëshëm të shkrimtarit me origjinë came,Bilal Xhaferi ,vdekur më 1987 në Amerikë,”Shtatori i gjëmës së madhe”,kushtuar tragjedisë së 11 shtatorit të vitit 2001, ku ndër 3000 viktima qenë edhe tre shqiptarë, personazhe të këtij romani, dhe “Atentat në Paris”, ribotim me ripunime, kushtuar aktit heroik të Avni Rustemit që me dy të shtëna vrau më 1920 në Paris tradhtarin Esat Toptani.
   Natyrisht m’u desh që aty për aty të vija në  shenjë kujtimi autografin tim në të tri kopjet e romaneve të mësipërme dhe t’ia dhuroja asaj.Eliza u gëzua kaq shumë për këtë dhuratë,sa më përqafoi me mirënjohje. 
    Pastaj kur  tregova  shkurtimisht  përmbajten  e këtyre romaneve, ajo mbeti e habitur.”Më vjen shumë keq,-më shpjegoi,-që di shumë- shumë pak shqip,sepse do të kisha dëshirë t’i lexoja.Por,sidoqoftë, kam filluar të mësoj.”
  Nuk dua të zgjatem me jetëshkrimin ne Eliza Dushkut,që pak a shumë njihet në Shqipëri,por, megjithatë, e ndjej të nevojshme të nënvizoj   se ajo ka lindur në  Uotertaun të Bostonit, se ka filluar të interpretojë  në filma që e mitur, se që ateherë ka tërhequr vemendjen e kineastëve  duke luajtur krahas aktorëvë me famë botërore Robert Ne Niro,Elen Barkin,Arnold Shvarceneger, Leonardo Di Karpio,Xhejms Belushi,edhe ky sic dihet me origjinë shqiptare, etj.
   Më shumë se 20 filma, nga të cilët 12 televizivë, me  shumë seri-vec roleve në edhe videolojëra,ja ky është bilanci i deritanishëm i Eliza Dushkut në kinematografi.Këtyre duhet t’u shtojmë dhe disa cmime prestigjoze që i janë dhënë nga juri të ndryshme për interpetimin në filma amerikanë ku përfshihet edhe vleresimi i revistës së madhe amerikane “Maxim” e cila në një anketë enë vitin 2009  e rendiste atë në vendin e gjashtë ndër 100 femrat më të shquara të Amerikës.
   Eliza Dushku bashkëjeton  në qytetin Laurel Kanion pranë Los Enxhëlesit,së bashku me Rik Foksin, ish-basketbollist i njohur i NBA-së dhe sot aktor si Eliza,dhe vëllanë e saj,  Nete.Kurse babai, Filipi që ndodhej edhe ai në këtë takim së bashku me dy djemtë e tjerë, Aaron dhe Ben, jeton në Boston,ashtu si dhe nëna,  me origjinë daneze.
    Ndërkohë që Natasha si gazetare po i shprehte  Elizës disa mendime rreth përgatitjes së dokumentarit të ardhshëm,këtë radhë në rolin e gazetarit sportive, shfrytëzova rastin të bisedoja edhe me Rik Foksin,aq me tepër që e kisha lexuar për të në shtypin sportiv që e cilësonte si një nga basketbollistët më te mirë  amerikanë dhe për me tepër e kisha parë edhe vete në ndeshjet e NBA-së, pra të Ligës së Basketbollit Profesionist,të transmetura nga rrjetet  televizive amerikane.
   Së pari pjesëtar i ekipit të Bostonit dhe pastaj  të Los Enxhelesit,tri herë kampion i i Amerikës në vitet 2001 deri 2005, kur    në moshën 35-vjecare e kishte ndërprerë   karrierën sportive,Rik Foksi ishte futur jo pa sukses në botën kinematografike, sidomos televizive,qe e vazhdon me sukses edhe tani në filma seriorë.
   Duke vënë re që po shihte me   kurreshtje mbulesën e romanit “Shtatori i gjëmës së madhe”,i shpjegova shkurtimisht përmbajtjen e tij, aq meë tepër që si punonjës në Aeroportin Ndërkombëtar “Logan të Bostonit në atë kohë , isha njohur edhe më hollësi të shkaqeve që sollën më këtë tragjedi e cila  mund të ishtë mënjanuar, aq më tepër kur pesë terroristët islamikë kishin kaluar në pikën e kontrollit  ku kisha punuar së bashku me  gruan time,Natashën.Më dëgjoi me vemendje.
    Pastaj biseda  me Elizën u përqendrua te Shqipëria,te vizita  e parë e saj  më 2006  në Tiranë, vise të tjera shqiptare,pastaj   në Kosovë, pastaj tek tatuazhi me simbolin e shqipes   në kurriz,  si kujtim i këtyre vizitave të pashlyeshme në viset e tokës amë.
   Ishte kjo arsyeja që më 2011,sic dihet,ajo bëri një vizitë të dytë në Shqipëri  ku u prit nga kryeministri Berisha dhe  iu dha titulli “Qytetare Nderi” nga Lulzim Basha,kryetari i Bashkisë së Tiranës titull që iu dha pastaj edhe nga Bashkia e  Korcës,qyteti gjyshërve të saj.Pastaj ajo më foli për endjet e këndshëme të saj në qytete e krahina të tjera, ku nisi të përceptonte projektin për të realizuar një film dokumentar për Shqipërinë..
  Prandaj nëpërmjet  linkut të saj ajo gjatë këtyre javëve të fundit ka përcjellë në facebook një intervistë prekëse ku flet me admirim për Shqipërinë dhe krenohet me origjinën e saj shqiptare,ku kërkon edhe sponsorizimin  për të realizuar një film sa më të denjë për atdheun tonë.Dhe të mendosh së brenda tri javësh në adresë të saj shqiptarët kanë dërguar me mjëra dollarë si ndimesë për fealizoimin sa më të mirë të këtij filmi.
   Ishte, vec të tjerash, edhe kjo arsyeja që me nismën e djalit tim,Maldi, por sic thashë më sipër pa dijeninë time,për të më bërë të papriturat e mësipërme,ajo u ftuan në kafe-restorantin e bizmensmenit Leonard Keka, ku u prit ngrohësisht nga plot e plot shqiptarë dhe shqiptaro-amerikanë, familiarë të saj,ndër të cilët dhe babai Filip Dushku.
  Erdhi një cast që ajo u ngrit, falenderoi pjesëmarrësit dhe pastaj dikush, ndërsa ajo po kërcentë nën tingujt e një valleje popullore shqiptare, i hodhi në supe flamurin tonë kombëtar që gjatë rrotullimeve të saj plot shkathësi u valëvit nën dritat larushitëse mbi terracën e këtij kafe-restoranti ku bëhej kjo mbrëmje.
   Pastaj erdhi casti kur në një ekran te madh  u shfaqen sekuenca të xhirimeve që Eliza Dushku kishte xhiruar gjatë vizitës që kishte bërë në Shqipëri gjatë vitit të kaluar.
 E pamë atë në Tiranë, në Korcë në Berat, në qytetin e  një mbi një dritareve,në Sarandë,Gjirokastër…, në Prishtinë,Tetovë … e pamë kudo duke kaluar në viset amëtare,duke u takuar me mall dhe dashuri me shqiptarë e shqiptare të të gjitha moshave.
  U njohëm   kështu një mozaik pamjesh  nga Shqipëria, një parathënie e dokumentarit që ajo do të përgatisë, një grishje  për të nxitur kurreshtjen tonë,për të parë në ekran një vepër artistike që do të realizohet me sytë dhe mëndjen e një artisteje që krenohet se është shqiptare,si babai i saj,  Filipi, me të cilin pata rast  të bisedoja më pas.
   Ndërsa shihte pamje të prologut të dokumentarit të ardhshëm, Filipi më tha se krenohej  me të bijën që vërtet   vajze e lindur dhe e rritur në   Amerikë, por që  shprehet me mburrje se ka shpirt dhe zemër shqiptareje.  
    
Skifter Këllçi dhe Filip Dushku

  

04 July 2012

NJE UTURAK PER MBRETIN E LALEVE - fejton

Nje prej maket- shtatore që Qeveri-tartarët tanë po i bëjnë Zogjit të Parë.

17 June 2012

SIKUR TA KISHIM DËGJUAR FAIK KONICËN- Thanas Gjika

Prof.As.Dr. Thanas L.Gjika: SIKUR TA KISHIM DËGJUAR FAIK KONICËN

(Me rastin e 115-vjetorit të pagëzimit të Faik Konicës)

Në historinë e popullit shqiptar nuk është kuptuar dhe as është vlerësuar si duhet akti i pagëzimit të djaloshit Faik bej Konica, i cili u konvertua në besimin e krishterë katolik me emrin Faik Domenik Konica. Kjo ngjarje ndodhi në verën e vitit 1895, kur ai sapo kishte mbaruar studimet e larta në Dizhon (Dijon) të Francës për Gjuhësi Romane dhe Filozofi.
.
Ky djalosh mori mësimet e para në sarajet atërore në Konicë, ku u njoh me qytetërimin persian e arab gjatë mësimit të arabishtes, persishtes dhe turqishtes prej një hoxhe të shkolluar, kurse italishten nisi ta mësonte prej një mësuesi privat. Duke parë zgjuarsinë e tij të veçantë, prindërve të tij iu sugjerua ta dërgonin për studime në Kolegjin Saverian të Jezuitëve në Shkodër, ku ai shkoi e jetoi dy vjet. Ky dërgim për vijimin e studimeve në një shkollë katolike jezuite tregon, nga njëra anë, tolerancën fetare të prindërve të Faikut dhe, nga ana tjetër, se mësuesi i tij privat duhet të ketë qenë një katolik (jezuit), shqiptar ose i huaj. Si tregon lista e botuar e nxënësve të kësaj shkolle me rastin e 50-vjetorit të saj, Faiku studioi aty në vitet 1884 dhe 1885, kur ishte 9 e 10-vjeçar.
.
Në Shkodër, kryeqendrën e katolicizmit shqiptar, Faiku mësoi më mirë italishten dhe u njoh më nga afër me idetë e qytetërimit europiano-perëndimor. Përvetësimit dhe përhapjes së këtyre ideve ndër shqiptarët, siç dihet, ai u kushtoi gjithë jetën. Mbas dy vjetësh ai la Shkodrën dhe shkoi për të vijuar studimet në shkollën katolike franceze të Gallatasarait në Stamboll, të cilën e kreu më 1890-n, kur ishte 15 vjeç. Në këtë shkollë ai u njoh me djaloshin tiranas Murat bej Toptanin, me të cilin e lidhën bindjet atdhetare. Studimet e plota universitare Faiku i kreu në Dizhon të Francës në vitet 1890-‘95 dhe ato pasuniversitare në Paris në vitet 1895-‘97, më tej ai studioi edhe në Universitetin Harvard të Bostonit në vitet 1909-1912, vitet e para të emigrimit të tij në SHBA. Gjatë gjithë jetës shkollore Faik Konica doli me rezultate të shkëlqyera, gjë që dëshmon për zgjuarsinë dhe aftësitë e tij të veçanta.
.
Zgjuarsia e tij e veçantë u shfaq në rezultatet e larta shkollore, në shkrimet e tij publicistike, letrare e shkencore dhe në rastin e konvertimit të tij nga mysliman në i krishterë me vullnetin e tij të lirë. Një veprim të tillë nuk e kishte menduar asnjë shqiptar tjetër para tij. Pagëzimin e Faik Konicës me emrin Domenik e dëshmojnë edhe disa letra të viteve 1895-‘97 dërguar shqiptarëve të Bukureshtit, ku ai ka firmosur me emrin e ri Faik Domenik Konica. Këto letra ruhen edhe sot në dosjen e tij në Arkivin Qendror të Shtetit shqiptar. Pas vitit 1895, ai nuk e mohoi kurrë faktin se ishte konvertuar në i krishterë, edhe pse emrin Domenik nuk e përdori gjatë në shkrimet e tij.
.
Shtysat kryesore që e nxitën këtë djalosh, pinjoll të një familjeje të shquar myslimane, të pagëzohej si i krishterë, mendojmë se duhen kërkuar në formimin e tij kulturor e shkencor në shkolla katolike, si dhe në përkushtimin atdhetar, në tolerancën fetare dhe në intuitën e tij. Duket se Faiku e shihte zgjedhën osmane si një tjetërsim të karakterit europian të popullit shqiptar, prandaj ai mendonte se për të arritur çlirimin kombëtar duhej kryer së pari afrimi shpirtëror me Europën e krishterë. Me fjalë të tjera ai sugjeronte një evoluim të mendësisë fetare, shkëputje prej mendësisë myslimane përmes konvertimit në fenë e të parëve, në fenë e krishterë, në fenë e përbashkët të shqiptarëve me kontinentin mëmë të kohës së para pushtimit osman. Pra, sipas tij, shteti i pavarur shqiptar duhej të ishte i njëjtë për nga përkatësia fetare me shtetin e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Tërthorazi kuptohet se ai e lidhte procesin e çlirimit kombëtar nga zgjedha osmane edhe me një proces katarsi të pjesës myslimane të popullit tonë, e cila duhej të pendohej për braktisjen që i kishte bërë fesë së të parëve nën trysninë e rrethanave gjatë pushtuesit osman. Në rikrishterizimin e shqiptarëve myslimanë ky rilindës shihte një nga faktorët kryesorë për forcimin e unitetit kombëtar të kombit tonë. Ndasia fetare e popullit shqiptar në të krishterë e myslimanë, e krijuar gjatë pushtimit osman, sipas tij, nuk i shërbente unitetit, por përçarjes kombëtare, pra vonimit të proceseve çlirimtare. Këtë mendim e ka shprehur dhe atdhetari Mustafa Merlika disa dekada më vonë. Veçse duhet të pohojmë se ky mendim i Faikut dhe pagëzimi i tij në i krishterë në vitin 1895, ndonëse ishin vizionare, ishin të parakohshme.
.
Jo rastësisht mendimin dhe veprimin e Faikut nuk e vlerësuan si duhej dhe nuk i dhanë rëndësi konsuj të ndryshëm të shteteve europiane që punonin për krijimin e politikës së të ardhmes në kryeqendrat e vilajeteve shqiptare të Perandorisë Osmane. Për çudinë tonë as atdhetarët shqiptarë nuk i kushtuan vëmendje. Luigj Gurakuqi tha: katolikët shqiptarë nuk fituan ndonjë gjë të madhe nga pagëzimi i Faik Konicës. Madje as studiuesit e Konicës të para vitit 1944 e ata të mbas vitit 1992 nuk e vlerësuan këtë mendim e veprim të tij.
.
Pamundësinë e realizimit të këtij hapi të madh psikologjik të popullit shqiptar e tregoi dështimi i përpjekjeve të këtij rilindësi për ta kthyer pagëzimin e vet në një lëvizje të mbarë intelektualëve shqiptarë myslimanë.
.
Pas pagëzimit, Faiku i propozoi mikut të tij të ngushtë, Murat bej Toptanit, të pagëzohej edhe ai e të dy së bashku të nxisnin miq e shokë të tjerë për t’u pagëzuar dhe ata. Mirëpo Murati iu përgjigj se nuk mund ta bënte një hap të tillë, pasi vëllezërit Frashëri, te të cilët ai ishte dhëndër, do ta dëbonin nga shtëpia. Murati pra i dha të kuptonte Faikut se pagëzimi në të krishterë i shqiptarëve myslimanë që jetonin brenda Perandorisë Osmane, ishte një veprim që nuk mund të kryhej, prandaj ky nuk nguli më këmbë për këtë problem…
.
Djaloshi tiranas pati të drejtë, atmosfera shoqërore dhe ajo fetare në trojet shqiptare të perandorisë nuk mund ta lejonte një kapërcim aq të madh në ndërgjegjen e shqiptarëve myslimanë, të cilët kishin disa breza ose shekuj që jetonin si myslimanë.
Ndërkohë duhet të shtojmë se karakteri i parakohshëm i mendimit të Konicës, për t’i pagëzuar shqiptarët myslimanë në të krishterë për të forcuar unitetin kombëtar të tyre dhe për të nxitur procesin e europianizimit të mendësisë së tyre, nuk e dëmton karakterin vizionar të këtij mendimi. Karakteri vizionar i këtij mendimi shfaqet në faktin se ai i parapriu kohës dhe hapi një epokë të re, gjë që e tregon ecuria e mendësisë fetare të shqiptarëve nga viti 1895, viti i pagëzimit të tij, deri më sot, kur shohim se koha ka punuar për lënien mënjanë të mendësisë myslimane dhe për përqafimin e mendësisë së krishtere ose të asaj ateiste.
.
Po sjellim disa fakte, pa dashur të fyejmë ndjenjat e besimtarëve të mirë myslimanë, sepse për ne, besimtarët e mirë, qofshin myslimanë ose të krishterë, janë njësoj të vlefshëm për shoqërinë shqiptare dhe atë botërore. Madje ne mendojmë se të vlefshëm janë dhe jobesimtarët, pra ateistët, kur ateizmi i tyre buron nga bindjet e tyre dhe nuk kalon në antifetarizëm:
1. Që në dhjetëvjeçarët e parë të shtetit të pavarur shqiptar, në familjet myslimane atdhetare filluan të emëroheshin fëmijët jo me emra të mirëfilltë myslimanë si Muhamed, Myftar, Mahmud, Mehmet, Hanëme etj., por me emra malesh a lumenjsh (Tomor, Korab, Drin, Vjosa etj.); me emra lulesh a stinësh (Lule, Vera, Manushaqe etj.); me emra kafshësh a shpendësh (Luan, Dash, Skifter, Pëllumb, Petrit etj.), si dhe me emra të tjerë që s’kanë lidhje me Kuranin e besimin mysliman si Drita, Dritan, Dritëro, Liri etj.
.
2. Ahmet Zogu, mbas marrjes së pushtetit, në vitin 1925, aprovoi si kalendar zyrtar të shtetit shqiptar kalendarin europian dhe jo atë mysliman; vendosi heqjen e ferexhesë dhe hapi vende pune për gra, dha shumë bursa studimi për të rinj e të reja në vendet e Europës Perëndimore etj. Këto masa tregojnë për synimet e tij proeuropiane dhe jo promyslimane aziatike, synime që u bënë edhe më të dukshme kur ai u martua me një bijë të krishtere hungareze të një familjeje kontësh dhe jo me ndonjë bijë të mbretërve a sheikëve të pasur të botës myslimane. Kjo martesë e Mbretit të shqiptarëve me një grua të krishtere europiane nuk erdhi nga shkollimi i tij në shkolla katolike dhe as duhet kuptuar si përbuzje ndaj fesë së prindërve të tij. Martesa e Mbretit Zog tregon se ai e sakrifikoi besimin mysliman për hir të një ardhmënie më të mirë europiane të popullit të tij. Martesa e Mbretit Zog me konteshën Geraldinë dëshmon se për sa i përket kahut që duhej t’i jepte shtetit të tij drejt Lindjes apo drejt Perëndimit, kishte mendësi prej prijësi. Si prijës ai kuptoi se interesat e atdheut e të popullit kërkonin që ai të kryente një proces të kundërt me procesin që kishin kryer stërgjyshërit e tij. Ashtu si shumica e shqiptarëve, stërgjyshërit e Ahmet Zogut, të detyruar nga rrethanat, kishin sakrifikuar besimin e krishterë e ishin konvertuar në myslimanë jo vetëm për lehtësim të zgjedhës osmane, por dhe për të mbrojtur qenësinë e tyre shqiptare nga presionet asimiluese të kishës ortodokse serbe e asaj greke. Në kushtet e reja, Mbreti Zog i dha familjes së tij një kah drejt botës së krishterë. Bijtë e vet ai i pagëzoi me emra të krishterë, kurse fëmijët e djemve të tij mendojnë e jetojnë sot si të krishterë. Ky kah që po i jepte Mbreti ynë Shqipërisë drejt Europës së krishtere, po të mos kishte ndodhur Lufta e Dytë Botërore, do të kishte ndikuar për një largim të ngadalshëm e pa dhunë të shumë të rinjve shqiptarë nga myslimanizmi.
.
3. Gjatë regjimit komunist, propaganda antifetare dhe procesi i dhunshëm i luftës kundër besimeve fetare, ndikoi për dobësimin e besimit fetar te shqiptarët, por ky proces solli dëme më të mëdha te besimtarët myslimanë, pasi besimi i tyre ishte një besim më i ri e me rrënjë më të dobëta. Populli shqiptar në trojet e veta kishte gati njëzet shekuj që kishte përqafuar fenë e krishterë prej misionarësh të mëdhenj si: Shën Pali, Shën Timoteu, Shën Asti, Shën Kostandini i Madh, Shën Jeronimi etj. Nga radhët e besimtarëve të krishterë kishin dalë gjatë shekujve shumë bij të shquar, klerikë ose jo, si dhe shkrimtarë e martirë që kishin dhënë jetën për ruajtjen e lëvrimin e gjuhës shqipe dhe për lirinë e atdheut. Kurse pjesa myslimane e popullit shqiptar kishte vetëm dy a tre shekuj që ishte konvertuar dhe këtë konvertim shumica e tij e kishte bërë nga halli. Prej pjesës myslimane të popullit shqiptar, edhe pse përbënte pjesën më të madhe numerike të popullit, bijtë e shquar dhe martirët e gjuhës shqipe dhe të lirisë ishin më të paktë. Edhe procesi i dhunshëm për emancipimin e gruas shqiptare, ndalimi i martesave me më shumë se një grua, nxjerrja e grave patjetër në punë etj., ndikuan për dobësimin e mendësisë myslimane, e cila e trajton femrën vetëm si qenie shtëpiake dhe jo shoqërore.
.
4. Pas viteve 1991-‘92, shkërmoqja e komunizmit në Shqipëri dhe kthesa e madhe që duhej marrë, kërkonte një proces katarsisi. Ish-udhëheqja e Partisë Komuniste shqiptare, e cila e kishte udhëhequr popullin në një qorrsokak plot sakrifica e krime të panevojshme, mbas dështimit të sistemit socialist, duhej t’i kërkonte të falur popullit për gabimet dhe sidomos për krimet e kryera. Zoti Ramiz Alia, zonja Nexhmije Hoxha e kompani, duke qenë njerëz që e urrenin besimin e krishterë, urrenin edhe thelbin e tij, pendesën dhe ndjesën, pra kërkesën e të falurit, që ndihmon për t’u korrigjuar e shkuar përpara. Për më keq akoma, klani Hoxha e Alia punuan që njerëzit e tyre të filtroheshin në udhëheqjet e partive të reja për të vijuar krimin e mbajtjes së pushtetit, si dhe pasurimin e tyre në kushtet e reja të pluralizmit. Madje edhe sot, pas 20 vjetësh, ata nuk i kërkojnë falje popullit për krimet e bëra, por justifikohen duke thënë: ashtu ishte sistemi shoqëror. Sundimi i tyre gjakatar dhe kjo këmbëngulje për të justifikuar krimet e tyre, tregon se ata nuk kishin pasur kurrë ndjesi prej prijësi të popullit. E kush nuk e di se me të tjerë njerëz, si: Zai Fundo, Zef Mala, Nako Spiru, Sejfulla Malëshova, Drita Kosturi, Selfixhe Broja, Ymer Dishnica etj., që ata i mënjanuan, sistemi komunist do të ishte zbatuar me tolerancë, me pasoja jo aq të rënda dhe së fundi dështimi e shkërmoqja e tij mund të ishte shoqëruar me një proces pendese dhe me largim të sinqertë nga pushteti.
.
5. Pas vitit 1992, populli i thjeshtë iu fut rrugës për një shpëlarje shpirtërore, filloi një proces i rikthimit te besimi fetar. U rihapën kishat, xhamitë e teqetë dhe populli filloi t’i frekuentonte ato për të treguar se nuk e kishte dëshiruar mbylljen dhe prishjen e tyre të vitit 1967. Filloi një fushatë pagëzimesh e ripagëzimesh. Krahas pagëzimit të ish-besimtarëve të krishterë e bijve të tyre, pati edhe shumë pagëzime të shqiptarëve ish-myslimanë në të krishterë, sidomos në të krishterë protestantë, por asnjë shqiptar ish i krishterë nuk u konvertua në mysliman.
.
6. Pas vitit 1992, botimi i veprave të Pjetër Pepës, At Zef Pëllumbit, Lek Pervizit etj., ku përshkruheshin përndjekjet, torturat dhe vuajtjet e klerikëve, sidomos të atyre katolikë gjatë regjimit komunist, e forcuan më tej respektin dhe dashurinë ndaj fesë së krishtere.
7. Shkrimtari i talentuar shqiptar, Ismail Kadare, edhe pse ishte ateist për nga bindjet fetare, u bëri thirrje shqiptarëve në vitet 1993-‘94, pikërisht që nga Franca, prej ku u kishte bërë të njëjtën thirrje gati një qind vjet më parë Faik Konica, që të ktheheshin në fenë e të parëve, duke u pagëzuar si të krishterë katolikë. Kësaj thirrjeje në kushtet e reja iu përgjigjën mjaft intelektualë dhe njerëz të thjeshtë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni.
8. Intelektuali dhe udhëheqësi i shquar i popullit shqiptar të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, gjeti një nga nxitjet dhe frymëzimet kryesore për pavarësinë e Kosovës te jeta dhe vepra e priftit katolik Pjetër Bogdani dhe në bëmat e mirësisë së Nënë Terezës.
9. Sot, mjaft të rinj e të reja, që shkojnë për të punuar a studiuar në vendet e krishtera të Europës ose Amerikës, po pagëzohen si të krishterë, ndoshta të detyruar nga rrethanat konkrete, por ndoshta edhe nga bindjet e reja fetare që përvetësojnë aty. Ky fenomen po shtrihet sidomos te fëmijët që lindin në ato vende. Mesa duket, prindërit dëshirojnë që fëmijët e tyre në këto vende të mos jenë të ndryshëm për nga formimi kulturor e fetar në krahasim me fëmijët vendas. Ky proces, me thënë të vërtetën, ndikon në asimilimin e shpejtë të shqiptarëve të diasporës së sotme, prandaj prindërit, si dhe shteti shqiptar duhet të ndihmojnë që fëmijët e diasporës sonë të re ta mësojnë gjuhën shqipe me të folur e me të shkruar, të mësojnë historinë dhe kulturën shqiptare.
.
10. Sa më shumë kulturohen shqiptarët, sa më shumë shtetet ku ata jetojnë (Shqipëria, Kosova e Maqedonia) u afrohen Europës e Amerikës; sa më shumë vajzat shqiptare pëlqejnë të vishen me minifunde e dekolte; sa më shumë ato marrin pjesë në jetën shoqërore, kulturore, politike të vendit, aq më shumë ato dhe bashkë me to e gjithë shoqëria, i largohet mendësisë myslimane…
Shkurt mund të themi se shumica e popullit shqiptar gjatë kohës së sundimit osman, e ndikuar prej mendësisë sunduese myslimane dhe presioneve asimiluese të kishës greke e asaj serbe, u detyrua të ndërronte besimin nga i krishterë në mysliman. Në atë kohë u krijua mendësia se nuk ishte diçka për t’u mburrur të qenët i krishterë, por se ishte më mirë të ishe mysliman, të ishe i një feje me sunduesin. Ndërsa gjatë viteve të shtetit shqiptar të pavarur, gjatë kohës së diktaturës dhe sidomos sot, kur synimi kryesor mbetet bashkimi me shtetet europiane, ku sundon besimi i krishterë, dashur pa dashur, shqiptarët po jetojnë procesin e rikthimit te feja e të parëve, pra rikrishterizimin e tyre, atë proces që e hapi 115 vjet më parë djaloshi vizionar, njëzetvjeçari Faik Konica.
.
Duke parë ecurinë e mendësisë fetare të shqiptarëve gjatë këtyre 115 vjetëve të kaluara, mund të kuptojmë kahun e ecjes për 100 vjetët e ardhshëm. Natyrisht që nuk mendojmë se do të shkohet te zhdukja e besimit mysliman midis shqiptarëve, por te ndryshimi i raportit midis besimit mysliman e atij të krishterë. Shqiptarë myslimanë ka për të pasur sado që të shtohen radhët e të krishterëve dhe të afetarëve, për shkak të forcës së zakonit, për shkak të lidhjeve dhe interesave të ndryshme, si dhe për shkak të interesimit dhe investimit të vijueshëm që tregojnë disa qarqe myslimane botërore, të cilat urojmë të mos kenë qëllime të këqija prapa investimeve të tyre.
.
Për hir të së vërtetës duhet thënë se shqiptarët myslimanë, duke përbërë shumicën e kombit, ndiejnë për detyrë që të forcohet karakteri kombëtar i kishës së krishterë, sidomos i asaj ortodokse. Këtë fakt e tregoi ndërhyrja energjike e Uran Butkës me shokë më 1992-shin gjatë ceremonisë për emërimin e peshkopit grek Anastas Janullatos si kryepeshkop të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.
.
Duke ditur se pjesa kryesore e kishës nuk janë muret e godinës, por anëtarët që bëjnë jetën fetare në të, mendojmë se po të ketë çdo kishë ortodokse në Shqipëri shumicën e anëtarëve shqiptarë atdhetarë, kjo shumicë e detyron klerikun e kishës dhe kryeklerikun, që të mbajë edhe mesha të veçanta për probleme që forcojnë lidhjet shpirtërore të kombit tonë. Të tilla mesha mund të mbahen për viktimat e shqiptarëve të Çamërisë, si dhe për çdo shqiptar që vritet sot padrejtësisht në emigracion etj. Forcimi i karakterit kombëtar e autoqefal të kishës sonë ortodokse ka nevojë për shtimin e radhëve të besimtarëve me shqiptarë atdhetarë. Për këtë arsye konvertimi i shqiptarëve myslimanë në ortodoksë është një veprim ku mund të shfaqet e duhet të shfaqet atdhetarizmi i tyre.
.
Në Kosovë e Maqedoninë Perëndimore, po të arrihet që kishat ortodokse të mbushen me shumicë besimtarësh shqiptarë atdhetarë, këta do të nxjerrin nga radhët e tyre klerikët e vet dhe do të fillojnë ta mbajnë meshën në gjuhën shqipe. Me këtë rrugë dalëngadalë kishat ortodokse në këto vende mund të rishqiptarizohen dhe të kthehen në origjinën e tyre si ishin para pushtimit serbo-bullgar e atij osman.
.
Ndër mësimet themelore që dalin nga ky vështrim i shkurtër mbi ecurinë e besimit fetar të shqiptarëve, mund të përmendim disa:
1. Sikur shqiptarët ta kishin vlerësuar e dëgjuar Faik Konicën dhe të kishin filluar qoftë dhe ngadalë procesin e rikrishterizimit të tyre që në vitet e Rilindjes, ata dhe trojet e tyre do të kishin pasur një fat më të mirë në vitin 1913, vitin e ndarjes së kufijve.
2. Ecuria drejt europianizimit të Shqipërisë e drejtuar prej Mbretit Zog do të kishte qenë më e fuqishme dhe më rezultative.
3. Diktatura shqiptare do të kishte qenë më tolerante dhe shkërmoqja e diktaturës do të kishte qenë e shoqëruar me pendesë e katarsis, ndoshta si në Poloni.
4. Shumë të rinj e të reja që sot nuk ushqejnë asnjë ndjenjë pozitive për edukatën fetare dhe mburren që nuk shkojnë as në xhami e as në kishë, do të kishin marrë një edukatë të mirë fetare dhe do të kishin ndihmuar në forcimin e karakterit kombëtar të kishës shqiptare ortodokse, që po merr ngjyra greke dhe të xhamisë shqiptare që po merr ngjyra arabe, ngjyra që ato nuk i kanë pasur më parë.
5. Udhëheqësit e tranzicionit nga të dyja palët do të kishin pasur një edukatë më qytetare dhe nuk do të luftonin aq egërsisht midis tyre për pushtet, por do të kishin luftuar për demokratizimin e jetës, për rritjen e mirëqenies së popullit dhe do të ishin ata që do ta kishin paraprirë e shpejtuar procesin e europianizimit të shqiptarëve.
6. Intelektualë të shquar si I. Kadare e I. Rugova, nuk do të kishin bërë vetëm deklarata për rikrishterizimin tonë, por do të ishin pagëzuar vetë me fëmijët e tyre.
7. Shqiptarët, të cilët kanë qenë e janë tolerantë ndaj besimit fetar, po ta kishin dëgjuar Faik Konicën, do ta kishin përqafuar më shpejt e më masivisht procesin e ndërrimit të besimit fetar për një ardhmëri më të mirë kombëtare europiane.
8. Përqafimi i sinqertë i krishterimit do ta ndihmonte popullin shqiptar të çlirohej nga disa ndjenja të tepruara egoizmi e kapadaillëku dhe do ta kishte bërë më tolerant e më dashamirës ndaj njëri-tjetrit.
Si përfundim mund të themi se ndërrimi i fesë nuk i ka armiqësuar shqiptarët midis tyre dhe nuk i armiqëson as sot. Armiqësinë fetare ndër shqiptarët e nxisin vetëm disa qarqe të huaja shoviniste ose fondamentaliste, që nuk ia kanë dashur e nuk ia duan të mirën kombit tonë, por përpiqen ta kthejnë atë në mish për top.
.
Sot shqiptarët mund të marrin një qytetari të dytë, atë amerikane, greke, italiane, gjermane, kanadeze etj., sipas vendit ku jetojnë, por nuk duhet të ndërrojnë përkatësinë kombëtare, pasi ky ndërrim ka pasoja shumë të rënda, që shpejt a vonë i shpie në armiqësi me bashkëkombësit e vet.
.
Prof. As. Dr. Thanas, L. Gjika