05 May 2014

“Kronikë në beton” nga Mero Baze dhe Ismail Kadare- Kastriot Myftaraj

“Kronikë në beton” nga Mero Baze dhe Ismail Kadare

Nga KASTRIOT MYFTARAJ

Ismail Kadare para dy ditëve kishte ftuar për drekë Mero Bazen. Me këtë rast Mero Baze bëri një editorial në gazetën "Tema", me titull “Rrëfim për një bisedë të paautorizuar me Ismail Kadarenë”.
Përse duhet që Mero Baze të sqarojë që në titull se është fjala për një “bisedë të paautorizuar”? Ekziston një praktikë botërore, që kur një autor shkruan një libër biografik për dikë, saktëson që biografia është e paautorizuar nga vetë personi të cilit i shkruhet biografia. Por ç’ kuptim ka që një gazetar i cili e mban veten si i pavarur, të saktësojë se biseda që ka pasur me një shkrimtar, është e paautorizuar? Kjo tregon se të gjithë gjërat e tjera që bën Mero Baze janë të autorizuara. Nga kush? Merret vesh, dikur nga Sali Berisha, sot nga Edi Rama. Kur Mero Bazja na thotë se është i paautorizuar, kjo në gjuhën dhe stilin e tij duhet kuptuar se ai edhe këtë herë ka shkuar me autorizim, por pa kokën e veshur me “Çorape”, simbolin që e ka bërë të famshëm. Gjithsesi, kur një njeri si Mero Baze thotë se ka bërë një bisedë të paautorizuar, kjo duhet lexuar se Meroja ka qenë i superautorizuar për të bërë këtë bisedë.
Meroja e nis editorialin e vet, këtë herë shumë më të gjatë se zakonisht, duke shprehur keqardhjen që drekën për të cilën e ftoi Kadare, nuk mundën ta konsumojnë në apartamentin e këtij të fundit në “Sky Tower”, pallatin në qendër të Tiranës. Sepse, siç thotë Mero Baze, Kadareja është nervoz dhe nuk fton askënd në shtëpinë e tij që gjendet në këtë pallat, se ngjitur me të, vetëm tre metra larg ballkonit të Kadaresë, siç thotë Meroja është duke u ndërtuar një tjetër pallat me 18 kate. Prandaj, thotë Meroja, u detyruam që të drekojmë në katin e tetëmbëdhjetë të pallatit ku banon Kadareja, në restorantin që gjendet atje.
Meroja na thotë edhe se fajin për këtë e kanë Sali Berisha dhe Lulzim Basha, të cilët lejuan para zgjedhjeve të vitit të kaluar që të vazhdonte ndërtimi i këtij pallati përbri pallatit të Kadaresë, pas një pezullimi që zgjati shumë vite. Meroja thotë se Berisha dhe Basha, duke e lejuar vazhdimin e ndërtimit të këtij pallati, e kanë varrosur të gjallë Kadarenë në shtëpinë e tij. Nëse Meroja do t’ i kishte lexuar librat e Kadaresë do të mund të ishte shprehur me pak më tepër fantazi, duke thënë se Kadarenë e kanë murosur të gjallë, ashtu si atë personazhin e tij te romani “Ura me tri harqe”. Por Meroja nuk lexon, se ai është tipi i njeriut që beson se leximi i librave është gjë pa vlerë dhe se mjaftojnë “bisedat e autorizuara” për t’ u informuar dhe për të marrë dije.
Mero Baze, në editorialin e tij, nuk thotë shumë gjëra të cilat ai i di mirë. Një nga gjërat të cilat Mero i di, por që nuk i thotë, është se edhe pallati në të cilin gjendet apartamenti i Kadaresë është ndërtuar në shkelje të ligjit. Meroja thotë se ai dhe Kadareja drekuan në katin e tetëmbëdhjetë të pallatit ku banon Kadareja, por ligjërisht ai pallat nuk duhet të kishte 18 kate. Se ai pallat i ka gjysmat e kateve pa leje. Në vitin 2000 Kryeministri Meta bëri një kërcënim publik se, veç kioskave, do të shembeshin edhe pallate të ndërtuar në kundërshtim me ligjin. Pas kësaj biznismeni që kishte ndërtuar Pallatin “Sky Tower” deklaroi se i kishte dhuruar një apartament Ismail Kadaresë. Merret vesh, pronari i pallatit e punësoi Kadarenë si një roje speciale të pallatit, që do ta mbronte atë nga shteti.
Ismail Kadare nuk duhet ta kishte pranuar atë dhuratë. Kjo sepse ndërtimi i atij pallati, me shpejtësi, pas trazirave të vitit 1997, me ardhjen e PS-së në pushtet, paralajmëronte erën e re të betonizimit, pas asaj të teneqezimit (kioskave). Si një shkrimtar me famë botërore, Kadare supozohet të fitojë shumë para nga shitja e librave të tij të përkthyera në shumë gjuhë të botës, prandaj ai nuk kishte nevojë për këtë dhuratë kompromentuese. Ndonëse ai apartament në atë pjesë të Tiranës ka një vlerë prej mbi gjysmë milioni euro. Që shkrimtari më i njohur shqiptar i kohës ka ushtruar sportin kombëtar shqiptar të peridhës së tranzicionit, që janë ndërtimet pa leje, kjo është një gjë shumë domethënëse, si simptomë e shkallës së degradimit moral të shoqërisë sonë. Kadare e dinte se në atë pjesë të Tiranës ku është ndërtuar “Sky Tower” nuk duhet të kishte një përbindësh të tillë prej betoni. Kur Kadare pranoi dhuratën në vitin 2000, ai duhet ta dinte se me këtë po kontribuonte në promovimin e epokës së betonizimit që do të niste për kryeqytetin.
Kadaresë në fakt nuk i dhanë një apartament në këtë pallat, por një bunker, një fortino, siç i quan ai bunkerët gjermanë në romanin e tij “Nëntori i një kryeqyteti”, ku ai duhet të qëndronte si polic privat në një pozicion special mbrojtës të pallatit. Qeveria nuk do të guxojë të shembë shtëpinë e Kadaresë, mendonte biznismeni që kishte ndërtuar pallatin. Kadare, duke pranuar dhuratën bizarre i dha një nxitje "industrisë" së re të prodhimit të përbindëshave të betontë në Shqipëri, prandaj nuk duhet të çuditet që një përbindësh i tillë i mbiu para dritareve të apartamentit të tij, tre metra larg siç thotë Mero Baze, i cili si për çdo gjë gënjen edhe për largësinë mes dy pallateve. Gjithsesi, të dy përbindshat prej betoni nuk janë më tepër se gjashtë metra larg njëri-tjetrit, çka është një afërsi krejt e papranueshme nga pikëpamja e rregullave urbanistike për dy pallate 18-katëshe. Me ndërtimin e pallatit të dytë para dritareve të apartamentit të tij, Kadare vetëm sa pagoi çmimin e dhuratës që pranoi dikur. Se çdo dhuratë, e ka një çmim pas.
Romani “Kronikë në gur” i Ismail Kadaresë nis me ngjarjen e një nate me shi të furishëm, kur e gjithë familja ngrihet e alarmuar për shkak se kishte rrezik që të përmbytej shtëpia, ngaqë kishin harruar të hiqnin tubin nëpërmjet të cilit uji që binte mbi çati shkonte në sterën (depozitën) e ujit që gjendej në themelet e shtëpisë. Menjëherë nis puna për zbrazjen e sterës. Thirren edhe punëtorë të cilët zbresin në sterë me litarë për ta zbrazur ujin me kova. Njëri prej punëtorëve quhej “Omer”. Ismaili i vogël fuste kokën te gryka e sterës dhe i thërriste në emër këtij punëtori: Oooomeeeer!
Sot në vitin 2014, Kadare e pa befas veten dhe shtëpinë të përmbytur nga dallga e betonit të cilën ai e legjitimoi intelektualisht në vitin 2000, kur ajo sapo kishte nisur të shfaqej duke kërcënuar kryeqytetin. Dhe Kadareja reagoi çuditërisht ashtu si atëherë kur ishte fëmijë i tmerruar te gryka e sterës në Gjirokastër. Veçse këtë herë Omeri ishte bërë Mero. Kadare thirri: Ooo Meroooo!”
Dhe Meroja shkoi te Kadareja, “i paautorizuar”, domethënë pa vendosur “Çorapen” në kokë. Në fantazinë e Kadaresë Meroja duhet të përfaqësojë gazetarin- denoncues të rreptë të abuzimeve, që i përcjell shoqërisë, me stilin e tij të veçantë, problemin që ka Kadareja, dhe që është një problem i krejt shoqërisë shqiptare. Se, siç thotë Meroja, çdo problem i Kadaresë duhet të shihet nga shoqëria shqiptare si problem i saj. Paçka se në vitin 2000 Kadare e pa një problem të madh të shoqërisë shqiptare, që ishte nisja e përmbytjes së saj nga dallga e betonit, si një gjë nga ku ai mund të nxirrte përfitime për vete, dhe në fakt fitoi apartamentin në Tiranë dhe një vilë te Mali i Robit në Durrës.
Meroja shkoi te Kadareja si ai Omeri, punëtori që shkoi në shtëpinë e Kadaresë në Gjirokastër, i pajisur me litarë dhe me kova, për të zbrazur sterën. Por dallga e betonit të cilën e legjitimoi intelektualisht Kadareja që në vitin 2000, nuk mund të mblidhet me kova, se betoni sic dihet ngrin shpejt. Dhe betoni i ngrirë duhet coptuar. “Harresa” e Kadaresë pra, ka prodhuar një problem shumë më të madh se ai i ujit të tepërt të sterës. Meroja ka marrë përsipër që të japë një dorë për t’ u zgjidhur problem i Kadaresë.
Por Mero Baze nuk ka aspak hallin e Kadaresë kur denoncon publikisht problemin e pallatit të ndërtuar përbri “Sky Tower”. Halli i Meros është se ndërtuesi dhe pronari i pallatit “Sky Tower” është miku i tij i afërt, Vladimir Kosta, që sot është deputet i PS-së. Atij i bie vlera e aseteve të tij nga pallati i ndërtuar përbri, se tashmë i largohen ata që kanë marrë apartamente dhe mjedise për zyra me qera. Merret vesh, edhe ky po paguan çmimin e kaosit në ndërtime që nxiti vetë dikur duke menduar se vetëm përfitime do të kishte nga kjo gjë. Një nga gjërat që nuk e thotë Mero është se Edi Rama i cili mburret se është luftëtar i pakompromis kundër ndërtimeve pa leje, e bëri deputet në 2013 ndërtuesin e “Sky Tower”, që është ndërtuar në shkelje të plotë të ligjit, në qendër të Tiranës.
Nëse Edi Rama do të vepronte sipas ligjit, duhej që ai t’ i shembte të dy përbindëshat e betontë të cilët janë të ndërtuar përbri njëri-tjetrit, në kundërshtim me ligjin. Sa për faktin që për pallatin që është duke përfunduar së ndërtuari në krah të “Sky Tower” ka tashmë një vendim të Gjykatës së Strasburgut që i kërkonte Qeverisë së Shqipërisë që t’ ju paguante 22 milion euro dëmshpërmblim pronarëve të pallatit, nëse pengohej ndërtimi i tij, kjo gjë nuk përbën pengesë serioze se vendimet e Gjykatës së Strasburgut janë vetëm sugjeruese, jo detyruese, dhe nëse ka ndonjë rast kur këto vendime duhet të shpërfillen, është ky pikërisht rasti. Madje, nëse duhet të zbatohet vendimi i Gjykatës së Strasburgut duhet që të shembet pallati ku ka apartamentin Kadare, se ky pallat nisi të ndërtohet më vonë se ai përbri tij, ndërtimi i të cilit tashmë ishte bllokuar me kohë.
Editoriali i djeshëm i Mero Bazes është një tregues i qartë se Meroja ia ka nisur edhe në kohën e Qeverisë “Rama”, asaj veprimtarie për të cilën u grind me Berishës, të futjes së duarve në shumë afera të ndyra, të marrjes përsipër të punëve të tilla, kundrejt shpërblimit, pikërisht ato gjëra për të cilat e qorton përditë pronarin e Tv “Klan”, Aleksandër Frangaj, se i bënte gjatë kohës që Berisha ishte në pushtet.
Gjithsesi Kadare ka një zgjidhje për problemin që ai ka sot me apartamentin e tij, dhe që sic i ka thënë Meros gjatë drekës së tyre është se nuk shikon dot Malin e Dajtit nga dritarja. Pronarët e pallatit të ri që është ndërtuar përbri pallatit ku është apartamenti i Kadaresë, me siguri që janë të gatshëm t’ i dhurojnë një apartament Kadaresë nga ajo anë e ndërtesës ku pamja është e hapur dhe Kadare mund të kënaqet sa të dojë duke parë Malin e Dajtit. Tani që Kadare u kompromentua me mafien e betonit, marrja e një apartamenti tjetër nuk mund t’ i bëjë më tepër dëm reputacionit të tij. Nëse Kadare merr një apartament te ky pallati tjetër, që po ndërtohet në përbri pallatit ku banon sot ai, atëherë meqënëse janë katër përbindësha të tillë prej betoni pranë njëri- tjetrit (së bashku me kullat binjake), ato mund të imagjinohen si katër shtyllat e “Urës me tre Harqe”, nëpërmjet së cilës Shqipëria po bën kalimin (tranzicionin) nga Era komuniste për nuk dihet se ku. Apartamenti i Kadaresë ngjan si kamarja ku u murua një njeri te romani “Ura me tre harqe”. Kadare në fakt u vetëmurua nga lakmia. E gjithë kjo histori e Kadaresë mund të përshkruhej në një version satirik të romanit “Kronikë në gur”, me titull “Kronikë në beton”.
Që të mos dukej se Kadare e kishte ftuar Mero Bazen për drekë vetëm për çështjen e pallatit përbri banesës së tij, që ishte tema kryesore e bisedës, Meroja na thotë se folën paksa edhe për gjuhën shqipe, për nevojën e ruajtjes së standardit dhe pastërtisë së saj. Dhe këtë çështje e paskan biseduar në katin e tetëmbëdhjetë të “Sky Tower” në Tiranë! Vend më të mirë për të folur për ruajtjen e pastërtisë së shqipes se “Sky Tower” nuk gjen në Tiranë!

© Kastriot Myftaraj 2014