Nga Kastriot MYFTARAJ
Kur
nipi i Ahmet Zogut, Skënder Zogu, reagoi në gazetën “Panorama” mbi
shkrimin tim “Fejesa me motrën e vogël të Zogut, Princeshën Maxhide,
sekreti më i madh i Enver Hoxhës, dhe eliminimi i Mehmet Shehut”, të
botuar në nëntor të vitit të kaluar, për të cilin në atë kohë fola dhe
në emisionin “Zonë e Lirë” të Arian Çanit, në Tv Klan, unë nuk pata
mundësi që t’i përgjigjem se atëherë isha i zënë me probleme gjyqësore
për shkak të një shkrimi tjetër. Gjithsesi, për të mos e lënë pa
përgjigje nipin e Naltmadhnisë, po i përgjigjem tani. Skënder Zogu, nipi
i Ahmet Zogu, në një intervistë në gazetën “Panorama”, në 8 dhjetor
2011, e ka quajtur si të pavërtetë atë që kam thënë unë për fejesën e
Enver Hoxhës me Princeshën Maxhide. Unë si autori i shkrimit, e gjej
qesharake që Skënder Zogu reagon në emër të familjes mbretërore për këtë
çështje, duke ditur historinë e babait të këtij njeriu brenda familjes
Zogu. Skënder Zogu nuk është i besueshëm për të reaguar, duke ditur
marrëdhëniet që kishte Mbreti Ahmet Zogu, me babain e Skënderit,
Xhelalin, i cili ishte vëllai i Ahmetit, por me nënë tjetër. Xhelal Zogu
kishte lindur në 1881 nga martesa e Xhemal Zogut me gruan e parë.
Marrëdhëniet e Ahmetit me gjysmëvëllain e madh, Xhelalin kanë qenë
gjithmonë të ftohta, duke shkuar madje deri në armiqësore. Është fakt,
të cilin e pohon edhe Skënderi, në intervistën e vet, se kur Ahmet Zogu u
largua nga Shqipëria në prill 1939, të dy vëllezërit shkuan në drejtime
të ndryshme. Ahmeti shkoi në Greqi, nëpërmjet Korçës, ndërsa Xhelali
shkoi në Jugosllavi. Skënder Zogu kërkon që ta trivializojë rëndësinë e
këtij fakti duke thënë se, të dy vëllezërit u bashkuan në Stamboll. Por,
e vërteta është se edhe kur Ahmeti u largua nga Stambolli, ai nuk e
mori me vete Xhelalin, i cili vdiq në Turqi.
Kjo tregon se kur Ahmeti u largua nga
Shqipëria, ai nuk kishte lënë takim me Xhelalin në Stamboll, por Ahmeti
thjesht e kishte gënjyer Xhelalin, duke i thënë se do të largohej për në
Jugosllavi, kur në fakt shkoi në Greqi. Xhelali i shkretë, siç e pohon
edhe Skënderi, shkoi nga Tirana në Shkup dhe atje priste Ahmetin. Në
ndërkohë, Ahmeti kishte ikur në Greqi, nga ku shkoi në Stamboll. Kur
mori vesh Xhelali këtë, u nis dhe ai në Stamboll, duke iu qepur pas të
vëllait. Ahmeti e gënjeu edhe në Stamboll, duke mos e njoftuar fare kur u
nis për në Rumani, në rrugëtimin e gjatë që e çoi në Francë dhe
Britaninë e Madhe. Xhelali 58 vjeçar mbeti në Stamboll, ku vdiq në një
azil pleqsh të braktisur.
Armiqësia midis dy vëllezërve të
familjes Zogu, Ahmetit dhe Xhelalit, ishte e hershme dhe datonte që me
vdekjen e babait të tyre, Xhemal Pashës, për të cilin historia zyrtare e
kohës, kur Ahmeti ishte mbret, thoshte se vdiq në 1911, por që realisht
kishte vdekur në 1904. Armiqësia mes dy vëllezërve u krijua për shkak
të rivalitetit mbi atë se kush do të ishte i pari i familjes. Xhelalit,
si vëllai më i madh, i takonte e drejta që të zinte vendin e babait si i
pari i oxhakut. Por, vejusha, nëna e Ahmetit, Sedija, mbështeste
pretendimin e vëllait të vogël, djalit të saj, Ahmetit. Xhelali u përpoq
që ta mbyllte llogarinë me Ahmetin duke e vrarë gjysmëvëllain, gjatë
kohës që ky gjendej në shkollë në Stamboll. Lalë Krosi, të cilin nëna e
kishte dërguar pas Ahmetit për t’u kujdesur për të, ia shpëtoi jetën.
Këtu zuri fill lidhja e veçantë mes Ahmetit dhe Lalë Krosit. Të dy
gjysmëvëllezërit më pas u pajtuan për sytë e botës, por Ahmeti, kur u bë
mbret u kujdes që Xhelali, ndonëse në letër ishte princ, të rrinte larg
oborrit mbretëror.
Nëse ka ndonjë gjë për të cilën duhet të
reagojë djali i Xhelal Zogut ky është libri i studiuesit amerikan Bernd
Fischer “Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri”, ku
Fischer thotë se Xhelalin e mban të izoluar larg oborrit mbretëror për
shkak se nuk ishte në rregull mendërisht. Megjithëse ky libër ka tre
dekada që është botuar në Perëndim në anglisht dhe Skënder Zogut duhet
t’ i ketë rënë në dorë shumë kohë para se të botohej në shqip, në mes të
viteve nëntëdhjetë, ai nuk ka bërë asnjë reagim ndaj këtij libri.
Arsyeja nuk është e vështirë për t’ u kuptuar. Ishte një lloj sekreti
publik se Xhelali mbeti gjithmonë një problem për familjen Zogu. Midis
vitit 1908 dhe vitit 1933, Xhelali u martua katër herë. Skënderi është
djali i Xhelalit me gruan e tretë. Xhelal Zogu kishte reputacionin e një
njeriu të mangët nga trutë, të cilin e braktisnin gratë. Me gruan e
parë, Ruhije Doshishti, Xhelali u martua në vitin 1908, në moshën 27
vjeç. Ata u divorcuan katër vjet më pas, në 1912- ky është fakt i
pamohueshëm. Arsyet mund të diskutohen, por e vërteta është se familja e
nuses e mori atë, pas ankesës së saj për sjelljet prej të çmenduri të
burrit. Xhelali u martua përsëri në vitin 1931, dhe gruaja e tij vdiq më
pak se një vit më pas. U tha se ajo vdiq gjatë lindjes, por duke njohur
natyrën e Xhelalit, mund të thuhet se gruaja e dytë, e cila quhej
Ikbal, vdiq për shkak se guxoi të martohej me njeriun me të cilin
paraardhësja e saj nuk pati guxuar që të vazhdonte martesën. Vdekja e
gruas së dytë ngjalli edhe më tepër dyshime, për shkak se Xhelali u
martua për herë të tretë, në 1932, vetëm pak muaj pas vdekjes së gruas.
Shqiptarët, duke marrë shkas nga fakti që vëllai i mbretit po martohej
për herë të tretë, në kohën që Ahmeti, mbreti, nuk ishte martuar ende,
bënin humor politik duke thënë se Xhelali po martohej edhe për llogari
të vëllait mbret.
Nga martesa e tretë e Xhelalit, në vitin
1933, lindi Skënder Zogu, i cili sot polemizon me mua. Sado e
pabesueshme që t’i duket lexuesit, Xhelali u nda edhe me gruan e tretë,
më pak se një vit pas martesës, në 1933. Skënder Zogu, po të dojë le ta
mohojë këtë fakt. Në të njëjtin vit që lindi Skënderin me gruan e tretë,
pra në 1933, Xhelali bëri martesën e katërt me Hyrijeten. Ahmeti,
mbreti, e pa se tash u teprua, prandaj urdhëroi që Hyrijetes t’i vihej
një mbrojtje speciale, kështu që kjo martesë zgjati dhe nuk përfundoi me
vdekjen e shpejtë të nuses. Natyrisht se as që bëhej fjalë që Ahmeti
t’i tregonte Xhelalit sekretet e familjes siç mund të ishte fejesa e
motrës së vogël, Maxhides me Enver Hoxhën.
Sa për reagimin e Skënder Zogut në
gazetën “Panorama”, edhe këtu ka një episod komik, se ndonëse në pyetjet
që i bëheshin nipit të Ahmet Zogut gjatë intervistës përmendej shkrimi
im, gazeta e vetëshpallur si më e madhja në vend, nuk u soll sipas
standardeve që predikojnë me mburrje në emisionet e ndryshme televizive
kryeredaktori dhe drejtori i saj, pra që të kërkonte dhe prononcimin
tim. Arsyeja është se drejtori i “Panoramës” Andi Tela është kushëri nga
nëna me Skënder Zogun, me gruan e tretë të këtij të fundit. Tani kam
kohë e nge për ta rifilluar debatin me nipin e Naltmadhnisë, madje Andi
mund t’i bëjë pa frikë shërbime të njëanshme në gazetën e tij, se unë
jap fjalën që nuk do të tregoj publikisht se si ndodhi që djalit,
familja e të cilit kishte krushqi me derën e Ahmet Zogut, iu dha e
drejta e studimit për oficer në kohën e regjimit komunist.
TELEGRAF 17 korrik 2012