03 October 2012

Presidenti turk i tha Zogut "Të kishe luftuar të paktën 5 ditë"


Presidenti turk i tha Zogut "Të kishe luftuar të paktën 5 ditë". Me vete mori 7 arka me flori.


Historiani Arben Puto, në një analizë për GSH, të titulluar “Shkurorëzimi i mbretit Zog në mërgim”, trajton etapat e arratisjes së mbretit Zog.
Në analizë shkruhet se një numër marrëveshjesh të lidhura në mars 1936 i dhanë siguri mbretit Zog se kishte marrë një garanci të fortë, si për vete, ashtu edhe për zhvillimin e vendit pa shumë kokëçarje.
Sipas Putos, atmosfera e vetëkënaqësisë dhe euforisë arrin kulmin me martesën e Zogut me Geraldinën në mars 1938. Ftoi si dëshmitar kontin Ciano, të cilin mendonte se e kishte bërë mik personal. Ardhja dhe qëndrimi me rastin e festës i dha rast Ciano-s për të bërë një sondazh konkluziv. Menjëherë pas kthimit ai do të shkruante në ditarin e tij se çështja shqiptare tani duhej zgjidhur në mënyrë integrale.
Zogu nuk pranoi të ishte mbret vasal, por nuk ishte as i vendosur për luftë. Zgjodhi ta linte vendin e të ikte. Kjo për të ishte e vetmja mënyrë për të siguruar veten dhe Geraldinën, e cila sapo kishte lindur djalë, por dhe pasurinë e përvetësuar.
“Me braktisjen e vendit Zogu poshtëroi veten, por edhe Shqipërinë. Ciano do mburrej që kishte fabrikuar Shqipërinë pa e shkrepur fare”, shkruan Puto.
Më pas mbreti Zog vazhdoi shtegtimin me suitën e tij prej 113 vetash për ca kohë në Greqi, por u ndesh me shqetësimin e autoriteteve greke se mos kjo gjë do të zemëronte Romën.
Më pas ai zhvendoset në Turqi ku presidenti Inonu i drejtoi një vërejtje dhe i tha se ai e kishte një ushtri sado të vogël. Ai si mbret ishte komandanti. “Edhe pesë ditë të kishte luftuar  duke u tërhequr në male mund ta kishte ruajtur sadopak prestigjin e tij dhe të vendit të tij,” i tha ai.
Në vijim bën kërkesë për t’u zhvendosur në Londër, por autoritetet britanike donin të dinin se sa i siguruar ishte Zogu nga ana financiare, aq më tepër që do të vinte me një grup prej 32 vetash.
Por siç bëhet e e ditur dhe në analizën e Patos, nga informatat që u morën doli se Zogu kishte depozita të konsiderueshme në banka amerikane dhe angleze. U mor vesh gjithashtu se duke ikur nga Shqipëria Zogu kishte “rregulluar” të merrte me vete shtatë arka me flori. Kërkesa e tij për tu strehuar në këtë vend u pranua, por Zogu nuk u zhvendos menjëherë.
Ai provoi ta gjente në Paris përkrahjen e mohuar nga vendet e mësipërme për të zhvilluar veprimtari politike, por mori përgjigje negative, aq më tepër kur Franca mbajti qëndrim të ashpër kur u shtrua çështja e strehimit të tij në Angli.
Kryeministri Daladier në bisedë me ambasadorin anglez thotë se: “Nuk e kishte ndërmend të lejonte vendosjen në territorin francez të një gangsteri të tmerrshëm që kishte marrë ryshfete nga Italia”.
Provat për rryshfete janë dokumentet italiane, ku për çdo traktat që nënshkruante Zogu merrte miliona pa riçevutë.
Kështu që ra përsëri në “duart” e anglezëve, ku gjatë udhëtimit për atje humbet 150 valixhe e baule me “sende personale”. Më në fund plaçkat arritën në Liverpul më 1941, por dogana nuk pranoi t’i lëshonte pa taksa, sepse Zogu nuk kishte imunitet. Ndërkohë që po bisedohej plaçkat u bënë shkrumb e hi, ndërkohë që një vit më vonë ai kërkon “dëmshpërblim lufte”, ku pranuan t’i jepnin 20% të vlerës.
Nga pikëpamja zyrtare, gjatë gjithë kohës së qëndrimit të tij, Zogu ka qenë trajtuar si azilant. Ai nuk kishte as “imunitetin” e sovranit dhe as “imunitetin diplomatik”.
Diku nga në një nga dosjet e vitit 1941 mund të lexohen këto shënime tejet poshtëruese për mbretin Zog nga ndihmës sekretari britanik O.Surgent ku shkruan: “Mund të mos bëhemi merak për atë që thotë. Është krejt në dorën tonë. S’ka ku të vejë gjetkë… Edhe sikur ta poshtërojnë, nuk guxon as të pështyjë se i bie mbi fytyrë”.

 Gazeta Tema