Nga Arben LLALLA
Duke marrë shkasë nga një takim për pajtimin e dy familjeve, të Hasan Prishtinës me atë të Ahmet Zogut
Më 12 tetor në Shkup u mblodhën disa
politikanë dhe historianë andej dhe këtej kufirit për të vlerësuar
aktivitetin kombëtar të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Hasan
Prishtinës. Nga emocionet euforike të çastit u bë pajtimi midis familjes
së Ahmet Zogut, të përfaqësuar nga Aleksandër Zogu (e thërrasin Leka i
dytë) dhe Mehmet Prishtinës, nip i Hasan Prishtinës, ku sipas lajmeve të
fundit, këto familje ishin në hasmëri. Por historia shqiptare shkruan
se Hasan Prishtina u vra me porosi të Mbretit Ahmet Zogut, pra qartë del
se nuk ka ekzistuar asnjë gjakmarrje midis familjes Prishtina dhe Zogu,
por e vërteta është se Hasan Prishtina ishte nacionalist, ndërsa Ahmet
Zogu, një karrierist që bashkëpunoi me çdo pushtues të tokës shqiptare
deri sa e braktisi atë. Me sa njeh historia Hasan Prishtina nuk ka pasur
gjaqe dhe telashe me armiq personal, sepse ka qenë burrë i madh dhe nuk
është marrë me përçarje vëlla-vrasëse, por armiqtë e tij ishin të
gjithë armiqtë e Shqipërisë. Prandaj nuk e shoh të arsyeshme një
iniciativë të tillë për pajtimin e këtyre dy familjeve, sepse këto dy
familje nuk ishin në hasmëri për çështje personale, por dora e gjatë e
pushtetit të Ahmet Zogut vrau patriotin e shquar Hasan Prishtinën.
Prandaj nuk e ka të drejtën asnjë njeri, asnjë qeveri apo politikan që
të bëjë pajtimin midis njeriut Kombëtar Hasan Prishinës dhe Tradhtarit
Ahmet Zogut. Iniciatorët në fjalë bëjnë mirë që këto reforma të pajtimit
ti fillojnë nga vetvetja, ti lënë mënjanë kapriçot personale, përçarjet
politike dhe të marrin model shembullin e udhëheqjes së Hasan
Prishtinës i cili u flijua për Shqipërinë dhe nuk e shiti Shqipërinë për
vetveten siç ka ndodhur me shumë udhëheqësit tanë. Unë, personalisht
jam për Unitetin e shqiptarëve, jam për pajtimin e gjakmarrjeve, por nuk
pajtohem për pajtimin midis njerëzve që kanë luftuar për çështjen
kombëtare dhe që janë vrarë nga shërbëtorët e serbëve dhe grekëve. Siç
dihet Hasan Prishtina nuk u vra sepse ishte konkurrentë i frontit
mbretëror të Ahmet Zogut, nuk u vra për një pëllëmbë tokë private, por
ai u vra me porosi të serbëve, me të hollat e Beogradit. Midis figurës
së Hasan Prishtinës dhe Ahmet Zogut ka dallime të mëdha në aspektin
kombëtar. Hasan Prishtina ishte hartuesi i planit të kryengritësve
shqiptarë prej 14 pikash në gusht të vitit 1912 për pavarësinë e
Shqipërisë, ish-kryeministër dhe burrë shteti, i cili për hir të
Shqipërisë dha dorëheqjen si Kryeministër vetëm 3 ditë pasi ai ishte
zgjedhur, një akt të tillë deri më sot asnjë kryeministër i Shqipërisë
nuk e ka bërë. Ndërsa Ahmet Zogu erdhi në pushtet me ndihmën e Beogradit
i mbështetur fuqishëm nga trupat ushtarake bjelloruse dhe e braktisi
vendin duke ua dhuruar pushtuesve italian. Sipas logjikës të atyre që
organizohen pajtimin në fjalë në Shkup duhet menjëherë Kryeministri i
Shqipërisë, z.Sali Berisha t’i kërkojë falje publike familjes Hoxha dhe
të rikthejë eshtrat e Enver Hoxhës në varrezat e Kombit. Të gjithë të
dënuarit politik sipas pjatës së çorbës që u gatua në Shkup më 12 tetor,
duhet të falin sistemin komunist që i ka dënuar, tek e fundit ai sistem
nuk bëri ndonjë akt tradhtie. Kur falim tradhtarët përse mos të falim
gabimet dhe dështimet e sistemit komunistë!? Nuk e di nëse kjo
iniciativë duhet të merret edhe për familjen e Avni Rustemit, i cili u
vra me porosi të Ahmet Zogut, vetëm pse vrau të dërguarin e tij nëParis,
Esat Pashë Tradhtarin që bënte pazare për shitjen e tokave shqiptare.
Por një gjë dihet që Tradhtia Kombëtare nuk falet, asnjë njeri nuk e ka
të drejtën ekskluzive të flasë në emër të një Kombi. Ne mund të falim
gjithçka, mund të falim kur shqiptari vret shqiptarin për një pëllëmbë
tokë, për nder të familjes, për çështje banale, por askujt nuk mund ti
falim tradhtinë kombëtare. Nuk mund ta falim atë njeri, atë komb, që ka
ngritur dorë kundër kombit shqiptar, që ka shitur qoftë edhe një relike
me vlera shqiptare. Marrëveshje në dëm të shqiptarisë nuk duhet të ketë
asnjëherë nga ata shqiptar që ndihen vërtetë shqiptar. Mendoj që nuk ka
hapësirë historike që të rishikohen figurat e disa politikanëve të
Shqipërisë që me veprimet e tyre kanë vulosur tradhti kombëtare, nuk
është e arsyeshme të trajtohen njëjtë patriotët dhe tradhtarët duke i
ulur pasardhësit e tyre për të shtrirë dorën e pajtimit. Historia nuk
shkruhet nga historian servila që janë vënë në shërbim të politikës.
Historiani i vërtetë nuk bënë asnjë marrëveshje në dëm të historisë
reale, prandaj ata historian që po mundohen të rehabilitojnë disa figura
shqiptare që me veprimet e tyre i kanë bërë dëm të madh kombit dhe
tokës arbërore, bëjnë mirë që të tërhiqen sa nuk është vonë sepse edhe
mbi ta do të rëndojë një pjesë e fajit të tradhtisë. Vërehet që viteve
të fundit janë vënë në lëvizje strukturat e shteteve të huaja për
rehabilitimin e spiunëve të tyre dhe ata qeveritarë shqiptar që po
nxitojnë të rehabilitojnë figurat tradhtare, siç duket bëjnë përpjekje
për të siguruar të ardhmen e rehabilitimit të tyre sepse duhet të kenë
gëlltitur ndonjë lugë çorbë të prishur për ngritjen e tyre në karrierën
politike.
Ahmet Zogu, tradhtar dhe vrasës, ja faktet historike
Politizimi i historisë dhe përdorimi i
saj për nevoja politike të ditës, duket se po prish seriozitetin e
festimeve të 100 -vjetorit të pavarësisë, aq më tepër që këto kohë po
lakohet shumë emri i Ahmet Zogut, për të denigruar ata që bënë historinë
e vërtetë. Nuk ka dyshim se Ahmet Zogu, i cili vuri emrin e vet në së
paku 15 vjet të historisë shqiptare, përbën një figurë komplekse dhe
problematike, me kontribute, por edhe me qëndrime e veprime, të cilat në
një gjykim objektiv kanë qenë në dëm të Shqipërisë. Vetë karriera e tij
si kryeministër deri sa u bë mbret u shoqërua me një brutalitet të
paparë dhe me lidhje të fshehta me vendet fqinje, duke u falur atyre
edhe pjesë të territorit shqiptar si Vermoshin dhe Shën Naumin. Vetëm
akti i bërjes mbret ishte i papranueshëm dhe joligjor. Me riardhjen në
pushtet me anë të serbëve me 500 bjellorusë ai luftoi me çdo mjet
kundërshtarët e vetë dhe vendosi pushtet despotik. Si garant ai zgjodhi
Serbinë me të cilën bëri disa marrëveshje të fshehta, që e vinin vendin
tonë në sundimin tyre. Në planin ekonomik, por që më pas u kthye në
politik dhe ushtarak, ai u drejtua dhe u orientua drejt Italisë, duke
bërë marrëveshje koncensionare dhe duke marrë hua të rënda dhe të
papërballueshme, të cilat arritën deri në pushtimin ushtarak më 7 prill
1939. Gjatë pushtetit të tij lulëzoi një korrupsion i paparë që nga maja
e piramidës e deri poshtë. Vendin e pllakosi varfëria e tejskajshme,
ndërsa në oborrin mbretëror bëhej jetë luksi. Veç si tradhtar që ka
shitur Shqipërinë dhe është larguar prej saj në ditën më të vështirë, ai
njihet edhe si vrasës. Me urdhër direkt të tij janë vrarë patriotët:
Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Avni Rustemi, Riza Cerova
etj..
Nga Gazeta Telegraf - Hën Tet 15 Tetor 2012