Në zanafillet historike të arsimit tonë në trevat veriore deri në shek. XVIII (1)
nga Kolec Ҫefa
jë të vjetra në trollin e vet etnik, me histori, tradita
dhe me bashkëjetesë greke e romake, me krishtenim apostullik, nuk ka si
mos me pasë zanafillë të vjeter arsimore. Nëse e verteta frymëzon
mençurinë, nëse e drejta i tregon udhën paanësisë, nëse ndergjegjja
kjartëson ndjenjat latente e të turbullta, atëherë duhet të thomi, kur
të flasim per gjurmët e vazhdimsisë iliro-shqiptare, krahas gjurmëve
gjuhësore, gjeografike, historike etj., të flasim edhe per Krishtenimin
si gjurmë fetare, me vlerë autoktonie, me tradita kulture, e me këte
edhe per zanafillen e kahershme arsimore, që ndihmoi në ruejtjen e
gjuhës, në mbajtjen gjallë të ndjenjes kombtare e forcimin e
identitetit kombtar. Historianët fetarë per shekujt e parë e
historianët medievistë të permendun, si Shuflay, Taloci, Jireçeku,
dokumentacioni i Vatikanit, misionarët e derguem në vendin tonë e
relacionet e prelatëve tanë, materialet arkivore nga ma të ndryshmet,
pohojnë bashkarisht, pa mëdyshje, e shumë qartë, se ilirët perqafuen
Krishtenimin, madje një Krishtenim të organizuem, që në shekullin e
parë. Dhe këte na e vertetojnë Ipeshkvia e Durrësit, shek. I e pastaj me
radhë ipeshkvijtë e Shkodrës, Lezhes, Tivarit, Pultit, Drishtit, etj.,
etj. Jireçek: “…Historia e ipeshkvive të Durrësit dhe të Shkodres mund të ndiqet pa prerë që nga shekujt e parë…”.
Kështu, Katolicizmi nuk asht fe e imponueme nga pushtuesit, siç pohonte
me të madhe diktatura, madje per tre shekujt e parë e persekutueme nga
pushtuesit.
Pra, shqiptarët e sotem e trashiguen krishtenimin drejtperdrejtë nga paraardhësit tanë ilirë.
Njoftimi i Brokardit se shqiptarët
“Perdorin në librat e tyne shkronja latine, perfaqsimi dinjitoz yni në
kulturën e Rilindjes Europiane, shekujt XV-XVI, Gazullorët, Beçikemi,
L.Tomeo, M. Maruli etj., kronikat “in vernacula lingua” që permendë
Bardheci e shkrimtarët e letersisë sonë të vjeter, të shekujve XVI-XVII,
Relacionet e prelatëve tanë, mbi gjendjen e Shqipërisë Veriore dhe të
Mesme në shekullin XVII, (1610-1650), etj. nuk ka sesi mos të bajnë me
mendue se këta lavrues të dijes, këta patriotë eruditë, nuk i kanë
ushqye ndjenjat, dëshirat e mësimet e para pranë klerit vendas, dhe se
pastaj duhet të kenë kontribue vetë ata në këte drejtim. Per dëshmi po
permendim pohimin e Budit, i cili filloi mësimet e para te prelatët
shqiptarë: “…pranë të cilëve jam marrë me studimin e këtyne pak ditunive deri në moshën 21-vjeçare”.
Kisha e shkolla kanë qenë të lidhuna
pazgjidhshmënisht. Kisha nuk ka të ardhme pa kler e kleri nuk formohet
pa shkollë. Dihet që kleri ka qenë nismëtar per hapjen e shkollave, në
forma të ndryshme, jo vetem në Shqipni, por edhe në Europë.
Shkrimi i gjuhës sonë, botimi i librave
në gjuhën tonë dhe hapja e shkollave shqipe të organizueme nuk e kanë
thanë ende fjalën e tyne të fundit, kanë parahistorinë e tyne, mandej
edhe historinë e tyne, që na japin detyrën të studiojmë mirë e të
kerkojmë fjalën e tyne në literaturen e botueme nga vetë misionarët,
gjithashtu të kerkojmë atë fjalë ndër arkivat e hueja. Lidhun me
parahistorine e shkollës shqipe, mjafton të permendim Urdhnat fetarë të
ardhun në vendin tonë gjatë mesjetës, si: benediktinët, domenikanët,
françeskanët, bazilianët etj. Monastiret e themelueme në Europë në
shekullin IV-XII dhe jo vonë edhe në trevat shqiptare, në ato kohë të
mugta, kanë pasë një traditë kulture e arsimore me shkollat kishtare,
famullitare, shkollat e monastireve, shkollat popullore etj. me formim
fetar, por jo pa arsimim të nevojshem laik, madje in vernacula lingua,
me bibliotekat e tyne, me kopjime librash të vjeter, me ruejtje
dorëshkrimesh e arkivime etj., pa u ndalë te artet, si: ndertimi i
kishave, zbukurimi me piktura, skulpturat e shejtenve etj. që i dhanë
hov, kudo në Europë, kulturës e murgjit u banë “baballarët e qytetnimit
europian”. Ҫabej: “Këtyre rrethanave u shtohet edhe puna e qëndrimit të
benediktinëve e të domenikanëve në Shqipëri në periudhën paraturke, dy
urdhëra fetarë që kanë themeluar vatra kulture e shkrimi kudo që kanë
shkuar”.1. Shto edhe bazilianët, bogumilët etj. e sidomos françeskanët,
kuvendet e të cilëve u banë qendra arsimi shqiptar e kulture prendimore.
Të lexojmë Talocin: “Françeskanët qenë e vetmja rezervë e okcidentit që
qëndroi në Shqipnì edhe atëherë kur interesa e Europës per këto vise
mêni krejt 2)…”
Dhe vazhdoni Kadarenë: “Dhe ne kemi
detyrën morale që ta dëgjojmë zërin e tyre dhe të nxjerrim mësime të
mëdha prej këtij zëri, pavarësisht se çfarë zanafille fetare e kulturore
kemi. Atje ne bashkohemi të gjithë”.
Studimi i këtyne Urdhnave në vendin tonë
nuk asht ezaurue, mbetet detyrë, e materialet ekzistojnë nder arkiva
ende të paesplorueme, e të pastudiueme, por edhe nder shkrime të kalueme
e të panjohuna per disa autorë. Këtej, shpesh nuk dalim në burim të
vertetë, por vlerësojmë autorë persëritës e sterpërsëritës.
Vatikani, Propaganda Fide, Kolegjet e
Fermos, e Ilirikut etj. pergatiten kuadro klerikë, të cilët, të kthyem
në vendin e vet, u banë mësues, predikues e lavrues edhe të gjuhës
shqipe.Në mënyrë të veçantë interesohej propaganda Fide (1622) që donte
të pengonte konvertimin e popullit. Persëri 1748 Propaganda ndermori
një nismë organizuese: Kërkoi të hapej shkollë në çdo rezidencë
ipeshkvnore në formë seminari ku të jetojshin mësues e nxanës bashkë e
të mësojshin veç shkrim e lexim, edhe latinisht, italisht, teologji
morale. Ipeshkvijt, famullitarët, misionarët e morën persiper shkollimin
e klerikëve të ardhshem e të nxanësve shqiptarë. Në famullitë a selitë
ipeshkvnore, zakonisht, caktojshin një dhomë per shkollë. Vertetë, per
pergatitjen e priftenve, por mësojshin shumë nxanës, të cilët nuk
baheshin të gjithë meshtarë, mandej studimi i gjuhëve të hueja ndihmon
edhe gjuhën amtare. Kështu, permendim Budin që i drejtohet nxanësit të
vet: “Pse nuk e thua mbë gjuhën tande që e kupton ma mirë”, “Zoti nuk i
ndigjon uratat e atyne që luten në gjuhë të huej, perpa kuptue
veshtrimin e fjalëve që thotë”, apo Imzot Dodmasej që mbajti me
shpenzime të veta disa nxanës, me ushqim, fjetje, veshmbathje; po kështu
Kazazi, po kështu edhe shumë tjerë. Të dhana për këto shkolla na i kanë
lanë me shkrim shpesh vetë mësuesit a drejtorët e atyne shkollave,
relatorët, vizitatorët. Por mosthellimi a mos dashja per t’u thellue,
diku edhe mungesa e materialeve, (sidomos ata të shekullit XVII), diku
indoktrinimi a cenzura na kanë çue në perfundime të gabueme.
Prelatët vendas e misionarët e huej u lëshojnë urdhna famullitarëve t’u mësojnë fëmijëve shkrim e këndim.
“Pjeter Mazreku e Frang Bardhi, shkruen
Zamputi, nuk lanë rasë me kalue pa folë gjanë e gjatë per vetitë fizike
dhe intelektuale të shqiptarëve dhe per nevojen t’u vihet atyne në
ndihmë sidomos me themelimin e shkollave në vend dhe me themelimin e
kolegjeve per ta n’Itali”. “Kombi shqiptar asht ma i mjeri e ma i
braktisuni ndër të gjitha kombet që janë në Europë…po vuejnë mjerisht
dhe po bien perditë, sepse janë pa shkolla, pa kolegje e pa asnji ndihmë
shpirtnore” 3). Gjon Koles i propozon, më 1625, të ndertohen dy
shkolla në vend me nga 10-12 nxanës secila, per t’i pregatitë mandej per
kolegjen e Loretos. Këto shkolla të hapeshin njena në shtëpinë e
ipeshkvit, tjetra në një vend tjeter dhe, mbasi të mësojnë, do të
baheshin mësues per të tjerë, me u mësue fëmijëve shkrim e këndim dhe
disave gramatikë. Ip. Anton Babi, 1704, “Të mësojnë çdo të diel e ditë
festash Doktrinën e krishterë dhe atë që shkruhet në “Doktrinën e vogël
të shtypur në shqip”. Dhe të gjitha këto i urdhërojmë nën peshen e
pezullimit të detyrës. Diku kercnohen edhe zhveshjen si klerik.
Dy dokumenta sinjifikativë që dihen 4.).
(Vijon)