
KURDËT NJË POPULL MARTIR I PAMPOSHTUR
Nga KOLEC TRABOINI
Tragjedia nuk ju nda kurrë popullit të
Kurdistanit. Ishin aty para se të vinin hordhitë vrastare osmanët, turqit e
sotëm. I shërbyen perandorisë si një nga popujt më luftarakë bashkë me
shqiptarët. Patën edhe ata fatin e shpërbërjes se shqiptarëve por më keq akoma
sepse nuk arritën të krijonin shtetin e tyre. E ndanë në disa shtete popullin e Kurdistanit, 20-25 milionë në Turqi, po aq në Siri, Irak, Iran e gjetkë. Asnjë
herë nuk e pushuan luftën për pavarësi, ani pse mbi ta është ushtruar dhunë e
terror i paparë. Mjerisht shteti shqiptar as dhe një here nuk e ka shprehur simpatinë
për këtë popull trim e martir me shkakun se kemi pasur shumë jeniçerë edhe pasi
janë shporrur turko-osmanët nga trojet tona. Një dashuri dhe flirtim pervers deri
ne përdhosje duke na konsideruar popull vëlla me vrasësit tanë ne pese shekuj. Marrëdhëniet
e mira në mes shteteve siç e kërkon koha kur jetojmë, në paqe e mirëkuptim nuk
duhet të na kushtëzojnë e të mos respektojmë aspiratat e popujve për liri.
Duam
nuk duam turqit janë pushtues në Kurdistan. Populli kurd ka të drejtën të jetojë
i lirë në trojet e veta, në atdheun e vet. Ai popull ka karakteristika krejt të
tjera nga turqit dhe këta ushtrojnë një dhunë të egër dhe shtypin çdo aspiratë
lirie. Aq i shfrenuar e dhunues është pushtimi sa kur një deputet kurd po
shpaloste gjëndjen e popullit të vet, deputetet turq thirrën që ta kapin, ta
nxjerrin jashtë dhe ta pushkatojnë. Por deputeti kurd më gjithë kërcënimet se
do ta vrisnin në vend, u tha se ju mund
të më vrisni se unë një jetë kam e jeta ime nuk ka rëndësi, por nuk mund të
vrisni e zhdukni popullin tim, i cili është këtu në këto troje para se të vinit
ju dhe mongolët. Edhe kryetari i Parlamentit thirri të vritet. Atëherë deputeti
kurd tha, ju jeni pushtues dhe do të
keni fatin e çdo pushtuesi që u merr lirinë popujve. Ju më kërcënoni të më
vrisni sot mua, por ju vrisni përditë me bomba popullin tim, gra e fëmijë e
mbillni kudo terror se jeni pushtues e vrasës.
Po cila është historia e
Kurdistanit, këtij populli luftëtar që aspiron lirinë e vet? Pas rënies së Perandorisë
Osmane, shtetet e mëdha vendosën ta ndanin Kurdistanin në disa pjesë për të
kënaqur orekset e tyre me trupin e një kombi. Ishte Traktati i Lozanës më 24 korrik 1923 tepër fatal për kurdët, të
cilëve makinacionet e shteteve të mëdha i lanë pa një shtet të vetin. Në Konferencën
e San Franciskos 1945, përfaqësues të Kurdëve paraqitën kërkesën për njohjen e
territoreve të veta dhe të një shteti kurd. Po kjo nuk u bë.
Kurdët kanë një histori të gjatë luftërash e kryengritjesh
për
pavarësi. Është e njohur kryengritja e Koçkirit në vitin
1920. Po
ashtu në vitin 1924 kryengritja me të njëjtin emër. Pastaj shënohet kryengritjen
e Sheikut Said dhe e quajtura Republika e Ararat në 1927. Në vitin 1937 ndodhi kryengritjen
e Dersimit. Por të
gjitha këto revolta e kryengritje për liri u shtypën në mënyrën më mizore nga autoritetet
turke. Aq shumë është ushtruar dhunë e terror në Kurdistanin turk sa që nga
viti 1925 e deri në vitin 1965 ishte
shpallur zonë
operacionesh ushtarake dhe u ndalohej të huajve që të hynin atje. Nuk donin që perëndimoret
të njiheshin me krimet e përbindshme që bëheshin mbi popullsinë kurde. Ne përpjekje
për tu mohuar çdo të drejtë kombëtare, qeveritë turke deri në vitin 1991 i
konsideronin kurdët si turqit e maleve. Por asnjëherë nuk arritën ta asimilonin
popullin e Kurdistanit. Marrëzia e pushtuesve turq arrinte deri atje sa edhe
emri Kurdistan ishte i ndaluar. Me grushtin ushtarak të shtetit në vitin 1980,
u ndalua edhe gjuha kurde si në përdorim publik por edhe në përdorim individual
e privat si gjuhë shtëpie. Kushdo që fliste, shkruante apo këndonte në gjuhën
kurde arrestohej. Një terror i pa shëmbullt sa asnjë popull tjetër e kjo
ndodhte në Europë, hapur nën indiferencën e shteteve të mëdha. Që nga viti 1990
deri në vitin 2000 edhe partitë politike që përfaqësonin interesat e Kurdëve
ishin të ndaluara në Turqi.
Në vitin
1983 provinca e Kurdistanit në jug të
Turqise u vendos nen një regjim të
hekurt ushtarak në përgjigje të veprimtarisë së Partisë së Punëtorëve të
Kurdistanit. Lufta guerrile vazhdoi që nga viti 1980 e deri ne vitin 1990, gjatë të cilave me dhjetëra mijë banorë u
larguar dhe mijëra fshatra u rrafshuan me tokën. Numri i të vrarëve dhe të ekzekutuarve ishte i
panumërt. Shifrat të tregojnë një tablo rrëqethëse e të përgjakshme. Më shumë
se 20 mijë kurdë u vranë dhe vendbanimet
e tyre u shkatërruan, nën një terror të paparë. Jo vetëm aq, por turqit arritën
deri atje sa të bënin edhe embargon e ushqimeve në zonat e banuar nga Kurdët në
vitin 1983. Si mjet lufte u përdorën veç armëve e makinerisë moderne ushtarake edhe
uria.
Tërë kjo mizori
ka pasur qëllim ta shkombëtarizonte dhe ta zhdukte rrënjësisht popullsinë e
Kurdistanit sepse gjithherë Turqia ka pasur frikë se Kurdët e pjesës së Irakut
do të nxisnin e frymëzonin kurdët e jugut të Turqisë për të fituar pavarësinë e
për tu bashkuar në një shtet të përbashkët. Pikërisht kjo frikë i shtynte që krahas
reprezaljeve e masakrave mbi kurdët e Turqisë, të bënte një luftë të madhe diplomatike,
por edhe veprime ushtarake që kurdët e Irakut të mos kishin asnjë të drejtë dhe
të mos e fitonin pavarësinë e tyre. Por
me hyrjen e amerikanëve në Luftën e Irakut rrethanat u ndryshuan. Autonomia e
kurdëve e fituar në vitin 1992 në veri të Irakut u konsolidua. Interesant është
se në vitin 2010 US Raport, ka shkruar se ka të gjitha gjasat që Kurdistani do
të bëhet shtet nga viti 2030. Por ndodhitë me krijim e shtetit ISIS dhe
pjesëmarrjen e kurdëve në krahun e Irakut dhe Shteteve te Bashkuara krijonte një mundësi për krijimin e shtetit të
Irakut mbase më shpejt nga parashikimet.
Populli i Kurdistanit tani është më i ndërgjegjshëm
se kurrë sepse nuk mund edhe më tej të jetojë në shtypje e robëri dhe duhet të luftojë
për lirinë e vet. Është karakteristike se djem e vajza të reja përditë e më
shumë po radhitën në formacionet luftarake kurdistane në Irak dhe në Siri, por
edhe në territoret e pushtuara nga Turqia. Ndaj tyre është treguar një gjenocid
i paparë edhe nga regjimi i Sadam Hysejnit duke përdorur armët shfarosëse
kimike. Ata tani janë ndër luftëtarët me të vendosur e të angazhuar ne luftimet
kundër shtetit Islamik( ISIS), i cili ka shpërthyer në një mizori të paparë
kundër njerëzve që i përkasin kulturave apo religjioneve të tjera. Sukseset e
luftëtarëve kurdistanë duke përfshirë edhe gratë e vajzat e janë të dukshme.
Ato kanë krijuar formacione e marrin pjese direkt në luftime me të gjitha
llojet e armëve. Sipas agjencive të
lajmeve ata janë të armatosur më së miri nëpërmjet lidhjeve me njësitet amerikane që veprojnë në Irak e te cilët
kurdët i konsiderojnë tashme aleate. Edhe me
mijëra vajza të Kurdistanit janë përfshirë në këto forca që quhen Peshmerga, që ka kuptimin e qëndresës deri në
vdekje. Ato janë luftëtarë të forcave ushtarake
të rajonit të Kurdistanit, pjesa
që ndodhet në Irak e cila e ka fituar autonomin në 1970. E konfirmuar sërish në vitin 2005 kjo autonomi.
Admirali amerikan në pension James A.
Lyons, përfaqësues ushtarak i Amerikës në OKB, në një shkrim të tij në “Washington
Times” me titull “A kurdish Opportunity” shkruan : “Në mënyrë
të qartë, është koha që të mbështet në mënyrë
të gjithanshme, duke përfshirë edhe atë ekonomike, një komb sovran kurd.
Ky do të jetë një tjetër aleat i fortë, i besueshëm e demokratik kështu Shteteve
të Bashkuara në këtë rajon do të jetë të mirëpritura, dhe kjo ka një vlerë të
madhe strategjike.”
Pas ngjarjeve të stisura me grushtin shtetin në
Ankara e Stamboll dhe dhunës së egër që po ushtron shteti në mënyrë
absurde, çfarë të kujton diktaturat më
të egra në histori, agjencitë e lajmeve shkruajnë se Ushtria Amerikane
po ngre pesë baza ushtarake në Kurdistan, rajoni autonom në veriun e Irakut. Me
këto që bën Taip Rexhep Erdogani me dëshirën e çmendur të krijojë perandorinë e
re osmane, ka gjasat që Turqia të shkërmoqet dhe populli i Kurdistanit të fitojë
më së fundi lirinë e vet në tërë territoret e veta kombëtare.
Nëse e duam lirinë tonë, nuk mund të
mos e duam dhe lirinë e të tjerëve, ndaj
të mos heshtim por të përkrahim çdo popull të shtypur në aspiratat e vet të
lirisë.
21 korrik 2016