
NË
TRABOININ E HOTIT KRESHNIK
Nga KOLEC TRABOINI
Rruga nga Shkodra deri në Han të Hotit, që nga hera e fundit kur kam
kaluar në nëntor 2012 ka ndryshuar shumë. Ishte më e rregullt, e sistemuar dhe
të jepte vërtet një përshtypje të mirë, sepse ka qenë një nga segmentet më
problematikë. Padyshim që edhe peizazhi ishte i bukur, anipse dimër. Vjeshta
ende nuk lëshohej megjithë të ftohtin që kanë këto ditë. Ishte një ditë me
diell, një kthjellim që t’i sillte malet krejt pranë, sikur t’i prekje me dorë.
Gjithherë që kaloj për në Malësinë e Tuzit, vështrimi im thellohet, më vjen më
pranë se kurrë historia, më vijnë në vesh në mënyrë imagjinative tërë ato
klithma malësorësh, “bini n’ta bre burra…” përmbi koshadhet e Turqisë. Tërë kjo
pamje malore në anë të lindjes, sepse në perëndim është liqeni i Shkodrës, të
shfaqet si një dekor i Termopileve shqiptare në vitin 1911 –siç shkruante “New
York Times” në Amerikë, që edhe pse shumë breza kanë kaluar të duket se lavdinë
e vet e kanë shkruar në shkëmb. Në Kastrat im atë ka qënë mësues dhe është e
kuptueshme se çfarë emocioni më përcjell ky vend e këta njerëz. Më tej kalojmë te
Sukat e Moksetit, njohur aq mirë prej meje, se këtu janë zhvilluar betejat për
mbrojtjen e tokave shqiptare prej invazionit të huaj në vitin 1920, ku im atë
ka qënë luftëtar dhe në betejë është vrarë trimi i Hotit, Luc Nishi, i biri i
kryekomandantit të forcave kryengritëse të malësisë në vitin 1911, Nik Gjelosh
Luli. Të dy këta at e bir, dëshmorë të
kombit shqiptar ishin nga fisi e Ded Gjo Lulit. Të dyja këto familje u shuan
sepse edhe trashëgimtarët që lanë; Kol Ded Gjo Lulin e helmuan esadistët në
Vlorë, ndërsa Pal Luc Nishi vdiq në moshë të re në Torino. Ka një kujtesë
popullore që nuk i lënka të harrohen njerëzit që i kanë kushtuar gjithçka
vendit të vet, atdheut të vet, dhe unë këtë do ta kuptoja më mirë kur të dilja
në Traboin të Hotit.
Rrugës për në Bardhaj të Hotit…
Në anën
tjetër të kufirit, përtej Hanit të Hotit mua dhe mikun tim poet, Qazim Muska,
na priti Gjon Dushaj, kryetari i shoqatës “Ded Gjo Luli” në Tuz, i biri i
profesor Mark Dushaj, i njohur e i respektuar aq shumë në Malësi, por edhe në Kosovë.
Gjoni që në krye na pyeti pse nuk erdhi shkrimtari Pandeli Koçi, siç ishim në
fjalë. I thamë se qe i pamundur për arsye shëndetësore. Atij i erdhi keq sepse
me Pandeliun njiheshin prej kohësh nëpërmjet një veprimtarie të përbashkët dhe
e respektonte. Aq me tepër se Pandeli Koçi ishte ftuar prej malësorëve dhe
kishte marrë pjesë edhe në simpoziumin “Hoti ndër shekuj” në Michigan në vitin
2013, ku kishte mbajtur një kumtesë për krijuesit hotjanë dhe qe pritur shumë mirë.
Do ta
fillojmë për së mbari. - na tha Gjoni. Do të shkojnë e të bëjmë një vizitë tek
shtëpia e Ded Gjo Lulit, pastaj vazhdojmë me programin tonë. Qazimi Muska shprehu
kënaqësinë e tij. Të vizitosh shtëpinë e kreshnikut të Malësisë është një gjë mbreslënëse,
aq më tepër që tashmë shtatorja e Ded Gjo Lulit është vendosur në qendër të
Tiranës, kësisoj lidhjet ndërshqiptare po bëhen përherë e më të forta.
Sapo
kaluam Bozhajn, Gjoni e futi makinën në një rrugë malore, e ngushtë por e
asfaltuar. E kemi bërë rrugën deri tek shtëpia e Heroit, - na tha, - se kështu
bëhet më e lehtë për t’u vizituar nga kushdo që vjen në Tuz apo Malësi.
Gjithkund
shkëmbinj e gjethnaja, përmes ngjyrave të kafejta e diku-diku të kuqërremta shfaqej
grija e gurëve të mëdhenj në shpat të malit.
Te
vendi i quajtur Druma e Hotit, por edhe Druma e Borës, na ndaloi një makinë e
policisë kufitare malazeze. Flisnin shqip dhe si kontrolluan dokumentat e makinës na përshëndetën.
E kanë si rregull, na tha Gjoni, se këndej ndodh të kalojnë edhe njerëz që
merren me kontrabandë mallrash në mes dy shteteve.
Gjatë
rrugës për në Bardhaj të Hotit, takuam dy makina. Drejtuesi i njërës makinë
ishte Ded Dedvukaj, i cili si u përshëndet me Gjonin e ne, na tha të mos
harronim të ktheheshim tek shtëpia e tij. Tash flas me djalin në telefon e ju
pret. Na tha gjithashtu se po shkonin në një mort e ishin me ngut. E ngushëlluam
e vazhduam rrugën. Diku u ndaluam. Gjoni na tregoi se pak ma lart ishte Qarri i
Ded Gjo Lulit, i njohur në historinë e këtij vendi se këtu mblidheshin burrat e
për nën hije kuvendonin punët e Traboinit, se Deda ka qenë vojvoda i Traboinit
e për gjithçka ngjiste në Traboin ishte përgjegjësia e tij. Prej tij dilte
fjala apo urdhëri, urtia apo pajtimi i traboinasve për problemet mes vedi, por
edhe me të tjerët.
Kulla e Ded Gjo Lulit ku buçet historia…
Ja dhe shtëpia e heroit të malësisë e mbarë shqiptarisë. Në krye ishte portarja, derë oborri në malësi prej degë drurësh të kryqëzuara që më tepër janë simbolike se funksionale. Oborri ishte plot me drurë të rinj dhe sheshi i mbuluar me gjethe vjeshte. Ecëm nëpër kalldrëmin që të çonte deri tek kulla e Ded Gjo Lulit. Nuk i rrimë tundimit pa bërë fotografi përpara kullës prej gur mali. Pastaj u ngjitëm në shkallët e gurta ku kishte një derë të madhe me pamje nga jugu, pra Shqipëria. Është një mrekulli që e kanë rikonstruktuar këtë kullë, që është një tempull atdhetarie, një kullë së cilës tre burra i janë vrarë në luftë dhe konsiderohet e shuar. Kur nisi lufta në fund të marsit 1911, u vranë Kol Marash Vata, Gjon Ujk Çeku, Lek Marash Peci, Frano Zek Pllumi, vëllezërit Gjon Lulash Zeka e Zef Lulash Zeka, Zef Lan Ula, Ujk Gjelosh Leka, Zef Vuksan Leka, Nik Gjelosh Luli, Nik Hak Shabi, Zef Peri, Gjeto Vuja e të tjerë. Ishin djemtë e burrat më të mirë të Hotit. Më trimat që e bënë dekën si me le. Pastaj kohë më vonë, më 20 shtator 1911, Ded Gjo Lulit i thanë se në luftë me asqerët e Turqisë qenë vra në një ditë shtatë burra të Hotit; Gjok Kol Preli, Ded Gjoni, Gjon Tom Hasi, Gjon Marash Loshi, Luc Gjergji, Preloc Mark Gjeka…. por të shtatin nuk po guxonin t’ia thonin. Pikëllim i madh ra në sytë e në shpirtin e plakut të urtë të Hotit. Po më së fundi i thanë se është vra edhe Gjergj Ded Gjo Luli, pra i biri. Atëherë Ded Gjo Luli e mori veten e tha: Po dhe ai djalë nane isht! Me çka donte të thoshte se nuk ka pse ta ndante në dhimbje prej të tjerëve. Për atë të gjithë djemtë e Hotit e të Malësisë ishin si bijtë e tij. Ky ishte Ded Gjo Luli.
Shtëpia
muze e heroit ishte një kullë malësore, poshtë hauri dhe me një ode të madhe
sipër. Në faqet e mureve ishin vendosur më së shumti fotografi, por edhe
objekte të ndryshme për të krijuar mjedisin e një shtëpie karakteristike të
fillimit të shekullit XX. Fotografitë janë të njohura. Fort e çmuar ishte
piktura e artistit të madh që e ndan jetën e tij mes Gjermanisë e Malësisë,
Gjelosh Gjoka. Ai i ishte përmbajtur pamjes reale të heroit, por jo aq sa të
krijohej përshtypja e një portreti klasik realist, por një krijim i mirëfilltë
e me stilin e tij të veçantë. Aty binte në sy dhe një kornizë në të cilën qe
vendosur xhamadani i Kol Ded Gjo Lulit. Një fotografi e madhe me krerët e Malësisë,
bërë nga Marubi më 1908, hijeshonte në faqen e murit dhe aty pashë në mes të
burrave edhe tim atë që asokohe ishte 20-vjeçar. Pranë tij dy kushërinjtë e parë,
djem xhaxhallarësh, vëllezërit Martin Ujk Çeku dhe Gjon Ujk Çeku, ky i fundit dëshmor
i rënë në Tuz në 28 mars 1911. Më thanë se Agim Çeku, ish kryeministër i Kosovës,
kur kish ardhur një përvjetor të kryengritjes, kishte thënë se ishte kushëri i
afërt me dëshmorin Gjon Ujk Çeku. U çudita sepse Gjon Ujk Çeku, të cilin siç
thashë babai im e kishte djalë xhaxhai, nuk kishte asnjë të afërt që të kishte
lënë Hotin e të kishte shkuar në Kosovë. Të afërm të tij janë në Shqipëri,
Itali dhe Amerikë, por në Kosovë asnjë. Ngandonjëherë entuziasmi të bën të
thuash gjëra që i beson vetë, por nuk bindin askënd. Pas vizitës, bëmë
fotografi në atë mjedis që të krijonte emocione të mëdha. Shënuam edhe përshtypjet
në librin e vizitorëve.
Në shtëpinë e Kol Marash Dedvukajt në Bardhaj të Hotit….
Kujdesin
për shtëpinë Muze e kishte i riu Gjergj Dedvukaj, i afërt në fis me familjen e
Ded Gjo Lulit, i cili na ftoi në shtëpinë e tij që e kishte fare pranë. Ne pamë
rreth e rrotull e na u duk se këtu nuk kishte shtëpi të tjera, ngaqë kudo na
rrokte vështrimi shkëmbenj e shkurre. Dolëm në një rrugë, pastaj në një shesh të
vogël dhe na u shfaq shtëpia e Kol Marash Dedvukaj. Ishte një shtëpi mjaft e
mirë, e mirëmbajtur, si një vilë qyteti, si në pamje të jashtme edhe të brendshme. Gjergji na priu në
dhomën e madhe me kolltukë. Mjedisi ishte ngrohtë dhe i këndshëm. Pastaj u
shfaq një burrë shtatlartë, 80-vjeçar e fisnik në pamje. Kishte një kuvendim të
bukur, i pëlqente të fliste për historinë. Më dha të njohur menjëherë duke më
thënë se kishte qënë në promovimin e librit të tim eti “Flamuri në Deçiq” në nëntor
2012. Kol Marash Dedvukaj dinte plot histori dhe i tregonte bukur. Këtu jemi në
Bardhaj të Hotit, na tha dhe kjo është pjesë e Traboinit. Aty pranë qëndronin Gjergji
me vëllanë e vet Kolën, një 12-13 vjeçar ky, që kishte marrë emrin e gjyshit të
vet. Vajza e shtëpisë, Filja, rreth 15-16 vjeçare, përpiqej që të nderonte miqtë
duke na servirur verë shtëpie e pastërma, po dhe gjëra të tjera. I zoti i shtëpisë
na u lut të rrinim për drekë, por ne kishim lënë takim në Nabom, te kroni i
Traboinit, a me saktë tek shkolla ku do të takoheshim me nxënësit e mësuesin. Sa herë t’ju bjerë rruga për Tuz, kthehuni. -
na tha Kol Marash Dedvukaj. - Hoti i ka dyert e hapur për miqtë.
Anipse
Bardhajt e Hotit janë pranë me Nabomin e Traboinit, duhej të kalonim në një
rrugë tjetër për të shkuar atje, sepse rruga përmes Hotit kishte dy degëzime.
Gjon
Dushaj nëpërmjet celularit të tij njoftoi ata të shkollës se po mbërrinim.
![]() |
Para shkollës, pranë Kroit të Traboinit |
Te kroi dhe shkolla e Traboinit….
Kur mbrritëm
pamë të kishin dalë te sheshi para Kroit të Traboinit, Vasel Dushaj, kryetar i
Bashkësisë lokale të Hotit, Tone Dushaj-Ivezaj, profesoreshë gjuhe, Pjetër
Ivezaj zëvëndës i Avokatit të Popullit, Anton Gojçaj shkrimtar e poet i njohur,
Marash Zef Gojçi, Palok Nicaj i biri i Zef Metit dhe Gjon Camaj, drejtori që na
priu drejt shkollës që ishte aty pranë. Në një prej klasave u takuam me mësuesin
Shtjefën Gjonaj, një i ri 27-vjeçar me nxënësit e klasave të ulta. U shpreha kënaqësinë
e ardhjes në këtë shkollë ku dikur im atë, Palok Traboini, u kish dhënë mësim në
gjuhën shqipe hotjanëve të vegjël, e unë sot po u sillja një libër timin me
titull “Djali nga Hoti” i mbështetur pikërisht në kujtimet e tij shkollore. Zhvilluam një bisedë të lirë ku
njeri nga bashkëbiseduesit tha se i vinte shumë mirë që edhe pse ke lindur në
Shqipëri e jeton jashtë, vjen herë pas here e nuk e harron vendlindjen e babait
dhe të gjyshërve të tu. Kur po na ndodh që edhe disa që janë lind e rrit këtu në
Hot, kur shkojnë të jetojnë jashtë po harrojnë të kthehen. U tha gjithashtu që
gjatë verës vijnë shumë mërgimtarë e jeta në Hot bëhet atëherë më e bukur dhe ka
më shumë gjallëri. U dhuruam libra me kushtim së pari vogëlusheve Maja Gjelaj,
Dajana Dushaj, Marta Gjelaj e të tjerëve. Libra u dhamë edhe të rriturve, sepse
sekush e ka një vogëlush në shtëpi. Ishte një takim i bukur, i thjeshtë, i
ngrohtë e miqësor e thuaj i përmallueshëm. Personazhi rrëfimtar i librit që
sollëm në Hot ishte pikërisht nga ky vend. Ishte rritur në Nabom, nga fisi Gojçajve,
i familjes Çekaj, kishte pirë ujë te Kroi
i Traboinit, kishte luajtur në këtë shesh e në ograjat përreth, kish shkuar pas
gjësë së gjallë. Rrëfimet nga fëminia i djalit të Hotit para një shekulli me
dashuri për vendlindjen, vinin aq të ngrohta për brezat e rinj.
Një ndalim e kuvendim tek Lulja e Blinit…
Pas
takimi në shkollë, dolëm te sheshi para Kroit të Traboinit. Këtu kanë pirë ujë
burrat e historisë. Këtu ndalonin e bënin edhe kuvende të shkurtra. Kroi i
Traboinit është edhe në këngën që e interpretojnë bukur Gjekë Dushaj e Gjyste
Vulaj “Te kroni i Traboinit”. Anipse Traboini njihet për histori trimërore,
kënga është lirike e flet për dashurinë. Malësorët e kanë pasur të vetin
epizmin, por edhe lirizmin në atë pak kohë midis luftrash..
A të kujtohet Lulja e Blinit/Ty te kroni i Traboinit/Mbi
një gur ti po pushoje/me bisht të synit më shikoje…
M’u
kujtua kjo këngë e bukur e u thashë se pa pushue pak te Lulja e Blinit nuk mund
të shkojmë kurrkund. Thashë ashtu se në pritjen që dha presidenti shqiptar në
dekorimin e Ded Gjo Lulit në Pallatin e Brigadave në Tiranë më 27 nëntor 2015,
takova edhe një bijë nga Hoti, me emrin Lule Nicaj, e cila më pat porositur që
kur të vish në Hot të ndalesh tek Lulja e Blinit përballë Kroit të Traboinit.
Ata që
e kuptuan se përse e kisha fjalën morën drejtimin drejt lokalit përballë. Në një
tabelë të kuqe qe shkruar “Lulja e Blinit”, dhe vërtet anash lokalit ishin drurë
lule blini e lokali dukej i strukur mes tyre. Ngjitëm shkallët e gurta dhe aty
na priti Lule Nicaj. Mir’se erdhe! - më tha. E mbajte fjalën.
U ulëm
në një tryezë të përbashkët. Lulja na serviri kafe, çaj, e kush deshi edhe raki.
Aty,
krahas të tjerave ra fjala edhe për tim atë. Atëherë unë nuk u ndala në histori
që mund t’i lexonin në librat e atit tim, por u tregova diçka tjetër. Marash Zef Gojçajn, u thashë, nuk e kisha parë kurrë. Erdhi nga Traboini i
Hotit në Tiranë në përurimin e shtatores së Dedë Gjo Lulit dhe më dha të njohur.
U takuam e u gëzuam bashkë edhe me atë edhe me Palok Nicaj, të birin e Zef
Metit. Jo më kot e citova emrin Zef Meti, sepse ai
ka qenë një nga bashkëluftëtarët e tim ati në kryengritjen e vitit 1911 dhe në disa
kujtime veteranësh të pavarësisë thuhet se Zef Meti ka pas një zë që ngrinte
malet peshë kur këndonte në gëzim të flamurit të Deçiqit në 1911, por edhe
grykëholla i këndonte bukur. Në atë gëzim të shtatores së kryetrimit të
Malësisë Dedë Gjo Luli, Marash Zef Gojçaj ma la në dorë një CD. Kur të mbarojmë
ceremoninë e shtatores, më tha do të shkojmë ta dëgjojmë tek makina që e kishte
parkuar tek Tirana Internacional. Katër burra të Hotit u futëm në makinë e
dëgjuam një këngë me lahutë. Palok Nicës, djalit të Zef Metit, iu mbushën sytë
me lot. Gjithë këto histori m’i ka treguar baba jem. - më tha. Po fliste për
ngjarjet që përmendeshin në tekstin e këngës të shkruar nga Marash Gojçaj e
kënduar me lahutë nga Pretash Nilaj. Edhe unë isha i emocionuar aq shumë sa nuk
po dija si ta falenderoja Marash Gojçin e Pretash Nilajn. Ishte një këngë kushtuar
babait tim, Palok Traboini. Më mbeti mendja tek ky akt i bashkëhotjanit tim,
këtij njeriu me shpirt të madh. Ja pra që edhe nëse ne i harrojmë prindërit
tanë prej shukullimave të ditës, kur ata kanë bërë diçka të mirë e me vlerë për
këtë komb i kujtojnë të tjerët bëmat e tyre. Sepse mirësia që ka pasur ndokush,
cilësitë që ka mishëruar, i kthehen, edhe i vdekur në dhé në qoftë, madje edhe
sikur gjysmë shekulli të mos jenë më ndër të gjallët. Po i vdekuri qenka më i
gjallë se i gjalli ndonjëherë. Populli nuk i harron kurrë bijtë e vet që janë
përkushtuar për këtë komb, për tokën e lirinë e shqiptarëve. Kjo ishte biseda që
bëra në lokalin “Lulja e Blinit” të Lule Nicaj në Traboin të Hotit.
Duke zbrit prej Traboinit për në Tuz ...
Pasi bëmë disa fotografi te sheshi
para kroit të Traboini u ndamë me të gjithë duke i shprehur mirënjohje për këtë
takim të bukur. Gjon Dushaj në zbritje na ndaloi së pari në Nabom. Këtu dikur
ka qënë shtëpia e gjyshit tim Luc Çeku dhe e tërë familjes Çekaj, a thënë
ndryshe të gjitha atyre që vinin nga Çek Nik Lulash Gojçaj, i cili ka patur tre
djem, Lucën gjyshin tim, Ujkën dhe Prelën. Keq më vjen se në librin “Hoti gjenealogjia
e pjesshme e tij” e autorit Llesh Preç Smajlaj, një botim voluminoz ky i vitit
2006, nuk gjendet as emri i gjyshit tim dhe as vëllait tjetër të tij Ujk Çeku prej të cilëve kanë
rrjedhur mjaft breza. Por le ta plotësojmë këtë mungesë. Gjyshi im ka patur dy
djem Palin(Palokën) babën tim dhe Pjetrin. Ky i fundit ka vdekur i ri dhe i
pamartuar. Vazhdues jam unë dhe kam dhe një djalë Donaldin, inxhinier, që jeton
në Boston. Vëllai tjetër i gjyshit i munguar në libër, Ujk Çeku ka patur tre
djem, Gjonin trim i çartun, dëshmori i kryengritjes së vitit 1911 e dy djem të tjerë, Martinin që nuk ka lënë
djalë dhe Zef Ujk Çekun, me djemtë Pjetrin, Gjonin, Franin dhe Ndocin, familje e
madhe kjo që në vazhdimësi ka marrë mbiemrin Ujka e sot gjendet në Shqipëri, Itali dhe
Amerikë. Shumica e trashëgimtarëve që burojnë nga Çek Nik Lulash Gojçit janë shpërngulur nga
Hoti e janë vendosur në fillim në Hot të Ri në Shkodër dhe pas vitit 1990 në
mërgim. Një fotografi në vendin ku dikur ka qenë shtëpia e të parëve të mi padyshim
është një kujtim i bukur, por edhe diçka më shumë se një kujtim. Pastaj duke zbritur më poshtë u ndaluam
para shtëpisë së mësuesit nga Hoti, Gjok Gojçaj që tani jeton në New York, një
shtëpi e re dhe e bukur. Ndërkohë dielli kish nisur të binte tej mbi liqenin e Shkodrës
që nga lartësitë e Hotit ku ishim, shfaqej në një mjegullim të përskuqur. Më
poshtë shihej fusha dhe qyteti i Tuzit. Mali i Deçiqit dhe Maja e Bratilës e
gjithë i përhimtë e pa asnjë bimësi kish nisur të zhytej në mugëtirat e mbrëmjes.
![]() |
Pjetër Dreshaj dhe Kolec Traboini në bar-restorant "Troja" duke biseduar për poezinë |
Festival
poetik në Traboin të Hotit - një dëshirë e bukur.
Do të shkojmë te “Verdi”, na tha Gjon
Dushaj që na shoqëronte gjatë gjithë vizitës sonë.Verdi ishte një restorant në
Tuz. U bashkuam dhe me shkrimtarin Anton
Gojçaj e shkuam në restorantin ku të servirnin një ushqim jashtëzakonisht të
mirë.
Biseduam ndërkohë se si mund të bënim një
veprimtari artistike vjetore në Traboin të Hotit. Folëm e ramë në një mendje që
një ditë poetike dhe artistike bashkë mund të bëhej të Kroni i Traboinit, por
kjo në kohë vere, sepse vinim për pushime në vendlindje shumë shqiptarë të Malësisë
që punojnë e jetojnë në Amerikë. Madje i lëshuam frerin fantazisë duke i emërtuar
çmimet si “Kroi i Traboinit” apo “Lulja e blinit” një zgjidhje mes epikës e
lirikës që aq bukur bashkjetojnë në këtë vend. Kishim dëshirën e mirë që të mund
të bënim një gjë që nuk është organizuar në ndonjë veprimtari më parë. Po kjo
punë u la të bisedohej në vazhdimësi që të krijohet një traditë e bukur dhe e përvitshme
në Hot. Gjon Dushaj ndërkohë mori në telefon intelektualin e njohur, gazetarin
e mësuesin Pjetër Dreshaj dhe e lamë të takoheshim pas pak në bar-restorant “Troja”
për një kafe. Intelektuali Pjetër Dreshaj, është i mirënjohur në Tuz e në Malësi.
Biseduam për krijimtarinë letrare bashkëkohore të shqiptarëve në Malit të Zi
dhe më gjerë. Pjetër Dreshaj sapo kishte përkthyer një libër me poezi të
shkruara nga vëllezërit Martin e Mirash Ivanaj gjatë
qëndrimit në Pozharevac dhe Beograd në 1908 ku kryen shkollën e mesme, të botuara së pari këto poezi sllavisht në
revistat e kohës. Pas përkthimit në shqip
nga Pjetër Dreshaj janë botuar në Tiranë me titull "Kulla e
shpresës sime”. Ai gjithashtu ka përkthyer në
sllavisht edhe librin me poezi të Gjekë Marinajt.
Pjetri na lexoi disa fragmente të librit tim “Orakujt kanë zbritur në ferr” të
cilin ka nisur ta përkthejë në gjuhën malazeze, gjithnjë me dëshirën e mirë për
ta botuar në Mal të Zi.
Kur dolëm nga
lokali “Troja” kishte rënë mbrëmja në Tuz. U ndamë me Pjetër Dreshajn dhe Gjon
Dushajt duke i falënderuar për këtë takim të bukur, ndërsa shkrimtari Anton Gojçaj
na përcolli deri në kufi. Ndaluam në Shkodër tek Hotel “Rozafa”, sepse e kishim
lënë me Filip Guraziun të na i linte aty listat me firmat që ishin mbledhur në
këtë qytet për nderimin e Aristidh Kolës me titullin “Nderi i Kombit”. Gjatë
kthimit për në Tiranë na bëri përshtypje se pjesa më e madhe e rrugës ishte përfunduar dhe
ndriçimi me dy palë refleksione, të bardha e të kuqe, të krijonte më të vërtetë
kënaqësi në udhëtim. Kësaj here rruga nga
Hani i Hotit deri në Tiranë, dhe pse e papërfunduar plotësisht, na u duk me të vërtetë e bukur.