Krenar për popullin tim!- nga Filip Çakuli
Filip Çakuli |
Nga Filip Çakuli
Përgjigje e detyruar ambasadorit danez dhe kolegut Mero Baze, që merr seriozisht ambasadorët
Nuk mund të heshtja dhe as të bëja sehir si bir kurioz dhe
inteligjent i këtij populli, kur lexova intervistën e ambasadorit danez
në Tiranë. Ai na krahason me popujt e tjerë evropiane dhe habitet për
reagimet tona popullore në lidhje me vrasjet qeveritare të 21 Janarit,
me korrupsionin qeveritar, me shkatërrimin qeveritar të mjedisit dhe
plot zullume të tjera me cilësorin “qeveritar” nga mbrapa. Demek ne
qenkemi një popull që i pranojmë në heshtje të gjitha ato që janë nga
mbrapa me “qeveritare”.
Jo more zotni i nderuar! Të lash gojën mirë kur përmend ketë popull
që e ka çarë rrugën e historisë me shpatë në dore. Një popull që kur të
jep besën, ther fqinjin për ta mbajtur. Një popull që për një nder rron!
Një popull që mençurisht e ka thënë “më mirë një orë në liri, se
njëqind vjet në robëri”!
Kur popujt e tjerë indoevropiane po zbrisnin nga stepat e Azisë
Qëndrore dhe sapo kishin filluar të ecnin me dy këmbë, paraardhësit
tanë, ilirët, kishin shtetin e tyre. Madje kur popujt tuaj evropiane
ishin në epokën e patriarkatit, populli ynë i emancipuar kishte një
grua, Teutën, mbretëreshë. Ashtu siç kemi sot vetëm një grua në qeverinë
tonë demokratike. Ju andej nga anët tuaja tani gratë dhe burrat i keni
njëlloj në qeverisje, por ne jemi besnikë të të parëve tanë, vetëm një
grua, po Teutë ama! Na e prishi rregullin Enver Hoxha, që kishte dy gra
ministre, por ai ka qenë regjimi më antidemokratik në botë.
Ju i ndërroni udhëheqësit tuaj si mbreti gratë, i themi ne këtej nga
anët tona, ndërsa ne mbajmë një, që e paçim sa malet tona kreshnike.
Turp për ju evropianët që e detyroni udhëheqësin tonë të madh dhe të
pagabueshëm të njëzet vjetëve të fundit, të takojë e të mbajë mend
gjithmonë fytyra të reja kryeministrash e presidentësh që nuk e kuptoj
pse i zëvendësoni kaq shpesh. A keni parë ju ndonjë popull më të
durueshëm se populli ynë në Evropë e me gjerë? Pesëdhjetë vjet shokun
Enver, i cili iku nga zoti, jo se e hoqëm ne, njëzet vjet shokun, më
falni, zotin Sali, që ishallah pastë jetë të gjate për të mirën e
Partisë dhe të popullit tonë.
Ju, popujt evropianë, nuk keni besim te njëri-tjetri dhe kur shkoni
në votime duhet të votojë patjetër personi që e ka emrin në listë, a
thua se ai nuk paska të afërm apo kolegë partiakë që të votojnë për të.
Po të vdekurit, që tek ju harrohen sa varrosen? Këtu tek ne të vdekurit
kanë të njëjtat të drejta të garantuara me Kushtetutë si të gjallët:
votojnë gjithnjë për demokratët, marrin pensione, paraqiten edhe para
noterit për të firmosur për pronën e tyre.
Ju mburreni me arritjet tuaja shkencore: merrni një zemër të re dhe
ia zëvendësoni njeriut në nevojë; merrni një dorë, një këmbë dhe e
ktheni njeriun siç ka qenë, por nuk keni arritur kurrë të merrni një
copë mishi dhe ta bëni ministër. Ja pra kjo është që ju kemi lënë prapa
dhe sot jemi o të parët në botë, o të dytët, po asnjëherë ama prapa
Francës, Anglisë, Italisë e më the të thashë.
Cili popull në Evrope është lidhur me Partinë dhe qeverinë e tij si
mishi me thuan? Ju, nëse nga frëngjitë e godinës kryeministrore do t’u
ishin vrarë jo katër, po vetëm një qytetar, do të kishit bërë namin dhe
qeveria nuk do gjente vrimë ku të futej. Se nuk dini ç’është falja!
Populli ynë i fal bijtë e tij në qeveri dhe i voton prapë, me duart e
tij dhe i vlerëson ata si qitës të shkëlqyer, që asnjë plumb nuk u vete
dëm.
Ju e keni dëgjuar, besoj, se ne jemi vend i shqipeve. Domethënë ne
kemi zëvendësuar shqiponjat që kanë fluturuar andej nga Andet. Të
largoje shqiponjat nga foletë e tyre nuk ishte një punë e lehtë.
Duheshin prerë pemët, pa duheshin shkulur nga rrënjët pyje të tëra,
duheshin gërryer lumenjtë për ta çuar tokën në det, gjëra që asnjë
pushtues nuk na i ka bërë, sepse pushtuesit ishin evropianë, si puna
juaj. Kështu kemi zbuar dhe dallëndyshet dhe gjithë zogjtë e tjerë
shtegtare dhe kanë mbetur ca zogj kurajozë që ngrenë foletë edhe në
godinat qeveritare.
Ju zoti ambasador thoni se asnjë popull evropian nuk do të heshtte
për të gjitha këto bëmat tona. Se ju nuk i dini fjalët tona të mençura
se “heshtja është flori”. Nuk e keni dëgjuar ju presidentin tonë që
fliste me heshtjen e tij? Ju duhet të dini se populli ynë kur vlerëson
një pjesëtar të tij si burrë i mirë, thotë se nuk i është dëgjuar kurrë
zëri. Ben përjashtim këtu vetëm udhëheqësi dhe reformatori ynë, burri i
madh i shtetit që flet nga mëngjesi deri në darkë, por ai ka një
diagnozë, që në gjuhën mjekësore quhet lugore. Por dhe ai i respekton
rregullat. Nuk flet për bëmat e qeverisë, por për bëmat e të tjerëve.
Cili popull evropian, zotni, e ka nderin e tij më të shtrenjtin
virtyt? Për një nder janë hedhur nga shkëmbi 90 gra e vajza krutane për
të mos i përdhunuar turqit, vëllezërit tanë shekullore të një gjaku. Se
ata nuk paguanin, zotni, donin çdo gjë qyl, se me pare në dorë ne vemi
vetë në Itali, Greqi e gjetkë. Vetëm komunizmi kishte seks pa para.
Dhëndri i ri këtej nga bjeshkët tona mbante armën nën jastëk, nëse
çarçafi i nderur në tel të nesërmen e natës së parë nuk ishte i
njollosur me gjak virgjëreshe. Ka ndodhur që e ka vrarë nusen natën e
dytë, se nuk e gjeti të virgjër, po këto janë përjashtime.
Cili popull në Evropë vret një djalë, apo vajze adoleshente, vetëm e
vetëm se gjyshi i saj paskësh vrarë gjyshin e tij? Ju do na fusni në
gjirin tuaj, por mos harroni kanunin tonë. Jemi vrarë dhe prerë në
histori dhe nuk ua falim. Jemi në gjak me Austro-Hungarinë, me Italinë,
me Gjermaninë, Turqinë, se gjyshërit e tyre na kanë vrarë gjyshërit tanë
dhe kjo punë lahet duke u vrarë juve, nipërit e tyre. Do vejë haka tek i
zoti. Ju zoti ambasador mendoni se nuk mund të merret hak ndaj jush,
pasi jeni një diplomat i zoti. Gaboheni rëndë. Në Kanunin tonë për gjak
vritet më i miri i fisit.
Prandaj zoti ambasador, mbaje gojën kur krahason popullin tim me
popujt e tjerë evropiane. Hesht, përderisa për ne heshtja është flori.
Se na ngrihet dhe ambasadori amerikan dhe na bën thirrje ‘vepro tani’.
Si të veprojmë tani, kur s’kemi vepruar gjatë gjithë kohës? Populli ynë
trim, liridashës dhe punëtor ka një fjalë të urtë: qeni i rrahur që
këlysh, nuk bëhet qen! Ndaj dhe ne zoti ambasador me statistika mbetemi
popullsia më e re në botë.