10 July 2012

Shqipëria e ndyrë e Blendi Fevziut- nga Bledi Mane

Shqipëria e ndyrë e Blendi Fevziut

Nga Bledi Mane- Public Enemy

1./
Hej Fevzo, si të duket atdheu pa Ardian Klosin?

Bosh, i mpirë, i tulatur, moskokëçarës, halabak, snob, i dhjerë… Si thua, i mungon vendit një mendjehapur ironik, racional, cinik dhe i rafinuar si Klosi?
Aha, tani po e kuptoj që paskam degraduar unë. Të pyes ty nëse atdheu yt ndjehet ende keq e i munduar nga vetëvrasja e një kafkiani të depresionuar nga mëkatet e paraardhësve të tij, të lënduar nga dhimbjet e atdheut të tij që vuan e vuan e nuk i vdes kurrë. Kam degraduar unë sepse harroj shpejt që mes jush, mes teje dhe Klosit ka dy atdhe, ka dy Shqipëri.
Ikja e Ardian Klosit prej kësaj Shqipërisë matanë do të mbesë gropë e madhe e pambushur, do të jetë si një varr i hapur masiv, i cili do të përpijë mjaft mendje e shpirtra fisnikë, të cilët do i dorëzohen ikjes së përjetshme. Do vazhdojë të përpijë si me forcë anteu të dobëtit dhe delikatët logjika dhe kurajoja e të cilëve do të mposhtet nga vuajtjet e ndjenjave, nga mosguximi gjenetik, na turpërimi që i bëhet vendit të tyre nga gjysma e republikës përballë.
Ti Fevzo nuk ke arsyen më të vogël të dëshpërohesh dhe tulatesh nga (vetë)vrasja e Klosit. Jo, sepse kur ai ishte drejtor i televizionit publik të zboi me ceremoni e u bë sebep që opinioni yt të stacionohej pranë Sandrit të Klanit, jo sepse Klosi për ty ishte një bibliotekë dhe akademi aleksandrie gjigande, së cilës nuk iu afrove as në monizëm, as në të gjallë e as në të vdekur. Jo sepse dyshja antikonformiste Klosi-Rama nuk të krijoi kurrë asnjë xhep sado të vogël sikur për fasadë, jo sepse pragmatizmi dhe estetika e karakterit të Klosit nuk krahasohen me cektësinë e inteligjencës tënde prej një shërbëtori tashmë të zbuluar regjimesh…por ndryshimi mes jush janë dy copëzat Shqipëri, atdheu yt dhe atdheu i tij.
Atdheut të Klosit po i mpaken qytetarët me ikjet e gërdecasve, kostrebickave, 21 janarsve, ai atdheu po vajton humbjen, ndërsa Shqipëria jote gumëzhin nga zhurmat e njerëzve që vijnë vërdallë pa lek në xhepa e pa blerë asgjë nëpër TEG. Atdheu yt ka vite që nuk skuqet e as zverdhet, por thjesht trashet e majmet artificialisht si një obez vagabond. Atdheu yt thjesht var varëse të trasha floriri, xhiron gomat e makinave të shtrenjta dhe trash zërin si lac lagjeje duke trembur ata që nuk e njohin.
Atdheu i Klosit ka mbetur bathorisht dhe paskuqanisht i palegalizuar me barkun bosh, qytetarët e të cilit ende nuk kanë marrë paratë e premtuara të votave që hodhën trefish më 8 maj. Atdheu i Klosit u plagos dy herë brenda kësaj javë në Peqin dhe te Gjiri i Lalzit. Ende ky atdhe nuk mjekon nga tulatja plagën që i shkaktoi plumbi i Dashnor Sulës me pisqollën e Kuvendit, teksa vetë atdheu kishte shkuar të argëtohej në stadium. Ndërsa i rridhte gjaku i plagës së parë, hëngri një grusht të thatë hundëve tek rrokte të shikonte se kush hante darkë në atë vilën e krimur të Ilir Metës në Lalëz.

Hej Fevzo!
E di si më duket atdheu i Klosit?
Porsi rrëfimi yt dhe i Ben Blushit në numrin e parë të Rilindjes Demokratike ne janarin e 1991-shit. 21 vjet më pas dhe ende vërtitet e njëjta varfëri, por kësaj here më injorante dhe më e rrezikshme.
Atdheut tënd Fevzo i mungon tashmë idealizmi i brezit tuaj, i mungojnë gjyshet e tua të dashura, të cilat siç pretendon ti vinin nga dyer të rënda aristokratësh, por ikën me brengën se nipi i tyre nuk e filtroi dot gjakun e tij në blu ngaqë tu helmua gjate monizmit. Ato të edukuan me fisnikërinë e të qenurit superior ngritur mbi themele të forta meritash, por ti si për forcë zakoni e si dembel mesdhetar nuk filtrove gjakun, por flirtove me çdo kryeministër të majtë e të djathtë duke u bërë si urë. Ti këmbeve urtësinë, gjenezën, largpamësinë e Toptanasve dhe Bregasllarëve me prapaskenat rurale të poshtra nordike që t’i cytën Frangajt dhe Metat.
Atdheu i Klosit është i varfër sepse andej nga soji yt përballë nuk deklarove kurrë shifrën e saktë sa ia shite francezit Zhuljen Roche gazetën Korrieri, nuk dihet sa fiton tashmë çdo muaj dhe sa taksa paguan, nuk dihet sa kopje u shit libri yt për shokun Enver dhe nuk dihet nëse je tatuar ti dhe botuesi yt.
Atdheu i Klosit ndjehet i shokuar sepse studioja e opinionit tënd është aushvicuar në terre kërcënimesh me varje palmash, plumba ballit, prerje fytesh. Atdheu yt ngërdheshet kur dëgjon Endirën e KRTV tek flet për gjoba të rënda pse miku ish armiku miku yt Arjan Cani puth alla francezçe ukrainaset e bukura ndërsa ty nuk tenton të të këshillojë askush për të ndryshuar diskursin e debateve.
Atdheu yt Fevzo duket i bukur nga jashtë, por krimbja e tij nga brenda do ta brejë shumë shpejt fasadën. Ti megjithëse ke fjalën e rëndë e respektohesh preh hallit, kurrë nuk guxove ta shëroje sado pak. Atdheu yt është mbushur me rrugë të reja të nisura e të pa përfunduara, atdheu yt po “kristalizon” tashmë sistemin universitar jo publik më sharlatanin në kontinent, atdheu yt ka frikë të pranojë krizën e rëndë të një ekonomie informale që po azmatohet përfundimisht. Jepi gjithë ditën atdheut tënd të pijë Red Bull nga të Gimçes së Ritvanit e përsëri do i dridhen këmbët nga pafuqia. Zbukuroje atdheun tënd si manekinat e QTU-së së Samirit, por përsëri dhjami i krimit nuk ia fsheh kokallat e një ushqyerje spontane. Çoje sa herë të duash në Bruksel me aeroplanët Belleair të Lulit, përsëri Shqipëria jote Fevzo e shëmtuar e plakur do të duket. Vishe me rroba të shtrenjta Burrbery si ato të bashkëshortes tënde, por sërish ky vend do të duket oriental e i përdalë.
Hej Fevzo, nuk dua të të bej qejfin por ti tashmë studiohesh në shkollën e gazetarisë shqiptare si “fenomeni i vjollcëvokshërimit mediatik”. Ti le pa gjumë studentë gazetarie të Qytetit Studenti tek mundohen të të imitojnë ty. Duan të bëhen të famshëm e të pasur porsi ty duke mos lexuar asnjë libër e gazetë, duke rekrutuar të tjerë të punojnë për ta, duke ngarë trafikun e influencave në hullinë tënde, duke e dredhur çdo 8 vjet sa sheh që në horizont ndjehet era e ndryshimeve.
Hej Fevzo ti sot je më shumë se një star, je një Rambo, je një Oprah, je një ministër pa portofol, je një megaeminent, je një super këshilltar, je një Kastro që ke kastruar atdheun tënd jo atë të Ardian Klosit.
Eh Fevzo djali. Ti ke gjithçka në dorë, por unë të shoh porsi mbretin lakuriq të atdheut tënd. Ti ke kohë që nuk plakesh e as rinohesh. Ti ke kohë që bashkë me atdheun tënd je shëmtuar. Ti nuk je më ai djali i bukur i një atdheu të bukur sepse të kanë ngordhur parimet. Ti nuk je pjese e lumturisë kolektive, ti vërtetë po shëmtohesh dhe shikoje me kujdes veten. Je trashur, ke mbetur pa qafë, pa forma, pa flokë, me fytyrë e kokë që po të vezëzohet porsi Fantomasi i Marsel Alenit. Ti po vuan shpagimin e heshtur të qindra mijërave që të shohin e të dëgjojnë çdo natë sesi ti skuthshëm i poshtëron ëmbël. Ti me koshiencë po shndërrohesh në dishepullin dhe imazhin e një diktature të zbukuruar, e cila butë-butë zbret nga ekrani i televizionit dhe injektohet ne gjakun dhe qelizat e qytetarëve të atdheut tënd. Atdheu i Ardian Klosit është më ndryshe, nuk injektohet kollaj. Ata më mirë vrasin veten sesa të kthehen ne ushtare të bindur të një kauze kaukaziane. Atdheu i Klosit ka tharm evropian. Atdheu i Klosit vdes dhe ngjallet më i bukur.


2./Një tjetër Atdhe

Harrova të të kujtoj Fevzo se mes atdheut tënd dhe të Klosit ndodhet Atdheu im. Po qëndron pezull, pa fryme po qëndron. Thjesht rri e vështron indiferent, por dije se kur të zgjohet do t’ia marre frymën atdheut tënd të lodhur, të drobitur, atdheut tënd kokëpalarë. Atdheu im do t’ia shkërdhejë pasurinë dhe pushtetin atdheut tënd të shëmtuar. Atdheu im nuk është frikacak, atdheu im do ua ktheje pasurinë dhe lavdinë qytetarëve të tij e asnjëherë nuk do t’i detyrojë ata të vrasin veten. E vëmë një bast po ke bythë o Fevzo?